Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

KINEMA – Coppola: Herzog është një enciklopedi dhe një fenomen i pakufishëm

VENECIA, 27 gusht /ATSH/ – Werner Herzog është një enciklopedi, deklaroi regjizori hollivudian Francis Ford Coppola në fjalimin e tij lavdërues për homologun gjerman, shkruan tg24.sky.it.

“Jeta e tij ka mbushur faqet e çdo enciklopedie – librat që shkroi, dramat që drejtoi, rolet në të cilat luajti. Ai nuk ishte thjesht i aftë të mbushte faqet e enciklopedive; Werner është një enciklopedi dhe një figurë aq plot me kreativitet”, shtoi Coppola duke parë nga Herzog.

“Herzog është një fenomen i pakufishëm. Të lavdërosh Werner Herzog nuk mjafton. Duhet të festojmë faktin e thjeshtë që ekziston dikush si ai. Werner është shfaqur si një fenomen i pakufishëm, duke punuar në çdo cep të kinemasë. Puna e tij ka shpërthyer në jetën time me filmat e Kasper Hauser, The Enigma, Aguirre, Out of God, Stroszek, Fitzcarraldo. Nuk kam parë kurrë filma të tillë, të gjithë unikë dhe shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri, të gjithë madhështorë”, theksoi Coppola. /os/

The post KINEMA – Coppola: Herzog është një enciklopedi dhe një fenomen i pakufishëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Werner Herzog merr ”Luanin e artë” të Karrierës

VENECIA, 27 gusht /ATSH-ANSA/ – Regjisorit dhe skenaristi gjerman Werner Herzog iu dha statuja prestigjioze e ”Luanit të Artë të Karrierës” gjatë ceremonisë së hapjes së Festivalit të 82-të të Filmit në Venecia nga kolegu i tij amerikan Francis Ford Coppola i cili mbajti një fjalim në nder të tij në Sala Grande.

”Gjithmonë jam përpjekur të arrij një formë të thellë poetike. Mund të duket e çuditshme, por unë jam një ushtar i mirë i kinemasë, dhe për mua kjo do të thotë këmbëngulje, guxim dhe gjithashtu një ndjenjë detyre, dhe kjo është në fund të fundit ajo që më solli këtu. Faleminderit”, theksoi Herzog në fjalimin e tij.

Coppola, i cili i dorëzoi statujën theksoi nga ana e tij se ”ishte gati të hante këpucën e tij nëse do të kishte një tjetër regjizor si Herzog”.

“Ai shpiku kategori që ende nuk kanë një emër. Arti i tij mund të mbushë faqet e një enciklopedie”, theksoi Coppola.

Herzog, i përshëndetur nga një ovacion në këmbë nga publiku, madje derdhi disa lot ndërsa shikonte imazhet e filmave të tij të lëviznin nëpër ekranin e madh.

Werner Herzog, regjisor, skenarist, shkrimtar, aktor dhe regjisor dokumentarësh gjerman, ka qenë në qendër të skenës artistike ndërkombëtare për më shumë se gjashtëdhjetë vjet.   /os/

 

The post KINEMA – Werner Herzog merr ”Luanin e artë” të Karrierës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Mattarella: Kinemaja është një pjesë thelbësore e kulturës italiane

VENECIA, 27 gusht /ATSH/ – Ceremonia zyrtare e hapjes së Festivalit të 82-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia u drejtua nga fituesja dy herë e çmimit ”Davide di Donatello”, aktorja komike Emanuela Fanelli, shkruan rainews.it

Ky edicion u hap me debutimin e filmit më të pritur i këtij viti, i pari nga pesë filmat në garë, “La Grazia” i regjisorit dhe skenaristit Paolo Sorrentinos, i cili ngjalli emocione të shumta.

Një vlerësim pati edhe për regjisori gjerman Werner Herzog li cili arriti të merrte ”Luanin e Artë për Arritje Gjithëpërfshirëse”.

Një tjetër mjeshtër i kinemasë hollivudiane, Francis Ford Coppola, mbajti një fjalim lavdërues për vlerësimin ndaj regjizorit Herzog.

Në kë event kulturor nuk mund të mungonte mesazhi i presidentit italian Sergio Mattarella me rastin e inaugurimit të ”Festivalit të 82-të të Filmit”.
“Kinemaja është një pjesë thelbësore dhe e domosdoshme e kulturës italiane; ajo shpreh gjenialitetin e saj në botë; ajo transmeton dhe konsolidon bukurinë, shpresën dhe vlerat e saj”, theksoi presidenti.

”Kontributi i kinemasë është veçanërisht i vlefshëm në këtë periudhë të jetës globale, e cila shpesh tregon nevojën për të rikuperuar soliditetin kulturor dhe ndjenjën e solidaritetit njerëzor”, shtoi ai.

Kreu i Shtetit përcolli “urimet e tij më të mira për këtë edicion të Festivalit të Filmit në Venecia, i cili premton, si në të kaluarën, të jetë i pasur me propozime dhe iniciativa për të gjithë artistët pjesëmarrës, për botën interesante dhe komplekse të prodhimit kinematografik , për organizatorët dhe për audiencën, e cila gjithmonë vjen në numër të madh”. /os/

The post KINEMA – Mattarella: Kinemaja është një pjesë thelbësore e kulturës italiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Ishulli ku të gjithë burrat do të donin të jetonin

HELSINKI, 27 gusht /ATSH/ – Cili është ishulli ku të gjithë burrat do të donin të jetonin, por nuk munden?, shkruan faqja menshealth.com.

Për disa, mund të jetë “parajsë në tokë”.

Është një ishull ku të gjithë burrat do të donin të jetonin, por për fat të keq, është një ishull ku burrat nuk mund të jetojnë.

Ky vend është i banuar vetëm nga gratë dhe hyrja për çdo mashkull është e ndaluar.

Ky komunitet i projektuar ekskluzivisht për gratë ndodhet në Finlandë, një ishull privat në detin Baltik.

Dhe emri i tij thotë gjithçka: Ishulli SuperShe (SuperAjo).

Në këtë ishull burrave u ndalohet absolutisht të hyjnë në të.

Ideja për këtë mënyrë jetese i lindi Kristina Roth, një sipërmarrëse amerikane, e cila bleu ishullin në arkipelagun finlandez në vitin 2017 me të ardhurat nga shitja e firmës së saj të konsulencës teknologjike.

Ajo themeloi Ishullin ”SuperShe”, një vend ekskluziv ekskluzivisht për gratë, i konceptuar si një përvojë në natyrë ku femrat mund të lidhen, të praktikojnë yoga, meditim apo kajak, të marrin pjesë në seminare shëndetësore dhe karriere, të ndjekin një dietë të shëndetshme dhe të relaksohen.

Ishulli është i vogël, rreth 3,4 hektarë dhe përmban katër eko-kabina prej druri, një sauna finlandeze dhe yurte (banesat tradicionale portative, rrethore të përdorura nga popujt nomadë të Azisë Qendrore, si mongolët, kazakët dhe kirgizët) për aktivitete në grup.

Për të vizituar ishullin SuperShe, duhet të plotësoni një aplikim dhe të shpresoni të zgjidheni. Dhe atyre që e akuzuan Roth për krijimin e një vendi elitar, një lloj klubi për të privilegjuarit, ajo gjithmonë u përgjigj se ishte “një hapësirë ​​e krijuar nga gratë, për gratë, pa përjashtim”.

Filozofia e jetës në Ishullin SuperShe, ishullin ku të gjithë burrat ëndërrojnë të jetojnë, por nuk munden, mbeti e pandryshuar edhe në vitin 2023, kur u ble nga bullgari Deyan Mihov për një milion euro.

Manjati, në fakt, vendosi të ruante rregullin kryesor: që ishulli është i rezervuar vetëm për gratë edhe pas shumë presionesh të jashtme.

Përjashtimi i vogël ka të bëjë me mundësinë e lejimit të burrave në ishull, por vetëm nëse nevojiten punime mirëmbajtjeje.

Sidoqoftë, ata duhet të largohen nga ishulli SuperShe në fund të ditës dhe të kthehen të nesërmen nëse duhet të vazhdojnë detyrat e tyre./  /os/

The post SOFT NEWS – Ishulli ku të gjithë burrat do të donin të jetonin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Jeta është e mundur edhe në planetë pa ujë

MASASHUTSES, 27 gusht /ATSH-ANSA/ – Jeta mund të ekzistonte edhe në planetë pa ujë nëse do të ishin të pranishme përzierje fluide të kripërave (lëngje jonike) të afta për të strehuar molekula biologjike si proteinat, sipas një studimi nga Instituti i Teknologjisë i Masaçusetsit.

“Ne e konsiderojmë ujin të domosdoshëm për jetën sepse kjo është ajo që na nevojitet për jetën në Tokë. Por nëse marrim në konsideratë një përkufizim më të përgjithshëm, shohim se ajo që na duhet është një lëng në të cilin mund të ndodhë metabolizmi për jetën”, thotë Rachana Agrawal, e cila drejtoi studimin.

“Tani, nëse përfshijmë lëngun jonik si një mundësi, kjo mund ta rrisë ndjeshëm zonën e banueshme për të gjitha botët shkëmbore”, shton ajo.

Studiuesit zbuluan se ky lloj i veçantë lëngu mund të formohet lehtësisht nga përbërësit kimikë që pritet të jenë të pranishëm në sipërfaqet e disa planetëve dhe hënave shkëmbore.

Lëngjet jonike janë kripëra që ekzistojnë në formë të lëngshme nën rreth 100 gradë Celsius.

Eksperimentet e ekipit kanë treguar se lëngje të ngjashme mund të prodhohen nga një përzierje e acidit sulfurik dhe disa komponimeve organike që përmbajnë azot: acidi sulfurik në planetët shkëmborë mund të jetë një nënprodukt i aktivitetit vullkanik, ndërsa komponimet që përmbajnë azot janë zbuluar në disa asteroide dhe planetë në Sistemin Diellor, që do të thotë se ato mund të jenë të pranishme edhe në sisteme të tjera planetare.

Lëngjet jonike nuk avullohen; ato mund të formohen dhe të vazhdojnë në temperatura më të larta dhe presione më të ulëta sesa mund të tolerojë uji i lëngshëm.

Sipas studiuesve, ato mund të përfaqësojnë një mjedis mikpritës për biomolekula të caktuara, të tilla si proteinat. /os/

The post FOKUS – Jeta është e mundur edhe në planetë pa ujë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky emëron ish-zëvendëskryeministren ambasadore në SHBA

KIEV, 27 gusht /ATSH-ANSA/ – Presidenti Volodymyr Zelenskyy ka emëruar ish-zëvendëskryeministren Olga Stefanishyna, si ambasadore të Ukrainës në Shtetet e Bashkuara.

“Sapo fola me Olga Stefanishyna, tani ambasadore e re e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara”, shkroi udhëheqësi ukrainas në mediat sociale.

“Gjëja më e rëndësishme është zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve me Uashingtonin, marrëveshjeve tona me presidentin Trump, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes.

”Në shumë mënyra, sigurimi i sigurisë afatgjatë të Ukrainës varet nga marrëdhëniet me Amerikën”, shtoi ai. /os/

The post KIEV – Zelensky emëron ish-zëvendëskryeministren ambasadore në SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Dy fëmijë të vrarë pas të shtënave në një shkollë në Minneapolis

MINEAPOLIS, 26 gusht /ATSH- DPA/ – Dy fëmijë u vranë dhe 17 persona të tjerë u plagosën në një të shtënë gjatë një shërbese kishtare në një shkollë katolike në Minneapolis, Minesota, deklaroi shefi i policisë Brian O’Hara.

Sipas raporteve fillestare, besohet se shumica e viktimave janë fëmijë.

Autori më pas u vetëvra në parkingun përpara shkollës. Policia beson se ai veproi i vetëm.

I armatosur me tre armë, ai qëlloi nga jashtë përmes dritareve të kishës, duke goditur fëmijë dhe besimtarë të tjerë.

Shefi i policisë tha se fëmijët që vdiqën ishin 8 dhe 10 vjeç, duke e quajtur aktin e dhunës “absolutisht të pakuptueshëm”.

 

The post SHBA – Dy fëmijë të vrarë pas të shtënave në një shkollë në Minneapolis appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VATIKAN – Papa Leone: Ti jepet fund ndëshkimit masiv të banorëve të Gazës

VATIKAN, 27 gusht /ATSH-AA/ – Udhëheqësi shpirtëror i Kishës Katolike dhe kreu i Vatikanit, Papa Leo XIV bëri thirrje për t’i dhënë fund ndëshkimit masiv dhe zhvendosjes me forcë të palestinezëve në Gaza dhe për një armëpushim të përhershëm.

Në seancën e pritjeve të përgjithshme që mban gjatë ditëve të mërkura, Papa foli në lidhje me krizën humanitare në Gaza, të cilën Izraeli planifikon ta pushtojë.

“Unë kërkoj lirimin e të gjithë pengjeve, vendosjen e një armëpushimi të përhershëm, hyrjen e sigurt të ndihmës humanitare dhe respektimin e plotë të ligjit humanitar”, tha Papa Leoni duke nënvizuar nevojën për mbrojtjen e civilëve sipas ligjit ndërkombëtar.

Ligji ndërkombëtar ndalon ndëshkimin kolektiv, përdorimin e pakontrolluar të forcës dhe zhvendosjen me forcë të popullatave, theksoi Papa, i cili bëri thirrjen për t’i dhënë fund këtij “shkatërrimi”.  /os/

The post VATIKAN – Papa Leone: Ti jepet fund ndëshkimit masiv të banorëve të Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Shkalla e lindjeve në nivelin më të ulët historik

LONDER, 27 gusht /ATSH-AA/ – Shkalla e lindjeve në Angli dhe Uells ka rënë në një nivel të ri rekord të ulët, me shkallën e fertilitetit që ka rënë në 1,41 fëmijë për grua në vitin 2024, nga 1,42 në vitin 2023, tregojnë të dhënat e Zyrës për Statistikat Kombëtare (ONS).

Shifra është më e ulëta për të tretin vit radhazi dhe më e ulëta që nga fillimi i regjistrimeve rreth 90 vjet më parë.

Shkalla e lindjeve në Skoci ka rënë gjithashtu ndjeshëm, me numrin e lindjeve që ka rënë në nivelin më të ulët në pothuajse 170 vjet në vitin 2024, me shkallën totale të fertilitetit në 1,25, gjithashtu më e ulëta e regjistruar ndonjëherë.

Shkalla e lindjeve, ose numri i fëmijëve të lindur për grua në moshë riprodhuese, po bie në shumicën e vendeve si rezultat i një përzierjeje faktorësh shoqërorë dhe ekonomikë. Këto trende kanë bërë që shumë të vonojnë prindërimin, të kenë familje më të vogla ose të mos kenë fare fëmijë.

Shkalla aktuale e lindjeve në Angli, Uells dhe Skoci mbetet shumë nën 2,1 fëmijë për grua, shkallë e nevojshme për të ruajtur një popullsi të qëndrueshme në vendet e zhvilluara pa migrim.

Të dhënat e ONS-së treguan gjithashtu se mosha mesatare e nënave gjatë lindjes në Angli dhe Uells është rritur në 31 vjeç në vitin 2024, nga 30,9 vjeç në vitin 2023 dhe 29 vjeç dy dekada më parë.

Mosha mesatare e baballarëve është rritur në 33,9 vjeç, nga 33,8 vjeç në vitin 2023 dhe 32,1 vjeç në vitin 2004.   /os/

The post BM – Shkalla e lindjeve në nivelin më të ulët historik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Prindërit e një 16-vjeçari padisin OpenAI për vetëvrasjen e djalit

KALIFORNI, 27 gusht /ATSH-AA/ – Prindërit e një djali 16-vjeçar i cili vdiq nga vetëvrasja në prill kanë ngritur padi për vdekje të padrejtë kundër OpenAI, duke pretenduar se programi i saj ChatGPT inkurajoi vdekjen e tij, sipas një raporti.

NBC News raportoi se Matt dhe Maria Raine ngritën çështjen në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë në San Francisco të SHBA-së, duke paditur OpenAI, kompaninë pas ChatGPT dhe drejtorit ekzekutiv Sam Altman.

Sipas raportit, çifti pretendon se chatbot kaloi nga ndihma ndaj djalit të tyre Adam me detyrat e shtëpisë në shërbimin si një “trajner vetëvrasjeje”, duke e këshilluar atë mbi metodat dhe duke ofruar të hartonte shënime vetëvrasjeje.

“Ai do të ishte këtu po të mos ishte ChatGPT. Unë e besoj 100 për qind këtë”, tha Matt Raine.

Padia akuzon OpenAI për vdekje të padrejtë, defekte në dizajn dhe dështim për të paralajmëruar për rreziqet.

OpenAI i tha NBC se ishte “thellësisht i trishtuar” nga vdekja e Adam-it, duke thënë se ChatGPT përfshin masa mbrojtëse për të drejtuar njerëzit drejt burimeve të krizës, megjithëse mbrojtjet mund të bëhen “më pak të besueshme” në ndërveprime të gjata.   /os/

The post SHBA – Prindërit e një 16-vjeçari padisin OpenAI për vetëvrasjen e djalit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KROACI – Milanoviç: Njihni shtetin e Palestinës, është e vetmja mënyrë për të arritur paqen në LM

ZAGREP, 26 gusht /ATSH- ANSA/ – Presidenti kroat Zoran Milanoviç dënoi ashpër operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza dhe përsëriti thirrjen e tij ndaj qeverisë së kryeministrit Andrej Plenkoviç për të filluar procedurat parlamentare për njohjen e Palestinës.

Në takimin me ministrin e Jashtëm palestinez Varsen Aghabekian sot në Zagreb, Milanoviç  dënoi “sulmet brutale të kryera nga ushtria izraelite kundër civilëve në Gaza për muaj të tërë, dhe veçanërisht në ditët e fundit”.

Një pushtim ushtarak i Gazës nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë. E vetmja zgjidhje për krizën e Gazës është një zgjidhje me dy shtete”, theksoi ai.

“Kroacia duhet ta njohë Palestinën si një hap drejt përfundimit të luftës dhe katastrofës humanitare në Gaza. Njohja e të drejtës së popullit palestinez për të pasur shtetin e vet është e vetmja mënyrë për të vendosur paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, tha presidenti kroat. /os/

The post KROACI – Milanoviç: Njihni shtetin e Palestinës, është e vetmja mënyrë për të arritur paqen në LM appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Ukrainasit nën 22 vjeç lejohen të largohen nga vendi

KIEV, 26 gusht /ATSH- DPA/ – Qeveria ukrainase u ka dhënë të rinjve deri në moshën 22 vjeç leje për t’u larguar nga vendi pavarësisht luftës së vazhdueshme me Rusinë.

“Burrat midis moshës 18 dhe 22 vjeç mund të kalojnë kufirin pa pengesa gjatë gjendjes së luftës”, shkroi të martën në Telegram kryeministrja Yulia Svyrydenko.

”Rregullorja zbatohet për të gjithë rekrutët në atë grupmoshë. Është gjithashtu e rëndësishme që ukrainasit që janë tashmë jashtë vendit për arsye të ndryshme të mos e humbasin lidhjen e tyre me atdheun e tyre”, shkroi Svyrydenko.

Ministri i Brendshëm Ihor Klymenko shpjegoi se masa synon t’u japë të rinjve më shumë mundësi për të studiuar jashtë vendit, në mënyrë që ata më vonë të mund të kontribuojnë në vend pas kthimit të tyre.

Pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia tre vjet e gjysmë më parë, presidenti Volodymyr Zelensky vendosi ligjin ushtarak, i cili përfshinte një ndalim udhëtimi për të gjithë burrat midis 18 dhe 60 vjeç të përshtatshëm për shërbim ushtarak.

Përjashtimet kërkojnë autorizim të veçantë. Megjithatë, mijëra kanë ikur jashtë vendit për të shmangur detyrën në vijën e parë. /os/

The post KIEV – Ukrainasit nën 22 vjeç lejohen të largohen nga vendi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“The Mirror”: Lumi i Shalës apo Tajlanda e Evropës, mahnit vizitorët e huaj

LONDER, 26 gusht /ATSH/ -Shqipëria po fiton vend gjithnjë e më të dukshëm në hartën turistike të Europës dhe një nga pikat që ka marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare është Lumi Shalës, shkruan mirror.co.uk.

I quajtur nga mediat britanike si “Tajlanda e Europës”, ky destinacion po mahnit vizitorët me ujërat e tij të kristaltë dhe peizazhet e egra të Alpeve Shqiptare.

Artikuj të publikuar në shtypin britanik theksojnë se Lumi Shalës ofron një eksperiencë të ngjashme me ishujt tropikalë të Azisë Juglindore, por me një kosto shumë më të përballueshme dhe më afër Europës.

I aksesueshëm vetëm me varkë nga liqeni i Komanit, lumi përshkon mes maleve të larta dhe pyjeve të dendur, duke krijuar një atmosferë ekzotike që shpesh i bën vizitorët të ndihen si në një destinacion aziatik.

Zona ofron mundësi të shumta për aktivitete aventuriere, si zip-line, not, kajak, zhytje dhe shëtitje malore, por është po aq tërheqëse edhe për ata që kërkojnë qetësi e relaks buzë ujit.

Ky kombinim i aventurës me pushimin e qetë e ka kthyer në një destinacion gjithnjë e më të preferuar.

Lumi Shalës ka fituar popullaritet të madh në rrjetet sociale. Pamjet e shpërndara në TikTok dhe Instagram kanë habitur shumë përdorues, të cilët fillimisht besonin se bëhej fjalë për Tajlandën.

Shumë turistë ndërkombëtarë që e kanë vizituar e kanë vlerësuar Shqipërinë si një nga vendet më të bukura dhe më të rekomandueshme në Europë.

Një tjetër avantazh i madh është qasja e lehtë. Nga Mbretëria e Bashkuar ofrohen fluturime direkte drejt Shqipërisë nga disa aeroporte, përfshirë Bristol, Birmingham, Luton dhe Stansted, me çmime që në tetor fillojnë nga vetëm 25 paund.

Ky kombinim i aksesueshmërisë, kostove të ulëta dhe bukurive natyrore të veçanta po e shndërron Shqipërinë në një destinacion në rritje për turistët e huaj.

Lumi Shalës mbetet ende një perlë e fshehur e Alpeve Shqiptare, larg turmave të destinacioneve të mbipopulluara dhe po kthehet me shpejtësi në një simbol të ri të turizmit shqiptar. /os/

The post “The Mirror”: Lumi i Shalës apo Tajlanda e Evropës, mahnit vizitorët e huaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Demonstratat nuk rreshtin, kërkohet armëpushim dhe kthimi i pengjeve

TEL AVIV, 26 gusht /ATSH-AA/ – Izraelitët bllokuan disa rrugë kryesore në Tel Aviv, duke kërkuar armëpushim në Gaza dhe kthimin e izraelitëve nga Gaza.

Duke mbajtur pankarta, protestuesit bllokuan një rrugë në Tel Aviv, duke kërkuar një marrëveshje për lirimin e izraelitëve në Gaza.

Demonstruesit bllokuan rrugën duke djegur goma.

Izraeli ka vrarë më shumë se 62.700 palestinezë në Gaza që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake e ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me zi buke.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.   /os/

The post TEL AVIV – Demonstratat nuk rreshtin, kërkohet armëpushim dhe kthimi i pengjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – OKB: Uria në Gaza është në një fazë të përshkallëzuar me shpejtësi

GJENEVE, 26 gusht /ATSH-AA/ – Olga Cherevko, zëdhënëse e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA), deklaroi se uria në Gaza po përshkallëzohet me shpejtësi dhe paralajmëroi se nëse situata aktuale nuk adresohet në mënyrë holistike, uria mund të përhapet lehtësisht në pjesë të tjera të Gazës.

Cherevko në një intervistë për Anadolu foli në lidhje me situatën në Gaza e cila është nën sulme intensive izraelite.

Ajo deklaroi se uria dhe kriza e ushqimit janë të përhapura në Gaza dhe theksoi se konfirmimi i urisë në qytetin e Gazës në një raport të botuar nga Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) i mbështetur nga Kombet e Bashkuara (OKB) nuk ishte surprizë.

“Sado e tmerrshme të jetë (uria në Gaza), është diçka për të cilën kemi paralajmëruar prej muajsh. Ne e kemi ngritur këtë çështje dhe e kemi theksuar rrezikun në çdo platformë të mundshme, duke thënë se po ndodh prej muajsh. Nëse kjo situatë nuk ndryshon, do të shohim skenarin më të keq”, tha Cherevko.

Ajo ka kujtuar se raporti i IPC-së theksoi se nëse situata aktuale nuk trajtohet në mënyrë të saktë, uria mund të përhapet lehtësisht në pjesë të tjera të Gazës.

“E vetmja mënyrë për të ndaluar urinë (në Gaza) tani është të lejojmë furnizime të mjaftueshme që të hyjnë dhe të arrijnë më të prekshmit. Pengesa që hasim duhet të hiqen dhe duhet të lejohet qasje e vazhdueshme, e parashikueshme dhe e sigurt për të arritur më të prekshmit”, tha Cherevko.

Zëdhënësja theksoi se numri i pacientëve të sjellë në Spitalin Nasser në Gazën jugore për shkak të kequshqyerjes po rritet çdo ditë, duke theksuar se kjo ka qenë një krizë që ka vazhduar prej muajsh.

– Uria dhe kriza në Gaza

“Aktualisht jemi në një fazë ku uria (në Gaza) po përshpejtohet mjaft shpejt”, tha Cherevko, duke shtuar se ata (Izraeli) nuk po lejojnë që të gjitha ndihmat në Gaza të kalojnë dhe furnizimet me ndihmë të dorëzohen shpejt.

Cherevko deklaroi se raporti i IPC-së për urinë tregoi se ofrimi i ndihmës humanitare u vonua në shumë mënyra, duke thënë: “Vdekje të parandalueshme kanë ndodhur tashmë. Kjo situatë, e cila është tërësisht e shkaktuar nga njeriu, mund të ishte parandaluar nëse do të kishim kërkuar që ajo të ndalej dhe të adresohej. Fatkeqësisht, nuk u ndërmor asnjë veprim dhe nuk u ndërmorën hapa të mjaftueshëm për ta ndaluar atë”.

Ajo tha se njerëzit që takoi në Gaza gjatë armëpushimit po përjetonin frikë dhe pasiguri të madhe, duke u kujtuar atyre se ata i janë nënshtruar vdekjes, shkatërrimit dhe zhvendosjes për gati 2 vjet.

“Jam shumë e shqetësuar se nëse kjo nuk ndalet dhe nuk ka një zgjidhje për konfliktin së shpejti, do të arrijmë në një pikë pa kthim. Mendoj se kjo është mendimi më i frikshëm. Po shohim viktima masive, zhvendosje të detyruara. Gjithashtu po shohim që të gjitha këto sulme të vazhdojnë dhe njerëz të vdesin nga uria. Shpresa jonë është për një armëpushim. Ne kemi nevojë për lirimin e pakushtëzuar dhe të menjëhershëm të të gjithë pengjeve dhe situata duhet të ndryshojë. Ne duhet t’i japim fund kësaj vuajtjeje dhe urie. Ne kemi nevojë për qasje të parashikueshme dhe të sigurt”, tha Cherevko.   /os/

The post FOKUS – OKB: Uria në Gaza është në një fazë të përshkallëzuar me shpejtësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOPENHAGË – Frederiksen: Danimarka nuk e përjashton njohjen e Palestinës

KOPENHAGË, 26 gusht /ATSH-AFP/ – Danimarka nuk e përjashton njohjen e një shteti palestinez, me kusht që të jetë demokratik, deklaroi sot kryeministrja daneze, Mette Frederiksen.

“Nuk i themi jo njohjes së Palestinës si shtet”, tha Mette Frederiksen në një konferencë për shtyp.

“Ne jemi pro kësaj. Kemi qenë për një kohë shumë të gjatë. Kjo është ajo që duam. Por padyshim që duhet të sigurohemi që do të jetë një shtet demokratik”, shtoi ajo.

Të dielën, më shumë se 10 000 danezë dolën në rrugë duke kërkuar përfundimin e luftës në Gaza dhe duke i kërkuar Danimarkës të njohë shtetin palestinez.

Në një intervistë me gazetën e përditshme daneze ’’Jyllands-Posten’’, në mesin e gushtit, Frederiksen deklaroi se “Netanyahu tani është një problem në vetvete”, duke besuar se qeveria e tij po shkonte “tepër larg”.

“Vazhdimi i politikës shumë të dhunshme të Netanyahut në Gaza është i papranueshëm”, shkroi ajo gjithashtu në mediat sociale duke specifikuar, megjithatë, se kishte mbështetur, që nga sulmi i 7 tetorit, të drejtën e Izraelit për të eliminuar “kërcënimin që paraqet Hamasi”.

’’Njohja e shtetit të Palestinës duhet t’i shërbejë objektivit të duhur”, këmbënguli ajo.
Ndërkohë, Danimarka do të përdorë presidencën e saj të BE-së për të rritur presionin mbi shtetin hebre.

“Do të jetë e vështirë të mbledhim mbështetjen e nevojshme, por ne do të bëjmë gjithçka që mundemi”, premtoi ajo./ /os/

The post KOPENHAGË – Frederiksen: Danimarka nuk e përjashton njohjen e Palestinës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE: Kemi të drejtën sovrane për të rregulluar teknologjinë

BRUKSEL, 26 gusht /ATSH-AFP/ – BE ka të drejtën sovrane për të rregulluar teknologjinë, pohoi sot Komisioni Evropian, në përgjigje të kërcënimeve të Donald Trump për të vendosur tarifa ndaj vendeve që ai pretendon se synojnë kompanitë amerikane të teknologjisë.

Bruksel gjithashtu “hodhi poshtë me forcë” akuzën se kompanitë amerikane u shënjestruan qëllimisht nga këto rregulla digjitale.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump sulmoi me forcë dje vendet ose organizatat që rregullojnë sektorin e teknologjisë duke i kërcënuar ato me tarifa dhe kufizime eksporti.

Edhe pse nuk e përmendi drejtpërdrejt Bashkimin Evropian, ai në fakt ka arsenalin më të fuqishëm ligjor në botë për rregullimin e teknologjisë digjitale.

“Është e drejta sovrane e BE-së dhe shteteve të saj anëtare të rregullojnë aktivitetet ekonomike në territorin tonë duke respektuar vlerat tona demokratike”, pohoi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho.

Komisioni Evropian hodhi poshtë gjithashtu akuzat për censurë të bëra nga administrata Trump dhe gjigantët e teknologjisë, duke i quajtur ato “krejtësisht të gabuara”./ /os/

The post BRUKSEL – BE: Kemi të drejtën sovrane për të rregulluar teknologjinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – Të paktën 20 të vrarë në sulmet e reja izraelite në Rripin e Gazës

Të paktën 20 palestinezë u vranë nga sulmi i ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.

Burime mjekësore për Anadolu thanë se sulmet izraelite shënjestruan shtëpitë dhe tendat e civilëve që strehonin palestinezët e zhvendosur në enklavë.

Izraeli ka vrarë më shumë se 62.700 palestinezë në Gaza që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake e ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me zi buke.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.   /os/

The post GAZA – Të paktën 20 të vrarë në sulmet e reja izraelite në Rripin e Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Departamenti i Mbrojtjes mund të riemërtohet “Departamenti i Luftës”

UASHINGTON, 25 gusht /ATSH-AA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se po mendon që emrin e Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së ta ndryshojë në “Departamenti i Luftës”.

Presidenti Trump iu përgjigj pyetjeve të mediave në lidhje me ngjarjet aktuale gjatë një takimi me presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae Myung në Zyrën Ovale.

“Ne e quajmë Departamenti i Mbrojtjes, por ndoshta do ta ndryshojmë emrin e tij. Do t’ju njoftojmë për këtë së shpejti. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe Luftës së Dytë Botërore quhej Departamenti i Luftës. Mendoj se pikërisht kështu është. Një ndjenjë brenda meje më thotë se do ta ndryshojmë emrin e këtij departamenti”, tha Trump.

Ai vuri në dukje se ka biseduar me personat përkatës për këtë çështje dhe shtoi se brenda disa javësh mund të njoftojë vendimin nëse do të riemërtohet apo jo Departamenti i Mbrojtjes.

Në deklaratat e mëparshme, Trump theksoi se do të preferonte të përdorte termin “Departamenti i Luftës” në vend të “Departamenti i Mbrojtjes”.   /os/

The post SHBA – Trump: Departamenti i Mbrojtjes mund të riemërtohet “Departamenti i Luftës” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Mbipesha dhe obeziteti përshpejtojnë plakjen e trurit

PENSILVANI, 25 gusht /ATSH-ANSA/ – Mbipesha dhe obeziteti shoqërohen me plakjen e përshpejtuar të trurit dhe atrofi celebrale veçanërisht tek burrat, sipas në studimi që përfshin mbi 46 000 njerëz në 15 projekte kërkimore.

“Të dhënat tregojnë se pesha e tepërt e trupit shoqërohet me plakjen e përshpejtuar të trurit dhe atrofi më të madhe të trurit, krahasuar me ato të një peshe normale. Këto ndryshime në tru mund të ngjajnë me ato të vërejtura në fazat e hershme të sëmundjes së Alzheimerit”, shpjegon Filippos Anagnostakis, autori i studimit.

“Kjo është veçanërisht e vërtetë për burrat: burrat mbipeshë treguan tru që dukeshin rreth tetë muaj më të vjetër, ndërsa ata me obezitet përjetuan rreth dy vjet më shumë plakje të trurit sesa bashkëmoshatarët e tyre me peshë normale”, shton ai.

Situata është e ndryshme për gratë. Çuditërisht, studimi zbuloi se gratë me peshë normale treguan më shumë shenja të plakjes së trurit dhe atrofisë së ngjashme me Alzheimerin sesa gratë mbipeshë dhe madje edhe sesa burrat me peshë normale.

“Ne e dimë që ndryshimet gjinore ndikojnë në rrezikun e zhvillimit të demencës ndryshe, por rrugët që shkaktojnë këto pabarazi mbeten të paqarta”, komenton Anagnostakis.

Një faktor tjetër kyç është mosha. Ndikimi i peshës trupore në plakjen e trurit u gjet të ishte më i theksuar tek subjektet më të reja, ndërsa tentonte të zvogëlohej me moshën.

“Rezultatet që morëm na ftojnë të rimendojmë ndikimin e obezitetit jo vetëm nga një perspektivë estetike, por edhe në lidhje me shëndetin e trurit”, përfundon studiuesi. /os/

The post FOKUS – Mbipesha dhe obeziteti përshpejtojnë plakjen e trurit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌