TIRANË, 30 janar /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj foli sot në Kuvend për ndryshimet në Aktin Normativ për buxhetin e vitit 2024, që u paraqit nga ministri i Financave, Petrit Malaj.
Përmes këtij akti, qeveria synon të sigurojë mbështetje për shtresat më vulnerabël të shoqërisë, përmes një pakete prej rreth 2,2 miliardë lekë, si dhe krijimi i një llogarie speciale në Bankën e Shqipërisë për mbështetjen e pensionistëve, me një transfertë fillestare prej rreth 6,3 miliardë lekësh.
Deputeti demokrat Bujar Leskaj e quajti këtë procedurë, një miratim formal të Aktit Normativ, pasi sipas tij, Kuvendi është kthyer në një noter të qeverisë.
“Një tjetër dëshmi e mënyrës së paplanifikuar dhe të paqëndrueshme se si qeveria shqiptare menaxhon financat publike. Ky akt tregon qartë dështimin e planifikimit fillestar të buxhetit, nevojën për ndërhyrje emergjente në fund të vitit dhe përdorimin e parave publike për qëllime elektorale,” tha Leskaj.
Sipas deputetit demokrat, ndryshimet e buxhetit me Akt Normativ janë një tregues i keqplanifikimit. “Në vend që buxheti të jetë një dokument serioz i planifikimit financiar, ai shndërrohet në një instrument që ndryshohet sipas interesave momentale politike. Projektet nuk janë të menduara mirë dhe ndryshojnë pa asnjë justifikim të qartë.”
“Shpenzimet publike nuk janë të renditura në mënyrë efektive duke treguar një dështim në menaxhimin e tyre. Institucionet dhe bashkitë operojnë mbi një pasiguri të vazhdueshme mbi fondet që do të kenë në dispozicion,” theksoi ai.
Deputeti Leskaj u ndal edhe te shpërblimet për pensionistët dhe ndihmën sociale për grupet vulnerabël dhe shtresat në nevojë, që ai e quajti një “lëmoshë elektorale” para zgjedhjeve.
“Një nga ndryshimet e këtij akti, që ju e quani si vlerë, është shpërndarja e bonuseve për pensionistët dhe shtresat në nevojë, një praktikë që përsëritet sa herë afrojnë zgjedhjet. Me një vit zgjedhor para qeveria ka zgjedhur të “blejë” mbështetjen e qytetarëve me shpërblime të përkohshme, në vend që të marrë masa aftagjatë për përmirësimin e pensioneve dhe ndihmës ekonomike,” pohoi Leskaj.
Leskaj shtoi se 60 milionë euro të parashikuara në buxhet mund të përdoreshin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë.
“Në mënyrë që t’u ofrojnë një siguri financiare, qeveria i trajton pensionistët si votues të rëndomtë që mund të blihen me një pagesë apo bonus një herë në vit. Politikë klienteliste, ku ndihmat nuk janë afatgjata, por vetëm një mjet për të siguruar vota në prag të zgjedhjeve.”
“Kredia në shumën 20 milionë euro për Albcontrol, provë që çështja Becheti ndikon në financat e vendit mes bllokimit të fondeve për Albcontrol nga Eurocontrol. Nëse qeveria nuk do kishte marrë vendime arbitrare dhe nuk do ta kishte çuar Shqipërinë në gjoba të vazhdueshme ndërkombëtare, Albcontrol nuk do ishte në këtë situatë,” shtoi ai.
Deputeti i PD-së u ndal edhe te fondet e parashikuara për investimet në rrugë dhe infrastrukturë. “Rritja e fondeve për rrugët, në kurriz të sektorëve më në nevojë si shëndetësia apo bujqësia, një tjetër tregues i keq. Përse kaq para për rrugët, përse nuk u planifikuan më herët dhe a jeni të sigurt që këto fonde përdoren me efikasitet?”
Ai nënvizoi faktin se nëse qeveria do ta kishte planifikuar buxhetin në mënyrë më realiste dhe transparente nuk do të kishte nevojë për ndërhyrje të vonuara dhe të dyshimta.
/r.e/
The post Leskaj: Jo shpërblime të përkohshme, por masa afatgjata për pensionistët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.