Normal view

PD bllokon raportimin e Avokatit të Popullit, ndërpritet seanca plenare

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Seanca plenare e Kuvendit u përfshi nga tensione, pasi deputetët e Partisë Demokratike u mblodhën pranë foltores, duke bllokuar vijimin normal të punimeve.

Deputetët e opozitës kundërshtuan raportimin e Avokatit të Popullit, Endrit Shabani, duke mos lejuar nisjen e fjalës së tij.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike,Gazment Bardhi, deklaroi se opozita ka ndjekur rrugën institucionale, duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për çështjen e zgjedhjes së Avokatit të Popullit.

Sipas Bardhit, deri në një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese mbi këtë proces, Endrit Shabani nuk duhet të raportojë në Kuvend.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u bëri disa herë thirrje deputetëve të lirojnë foltoren dhe të lejojnë vijimin normal të seancës, por kërkesa e tij nuk u respektua.
Për shkak të situatës së krijuar, Peleshi ndërpreu përkohësisht punimet e Kuvendit, duke shpallur një pushim pesëminutësh.

Opozita bllokon foltoren e Kuvendit-Foto: Andrin Hoxha
1 nga 7
Opozita bllokon foltoren e Kuvendit-Foto: Andrin Hoxha

/gj.m/j.p/

The post PD bllokon raportimin e Avokatit të Popullit, ndërpritet seanca plenare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj pret përfaqësuesit e Këshillave Ndërfetarë të Evropës 

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në takim përfaqësues të Këshillave Ndërfetarë të Europës, të cilët ndodhen në Tiranë në kuadër të Forumit Evropian “Shared Sacred Flourishing”.

Gjatë takimit, Presidenti Begaj vlerësoi rëndësinë e forumit si një platformë për forcimin e dialogut ndërfetar dhe promovimin e paqes, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve fetare në Evropë.

Kreu i Shtetit theksoi se “Shqipëria përbën një model të harmonisë, bashkëjetesës ndërfetare si dhe mikpritjes”.

“Këto vlera janë pjesë e identitetit tonë dhe uroj që, gjatë qëndrimit tuaj, t’i prekni nga afër”, u shpreh Presidenti gjatë bashkëbisedimit me përfaqësuesit e Këshillave Ndërfetarë.

Gjithashtu, Presidenti Begaj theksoi se shoqëria shqiptare si mbartëse e këtyre vlerave arriti t’i mbijetojë kohërave më të errëta të besimit.

“Megjithëse regjimi diktatorial e shpalli Shqipërinë vendin e parë ateist në botë, shembi objektet e kultit apo ndryshoi destinacionin e tyre, ai nuk arriti dot të zhbënte besimin e shqiptarëve në Zot”, vijoi Presidenti Begaj.

Kreu i Shtetit u ndal, gjithashtu, te vlera që ka për shoqërinë shqiptare respektimi i besimit të tjetrit.

Presidenti Begaj vlerësoi rolin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve fetare.

Në fund të takimit, Presidenti theksoi se, në një kohë kur bota përballet me sfida të shumta, polarizim dhe konflikte, dialogu ndërfetar mbetet një instrument i rëndësishëm për ndërtimin e urave të besimit, solidaritetit dhe paqes.

Në këtë frymë, shtoi Presidenti Begaj, Shqipëria vijon të japë kontributin e saj, duke promovuar modelin unik të harmonisë fetare dhe bashkëjetesës paqësore.

1 nga 2

/gj.m/j.p/

The post Begaj pret përfaqësuesit e Këshillave Ndërfetarë të Evropës  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Mazhoranca mbylli procesin e Reformës Territoriale, vazhdon projekti i shpopullimit

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se po tërhiqet nga reforma territoriale dhe po vijon, sipas tij, një projekt të shpopullimit të vendit.

Në fjalën e tij në seancën plenare të Kuvendit, Berisha tha se reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore dhe ajo territoriale janë ndër detyrat kryesore në kuadër të procesit të integrimit europian.

“BE në procesin e integrimit, në krye të radhës përcaktoi dy detyra më kryesore: reformën gjithëpërfshirëse zgjedhore dhe reformën gjithëpërfshirëse territoriale”, tha Berisha.

Ai deklaroi se opozita ka marrë pjesë në grupet e punës për këto reforma me kushtin që të merret ekspertiza e ODIHR për reformën zgjedhore dhe ajo e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës për reformën territoriale.

Sipas Berishës, përfaqësuesit e opozitës në këto komisione kanë mbrojtur interesat e qytetarëve dhe kanë dhënë kontribut në proces.

“Papritmas, Edi Rama tërhiqet de facto nga reforma territoriale dhe mbyll procesin duke vazhduar projektin e tij të shpopullimit të mëtejshëm të Shqipërisë”, u shpreh Berisha.

Ai pretendoi se qeveria ka parashikuar reduktimin e numrit të bashkive në territorin e vendit, duke e cilësuar këtë si një praktikë që dëmton komunitetet lokale.

“Ka parashikuar reduktimin me 25 bashki nga Konispoli në Krumë në të gjithë territorin e vendit. Dhe kjo përbën një praktikë të qartë shpopullimi”, tha Berisha.

Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të angazhohen në protesta për mbrojtjen e interesave të komuniteteve të tyre.

“Ngrihuni në këmbë për të mbrojtur interesat jetike të komuniteteve tuaja”, tha ai, duke ftuar qytetarët t’i bashkohen protestave që po zhvillohen në Tiranë.

Në replikë me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë seancës plenare në Kuvend, Berisha deklaroi se përfaqësuesit e opozitës kishin kërkuar zgjatjen e afatit të komisionit dhe marrjen e ekspertizës së Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.

Sipas tij, ky kusht ishte i panegociueshëm për opozitën, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka kërkuar një proces të njëanshëm.

“E vërteta është se pati një ujdi për të zgjatur afatin e komisionit, sikundër kushti për të marrë ekspertizën e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe të Këshillit të Evropës është për ne i panegociueshëm”, tha Berisha.

Ai theksoi se projekti i diskutuar për reformën territoriale parashikon reduktimin e mëtejshëm të numrit të bashkive.

“Projekti i diskutuar nga ju shkurton edhe të paktën 20 bashki të tjera, të shpërndara në të gjithë vendin, nga Kruja, Fushë Arrëzi, Mirdita, deri në Konispol, Delvinë, Finiq”, u shpreh Berisha.

/gj.m/j.p/

The post Berisha: Mazhoranca mbylli procesin e Reformës Territoriale, vazhdon projekti i shpopullimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Opozita i rikthehet seancës plenare, debate me mazhorancën për rendin e ditës

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë nisi me debate mes mazhorancës dhe opozitës, e cila u rikthye në sallën plenare pas disa javësh mungesë.

Debatet u përqendruan te rendi i ditës dhe shqyrtimi i nismave ligjore që lidhen me procesin e integrimit europian.

Në seancën e sotme janë parashikuar shqyrtimi i raportit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, projektligji “Për shoqëritë europiane të bashkëpunimit”, si dhe disa projektrezoluta për institucionet e pavarura të drejtësisë dhe kontrollit.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, propozoi që projektligjet që lidhen me procesin e integrimit europian të shqyrtohen në një seancë të posaçme.

“Duke qenë se ligji ‘Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)’ është një ligj që ka të bëjë me detyrat dhe punën që po bën qeveria për kapitullin 17, propozoj që të gjitha ligjet lidhur me të të bashkohen në një seancë, në seancën paraardhëse. Përgëzoj ministrat që po punojnë për përafrimin e legjislacionit”, tha Balla.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi që në rendin e ditës të përfshihen edhe nismat e deputetëve të opozitës.

“Keni 7 javë që mbani të bllokuara 7 iniciativa të deputetëve të opozitës. Nuk janë disa të privilegjuara dhe disa jo”, u shpreh Bardhi.

Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu drejtua kreu të Kuvendit duke i thënë se është vasal i kryeministrit Rama.

“Do mbetesh në historinë e këtij vendi si vasali më i shpifur i Edi Ramës, si armik i egër i Kushtetutës dhe të drejtave kushtetuese të deputetëve, si armik i egër i procesit të integrimit të Shqipërisë.Ka një muaj që janë dorëzuar amendamentet për amendimin e ligjeve të cilat BE, KE, Parlamenti Evropian kërkon të anulohen dhe të amendohen”, tha Berisha.

Ai shtoi se anulimi kërkohet edhe nga ajo që e cilësoi si protesta më e fuqishme pas viteve ‘90. “Dhe ti në radhë të parë me përgjegjësi absolute të tënden, i injoron sikur nuk ekzistojnë”, tha Berisha.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, deklaroi se ndryshimet në rendin e ditës nuk bëhen në mënyrë arbitrare, por vendosen përmes votimit të deputetëve.

Në vijim, deputetët miratuan ndryshimet në rendin e ditës së seancës plenare.

/gj.m/j.p/

The post Opozita i rikthehet seancës plenare, debate me mazhorancën për rendin e ditës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kontribut në forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje, Nufi vlerëson Atasheun Ushtarak të Turqisë

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, vlerësoi Atasheun Ushtarak të Turqisë në Shqipëri, Kolonel Tolga Kip, për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe në thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Në përmbyllje të mandatit të tij në vendin tonë, Kolonel Tolga Kip u vlerësua me Certifikatë Mirënjohjeje për kontributin e tij të veçantë në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe në thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Ministri theksoi se, Shqipëria dhe Turqia, aleate në NATO dhe partnere strategjike, vijojnë të ndërtojnë një bashkëpunim të ngushtë, të bazuar në besim të ndërsjellë dhe mbështetje konkrete për modernizimin e Forcave të Armatosura, zhvillimin e kapaciteteve ushtarake, trajnimin e personelit dhe koordinimin në kuadër të misioneve ndërkombëtare.

/gj.m/j.p/

The post Kontribut në forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje, Nufi vlerëson Atasheun Ushtarak të Turqisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi në seancë plenare, diskutohet raporti i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Kuvendi zhvillon sot, në orën 12:00, seancën plenare ku deputetët do të shqyrtojnë një sërë çështjesh që lidhen me procesin e integrimit europian, legjislacionin ekonomik, si edhe veprimtarinë vjetore të institucioneve kushtetuese dhe të drejtësisë.

Sipas rendit të ditës të miratuar me urdhrin e  kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 16 korrikut dhe njoftimet.

Një nga pikat kryesore të rendit të ditës është paraqitja e Raportit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025, i cili do të prezantohet nga bashkëkryetarët e këtij këshilli, në zbatim të ligjit për rolin e Kuvendit në procesin e negociatave dhe anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu projektligjin “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)”, i cili synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian në fushën e bashkëpunimit ndërkufitar dhe ekonomik.

Në vijim të seancës, Kuvendi pritet të diskutojë dhe të votojë tetë projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura dhe organeve të sistemit të drejtësisë për vitin 2025.

Konkretisht, do të shqyrtohen raportet dhe projektrezolutat për Avokatin e Popullit, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme, Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si edhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

Për secilën prej këtyre çështjeve parashikohet prezantimi i raporteve nga drejtuesit e institucioneve përkatëse, paraqitja e projektrezolutave nga Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, si edhe zhvillimi i debateve parlamentare, në rast se ato kërkohen sipas Rregullores së Kuvendit.

Seanca plenare do të përmbyllet me diskutimet e deputetëve për çështje jashtë rendit të ditës, në përputhje me dispozitat e Rregullores së Kuvendit.

/gj.m/j.p/

The post Kuvendi në seancë plenare, diskutohet raporti i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Kushtetuesja mbajti në fuqi amendimin e ligjit për zonat e mbrojtura, të kundërshtuar me forcë nga PD

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” në lidhje me dosjen “Partizani”.

Pas daljes nga SPAK, Berisha në një prononcim për mediet foli për çështjen në fjalë, duke përsëritur akuzat e tij ndaj drejtuesve të institucioneve të drejtësisë.

Berisha deklaroi se në dokumentin që la në SPAK kishte shkruar mesazhin: “Drejtësia vonon, por nuk harron”, ndërsa akuzoi ish-drejtuesin e SPAK, Altin Dumani si, “avokat të narkoshtetit shqiptar”.

“Në dokumentin që lashë, sot kam shkruar: ‘Altin Gjoka Troplini Hajri, armikut primitiv të pluralizmit politik të Shqipërisë dhe avokatit të narkoshtetit shqiptar, drejtësia vonon, por nuk harron’”, theksoi Berisha.

Berisha u pyet se çfarë kishte gjetur në korridoret e SPAK-ut, ndërsa u shpreh se aty kishte “thasë dhe arka plot e përplot me narko-euro”.

“Me një fjalë, institucioni ishte tërësisht i pushtuar nga paratë e drogës”, deklaroi Berisha.

Ai vijoi akuzat ndaj institucioneve të drejtësisë, duke pretenduar se prej të paktën një viti mbahen sekret emrat e disa zyrtarëve të lartë që, sipas tij, kanë udhëtuar me biznesmenë me një çarter të veçantë nga Tirana në Aruba.

Berisha deklaroi se kërkesa e tij për shfuqizimin e masës së sigurisë është depozituar në Gjykatën Kushtetuese rreth 10 muaj më parë dhe se shqyrtimi i saj është shtyrë për në muajin tetor.

Berisha theksoi se kjo gjykatë ka shqyrtuar më shpejt kërkesa të tjera, ndërsa për çështjen e tij nuk ka respektuar afatet ligjore.

Ai kritikoi gjithashtu vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjin për investimet strategjike, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zonat e mbrojtura, duke deklaruar se këto çështje janë kundërshtuar nga opozita.

“Grupi parlamentar i PD ka kundërshtuar në parlament dhe ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese ligjin e investimeve strategjike. Gjykata Kushtetuese, pavarësisht kërkesave të prera të Komisionit Evropian dhe Bashkimit Evropian, e ka lënë në fuqi ligjin. PD ka dërguar në këtë gjykatë ligjin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe ishte fjala konkretisht për parkun absolutisht më të bukur, më të mirë në Evropë, që është parku i Butrintit. Gjykata Kushtetuese firmosi për shkatërrimin e tij, vendimin e qeverisë. Gjykata Kushtetuese mbajti në fuqi amendimin e ligjit për mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe peizazheve natyrore, të kundërshtuar me forcë nga PD”, tha Berisha.

GJKKO ka kaluar për gjykim dosjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ku ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

/gj.m/j.p/

The post Berisha: Kushtetuesja mbajti në fuqi amendimin e ligjit për zonat e mbrojtura, të kundërshtuar me forcë nga PD appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Tiranës, kontrolle për nivelin e zhurmave në zonën e ish-Bllokut

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Policia e Tiranës ka vijuar kontrollet për monitorimin e nivelit të zhurmave në zonën e ish-Bllokut, me qëllim garantimin e qetësisë publike dhe respektimin e normave të përcaktuara ligjore.

Në kuadër të masave sensibilizuese, strukturat e Policisë kanë zhvilluar takime informuese me administratorë subjektesh dhe persona fizikë, aktiviteti i të cilëve gjeneron zhurmë nga muzika.

Kontrollet në terren janë kryer nga strukturat e sigurisë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, ku janë testuar me matës zhurme ambiente të hapura dhe të mbyllura.

Sipas Policisë, matjet e kryera kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar, ndërsa është verifikuar edhe respektimi i orarit të lejuar për muzikën në ambientet e hapura në zonat e banuara.

Policia e Tiranës bën të ditur se do të vijojë kontrollet dhe monitorimin në zonat me aktivitet të lartë, me qëllim garantimin e rendit publik dhe qetësisë për qytetarët dhe vizitorët.

/gj.m/j.p/

 

The post Policia e Tiranës, kontrolle për nivelin e zhurmave në zonën e ish-Bllokut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festivali kombëtar “NONA” në Përmet, festohet tradita dhe respekti për moshën e tretë

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ftoi sot qytetarët të marrin pjesë në Festivalin Kombëtar “NONA”, i cili do të zhvillohet nga 7 deri më 9 gusht në Përmet.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi festivalin si një aktivitet kushtuar traditës, kulinarisë dhe vlerësimit të brezit të tretë.

Rama theksoi se në Festivalin Kombëtar ‘NONA’, festohen tradita, kulinaria, respekti dhe dashuria për brezin e tretë.

Festivali Kombëtar “NONA” synon të promovojë trashëgiminë kulturore, gastronominë tradicionale dhe rolin e gjysheve në ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave familjare e kulinare, duke e shndërruar Përmetin në një pikëtakim të traditës, mikpritjes dhe turizmit.

Edicioni i gjashtë i festivalit pritet të gjallërojë fundjavën e qytetit të Përmetit, duke sjellë një program të pasur artistik me pjesëmarrjen e këngëtarëve dhe instrumentistëve nga treva të ndryshme të vendit.

I kthyer tashmë në një traditë të përvitshme, Festivali “NONA” promovon kulinarinë karakteristike, vlerat kulturore dhe pasuritë natyrore të zonës së Përmetit, duke tërhequr çdo vit vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj.

Festivali është një homazh për gjyshet shqiptare, e veçanërisht ato përmetare, të cilat kanë ruajtur dhe përcjellë ndër breza traditën e mikpritjes, gatimeve tradicionale dhe kulturës vendase.

/gj.m/j.p/

The post Festivali kombëtar “NONA” në Përmet, festohet tradita dhe respekti për moshën e tretë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha për ndarjen nga jeta të gazetarit Enrik Mehmeti: Profesionist i guximshëm

TIRANË,19 korrik /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shprehu ngushëllimet për ndarjen tragjike nga jeta të gazetarit Enrik Mehmeti, duke e cilësuar atë një profesionist të talentuar dhe një zë të rëndësishëm të qytetarëve të Vlorës.

Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se kjo është një ditë zie për familjen Mehmeti, për gazetarinë dhe median në vend, si dhe për qytetin e Vlorës.

“Enrik Mehmeti do të mbahet mend gjithmonë nga familja dhe qyteti i tij si bir, bashkëshort, prind dhe qytetar shembullor, si një gazetar i talentuar, i guximshëm dhe avokat i vërtetë i interesit publik të qytetarëve të Vlorës”, shkroi Berisha.

Ai i shprehu ngushëllimet familjes, të afërmve dhe kolegëve të gazetarit, duke uruar që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar.

Gazetari Enrik Mehmeti u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare pas një aksidenti me motor në zonën e Porto Novës, në Zvërnec të Vlorës.

/gj.m/j.p/

The post Berisha për ndarjen nga jeta të gazetarit Enrik Mehmeti: Profesionist i guximshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti në Vlorë

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në homazhet e zhvilluara për gazetarin Enrik Mehmeti, në teatrin “Petro Marko” në Vlorë.

Pas daljes nga ambientet e teatrit, Rama në dalje i ka shprehur gazetarëve ngushëllime për humbjen e kolegut Enrik Mehmetit.

Gazetari Enrik Mehmeti u nda nga jeta pasditen e së shtunës, në moshën 40-vjeçare, pas një aksidenti me motor në zonën e Porto Novës, në Zvërnec.

Mehmeti ishte një nga zërat më të njohur të raportimit nga qarku i Vlorës. Për vite me radhë ai solli në ekranin e News24 zhvillimet më të rëndësishme të jugut të vendit, nga kronika e zezë dhe operacionet policore, te çështjet sociale, politike dhe turistike.

Kolegët e kanë përshkruar gazetarin si një profesionist të përkushtuar, i njohur për praninë e tij në terren, raportimet e drejtpërdrejta dhe përpjekjen për të sjellë informacion të verifikuar edhe në situata të vështira.

Familjarë, miq dhe kolegë do t’i japin sot lamtumirën e fundit gazetarit Enrik Mehmeti.

/gj.m/

The post Rama në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti në Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Shqipëria, rezultat historik në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës në Shangai

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Shqipëria ka shënuar rezultat historik në Olimpiadën e 67-të Ndërkombëtare të Matematikës (IMO 2026), e zhvilluar në Shangai, me ekipin kombëtar që u vlerësua me dy medalje bronzi dhe një medalje nderi.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku përgëzoi nxënësit shqiptarë për arritjen e tyre në këtë kompeticion ndërkombëtar.

Medaljet e bronzit u fituan nga nxënësit Marius Gjika dhe Jamarbër Rushitaj, ndërsa nxënësi Orest Sherko u vlerësua me Medalje Nderi.

Kryeministri Rama theksoi se ky është rezultati i dytë më i mirë i Shqipërisë në historinë e pjesëmarrjes në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës, që prej vitit 1993, për sa i përket pikëve të grumbulluara nga ekipi shqiptar.

“Rezultat historik për Shqipërinë në Olimpiadën e 67-të Ndërkombëtare të Matematikës, falë mendjeve të bukura të nxënësve tanë në matematikë”, shkroi Rama në reagimin e tij.

Pjesëmarrja dhe arritjet e ekipit shqiptar në IMO 2026 përbëjnë një tjetër sukses për nxënësit e talentuar në fushën e shkencave ekzakte dhe përfaqësimin e vendit në arenën ndërkombëtare.

/gj.m/j.p/

The post Rama: Shqipëria, rezultat historik në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës në Shangai appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestohen 5 persona, dyshohet se mbajtën të mbyllur punonjësit e task-forcës së Tatimeve në Golem

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Pesë persona janë arrestuar nga Policia e Kavajës pasi dyshohet se kanë penguar dhe kanë mbajtur të mbyllur për një kohë të konsiderueshme brenda ambienteve të një resorti në Golem punonjës të task-forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët ishin duke ushtruar detyrën.

Sipas Policisë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, pas kallëzimit të bërë nga punonjësit e task-forcës, kanë arrestuar në flagrancë për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë” shtetasit S. N., 34 vjeç, administrator i resortit; Z. J., 56 vjeç, shef finance; A. K., 56 vjeç, shef i sigurisë; si dhe dy punonjësit e sigurisë H. S., 64 vjeç dhe B. A., 57 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur dje, kur të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë penguar punonjësit e task-forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe i kanë mbajtur ata brenda ambienteve të resortit në Golem.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/gj.m/j.p/

The post Arrestohen 5 persona, dyshohet se mbajtën të mbyllur punonjësit e task-forcës së Tatimeve në Golem appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndihma e parë dhe siguria në det, Urgjenca Kombëtare ushtrim demonstrues në plazhin e Tales

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, dhe kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, morën pjesë në një provë ushtrimore të zhvilluar nga ekipet e Urgjencës Kombëtare në plazhin e Tales, në Lezhë.

Gjatë ushtrimit u demonstrua mënyra e reagimit të shpejtë në rastet e incidenteve në det, si dhe procedurat bazë për dhënien e ndihmës së parë për pushuesit.

Ekspertët e Urgjencës Kombëtare u prezantuan pushuesve hapat që duhet të ndiqen në raste rreziku, duke dhënë udhëzime për ndërhyrjen e menjëhershme dhe sjelljen e duhur deri në mbërritjen e ekipeve mjekësore.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve për sigurinë gjatë sezonit veror dhe njohjen e veprimeve të para që mund të shpëtojnë jetë në rast incidentesh.

Aktiviteti është pjesë e masave të ndërmarra për rritjen e sigurisë shëndetësore gjatë sezonit turistik, me fokus parandalimin dhe reagimin efikas në situata emergjente.

/gj.m/j.p/

The post Ndihma e parë dhe siguria në det, Urgjenca Kombëtare ushtrim demonstrues në plazhin e Tales appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Korça skenë e hapur, mbi 200 artistë nga pesë vende në Air Beat Festival

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Korça mirëpriti për dy net me radhë “Air Beat Festival – LuluFest”, aktivitet që e shndërroi qytetin në një skenë të hapur me parada dhe koncerte, duke sjellë atmosferë festive për banorët dhe vizitorët.

Në festival morën pjesë mbi 200 artistë nga Shqipëria, Italia, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët interpretuan repertore të larmishme dhe prezantuan traditat muzikore të vendeve që përfaqësonin.

Paradat artistike dhe koncertet e organizuara në hapësirat publike të qytetit tërhoqën një numër të madh spektatorësh, duke e kthyer Korçën në një qendër të rëndësishme të aktiviteteve kulturore gjatë sezonit veror.

Air Beat Festival i shtohet kalendarit të pasur të aktiviteteve kulturore të Korçës, duke kontribuar në promovimin e qytetit si një destinacion tërheqës turistik dhe kulturor, si edhe në pasurimin e ofertës për vizitorët vendas e të huaj.

/gj.m/j.p/

The post Korça skenë e hapur, mbi 200 artistë nga pesë vende në Air Beat Festival appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Debatet ekonomike fitohen me fakte, jo me insinuata

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, reagoi sot në rrjetet sociale ndaj gazetarit Lutfi Dervishi, duke mbrojtur qëndrimet e saj mbi zhvillimet ekonomike në vend dhe duke theksuar se “debatet në ekonomi fitohen me fakte, jo me insinuata”.

Në reagimin e saj, Ibrahimaj kundërshton argumentet e gazetarit lidhur me pagat, pensionet, kursin e këmbimit dhe fuqinë blerëse, duke theksuar se ekonomia është një shkencë që mbështetet në të dhëna dhe analiza, jo në opinione.

Ministrja sjell të dhëna sipas të cilave paga mesatare mujore bruto në Shqipëri është rritur nga rreth 325 euro në rreth 963 euro, ndërsa kursi i këmbimit të euros ndaj lekut ka zbritur nga rreth 140 lekë në vitin 2014 në 93.55 lekë aktualisht.

Duke iu referuar debatit për varfërinë, Ibrahimaj sqaron se nuk ka deklaruar asnjëherë se me 140 euro në muaj një qytetar nuk është i varfër, por se ka cituar një tregues statistikor zyrtar të publikuar nga INSTAT, të ndërtuar sipas metodologjisë së Eurostat-it për matjen e rrezikut të varfërisë.

Sa i takon forcimit të lekut, ministrja thekson se ai është rezultat i një kombinimi faktorësh ekonomikë, si rritja e të ardhurave nga turizmi, remitancat, investimet e huaja, eksportet e mallrave dhe shërbimeve, të ardhurat nga puna, përmirësimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë dhe karakteristikat e tregut valutor shqiptar, duke shtuar se ky vlerësim mbështetet edhe nga Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ibrahimaj pranon ekzistencën e ekonomisë informale, por thekson se nuk ka analiza zyrtare që provojnë se kapitali kriminal është faktori kryesor i mbiçmimit të lekut. Sipas saj, pretendime të tilla kërkojnë prova dhe jo aludime.

Në përfundim të reagimit, ministrja nënvizon se kush ka prova për shkelje të ligjit duhet t’ua paraqesë institucioneve përgjegjëse, ndërsa debatet ekonomike duhet të zhvillohen mbi bazën e argumenteve dhe fakteve.

/gj.m/j.p/

The post Ibrahimaj: Debatet ekonomike fitohen me fakte, jo me insinuata appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Plazhi i Semanit në Fier tërheq pushues me rërën kurative dhe detin e ngrohtë

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Plazhi i Semanit, 18 kilometra larg qytetit të Fierit, me hapësira pa fund bregdetare me rërë të imët kurative, plazhe familjare me ujëra të ngrohta është një tjetër destinacion turistik që tërheq pushues ditëve të verës.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga ky plazh mjaft i preferuar nga qytetarët.

Plazhet Darzezë dhe Seman po kthehen gjatë viteve të fundit në të preferuarit e shumë turistëve të huaj, pasi janë plazhe të virgjëra me rërë të pastër dhe ujë të kthjellët.

Vija bregdetare e Fierit nuk ofron vetëm plazhe, por edhe vende fantastike për aventurë, eksplorim, peshkim apo sporte ekstreme.

/gj.m/j.p/

The post Plazhi i Semanit në Fier tërheq pushues me rërën kurative dhe detin e ngrohtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Open Stage” për vajza rikthehet në “Shtëpinë e Futbollit”, FSHF hap dyert për talentet e reja

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë më 28 gusht, në “Shtëpinë e Futbollit”, seleksionimin “Open Stage” për vajza, një iniciativë që zhvillohet për të tretin vit radhazi me synimin për të identifikuar talentet e reja të futbollit shqiptar.

Në këtë seleksionim janë të mirëpritura të gjitha vajzat e datëlindjeve 2009, 2010, 2011 dhe 2012, të cilat do të kenë mundësinë të shfaqin talentin dhe potencialin e tyre përpara stafit teknik të Federatës.

Drejtori i Departamentit të Skautizmit në FSHF, Tefik Osmani, theksoi rëndësinë e këtij projekti për të ardhmen e ekipeve kombëtare.

“Seleksionimi ‘Open Stage’ për vajza është në vitin e tretë që Federata Shqiptare e Futbollit e organizon në ‘Shtëpinë e Futbollit’, këtë herë më 28 gusht. Qëllimi kryesor është t’u japim mundësinë të gjitha vajzave të datëlindjeve 2009, 2010, 2011 dhe 2012 të tregojnë talentin dhe potencialin e tyre.

Përveç kësaj, ky seleksionim na jep mundësinë të identifikojmë lojtare për të ardhmen e ekipeve kombëtare, por njëkohësisht edhe të zgjerojmë bazën e futbollisteve që ndjekim në mënyrë të vazhdueshme. Duke pasur parasysh se kemi shumë shqiptarë të shpërndarë në vende të ndryshme të botës dhe vajza që aktivizohen në akademi e klube me nivel të lartë, ky aktivitet na krijon mundësinë t’i vlerësojmë dhe t’i ndjekim nga afër. Është gjithmonë një kënaqësi e veçantë kur ato vijnë nga çdo cep i botës për t’u bërë pjesë e këtij seleksionimi”, u shpreh Osmani.

/gj.m/j.p/

The post “Open Stage” për vajza rikthehet në “Shtëpinë e Futbollit”, FSHF hap dyert për talentet e reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Platforma e re e dialogut, mekanizëm midis organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve të BE

TIRANË, 19 korrik /ATSH/  Komisioni Evropian ka hapur thirrjen për organizatat e shoqërisë civile që dëshirojnë të bëhen pjesë e Platformës së re të Shoqërisë Civile, një mekanizëm i përhershëm dialogu ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve të Bashkimit Evropian.

Sipas delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, platforma synon të krijojë një forum për shkëmbimin e ideve dhe përvojave, diskutimin e sfidave me të cilat përballet shoqëria civile, monitorimin e zbatimit të Strategjisë së BE-së për Shoqërinë Civile, si dhe dhënien e kontributit në hartimin e politikave të ardhshme të Bashkimit Evropian.

Platforma është e hapur edhe për organizatat nga vendet e procesit të zgjerimit të BE-së. Dy vende janë rezervuar posaçërisht për organizatat që veprojnë në vendet kandidate dhe vendet kandidate potenciale për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përfshirë Shqipërinë.

Afati i fundit për paraqitjen e aplikimeve është 3 gusht 2026.

Komisioni Evropian fton organizatat e interesuara të informohen mbi kriteret dhe procedurat e aplikimit përmes faqes zyrtare të institucionit.

/gj.m/j.p/

The post Platforma e re e dialogut, mekanizëm midis organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve të BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia zbulon bazë armësh në Manzë, arrestohet një 20-vjeçar

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Baza”, në kuadër të goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, duke zbuluar në Manzë të Durrësit një bazë me arsenal armësh dhe municioni luftarak, që dyshohet se shërbente për furnizimin e grupeve kriminale.

Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi E. P., 20 vjeç, banues në Manzë.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë sekuestruan katër pistoleta, një armë automatike model 56 (kallashnikov), një armë gjahu (shotgun), gjashtë krehëra, qindra fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, një targë automjeti italiane dhe një aparat celular.

Sipas Policisë, baza e zbuluar dyshohet se përdorej për ruajtjen e armëve dhe municionit që furnizonin grupe kriminale.

Armët e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertimit në Institutin e Policisë Shkencore për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme.

Policia bën të ditur se hetimet vijojnë për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

/gj.m/j.p/

The post Policia zbulon bazë armësh në Manzë, arrestohet një 20-vjeçar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌