Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 August 2025Telegrafi

Moti për ditët në vijim në Maqedoni

6 August 2025 at 16:59

Moti nesër do të jetë me diell me vranësira lokale mesatare. Pasdite, kryesisht në pjesët lindore do të ketë kushte për paqëndrueshmëri të izoluar me shira të rrëmbyeshëm dhe bubullima afatshkurtra.

Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga veriu, më e theksuar përgjatë Vardarit.

Temperatura minimale do të jetë në interval prej 12 deri në 21 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë 28 deri në 36 gradë celsius.

Gjatë ditëve të ardhshme, do të vijë një periudhë e motit të qëndrueshëm dhe të ngrohtë me rritje të temperaturës ditore.

The post Moti për ditët në vijim në Maqedoni appeared first on Telegrafi.

Një ditë para protestës për ish-krerët e UÇK-së, Specialja shpërndan video për “mbrojtjen e dëshmitarëve”

By: kemajlbr
6 August 2025 at 16:57

Një ditë përpara protestës së paralajmëruar nga organizatat e dala nga lufta për të kundërshtuar “padrejtësitë” ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Dhomat e Specializuara kanë publikuar një video-mesazh nga zëdhënësja Angela Griep.

Në këtë video, Griep thekson rëndësinë që Gjykata i kushton mbrojtjes së dëshmitarëve dhe viktimave që, sipas saj, duhet të kenë mundësinë të tregojnë historinë e tyre “pa frikë”.

Ajo rikujton se vendimi që proceset gjyqësore për krime lufte të zhvillohen jashtë territorit të Kosovës është marrë në marrëveshje mes institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, pikërisht për të garantuar një nivel më të lartë sigurie për dëshmitarët dhe viktimat.

“Në Kosovë, si në vendet e tjera demokratike, është e paligjshme të përpiqesh të ndalosh një viktimë apo një dëshmitar që të tregojë historinë e tij, qoftë duke e kërcënuar apo duke i premtuar ndonjë shpërblim,” tha ajo.

Griep theksoi gjithashtu se manipulimi i dëshmive përbën vepër penale:

“Është po ashtu e kundërligjshme t’i thuash një dëshmitari të gënjejë në gjykatë apo të ndryshojë dëshminë. Njerëzit që shkelin këto rregulla mund të gjykohen dhe dënohen nga Dhomat e Specializuara.”

Sipas saj, deri tani pesë persona janë shpallur fajtorë ose kanë pranuar fajësinë për frikësimin e dëshmitarëve, ndërsa pesë të tjerë janë akuzuar për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitarë.

“Mbrojtja dhe mbështetja e dëshmitarëve është prioriteti më i lartë në Dhomat e Specializuara. Ata mbrohen para, gjatë dhe pas dëshmisë së tyre,” përfundoi Griep.

Ndërkohë, nesër nga ora 17:00, organizatat që përfaqësojnë veteranët e UÇK-së kanë paralajmëruar një protestë në Prishtinë, me moton “kundër padrejtësive” që, sipas tyre, po u bëhen ish-drejtuesve të luftës që ndodhen në paraburgim në Hagë.

Protesta vjen në kohën kur është bërë e ditur se Gjykata Speciale ka pranuar dokumente nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), të cilat do të përdoren si dëshmi në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Aktualisht, Dhomat e Specializuara ndodhen në pushim veror deri më 15 gusht dhe gjatë kësaj periudhe janë pezulluar edhe konferencat javore për media – megjithatë, video-mesazhi i publikuar sot nga Specialja u shpërnda si reagim në kohë të tensionuar.

Kosovo and the EU agreed to hold certain war crimes trials outside of Kosovo, to allow the court to better protect witnesses and victims who wish to tell their stories without fear. Find out more here. pic.twitter.com/DCD7m06MyO

— Kosovo Specialist Chambers (@SpecialChambers) August 6, 2025

The post Një ditë para protestës për ish-krerët e UÇK-së, Specialja shpërndan video për “mbrojtjen e dëshmitarëve” appeared first on Telegrafi.

CEO e hoteleve luksoze të Accor: Ja çfarë na bindi të vinim në Shqipëri për hapjen e Green Coast Hotel – MGallery Collection

6 August 2025 at 16:49

Në qershor të këtij viti, u hap hoteli i parë me 5 yje + në Palasë, Shqipëri: Green Coast Hotel – MGallery Collection.

Grupi BALFIN së bashku me zinxhirin hotelier Accor, ka arritur të sjellë në jug të vendit një prej brand-eve më të njohura, MGallery, që gjendet në plot 42 vende dhe 6 kontinente të botës; në qendra qytetesh, buzë detit, por edhe pranë pyjeve.

Maud Bailly, Drejtoresha Ekzekutive e MGallery & Emblems, por edhe e markave të tjera si Sofitel apo Sofitel Legend (të gjitha pjesë të Grupit Accor), në një intervistë të dhënë së fundmi për rrjetet sociale, vlerëson se hapja e një hoteli luksoz si Green Coast Hotel – MGallery Collection vjen në një moment të duhur për Shqipërinë. Ndër të tjera, ajo ndalet edhe te partneriteti me Grupin BALFIN, ashtu sikurse edhe te potenciali që vendi ka për të patur turizëm të qëndrueshëm.

Më poshtë, intervista e plotë, e përkthyer në shqip nga Boldnews:

 

Grupi Accor është një nga kompanitë më të mëdha multinacionale të mikpritjes, që operon në 5,584 lokacione, në më shumë se 110 shtete.   Destinacioneve, i shtohet edhe Shqipëria. Përse pikërisht në këtë moment?

Besoj fuqimisht se Shqipëria po përjeton një moment të jashtëzakonshëm zhvillimi. Asnjëherë më parë rritja e industrisë së turizmit nuk ka qenë kaq e lartë dhe e qëndrueshme. Përpara nesh qëndrojnë disa vite që do të shënojnë rekorde historike për turizmin shqiptar, dhe jam i bindur që ky është vetëm fillimi. Prandaj, mendoj se ky është momenti më i përshtatshëm dhe më i mirë për të investuar në Shqipëri, duke hapur hotele luksoze dhe duke përfituar nga potenciali i jashtëzakonshëm i këtij sektori.

Çfarë ju bëri bashkë me Grupin BALFIN për të sjellë për herë të parë në një vend të vogël si Shqipëria një hotel nën brand-in ndërkombëtar MGallery?

Grupi BALFIN është një grup investimesh shumë i qëndrueshëm dhe me një reputacion të fortë në treg. Ne kërkonim një partner që të ishte jo vetëm solid dhe i besueshëm, por edhe me ekspertizë të thellë lokale, për ta njohur siç duhej tregun shqiptar. Gjithashtu, duhet thënë se ne ishim në dijeni për angazhimin e Grupit BALFIN në kuadër të një turizmi të qëndrueshëm dhe, nëse i bëjmë bashkë të gjitha këto, kuptohet qartazi përse Grupi BALFIN u vlerësua si partneri më i mirë i mundshëm për hapjen e këtij hoteli.

Nga çfarë shtyhet zakonisht Accor për të përzgjedhur partnerët me të cilët ndan strategjinë dhe vizionin e tij, për të transformuar vazhdimisht industrinë e mikpritjes?

Njerëzit po kërkojnë destinacione të reja, vende jo të mbipopulluara që ofrojnë kontaktin me natyrën. Tek ta shihet dëshira për të udhëtuar dhe zbuluar vende të panjohura dhe Shqipëria mbetet një destinacion relativisht i pazbuluar. Nëse përmes Green Coast Hotel – MGallery Collection arrijmë të prezantojmë një destinacion turistik të ri dhe të bukur, unë do ta quaja një arritje të vërtetë. Megjithatë, ndaj bindjen se ky projekt ambicioz do të jetë një “game-changer”, jo vetëm për ne, por edhe për Shqipërinë.

A mendoni se Green Coast Hotel – MGallery Collection do të kontribuojë në zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm?

Shpresoj shumë që, përmes këtij hoteli unik, udhëtarët vendas dhe të huaj të kenë mundësinë të zbulojnë natyrën, kulturën dhe trashëgiminë e pasur shqiptare. Jam vërtet optimiste se Green Coast Hotel – MGallery Collection do të ofrojë eksperienca përmbushëse për këdo sepse mendoj që do të jetë një derë e hapur për gjithçka që ofron Shqipëria. Është thjesht fillimi!

The post CEO e hoteleve luksoze të Accor: Ja çfarë na bindi të vinim në Shqipëri për hapjen e Green Coast Hotel – MGallery Collection appeared first on Telegrafi.

Evertoni transferon Dewsbury-Hall nga Chelsea

6 August 2025 at 16:47

Chelsea ka zyrtarizuar largimin e Kiernan Dewsbury-Hall, i cili është transferuar te Evertoni për një shumë prej 25 milionë paund, plus 4 milionë të tjera në formë bonusesh të mundshme.

Mesfushori anglez u bashkua me Chelsean nga Leicester City, por qëndrimi i tij në Stamford Bridge ishte i shkurtër. Ai tani i bashkohet Evertonit për të nisur një kapitull të ri në karrierë, duke u bërë përforcimi më i fundit në projektin e klubit nga Goodison Park.

Në deklaratën zyrtare të Chelseat thuhet: “Dewsbury-Hall largohet nga Chelsea si kampion evropian dhe botëror, pasi ishte pjesë e skuadrës që fitoi Ligën e Konferencës dhe Kupën e Botës për Klube”.

 

Leicester ➡ Chelsea ➡ Blues

Read all about our fifth summer signing! 📝

— Everton (@Everton) August 6, 2025

Klubi londinez i shprehu mirënjohje për kontributin e tij gjatë periudhës së shkurtër te Chelsea dhe i uroi suksese në aventurën e re.

“E falënderojmë Kiernanin për përpjekjet e tij dhe i urojmë gjithë të mirat në karrierën e tij të mëtejshme”, thuhet më tej në komunikatë.

Dewsbury-Hall pritet të jetë një element kyç për Evertonin në sezonin 2025/26, ndërsa “Toffees” synojnë të rikthehen në zonat e larta të Ligës Premier. /Telegrafi/

The post Evertoni transferon Dewsbury-Hall nga Chelsea appeared first on Telegrafi.

Rita Ora do të publikojë këngën e re brenda pak ditësh, pasi thuhet se ka incizuar kolonën zanore të një seriali të madh televiziv në Netflix

6 August 2025 at 16:37

Rita Ora do të publikojë këngën e saj më të re brenda pak ditësh.

Këngëtarja 34-vjeçare, e njohur për hitin “How We Do”, ka qenë kohët e fundit në studio duke punuar për këngën e re që do të jetë pjesë e emisionit të njohur të takimeve “Love Is Blind UK”.

Sipas raportimeve, kënga mban titullin “Joy” dhe ka një mesazh të fuqishëm për gjetjen e paqes së brendshme. Ajo pritet të publikohet gjatë ditëve në vijim, shkruan DailyMail.

Një burim ka treguar për The Sun se: “Nuk është sekret që Rita e adhuron dashurinë, ndaj pranoi menjëherë të realizojë një këngë për Love Is Blind UK”.

Edhe pse ajo pritet të publikojë shumë shpejt albumin e saj të katërt në studio, “Joy” nuk do të jetë pjesë e tij.

Sipas burimit, kjo këngë konsiderohet si një “mini projekt anësor” dhe nuk është menduar si pjesë e materialit të albumit të ri.

“Kënga do të përdoret në emision dhe do të jetë e disponueshme për dëgjim në platforma digjitale, por nuk ka plane për videoklip apo promovim shtesë”, është thënë më tej.

Ndërkohë, Rita ka folur edhe për një moment delikat në karrierën e saj, kur u përfshi në mënyrë të pavërtetë në thashethemet rreth identitetit të “Becky with the good hair”, një figurë misterioze e përmendur në albumin “Lemonade” të Beyoncé-s.

Albumi i vitit 2016 përmbante këngë me tekste të fuqishme që flisnin për tradhti, përfshirë këngën “Sorry” ku Beyoncé i referohej një gruaje që besohej se kishte qenë në një lidhje me bashkëshortin e saj, Jay-Z.

Spekulimet në internet shpërthyen dhe shumë fansa aluduan se kjo “Becky” ishte Rita Ora, e cila në atë kohë ishte pjesë e labelit Roc Nation të Jay-Z.

Ajo u akuzua padrejtësisht për një lidhje me reperin dhe u detyrua të mohojë publikisht gjithçka. Tani, në një intervistë në podkastin “Begin Again” të Davina McCall, Rita ka rrëfyer se ishte thellësisht e lënduar nga këto akuza, pasi Beyoncé kishte qenë gjithmonë mbështetëse e saj.

“Ajo ka qenë si një zanë e mirë për mua prapa kamerave, një mbrojtëse e vërtetë. Kjo është ajo që e bën edhe më të pabesueshme, sepse midis nesh ka pasur gjithmonë vetëm dashuri”, ka thënë Rita.

Ajo ka folur gjithashtu për mënyrën se si është ndjerë me trupin e saj gjatë viteve të fundit. Në një intervistë tjetër në podkastin “Happy Place” të Fearne Cotton, në bashkëpunim me projektin për vetëvlerësim të Dove, Rita ka treguar se ka pasur periudha kur nuk e pranonte veten dhe ndihej “e shëmtuar” në fund të të njëzetave.

“Në fund të të njëzetave fillova ta ndiej më shumë këtë presion. Nuk kisha më energji, nuk kujdesesha për trupin tim, sëmuresha shpesh dhe nuk ndihesha mirë me veten. Nuk pranoja faktin që nuk isha aq e dobët sa të tjerët dhe e barazoja këtë me të qenit e shëmtuar. Tani kur e mendoj, e di që nuk ka qenë ashtu.

Është njësoj si në terapi, kur përballesh me versionin më të ri të vetes dhe kupton se ajo vajzë ka qenë gjithsesi shumë e bukur”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/

The post Rita Ora do të publikojë këngën e re brenda pak ditësh, pasi thuhet se ka incizuar kolonën zanore të një seriali të madh televiziv në Netflix appeared first on Telegrafi.

Të shtëna me armë zjarri në Shkup, plagoset një person

6 August 2025 at 16:30

Më 06.08.2025 rreth orës 01:10 në SPB Shkup, Qendra e Emergjencës në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” njoftoi se O.E. (25) nga Shkupi u soll tek ata me plagë nga arma e zjarrit.

Sipas raportit, rreth orës 00:30 para oborrit të shtëpisë së tij në zonën e Bit Pazarit, për shkak të një keqkuptimi në trafik, shpërtheu një grindje midis tij dhe fqinjit të tij K.C., pas së cilës fqinji e sulmoi fizikisht.

Siç raportohet, pas kësaj Q.Ç. dhe personat M.Ç., Sh.Ç., O.Ç. dhe B.M. hynë në oborrin e O.E. dhe sulmuan fizikisht babanë dhe vëllain e tij D.E. dhe M.E., gjatë së cilës Q.Ç. nxori një armë, qëlloi dhe e goditi O.E. në gjoks dhe krah”, thuhet në njoftimin e MPB-së

Një ekip nga policorë SPB Shkup kreu një inspektim dhe në vendin e ngjarjes u gjetën tre gëzhoja. Pas hetimit dhe dokumentimit të plotë të rastit, do të ngrihen kallëzime penale përkatëse./Telegrafi/

The post Të shtëna me armë zjarri në Shkup, plagoset një person appeared first on Telegrafi.

Barcelona në probleme të mëdha, ndërprerja e kontratës të Ter Stegen i kushton dhjetëra miliona euro

6 August 2025 at 16:30

Barcelona ndodhet në një situatë të vështirë financiare, pasi marrëdhënia me kapitenin dhe portierin Marc-Andre ter Stegen është tensionuar seriozisht. Klubi rrezikon pasoja të rënda ekonomike nëse vendos të ndërpresë kontratën me gjermanin.

Sipas raportimeve të La SER më 6 gusht 2025, Ter Stegen ka refuzuar të nënshkruajë një raport mjekësor që do t’i mundësonte Barcelonës ta klasifikonte dëmtimin e tij si afatgjatë. Kjo do t’i lejonte klubit të lironte fondet për regjistrimin e lojtarëve të rinj.

Portieri ka kontratë të vlefshme deri në qershor 2028 dhe nuk pranon të heqë dorë nga asnjë pjesë e të ardhurave të dakorduara, që arrijnë në rreth 42 milionë euro bruto për tre sezonet e mbetura, ose afërsisht 14 milionë euro në vit.

Sipas beIN SPORTS, kjo shumë përbën një barrë të rëndë për Barcelonën. Ndërprerja e njëanshme e kontratës jo vetëm që nuk e zgjidh problemin, por e përkeqëson situatën duke mos sjellë asnjë përfitim financiar në afatshkurtër.

Problemi kryesor lidhet me kufirin e shpenzimeve (LCPD) të vendosur nga La Liga, i cili ndalon klubet të tejkalojnë shpenzimet në raport me të ardhurat. Në shkurt 2025, ky limit për Barcelonën ishte 463 milionë euro, megjithëse klubi pretendon se tani ka kaluar mbi 500 milionë.

Rregulloret e La Ligës përfshijnë në këtë limit edhe shumat që paguhen për prishjen e kontratave apo kompensimet e largimit. Nëse Barcelona e ndërpret kontratën e Ter Stegen, ajo do të detyrohet të përballojë të gjithë shumën prej 42 milionë eurosh si “para të vdekura”.

Kjo do të thotë se klubi nuk do të fitojë asnjë hapësirë për regjistrime të reja dhe, për më tepër, do të rëndohet financiarisht për disa vite. Kjo situatë po pengon gjithashtu përpjekjet për të regjistruar portierët Joan Garcia dhe Wojciech Szczesny. /Telegrafi/

The post Barcelona në probleme të mëdha, ndërprerja e kontratës të Ter Stegen i kushton dhjetëra miliona euro appeared first on Telegrafi.

Igli Tare nuk ndalet me transferime të shqiptarëve te Milani, pas Jasharit – një mbrojtës në San Siro

6 August 2025 at 16:13

Milani po ndërton një projekt të ri ambicioz dhe nuk ndalet në merkato. Me një valë ndryshimesh në të gjitha hallkat, klubi kuqezi po krijon një identitet të ri – dhe shqiptarët po luajnë një rol kyç në këtë transformim.

Pas emërimit të Igli Tares si drejtor sportiv dhe zgjedhjes së Massimiliano Allegrit në bankinë, Milani bëri edhe një goditje me aromë shqiptare në fushë – transferimin e Ardon Jasharit nga Club Brugge. Një mesfushor premtues, që shihet si investim për të ardhmen.

Por, prania shqiptare në “San Siro” nuk pritet të ndalet këtu.

Mediat italiane raportojnë se Berat Gjimshiti, lideri i mbrojtjes së Kombëtares shqiptare dhe një element kyç te Atalanta, është futur në orbitën e Milanit si një opsion serioz për prapavijën.

E gjithë kjo vjen në një moment kur Malick Thiaw mund të largohet, me interesime konkrete nga Liga Premier dhe Serie A.

Nëse ndodh shitja, Milani do të ketë nevojë urgjente për të gjetur një zëvendësues të denjë.

La Gazzetta dello Sport” përmend disa alternativa të brendshme si Comuzzo dhe Leoni, por emri i Gjimshitit qëndron lart në listë për shkak të eksperiencës, lidershipit dhe njohjes së Serie A.

Ai shihet si një profil i gatshëm për të marrë përgjegjësi menjëherë.

Nëse kjo lëvizje realizohet, Milani do të kishte tre shqiptarë në organikë, një fakt që do të krijonte entuziazëm te tifozët shqiptarë dhe do të konfirmonte ndikimin në rritje të lojtarëve kuqezi në skenën e madhe të futbollit evropian. /Telegrafi/

The post Igli Tare nuk ndalet me transferime të shqiptarëve te Milani, pas Jasharit – një mbrojtës në San Siro appeared first on Telegrafi.

Lëndët në interes të publikut lihen në pritje

6 August 2025 at 16:07

Në kulmin e pushimeve në gjyqësor, lëndët me interes më të madh për publikun janë lënë në pritje – nga 15 korriku deri më 15 gusht zgjasin pushimet e gjyqtarëve në mbarë vendin, megjithatë kjo nuk do të thotë se sallat e gjyqit janë të mbyllura apo se nuk punohet fare.

Nga Gjykata Penale kanë informuar për Alsat se edhe gjatë kësaj periudhe punohet në lëndët e paraburgimeve dhe se çdo ditë caktohen seanca në të cilat gjyqtari duhet të vendosë për paraburgim me kërkesë të prokurorit publik.

Një lëndë që gjatë këtyre pushimeve tërheq veçanërisht vëmendjen e opinionit, është gjykimi ndaj kriminelit Rade Trajkovski Shtekli dhe nëntë personave të tjerë të akuzuar për tregti të paligjshme me drogë. Procesi gjyqësor kundër Shteklit duhej të fillonte më 17 korrik, por seanca u shty menjëherë për shkak të hospitalizimit të të akuzuarit Trajkovski dhe pritet të vazhdojë nesër. Nga Gjykata Penale thonë se çështja është caktuar dhe duhet të mbahet nesër, megjithëse faqja e gjykatës ku ndodhet kalendari i seancave aktualisht nuk funksionon. Ndërkohë, publiku ende pret që Gjykata Penale të shqyrtojë aktakuzën për zjarrin në klubin e natës “Puls” në Koçan dhe të caktojë datën e gjykimit për një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e re të vendit, në të cilën humbën jetën 62 persona.

Jozyrtarisht, aktakuza pritet të shqyrtohet në fillim të shtatorit, dhe pritet që më vonë të nisë edhe gjykimi. Njoftohet se gjykimi do të mbahet në sallën e re, më të madhe, në Idrizovë, por ende pritet konfirmim. Në këtë rast ka aktakuzë kundër 34 personave fizikë dhe 3 persona juridikë. Gjithsej 31 persona janë të akuzuar në rastin “Aditivët”, çështja për të cilën seancat e gjykimit tashmë kanë nisur të mbahen pikërisht në sallën në Idrizovë, por pavarësisht se çështja ka hyrë në procedurën e provave, pjesa më interesante për publikun pritet të vazhdojë në shtator, kur gjyqtarja Daniela Dimovska ka paralajmëruar që gjykimet do të vazhdojnë me një ritëm më intensiv.

Në këtë çështje, dëmi nga prokurimi i aditivëve të dyshimtë për TEC manastir dhe TEC Negotinë vlerësohet rreth 6.5 milionë euro, ndërsa i pari i akuzuar, ish-drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçevski, vazhdon të jetë në arrati. Më 5 shtator do të fillojë gjykimi për “Onkologjinë”, ku të parë në listën e të akuzuarve janë ish-drejtuesit e klinikës, si dhe katër mjekë të cilët ngarkohen për trajtim të pakujdesshëm mjekësor. Ishte një rast tjetër i madh që tronditi opinionin publik, pasi mediat publikuan informacione për keqpërdorime me barnat e shtrenjta për personat me kancer në klinikën e onkologjisë.

Përveç kësaj, më 22 shtator pritet të vazhdojë seanca e përsëritur për rastin e njohur në publik si “Besa Trans”, që lidhet me aksidentin rrugor që ndodhi në Bullgari para 4 vjetësh dhe ku humbën jetën 45 persona. Në këtë rast i pari i akuzuar është pronari i kompanisë, Bekim Haxhiu, i cili akuzohet se ka transportuar persona me licencë false për transport ndërkombëtar./Alsat/

The post Lëndët në interes të publikut lihen në pritje appeared first on Telegrafi.

Spanja heq dorë nga blerja e aeroplanëve amerikan F-35

6 August 2025 at 16:02

Spanja është tërhequr nga planet për të blerë aeroplanët luftarakë F-35, të prodhuar nga gjigandi amerikan i aviacionit Lockheed Martin.

Qeveria kishte parashikuar në buxhetin për vitin 2023 shumën prej 6,25 miliardë eurosh për blerjen e aeroplanëve të rinj luftarakë, shkruan El Pais.

Megjithatë, plani i qeverisë spanjolle që shumicën e 10,5 miliardë eurove shtesë të destinuara për mbrojtje këtë vit t’i shpenzojë në Evropë, e ka pamundësuar blerjen e aeroplanëve luftarakë të prodhuar nga SHBA, thuhet në artikull.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, kishte njoftuar më herët këtë vit për plane për të rritur shpenzimet për mbrojtje.

E gjithë kjo me qëllimin për të arritur objektivin aktual të NATO-s prej dy për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por më vonë, gjatë samitit të qershorit, refuzoi t’i rrisë këto shpenzime në pesë për qind.

Qëndrimi i Sanchezit u kritikua ashpër nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili kërcënoi me vendosjen e tarifave shtesë për mallrat nga ky vend. /Telegrafi/

The post Spanja heq dorë nga blerja e aeroplanëve amerikan F-35 appeared first on Telegrafi.

“Jam si Navalny”, ish-presidenti Meta kërkon ndryshimin e masës së sigurisë, seanca shtyhet në 8 gusht

6 August 2025 at 14:48

Ish-presidenti Ilir Meta ka kërkuar ndryshim të masës së sigurisë, pak orë pasi SPAK mbylli hetimet ndaj tij dhe katër personave të tjerë.

Siç mëson Top Channel, Meta ka thënë në kërkesë që nuk ka asnjë rrezik të ndikojë e dëmtojë provat dhe nga ana tjetër sugjeron që gjykata të vendosë ndaj tij masë më të butë, atë të ndalimit për të dalë jashtë vendit. Por, seanca u shty për në datën 8 gusht.

Në padinë që Tch e disponon thuhet se “në datën 04 gusht nga Prokuroria e Posaçme u njohëm me përfundimin e hetimeve lidhur me të pandehurin ish presidentin Ilir Metaj. Sipas procedurës u njohëm edhe me aktet fashikujt hetimorë në mënyrë elektronike, çka nënkupton se organi procedurës tashmë ka përfunduar çdo procedurë hetimi dhe çështja do kaloj për gjykim në seancën paraprake.

Në kushtet e reja procedurale të krijuara, duke u nisur edhe nga neni 228 paragrafi 3 i kodit procedurës penale, për masat e sigurimit personal mendojmë se këto kritere nuk qëndrojnë pasi tashmë:

kur ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës, bazuar në rrethana fakti…..

nuk ka asnjë rrezik që i pandehuri të largohet dhe ti fshihet procesit gjyqësor.

personaliteti i të pandehurit nuk përbën rrezik që ai të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet, sepse nuk është duke ushtruar funksionin publik.

Në kuptim të rrethanave të reja të krijuara kur kjo çështje tashmë po merr rrugëtimin e saj gjyqësor, mendojmë se është një moment kur vetë gjykata që ka vendosur masë shtrënguese të “arrestit me burg” të analizoi drejt këto rrethana dhe të marri një vendim të bazuar mbi to duke zëvendësuar masën e sigurimit personal.

Në këto momente që jemi drejtuar gjykatës ku kërkojmë zëvendësimin e masës sigurimit të arrestit me burg, presidenti Ilir Metaj ka plot 10 muaj në kushte izolimi, theksoj izolimi pasi përveç masës shtrënguese të arrestit me burg ai po vuan edhe masat e tjera diskriminuese të Institucionit Ekzekutimit Vendimeve penal ‘Jordan Misja’ Tiranë, pasi është në kushtet e një izolimi total, tamam si lideri opozitës ruse Navaly”.

Nga ana tjetër në kërkesë Meta sjell edhe precedentin Gëllci për të cilin Strasburgu rrëzoi SPAK-un.

Ndërsa vijon më tej duke u shprehur se arresti në burg e pengon për aktivitetet politike.

“Kërkojmë zëvendësimin e masës së sigurimit personal për ish presidentin edhe për shkaqet e sipërcituara sepse atij nuk po i lejohet të ushtrojë të drejtat e tij politike si lider i opozitës së dytë në vend, Partia e Lirisë. Atij nuk po i lejohet të takohet me anëtarët e kryesisë partisë tij, me deputetët, me eurodeputetët dhe është privuar nga përdorimi telefonit të institucionit për të folur po me këta persona.

Është në detyrimin ligjor, kushtetues por edhe të kartës evropiane të drejtave të njeriut që ndaj një politikani nën hetim, apo nën një gjykim duhet të trajtohet jo vetëm me dinjitetin njerëzor të parashikuar në standardet më të mira që parashikon ligji por edhe të mos i privohet ushtrimi të drejtave politike dhe të prevalojë mbi të gjitha prezumimi pafajësisë”, shprehen avokatët. /tch/

The post “Jam si Navalny”, ish-presidenti Meta kërkon ndryshimin e masës së sigurisë, seanca shtyhet në 8 gusht appeared first on Telegrafi.

Rama: Prishtina i bashkohet protestës së OVL e UÇK-së, më 7 gusht autobusët urban falas

6 August 2025 at 14:46

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se për herë të parë brenda kabinetit të tij është krijuar një sektor i posaçëm për çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.

Rama përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Prishtina do t’i bashkohet protestës së OVL-UÇK-së për drejtësi për mbrojtjen e vlerave të luftës

Ai tha se në mbështetje të kësaj protestë kanë marrë vendim që më 7 gusht transporti urban të jetë falas për të gjithë qytetarët.

“Parking falas prapa Pallatit të Rinisë, nga ora 16:00 deri në 18:00, për autobusët e protestuesve”, ka shkruar Rama. /Telegrafi/

The post Rama: Prishtina i bashkohet protestës së OVL e UÇK-së, më 7 gusht autobusët urban falas appeared first on Telegrafi.

Mos i humb këto 5 udhëtime epike nga Tirana – dhe transportin nga Kosova që kushton vetëm 19 €!

By: GoOpti
6 August 2025 at 14:45

Po ëndërron arratisjen tënde të radhës? Falë rrjetit të gjerë të fluturimeve të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe shërbimit super të përballueshëm të GoOpti nga Prishtina, Shkupi dhe Podgorica – pesë destinacione të mrekullueshme janë më afër se sa mendon.

Zgjidh GoOpti dhe lëre aventurën të fillojë! Një këshillë nga profesionistët: nëse rezervon 3 javë më herët, çmimi mund të jetë vetëm 19 €.

 

Stambolli: Ku takohen kulturat

Lindja takohet me Perëndimin në pazaret dhe kafenetë në tarracë të Stambollit. Viti 2025 sjell një atraksion të ri që s’duhet humbur: muzeu Istanbul Modern, i rilindur në një hapësirë moderne në bregdet, dizajnuar nga Renzo Piano. Shto një çaj turk pranë Bosforit dhe ke fundjavën perfekte.

Barcelona: Një vit festimesh

Nga Sagrada Família e Gaudit deri te perëndimet buzë plazhit, Barcelona është gjithmonë magjepsëse. Por viti 2025 e çon atmosferën në një nivel tjetër: muzeu MACBA feston 30 vite, Fondacioni Joan Miró 50 vite dhe Katalonia shpallet Rajoni Botëror i Gastronomisë. Gati për festivale, tregje ushqimi, shopping dhe shumë tapa?

Vjena: Valle dhe elegancë

Vjena është përkufizimi i hijeshisë. Viti i ardhshëm feston 200 vjetorin e Johann Strauss, me sezonin e ballove – përfshirë Ballon e famshme të Operës së Vjenës – dhe një koncert veror magjik në pallatin Schönbrunn. Mos harro këpucët për valle!

Roma: Entuziazmi i Jubileut

Rrugët historike të Romës janë gati për Vit Jubilar, që zgjat deri në janar 2026. Prisni meshë të veçanta, evente kulturore si Roma Summer Fest, dhe investime të reja në qytet për të përballuar turmat. Koha më e mirë për vizitë? Pranvera – me një ndeshje rugby ose një ekspozitë arti.

Dubai: Loja e së ardhmes

Në Dubai me diell, çdo vit sjell diçka të re. Zhytu në botët dixhitale të AYA Universe me 40,000 m² ose përjeto mbi 100 eksperienca imersive në House of Hype në Dubai Mall. Mes teknologjisë së të ardhmes, mos harro klasiket – shkretëtira dhe Burj Khalifa.

Pse GoOpti?

Shmang stresin dhe shko në Aeroportin e Tiranës me rehati dhe lehtësi – pa trafik, pa parkime të mbingarkuara. Transferet e GoOpti, të përbashkëta ose private, të marrin në shtëpi, operojnë 24/7 dhe kushtojnë më pak se një rezervuar karburanti. E vetmja gjë që të mbetet, është të zgjedhësh destinacionin dhe të rezervosh vendin në goopti.com.

Gati për nisje? Aventurës tënde të radhës i mungon vetëm një udhëtim me GoOpti.

 

The post Mos i humb këto 5 udhëtime epike nga Tirana – dhe transportin nga Kosova që kushton vetëm 19 €! appeared first on Telegrafi.

Të vdekur, të zhdukur dhe mijëra të evakuuar – ndërsa një zjarr masiv ‘shkrumbon’ një zonë më të madhe se Parisi

6 August 2025 at 14:45

Një grua e moshuar ka vdekur dhe një person tjetër është zhdukur pas një zjarri masiv që përfshiu pjesë të Francës jugore, duke shkatërruar shtëpi dhe duke detyruar mijëra njerëz të largohen.

Gruaja vdiq në shtëpinë e saj, shtatë zjarrfikës janë trajtuar gjithashtu për thithje tymi dhe një person është ende i zhdukur, thanë autoritetet.

Dy persona janë në spital, njëri prej të cilëve është në gjendje kritike, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Flaka shpërtheu të martën pranë fshatit La Ribaute në rajonin Aude dhe ka djegur tashmë më shumë se 13,000 hektarë (50 milje katrorë) – një zonë më e madhe se Parisi – duke e bërë atë zjarrin më të madh në Francë këtë vit.

Hier mardi, début de l'#incendie à Ribaute, le feu a pris la végétation sèche très rapidement. Catastrophique pour les #Corbières, les flammes ont parcouru +13 000 hectares, fumées épaisses sur Collioure et tte la région #Aude
Soutien aux habitants et aux pompiers. pic.twitter.com/hlRPjfD06n

— gini charrier 🦭 (@GiniCharrier) August 6, 2025

Më shumë se 1,800 zjarrfikës, të mbështetur nga 500 automjete, u dërguan në zonë.

Fshatrat kryesore të prekura janë Lagrasse, Fabrezan, Tournissan, Coustouge dhe Saint-Laurent-de-la-Cabrerisse.

Ce quartier de Saint Laurent de la Cabrerisse a du être évacué.
Plusieurs maisons ont brûlé suite à des sautes de feu. @BFMTV #Aude #Ribaute pic.twitter.com/r6uqJcRHov

— Antoine Forestier (@a_forestier) August 5, 2025

Zyrtarët thonë se zjarri po përparon me shpejtësi, i nxitur nga erërat e forta, bimësia e thatë dhe moti i nxehtë i verës.

Sud de la #France🇫🇷🔥: un mort et onze blessés dans les #feux de forêt#IncendieAude #Pompiers #Macron #occitanie @FeuxdeForet_FR #Ribaute #Carcassonne #Narbonne pic.twitter.com/eB8IHjUJc3

📢✍🏻🧪👩‍⚕️🧹 تِرياق السموم (@Lina_Jawhari) August 6, 2025

Jacques Piraud, kryebashkiaku i fshatit Jonquières, ku u dogjën të paktën katër shtëpi, i tha gazetës Le Monde se rreth 80% e fshatit ishte djegur.

“Kjo është një katastrofë me përmasa të papara”, tha zëdhënësi i zjarrfikësve Eric Brocardi për radion RTL.

Un de mes proches vient de tourner cette vidéo. Il faut imaginer que nous sommes ici à 30 KILOMÈTRES de l’incendie de Ribaute (Aude). Le feu est très actif et à cette heure clairement incontrôlé. @BFMTV pic.twitter.com/6AOVVgte6T

— Kévin Floury (@kevinfloury) August 5, 2025

Siç bëhet e ditur më tej, të paktën 25 shtëpi janë shkatërruar dhe më shumë se 2,500 familje janë pa energji elektrike.

Autoritetet kanë mbyllur rrugët në të gjithë rajonin dhe paralajmëruan se është ende shumë e rrezikshme për banorët që ikën të martën në mbrëmje për t’u kthyer në shtëpi.

Presidenti Emmanuel Macron shprehu mbështetjen e tij për zjarrfikësit dhe zyrtarët lokalë në X, duke thënë se të gjitha burimet qeveritare po mobilizohen.

Ai u bëri thirrje banorëve të ndjekin urdhrat e evakuimit dhe të tregojnë “kujdes maksimal”. /Telegrafi/

The post Të vdekur, të zhdukur dhe mijëra të evakuuar – ndërsa një zjarr masiv ‘shkrumbon’ një zonë më të madhe se Parisi appeared first on Telegrafi.

Shkeli me dy këmbët flamurin e Kosovës në sheshin e Prishtinës, policia interviston qytetarin nga Fieri

6 August 2025 at 14:43

Një qytetar, i veshur me bluzë kuq e zi, ka përdhosur flamurin e Kosovës në sheshin e Prishtinës. Ai ka shkelur flamurin me të dy këmbët, ndërsa në duar mbante flamurin e Shqipërisë.

Pas disa minutash qëndrimi aty, qytetari u ndalua nga Ramadan Nishori, i mbijetuar i dhunës seksuale në Kosovë. Nishori ia mori flamurin dhe në video dëgjohet duke i thënë “Mos ma shkel flamurin e Kosovës”.

Lidhur me rastin, zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, konfirmoi për Telegrafin se i dyshuari është shtetas i Shqipërisë.

“Ai është nga Fieri dhe është duke u intervistuar nga Policia,” tha ajo.

Ndryshe, në rrjetet sociale janë publikuar videot ku shihet i dyshuari duke shkelur flamurin e Kosovës. /Telegrafi/

The post Shkeli me dy këmbët flamurin e Kosovës në sheshin e Prishtinës, policia interviston qytetarin nga Fieri appeared first on Telegrafi.

Gashi përkujton viktimat e vërshimeve tragjike në Hasanbeg: Dhimbja mbetet po aq e thellë

6 August 2025 at 14:40

Kryeparlamentari, Afrim Gashi, ka përkujtuar me ndjenja të thella dhimbjeje dhe solidariteti viktimat e vërshimeve tragjike që goditën Hasanbegin në gusht të vitit 2016, duke marrë jetën e 23 personave.

“Nëntë vite më vonë, dhimbja mbetet po aq e thellë. Kjo fatkeqësi mori jetën e 23 personave dhe la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë kolektive”, ka shkruar Gashi në një postim publik, duke theksuar se si banor i këtij vendbanimi dhe si kryetar i Kuvendit, ndjen përgjegjësi morale për të ruajtur gjallë kujtimin dhe respektin për viktimat.

Ai shtoi se përveç dhimbjes, Hasanbegu dhe banorët e tij mbeten shembull i vlerave njerëzore, humanitare dhe solidaritetit që i bashkoi për të përballuar një nga momentet më të vështira. “Sot, ndërsa kujtojmë dhe lutemi për viktimat, shpresojmë që një tragjedi e tillë të mos përsëritet kurrë më”, u shpreh Gashi.

The post Gashi përkujton viktimat e vërshimeve tragjike në Hasanbeg: Dhimbja mbetet po aq e thellë appeared first on Telegrafi.

Rasti i gjykatësit Laban, Kurti: Absurde që dikush që vlerësohet si i papërshtatshëm për sigurinë të gjykojë mbi një çështje kushtetuese

6 August 2025 at 14:30

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, një ditë më parë ka bërë të ditur se ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Osmani ka thënë se vendimi për tërheqjen e kërkesës është marrë si reagim ndaj caktimit të gjyqtarit Radomir Laban si raportues i kësaj lënde, të cilin ajo e cilëson si figurë problematike për sigurinë e shtetit.

E lidhur me këtë ka folur sot kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

I pyetur se si e sheh tërheqjen e kërkesës nga Gjykata Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, Kurti tha se presidentja Osmani nuk ka qenë në dijeni se ai do të jetë kryesues i çështjes që do të trajtohet nga Kushtetuesja.

“Ne që nga viti 2018 kemi qenë të informuar për gjyqtarin Laban, atëherë kur ai pati aplikuar që të bëhet anëtari i Gjykatës Kushtetueses”, tha Kurti.

Kryeministri në detyrë tutje tha se deputetja Albulena Haxhiu në emër të grupit parlamentar të LVV aso kohe sa ishin në opozitë i ka shkruar letër zyrtare Zyrës së Presidentit dhe kryetares të atëhershme të Gjykatës Kushtetuese.

“Deputetja Albulena Haxhiu në emër të Grupit parlamentar aso kohe sa ishim në opozitë i ka shkruar letër zyrtare Zyrës së Presidentit, por fatkeqësisht as presidenti i atëhershëm në vitin 2018, as kryetarja e Gjykatës Kushtetuese e atëhershme, në vitin 2018 nuk e kanë parë të arsyeshme që të ndalin një proces të tillë sepse është absurde që dikush i cili sipas informacioneve që kemi nga institucionet e sigurisë se është i papërshtatshëm, rrezik për rendin tonë kushtetues tash të gjykojë mbi një çështje kushtetuese”, tha Kurti. /Telegrafi/

The post Rasti i gjykatësit Laban, Kurti: Absurde që dikush që vlerësohet si i papërshtatshëm për sigurinë të gjykojë mbi një çështje kushtetuese appeared first on Telegrafi.

Barcelona më në fund kthehet në Camp Nou, por me një kapacitet shumë modest

6 August 2025 at 14:28

Pas dy vitesh, Barcelona më në fund do të jetë në gjendje të luajë ndeshjet në shtëpi në stadiumin e saj Camp Nou, megjithëse me një kapacitet të reduktuar.

Rinovimi i stadiumit filloi pas përfundimit të sezonit 2022/23, por puna u vonua dhe gjatë asaj kohe Barcelona i luajti ndeshjet e saj si vendas në stadiumin Montjuic.

Edhe pse punimet padyshim nuk kanë përfunduar, klubi dhe autoritetet e qytetit kanë rënë dakord që kampionët spanjollë të mund të kthehen në stadiumin e tyre me një kapacitet të reduktuar.

Kapaciteti në këtë fazë fillestare, derisa stadiumi të kalojë të gjitha kontrollet e mbetura dhe të marrë të gjitha lejet e nevojshme, do të jetë vetëm 27,000 vende.

 

🚨 BREAKING: #FCBarcelona and the City Council of Barcelona are CLOSE to an AGREEMENT for the RETURN to the Spotify Camp Nou with 27,000 capacity. [@QueThiJugues] 🎖🏟 pic.twitter.com/WK2eZJt770

— infosfcb (@infosfcb) August 5, 2025

Futbollistët e Barcelonës duhet të zhvillojnë ndeshjen e tyre të rikthimit në stadiumin ikonik që të shtunën, kur është planifikuar ndeshja për trofeun “Joan Gaspar” kundër Comos.

Katalunasit do të jenë pritës për herë të parë në kampionat vetëm në ndeshjen e xhiros së katërt, e cila do të luhet më 14 shtator, dhe kur ndeshet me Valencia në Camp Nou. /Telegrafi/

The post Barcelona më në fund kthehet në Camp Nou, por me një kapacitet shumë modest appeared first on Telegrafi.

Dyshohen se detyruan të shesë pronën e gjysmë milioni për 250 mijë euro, Prokuroria kërkon paraburgim për Nexhmi Krasniqin dhe të tjerët

6 August 2025 at 14:24

Prokuroria Themelore në Prizren ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të arrestuarve nën dyshimin për detyrim, armëmbajtje pa leje e ikje të tatimit.

Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-drejtori i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqit, aktualisht zyrtar policor. Aksioni ishte zhvilluar nga Prokuroria bashkë me IPK derisa një ditë më vonë Xhelal Sveçla ka kërkuar largimin nga Policia të gjithë atyre që njollosin uniformën policore.

Sipas dosjes së Prokurorisë, që ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Liman Sallauka, Xhevat Sallauka, Nexhmi Krasniqi dhe Ramadan Paçarizi, dyshohen se si pjesë e grupit kishin përdorur kanosjen, duke detyruar të dëmtuarin E.M, të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Sipas dyshimeve të Prokurorisë, i dëmtuari ishin detyruar të tërhiqet nga prona për të cilën kishte autorizim në dobi të Ramadan Paçarizit, i cili pastaj e kishte blerë pronën për 250 mijë euro nën çmimin e tregut pasi e njëjta pronë kishte vlerë deri në gjysmë milioni euro.

Sipas dosjes së Prokurorisë, gjatë muajve nëntor–dhjetor të vitit 2024 në Prizren, Liman Sallauka, Xhevat Sallauka, Nexhmi Krasniqi dhe Ramadan Paçarizi, dyshohen se kanë vepruar si grup i organizuar për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore për vete, përmes kërcënimeve serioze dhe presionit ndaj një personi tjetër.

Sipas dokumentit të siguruar, të pandehurit kanë ushtruar kanosje serioze ndaj të dëmtuarit E.M me qëllim që ai të veprojë në dëm të pasurisë së tij. E.M ka qenë bashkëpronar i një ngastre kadastrale nr. 749 në zonën kadastrale Lubizhdë dhe kishte autorizim gjeneral për të shitur parcelën në fjalë nga personat “Svetozar Nekiq, Stanimir Nekiq dhe Zvonomir Nekiq”.

Duke qenë në këtë pozitë, i pandehuri Liman Sallauka, sipas Prokurorisë, kishte filluar kontakte të vazhdueshme me të dëmtuarin. Më pas, në proces hyn edhe vëllai i tij, Xhevat Sallauka, i cili kërkon vazhdimisht takim me të dëmtuarin lidhur me ngastrën. Takimi ndodh në një pompë derivatesh në rrugën “Transiti i Ri” në Prizren, ku marrin pjesë Liman Sallauka, Xhevat Sallauka, Nexhmi Krasniqi, dëshmitari E.E. dhe i dëmtuari E.M.

Gjatë këtij takimi, sipas Prokurorisë, të pandehurit i bëjnë presion të dëmtuarit që të heqë dorë nga pjesa e tij në ngastrën nr. 749 në dobi të Ramadan Paçarizit. Përballë frikës dhe presionit, dhe me miratimin e dëshmitarit E.E – i cili gjithashtu kishte pronësi në parcelë – i dëmtuari tërhiqet nga prona. Më pas, Ramadan Paçarizi blen parcelën duke paguar një shumë që përshkruhet si “lënien çmimin e tregut për 250,000 euro”, edhe pse prona në realitet kishte vlerë më të madhe.

Sipas Prokurorisë, pasi i dëmtuari e shet pronën nën çmimin e tregut, 10 mijë euro ia jep Nexhmi Krasniqit dhe 20 mijë ia jep Liman Sallaukës.

“E për këtë i dëmtuari së bashku me të pandehurin Liman Sallauka shkojnë në shtëpinë e të pandehurit Nexhmi Krasniqi, ku i dëmtuari hynë në shtëpi dhe nga të hollat e marra prej Ramadan Paçarizit ia jep të pandehurit Nexhmi shumën prej 10.000 euro të vendosura në zarf dhe me të dalë nga aty, 20.000 euro tjera ia jep Liman Sallaukës, në emër të tij dhe për vëllain e tij Xhevat Sallauka”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të arrestuarve.

Për këto veprime, ata dyshohen për veprën penale të detyrimit nga neni 328, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Ramadan Paçarizi po dyshohet edhe për shmangie nga tatimi pasi nuk ka treguar vlerën reale të palujtshmërisë dhe 130 mijë euro ia ka dhënë para kesh blerësit.

Ndërkohë, Liman Sallauka dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje pasi në shtëpinë e tij ishin gjetur armë përfshirë edhe një pushkë ajrore e municion.

Edhe në shtëpinë e zyrtarit të Policisë, Nexhmi Krasniqi ishin gjetur 63 fishekë.

Edhe Paçarizit i është gjetur një pushkë ajrore në shtëpi pa leje.

Prokurori Labinot Jetishi në kërkesën për paraburgim ka shkruar se caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

Sipas kërkesës, ekziston rreziku që të bëhet presion mbi dëshmitarë, të prishen provat dhe se ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale nga të dyshuarit.

Prokurori i shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve Liman Sallauka, Xhevat Sallauka, Nexhmi Krasniqi dhe Ramadan Paçarizi, duke u bazuar në rrezikun real që ata paraqesin për jetën, trupin apo pasurinë e të tjerëve, si dhe për rrjedhën normale dhe të papenguar të procedurës hetimore.

Sipas prokurorit, pamjaftueshmëria e masave tjera më të lehta, të parashikuara me nenin 171 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, është shqyrtuar në mënyrë të hollësishme, por në bazë të rrethanave konkrete të rastit, është vlerësuar se ato masa nuk garantojnë prezencën e të pandehurve dhe nuk mund të sigurojnë zhvillimin e rregullt të procedurës penale.

Për këto arsye, prokuroria ka propozuar që gjyqtari i procedurës paraprake të caktojë masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj katër të pandehurve, me qëllim të sigurimit të kushteve për një proces hetimor të papenguar dhe ligjërisht të mbrojtur.

The post Dyshohen se detyruan të shesë pronën e gjysmë milioni për 250 mijë euro, Prokuroria kërkon paraburgim për Nexhmi Krasniqin dhe të tjerët appeared first on Telegrafi.

Mbytet një pushuese në Vlorë

6 August 2025 at 14:20

Një grua 59‑vjeçare ka humbur jetën pasi është mbytur në det në Vlorë këtë të mërkurë.

Sipas informacionit paraprak, shtetasja është nxjerrë nga uji nga familjarët e saj dhe është dërguar me urgjencë në spitalin e Vlorës, por mjekët kanë konstatuar se kishte mbërritur pa shenja jete, shkruan A2 CNN.

Trupi i pajetë më pas është transportuar në morgun e spitalit për veprime të mëtejshme.

Shkaqet e sakta të vdekjes ende nuk dihen, por dyshohet se 59‑vjeçarja mund të ketë pësuar një goditje në zemër ndërsa ndodhej në ujë. /Telegrafi/

 

 

 

 

 

 

The post Mbytet një pushuese në Vlorë appeared first on Telegrafi.

❌
❌