KIEV – Zelensky: Çdo vendim i marrë pa Ukrainën, do të ishte një vendim kundër paqes
KIEV, 9 gusht /ATSH-AFP-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky paralajmëroi sot kundër çdo vendimi të marrë pa Ukrainën, duke riafirmuar se ukrainasit “nuk do t’ua japin tokën e tyre pushtuesve”.
“Çdo vendim i marrë kundër nesh, çdo vendim i marrë pa Ukrainën, do të ishte një vendim kundër paqes”, paralajmëroi ai në median sociale, ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin kanë planifikuar të takohen në Alaska më 15 gusht për të provuar t’i japin fund luftës në Ukrainë të nisur nga Rusia.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se do të takohet me udhëheqësin rus Vladimir Putin në Alaska më 15 gusht.
“Takimi shumë i pritur midis meje, si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe presidentit Vladimir Putin të Rusisë, do të zhvillohet të premten e ardhshme, më 15 gusht 2025, në shtetin e madh të Alaskës. Detajet e mëtejshme do të vijojnë”, tha Trump në një postim në platformën e tij Truth Social.
Putin konfirmoi të enjten takimin e planifikuar me Trumpin mbi luftën në Ukrainë, duke sugjeruar Emiratet e Bashkuara Arabe si një vend të mundshëm për samitin.
Rusia ka zhvilluar një luftë shkatërruese kundër Ukrainës për më shumë se tre vjet.
Edhe Trump ka deklaruar vazhdimisht dëshirën e tij për t’i dhënë fund luftës shpejt.
Samiti do të jetë i pari midis një presidenti në detyrë të SHBA-së dhe Putinit që nga viti 2021, kur Joe Biden u takua me Putinin në Gjenevë./ a.jor.
The post KIEV – Zelensky: Çdo vendim i marrë pa Ukrainën, do të ishte një vendim kundër paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.