Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Lamtumire vëndet e mija

By: Kult Plus
7 August 2025 at 23:00

Gjergj Fishta

Lamtumire vëndet e mija,
Që po m’zhdukeni dalngadalë
Gjëmon Deti ushton duhija
Lkundet varka vale mbi vale.

Kah njaj Diell që asht tuj flakrue
Andej fill un tash do t’veta
Lamtumir atdhe i bekue
Lamtumirë për sa të jetë jeta!

Neser Nadja kur mbi ne,
Rrezja e diellit ka me ra,
Kush e di sa Ujë e Dhe,
Mue prej teje ka me me më nda?

Po ni pvetsha retë minore?
Po në i pvetsha zogjt e detit?
Veç për ty moj tokë arbnore,
Ska me më fol kush ma mue t’shkeretit

Kam me shkel në të tjera zalle
Në të tjera brigje e të tjera Dete
Kam me ndije të tjera gjuhë
Në të tjera vënde e të tjera qytete…

Vëndin tëm ma skam me pa…

Ka me prit pra motër zeza
Me i pru nanës në shpi ndonjë re,
Po, kushedi, i vllau atëhera,
Ku asht kah kalbet për nan dhe…

Para Hyut naltohet lutja,
O ju bjeshkët e shqiptarisë,
Ku ndër ju s’dijmë, çka asht tuta!
Veç në ju asht logu i burrënisë!

Lamtumire ju mriza e stane!
Lamtumire ju “shkurre e mreta”!
Lamtumire ju o armt e t’parve
Lamtumire për sa t’jetë jeta./KultPlus.com

Gjergj Fishta dhe shkrimtari serb

By: redi
28 July 2025 at 16:52

Poeti kombëtar Gjergj Fishta shkoi në një konferencë shkrimtarësh në Romë. Në konferencë merrte pjesë edhe një shkrimtar serb, i cili në një libër të tij kishte shkruajtur se shqiptarët janë me bisht. Kur të gjithë u ulën për të filluar konferencën, Fishta ndenji në këmbë. -Zotëri, a nuk keni karrige? e pyeti drejtuesi i seancës. -Karrigën e kam, por nuk ka vrimë ku të fus bishtin…

Source

Burrnija

By: Kult Plus
26 July 2025 at 14:55

Poezi nga Gjergj Fishta

Qitë dhambët përjashta, por si lata t’prehta
Zgavërr kërrçikët e plasarit shtanguem,
Kosën pështetun përmbi kocka t’ngrehta
T’cepit t’shpulpuem,
Atje n’moje t’mjerueme t’rruzullit,
Zymtë e me i hije t’trishtueme, t’përmnershme
Lshue krahëve’ i havër t’zezë, si re thellimit,
Rrin Deka e tmerrshme.
Prej avisit t’humnerëve t’zgavrueme
Kthellët në rrashtë të thatë, plot mizori,
Të hapët tërthoren e natyrës s’krijueme
Kundron në mni,
E idhtë asa’ i kërcënohet. Nji t’përqethët
Acar, at botë, natyrës i shkon, n’për tejza,
Amull të cilët mbrendë ia ngurron të njethët
E jetës ndër fejza.
Me u zbe nisë rrezja shi n’krue t’vet shkëlqyeshëm
Bres dryshku njeshet, n’atë shauret mbi rrota
Së moknes s’rrokullis e boshtit rryeshëm
I vjen rreth bota.
Felgruemun njerzit nën tjara struken;
Për nën kunora pshtimin ato lypin!
Depërtojnë retë e nalt kah qiella zhduken;
N’andrra t’dheut zdrypin.
Por kot. Mizore ajo kosë t’vet ka sjellë,
Shungllon thellimi për nën kupë t’Empirit;
Gjarpër rrufeja lvitet nëpër qiell
E nën kambë të nierit.
Kthellë shpërthe gjini i tokës. Tue bulurue
Gugson vullkani zhari, flakë e shkndija;
Tallaz m’tallaz nis deti me gjimue,
Ulëron stuhia.
E para dekës, atë herë, bijnë rob e mbreta;
Shkrehen mbretni, qytet kulm rroposen;
Shuhen krenija, po, dhe shkimet jeta
Ka’ ajo sjell kosën.
T’poshtrat me t’eprat vise pshtiellen n’vaj,
E mnert kah kosa cepit t’dekës të shkulet;
Kah m’kërdhokla londit kërçiku i saj
Shekulli përlulet.
Vetëm s’përkulet para Dekës njai trimi,
N’zemër t’cilit nuk randojnë punë t’liga,
E që s’e ndalë ku atë ta lypë perlimi (detyra)
As paja as friga.
Për nën mburojë t’ndërgjegjes s’vet t’kullueme;
Atje n’kufi t’Atdheut ase n’truell
T’elterit shenjtë, pa u tutë, ai dekës s’shëmtueme
I rrin kundruell.
Përpara tijë shkon moti t’uj u endun:
Vjen fati i nierit tu u terrnue pa da;
Tash mreten n’burg, tash shkartha n’fron t’përmendun
Kanë për t’u pa.
Por, ngulë ai synin n’ideal t’naltueshëm,
Si’ i kep, qi vala smundet n’det m’e e lkundun,
Sido qit t’dajë ndeshtrasha e dheut t’mjerueshëm,
Ngelë n’vend pa u tundun.
Jo po: as n’flakë t’armëve nuk veton ai sye,
As buzës humnerës nuk i dridhet themra:
Sheklli, po, mbarë me pasë për t’u shpërthye
S’i ban lak zemra.
Rekton mbarë jeta për nën fyell t’kërçik’e
Të dekës s’shëmtueme, s’përmnerëshme mizore:
Vetëm BURRNIJA – një BURRNI çelike
Asaj i rrshet dore./KultPlus.com

Fishta: Më dhemb kryet nga njato parla-parla të parlamentarëve – dokrra pa kokrra

By: Kult Plus
13 July 2025 at 15:38

Cilësohet poet kombëtar e njihet edhe si Homeri shqiptar. Gjergj Fishta (23 dhjetor 1871 – 30 dhjetor 1940), ishte frat françeskan, piktor, arkitekt, deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave, kandidati i parë shqiptarë për Çmimin Nobel për Letërsi dhe mbrojtës i kauzës shqiptare në arenën ndërkombëtare. Fishta ka dhënë kontribut të madh edhe në Kongresin e Manastirit, për alfabet e sotëm, ndërsa ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Më poshtë mund të lexoni disa thënie të një prej figurave më të mëdha intelektuale dhe patriotike të historisë kombit shqiptar.


– Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë!

– Njerëzit janë tanë njisoj prej natyrës, edukata i ban me u dallue!

– Shqiptarët kallzojnë njate çka s’duhet, e mshehin njatë çka e di tanë bota!

– Pak din njaj që ja kallzon të tana grues!

– Në kjoftë se provon, mundesh me hupë, por në kjoftë se nuk provon – je i hupun gjithsesi!

– Në kjoftë se thue at çka dishron, duhet me ndie edhe ate çka nuk e dishron!

– Ma mirë n’vorr me u kja për mallë / se nën shkja me ndejë për t’gjallë,,,

– Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë!

– N’daq me gzue t’bukrën liri / mos shkel fis, as mik, as fe / pse n’kto sheja bota mbarë. / na dallon se jem shqiptarë…

– Edhe atij iu thaftë po goja / që përbuzë këtë gjuhë hyjnore / qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja / flet e tveten e lèn mbas dore…


– Mbi njatë flamur Perendija / me dorë t’ vet Ai e ka shkrue / “Për Shqyptarë do t’jét Shqypnija / kush u a prekë, ai kjoftë mallkue”…

– Po, edhè hâna do t’ a dijë / edhè Dielli do t’ két pá / se për qark ksaj rrokullije / si Shqypnija ‘i vend nuk ká…

– Në rast se ata nuk na duan në një shtet të vetëm, pasi thonë shqyptarët qenkan muslimanë, aherë… na kristianët do t’i shkriejmë kryqet tona dhe do t’i bajmë fishek me mbrojt vllaznitë tanë muslimanë shqyptarë!

– Më dhemb kryet me njato parla-parla të parlamentarëve: dokrra pa kokrra!

– Injoranca e krenaria shkojnë bashkë si shtati e hija! / KultPlus.com

Ish-notarët kujtojnë lavdinë e humbur të sporteve të ujit në Durrës

13 July 2025 at 10:18

Regjimi komunist në Shqipëri e konsideronte sportin dhe edukimin fizik si një nga shtyllat e veta kryesore, e megjithatë, jo të gjitha sportet ishin njësoj të vlerësuara.  Në mesin e viteve ’60, disiplina të sporteve të ujit si hedhja nga trampolina, kanotazhi apo vaterpoli (waterpolo) pothuajse u ndaluan, duke dekurajuar një grup notarësh nga Durrësi […]

The post Ish-notarët kujtojnë lavdinë e humbur të sporteve të ujit në Durrës appeared first on Reporter.al.

Një foto, një epokë e tërë kulture kombëtare

By: KultPlus
7 July 2025 at 15:00

Dorian Koçi

(At Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi dhe Asdreni)

Në këtë fotografi të rrallë ruhen jo vetëm katër figura madhore të letërsisë dhe mendimit shqiptar, por edhe vetë fryma e një epoke që ndërthurte traditën dhe modernitetin, besimin dhe dritën laike, shkollën perëndimore dhe frymën kombëtare. Nga e majta: At Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi dhe Asdreni – katër shtylla të mendimit dhe fjalës së shkruar shqiptare.

Fishta, me petkun françeskan, përfaqëson epopenë e kombit në vargje, zërin e përbashkët të gojëdhënave dhe moralit qytetar; Lasgushi me poezinë simbolike dhe lirikën filozofike, sjell shpirtin e thellë ballkanik në formën më të rafinuar europiane. Koliqi, i shkolluar në Itali, do të mishërojë reformën arsimore, themelimin e prozës moderne shqiptare dhe hapjen drejt Perëndimit, ndërsa Asdreni, poeti i himnit kombëtar, është zëri i mërgimit dhe i pavarësisë, që lidhi Rilindjen me brezat pasues.

Ata rrezatojnë dinjitet, kulturë, përfaqësim kombëtar dhe vetëdije historike. Ky është imazhi i Shqipërisë së viteve ’30 – një vend i vogël, por me mendimtarë të mëdhenj, ku letërsia, feja, arsimi dhe atdhedashuria bashkëjetonin si ura që lidhin epoka.

Pas vitit 1945, kjo trashëgimi u ndërpre me dhunë, shumë prej tyre u përndoqën, u heshtën apo u fshinë nga historia zyrtare. Por sot, kjo foto na kujton se nuk mund të ketë e ardhme pa dialog me traditën, pa kujtesë dhe pa nderim për ata që ndërtuan themelet shpirtërore të identitetit tonë kombëtar.

Le të rikthejmë vlerat, fjalën e urtë dhe dritën që ata përfaqësonin në jetën tonë publike dhe arsimore./ KultPlus.com

Gjuha shqipe

By: Kult Plus
6 July 2025 at 19:20

Poezi nga Gjergj Fishta

Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t’detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë,
porsi gjumi m’nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhè ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubinit,
ka’i bien qiellvet tue flutrue
n’t’zjarrtat valle t’amëshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e lèn mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat tona
qi prej djepit na kanë thânun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhânun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t’enden stina e moti,
do ta gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vete, po pik’ mâ para,
n’agim t’jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp mâ s’pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet,
kah kanë dekë kta për dhè të’t’Parvet.
Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi’i rruzllim mbretnin s’i a, xûni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t’drisë e diellit rrota,
kanë me kênë ndera e trimnive.
Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t’uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t’jetë jeta,
por për tê gjithmonë punoni;
pse, sa t’mbani gjuhën t’uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s’huej,
Nper gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n’za, sikurse jini.
Prandaj, pra, n’e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t’brohrisim:
Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia!/KultPlus.com

Qytetarët si policë vullnetarë/ Pa armë dhe të padënuar, certifikim nga Akademia e Sigurisë

By: Rovena
15 June 2025 at 11:59

Qeveria ka miratuar vendimin e ri për organizimin e shërbimit të policimit vullnetar. Qytetarët të cilët do të duan të bëhen pjesë kanë një sërë kriteresh të cilat duhet të plotësojnë. Ata duhet të kenë arsim të mesëm dhe certifikohet nga Akademia e Sigurisë.

Kreu i sindikatës së policisë, Sadetin Fishta për mikrofonin e ABC News thotë se nisma është pozitive për marrëdhënien qytetar me efektiv, apo qytetar me qytetar por edhe për përforcimin e sigurisë dhe rendit.

“Kjo nisëm, po  e quaj nisëm është pozitiv në disa aspekte, edhe në atë profesionalen por edhe në atë morale sepse policisë i duhet një zbutje le të themi pra jo vetëm përballje polic qytetar por dhe qytetar me qytetar, çka do të thotë se do të ketë një zbutje apo edhe sjellje arrogante të efektivëve”, tha Sadetin Fishta.

Policët vullnetarë do të angazhohen në menaxhimin e rendit në aktivitete masive, ata do të ndihmojnë në rregullimin e trafikut, do të patrullojnë pranë institucioneve arsimore, në parandalimin e krimit, në mbrojtjen e mjedisit dhe të pronës, gjithashtu do të mbështesin policinë kufitare dhe sipas vendimit është parashikuar të marrin pjesë në operacione emergjencash civile dhe kërkim-shpëtimi.

Se sa interes do të kenë qytetarët kjo mbetet për t’u parë, Fishta thotë se kjo nismë nuk ka asnjë përfitim financiar apo benefit por çfraë problemesh do nxjerr në pah.

Sipas vendimit kriteret janë e qytetarëve që do të duan të bëhen pjesë e strukturave vullnetarisht,, duhet të jetë nga 18 deri në 65 vjeç,  duhet të ketë përfunduar arsimin e mesëm. Të jetë i padënuar dhe me gjendje të mirë shëndetësore. Të ketë kaluar trajnimin në Akademinë e Sigurisë dhe verifikimin e besueshmërisë.

Në vendimin e qeverisë thuhet se nuk lejohet angazhimi i gjyqtarëve, prokurorëve, drejtuesve politikë, punonjësve të sigurisë kombëtare, Gardës së Republikës apo Policisë së Burgjeve.

Vendimi i ri i Këshillit të Ministrave përcakton me detaje edhe të drejtat dhe përgjegjësitë që ka çdo qytetar që shërben si polic vullnetar. Ky status përfshin jo vetëm detyrime etike dhe operacionale gjatë shërbimit, por edhe të drejta ligjore, mbështetje institucionale dhe mundësi trajnimi nga Akademia e Sigurisë. Shërbimi kryhet gjithmonë i paarmatosur dhe nën mbikëqyrjen e strukturave të Policisë së Shtetit./abcnews.al

Rama ndan pamjet: Hapësirë memoriale multifunksionale në vendlindjen e Fishtës

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Në Fishtë të Lezhës, në vendlindjen e At Gjergj Fishtës, ka hapur dyert një qendër e re kulturore dhe rekreative që i dedikohet jo vetëm kujtesës, por edhe jetës së gjallë të shpirtit krijues.

Qendra kulturore dhe rekreative përfshin hapësira të dedikuara për rezidenca artistike, sesione krijimtarie dhe ekspozime të artistëve vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga hapësira memoriale multifunksionale në Lezhë, ku ka lindur At Gjergj Fishta.

Qendra kulturore dhe rekreative është e lidhur përmes një rruge këmbësore me shtëpinë ku ka jetuar At Gjergj Fishta, e cila është restauruar dhe është e hapur për vizitorët.

Investimi vjen pjesë e itinerarit Fishtian i cili përfshin vendet ku ka jetuar dhe shërbyer At Gjergj Fishta dhe shërben si një ftesë për të zbuluar jetën dhe veprën e tij.

Projekti i itinerarit “Gjurmët Fishtiane” përfshin restaurimin e Urës së Mesit, ndriçimin e kalave të Durrësit dhe të Lezhës, muzealizimin e banesës ku Gjergj Fishta ka kaluar vitet e para te jetës si dhe ndërtimin e Hapësirës Memoriale ku besohet se ka lindur Gjergj Fishta në vendlindjen e tij.

Projekti i ri ka realizuar një godinë multifunksionale dhe një kullë muzeale në vendin ku thuhet se ka lindur Fishta. Godinat janë realizuar sipas projektit dhe aktualisht kanë përfunduar, së bashku me territorin e jashtëm. Godina e sheshtë multifunksionale është e mobiluar dhe synon të shërbejë si godinë për rezidencat letrare dhe organizime të ndryshme kulturore lidhur me librin dhe leximin.

/m.m/a.f/

The post Rama ndan pamjet: Hapësirë memoriale multifunksionale në vendlindjen e Fishtës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

‘N’ty mendoj kur agon drita, kur bylbyli mallshëm kndon’

By: Kult Plus
30 May 2025 at 22:54

Poezi nga Gjergj Fishta

Atdheut

N’ty mendoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshëm kndon
N’ty mendoj kur soset dita
Terri botën kur e mblon.

Veç se ty të shoh un n’andërr,
Veç se ty çuet t’kam n’mendim
Ndër t’vështira ti m’je qandërr,
Për ty leht m’vjen çdo ndëshkim.

Tjera brigje, fusha, zalle,
Unë kam pa larg tue ba shtek,
E përgjova tjera valle
N’tjera lule syu m’u rrek.

Por nji fushë ma blerët nuk shtrohet,
Por nji mal ma bukur s’rri.
Ma i kulluem nji lum s’dikohet,
Moj Shqypni porsi i ke ti.

N’ty ma i bukur lulzon prilli,
Jan ma t’kandshme stin e mot,
N’ty bylbyli pa le Dielli
Kndon ma ambël t’Madhit Zot.

Pa ty lules s’mi vje era,
Pa ty pema frut nuk m’bjen:
Mue pa ty s’më del prandvera.
Pa ty Dielli nuk m’shkëlxen.

Dersa t’mundem me ligjrue,
E sa gjall me frymë un jam
Kurr Shqypni s’kam me t’harrue
Edhe n’vorr me t’përmend kam./KultPlus.com

Koliqi, Asdreni, Fishta dhe Lasgushi në një fotografi të rrallë

By: Kult Plus
20 May 2025 at 21:40

Kjo është fotografia e rrallë në të cilën shihen disa nga emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe në një fotografi të përbashkët, shkruan KultPlus.

Marie Lasgush Pogradeci, pati publikuar një fotografi të realizuar në shkurt të vitit 1938 gjatë festimeve në Shkodër, në Kinemanë Rozafa.

Në këtë fotografi mund të shihni të ulur Ernest Koliqin, tutje Asdrenin, Fishtën dhe Lasgushin. / KultPlus.com

Uh Evropë, ti kurva e motit!

By: Kult Plus
11 May 2025 at 20:30

Poezi nga Gjergj Fishta

Uh! Evropë, ti kurva e motit!
Që i re mohit, besës së Zotit!
Po, á ky asht sheji i qytetnisë?
Me da token e Shqypnisë,
Për me mbajt klyshtë e Rusisë?
Gomari i Babatasit
Ju rrugaça sallahana,
vagabonda shakllabana,
rriqna t’ndyet, mikrobe të kqij
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhè
der kur ju, tu tallë me ne,
do t’na qelbi fis e atdhè?
Ah! Bre ju..nuk dij shka u kjoftë,
se tash ma jemi tue u njoftë,
se kush jini e shka jini
se kah shkoni e se kah vini
plang e shpi se kah i kini
e sa pare u ban gjaku:
se për ju, po, duhet laku,
për me u vjerrë o kund m’do i shpat!
Deri dje, pa kmishë mbi shtat,
me ‘i gjysmë setre t’pa astar,
lshuemum krahve kalavar
e me ‘i komçë t’njtitme nën grykë:
pantallonat me “gjyslykë”
kto edhe lidhun me nji spagë:
shtatit rreshke e ba saragë,
t’tanë gordec e berbalec
pa ndo ‘i msim, pa ndonji dije,
me ‘i fillore a nji iptadije,
erz e shpirt qitun nën themër:
turq a sllave a grek me zemër,
falun barkut veç Shqipnisë,
si ajo marrja e t’gjith njerzisë…
tuj u shite ju për gjithë treg,
sod na mbahi “Skandërbeg”,
e ngërdhucë, goditë, limue,
rrue, qethë, pipirique,
tash n’”smoking”, tash në “bon-jour”
ju, qi dje s’kishit as ushkuer
me lidhë brekët me nder me thanë
m’sahan t’huej gjithmonë me ngranë,
rrugën krejt na e keni zanë,
ke na shkoni pash e m’pash,
edhe besa me “gulash”
me “afishe” e me “sultjash”,
me “kjumshtuer” e me “ashurè”,
“kosha gjelash” si kubure,
“tarator”, “pilaf me kos”,
“mish me qepe” e “majdanos”
“shish qebap”, “brizholla viçi”,
“kunguj t’mbushum”, “kuzuici”,
“kabuni”- e “mualebi”.
Barku sod ju rri ju kodër,
kargatisë e bamun lodër:
der sa ata burrat e dheut,
qi për jetë e nderë t’Atdheut
kane ra n’luftë si shqipe t’leta,
kanë shkri gja e shpija t’veta,
kanë tuj dekë rrugave unit,
me iu dhimbë gurit e drunit.
Përse, po, kta matrahulla,
kta shqiptarë, shqiptarë kah ksula,
n’vend qi ju me u vu n’konop,
a se brinjt m’jau zbru me shkop,
a, mos tjetër, me u ngushtue
me xjerrë zhuri kund m’ndo ‘i prrue
për me shtrue ndo ‘i rrugë të shtetit
a me dlirë ndo ‘i skelë detit,
lavjerre buzësh, harru si viça
kqyrin m’ju si t’ishi ogiça,
për me u pri udhës s’qytetnisë
e me i sjellë t’marën Shqipnisë.
Ani kush, pra, me i pri kombit:
ju, do pyka bijtë prej llomit
qi “shqiptarë” vedit i thoni,
jo pse ju Shqipninë e doni,
jo pse ju ndo ‘i send kuptoni
shka asht Atdheu e shka asht Liria,
shka asht Vllaznija a Parasija,
Përparimi e Qytetnia,
por veç pse ende der më sot
nji tyran s’po e gjeni dot,
nën kambë t’cillit ju me u shtrue,
se un ma tash ma jam regjë me jue,
e jau njof shpirtin der m’palc,
pleh i ndytë me u bartun n’shalc
e me u qitë jashta Shqipnije.
Nuk din Shkjau me mbajtë miqsí!
Por, s’din Shkjau me mbajtë miqsí!
Aman, Zot, kur duel Serdari,
Se ç’kje ndezë Vranina zhari!
Aman, Zot, kur mrrîni Pera,
Se shum krisi atbotë potera!
Por kur rán Shkjét e Vraninës
Shum u krisi plumja shpinës!
Porsi shé, qi m’nji natë gjâmet
Rritet turr e del prej âmet
Tuj ushtue – e tue shkumue,
Shkaperderdhet nper zallina,
Ashtû u derdh Shkjau te Vranina,
N’valë Shqyptarët krejt tue i pershî.
S’lufton ndryshe e rrebtë kulshetra
E me dhâmbë edhè me kthetra,
Zjarm e surfull tue flakrue,
Kur drangojt t’a kenë rrethue;
Si i qindron sod Shkjaut Shqyptari
Per dhé t’amel, qi i la i Pari:
Kâmbë per kâmbë, tuj qitë pá dá,
Tue korrë krena neper Shkjá.
U janë ndezun flakë breshânat,
U kullojn gjak n’dorë tagânat,
E u kullon gjak edhè zêmra,
Veç se vendit s’ u lot thêmra.
Por ç’dobí: dielli tue lé
Isht’ tue lé m’ at ditë per Shkjé! –
I rán ndore Shkjaut t’ terbuem
Tridhjetë t’vrám e dhetë t’ shituem!…
O ata t’lumt, qi dhane jeten,
O ata t’lumt, qi shkrîne veten,
Qi per Mbret e vend të t’ Parve,
Qi per erz e nderë t’ Shqyptarve
Derdhen gjakun tuj luftue,
Porsi t’Parët u pa’n punue!
Letë u kjoftë mbí vorr ledina,
Butë u kjoshin moti e stina,
Aklli, bora e serotina:
E dér t’kndoje n’ mal ndo ‘i Zânë,
E dér t’ketë n’ dét ujë e rânë,
Dér sá t’shndrisin diell e hânë,
Ata kurr mos u harrojshin,
N’kângë e n’valle por u kndojshin. /KultPlus.com

88 vite nga botimi i kryeveprës së Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcisë”

By: Kult Plus
8 April 2025 at 10:44

Më 8 prill 1937 u botua kryevepra letrare monumentale shqiptare e At Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcisë”.

Fishta filloi ta shkruante nga viti 1905, duke e përfunduar kështu në vitin 1937. Epopeja Lahuta e Malcisë përshkruan luftërat e dy brezave, mirëpo këngët e saj më tepër tregojnë ngjarje të veçanta. Ajo nuk është një poemë që ka një veprim kryesor dhe një hero kryesor, siç janë eposet e mëdha.

Heronjtë e Lahutës janë të shumtë: Oso Kuka, Marash Uci, Dedë Gjo Luli, Tringa, Abdyl Frashëri, Ali Pashë Gucia, që funksionalisht në vepër janë të ngjashëm, se kanë veçantitë e heroizmit shqiptar. Vepra nis me këndimin e heroizmave shqiptare për të mbrojtur tokat e veta nga sulmet malazeze, të përqendruara në Shqipërinë e Veriut, mirëpo vjen duke u zgjeruar në hapësirë dhe në kohë për të kapur ndodhitë e cilësitë shqiptare. Vepra nis me trajtimin e një krahine, për t’u zgjeruar në tërësinë etnike shqiptare; nis me trajtimin e burrnisë së një ambienti për të arritur te koncepti i kombit.

E ndikuar dendur nga këngët epike veriore, përmban elemente të besimeve popullore shqiptare dhe ndikime të letërsisë sllave të jugut. Ndikimin letrar e mori nga fretërit françeskanë gjatë studimeve në kuvendet françeskane në Bosnie. Më 1905 u botua në Zara te Kroacise “Bleni I” i veprës, me pesë këngë me të hollat që i kishte dërguar Faik Konica. Një vit më vonë u botua “Bleni II”, me katër këngë dhe kështu me radhë, deri në botimin përfundimtar me 30 këngë.

Autori në variantin përfundimtar krijoi një renditje të këngëve për të sugjeruar një kronologji të ngjarjeve që perfshijne ndodhitë shqiptare nga gjysma e shekullit 19 deri në pavarësinë e Shqipërisë dhe Konferencën e Londrës më 1913. Vepra mbështetet në tre lloje këngësh historike si: Vranina, Kongresi i Berlinit, Lufta e Ballkanit, Konferenca e Londrës – ku i referohet këngëve historike; kreshnike, me shpërthimet krijuese imagjinative që i referohen Ciklit të Kreshnikëve dhe te këngëve baladë, autoriale, si Patër Gjoni dhe Tringa, që japin me detaje imagjinatën e poetit edhe kur mbështeten në paratekstet e baladave, duke i transformuar në stilin vetjak./KultPlus.com

“Selman Stërmasi” mes Pirgut, Grykës dhe Kulmit/ Stadiumi përpihet nga kullat

By: user 4
4 April 2025 at 23:11

Projekti fitues për ndërhyrjen në zonën përreth stadiumit Selman Stërmasi parashikon ngritjen e 5 kullave përreth tij, që ruajnë në sheshin para stadiumit një hapësirë pedonale.

Bashkimi i studiove OMA + RH DHV + LOLA Landscape Architects + Albanian Investment Construction sh.p.k + Diagonal Projektim & Zbatim sh.p.k janë shpallur fituese të konkursit që u zhvillua këtë të premte dhe që pritet t’i japë një pamje tjetër një hapësire në zemër të Tiranës, ku një metër katror kushton mbi 2500 euro.

Projekti përfshin ndërtime në një hapësirë prej 110 mijë metrash katrorë, për një stadium të kategorisë IV të UEFA-s dhe pesë kulla që do t’i ngrihen rrotull.

Projekti i ri, hyrja e stadiumit Selman Stërmasi do të jetë pedonale
Projekti i ri, hyrja e stadiumit Selman Stërmasi do të jetë pedonale

Zona përballë hyrjes kryesore të stadiumit (foto lart) është konceptuar të jetë një hapësirë vetëm për këmbësorë. Pa makina. Qarkullimi i mjeteve do të bëhet në parkingjet e nëndheshme.

“Do të jetë një shesh pa makina. Makinat vijnë përreth dhe hyjnë nën tokë. I vetmi ‘qarkullim’ aty do të jetë ai i autobuzëve që transporton skuadrat për ndeshjen, që do të parkohen në hyrje të stadiumit dhe pastaj do të parkohen nën tokë” u shpreh prezantuesi i projektit.

Poshtë sheshit do të ketë një rrjet të gjerë parkimesh nëntokësore, që sipas projektuesve do të ndihmojnë banimin në të gjithë zonën përreth. Dhe kjo është ndoshta pika më pak e zymtë e projektit. Pastaj vijnë kullat…

The Peak (Kulmi) – 105 metra

Kulla me emrin "Kulmi", e pozicionuar në anën e majtë të hyrjes kryesore të stadiumit
Kulla me emrin “Kulmi”, e pozicionuar në anën e majtë të hyrjes kryesore të stadiumit

Dielli do të përkëdhelë sheshin përballë stadiumit në mëngjes, por pasdite do të fshihet pas “The Peak” (Kulmi) – një kullë banimi 105 metra e lartë, që do të ndërtohet ngjitur me stadiumin, në cepin e majtë të hyrjes kryesore. Kulla do të afrohet ngjitur me stadiumin dhe do të ndërtohet mbi fushat e basketbollit që janë në këtë zonë.

“Kulla më e lartë ‘The Peak’ (Kulmi) 105 metër e lartë është një kullë banimi, me pjesën e sipërme dhe të poshtme që vijnë nga më e gjerë duke ndërtuar, ka një lloj harkimi më sipër duke u ngushtuar në krye të saj. Shikoni segmentin si zgjerohet dhe ngushtohet sërish” u shpreh prezantuesi i projektit.

The Gorge (Gryka) – 80 dhe 50 metra

Gryka, dy kullat në fushën përbri stadiumit, 80 dhe 50 metra të larta
Gryka, dy kullat në fushën përbri stadiumit, 80 dhe 50 metra të larta

Nga ana e Komunës së Parisit, aty ku ndodhet fusha e aneksit të stadiumit, do të ngrihen dy kulla të tjera, që formojnë “The Gorge” (Gryka).

Kulla në të majtë të fotos do të jetë 80 metra, ndërsa tjetra në anën e djathtë do të jetë 50 metra, me ballkonet që shohin njëri-tjetrin dhe të çojnë lart – drejt… grykës.

The Cairn (Pirgu)

Dy kullat "Pirgu", në anën veriore të Stadiumit, hotele dhe zyra
Dy kullat “Pirgu”, në anën veriore të Stadiumit, hotele dhe zyra

Në anën veriore te stadiumit, në drejtim të Lanës, aty ku ndodhet aktualisht bar-restorant Ujvara, do të ndërtohen edhe dy kulla të tjera të quajtura “The Cairn” (Pirgu). Këto dy kulla, që mbështeten tek njëra-tjetra lidhen me stadiumin përmes një tarrace që do të shërbejë si hyrje për personelin apo klientët e hotelit.

“Pirgu” duket të jetë një vend ekskluziv, një kënd i përkryer për ata që duan të shohin ndeshjen pa u përzier me popullin.

“The Cairn’ (Pirgu) është kulla e dyfishtë që ka një pjerrtësi, një vend i përsosur për të qenë kur ka ndeshje. Është një vend i projektuar si hotel, ku ka zyra, ka hapësira për konferenca dhe një kopsht për tarracë” tha prezantuesi i projektit.

Përfundimi?

Projektuesit vërejnë që hyrja e stadiumit duhet të qëndrojë gjithnjë e ndriçuar gjatë natës
Projektuesit vërejnë që hyrja e stadiumit duhet të qëndrojë gjithnjë e ndriçuar gjatë natës

Me këtë projekt, “Selman Stërmasi”, i njohur dikur si stadiumi “Dinamo” prodhon mijëra metra katrorë beton, që kur shumëzohen me çmimet e larta të banesave kalon në shifra stratosferike.

Në këto shifra stratosferike kanë bërë pjesë edhe shtetin që i jep tokën kompanive private të ndërtimit, dhe në këmbim do të marrë disa zyra për institucionet. “Asgjë më pak se 43% të ndërtimit” u tha gjatë prezantimit të projekteve, megjithatë kjo mbetet ende për t’u verifikuar.

E çuditshme gjatë prezantimit të projektit ishte se detajet për stadiumin e ri ishin fare të pakta. Thuajse të papërfillshme. Gjithçka rrotullohej rreth apartamenteve të banimit në kulla, hoteleve, zyrave dhe parkimeve. Ndoshta ky ishte edhe çelësi i fitores së projektit./Lapsi.al

The post “Selman Stërmasi” mes Pirgut, Grykës dhe Kulmit/ Stadiumi përpihet nga kullat appeared first on Lapsi.al.

Rama: Qendër e re kulturore dhe rekreative në vendlindjen e At Gjergj Fishtës

25 March 2025 at 15:31

TIRANË, 25 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Fishtë, Lezhë, në vendlindjen e At Gjergj Fishtës, ku hapi dyert një qendër e re kulturore dhe rekreative që i dedikohet jo vetëm kujtesës, por edhe jetës së gjallë të shpirtit krijues.

Qendra e re kulturore dhe rekreative përfshin një hapësirë për programe rezidence artistike e letrare, ekspozita, sesione krijuese dhe aktivitete kulturore.

Kryeministri bëri të ditur se projekti nuk përfshin vetëm godinën por janë edhe 3 kilometra rrugë në një hapësirë rekreative që shkon te shtëpia ku ka jetuar Fishta.

Rama u takua po ashtu me familjarë të Fishtës dhe banorë të zonës me të cilët shkëmbeu batuta.

E ardhur nga Italia për këtë ceremoni, mbesa e Fishtës i shprehu kryeministrit mirënjohjen për realizimin e këtij projekti, i shumëpritur për familjarët dhe i premtuar për dekada, por që vetëm tani u realizua.

Qendra kulturore dhe rekreative përfshin hapësira të dedikuara për rezidenca artistike, sesione krijimtarie dhe ekspozime të artistëve vendas e të huaj. Ajo është e lidhur përmes një rruge këmbësore me shtëpinë ku ka jetuar At Gjergj Fishta, e cila është restauruar dhe është e hapur për vizitorët.

Investimi vjen pjesë e itinerarit Fishtian i cili përfshin vendet ku ka jetuar dhe shërbyer “At Gjergj Fishta dhe shërben si një ftesë për të zbuluar jetën dhe veprën e tij.

Projekti i Intenerarit Gjurmët Fishtiane përfshin restaurimin e Urës së Mesit, ndriçimin e Kalave të Durrësit dhe të Lezhës, muzealizimin e banesës ku Gjergj Fishta ka kaluar vitet e para te jetës si dhe ndërtimin e Hapësirës Memoriale ku besohet se ka lindur Gjergj Fishta në vendlindjen e tij.

Projekti i ri ka realizuar një godinë multifunksionale dhe një kullë muzeale në vendin ku thuhet se ka lindur Fishta. Godinat janë realizuar sipas projektit dhe aktualisht kanë përfunduar, së bashku me territorin e jashtëm. Godina e sheshtë multifunksionale është e mobiluar dhe synon të shërbejë si godinë për rezidencat letrare dhe organizime të ndryshme kulturore lidhur me librin dhe leximin.

(vijon)

/a.f/

The post Rama: Qendër e re kulturore dhe rekreative në vendlindjen e At Gjergj Fishtës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fjalimi i gjuhëtarit Aleksandër Xhuvani mbi varr të Atë Gjergj Fishtës

By: Kult Plus
14 March 2025 at 21:00

Veprimtarinë e nisi si mësues në Kolegjin Arbëresh të Shën Dhimitër Koronës, për t’u kthyer më pas në Shqipëri, ku filloi të jepte mësim në Normalen e Elbasanit.

Aleksandër Xhuvani lindi në Elbasan më 14 mars 1880 në një familje të njohur për kontributin kombëtar e kulturor. Mësimet e para i kreu në vendlindje, të mesmet, në Çatillë të Maqedonisë. Më pas studioi filologji në Athinë, ku edhe u diplomua. Është një nga pionierët e arsimit dhe të gjuhësisë shqiptare.

Mjafton të kujtojmë këtu fjalimin që Xhuvanit mbajti mbi varr të Atë Gjergj Fishtës, për të treguar qartë vlerësimin e e tij të thellë për kontributin e klerit katolik e personalisht të Kangëtarit të Lahutës:

“Si vetimë u përhap an’ e kand të Shqipnisë lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t’onë Kombëtar, At Gjergj Fishtës dhe e mahniten mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të “Lahutës së Malcisë” që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë. E me të drejtë i kan thënë Fishtës “Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e Spartanëve për luftë, njashtu dhe epopeja e “Lahutës”, odet dhe elegjitë e “Mrizit të Zanave” e të poezive të tjera kanë mbledhë në zemër të djelmnisë sonë dashuninë e pamasë për truellin e të parëve dhe për gjuhën amtare. Këto dy ideale: Atdhedashunia dhe rujetja e gjuhës si dritë e synit, lavrimi dhe përdorimi e saj kanë qenë polet rreth së cilave shtrihej vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veçse ne arsimtarëve që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxënësve poezitë e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të tij, e cila sot si një far i madh dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si një Ungjill shkëndimadh morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj”.

Aleksandër Xhuvani vdiq më 22 nëntor 1961. / KultPlus.com

Koliqi, Asdreni, Fishta dhe Lasgushi në një fotografi të rrallë

By: Kult Plus
26 January 2025 at 22:53

Kjo është fotografia e rrallë në të cilën shihen disa nga emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe në një fotografi të përbashkët, shkruan KultPlus.

Marie Lasgush Pogradeci, pati publikuar një fotografi të realizuar në shkurt të vitit 1938 gjatë festimeve në Shkodër, në Kinemanë Rozafa.

Në këtë fotografi mund të shihni të ulur Ernest Koliqin, tutje Asdrenin, Fishtën dhe Lasgushin. / KultPlus.com

At Gjergj Fishta, gjeniu i penës dhe mbrojtësi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare

30 December 2024 at 08:50

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/- Poeti, shkrimtari, përkthyesi dhe publiçisti At Gjergj Fishta është një nga vazhduesit autentikë dhe të drejtpërdrejtë të Rilindjes Kombëtare, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e krijuara në shekullin e njëzet dhe kjo shprehet në mënyrë të dukshme edhe në mënyrat e pasqyrimit të jetës në krijimtarinë e tij, si vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi.

Shkrimtari i madh që u la shqiptarëve veprën madhështore “Lahuta e Malcisë”, vdiq më 30 dhjetor të vitit 1940.

“At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të provincës shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë”, është shprehur ndër të tjera në studimin e tij biografik, Fr. Agustin Gemelli, Rector Magnificus i Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit në Milano.

“At Fishtën e zuri vdekja ndërsa kishte ndër duar përkthimin e Petrarkës në gjuhën shqipe, sikurse kishte përkthyer që me kohë “Hymnet e shenjta” dhe “Pesë Maj” të Manzonit disa nga ariet e Metazit dhe lirika nga shumë poetë të tjerë italianë”, shkruan Fr. Agustin Gemelli.

Gjergj Fishta lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Fillimisht punoi si bari, por shumë shpejt, kur ishte 6 vjeç, zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon mësimet në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë, afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”. Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.
Krijimtaria artistike

Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim ‘Nobel’, prozator, poet, përkthyes; “Militant i letërsisë shqipe” – cilësuar nga Lasgush Poradeci dhe “Poet kombëtar i shqiptarëve” nga Eqrem Çabej.

Poezinë e parë Fishta e botoi në “Albania”, më 1899, me pseudonimin e popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila përveçse në librat, u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vite të jetës, ku ai përdori 24 pseudonime.

Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. “Lahutës së Malësisë”, veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa, vepra tjetër epike “Moisi Golemi dhe Deli Cena” u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve dhe rrethanave kanë bërë që Fishta si epik të quhej “Homer i Shqipërisë”.

Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit, mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.

Fishta arriti të botojë këngët e para të “Lahuta e Malcisë”, kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Tre vjet më vonë botoi përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit” dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika veset”, më 1913 boton “Mrizi i Zanave”. Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931, Greqia i jep dekoratën “Foenix “. Më 1939, Italia e bën anëtar të Akademisë së Shkencave.

Në tetor 1913 botoi revistën “Hylli i dritës”, ndërsa më 23 tetor 1913 shpalosi flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve. Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia. Vetëm pas viteve ’90-të, krijimtaria e Fishtës zuri vendin e merituar në letërsinë dhe në kulturën tonë kombëtare.

Aktiviteti i tij patriotik

Deri më 1899 Fishta shkruante me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të 1899 ai u bë bashkëthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe.

Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, deri atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai instaloi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”.

U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e priti me entuziasëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare. Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publicistike, që boton në revistën “Hylli i dritës”, revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor të 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën “Posta e Shypnisë” (1916-1917) dhe më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, “Komisinë letrare” që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.

Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, dhe politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit të 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar, zgjidhet nënkryetar, ku kreu veprimtari të denduara politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit më 1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri dhe vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali, ku ndërkohë krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, tragjedive, etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i “Lahutës së Malësisë” në 1937.

Korrespondenca e Fishtës me Musolinin dhe Jakomonin

Njihen dy letra që Patër Gjergj Fishta i ka drejtuar Benito Musolinit. Letra e parë i takon vitit 1934 dhe është e postuar në Livorno, Itali. Kjo letër është e shkruar italisht, herë-herë me fjalë jo të italishtes së sotme. Duke ndier se nuk i mbetej shumë për të jetuar, Fishta i kërkoi Musolinit që vepra e tij të botohet e plotë dhe “e paraqitshme”, gjë që nuk mund ta bënte Urdhri Françeskan dhe as Provinca e Fishtës, ndërkohë që të ardhurat nga shitja e veprës t’i kalonin kësaj province.

Deri në atë kohë dijetari shqiptar thuajse e kishte mbyllur ciklin e gjithë krijimtarisë së tij, pavarësisht rishikimeve të mëvonshme. Lutja konsistonte në botimin e të shtatë vëllimeve të veprës, ku përfshihen poezia, ajo epike me “Lahutën e Malcisë”, lirika, drama, satira politike dhe sociale, proza, përkthimet nga Iliada e Homerit, Molieri, etj.

Ndërsa letra e dytë e Fishtës drejtuar Musolinit është shkruar në Romë, me datë 27 prill të 1940 dhe po ashtu, si letra e parë, mban edhe vitin përkatës fashist, viti XVIII, i drejtohet tashmë Udhëheqësit – Duçe. Në këtë letër të shkurtër i shkruan për prof. Gino Bottiglioni i Universitetit të Bolonjës, që në atë kohë ishte thirrur nga Akademia Italiane – anëtar i kësaj Akademie Gjergj Fishta u bë në 1939 – i ngarkuar me misionin për të promovuar studime në të gjitha fushat e dijes dhe për të drejtuar të rinjtë studentë.

“Qendra jonë e Studimeve Shqiptare do donte një impuls të dukshëm nga profesori i Universitetit të Bolonjës ku me iniciativën e tij, po organizohet një grup të rinjsh veçanërisht i përkushtuar ndaj albanologjisë”. Për këtë Fishta “guxoi” t’i drejtohet Duçes dhe “gjykimit të tij të ndritur” për t’u gjetur një mënyrë që ta shtyjë më tej këtë nismë. Letra drejtuar Jakomonit, mëkëmbësit të mbretit Viktor Emanuel III, është një lutje për të ndihmuar albanologun Norbert Jokl.

/a.g/

 

The post At Gjergj Fishta, gjeniu i penës dhe mbrojtësi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

‘N’ty mendoj kur agon drita, kur bylbyli mallshëm kndon’

By: Kult Plus
11 December 2024 at 11:39

Poezi nga Gjergj Fishta

N’ty mendoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshëm kndon,
N’ty mendoj kur soset dita,
Terri botën kur e mblon.

Veç se ty të shoh un n’andërr,
Veç se ty, çuet, t’kam n’mendim;
Ndër t’vështira ti m’je qandërr,
Per ty i lehtë m’vjen cdo ndëshkim.

Tjera brigje, fusha e zalle
Une kam pa, larg tue ba shtek,
E përgjova tjera valle,
N’tjera lule syu m’u rrek;

Por nji fushë ma e blertë nuk shtrohet,
Por nji mal ma bukur s’rri,
Ma i kulluet nji lum s’dikohet,
Moj Shqypni, porsi i ke ti.

N’ty ma i bukur lulzon Prielli,
Janë ma t’kandshme stinë e mot;
N’ty bylbyli pa le dielli
Kndon ma ambël t’Madhit Zot.

Pa ty lules s’m’i vjen era,
Pa ty pema fryt nuk m’bjen:
Mue pa ty nuk m’del prendvera,
Pa ty dielli nuk m’shkëlxen.

Dersa t’mundem me ligjrue
E sa gjallë me frymë unë jam,
Kurrë Shqypni, s’kam me t’harrue,
Edhe n’vorr me t’permend kam./KultPlus.com

The post ‘N’ty mendoj kur agon drita, kur bylbyli mallshëm kndon’ appeared first on KultPlus.

Atdheut

By: Kult Plus
27 November 2024 at 11:03

Poezi nga Gjergj Fishta

N’ty mendoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshem kndon,
N’ty mendoj kur soset dita,
Terri boten kur e mblon.

Vec se ty te shoh un n’anderr,
Vec se ty, cuet, t’kam n’mendim;
Nder t’vështira ti m’je qanderr,
Per ty i lehtë m’vjen cdo ndeshkim.

Tjera brigje, fusha e zalle
Une kam pa, larg tue ba shtek,
E pergjova tjera valle,
N’tjera lule syu m’u rrek;

Por nji fushe ma e bleret nuk shtrohet,
Por nji mal ma bukur s’rri,
Ma i kulluet nji lum s’dikohet,
Moj Shqypni, porsi i ke ti.

N’ty ma i bukur lulzon Prielli,
Jane ma t’kandshme stine e mot;
N’ty bylbyli pa le dielli
Kndon ma ambel t’Madhit Zot.

Pa ty lules s’m’i vjen era,
Pa ty pema fryt nuk m’bjen:
Mue pa ty nuk m’del prendvera,
Pa ty dielli nuk m’shkelxen.

Dersa t’mundem me ligjrue
E sa gjall me fryme un jam,
Kurr Shqypni, s’kam me t’harrue,
Edhe n’vorr me t’permende kam./KultPlus.com

The post Atdheut appeared first on KultPlus.

❌
❌