Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Chelsea-Paris, finalja e botërorit/ Sokol Balla: Niveli i francezëve, i frikshëm. Do jetë ndeshje e fortë taktike

By: Re Nato
11 July 2025 at 23:25

Gazetari Sokol Balla sheh Paris SG si skuadrën favorite për të fituar botërorin për klube, teksa francezët do të përballen në finalen e 13 korrikut me anglezët e Chelsea.

Në emisionin “Botërori i vogël” në ABC News, Balla u shpreh se niveli i Parisit është i frikshëm, por nënvizoi se Chelsea ka trajner italian.

Balla shtoi se ndeshja do të jetë e fortë dhe taktike.

“Atmosfera është e pakrahasueshme. Mendoj se Botërori i Katarit ishte më i bukuri nga ana e atmosferës. Por botërori në Amerikë do të jetë më i bukur. Mendoj se atmosfera është e pakrahasueshme. Stadiumet janë stadiume të futbollit amerikan. Isha në dy stadiume në Miami dhe Charlotte. Stadiumi i Miami është më afër stilit europian. Në Charlotte ishte një tmerr. Besoj se nuk do të jenë këto stadiume. Ato janë stadiume që nuk janë të mbuluara. Në stadiumet amerikane problem janë erërat. Ora 3 në korrik, do jetë tmerr. Nuk e di se si do të luhet. Klima nuk do të favorizojë asnjë prej ekipeve. Të shikoje lojtarët e Realit, që shkriheshin në diell, të vinte keq. Besoj se Vitinha është lojtari më i mirë. Komplimenti më i madh i Ronaldos shkoi për Vitinhan. Niveli i Parisit është i frikshëm. Por është ndeshje teke, dhe Chelsea ka trajner italian. Nuk i dihet sesi shkon. Mendoj se do jetë ndeshje e fortë taktike”, theksoi ai./abcnews.al

Ngritja e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion/ Rama shuan dilemat në Real Story: Zero ndërhyrje në sistemin e drejtësisë

7 May 2025 at 22:06

FIER- Kryeministri Edi Rama dhe shefi i socialistëve komentoi ngritjen e Komisionit të  Posaçëm Antikorrupsion, teksa ishte i ftuar në “Real Story”.

Ai theksoi se ky komision do të vazhdojë punën deri në momentin kur Shqipëria të hyjë në Bashkimin Evropian dhe ngritja e tij nuk synon të ndërhyjë në punët e drejtësisë së re, tezë e cila është artikuluar në opinionin publik.

Ky komision drejtohet nga ish-ministri Fatmir Xhafaj.

“Ajo do vazhdojë dhe ai komision do vazhdojë deri kur Shqipëria të hyjë në BE. Ai komision nuk është asgjëkund gjëja që shumëkush ka interpretuar dhe shumëkush kërkon që të jetë për të krijuar idenë se ne kemi bërë një komision për të ndërhyrë në punët e drejtësisë, nuk është fare. Në negociata, 67% e gjërave që në duhet të bëjmë kanë të bëjë më drejtësinë”, tha ai./abcnews.al

“Kemi bërë një harmonizim…”, Rama flet në Real Story për listën e PS: Konkurenca e shëndetshme, rëndësi ka mos degradojë në grushte

By: Rovena
7 May 2025 at 21:14

Kryeministri Edi Rama në një intervistë ekskluzive në emisionin “Real Story” nga Sokol Balla në ABC News komentoi konkurrencën me kundërshtarët politikë për zgjedhjet e 11 majit.

Marrë shkas nga “sherri madhështor” në Elbasan mes simpatizantëve demokratë. Kryeministri Rama dhe se kemi një konkurrencë të shëndetshme, e cila maksimizon mbështetjen, por nuk duhet të kalojë në konflikte dhe gushte, rasti konkret.

“Konkurrenca është shumë  shëndetshme, sepse falë konkurrencës maksimizohet mbështetësja për partine. Por, nuk duhet të degradojë në sherre dhe të mos dalë në grushta, siç ju e treguat”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u ndal edhe tek listat e PS, ku shtoi se ka pasur harmonizmim mes kandidatëve dhe nuk ka pasur rezistencë. Megjithatë Rama tha se nuk bënte sens që politikanët e njohur dhe të mbëshetur nga populli të qëndronin në listë të sigurt, kurse të rinjtë në sheshin e betejës”.

“Ata që kanë marrë mandate nga PS në të shkuarën, qoftë edhe një mandat në të shkuarën, janë ata të cilët duhet ta konfirmojnë mandatin e tyre në fushën e betejës. Të gjithë e kanë mirëkuptuar këtë gjë, sepse nuk kemi hasur as një lloj rezistence në çdo aspekt. Në sensin cila është më e mira, kemi pasur diskutime, kemi vënë dhe opsionet në tavolinë dhe nuk bënte sens që ata që janë më të njohur të qëndronin në listën e mbyllur dhe ata që janë të rinjtë të shkonin në fushën e betejës, me pak fjalë u bë një lloj harmonizim”, përfundoi Rama./abcnews.al

Edi Rama, sonte në “Real Story”/ Drejt mandatit të katërt? Nga Fieri, kreu i PS flet për projektet dhe synimet

By: Rovena
7 May 2025 at 19:37

Drejtuesi i emisionit “Real Story”, Sokol Balla ndodhet në qytetin e Fierit, aty ku kryeministri Rama dhe skuadra e tij e Partisë Socialiste mbyllin fushatën elektorale për qarkun Fier.

“Real Story” në ABC News zhvendoset në Fier, pasi në rreth orës 20:30 kryeministri Edi Rama do të jetë në një intervistë ekskluzive.

Përballë gazetarëve dhe analistëve kryesocialisti do të flasë për situatën aktuale të sferës politike, fushatën elektorale dhe emocionet për “takimin me historinë”, siç vetë kryeministri preferon ta cilësojë të dielën e 11 majit.

Sokol Balla bëri të ditur se do të flitet gjithashtu për premtimet e mëdha që ka bërë Rama, integrimin në BE dhe pasaporta europiane, e cila ka qenë në fakt kryefjala dhe simbolika e të majtëve.

“Ju flas nga qyteti i Fierit, këtu ku pas pak minutash pritet që të fillojë një nga mitingjet më të mëdha të Partisë Socialiste, pikërisht në qarkun e dytë më të madh në vend, i cili do të prodhojë 16 mandate dhe ku Partia Socialiste është në një sfidë të fortë, jo vetëm për ta fituar qarkun, por dhe për të fituar mandatin e dhjetë të cilin e humbi gjatë zgjedhjeve të vitit 2021. Sigurisht që është një qark shumë i rëndësishëm dhe për të majtën shqiptare dhe që do të jetë vendimtar dhe në një përcaktim të rezultatit. Unë do të jem nga ora 20:00 këtu në Fier, me të ftuar, me kolegë të mijtë analistë dhe më pas rreth orës 20:30 me mua do të bashkohet kryetari i Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama, i cili do të jetë i fundit që do të flasë në këtë miting. Në bisedën time sigurisht që do të prekim tema të aktualitetit të kësaj fushate, duke filluar dhe ngjarjet që kanë ndodhur sidomos javën e fundit, ku nuk ka munguar dhuna. Një tjetër ngjarje e një kandidatin për deputet i cili kapet me drogë në Sarandë.

Sigurisht një temperaturë që sa vjen e rritet në këto tre ditë të fundit të kësaj fushate e cila në dukje ka një rezultat të përcaktuar për askush nuk e di se çfarë do të ndodhë, kjo edhe për shkak të votave në rritje të emigrantëve. Votave për Greqinë, ato të cilat po shtohen ditët e fundit edhe në akuzat e opozitës se diçka nuk po shkon mirë atje. Sigurisht do të flasim me Edi Ramën edhe për stilin e kësaj fushate…që ishte pranë spektaklit, larg një llogaridhënie të mirëfilltë, kjo edhe për shkak të situatës  që gjendet kundërshtari i tij përballë. Padyshim do të flasim edhe për premtimin e madh të kryeministrit që thotë se Shqipëria në 2030 do të futet në BE, një bast i tij i fortë që do të testohet, që nga 2026 atëherë kur Mali i Zi do të përfundojë negociatat, dhe do të shohim nëse sjellja e BE do të jetë ajo që është sot dhe ajo që do të jetë më 16 maj ku i gjithë komuniteti europian do të zbarkojë në Tiranë. Kështu për të gjitha këto na ndiqni nga ora 20:00 live nga Fieri me Kryeministri Edi Rama, këtu në ABC News”, tha Sokol Balla./abcnews.al

Kryeministri Edi Rama sonte në “Real Story’, përballë gazetarit Sokol Balla në ABC News

By: xhir jeta
7 May 2025 at 11:56

Fushata e zgjedhjeve të 11 majit është fushata më e çuditshme e 35 viteve demokraci. Si ka mundësi një qeveri pas 12 vjetësh duket kaq e qetë në triumfin e saj të dielën e ardhshme.

Si ka mundësi që Edi Rama, kryeministër për 12 vite, megjithëse është ndëshkuar nga suksesi i tij më i madh, reforma në drejtësi, sot sërish ka besimin më të madh të shqiptarëve.

Si ka mundësi një parti pas 12 viteve në pushtet vijon e rritet në sondazhe deri në pikën që të dërrmojë kundërshtarin e vet dhe si ka mundësi që ky kryeministër ka filluar fushatën për mandatin e katërt, por realisht kërkon mandatin e pestë?

Për të gjitha këto ndiqni intervistën me Edi Ramën, sonte ora 20:00Real Story nga Sokol Balla, në ABC News. /abcnews.al

 

View this post on Instagram

 

A post shared by ABC News Albania (@abcnewsal)

“Do ta mbaj një muaj rresht nëse…”, basti i pazakontë mes Sokol Ballës dhe Tedi Blushit në “Real Story”

6 May 2025 at 21:34

TIRANË- Kandidati i Partisë së Lirisë për deputet, Tedi Blushi, i ftuar në “Real Story” mori një karikaturë dhuratë nga drejtuesi i emisionit, gazetari Sokol Balla.

Ndërkohë Blushi i dhuroi një kapelë ngjyrë të kuqe me numrin 1, ndërsa i premtoi dhe bluzën mbi të cilën ishte sigluar emri i Ilir Metaj, që kandidon më 11 maj në listë të hapur.

Kjo situatë krijoi të qeshura në studio, ndërsa Balla e Blushi shkëmbyen batuta dhe vendosën edhe një bast publik.

Diskutimi në studion e “Real Story”:

Tedi Blushi: Unë po të jap dhuratë këtë kapelë dhe kur të mbaroj intervista dhe do të jap dhuratë bluzën [e mban veshur] për të votuar për Ilir Metën me 11 maj.

Sokol Balla: Unë të premtoj se nëse ju i fitoni zgjedhjet, unë këtë kapelën me numrin 1 ngjyrë të kuqe do ta mbaj minimalisht një muaj rresht çdo ditë në emision.

Tedi Blushi: Uroj që ta mbani fjalën. Uroj të mos e kesh marrë atë kapelën tjetër.

Sokol Balla: Të siguroj se nëse do mbaj kapelën, do mbaj  vetëm tënde dhe asnjë tjetër. Kjo është pak, por e sigurt.

Tedi Blushi: Kjo tregon se edhe ju e ndjeni që fitorja është shumë pranë.

Martin Leka: Unë do ta mbaj kapelën një vit rresht, por edhe në gjumë. Po ndodhi./abcnews.al

“Asnjë pensionist nuk voton Ramën…”, Tedi Blushi: Nuk do ketë pensionin në 200 euro, në 100 ditët e para

By: Rovena
6 May 2025 at 20:52

Kandidati për deputet Tedi Blushi në emisionin “Real Story” në ABC News tha se pensionistët janë shumë të pakënaqur nga partia aktuale në pushtet. Sipas Tedi Blushit asnjë pensionist nuk ka për ta votuar Edi Ramën, për vetë fatin që jo vetëm që mezi shtyjnë muajin, por vidhen çdo ditë.

Blushi tha se brenda 100 ditë të para nëse vijnë në pushtet, nuk do të ketë pension nën 200 euro.

“Unë nuk besoj se sot ka pensionistë që mund të votojnë Edi Ramën, sepse pensionistët më shumë se çdo kategori tjetër e ndjejmë më shumë se sa e flasim ne. Në mes të Tiranës ka pensionistë që mezi shtyjnë muajin. Janë të pakënaqur jo vetëm nga pensioni që i jep qeveria, por janë të vjedhur nga qeveria, për paratë që fëmijët e tyre sjellin nga emigracioni.

Nuk do të ketë pension nën 200 euro. Janë 3.3 miliard lekë që vidhen dhe nuk arkëtohen në buxhetin e shtetit. Ke çdo ditë aferën e inceneratorit të Tiranës, ke rrugët e “florinjta” që shkojnë kostot më shumë se në çdo vend tjetër. Është rruga Korçë-Ersekë pa u inauguruare mirë, e kam parë vetë është sa një fletë cingare. Të gjithë pensionistët, studentët dhe ata që janë me ndihmë ekonomike nuk do të marrin nën 200 euro në 100 ditët e parë”, tha Blushi./abcnews.al

“PD pa forcat e djathta duket më e dobët seç është…”, Roland Bejko: Duhej një pol i tretë

By: Rovena
23 April 2025 at 20:23

Roland Bejko në emisionin “Real Story” nga Sokol Balla në ABC News tha se në sferën politike shqiptare duhet të krijohet një pol i tretë që të japë një riformim të demokracisë dhe të fitojë pëlqyeshmërinë dhe votat e qytetarëve. Bejko tha se PD pa forcat e tjetra politike në krah duket më e dobët seç është.

“Shpresa është aty që prej shtatorit të 2021, por u interpretua gabim i gjithë ky skenar i krijuar nga amerikanët. Nuk kemi fuqi politikë të forta që ta tronditin gjithë atë dhe ta fusin në një dimension tjetër. Të ketë një lëvizje të natyrshme.  PS na ka dëshmuar që nuk ka një lëvizje të natyrshme që të vijë nga mendimi militant brenda.

Ky duhet të jetë një projekt me terma afatgjatë dhe votuesit duhet t’i analizojmë. PD pa këto forca të djathta duke më e dobët seç është. Jam i mendimit që i gjithë ky spektri i partive të djathta. Unë do dëshiroja një pol të tretë. Të ndeshemi me politikës e dinozaurëve të vjetër dhe të japim një politikë solide. Partitë e vogla janë në garë sot që janë ose pritet të jenë kontingjent i SPAK”, tha Bejko./abcnews.al

Fjala e Fundit për Kohën e Humbur

10 April 2025 at 21:22

Nga Sokol Balla

Fjala ime e fundit është një detyrim, pasi pas tre orësh nis fushata elektorale dhe ligji i vjetëruar elektoral shqiptar, nuk lejon shumë hapësirë për opinione gjatë saj. Ai e kthen fushatën në një farmaci, me një peshore pa ngjyrë dhe erë. Kur në fakt çdo fushatë ka ngjyra dhe çdo zhvillim në të, ka dhe erë. Dhe jo gjithmonë është një erë e këndshme. Këto nuk janë zgjedhjet e para, dhe sigurisht nuk do jenë as të fundit. Por deri tani, çdo palë zgjedhje bashkohet me tjetrën, para dhe pas, nga e njëjta veçori. Kanë qenë të karakterizuara nga koha që kemi humbur si popull. Kemi humbur kohë, duke i dhënë besimin njërës apo tjetrës parti. Ua kemi dhënë edhe kur na kanë gënjyer apo zhgënjyer më shumë se një herë. Shumë prej nesh mu për këtë arsye nuk kemi votuar në të shkuarën dhe me gjasë as kjo fushatë që nis nesër, nuk do të na e mbushë mendjen që të dielën e 11 majit, të dalim e të votojmë. Në fakt duhet ta bëjmë, ose nëse jo, të heshtim së paku për katër vjet. Sivjet ka një risi: zgjedhjet duken më të shumta në numër. Kjo sepse SPAK ka rritur vigjilencën tonë si qytetarë ndaj cilësisë që na ofron politika, si në qeverisje, ashtu edhe në opozitë. Fillimi i funksionimit të drejtësisë së re, ka filluar të ndajë perceptimin nga fakti. Në 11 maj kur të shkojmë të votojmë, partitë politike do të na ofrojnë jo pak kandidatë, të pandehur, në hetim, apo të dyshuar për korrupsion. Unë mendoj që ata nuk duhet të votohen. Në fakt ata vetë duhet të kishin zgjedhur të mos kandidonin, por kjo është Shqipëria politike e 11 majit: tre të pandehur janë drejtues të koalicionit të Shqipërisë madhështore. Dy prej tyre në listë të sigurt. Por këto zgjedhje ofrojnë një risi të dytë: pjesa tjetër e listave, është e hapur. Aty vendosni ju. Në këto lista të hapura, të dyja palët e mëdha kanë emra me dosje të hapura. Këto lista i keni në dorë ju t’i pastroni. Unë besoj se më në fund sistemi politik, falë drejtësisë së re, dhe falë integrimit të shpejtë në Bashkimin Europian, ka filluar të hapet. Një votë e përgjegjshme qytetare, që ndan të pastrin nga të korruptuarit, dyshimin nga fakti, thashethemin nga realiteti, do të sjellë që ky sistem politik, më në fund të hapet totalisht në zgjedhjet e vitit 2029, që shpresoj me gjithë zemër të jenë të fundit, para futjes sonë në Bashkimin Europian.

A do ndodhë kjo, me të drejtë mund të pyesin shumë prej jush? A mund të na pranojë BE, Shqipërinë tonë, kështu si është sot? Unë shpresoj që për arsye gjeopolitike, për arritjet tona, por edhe për një arsye tjetër më praktike, kjo do të ndodhë në 2030. Sepse ne do të bëhemi më të mirë nëse futemi, pasi rregulla të tjera do zbatohen, monitorimi do kthehet në vëzhgim të rreptë. Pra do futemi në BE, jo sepse jemi 100 për 100 gati, por sepse do bëhemi të tillë më shpejt duke qenë brenda, sesa duke u zvarritur nga jashtë. Këtë kemi bërë tre dekada. Dhe thjesht kemi humbur kohë.

Siç thotë një fjalë e urtë: nëse më mashtron një herë, është faji yt, nëse më mashtron dy herë, është faji im. Por nëse dikush na mashtron për herë të tretë, nuk është më faj e as përgjegjësi: është krim, ndaj të ardhmes sonë, dhe fëmijëve tanë. Pa dashur të paragjykoj askënd, as Sali Berishën. Por sot Partinë Demokratike paradoksalisht nuk e shpëtojme dot, as me votën tonë. Ajo tashmë ka sinkronizuar orën e saj, me orën biologjike të kryetarit të saj. Dhe duhet të lëmë kohën, të bëjë punën e saj. Unë besoj se Partia Demokratike do ta rigjejë veten, por si qytetar nuk kam më kohë të humbas me të.

Tani dikush mund të thotë, jo pa të drejtë: po nëse dikush arrin të na mashtrojë për herë të katërt? E vërtetë: nëse në vitin 2030 ne nuk futemi në Bashkimin Europian, duhet të ndihemi përgjegjës se përse na bënë të humbasim sërish kohë. Por a ka alternativë tjetër? Siç e thash më sipër listat e hapura të japin mundësinë që t’i japësh leksion edhe një partie, duke e detyruar atë të pastrohet dhe të kthjellohet. Të pastrohet nga ata me njolla, jo në biografi, por në drejtësi. Nuk dua të përsëris veten nga sa thash më sipër. Por e kam edhe një merak të fundit. Mendoj se politika duhet pastruar edhe nga kameleonët dhe nga hipokritët, sidomos nga ata që kapërcejnë ylberin. Shoh me trishtim se në listat e Partise Socialiste, ka mbetje të Partise Demokratike ose vemje të saj. Këta nuk mendoj se meritojnë të votohen. Mendoj se në listat e hapura të socialistëve ka boll gra dhe burra që meritojnë të na përfaqësojnë. Listat e hapura na mundësojnë të largojmë nga politika pazarxhinjtë, legenat dhe të paskrupujt, që nuk meritonin realisht as Partinë Demokratike, lëre më pastaj, Partinë Socialiste. Kjo nuk quhet Rilindje, quhet thjesht humbje kohe dhe vote. Dikush mund të pyesë, po në këtë rast, unë si qytetar do votoj socialistët? Për këtë unë e kam përgjigjen e thjeshtë. Mendoj që Edi Rames nuk i duhet vota ime. Ka boll të tilla, për të qeverisur edhe katër vjet Shqipërinë, por sinqerisht shpresoj se premtimi i tij për integrim në 2030, të mos jetë thjesht farsë elektorale.

Por ka një gjë që më bën të paduruar të pres rezultatet e 11 majit: fytyrat e atyre që do të zhduken nga politika aktive nga vota juaj. Ndonjë idiot që i duket vetja Silvio Berlusconi, ndonjë megaloman që mendon se mund të bëhet kryeministër nga facebooku. Por dua shumë që vota e shqiptarëve të zhddukë nga skena publike, kriminelë politikë. Kriminelë politikë janë ata që vranë shpresën, dhe opozitën, që e shitën atë për interesa të vogla, meskine, ose sepse thjesht janë edhe kriminelë, edhe idiotë politike. Gjithashtu këto zgjedhje, do t’i japin mundësinë shqiptarëve, që të fusin në Kuvend njerëz që politikën e kanë jo thjesht karrierë, por vokacion, ndoshta edhe mision. Pra, ajo që unë shpresoj në këto zgjedhje të ndodhë, është një katarsis nga poshtë i skenës politike, jo ai hipokrit si i Nanos 25 vjet më parë, apo gjoja hapja e Berishës në 2005. As Rilindje me bashkimin amoral të së majtës në 2013, apo si rezultat pazaresh të Lulzim Bashës në 2017. Kësaj radhe kam një shpresë më shumë, se çerek milion bashkëpatriotë që do votojnë nga jashtë, do t’i sjellin votës shqiptare një fryme europiane, të llogaridhënies së politikës dhe jo të mbisundimit dhe keqpërdorimit nga ana e saj, të votës sonë. Sepse unë mendoj që ka ardhur koha që politikanët të kuptojnë, se kur i votojmë, u japim shtëpinë e popullit me qera për katër vjet, por jo pronësinë mbi të. Sepse unë besoj se shqiptarët kanë votuar gjithmonë saktë e drejtë. Gjithmonë. E kështu do të bëjnë edhe në 11 maj.

“50 ditë pa asnjë vrasje në Shqipëri…”, Karamuço: Nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të rajonit

By: Rovena
9 April 2025 at 20:28

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço në emisionin “Real Story” në ABC News tha se Policia e Shtetit ka bërë një përparim të dukshëm në luftimin e krimit në Republikën e Shqipërisë, sidomos gjatë viteve të fundit.

Karamuço tha se në Shqipëri është ulur niveli i krimit dhe numri i vrasjeve. Ai shtoi se për gati 50 ditë në Republikën Shqipërisë nuk është regjistruar asnjë vrasje, sipas tij ky është një rekord, që nuk është arritur nga asnjë vend tjetër i rajonit.

“Rrjete e madhe e SPAK ka pasur edhe drejtues të nivele të drejtuesve të lartë të shtetit, që e kanë përdorur madje nëpërmjet tyre kanë dalë edhe shumë gjëra. Ne i kemi folur, imagjinuar, por që tashmë janë vërtetuar, disa janë ende në hetim edhe disa po gjykohen e kështu me radhë. Tani sa i takon policisë unë disa herë e kam ,mbrojtur, kur ka qenë për të mbrojtur dhe disa herë e kam kritikuar kur ka qenë për t’u kritikuar.

Por, aktualisht si performancë mua më duket shumë në rregull krahasuar me periudhat më parë, me periudhën e një viti më parë dhe me periudhën e një viti më parë. Policia ka një rregullim. Ne i shikojmë tek shifrat e vrasjeve që janë ulur. Kemi qenë të 3 ose 4 në indeksin evropian për kriminalitetin, kurse tani jemi të 7. Por, tani kemi kapur një rekord, kemi kaluar 50 ditë pa asnjë vrasje në Republikën e Shqipërisë që nuk ndodh në të gjithë rajonin, që të mos ketë 50 ditë asnjë vrasje. Kurse drejtori i Policisë së Shtetit që u kritikua sot nga Berisha, dje në Elbasan ka pasur zero vrasje. Pra këto janë shifra që tregojnë se ka një ndryshim”, tha Karamuço./abcnews.al

Ekspertët amerikanë në SPAK, juristja Brizida Gjikondi: Amerika nuk është larguar kurrë, ka pasur vetëm tërheqje

27 March 2025 at 20:36

Pranë Prokurorisë së Posaçme zbarkuan ekspertët amerikanë të cilët kanë asistuar në ngritjen dhe themelimin e këtij institucioni. Pas pezullimit më 20 Janar vendimin e administratës Trump ata u rikthyen sërish në Tiranë. Ata u rikthyen ditën e djeshme dhe sipas asaj që bëhet e ditur janë të njëjtët persona që kanë qenë edhe para hyrjes në fuqi të urdhrit te pezullimit.

Juristja Brizida Gjikondi e ftuar në studion e emisionit “Real Story” në ABC News në moderimin e Sokol Ballës tha se Amerika ka bërë thjesht një tërheqje nga SPAK dhe se nuk është larguar plotësisht.
Rikthimin e ekspertëve ajo be cilësoi si një mbështetje morale për SPAK.

“Unë mendoj që mbështetja është më shumë morale SHBA-ve ndaj SPAK, patjetër që është edhe ideologjike. Mbështetje për SPAK ka qenë shumë e rëndësishme. Nuk është larguar përgjatë 2 muaj kanë bërë vetëm një shkëputje. Ka pasur oficerë ndërlidhës, edhe britanikët kane qenë në SPAK, edhe prokurori Altin Dumani është në Holandë kështu që mendoj se asnjëherë nuk ka ikur. Unë nuk mendoj se ajo se çka u procedua dhe për zotin Veliaj nuk ka qenë pa dijeninë apo pa aprovimin , qoftë edhe informal ndoshta që ne nuk e dimë të amerikanëve.
Po të shikosh ardhja e amerikanëve është nga ana morale e SPAK, dhe po të shikosh SPAK mbështetjen morale ndaj amerikanëve. Mendoj që gjatë kësaj kohe nuk do të ketë një agjendë politike, nuk besoj do të përziejë ujërat para zgjedhjeve, po e çfarë nuk pritet”, tha avokatja./abcnews.al

❌
❌