Tendenca rritëse e prodhimit dhe ulja e çmimeve nuk kanë sjellë gjallërim të tregut të përpunimit të qumështit. Në Juglindje, konsumi vijon të jetë në rënie për shkak të emigracionit dhe konkurrencës nga importi, ndërsa përpunuesit e tjerë “luftojnë” për të mbajtur ekuilibrin mes ofertës në rritje dhe kërkesës në rënie.
Dorina Azo
Pas rekordit të importit të qumështit të shënuar vjet nga fabrikat përpunuese, për përdorimin e tij si lëndë të parë, sasia e qumështit të importuar nga jashtë në muajt janar-prill ka nisur të ulet.
Sipas të dhënave të Doganave, në periudhën janar-prill 2024 u importuan 6 milionë litra qumësht. Kjo ishte sasia më e lartë e qumështit të importuar prej 2016-s. Në janar-prill 2025 u importuan 5,1 milionë litra qumësht.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, importet janë ulur 15,4%.

Burimi: Doganat
Rënia e importeve po ndikohet nga dy faktorë: rritja e çmimit të qumështit në tregjet e huaja dhe ulja e çmimit të qumështit vendas, si rezultat i prodhimit më të lartë në ferma.
Vitin e kaluar, importet u shtuan ndjeshëm për shkak të diferencës në kosto mes qumështit të prodhuar në Shqipëri dhe atij të importuar.
Çmimi mesatar i importit, përfshirë transportin dhe taksat, ishte rreth 55 lekë/litër, ndërkohë që fermerët vendas e shisnin qumështin me 60-78 lekë/litër (pa TVSH), në varësi të madhësisë së fermës.
Por këtë vit, situata ka ndryshuar. Në Europë, çmimi i shitjes në ferma në fillim të vitit arriti deri në 67 lekë/litër, ndërsa në Shqipëri, çmimi ka zbritur lehtë në 62-63 lekë/litër për qumështin e lopës, kryesisht në zonat prodhuese si Myzeqeja.
Pavarësisht kësaj, gjatë verës, operatorët pohojnë se do të vijojnë të importojnë qumësht, pasi prodhimi i fermave vendase është relativisht stabël gjatë gjithë vitit, ndërsa kërkesa ka sezonalitet.
“Megjithatë, si në vitet e fundit, edhe këtë verë pritet të importojmë sasi shtesë, pasi prodhimi i fermave tona është i qëndrueshëm gjatë gjithë vitit, ndërsa kërkesa për produktet tona ndjek ritmet sezonale, duke u rritur ndjeshëm në muajt e verës për shkak të turizmit”, pohon Luis Ndreka.
Z.Ndreka apelon për më shumë mbështetje ndaj fermerëve vendas, në mënyrë që ata të kenë kosto më të ulëta prodhimi, gjë që do të lehtësonte përpunuesit të jenë më konkurrues në treg, përballë produkteve të importit dhe të ofrojnë çmime më të mira për konsumatorin shqiptar.
Ofertë e lartë, çmimi i grumbullimit në rënie
Sasia e qumështit të prodhuar nga fermat në vend po shkon drejt trendit rritës, e nxitur nga kërkesa e operatorëve përpunues. Shtimi i ofertës po luhat çmimet e shitjes të qumështit të grumbulluar nga fermerët prej përpunuesve.
Luis Ndreka nga kompania ADG (ish-“Lufra”) tha se çmimi i qumështit të lopës në grumbullim nga fermat shqiptare ka pësuar rënie të lehtë, me rreth 2 lekë për litër, si rezultat i një prodhimi më të lartë këtë vit, krahasuar me një vit më parë.
Sipas Luis Ndrekës, në zonën e Myzeqesë (Fier, Lushnjë, Berat), ku përqendrohet pjesa më e madhe e prodhimit, çmimi aktual i qumështit të lopës është rreth 63 lekë për litër, pa TVSH.
Ndërkohë, çmimi i qumështit të deles varion nga 110 deri në 130 lekë për litër, po pa TVSH.
Z.Ndreka thekson rëndësinë e dallimit midis çmimit me dhe pa TVSH, pasi shpeshherë në diskutime publike përzihen të dyja format, duke krijuar konfuzion.
“Për shembull, kur para dy vitesh thuhej se çmimi i qumështit të deles kishte arritur në 170 lekë, ai çmim përfshinte TVSH-në”, sqaroi ai.
Tendenca e prodhimit në ferma, sipas tij, është në rritje, me kompani që kontraktojnë më shumë qumësht gjatë dimrit dhe pranverës për të siguruar rezerva për sezonin e verës, kur kërkesa rritet ndjeshëm për shkak të turizmit.
“Si çdo vit, edhe këtë vit kemi pasur tepricë prodhimi gjatë dimrit dhe pranverës, pasi kontraktojmë qëllimisht pak më shumë qumësht për të siguruar sasi të mjaftueshme gjatë verës, kur kërkesa dhe shitjet janë më të larta”.
Pavarësisht tendencës në rritje të sasisë së qumështit të prodhuar në vend, disa nga përpunuesit e vegjël i kanë mbajtur të pandryshuara çmimet e qumështit të grumbulluar.
Taulant Pupa, administrator i fabrikës së përpunimit të qumështit “Vita 2001”, pohon se vijon ta grumbullojë qumështin prej fermerit me çmimin 57 lekë për litër pa TVSH. Z. Pupa thotë se prodhimi është në rritje dhe po hyn drejt një trendi të stabilizuar.
“Prodhimi i qumështit të lopës, me të cilin ne punojmë, pasi qumështi i deles përdoret në sasi të pakët, ka mbetur i pandryshuar. Fermerët vijojnë ta grumbullojnë me të njëjtin çmim si vitin e kaluar.
Nëse do të ndryshonim çmimin, fermerët do të largoheshin. Furnizimi do të bëhej i pamundur”, thotë ai.
Edhe kompania “Zyfi Farm” me qendër në fshatin Bërzullë të Tiranës, një punishte e vogël artizanale, pohon se vijon ta grumbullojë qumështin e deles dhe të dhisë (me të cilët bën prodhimin e produkteve) me çmimet e vendosura në vitin 2024.
Kompania vijon ta grumbullojë qumështin e deles me çmim 130 deri në 140 lekë pa TVSh dhe qumështin e dhisë deri në 83 lekë për litër pa TVSH.
Gerald Zyfi, nga kompania “Zyfi Farm”, pohon se në treg nuk konstatohet rritje e prodhimit më tepër sesa shtim i ofertës për shkak të lëvizjeve të shitjeve në tregun e brendshëm.
Deri në vitin 2023, sasia e qumështit të grumbulluar në rang vendi ishte 110,1 mijë tonë. Krahasuar me vitin 2022, sasia e qumështit të grumbulluar ka rënë 8%.

Burimi: Doganat
Të ardhurat e kompanive
Të ardhurat e katër operatorëve kryesorë të përpunimit të qumështit në vend në vitin 2023 arritën në 4,7 miliardë lekë kundrejt 4,2 miliardë lekëve në 2022. Krahasuar me vitin paraardhës, të ardhurat u rritën me rreth 13%.
Fitimet e operatorëve arritën në vlerën e rreth 320 milionë lekëve. Krahasuar me 2022, fitimet e operatorëve të tregut të përpunimit të qumështit u rritën me rreth 21%.
Për vitin 2023, të ardhurat e kompanisë “ADG sh.p.k.” u rritën me 10% krahasuar me 2022. Ndërsa fitimet e kompanisë u shtuan me 10% në raport me vitin paraardhës sipas të dhënave të QKB-së.
Për operatorin “ERZENI sh.p.k.” të ardhurat në 2023 u rritën me 16% krahasuar me 2022. Fitimet e kompanisë u zgjeruan me 33% në raport me vitin paraardhës.
Të ardhurat e kompanisë “Gjirofarma” u rritën me 6% në vitin 2023 krahasuar me 2022, ndërsa fitimet ranë 3%.
Të ardhurat e kompanisë “MIRELI” u rritën me 11% në vitin 2023 krahasuar me vitin paraardhës, ndërsa fitimet u shtuan me 20% mbështetur te të dhënat e QKB-së.

Lexoni edhe:
Ulen importet e qumështit të freskët, por rikthehet rritja e importeve të qumështit pluhur
The post Ekuilibri i brishtë i qumështit appeared first on Revista Monitor.