Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

ISSH: Aplikim në e-Albania për tërheqjen e pensionit në bankë

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) fton përfituesit që të kalojnë marrjen e pensionit nga sportelet tradicionale postare drejt sistemit bankar.

ISSH njofton se kjo iniciativë synon të shmangë radhët e gjata në postë dhe të ofrojë një zgjidhje më të shpejtë, të sigurt dhe të lehtësuese për qytetarët, sidomos për moshën e tretë.

Për ta realizuar këtë kalim, qytetarët duhet të hapin një llogari në një nga bankat e nivelit të dytë me të cilat ISSH ka marrëveshje bashkëpunimi.

Llogaria duhet të jetë specifike për pagesën e pensionit. Pasi të jetë hapur llogaria, përfituesit duhet të plotësojnë një kërkesë online përmes portalit e-Albania, duke zgjedhur shërbimin “Kërkesë për transferim dosjeje përfitimi”.

Gjithsej janë 10 banka që Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nënshkruar marrëveshje për pagesën e pensioneve në Shqipëri.

Ky proces jo vetëm që e modernizon sistemin e shpërndarjes së pensioneve, por edhe rrit sigurinë dhe lehtëson jetën e qytetarëve në një epokë kur teknologjia po bëhet pjesë e pandashme e përditshmërisë. Përfituesit e pensionit tashmë mund ta marrin pagesën e tyre në kohë, pa radhë dhe pa stres, thjesht, nëpërmjet bankës.

Ligji për llogaritë bazike, që ka si synim rritjen e depërtimit të shërbimeve bankare e financiare në popullatë dhe që parashikon përfitime për kategoritë në nevojë, ka nisur nga zbatimi në muajin prill 2024.

Sipas këtij ligji, kategoritë të caktuara përfitojnë shërbime me tarifa të reduktuara ose me tarifë zero si dhe opsionin e transferimit të llogarisë, nga llogari normale në atë bankare bazike.

Ndërkohë më tarifë zero janë edhe shërbimet si hapja dhe mbyllja e llogarive bankare, tërheqjet në ATM, debitimet direkte, transaksionet e pagesave përmes një karte, përfshirë pagesat on-line, transfertat e kreditit, përfshirë pagesat periodike, aty ku është e zbatueshme, në terminale dhe në sportelet e bankës dhe nëpërmjet platformave on-line.

Referuar të dhënave të vitit të kaluar, ishin rreth 74 mijë pensionistë, të cilët merrnin pensionin përmes bankave dhe rreth 666 mijë të tjerë në postë.

1 nga 2

The post ISSH: Aplikim në e-Albania për tërheqjen e pensionit në bankë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria me pensionet më të ulëta në Europë

By: V K
4 August 2025 at 14:05

Shqipëria zë vendin e fundit mes 35 vendeve europiane sa i përket shpenzimeve për pensione për frymë, sipas të dhënave për vitin 2022.

Me vetëm 1,600 euro për pensionist në vit, vendi mbetet shumë larg mesatares së Bashkimit Europian, e cila arrin në 16,100 euro.

Edhe kur merret parasysh fuqia blerëse, diferenca mbetet e ndjeshme.

Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, Shqipëria shpenzon vetëm 5.3% për pensione, kundrejt 9.3% që shpenzon mesatarisht BE-ja — një tregues i qartë i sfidave strukturore që përballet sistemi i pensioneve në vend.

Ndërkohë, Mali i Zi, edhe pse me të njëjtën përqindje të PBB-së si Shqipëria (5.3%), arrin të japë 4,000 euro për pensionist në vit, më shumë se dyfishin e Shqipërisë.

Serbia, nga ana tjetër, shpenzon 3,500 euro për pensionist dhe 6.3% të PBB-së për pensione, duke reflektuar një mbështetje më të lartë financiare të të moshuarve.

 

Europa

Gjithnjë e më shumë brezat e rinj po shprehen se nuk do të tërhiqen kurrë nga puna, për shkak të pasigurive financiare.

Por si ia dalin pensionistët e sotëm? Si i mbulojnë shpenzimet mujore dhe si duken realisht pensionet në Europë sot?

Grafiku më poshtë paraqet të dhënat më të fundit mbi shpenzimet vjetore publike për pension për çdo përfitues në 35 ekonomi europiane, si dhe pjesën që zënë përfitimet e pleqërisë në prodhimin kombëtar të secilit vend.

Të dhënat janë marrë nga dy baza të ndryshme të Eurostat dhe përfshijnë:

Totali i shpenzimeve për pensione publike për vitin 2022, i ndarë me numrin e përfituesve
Vlerat e shprehura si në euro, ashtu edhe sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS)
Përqindja e PBB-së që i dedikohet pensioneve, sipas të dhënave nga baza e parë.

Këto të dhëna ofrojnë një panoramë të qartë të hendekut mes vendeve në shpenzimet për kujdesin ndaj të moshuarve, duke vënë në dukje sfidat që përballojnë pensionistët në Europë — veçanërisht ata në vendet me të ardhura të ulëta.

Islanda, Luksemburgu dhe Norvegjia kryesojnë renditjen, me pagesa vjetore pensioni mbi 30,000 euro për përfitues.

Pagat e larta, të ardhurat e qëndrueshme fiskale nga energjia apo sektori financiar, si dhe sistemet e detyrueshme të kursimeve për pension, u japin këtyre ekonomive të vogla dhe të pasura mundësinë të ofrojnë përfitime bujare për të moshuarit.

Danimarka dhe Zvicra plotësojnë pesë vendet e para, secila duke kombinuar pensionet bazë universale me skemat e detyrueshme të pensioneve profesionale.

Në të pesë vendet e para, përfitimet ende konsumojnë më pak se 9% të PBB-së – shumë nën mesataren e BE-së (12.2% të PBB-së) – falë bazave më të larta tatimore.

Pagesat e ulëta të Europës Lindore pasqyrojnë baza tatimore të dobëta

Në vende si Polonia dhe Hungaria, pensionet përthithin një pjesë të ngjashme të PBB-së si vendet nordike, por pagesat vjetore mbeten nën 7,000 euro për përfitues.

Produktiviteti i ulët kufizon fluksin e kontributeve, ndërsa emigracioni i dekadave të fundit ka reduktuar më tej fuqinë punëtore.

Kur llogariten sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS), diferenca ngushtohet — pensionistët polakë marrin rreth 11,700 njësi PPS — por të ardhurat reale mbeten modeste.

Rritja e pagave, pjesëmarrja më e lartë e të moshuarve në tregun e punës dhe skemat shtesë të kursimeve vullnetare mund të përmirësojnë qëndrueshmërinë dhe përmbushjen e nevojave, pa rënduar buxhetet publike./ Monitor, Visual Capitalist

 

The post Shqipëria me pensionet më të ulëta në Europë appeared first on Albeu.com.

Pensionet e reja 13% më të ulëta se mesatarja aktuale

11 July 2025 at 08:51

Pensionet e reja të pleqësisë vitin e kaluar ishin dukshëm më të ulëta se pensioni mesatar ekzistues. Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore pensioni mesatar i pleqërisë në nivel kombëtar për vitin 2024 arrin në 19,609 lekë, ndërsa masa mesatare e pensioneve për përfituesit e rinj të lidhur në të njëjtin vit […]

The post Pensionet e reja 13% më të ulëta se mesatarja aktuale appeared first on BoldNews.al.

Hyn në fuqi rregullorja/ Si bëhet aplikimi dhe dokumentacioni për vitet e punës para ‘93 për pension, kush përfiton

11 July 2025 at 07:56

Hyn në fuqi rregullorja që i hap rrugë njohjes së periudhave të punës në ish-ndërmarrjet shtetërore përpara vitit 1993, për efekt përfitimi të pensionit.

Sipas rregullores “Për zbatimin e ligjit nr. 7/2025, “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore përkatëse”, përfitojnë nga ky ligj të gjithë ata persona që kanë punuar në: Ish-institucione apo ndërmarrje shtetërore (deri më 1 tetor 1993), Ish-ndërmarrje bujqësore (deri më 17 tetor 1992), Kooperativa bujqësore (deri më 19 korrik 1991).

Ligji u vjen në ndihmë qytetarëve të cilëve u është refuzuar pensioni për mungesë vitesh sigurimi, ose atyre që kanë pasur periudha të punës që nuk janë njohur më parë nga ISSH, apo zvarriten prej vitesh në çështje gjyqësorë.

Rregullorja përcakton se kërkesa për trajtim bëhet vetëm nëpërmjet portalit e-Albania, në shërbimin “Aplikim për pension”, ku kërkuesi duhet të përzgjedhë opsionin për t’u trajtuar sipas ligjit nr. 7/2025.

Kategoritë që përfitojnë nga zbatimi i ligjit janë:

Ata që kanë plotësuar moshën për pension pas hyrjes në fuqi të ligjit;

Persona që ende nuk kanë marrë pension, edhe pse kanë mbushur moshën;

Aplikantë të cilëve u është refuzuar pensioni për mungesë periudhe sigurimi;

Përfitues të pensionit, të cilëve nuk u janë njohur disa vite pune dhe kanë bërë ankim;

Persona që janë në proces gjyqësor për vërtetimin e periudhave të punësimit.

Për të përfituar nga ligji, rregullorja përcakton se aplikantët duhet të dorëzojnë dokumente si:

Certifikata familjare e periudhës përkatëse, që provon vendbanimin; Vërtetim penal, që provon se kërkuesi nuk ka qenë i dënuar për arsye jo-politike gjatë asaj kohe etj.

Çdo kërkesë për njohje të viteve të punës për efekt pensioni do të shqyrtohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore sipas procedurave standarde të përfitimit të pensionit.

PJESË NGA RREGULLORJA

Periudhat e punësimit në ish ndërmarrjet shtetërore

Njihet periudhë e përgjithshme sigurimi, për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore:

a) koha e punësimit në institucionet apo në ish-ndërmarrjet shtetërore; i) nga mosha 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, deri më datë 1.10.1993, datë në të cilën ka hyrë në fuqi ligji nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”; ii) nga data e përfundimit të shkollës së lartë deri më datë 1.10.1993;

b) koha e punësimit në ish-ndërmarrjet bujqësore, nga mosha 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, por jo më herët se data e krijimit të ish-ndërmarrjes bujqësore sipas vendimit të Këshillit të Ministrave në zbatim të pikës 1, të nenit 9, të ligjit nr. 7/2025, deri më datë 17.10.1992, datë në të cilën ka hyrë në fuqi vendimi nr. 452, datë 17.10.1992, të Këshillit të Ministrave, “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore”;

c) koha e punësimit në ish-kooperativat bujqësore nga mosha 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, por jo më herët se viti i krijimit të kooperativës bujqësore, deri më datë 19.7.1991, datë në të cilën ka hyrë në fuqi ligji nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”.

Kush përfiton

Neni 5

a) personave që iu ka lindur e drejta për pension nga data e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 7/2025 e në vazhdim;

b) deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 7/2025, nuk u është caktuar ende një pension pavarësisht datës së plotësimit të moshës për pension pleqërie apo të kritereve ligjore për pensionet e tjera të administruara nga sigurimet shoqërore;

c) iu është refuzuar kërkesa për caktim pensioni për shkak të mos plotësimit të kriterit ligjor të periudhës minimale të sigurimit, pavarësisht nëse vendimi i Degës së Përfitimeve është apo nuk është shqyrtuar në hallkat e ankimit administrativ sipas nenit 86, të ligjit nr. 7703/1993, të ndryshuar;

ç) iu është caktuar pensioni, por përfituesit i është dërguar vendim/shkresë zyrtare për mos konfirmimin e periudhave të punësimit të deklaruara, objekt i ligjit nr. 7/2025, ndaj të cilit ai (përfituesi), ka bërë ankim dhe praktika në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji është në shqyrtim në KRA, KQA ose kur kërkesa për rishqyrtim bëhet brenda vitit nga data e plotësimit të moshës për pension pleqërie apo të kritereve ligjore për pensionet e tjera të administruara nga sigurimet shoqërore;

d) janë në proces gjyqësor për njohjen/vërtetimin e periudhave të punësimit objekt i ligjit nr. 7/2025.

Si bëhet kërkesa

Neni 6

1. Kërkesa për tu trajtuar sipas ligjit nr. 7/2025, realizohet nëpërmjet kërkesës për caktim pensioni në e-Albania, në shërbimet “Aplikim për pension….”, duke zgjedhur në formularin që shfaqet me përdorimin e këtij shërbimi elementin përkatës për t’u trajtuar me ligjin nr. 7/2025.

2. Administrimi, shqyrtimi, vlerësimi dhe vendimmarrja, lidhur me kërkesën e paraqitur sipas pikës 1, të këtij neni, realizohet sipas të njëjtave rregulla dhe procedura që parashikohen për caktimin, administrimin dhe pagesën e pensioneve në sistemin e sigurimeve shoqërore.

Kriteret dhe dokumentacioni

Neni 7

1. Njohja për efekt pensioni e periudhës së sigurimit sipas ligjit nr. 7/2025, bëhet me kusht që kërkuesi: a) gjatë periudhës objekt i ligjit nr. 7/2025, të mos ketë qenë duke vuajtur dënimin me heqje lirie për arsye jo politike;

b) të ketë qenë me vendbanim në qytet, sipas deklaratës së kërkuesit për njohjen e periudhave të sigurimit në institucione shtetërore apo në ish-ndërmarrjet shtetërore;

c) të ketë qenë me banim në territorin ku ushtronte aktivitetin ndërmarrja bujqësore, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave në zbatim të pikës 1, të nenit 9, ligjit nr. 7/2025, sipas deklaratës së kërkuesit për njohjen e periudhave të sigurimit në ish-ndërmarrje bujqësore;

d) të ketë qenë me vendbanim në fshat, sipas deklaratës së kërkuesit për njohjen e periudhave të sigurimit në kooperativë bujqësore.

2. Vërtetimi i vendbanimit për efekt të njohjes së periudhës së punësimit sipas ligjit nr. 7/2025, bëhet më anë të certifikatës familjare të periudhës së kërkuar dhe objekt i këtij ligji, e cila administrohet nëpërmjet sistemeve elektronike nga punonjësit përgjegjës të strukturave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

3. Për rastet e periudhave të kërkuara në institucione shtetërore, siç parashikohet në shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 3, të ligjit nr. 7/2025, kërkuesi paraqet kopje të njësuar me origjinalin të diplomës së shkollës së lartë.

4. Punonjësit përgjegjës të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, për efekt të njohjes së periudhave të sigurimit sipas ligjit nr. 7/2025, në zbatim të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 3; të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 4 dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 5, të këtij ligji, administrojnë edhe vërtetimin e gjendjes gjyqësore që vërteton se kërkuesi nuk ka qenë i dënuar për arsye jo politike në periudhën e kërkuar objekt i këtij ligji./ Monitor

The post Hyn në fuqi rregullorja/ Si bëhet aplikimi dhe dokumentacioni për vitet e punës para ‘93 për pension, kush përfiton appeared first on Sot News | Lajme.

Pensionet/ Koeficientët e rinj të rivlerësimit të pagave, përfitojnë mbi 40 mijë persona (zbardhet skema)

By: V K
7 July 2025 at 13:12

Në dokumentin që pritet të kalojë shumë shpejt për miratim në qeveri, është miratuar koeficienti i indeksimit të bazës së vlerësuar që është caktuar 13.397, ç`ka do të sjellë një rritje mesatare prej 8.6% të bazës së vlerësuar për llogaritjen e pensioneve, duke ndikuar drejtpërdrejt në përfitimet e reja për rreth 40 mijë qytetarë, që do të aplikojnë për pension deri në fund të vitit 2025.

Rivlerësimi përfshin jo vetëm pagën maksimale, e cila pas indeksimit arrin në 110,123 lekë nga 100,752 lekë që ishte më parë, por edhe pagën minimale që rritet në 33,037 lekë.

Kjo përllogaritje e re pritet të reflektojë më saktë vlerën reale të kontributeve të derdhura ndër vite, veçanërisht për personat që kanë punuar në sektorë të ndryshëm përpara vitit 1994.

Ndërkohë, për pagat pas këtij viti, do të vijojnë të aplikohen koeficientë të ndryshëm për çdo vit, të përcaktuar mbi bazën e kontributit mesatar të paguar për çdo të siguruar.

Kjo formulë, e reformuar që prej vitit 2014 synon të thellojë parimin kontributiv të sistemit të pensioneve, duke u mbështetur gjithmonë në raportin midis kontributeve reale dhe përfitimeve përfundimtare.

INDEKSIMI

Të tabelën bashkëngjitur shkrimit publikojmë indekset që do të zbatohen për të gjithë pensionet me datë lindje të drejte nga data 01.01.2025, ndërsa për pensionet me datë lindje të drejte deri në datën 31.12.2024, e gjithë masa e pensionit që përbëhet nga shuma bazë dhe nga shtesa, indeksohet sipas indeksit vjetor të çmimeve të mallrave të konsumit.

“Duke rritur dhe bazën e vlerësuar individuale, për të gjithë personat që e drejta për pension iu lind nga data 01.01.2025, nga kjo datë e në vazhdim do të arrihet të përllogariten të jepen pensione mujore, që janë të lidhura drejtpërdrejt me kontributet e paguara dhe që vetëm për shkak të tyre mund të jenë më të larta së më parë”, – thuhet më tej në relacion.

Konkretisht, pas rivlerësimit me koeficientin 13.397 paga maksimale bëhet 110, 123 nga 100.752 që ishte një vit më parë, ndërsa paga minimale nga 30.225 lekë bëhet 33.037 lekë, duke njohur në këtë mënyrë një rritje me rreth 8.6 për qind.

Kjo do të thotë rrjedhimisht edhe pensione më të larta për ata, të cilët mbushin moshën e daljes në pension këtë vit.

“Ky koeficient do të ndikojë në rritjen e bazës së vlerësuar për rreth 40 mijë persona që do të aplikojnë për pensione të reja deri në fund të vitit 2025, si dhe në vitet e ardhshme, duke bërë të mundur që pensionet e tyre të jenë të harmonizuara me kontributet e derdhura”, – thuhet më tej në dokument.

Thënë kështu, një qytetar që ka punuar në transport dhe ka marrë 3233 lekë në muaj, paga mbi bazën do t’i llogariten kontributet do të jetë paga e rivlerësuar, që do të thotë (3233 X 13.397) 43.312 lekë në muaj.

KOEFICENTET

Por, ndërsa për pagat para ‘94-ës koeficienti që aplikohet është i unifikuar, për pagat pas ‘94-ës koeficientet janë të ndryshme. Kjo jo pa qëllim, duke qenë se edhe niveli i pagave është i ndryshëm. Kështu, për vitin 1995, koeficienti është 10.781, për pagat e vitit 1996 është 8.365, i njëjti aplikohet edhe për pagat e një viti më vonë.

Ndërsa për vitin 1998, pagat indeksohen me 6.990, për të vijuar me vitin 1999, ku koeficienti është 5.673 e kështu me radhë deri në vitin 2023.

Për dy vitet e fundit, pra për 2024 dhe 2025 nuk aplikohet formula e indeksimit, por pagat referohen aq sa janë.

“Metodika përcakton që çdo vit, paga vjetore individuale të indeksohet me koeficientin vjetor të indeksimit që llogaritet si raport i kontributit mesatar për një person të siguruar, të derdhur në vitin e fundit kalendarik, kundrejt të njëjtit tregues të vitit pararendës. Pra, është ecuria e rritjes nga viti në vit e kontributit mesatar vjetor të paguar nga një person, ajo që përcakton masën e indeksit. Me fjalë të tjera, masa e pensioneve të ardhshme varet në radhë të parë nga kontributet individuale, por edhe nga ecuria e rritjes së kontributit mesatar nga një vit në tjetrin. Formula e përcaktimit të pensionit fillestar, e reformuar në vitin 2014 fokuson thellimin e parimit kontributiv të sistemit të pensioneve”.

Skema për llogaritjen e pensionit përcakton një pension bazë dhe shtesën. Pensioni bazë është rreth 9800, ndërsa shtesa bazuar në formulën e llogaritjes së pensionit, është 1 për qind për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve të paguara.

The post Pensionet/ Koeficientët e rinj të rivlerësimit të pagave, përfitojnë mbi 40 mijë persona (zbardhet skema) appeared first on Albeu.com.

Me sytë nga qarkorja e Institutit të Sigurimeve Shoqërore Italiane, shumë shqiptarë do të dalin në pension më herët

By: M C
6 July 2025 at 18:28

Këto janë ditë pritjeje me ankth në fillim të korrikut. Në fakt, shumë punëtorë me origjinë shqiptare presin publikimin e qarkores së Sigurimeve Shoqërore Italine që dikton procedurën për të vënë në jetë nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe midis Italisë dhe Shqipërisë në aspektin e sigurimeve shoqërore të punëtorëve.

Një qëllim i mbështetur fuqimisht nga shoqata Asti Diaspora, e udhëhequr nga presidenti Giorgio Rubolino. Qarkorja pritet me padurim edhe sepse për shumë njerëz mund të shënojë fundin e menjëhershëm të jetës së tyre të punës për të arritur në pension. Marrëveshja
u nënshkrua për t’u lejuar shqiptarëve që jetojnë në Itali dhe italianëve që jetojnë në Shqipëri (gjithnjë e më shumë) të jenë në gjendje të shtojnë vitet e punuara në atdheun e tyre përkatës përpara se të emigrojnë në ato që kanë punuar në vendin e tyre të adoptuar.

Çdo komb paguan pjesën e vet të pensionit, por deri në nënshkrimin e traktatit, vitet e punuara para emigrimit nuk llogariteshin, duke i detyruar shumë shqiptarë të punonin edhe deri në moshën 70 vjeç. Duke pasur parasysh se, sipas brezave, shumica e tyre bënin punë shumë të rënda dhe të lodhshme (punëtorë fermash, muratorë, kujdestarë, pastrues), çdo ditë bëhej një dënim (dhe një rrezik lëndimi).

“Kjo marrëveshje ka të bëjë kryesisht me rekrutimet e vitit 1958 dhe ato të lidhura me to – shpjegon Elena De Luca, e cila tashmë po ndjek praktika të shumta në emër të patronazhit Ital Asti – Ne kemi shpjeguar se cilat janë ligjet italiane për daljen në pension dhe se, për shumë prej tyre që tashmë marrin pension social, ribashkimi me vitet e punuara në Shqipëri u lejon atyre të kalojnë në pensionin e pleqërisë, i cili ka shumë përparësi: një shumë më e lartë, muaji i trembëdhjetë, mundësia e lëvizjes lirisht midis dy vendeve (pensioni social parashikon vetëm 29 ditë në vit të jetës jashtë Italisë) dhe, mbi të gjitha, kthyeshmëri për bashkëshortin/en”.

Një marrëveshje që rikthen drejtësinë për ata që mbërritën në Itali, punuan aty, por kishin tashmë shumë vite pune në Shqipëri pas tyre. Disa prej tyre nuk arritën dot pragun e pensionit as këtu dhe as në Shqipëri; pas marrëveshjes, vitet janë shtuar dhe më në fund mund të ndalen dhe ta shohin pleqërinë e tyre me më shumë qetësi.

“Ende duhet të vlerësojmë “pengesën” e kalimit nga një sistem ndëshkues në një sistem kontributiv – shpjegon De Luca – Por shumica e praktikave që po ndjekim do t’u sjellin përparësi punëtorëve shqiptarë në Itali, të cilët më në fund mund të ndalen”. Për të tjerët, shpjegon ajo, marrëveshja do t’u lejojë gjithashtu atyre të rikuperojnë të ashtuquajturat “kontribute vullnetare” që shumë shqiptarë kanë vazhduar të paguajnë në atdheun e tyre ndërsa punojnë këtu në Itali pa e ditur nëse do të ishin në gjendje të grumbullonin një pension italian.

Qarkorja e INPS do të diktojë gjithashtu procedurat për të lejuar patronazhet italiane të aplikojnë për pension në Shqipëri për ata qytetarë që banojnë në Itali.

The post Me sytë nga qarkorja e Institutit të Sigurimeve Shoqërore Italiane, shumë shqiptarë do të dalin në pension më herët appeared first on Albeu.com.

52% e pensionistëve nuk morën pension të plotë në 2024-n

By: user7
2 July 2025 at 07:28

totalin e pensioneve të pleqërisë më shumë e gjysma e tyre, rreth 52 për qind, morën pagesa të pjesshme në vitin 2024 sipas të dhënave zyrtare më 2024. Kjo përqindje u zgjerua me tej nga niveli 49.7% në vitin 2023.

Rritja e personave me pagesa të pjesshme tregon se gjithnjë e më shumë ata që dalin në pension aktualisht nuk përmbushin kriteret për shkak të emigrimit, informalitetit apo ndërprerjes së periudhave të sigurimit.

Të dhënat tregojnë se numri total i pensioneve të pleqërisë arriti në 607,567 në vitin 2024 me rritje vjetore 2.9%, ndërsa numri i pensioneve të pjesshme arriti në 316,781 mijë me zgjerim 7.8% në krahasim me vitin 2023. Për herë të parë vitin e kaluar më shumë se gjysma e pensionistëve marrin pension të pjesshëm.

Shumë prej përfituesve nuk po arrijnë të plotësojnë periudhën minimale të sigurimit të kërkuar për pension të plotë. Reforma, për të cilën u punua një dekadë dhe nisi të zbatohej në fillim të vitit 2015, pati në themel rritjen e viteve të kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vjet deri në vitin 2032 dhe rritjen graduale të moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032 dhe për të arritur 67 vjeç për të dy sekset në vitin 2056.

Vitin e kaluar duheshin më shumë se 38 vite me sigurime për të përfituar pension të plotë, por të dhënat zyrtare tregojnë se më 2024 vitet mesatare të sigurimit për pensionet e reja ishin 26.7, shumë më poshtë kriterit për pension të plotë.

Punësimi informal, ku punonjësit nuk regjistrohen ose nuk paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore, ndikon drejtpërdrejt në uljen e periudhave të sigurimit të mbledhura nga individët, duke bërë që më shumë persona të marrin pension të pjesshëm. Të dhënat zyrtare sugjerojnë s ende gati një e treta e punonjësve në Shqipëri punojnë në informalitet. Ko shifër është më e lartë sipas Organizatës Ndërkombëtare të punës (ILO).

Migrimi i përkohshëm apo i përhershëm i punëtorëve, sidomos i të rinjve, shkakton ndërprerje në kontributet e sigurimeve shoqërore. Kur ata të kthehen ose kërkojnë pensionin kanë periudha të paplota sigurimi dhe marrin pension të pjesshëm.

Rritja e pensioneve të pjesshme ka një ndikim të drejtpërdrejtë dhe shpesh sfidues në cilësinë e jetës së pensionistëve. Pensionet e pjesshme janë më të ulëta se ato të plota, prandaj pensionistët përfitojnë një shumë më të vogël mujore, duke ulur aftësinë e tyre për të përmbushur nevojat bazë si ushqimi, strehimi, shëndetësia dhe shpenzimet e tjera të përditshme.

Për shkak të të ardhurave të ulëta nga pensioni, shumë pensionistë të cilët marrin pension të pjesshëm përballen me rrezikun e varfërisë ose gjendjes sociale të rënduar, veçanërisht ata që nuk kanë ndihmë familjare ose burime të tjera të financimit./ Monitor

The post 52% e pensionistëve nuk morën pension të plotë në 2024-n appeared first on Lapsi.al.

Në fuqi marrëveshja Shqipëri-Itali për pensionet, Rama: Lehtësi për mijëra emigrantë

1 July 2025 at 19:20

Kryeministri Edi Rama njoftoi se sot ka hyrë në fuqi zbatimi i plotë i marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e kontributeve shoqërore.

Përmes një postimi në Facebook, Rama shprehet se kjo marrëveshje do të sjellë një lehtësi të ndjeshme për mijëra qytetarë shqiptarë dhe italianë që kanë punuar në të dy vendet, duke u garantuar njohjen e plotë të viteve të punës për efekt pensioni.

“Nga sot nisi zbatimi i plotë i marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e kontributeve shoqërore, duke sjellë një lehtësi të madhe të mijëra qytetarëve shqiptarë, po edhe të mijëra italianëve që kanë punuar në të dy vendet, të cilëve u njihet plotësisht çdo vit pensioni jashtë atdheut. Nderim dhe respekt për mundin e kontributin e tyre”, shkruan Rama.

The post Në fuqi marrëveshja Shqipëri-Itali për pensionet, Rama: Lehtësi për mijëra emigrantë appeared first on Euronews Albania.

Marrëveshja me Italinë për njohjen e pensioneve, nga nesër hyn në zbatim pakti

By: M C
30 June 2025 at 18:11

Nga data 1 korrik 2025, ditën e nesërme, hyn në zbatim marrëveshja dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore. Mësohet se Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) ka hartuar dhe publikuar udhëzuesin teknik të zbatimit të marrëveshjes, një dokument i detajuar që përcakton qartë procedurat, kriteret e përfitimit dhe dokumentacionin përkatës për aplikim.

Marrëveshja u firmos më 6 shkurt nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani dhe homologu Italian, Antonio Tajani. Kjo marrëveshje, parashikon trajtim të barabartë për shqiptarët në Itali dhe italianët në Shqipëri, duke u mundësuar atyre përfitime nga pensionet, sigurimi i papunësisë, përfitimet për sëmundje dhe shtatzëni. Pakti do të zbatohet sipas një marrëveshjeje administrative specifike.

Koordinimi i sigurimeve garanton që personat të cilët kanë punuar në të dyja shtetet mund të bashkojnë periudhat e sigurimeve për të marrë pensione. Marrëveshja është një hap i madh në sigurimin e të drejtave sociale të shqiptarëve që jetojnë dhe kontribuojnë në Itali, si dhe të italianëve në Shqipëri.

The post Marrëveshja me Italinë për njohjen e pensioneve, nga nesër hyn në zbatim pakti appeared first on Albeu.com.

Qeveria miraton vendimin, marrëveshje edhe me Serbinë për pensionet

By: user 6
11 June 2025 at 22:56

Këshilli i ministrave ka miratuar këtë të mërkurë vendimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë në lidhje me pensionet.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI: Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Serbisë, për sigurimet shoqërore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, – njofton qeveria. /LAPSI.al

The post Qeveria miraton vendimin, marrëveshje edhe me Serbinë për pensionet appeared first on Lapsi.al.

Qeveria miraton vendimin, marrëveshje edhe me Serbinë për pensionet

By: M C
11 June 2025 at 23:08

Këshilli i ministrave ka miratuar vendimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë në lidhje me pensionet.

V E N D I M PËR MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË SERBISË, PËR SIGURIMET SHOQËRORE:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Serbisë, për sigurimet shoqërore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

The post Qeveria miraton vendimin, marrëveshje edhe me Serbinë për pensionet appeared first on Albeu.com.

Plani i qeverisë për të moshuarit: nga pensioni i 13-të, te heqja e taksave dhe ulja e çmimit të energjisë

By: V K
9 June 2025 at 11:39

Qeveria shqiptare, ka miratuar Strategjinë e Moshimit dhe Planin e Veprimit 2025-2030, një dokument gjithëpërfshirës që synon përmirësimin e jetesës së të moshuarve në vend, përmes lehtësirave ekonomike, rritjes së pensioneve dhe mbështetjes sociale.

Sipas planit të publikuar, të moshuarit pritet të përfitojnë një pension të 13-të, ndërsa pensioni mesatar në qytet do të rritet nga 18,341 lekë aktualisht në mbi 27,511 lekë deri në vitin 2030.

Në zonat rurale, pensioni parashikohet të arrijë në 16,576 lekë. Paralelisht, qeveria synon indeksimin e diferencuar të pensioneve sipas të ardhurave, me fokus në rritjen e pensioneve më të ulëta.

Lehtësira për të moshuarit:

Heqje e taksës së pronës për personat mbi 60-vjeç;

Heqje e taksës vjetore për automjetet për të moshuarit mbi 65 vjeç;

Ulje e çmimit të energjisë elektrike dhe përfshirja në listën e “klientit në nevojë”;

Karta e pensionistit do të lëshohet nga të gjitha bashkitë, duke siguruar përfitime si transport publik falas, lehtësira në strehim dhe shërbime publike;

Rishikim i listës së barnave të rimbursueshme, në favor të të moshuarve me sëmundje kronike si diabet, Alzheimer, Parkinson, apo probleme të shëndetit mendor.

Për pensionistët që vijojnë të punojnë, plani parashikon ulje të tatimit mbi pagën dhe bonuse sipas performancës.

Qeveria thekson se këto masa do të shoqërohen me fushata informuese për të rritur ndërgjegjësimin mbi të drejtat dhe mundësitë e kësaj kategorie.

Reforma e pensioneve gjithashtu parashikon rritjen graduale të moshës së daljes në pension, me qëllim barazimin më të shpejtë të saj për burrat dhe gratë, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian. Në këtë kuadër do të rishikohet edhe formula e përllogaritjes së pensioneve dhe ligji për sigurimet shoqërore.

Plani përfshin gjithashtu:

Përjashtim nga taksa e pronës për pensionistët me pension social ose minimal;

Fondi i kontigjencës për mbrojtjen e të moshuarve në raste krizash;

Bonusi i qirasë për të moshuarit pa strehë;

Mbështetje për të vetmuarit me humbje të autonomisë.

Ky dokument shënon një ndër ndërhyrjet më të gjera të dekadës së fundit për përballimin e plakjes së popullsisë në Shqipëri, që sipas ekspertëve, është ndër sfidat më të mëdha afatgjata për vendin.

The post Plani i qeverisë për të moshuarit: nga pensioni i 13-të, te heqja e taksave dhe ulja e çmimit të energjisë appeared first on Albeu.com.

Qeveria premtoi se do të rriten pensionet, tashmë parashikon edhe rritjen e moshës së daljes në pension (DOKUMENTI)

By: V K
8 June 2025 at 14:31

Plakja e popullsisë, është një nga sfidat më të mëdha të Shqipërisë. Ndaj qeveria ka miratuar dokumentin e moshimit dhe planin e veprimit 2025-2030.

Sipas dokumentit, të moshuarit në vend pritet të marrin një pension të 13-të. Në këtë dokument thuhet se brenda vitit 2030 do të rritet pensioni mesatar, mosha e daljes në pension si dhe formula e indeksimit.

Gjithashtu, qeveria planifikon të rrisë pensionin mesatar në qytet nga 18 mijë e 341 lekë, që është aktualisht në mbi 27 mijë e 511 lekë.

Ndërsa në fshat do të arrijë në 16 mijë e 576 lekë. Por këto nuk janë ndryshimet e vetme që do të ndodhin për pensionistët.

Qeveria synon që personave mbi moshën 60-vjeç, të mos paguajnë taksën e shtëpisë dhe t’u reduktohet çmimi i energjisë.

Ndërkohë për të gjithë ata që kanë dalë në pension, iu hiqet taksa vjetore e makinës. Pensionistëve që punojnë do u ulet tatimi mbi pagën dhe do ketë bonuse në sajë të performancës.

 

 

 

The post Qeveria premtoi se do të rriten pensionet, tashmë parashikon edhe rritjen e moshës së daljes në pension (DOKUMENTI) appeared first on Albeu.com.

Nis zbatimi i marrëveshjes me Italinë për pensionet, 7.6 milionë euro vitin e parë

2 June 2025 at 16:28

Puna e emigrantëve shqiptarë në Itali do të njihet për efekt pensioni. Rreth 500 mijë individë do të përfitojnë pagesa duke nisur nga ky muaj, pasi marrëveshja mes dy vendeve ka hyre ne fuqi.

Prej 1 qershorit ka nisur zbatimi i marrëveshjes për pensionet mes Shqipërisë dhe Italisë, e cila garanton të drejtat e pensioneve për rreth gjysmë milioni shqiptarë dhe 4 mijë italianë.

Marrëveshja e cila u nënshkrua në Romë më 6 shkurt 2024 dhe u finalizua në Tiranë 15 maj 2025 garanton një sërë mundësish për ata që kanë punuar në të dyja vendet.

Përfituesit do të kenë mundësinë të marrin pensione nga Shqipëria dhe Italia në varësi të viteve të punës që kanë kryer në secilin vend.

Pjesë e marrëveshjes janë edhe 20% të personave mbi moshën 67 vjeç, të cilët deri tani nuk janë trajtuar me pension, me mundësi për të marrë deri në 400 euro në muaj.

Për lidhjen e pensionit, Instituti i Sigurimeve Shoqërore merr kërkesën dhe ia transmeton kolegëve italianë dhe procedurat nuk do t’i bëjnë qytetarët, por institucionet respektive.

Buxheti për realizimin e kësaj marrëveshjeje është parashikuar të nisë me 7,6 milionë euro për vitin e parë dhe të arrijë në 20,3 milionë euro në fund të periudhës së planifikimit.

Përveç pensioneve të zakonshme, emigrantët që kanë kontribuar në të dyja vendet do të mund të përfitojnë edhe pensione invaliditeti, pensione familjare, pagesa të papunësisë dhe ndihmë për shërbime shëndetësore dhe për lindjet.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Nis zbatimi i marrëveshjes me Italinë për pensionet, 7.6 milionë euro vitin e parë appeared first on Euronews Albania.

Koeficientet, si bëhen llogaritë për personat që dalin rishtazi në pension

By: Mirgen
2 June 2025 at 09:34

Për personat që dalin rishtazi në pension, Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të aplikojë pagat e reja për efekt të llogaritjes së pensioneve. Aktualizimi i pagave para ‘94 do të bëhet me koeficientin 13.5 për qind, ndryshe nga një vit më parë, duke u reflektuar në këtë mënyrë në nivelin e pagave për 83 profesione. […]

The post Koeficientet, si bëhen llogaritë për personat që dalin rishtazi në pension appeared first on BoldNews.al.

Ndryshon mosha e daljes në pension në Danimarkë, ja sa shkon në vitin 2040

By: D Marku
22 May 2025 at 20:03

Parlamenti danez ka miratuar, pa shumë kundërshtime, një ligj që rrit moshën e daljes në pension në 70 vjeç nga viti 2040, nga 67 që është sot.

81 deputetë votuan pro ligjit dhe 21 kundër. Në Danimarkë, që nga reforma e vitit 2006, mosha e daljes në pension është lidhur me jetëgjatësinë dhe rishikohet çdo pesë vjet.

Në vitin 2030, mosha e daljes në pension do të jetë 68 vjeç dhe në vitin 2035 në 69 vjeç.

Ligji i ri e përcakton moshën e daljes në pension në 70 vjeç për ata që kanë lindur pas 31 dhjetorit 1970 , pra për të gjithë ata që do të jenë 69 vjeç në vitin 2040 e më tej. Verën e kaluar, kryeministrja 47-vjeçare Mette Frederiksen tha se ishte gati ta rishikonte sistemin kur mosha e daljes në pension të arrinte në 70 vjeç.

“Ne nuk besojmë më në automatizimin e rritjes së moshës së daljes në pension”, i tha ajo gazetës Berlingske në gusht.

The post Ndryshon mosha e daljes në pension në Danimarkë, ja sa shkon në vitin 2040 appeared first on Albeu.com.

Marrëveshja e pensioneve me Italinë/ Kryeministri Rama jep datën zyrtare mbi zbatimin e pensioneve: Nga data…

18 May 2025 at 13:11

Do të nisin të përfitojnë nga marrëveshja dypalëshe e nënshkruar dhe dakordësuar për pensionet, nga 1 qershori i këtij viti. Lajmin e konfirmoi vetë kryeministri Edi Rama ditën e sotme (18 maj) me anë të një postimi në llogarinë personale në rrjetin social Facebook, duke e cilësuar edhe si “Lajm i mirë”.

The post Marrëveshja e pensioneve me Italinë/ Kryeministri Rama jep datën zyrtare mbi zbatimin e pensioneve: Nga data… appeared first on Sot News | Lajme.

“Motra solli në Tiranë dokumentin final”| Pensionet, Rama: Përfitime nga 1 qershori

18 May 2025 at 13:05

Nga 1 qershori i këtij viti, shqiptarët e Italisë do nisin të përfitojnë nga marrëveshja dypalëshe e nënshkruar dhe dakordësuar mes dy qeverive për pensionet.

Lajmin e konfirmon kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook, ku thotë se motra (duke iu referuar kryeministres italiane) solli dokumentin final të Procesit Ligjor mbi zbatimin e Marrëveshjes së pensioneve.

“Lajm i mirë dhe i ndarë veç për t’i dhënë vëmendjen e duhur, jashtë vorbullës së Samitit të Komunitetit Politik Europian:

Motra solli në Tiranë dokumentin final të procesit të gjatë ligjor mbi zbatimin e Marrëveshjes së Pensioneve me Italinë, që do të thotë se nga 1 qershori 2025 shqiptarët e Italisë do të nisin të përfitojnë nga kjo marrëveshje kuptimplotë për nivelin e ri të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Italisë”, shkruan Rama.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Motra solli në Tiranë dokumentin final”| Pensionet, Rama: Përfitime nga 1 qershori appeared first on Euronews Albania.

Rama: Ajo çka kemi bërë ne me pensionet është transformim epokal

By: user 5
9 May 2025 at 23:14

Kryeministri Edi Rama në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan është ndalur edhe tek pensionet, për të cilat është shprehur se ajo se çfarë është bërë në këtë drejtim është epokale.

Rama thekson se janë dy blloqe pensionistësh, një bllok që ka dalë përpara dhe një bllok që ka dalë pas reformës së qeverisë. Për këto të fundit Kryeministri tha se kanë pensione më të larta për të njëjtat vite pune.

“Ne kemi pasur gati me ndihmë ekoniomike gati 90 mijë e diçka dhe sot kemi 54 mijë. Gjithë kjo pjesa tjetër është futur në treg. Është rritur numri i njerëzve që punojnë. Ne bëjmë shpesh krahasime me rajonin. Ajo që kemi bërë ne në këto 10 vite është diçka epokale. Me pensionet është epokale. Deri në vitin 2013 ne nuk kemi pasur sistem pensionesh fare, ndërkohë që vendet e rajonit nuk kanë prishur gjë more zotëri. Ne kemi pasur asistencë sepse sistemi i pensioneve bazohet tek sigurimet. Ne e kemi pasur me një tavan 240 mijë Lekë të vjetra dhe ti hidhu përpjetë aq e ke maksimumin e pensionit. U shkatërrua gjithë industria dhe u bënë pensionist edhe 40 vjeç dhe gjithë ky stok është aty. Ne futëm sistemin e sigurimeve. Faktikisht ne sot kemi dy blloqe pensionistësh, një bllok që ka dalur përpara dhe një që ka dalë mbrapa. Këto që kanë dalë mbrapa me reformën tonë kanë pensione më të larta për të njëjtat vite pune”, thekson Rama.Rama ndër të tjera tha se target është që pensioni minimal 200 Euro të arrihet brenda 2030.“Ne kemi të gjitha ato analizat që na kanë bërë që të vendosim si target që 200 Euro pensioni minimal ta arrijmë brenda Shqipërisë 2030, pra brenda këtij mandati. Do ta bëjmë gradualisht”, shprehet Rama.

Ndërkohë ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj ka dhënë detaje lidhur me shiftar për pensionet aktuale.

“Ne kemi sot një pension mesatar në qytet kur ti paguhesh me një pagë mesatare me vite të plota pune ne kemi një pension, i cili është 300 Euro. Dhe kemi edhe pensione që shkojnë 500 dhe 600. Pensioni minimal sot është rreth 12 mijë Lekë. Përveç kësaj ne kemi në buxhetin e shtetit përveç buxhetit që marrim nga tatimet për kontributet, që hedhim nga buxheti i shtetit për të mbushur defiçitin, ne kemi 300 milionë Euro në vit që jepen për pensionistët, që janë kompensime”, u shpreh Ibrahimaj.

Ibrahimaj thekson se pavarësisht plakjes së popullsisë qeveria do të vijojë të rrisë pensionet.

“Shqipëria ka një trajektore rritëse. Rritja ekonomike do të vazhdojë të ndikojë tek rritja e pagave dhe të gjitha reformat që do të bëhen do të ndikojnë që niveli i kontributeve nga të punësuarit, pavarësisht plakjes së popullsisë dhe rënies së numrit të atyre që janë potencialisht kontribues në të ardhmen ne do të vazhdojmë të rrisimi pagat që të rrisim kontributet. Ne sot që flasim kemi akoma një popullsi të aftë për punë, e cila ka potencial të angazhohet në punë. Ndonëse papunësia ka rënë ne kemi akoma hapësirë… Fuqia punëtore në krahasim me vitin 2013 si numër është rritur”, shprehet ministrja Ibrahimaj.

The post Rama: Ajo çka kemi bërë ne me pensionet është transformim epokal appeared first on Lapsi.al.

Rama: 300 milionë euro në vit, kompensime për pensionistët

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetari i Partisë Socialiste tha sot se janë 300 milionë euro në vit kompensime të tjera që jepen për pensionistët dhe që ndahen sipas tij në 80 milionë euro për kompensime mujore të tjera, 161 milionë për bonuse dhe 57 milionë për rimbursimin e barnave.

Nga takimi “Një pasqyrë e Rilindjes së qarkut të Elbasanit”, Rama tha nga Librazhdi ku edhe prezantoi arritjet kyçe për sektorët më të rëndësishëm dhe sfidat e Shqipërisë 2030 në BE se brenda mandatit të katërt qeverisës nuk do të ketë asnjë pension nën 200 euro në Shqipëri.

“Pensionin mesatar me vite të plota pune, e kemi 300 euro, por problem kryesor është numri i madh i pensionistëve me pension shumë të ulët dhe objektivi ynë është që brenda mandatit të katërt të mos ketë më asnjë pension nën 200 euro”, tha Rama.

Kryeministri u ndal gjatë fjalës së tij edhe te tregu i punës në vend duke ndarë edhe shifrat zyrtare të papunësisë. Sipas Ramës, papunësia ka qenë 17.5%, sot për herë të parë papunësia në Shqipëri është nën 10% dhe është një numër një shifror 8.8%.

“Dhe shumë njerëz thonë del e ulët se kanë ikur njerëzit. Përqindja e papunësisë matet me tregun e punës, jo me pensionistët dhe fëmijët. Sa forca pune janë në dispozicion, sa prej tyre janë në punë”, shtoi Rama.

“Kjo vlen për të gjithë që duke përqeshur thonë ku i keni 300 mijë vende pune. Kur ne morëm detyrën ishin 1 milion e 23 mijë të punësuar, këta janë 1 milion e 23 mijë emra dhe mbiemra, të punësuar në regjistrat e shtetit që paguajnë detyrime shëndetësore dhe shoqërore. Sot, këta janë 1 milion e 327 mijë, sipas aritmetikës që kam mësuar unë në Liceun Artistik janë më shumë se 300 mijë”, pohoi Rama, ndërsa shtoi se “aritmetika është në hall të madh se ne menduam se e pamë hatanë më të madhe kur thoshte Luli 7×7 baras 42, po tani doli 7×7 baras 6 milionë. Llogaria këtu është 300 e 4 mijë vende pune plus”, theksoi Rama.

“Të punësuarit me pagë nën 40 mijë lekë kanë qenë 60%, kjo shifër ka rënë në 14.4%. Pagat sot janë jo të mjaftueshme, por janë shumë më të larta seç ishin. Pagën minimale sot e kemi 400 euro, në janar të 2026 do të bëhet 500 euro dhe brenda mandatit të katërt do të jetë 650 euro minimalja”, vijoi ai.

Rritja e pagave, sipas tij, në tërësi llogaritet 848 euro që është paga mesatare e bashkuar sektori publik me sektorin privat.

“Paga mesatare në sektorin publik është 1000 euro, ndërkohë që ka qenë 370 euro”, tha Rama. /j.p/

1 nga 2

The post Rama: 300 milionë euro në vit, kompensime për pensionistët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌