Partitë politike duhet t’i lënë dallimet anash dhe të vendosin përpara interesin e vendit. Kështu deklaron Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për televizionin polak “TVP World” duke u bere thirrje partive politike në Kosovë që të arrijnë një marrëveshje dhe t’i themelojnë institucionet.
“E shfrytëzoj rastin që t’u bëjë thirrje sërish të gjitha partive politike që ta vendosin interesin e vendit para, e t’i lënë anash dallimet. Të tentojnë të formojnë një koalicion të shumicës parlamentare e cila e dërgon Kosovën para”, u shpreh Osmani.
Osmani ka thënë se si pasoje e kësaj bllokade politike, vendi po humbet projekte të Bashkimit Evropian, dhe po ashtu marrëveshje me administratën e re të SHBA-së.
“Shumica e marrëveshjeve duhet të shkojnë në Kuvend për t’u ratifikuar e në Qeveri për zbatim. Njerëzit e Kosovës duhet të kenë një qeveri efikase me fuqi të plotë”, theksoi presidentja Osmani. Ajo ka shtuar se Kosova nuk e ka luksin të qëndrojë kaq gjatë pa institucione.
“Do të ketë shumë që thonë Belgjika ka dy vjet pa qeveri, Austria ka 6 muaj. E kuptoj, por ne nuk e kemi luksin për të pritur aq gjatë. Ne duhet vërtetë të ecim para me reforma, me anëtarësim në organizata”, tha ajo.
Osmani shprehu kritika edhe për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo deklaroj se ndonëse Kosova është e rreshtuar qind për qind me politikat e BE-së dhe se 97 e qytetarëve në Kosovë janë pro anëtarësimit në BE dhe NATO, prapë kjo nuk po i bie në sy shteteve anëtare.
Ajo u ndal edhe tek zhvillimet ne Serbi, duke e quajtur Vucic, mjeshtër të propagandës, përmes së cilës po e bën Perëndimin të besojnë se ai është duke qëndruar mes dy karrigeve, por sipas saj, në fakt Vuçiçi ka zgjedhur të ulet në karrigen e Rusisë.
Ndërsa për zhvillimet në arenën ndërkombëtare Osmani zgjodhi Rusinë, Kinën dhe Iranin si “trekëndëshi i së keqes” që po tenton të ndikojë në Ballkanin Perëndimor me ne krye Moskën qe duke destabilizuar rajonin synon ta largojë vëmendjen e Perëndimit nga Ukraina.
/abcnews.al/