Përplasje dhe zhgënjim në “Real Story”: Leka dhe Bejko kritikojnë krizën morale në koalicionin “Shqipëria Bëhet”
Në një debat të ngarkuar emocionalisht në studion e emisionit Real Story në ABC News, gazetari Martin Leka dhe analisti Roland Bejko shprehën shqetësimin e tyre mbi situatën aktuale politike dhe përçarjet brenda koalicionit “Shqipëria Bëhet”. Leka u shpreh i zhgënjyer nga zhvillimet e fundit, duke vënë në dyshim nëse votat e marra nga ky koalicion përfaqësojnë shpresën e qytetarëve, apo janë produkt i zhgënjimit të thellë ndaj opozitës dhe mazhorancës.
Sipas Lekës, morali dhe ideja fillestare e bashkimit për ndryshim janë komprometuar, dhe bashkëpunimi me nismën “Thurje” duhet të rishqyrtohet. Ai shtoi se mandati, sipas parimeve të shpallura nga vetë drejtuesit e koalicionit, duhet t’i kishte kaluar kandidatit Shabani.
“Jam i zhgënjyer nga e gjithë kjo që ndodh. Jam shumë në dilemë se shumë vota që i kanë shkuar Shqipëria Bëhen janë vota të shpresës, apo thjesht të zhgënjimit nga opozita apo mazhoranca. Është një spektakël i shëmtuar. Nëse ne i shkojmë idesë që duhet të ngjallim shpresë, shpesa është tek fjala që hyn. Sipas fjalës së Lapajt, mandati sot duhet të merrte Shabani Në këtë situatë unë mendoj, se për hir të së vërtetës koalicioni ‘Shqipëria bëhet’ dhe nisma ‘Thurje’ duhet prishur, është prishur morali i koalicionit dhe idesë për të cilën kanë hyrë në këto zgjedhje”, tha Martin Leka.
Analisti Roland Bejko e cilësoi si të dhimbshme çfarë po ndodh me koalicionin, duke theksuar se, pavarësisht arritjes së 200 mijë votave, një sukses në kushtet e sistemit aktual zgjedhor dhe përballë figurave dominante si Rama dhe Berisha brenda strukturës është shfaqur një krizë e thellë identiteti dhe morali. Ai kritikoi mungesën e një ideologjie të qartë, duke thënë se përplasjet mes drejtuesve dhe debati publik e kanë dëmtuar rëndë imazhin e kësaj force politike.
“200 mijë vota nuk janë pak Këta janë më të votuarit dhe u mërzita shumë. Të kesh dy dinozaur të mëdhenj si Rama e Berisha dhe me këtë Kod Zgjedhor është arritje për partitë e vogla. Kam qenë pesimist se do të prisheshin. Ju mund edhe ta mbani këtë koalicion, por moralisht keni rënë. Nuk keni më një ideologji. Deri dje PD ka patur një program të djathtë që nuk e zbatoi dot kurrë. Sot nuk ka ideologji, ka vetëm Berishën. PD u ndërtua rreth një ëndrre të cilën e prishi Sali Berisha rrugës. Nuk mendoj se partia juaj do të fitonte. Unë personalisht për ty kam qenë në mbështetje, jam investuar dhe të kam dhënë vota. Në këtë moment, më dhimbset kjo që po ndodh, po humbet. U krijua perceptimi se edhe si gjithë të tjerët po ziheni për pushtet. Në këto kushte partia juaj nuk do të shkonte lart, sepse filluar cicmicet e vogla. Debati që bëri Lapaj dhe Qorin iu dëmtoi, që bëri Shehaj me Lapajn iu dëmtoi. Debatet me të mëdhenjtë dhe me të vegjlit ju ka dëmtuar”, tha Bejko i prerë./abcnews.al