Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 August 2025Lajme Shqiperi

“Ndoshta s’di më kush është babai yt”, Fero për mungesën e së bijës: Thuajse 1 vit pa të parë…

By: man jola
5 August 2025 at 11:37
Reperi i njohur nga Kosova, Fero, ka ndarë një tjetër mesazh emocional për vajzën e tij, Ninën, me të cilën nuk është takuar prej afro një viti. Përmes një story-je në Instagram, artisti publikoi një portret të vizatuar të tij dhe vajzës së vogël, të shoqëruar me një mesazh prekës: “Pothuajse një vit pa ty. […]

Kosovë/ U gjet i vrarë e i groposur nga familjarët, dyshimet për viktimën në Lipjan

By: e xh
5 August 2025 at 11:53

Janë marrë në pyetje 4 persona nga Policia e Kosovës, të cilët dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen e ndodhur në fshatin Baincë në Lipjan, ku u gjet i groposur në arrë trupi i pajetë e një personi.

Nga informacionet parapake, trupi i pajetë është zbuluar nga familjarët e viktimës, i cili ishte denoncuar i zhdukur pak ditë më parë.

Nga të dhënat e deritanishme, dyshohet se viktima është Enver Bajraktari. Për zhdukjen e të cilit familja kishte ngritur alarmin dhe kishte kërkuar ndihmë për ta gjetur.

Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi motivet apo të dyshuarit e mundshëm. Është nisur puna nga ana e policisë dhe e prokurorisë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Abuzoi me fondet, shkon në gjykim ish-kreu i Urdhrit të Stomatologut

By: e xh
5 August 2025 at 11:48

Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq ish-presidentin e Urdhrit të Stomatologut, Nikollë Deda dhe ish-zëvendësen e tij për tre vepra penale.

Sipas Prokurorisë, Deda në cilësinë e Presidentit të Urdhrit të Stomatologëve lejoi punësimin e njerëzve pa kriter, familjarë të tij, me qëllim manipulimin e vendimmarrjeve të Këshillit Kombëtar nga viti 2016.

Ai u denoncua për shpërdorim të fondeve dhe se ka vepruar në kundërshtim me ligjin duke rritur buxhetin e ‘Urdhrit të Stomatologut’ nga viti në vit.

’Edhe shtetasja A.G., nga hetimet rezultoi se ka vepruar në kundërshtim me ligjin, pasi duke mos patur atributet ka marrë vendime financiare për buxhetin e vitit 2024. Ajo ka vendosur të autorizojë zbatimin e buxhetit të përkohshëm në një periudhë të caktuar kohore. Shtetasja A. G. u emërua si zv.Presidente e USSH në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë nr.1537, datë 07.02.2020, ku Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë ka qenë nën masë sigurimi”, shkruhet në njoftimin e Prokurorisë.

Zelensky: Mercenarë nga Kina, Pakistani dhe vende të tjera po luftojnë për Rusinë

By: e xh
5 August 2025 at 11:43

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se trupat ukrainase po luftonin kundër “mercenarëve” të huaj nga vende të ndryshme.

Zelensky ka thënë se bëhet fjalë për “mercenarë” nga vende përfshirë Kinën, Pakistanin dhe pjesë të Afrikës, dhe u zotua për një përgjigje.

Zelensky më parë e ka akuzuar Moskën për rekrutimin e luftëtarëve kinezë për përpjekjet e saj të luftës kundër Ukrainës, akuza që Pekini i mohoi, ndërsa Koreja e Veriut ka siguruar gjithashtu mijëra trupa të veta në rajonin Kursk të Rusisë.

“Ne folëm me komandantët rreth situatës në vijën e frontit, mbrojtjes së Vovchansk dhe dinamikës së betejave”, ka shkruar Zelensky në rrjetet sociale pasi vizitoi një zonë në vijën e frontit në rajonin verilindor të Kharkiv.

“Luftëtarët tanë në këtë sektor po raportojnë pjesëmarrjen e mercenarëve nga Kina, Taxhikistani, Uzbekistani, Pakistani dhe vendet afrikane në luftë. Ne do të përgjigjemi”.

Italia nis hetimet për futjen e inteligjencës artificiale në WhatsApp

By: e xh
5 August 2025 at 11:32

Një zëdhënës i Autoritetit italian të Antitrustit në Milano tha se bashkë me policinë financiare italiane janë kontrolluar zyrat e biznesit të filialit italian Meta. Hetimi po bëhet në “bashkëpunim të ngushtë” me autoritetet përkatëse të Bashkimit Europian.

Akuza nga Milano është: Ofruesi i Whatsapp-it, Meta, ka instaluar chatbot-in me IA pa marrë shprehimisht miratimin e përdoruesve. Përmes lidhjes së aplikacionit të inteligjencës artificiale “Meta AI” me Whatsapp-in koncerni i SHBA-së i orienton klientët në drejtim të ofertave të veta, kritikon Autoriteti italian i Antitrustit. Kjo mund të pengojë konkurrencën, sepse përdoruesit janë të detyruar të instalojnë dy aplikacione të IA në aparatet e tyre, në rast se nuk duan ta përdorin “Meta AI”.

Sipërmarrja, së cilës i përkasin rrjeti online Facebook dhe Instagrami, në të kundërt thekson dobinë e ndërlidhjes së aplikacioneve. “Aksesi falas në funksionet tona të IA-së u jep miliona italianëve mundësinë të përdorin IA në një vend, që e njohin, tek i cili kanë besim dhe e kuptojnë.”

Nëse akuzat nga Italia kundër Meta-s konfirmohen, kjo do të ishte një goditje e fortë ekonomike për koncernin Facebook. Në rast shkeljeje të rregullave europiane të konkurrencës kërcënojnë gjoba me deri në dhjetë për qind të xhiros vjetore mbarëbotërore.

Ditët e fundit ndërmjet BE-së dhe Meta-s ka pasur edhe një përplasje për një temë tjetër. Koncerni amë Facebook njoftoi, se nga tetori nuk do të lejojë më në platformat e veta njoftime dhe reklama politike në Bashkimin Europian.

Arsyeja është se rregullorja e BE-së “nuk mund të zbatohet në praktikë”. Një zëdhënës i sipërmarrjes u ankua, se udhëzimet e BE-së krijojnë “pasiguri ligjore”. Fakt është, se kreu i Meta-s Mark Zuckerberg është mjaft kritik ndaj rregullave të BE-së. Në fillim të vitit ai e akuzoi Brukselin për “censurë”.

Përplaset Sula dhe Murrizi: Nuk u fsheha si struci për një mandat në Parlament

By: e xh
5 August 2025 at 11:26

Deputeti Dashnor Sula i është kundërpërgjigjur deklaratës së ish-deputetit Myslim Murrizi, i cili hodhi akuza ndaj demokratëve.

Murrizi shpërtheu ndaj demokratëve, që tani po kritikojnë lidershipin e Partisë Demokratike, pasi sipas tij, këta të fundit kanë heshtur në mbledhje të të djathtëve.

Sula nga ana tjetër i është kundërpërgjigjur duke thënë se nuk është fshehur si struci për një mandat të radhës në Parlament.

Postimi i Sulës:

Nuk do ta kuptoja në asnjë moment që kolegu Myslim Murrizi më referohej edhe mua në postimin e tij në rrjetet sociale nëse nuk do të më përmendte emrin pasi unë dhe disa kolegë demokratë të tjerë kërkojmë riformatimin e Partisë Demokratike me qëllimin e vetëm: Që në 2027 dhe 2029 të mos përfundojmë në forcë e tretë, por të bëhemi alternativë qeverisëse.

Murrizit por edhe ndonjë tjetri që për shkak të dinamizmit të jetës harron me qëllim ose jo çfarë ka ndodhur në të kaluarën, dua ti kujtojë se në asnjë moment nuk kam zgjedhur të qëndroj në rresht për interesat e mija personale. Por jam betuar që kur hyra në Parlament për herë të parë se i përkas atyre që më kanë besuar.

E kam nisur shumë herët ngritjen e zërit pavarësisht se nuk ka qenë në interesin tim. Në 2007 nuk u vendosa qorrazi në rresht për një për të pranuar “ultimatumin” për të çuar në presidencë një politikan të cilin deri dy vite para e kishim kundërshtarë në zgjedhje.

Kam ngritur zërin në forumet e partisë, grup parlamentarë dhe kudo duke e kundërshtuar me forcë “martesën” mazhorancë-opozitë ende pa u tharë flokët e të ndierve të Gërdecit. Këtë e dinë shumë mirë të gjithë, aq më mirë e dinë ata që janë në politik.

Në 2008, edhe z. Murrizi e di shumë mirë që nuk zgjodha të fshihesha si struci për të garantuar një mandat të radhës në Parlament, por isha ndër të paktët që dola kundër ndryshimit të Kodit Zgjedhor që ishte hapi i parë i çimentimit të dy forcave kryesore partiake dhe “mbyste” partitë e vogla (sulmi i parë ndaj demokracisë). Unë isha deputet i PD në atë kohë dhe në një farë mënyre nuk më cënononin ndryshimet, por nuk heshta reagova dhe votova kundër.

Nese doni, shikoni edhe porcesverbalet e Komisionit Hetimore për 21 Janarin e 2011 do të lexoni se sa kritik kam qenë në atë kohë edhe ndaj partisë time dhe madje kam insistiar që në komision te paraqiteshin “Armet çadër” që pretendoheshin nga partia ime. Kam kundershtuar edhe idetë e “cmendura” që flisnin per varje te liderit te opozites se kohes perpara kryeministrise. E kam fjalen per propozimin e dy zonjave “Palma de M….a”

Nuk kam qenë në Parlament, por sigurisht në mundësitë e mia kam reaguar për çmendurinë kolektive të djegies së mandateve dhe daljes nga sistemi. Shkaktar që e ka katandisur PD në këtë gjendje. Ndrysimet e Kodit Zgjedhor të bëra nga mazhoranca e sotme me ndihmën e “KËRPËRATAVE”, duke hequr mundësinë e koalicioneve parazgjedhore me lista më vete siç ishte më parë ka qënë dhurata më e madhe që ka marrë kjo mazhorancë nga ata që dogjën mandatet dhe kërpëratat që u futën në parlament më pas. Nëse nuk do ishin bërë ato ndryshime në ligjin zgjedhor, PD në 2021 do të kishte fituar zgjedhjet.
Kam qenë ndër të parët që në 2021 i kam kërkuar në zyrë Lulzim Bashës që të jepte dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve. Po të ishte për interes personale nuk do ia kërkoja z.Basha pasi praktikisht ai më vendosi në listë fituese në 2021, por duke vendosur të parin interesin e demokratëve i kërkova që të mbante përgjegjësi.

Ia kam kërkuar edhe publikisht atëherë z. Berisha që të mos e mbështeste Bashën. Rikonfirmimi i Bashës në krye të PD pas humbjes së zgjedhjeve u bë i mundur me “bekimin” e Berishës.
Kam kundërshtuar Bashën për vendimarrjen e njëanshme ndaj z. Berisha, ndonëse në atë kohë zgjodha të isha me logon e partisë jo me individët.

Kam kërkuar në forumet e partisë bashkimin artificial mes demokratëve.
Edhe një herë në Korrik të 2024 i vetmi, votova kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor që të dëmtoi edhe ty z. Murrizi. Paralajmërova edhe rezultatin katastrofik që do merrnim si pasojë e këtij kodi, produkt pazari.

Kam kundërshtuar primaret, duke thënë se PD nuk është në kushtet për ti bërë. Megjithatë iu binda shumicës u futa në primare dhe dola I pari, ndërkohë që ditën e primareve isha në Maltë duke takuar bashkëatdhetarët për votën e diasporës.

Unë mbase mund të kritikohem si demokrat që kundërshtoj shumë dhe nuk vihem në rresht por jo se nuk kam reaguar.

Megjithatë z. Murrizi, mendoj se duhet të merremi me thelbin çfarë kërkohet për rivitalizimin e Partisë Demokratike dhe jo pse tani e pse jo më herët e pse më vonë.
Unë dhe z. Murrizi mund ti kemi mundësitë për të bërë ndonjë ditë pushim në Gusht apo në ndonjë muaj tjetër të vitit, por demokratët, shqiptarët nuk duan një shtet monopartiak apo me një opozitë që “kundërmonë erë” më shumë sesa një mazhorancë 12-vjeçare, e cila po bëhet me dy grupe parlamentare; një jashtë e një brenda hekurave.

Tiranë/Lëvizte me armë e kanosi një shtetas, pranga 27 vjeçarit dhe vëllait të tij

By: e xh
5 August 2025 at 11:24

Policia e Tiranës vë në pranga një 27-vjeçar, i cili qarkullonte me armë zjarri dhe kanosi një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta.

Në pranga ka rënë edhe vëllai i tij, i cili fshehu armën e zjarrit menjëherë pas ngjarjes. Uniformat blu sekuestruan armën e zjarrit, me fishek në fole, gati për qitje, municion luftarak dhe një automjet.

‘Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Tiranë dhe me Komisariatin Nr. 7, pas marrjes së njoftimit se në vendin e quajtur “Kthesa e Kamzës” një shtetas kishte kanosur me armë zjarri një 32-vjeçar, gjatë një konflikti mes tyre, organizuan punën dhe ndërhynë me shpejtësi për kapjen e autorit të dyshuar.

Si rezultat i veprimeve të mirëkoordinuara u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

L. M., 27 vjeç, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ky shtetas dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë zjarri shtetasin A. R., 32 vjeç.

R. M., 25 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka fshehur armën e zjarrit të përdorur nga vëllai i tij, menjëherë pas ngjarjes.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 27-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën armën e zjarrit të përdorur në ngjarje, një sasi municioni luftarak dhe automjetin, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale’, thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

 

VIDEO/ Zjarr në një tren në New Jersey, asfiksohen 13 persona

By: e xh
5 August 2025 at 11:19

Një zjarr i fuqishëm shpërtheu nën një vagon treni në stacionin Newport PATH në Jersey City të hënën në mëngjes, duke shkaktuar panik mes udhëtarëve dhe duke lënë të paktën 13 persona të lënduar nga thithja e tymit.

Nëntë prej tyre u dërguan në spital për trajtim të mëtejshëm. Ngjarja ndodhi gjatë orës ku ka më tepër lëvizje dhe çoi në pezullimin e përkohshëm të disa linjave kryesore mes New Jersey-t dhe Manhattanit.

Zjarri shpërtheu rreth orës 6:00 të mëngjesit poshtë një vagoni të trenit, ndërsa treni ndodhej në stacion. Tymi i dendur dhe flakët që dilnin nga poshtë vagonit përfshinë platformën, duke shkaktuar panik mes udhëtarëve të cilët përpiqeshin të dilnin me ngut nga treni dhe të ngjiteshin shkallëve të stacionit.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë pasagjerë të frikësuar që bërtasin për hapjen e dyerve dhe inkurajojnë njëri-tjetrin të qëndrojnë të qetë mes kaosit.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) njoftoi se ka nisur një hetim për shkakun e zjarrit.

Vengu prezanton 3 pikat për modernizimin e flotës ajrore shqiptare

By: e xh
5 August 2025 at 11:15

Janë prezantuar nga ministri i Mbrotjes, Pirro Vengu 3 prioritetet për modernizimin e flotës ajrore shqiptare.

Në një takim të mbajtur në Bazën Ajrore të Farkës, në kuadër të Rivlerësimit Strategjik të Mbrojtjes, ministri ka bërë me dije se do të modernizohen sistemet e mbrojtjes kundërajrore, do të investohet në infrastrukturën e bazave ajrore, e deri te rihapja e shkollës së aviacionit në Vlorë.

Postimi i ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu:

Në Bazën Ajrore të Farkës ku vijon puna për Rivlerësimin Strategjik të Mbrojtjes (RSM) me fokus investimet në modernizim, vlefshmërinë ajrore sipas standarteve të NATO-s dhe arritjen e objektivave të vendosura në Samitin e Hagës.

Tre prioritetet tona kryesore:

Modernizimi i flotës, pajisjeve, teknologjisë dhe armatimit, që nga meteorologjia deri tek sistemet e mbrojtjes kundërajrore.

Zhvillimi i infrastrukturës në bazat ajrore në Gjadër, Rinas, Farkë, Kuçovë dhe Vlorë, për të rritur sigurinë dhe efektivitetin e Forcës Ajrore në misione ushtarake dhe të mbrojtjes civile.

Zhvillimi dhe specializimi i burimeve njerëzore me:

– Rihapjen e Shkollës së Aviacionit në Vlorë;

– Trajnimin e gjeneratës së re të pilotëve, teknikëve të bordit, kontrollorëve dhe ekspertëve të sistemeve pa pilot.

Të gjitha këto mbështetur në, infrastrukturë të re, rritje të trajtimit financiar dhe promovim të karrierës ushtarake për të rinjtë shqiptarë.

Vijon puna me të gjitha komandat, strukturat operacionale dhe partnerët ndërkombëtarë, për të ndërtuar një Forcë Ajrore moderne, efikase dhe të përgatitur për sfidat e së ardhmes.

 

“Stinët nuk ekzistojnë më”, studimi: Aktiviteti njerëzor po sjell stinë të reja

By: e xh
5 August 2025 at 11:11

Klima ka ndryshuar dhe vitet e fundit, nuk është më thjesht një perceptim që stinët tradicionale po zhduken. Verat janë më të gjata dhe të nxehta, dimrat më të butë, ndërsa pranvera dhe vjeshta janë çrregulluar plotësisht.

Studimi i fundit i publikuar në “Progress in Environmental Geography”, thekson se nuk po përballemi thjesht me ndryshime, por me lindjen e stinëve të reja të krijuara si pasojë e aktiviteteve të njeriut

Autorët propozojnë terma të rinj për të përshkruar këtë epokë të çuditshme klimatike. Sipas tyre e para janë stinët sinkopike: verat po bëhen më të nxehta, dimrat po bëhen më të butë dhe ngjarjet ekstreme po bëhen më të shpeshta.

E dyta; stinët aritmike – ato që dikur ishin të parashikueshme por që tani vijnë më herët ose më vonë, si psh. pranvera që vjen gjithnjë e më herët duke çrregulluar ekosistemet

Së fundmi, ka stinë që tani janë zhdukur, të paktën në nivel lokal: ne kalojmë nga i ftohti në të nxehtë (dhe anasjelltas) pa ndërprerje , duke i detyruar, për shembull, kafshët migratore të ndryshojnë ritmet e tyre.

Sipas studimit, problemi nuk kufizohet vetëm te stinët që i njohim tashmë, të cilat po ndryshojnë në mënyrë dramatike.

Antropoceni (termi Antropocen përshkruan një periudhë në historinë e Tokës në të cilën aktivitetet njerëzore kanë ndryshuar në mënyrë drastike karakteristikat fizike, kimike dhe biologjike të planetit, me referencë të veçantë rritjen e përqendrimeve të gazrave serrë në atmosferë) ka krijuar stinët e reja, me origjinë njerëzore.

Autorët përmendin shembullin e “stinës së mjegullës” (ose sezonit të mjegullës) në Azinë Juglindore, midis korrikut dhe tetorit, hektarë bimësi digjen për t’i hapur rrugë fushave; kjo e mbush qiellin me tym dhe lëndë grimcore për javë të tëra dhe është bërë një dukuri e rregullt vjetore.

Një shembull tjetër i një sezoni artificial është sezoni i mbeturinave: midis nëntorit dhe marsit, baticat sjellin rreth 60 ton plastikë në Bali çdo ditë, të mbledhur nga deti dhe të depozituar në plazhet e ishullit.

Studimi shpjegon gjithashtu se në disa raste, ne po përshtatemi me stinët e reja: sezoni i mjegullës në Azinë Juglindore është një fenomen i njohur që autoritetet lokale po e luftojnë me masa parandaluese.

Megjithatë, thjesht përshtatja me kushtet e reja nuk është e mjaftueshme: ne duhet ta eliminojmë problemin në rrënjë të tij, i cili është i ngjashëm me gjithçka që lidhet me ndryshimet klimatike.

Marrëveshja SHBA-NATO për armët/ Ukraina ka ende mëdyshje

By: e xh
5 August 2025 at 11:01

Në fillim të korrikut u arrit një marrëveshje, sipas të cilës, aleatët evropianë të NATO-s do të blejnë armë amerikane, përfshirë raketat Patriot, për Ukrainën. Megjithëse Gjermania njoftoi së fundi se dy sisteme Patriot do të dërgohen së shpejti në Kiev, ende ka dyshime nëse kjo marrëveshje do t’ia japë Ukrainës atë që i nevojitet në muajt në vijim.

Marrëveshja, e shpallur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në Uashington më 14 korrik, është në thelb një vazhdim i mënyrës së veprimit që aleatët perëndimorë kanë ndjekur prej kur Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më shumë se tri vjet më parë: evropianët i dërgojnë Kievit pajisje ushtarake që i kanë në dispozicion dhe më pas i zëvendësojnë ato me armë të reja – kryesisht amerikane.

Dallimi i madh tani është se evropianët duhet t’i rrisin ndjeshëm dërgesat e armëve për Ukrainën, pasi administrata Trump deri më tani nuk ka dhënë ndonjë premtim të ri. (Dërgesat e premtuara gjatë administratës Biden, megjithatë, vazhdojnë ende.)

Deri në njëfarë mase, evropianët e kanë rritur prodhimin për ta mbushur boshllëkun. Instituti Kiel, me bazë në Gjermani, thekson se për herë të parë që nga qershori 2022, Evropa ka tejkaluar SHBA-në në ndihmën ushtarake për Ukrainën, me 72 miliardë euro, krahasuar me 65 miliardë euro nga Uashingtoni.

Çështja për Ukrainën dhe aleatët e saj është: sa i qëndrueshëm do të jetë ky mekanizëm? Në planin afatgjatë, evropianët do të duhet të blejnë më shumë armë, pasi janë zotuar t’i shpenzojnë 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen deri në vitin 2034, në samitin e NATO-s në Hagë në qershor.

Armët për Ukrainën do të jenë pjesë kyç e këtyre shpenzimeve.

Një diplomat nga një vend i BE-së, që foli në mënyrë anonime për Radion Evropa e Lirë, tha se marrëveshja e korrikut në Uashington është mënyra më e mirë për të mbajtur “amerikanët të angazhuar në Ukrainë në veçanti dhe në Evropë në përgjithësi”, pasi Shtetet e Bashkuara do të përfitojnë nga rritja e pritur e shpenzimeve evropiane për mbrojtjen.

Dhe, ndonëse Evropa është e prirë të investojë në sektorin e vet të mbrojtjes, një gjë e tillë do të kërkojë kohë. Udhëheqësit evropianë kanë vendosur që, të paktën përkohësisht, është më mirë të blejnë nga SHBA-ja.

“Është ose kjo, ose ta lëmë Ukrainën pa armë”, tha një zyrtar i NATO-s për REL-in, në kushte anonimiteti, pasi nuk është i autorizuar të flasë publikisht.

“Mendoj se në anën evropiane ka një vetëdije të dhimbshme që kjo duhet të ndodhë në një mënyrë apo tjetër”, shtoi ai.

Më 21 korrik, Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës – një aleancë prej më shumë se 50 shtetesh, përfshirë të gjitha vendet anëtare të NATO-s dhe disa partnerë joanëtare – u mblodh për herë të parë online që nga njoftimi i marrëveshjes në Uashington.

Në këtë takim, që ka qenë koordinatori kryesor i dërgesave të armëve perëndimore për Kievin, deri në shtatë vende shprehën interes për të blerë armë amerikane për Ukrainën. Këto përfshinin Kanadanë, Belgjikën, Gjermaninë, Holandën dhe disa shtete nordike.

Rezultati i takimit të Grupit të Kontaktit, i njohur gjithashtu si grupi Ramstein, ishte që Ukraina do të përgatiste një “listë të hollësishme dëshirash” për ato që i nevojiten, me theks të veçantë në mbrojtjen ajrore dhe municionet. NATO-ja, nga ana tjetër, do të ofrojë një vlerësim të kostos së këtyre pajisjeve ushtarake.

Më shumë qartësi priten kur grupi Ramstein të mblidhet sërish në vjeshtë, mbase për herë të parë në Ukrainë.

Pyetja kryesore tani është se sa shpejt mund të dorëzohen këto pajisje ushtarake në Ukrainë. Pritet që vendet evropiane ta furnizojnë atë me 2 milionë predha artilerie 155-milimetërshe këtë vit, dhe meqë Ukraina po fillon prodhimin e brendshëm me mbështetje financiare perëndimore, mungesa e shkaktuar nga ndalimi i eksporteve amerikane mund të mbulohet.

Por, për mbrojtjen ajrore, gjendja është më e ndërlikuar. Dhe, pikërisht këtu Ukraina ka ende nevojë për armë amerikane, veçanërisht për raketat tokë-ajër, Patriot.

Alternativa evropiane ndaj sistemit amerikan Patriot, sistemi francezo-italian SAMP-T, i është dorëzuar Kievit. Roma njoftoi së fundmi se bateria e tretë do të dërgohet në vjeshtë. Por, sipas diplomatëve të NATO-s, prodhimi i interceptorëve të nevojshëm dhe i të gjithë konfigurimit të sistemit kërkon më shumë kohë krahasuar me Patriotët. Për më tepër, edhe vetë Kievi ka vënë në pikëpyetje ndikimin e sistemit evropian.

Kur Trump dhe Rutte dolën para mediave për të shpallur marrëveshjen më 14 korrik, presidenti amerikan përmendi se 17 sisteme Patriot mund të përgatiten për t’u blerë për Ukrainën.

Javën e kaluar, Gjermania njoftoi se do të dërgojë dy bateri në Ukrainë së shpejti, por nuk është e qartë se nga do të vijnë sistemet e tjera. Aktualisht, gjashtë vende evropiane – Gjermania, Greqia, Holanda, Polonia, Rumania dhe Spanja – operojnë sisteme Patriot, por këto shtete druhen se dërgimi i tyre në Ukrainë mund t’i lërë të pambrojtura hapësirat e tyre ajrore.

Kompanitë Lockheed Martin dhe Raytheon, dy prodhuesit kryesorë të Patriotëve, po rrisin prodhimin për të përmbushur kërkesat evropiane, por Ukraina, e cila është nën sulme të vazhdueshme nga Rusia, me shumë gjasë nuk do t’i ndiejë përfitimet e kësaj rritjeje së shpejti. REL

 

 

Thirrjet antishqiptare, reagon presidentja e RMV: Jemi të turpëruar.

By: mirseda
5 August 2025 at 10:09
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve të urrejtjes drejtuar shqiptarëve gjatë një ndeshjeje basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, që u zhvillua fundjavën e kaluar në Kumanovë. Ajo e ka cilësuar incidentin si një akt të turpshëm, duke theksuar se sjellje të tilla nuk përfaqësojnë vlerat e […]

Partizani përforcon sulmin, rikthen brazilianin Da Silva

5 August 2025 at 11:55

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Partizani ka rikthyer në ekip sulmuesin Victor Da Silva.

Sulmuesi brazilian, i cili fitoi titullin me “demat” dy vite më parë, ka vendosur të rikthehet te kryeqytetasit.

Klubi i Partizanit ka njoftuar se palët kanë firmosur kontratë për një vit, me mundësi rinovimi për një tjetër sezon.

Da Silva është bashkuar menjëherë me ekipin në stërvitje, për të qenë gati për sezonin e ri. Braziliani e njeh mirë kampionatin, pasi përveç Partizanit ka luajtur edhe me Vllazninë e Bylisin.

“FK Partizani ka kënaqësinë të njoftojë rikthimin e Victor Da Silva në familjen e kuqe.

Pas aventurës së suksesshme në sezonin 2022-2023, ku kontribuoi në fitimin e titullit të 17-të kampion të Shqipërisë, sulmuesi brazilian riveshë fanellën e kuqe.

Da Silva ka nënshkruar një kontratë 1+1 dhe sot i është bashkuar grupit në seancën e radhës stërvitore”, thuhet në njoftimin e klubit.

/gj.m//a.f/

 

 

The post Partizani përforcon sulmin, rikthen brazilianin Da Silva appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MV – Davkova: Nuk është sportive të keqpërdoret fusha e sportit për urrejtje racore dhe ofendime

SHKUP, 5 gusht /ATSH-MIA/ – Nuk është sportive të keqpërdoret fusha e sportit për “trajnim” të fjalisë së urrejtjes, ofendimit dhe satanizimit me fjalë helmuese dhe vrasëse, deklaroi presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova pas brohoritjeve fyese kundër shqiptarëve në ndeshjen e basketbollit mes MV dhe Rumanisë.

”Pas aq humbjeve njerëzore në fushat sportive, duhet të themi qartë dhe zëshëm: Asnjëherë më, kudo që të jemi, me cilindo që garojmë, nuk do të lejojmë që fusha e sportit të shndërrohet në arenë gladiatorësh”, theksoi ajo.

“Për shkak të analfabetizmit tonë sportiv disa tifozë të pandërgjegjshëm kanë  shprehur urrejtje jo vetëm ndaj bashkëqytetarëve tanë shqiptarët, por ndaj të gjithëve, madje ndihemi të turpëruar”, thekson presidentja.

Në postim presidentja Davkova thekson se nuk e kemi nxjerrë mësimin pas ndeshjes midis Shkëndisë dhe kampionit të Uellsit TNS, të luajtur në mes të korrikut.

“Nga mesi i korrikut, në ndeshjen midis Shkëndisë dhe kampionit të Uellsit TNS, me fyerjet raciste ndaj futbollistit Aramide Ote, ne shokuam tërë botën sportive, por edhe më gjerë, e cila me të drejtë pyeti: Si është e mundur që një tifoz i pandërgjegjshëm ta thyejë emocionalisht një lojtar të nivelit të lartë futbolli deri në lot, duke përdorur gjuhë urrejtjeje mbi baza racore? Turpi ra mbi të gjithë, organizatorin, klubin, pjesëmarrësit, qytetin, vendin dhe sportin!, shkroi presidentja në rrjetin social Facebook./ /os/

The post MV – Davkova: Nuk është sportive të keqpërdoret fusha e sportit për urrejtje racore dhe ofendime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qendra Shëndetësore Verore në Tamarë garanton kujdes shëndetësor 24 orë në 7 ditë të javës

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Qendrat shëndetësore verore të hapura në zonat turistike të vendit vijojnë të ofrojnë kujdes shëndetësor cilësor për pushuesit dhe turistët.

Një ndër këto qendra është edhe ajo në Tamarë të Shkodrës, ku mjekët dhe infermierët ofrojnë ndihmën e parë dhe këshilla shëndetësore për të gjithë ata që kanë nevojë.

Në një postim në rrjetet sociale Agjencia për Median dhe Informacionin (MIA), bën të ditur se “kjo qendër është e hapur 24/7 për të garantuar kujdesin shëndetësor gjatë gjithë sezonit turistik”.

Stafi mjekësor i qendrës është i pranishëm çdo ditë për të ofruar ndihmën e nevojshme për banorët dhe turistët.

Esmerina Zekaj, infermiere në këtë qendër tha se “rritja e temperaturave ka bërë që fluksi të jetë mjaft i madh, pacientët vijnë për matjen e tensionit arterial, si dhe parametrave vitalë dhe për çdo shërbim që ata kanë nevojë”.

Gjatë sezonit turistik veror janë në funksion të plotë 36 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, nga veriu në jug. Ato garantojnë shërbim mjekësor 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për të gjithë pushuesit, vendas apo të huaj.

/k.s//a.f/

The post Qendra Shëndetësore Verore në Tamarë garanton kujdes shëndetësor 24 orë në 7 ditë të javës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERZH 30 milionë euro për modernizimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Një investim strategjik për modernizimin e infrastrukturës hekurudhore shqiptare po bëhet realitet falë mbështetjes së Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bashkimit Evropian (BE) dhe Bankës Evropiane të Investimeve (BEI).

Projekti përfshin rindërtimin dhe elektrifikimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë, një segment i rëndësishëm i Korridorit VIII Panevropian.

BERZH në një njoftim për shtyp bën të ditur se, ka miratuar një kredi sovrane prej 30 milionë euro për kompaninë shtetërore Hekurudha Shqiptare, duke plotësuar një kredi tjetër prej 30 milionë euro nga BEI dhe 60 milionë euro në formë grantesh dhe asistence teknike nga BE përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor.

Projekti përfshin: Rindërtimi dhe elektrifikimi i rreth 34 kilometrave hekurudhë; Përmirësimi i infrastrukturës së stacioneve; Rritje e efikasitetit dhe sigurisë në transport; dhe Zhvillimin e një lidhjeje të parë hekurudhore të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut

Ky projekt pritet të sjellë përfitime të rëndësishme ekonomike, mjedisore dhe sociale, duke zhvendosur trafikun nga rruga në hekurudhë, duke reduktuar ndjeshëm emetimet e karbonit, dhe duke përmirësuar lëvizshmërinë rajonale dhe ndërkufitare.

Petrit Malaj, ministër i Financave tha se, “Ky projekt shënon një moment historik transformues për infrastrukturën tonë. Ai do të luajë një rol jetësor në integrimin afatgjatë të Shqipërisë në rrjetin evropian të transportit.”

Ndërsa Donald Mishaxhiu, drejtues rajonal i BERZH-it për Ballkanin Perëndimor, deklaroi se, “Ky investim pasqyron mbështetjen tonë të vazhdueshme për transformimin hekurudhor të Shqipërisë. Së bashku me partnerët tanë, ne po ndihmojmë në ndërtimin e një rrjeti modern, të qëndrueshëm dhe të lidhur transporti që do t’u sjellë dobi brezave të ardhshëm”.

Ky projekt vjen në vazhdën e angazhimit të BERZH-it për Shqipërinë, pas investimeve të mëparshme në linjat Tiranë–Durrës dhe Vorë–Hani i Hotit, dhe është plotësisht në përputhje me Planin Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe objektivat e Tranzicionit të Gjelbër të BERZH-it.

/a.f/

The post BERZH 30 milionë euro për modernizimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lufta e Konispolit, beteja më e gjatë në Ballkan kundër pushtuesve nazistë

5 August 2025 at 11:17

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Më 5 gusht 1943, nisi Lufta e Konispolit, e hyrë në histori si përballja më e gjatë ndaj ushtrisë naziste në Ballkan.

Nga datat 5 gusht deri më 28 shtator 1943 u zhvillua Lufta e Konispolit, një betejë e cila zgjati për 55 ditë dhe ishte luftimi i parë në vendin tonë në kufirin shtetëror me Greqinë kundër batalioneve gjermane. Këto luftime kanë hyrë në histori si luftimet më të gjata në kohë të rezistencës shqiptare.

Komanda gjermane kishte si qëllim të vinte nën kontroll bregdetin Jonian nga Gjiri i Artës deri në Konispol. Rezistenca u udhëhoq nga Batalioni “Çamëria” i ndihmuar edhe nga forca vullnetare të zonës.

Luftime të gjata pati gjatë rrugës automobilistike Skalomë – Konispol dhe në drejtimin Lopës – Qafa e Likojanit.

Në fund të këtyre luftimeve gjermanët arritën të pushtonin Konispolin dhe të lironin rrugët për lëvizjen e lirshme të ushtrisë gjermane në territorin e Ballkanit dhe konkretisht drejt Greqisë.

/a.f/

The post Lufta e Konispolit, beteja më e gjatë në Ballkan kundër pushtuesve nazistë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti pret diasporën: Nuk flasim më për “trurin që ikën”, por për zemrën që nuk harron

5 August 2025 at 11:09

PRISHTINË, 5 gusht/ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka uruar mirëseardhje e diasporës në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook Kurti tha se bashkatdhetarët në mërgim vizitojnë vendin si mysafirë dhe si partnerë të zhvillimit të së ardhmes.

“Ne kemi gjithmonë nevojë për bashkatdhetarët tanë, mërgatën tonë, si mysafirë që na vizitojnë për t’u çmallur, e si partnerë të zhvillimit dhe bashkëkrijues të së ardhmes tonë. Nuk flasim më për “trurin që ikën”, por për zemrën që nuk harron: sepse ata që kanë ndërtuar jetë jashtë vendit, ruajnë mallin, mbajnë lidhjet dhe bartin përgjegjësinë ndaj atdheut tonë të përbashkët. Secili mund të jetë përkohësisht jashtë atdheut, por gjithsecili është përjetësisht brenda kombit”, ka shkruar ai.

Në fund Kurti tha se Kosova është me fat që ka mërgimtarët.

/kosovapress/

 

The post Kurti pret diasporën: Nuk flasim më për “trurin që ikën”, por për zemrën që nuk harron appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kultivim i lëndëve narkotike, arrestohet 55-vjeçari në Lazarat

5 August 2025 at 11:04

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Si rezultat i shtimit të kontrolleve të territorit me dron, të cilat kanë objektiv parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, Komisariati i Policisë Gjirokastër evidentoi një rast në fshatin Lazarat.

Për këtë rast u vu në pranga shtetasi Xh. Ç., 55 vjeç, pasi dyshohet se kishte kultivuar disa bimë narkotike Cannabis Sativa, në oborrin e banesës së tij.

Policia sekuestroi me cilësinë e provës materiale një pjesë të vogël të bimëve, ndërsa asgjësoi me djegie pjesën tjetër.

Kontrollet në kuadër të planit operacional “Koordinata” po vijojnë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

/m.m//a.f/

The post Kultivim i lëndëve narkotike, arrestohet 55-vjeçari në Lazarat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sveçla: Nuk ka vend për kriminelë në radhët e Policisë së Kosovës

5 August 2025 at 11:03

PRISHTINË, 5 gusht/ATSH/ Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas arrestimit të një zyrtari të lartë të Policisë së Kosovës duke thënë se “nuk ka vend për kriminelë në radhët e Policisë”.

Ai ka shkruar në Facebook se e mbështet Inspektoratin që radhët e Policisë, sipas tij, “të pastrohen nga elementë të tillë që njollosin emrin e institucionit më kredibil dhe me besueshmërinë më të madhe në vend”.

“Përgëzoj Inspektoratin Policor të Kosovës për aksionin e djeshëm, ku u arrestuan katër qytetarë, ndër ta edhe një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës. Krimi nuk ka vend në shoqërinë tonë, e posaçërisht nuk ka vend për kriminelë në radhët e Policisë. Mbështes dhe njëkohësisht insistoj në veprime edhe më të vendosura të Inspektoratit, që radhët e Policisë të pastrohen nga elementë të tillë që njollosin emrin e institucionit më kredibil dhe me besueshmërinë më të madhe në vend”, ka shkruar Sveçla.

Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës, ka realizuar të hënën një aksion të koordinuar, i cili ka rezultuar me bastisjen e katër lokacioneve dhe arrestimin e katër personave të dyshuar.

Sipas një komunikate të përbashkët të të dy institucioneve, ndër të arrestuarit është edhe një zyrtar i lartë policor me gradën kolonel, ndaj të cilit ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprat penale të detyrimit dhe shmangies nga tatimi, sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Ky aksion është rezultat i një hetimi disa mujor, i zhvilluar me profesionalizëm dhe përkushtim nga hetuesit e IPK-së, në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prizren. Aktualisht, hetuesit e IPK-së, në koordinim me Prokurorinë, janë duke vazhduar me veprime të tjera hetimore në terren, me qëllim të zbardhjes së plotë të çështjes dhe grumbullimit të provave relevante. Në kuadër të procedurës administrative, IPK ka rekomanduar suspendimin e kolonelit policor, deri në përfundimin e hetimeve”, u tha në njoftimin e së hënës.

/Kosovapress/

The post Sveçla: Nuk ka vend për kriminelë në radhët e Policisë së Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌