Normal view
Tiranë, i moshuari vetëvritet me thikë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Tiranë.
Në rrugën “Ferdinand Paparisto”, një shtetas ka njoftuar Sallën Operative të DVP Tiranë se në banesë ka konstatuar pa shenja jete babain e tij, rreth 81 vjeç, i cili dyshohet se është vetëvrarë me mjet prerës.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./abcnews.al
Trump shqyrton autorizimin e fondeve të reja për Ukrainën
Burime të shumta i kanë thënë CBS News se presidenti amerikan, Donald Trump po shqyrton autorizimin e fondeve të reja për Ukrainën për herë të parë që kur u rikthye në detyrë.
Financimi i ri mund të përdoret për t’i dërguar një mesazh Rusisë, thanë burimet, me Trumpin që është shprehur publikisht i frustruar me Vladimir Putinin ditët e fundit.
Zyrtarët amerikanë besojnë se Trump ka 3.85 miliardë dollarë të mbetura në autoritetin presidencial të tërheqjes së buxhetit nga epoka e Bidenit, të cilin mund ta përdorë për të dërguar pajisje ushtarake amerikane në Ukrainë.
Ish-zyrtarët thanë gjithashtu se presidenti amerikan ka fuqinë të sekuestrojë rreth 5 miliardë dollarë asete ruse të huaja dhe t’i drejtojë fondet në Ukrainë, megjithëse as Trump dhe as Joe Biden nuk e kanë bërë këtë./abcnews.al
Masakra e Dobraçit/ Dritëhijet e hetimeve dhe lirimi i të arrestuarit të vetëm
Pasditen e 30 tetorit 2024, Shkodra, por jo vetëm, u trondit nga një ngjarje e rëndë kriminale, që shkaktoi 4 viktima.
Një makinë tip “Benz” me xhama të zinj, e drejtuar nga Hamza Lici, me pasagjer Arlind Bushatin, që udhëtonte drejt rrugës nacionale Shkodër-Koplik, në lagjen Dobraç, u sharrua nga plumbat.
Nga pas, i ndiqte një fuoristradë “Land Rover”, ku mendohet se ndodheshin 3 persona. Sapo u ndodhën paralelisht, nga fuoristrada drejt makinës që drejtohej nga 23-vjecari Lici nisi një breshëri kallashnikovi.
Të shtënat vijuan pa u ndalur përgjatë 300 metrave në ecje e sipër derisa shoferi humbi vetëdijen dhe makina u përplas në gjendje të lirë te muri rrethues i një objekti. Hamza Lici, djali i vogël i familjes Lici ndërroi jetë në vend. Pak orë më vonë, humbi jetën në spital edhe miku i tij, 32-vjeçari Arlind Bushati.
Atentati ishte i pamëshirshëm, me objektiv të qartë, eliminimin fizik të personave që ishin në makinën “Benz”. Drejtuesi i “Land Rover”-it dhe dy qitësit nuk morën parasysh as qytetarët e rastësishëm në vendngjarje. Të gjendur në vendin dhe kohën e gabuar, çifti Bashkim dhe Flutura Basha, që po udhëtonin në atë moment me motor, humbën jetën në atë ngjarje. Automjeti që drejtonte Hamza Lici, humbi kontrollin pas breshërisë së plumbave dhe përplasi motorin e çiftit Basha. Flutura humbi jetën në vend, ndërsa Bashkimi u plagos rëndë në kokë, duke ndërruar jetë më vonë në spitalin e Shkodrës. Ata ishin viktima të pafajshme që nuk kishin asnjë lodhje me atentatorët dhe objektivin e tyre.
Dosja e ngjarjes që mori emrin Masakra e Dobraçit, fillimisht u hetua nga Prokuroria e Shkodrës, por më 11 shtator, organi i akuzës atje shpalli moskompetencë dhe çështja tashmë është në duart e SPAK, pasi ka dyshime se vrasja e 4-fishtë është vepër e një grupi të strukturuar kriminal.
Objektiv i atentatit dyshohet se ishin dy nga viktimat, Hamza Lici dhe Arlind Bushati, por edhe një person tjetër që mendohet se udhëtonte me ta në makinë dhe që dita ditës pas hetimeve ka dyshime të ketë qenë Ibrahim Lici. Prezenca e tij në automjet nisi të diskutohej pas pamjeve që u publikuan në media, ku një person i gjakosur shihej pranë trupit të pajetë të Hamza Licit. Burimet konfirmuan se ky person ishte pikërisht Ibrahim Lici, i cili kishte pak kohë që ishte kthyer ilegalisht në Shqipëri. Ai supozohej të ishte në Turqi, nën masën e “arrestit të shtëpisë”, ku ishte në pritje të ekstradimit, duke qenë person i kërkuar nga drejtësia shqiptare. Megjithatë, as efektivët e Shqiponjave që ndodheshin shumë pranë tij në vendngjarje, nuk arritën të vepronin. Veprim që në fakt u kushtoi prangat 4 efektivëve, të cilët më vonë u liruan nga Gjykata.
Disa javë pas atentatit, kur dosja ishte në duart e SPAK, prokurorët e Posaçëm, i kërkuan Gjykatës leje për të ushtruar kontroll në zonën e “Dobraçit”, ku jetojnë anëtarët e fisit Bajri, të njohur për hasmërinë me familjen Lici. Një operacion i nisur në orët e para të mëngjesit të datës 12 dhjetor 2024, solli rrethimin e Shkodrës nga forcat speciale RENEA, që kryen veprime në zbatim të urdhrit të SPAK. Kontrolle u kryen edhe në Kiras, ku jeton familja Lici, por edhe në disa zona përreth. Megjithatë operacioni u mbyll me sekuestrimin e 5 automjeteve, një e blinduar me targa ruse, si dhe një shumë parash e disa telefona. Safet Bajri u shoqërua dhe u la i lirë pak më vonë e po ashtu edhe disa persona të tjerë. Ndërsa askush nuk ra në gjurmët e Ibrahim Licit. Megjithëse burimet thonë se shumë shpejt do të ketë emra konkret personash të akuzuar për “Masakrën e Dobraçit”, viti 2024 u mbyll pa ndonjë të arrestuar.
Kjo ngjarje po hetohet bashkë me dy procedime të tjera që duket se SPAK do i bashkojë në një të vetëm. Fillimisht, në Policinë e Shkodrës, më 22 janar 2025 u vetëdorëzuan dy persona. Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, të cilët njihen në Shkodër si persona pranë fisit Bajri. Të shoqëruar nga avokati Sokol Tahiri, ata u paraqitën në Drejtorinë e Policisë, pasi ndaj tyre kishte një masë sigurie “arrest me burg” nga Prokuroria e Shkodrës, për plagosjen e Vladimir Bruçit. Më 3 qershor të vitit 2024, pesë persona dhunuan me sende të forta Vladimir Bruçin, për një vend parkim, në mes të ditës në qytetin e Shkodrës. Për këtë ngjarje, më 4 qershor 2024, policia arrestoi edhe Edmond Sakicën, ndërsa në kërkim rezultojnë ende Samet Halluni dhe Alban Bruçi. Një tjetër person që kërkohej për këtë ngjarje, Arlind Kajoshi, i cili njihet si lidhje e Izmir Sakicës, Samuel Troshanit dhe Samed Hallunit, u arrestua më 25 maj 2025.
Por teksa ndodheshin në qeli për këtë ngjarje, për Izmir Sakicën e Samuel Troshanin, vendoset një tjetër masë sigurie, kësaj here nga Gjykata e Posaçme. Ndërsa RENEA, me urdhër të SPAK zhvillon një operacion në Shkodër më 18 shkurt 2025. Një prej personave që pritej të shoqërohej ishte edhe Safet Bajri, por atë ditë nuk u gjet. SPAK urdhëroi arrestimin e 4 personave të dyshuar për përplasjen me armë në Bushat të Shkodrës, ngjarje e ndodhur më 23 gusht të vitit 2024.
Një ditë pas aksionit në Shkodër, Prokuroria e Posaçme dha informacion zyrtar, duke konfirmuar se operacioni u zhvillua në kuadër të hetimeve për përplasjen me armë të ndodhur në Rranxë të Bushatit, ku u godit me armë automjeti i blinduar “Audi A8”, me të cilin udhëtonin Samuel Troshani dhe Izmir Sakica. Nga hetimet e zhvilluara rezulton ditën e ngjarjes, rreth orës 17.00 të pasdites personat nën hetim Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe Franko Leka, i cili ende nuk është ndaluar. bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar, janë nisur të organizuar me mjete të blinduara në drejtim të fshatit Rranxë, në Njësinë Administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës. Sipas SPAK Personat nën hetim kanë qenë të armatosur dhe ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, se ata kanë shkuar në këtë zonë me qëllim vrasjen e personit nën hetim Aleksandër Prendi dhe familjarëve të tij, banorë të kësaj zonë. Në kohën që ata kanë qenë duke kaluar në këtë zonë, janë qëlluar me armë zjarri nga personi nën hetim Aleksandër Prendi. Për këtë ngjarje, Gjykata e Posaçme ka vendosur “arrest me burg” edhe për Andrea Prendin, por as ai nuk është arritur të arrestohet.
Por, burime nga grupi hetimor thonë se paralelisht me këtë procedim, për disa nga të dyshuarit dhe persona të tjerë, po kryhen hetime edhe në lidhje me Masakrën e Dobraçit. Madje deri në këtë fazë ka emra konkret personash të dyshuar që kanë marrë pjesë në atë ngjarje, por ende nuk janë mbledhur provat e nevojshme.
E teksa ende nuk janë arritur të gjenden prova për personat e përfshirë në vrasje, edhe personi i vetëm që ndodhej në qeli, i dyshuar për vjedhjen e makinës së përdorur nga atentatorët, ka arritur të fitojë lirinë. Me një vendim të datës, 12 maj 2025, Gjykata e Posaçme, pranoi kërkesën e SPAK, për zëvendësimin e masës së sigurisë, ndaj 24-vjeçarit Gjuljo Vuksani, i cili mbahej në burg prej datës 14 nëntor 2024, ku u ndalua nga Policia, për vjedhje me pasoja të rënda. Gjykata ndryshoi masën nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.
Vuksani kishte bërë edhe më herët kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurisë, që ishte rrëzuar nga Gjykata e Posaçme më 14 shkurt 2025. Në këtë vendim, jepen detaje nga arrestimi i tij dhe shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit në vjedhjen e makinës “Land Rover”, që u përdor nga atentatorët në “Masakrën e Dobraçit”, e më pas u gjet e djegur bashkë me armët e krimit. Shpjegohet dinamika e ngjarjes dhe se si Policia ra në gjurmët e dy personave që kishin vjedhur automjetin.
Dosja e Prokurorisë
Në datën 30 tetor 2024, rreth orës 15:45, është marrë njoftim në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër se në vendin e quajtur Rruga e Tuzit, fshati Dobraç, ka ndodhur plagosje me armë zjarri dhe dyshohej se ishin plagosur dy persona. Dy shtetasit e plagosur janë transportuar në Spitalin Rajonal Shkodër ku njëri nga këta shtetas ka ndërruar jetë, ndërsa personi tjetër është transportuar në gjendje të rëndë. Dy personat në fjalë kanë qenë duke udhëtuar me një mjet tip “Benz”, ngjyrë e zezë, me targa kroate ST 3510 AL. Si pasojë e të shtënave, dyshohet se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një motor me targa EDN 436, ku si pasojë është plagosur rëndë drejtuesi i motorit, shtetasi Bashkim Basha dhe ka mbetur e vdekur në vend bashkëshortja e tij, Flutur Basha, 56 vjeçe.
Në vijim është konstatuar se, viktima që ishte vrarë me armë zjarri, i cili ka qenë drejtues i mjetit me targa kroate, është identifikuar si shtetasi Hamza Lici, 23 vjeç, lindur dhe banues në lagjen Guerile Shkodër. Personi i plagosur me armë zjarri, i cili po ashtu ka vdekur pas disa orësh në spital dhe ka qenë pasagjer në mjetin me targa kroate, është shtetasi Arlind Bushati, 32 vjeç, lindur e banues në Shkodër. Drejtuesi i motorit, Bashkim Basha, i cili është transportuar në gjendje të rëndë në spitalin rajonal Shkodër ka vdekur pas disa ditësh.
Rreth orës 17:00 është marrë njoftim se në fshatin Golem, Njësia Administrative Rrethina, pikërisht në aksin dytësor rrugor të shtruar me çakull, me drejtim lëvizje rruga e Koplik-Shkodër- Stom Golem, është gjetur një mjet i djegur. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se mjeti ishte tërësisht i djegur. Tek kupa e gomës së parë të anës së drejtuesit të mjetit ndodhet stema e markës “Land Rover”. Në sipërfaqen e tokës, në pjesën e përparme të mjetit është gjetur targa e mjetit, e mbuluar me mbetje të djegura “PGCU597”. Në krahun e majtë të ndenjëses së pasagjerit përpara u konstatua një armë zjarri e djegur dhe në ndenjësen e pasme të pasagjerit u konstatua edhe një tjetër armë zjarri, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Nga rikëqyrja në ambientet e repartit të Forcës së Sigurisë Kombëtare të këtij mjeti është fiksuar dhe numri i shasisë.
Dosja e Prokurorisë
Nga këqyrja e kufomës së shtetasit Hamza Lici ka rezultuar se viktima kishte 17 plagë me armë zjarri në kokë dhe në trup. Nga këqyrja e kufomës së shtetasit Arlind Bushati ka rezultuar se kishte një plagë me armë zjarri në kokë. Ndërkohë, në sistemin TIMS PORTAL, “E-gjoba” mjeti që iu gjet i djegur, figuron me “ALERT” në sistem dhe është mjet i markës Land Rover, ngjyrë gri e errët me targa AB445MC, i denoncuar i vjedhur dhe shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, më 18 prill 2024. Nisur nga ky fakt është komunikuar me Policinë e Durrësit dhe nga ana e tyre është njoftuar se shtetas të dyshuar për vjedhjen e këtij automjeti ishin Gjuljo Vuksani, 24 vjeç dhe Gabriel Kola, 22 vjeç. Këta dy shtetas dyshohet se më datë 17 prill 2024 kanë vjedhur automjetin e mësipërm dhe automjete të tjerë në qytetin e Durrësit.
Çfarë bie në sy nga dosja hetimore, është miqësia që Arlind Bushati, njëri nga viktimat e “Masakrës së Dobraçit”, mund të ketë pasur me autorin e dyshuar për vjedhjen e makinës që u përdor në ngjarje. Të paktën, nga verifikimet në sistemin TIMS, Gjuljo Vuksani dhe Arlind Bushati rezultojnë të kenë udhëtuar me të njëjtën makinë drejt Malit të Zi dhe janë kthyer brenda ditës, më 18 prill të vitit 2024. Të dy kanë dalë dhe kanë hyrë ne territorin e Shqipërisë nga Pika e Kalimit Kufitar Muriqan. Automjeti, me të cilin kanë udhëtuar, ka qenë “Audi A6”, në pronësi të Arlind Bushatit.
Dosja e Prokurorisë
Gabriel Kola, nga verifikimet në sistemin TIMS rezultonte se ndodhej jashtë territorit të Shqipërisë. Dalja e tij e fundit ishte më datë 13 qershor 2023 nga Komisariati i Policisë Rinas, ndërsa Gjuljo Vuksani sipas sistemit TIMS, rezultonte të ishte në Shqipëri, por më datë 18 prill 2024 kishte dalë nga territori i Shqipërisë në Pikën Kufitare Muriqan, me automjetin me targa AB666KP, në orën 08:40 dhe është kthyer po atë ditë në orën 19:35, ku në të njëjtën orë dhe me të njëjtin automjet ka hyrë dhe ka dalë së bashku me viktimën, Arlind Bushati. Nga këqyrja e sistemit TIMS PORTAL, E-gjoba, mjeti me targa AB666KP figuron të jetë automjet i markës “Audi”, modeli A6, ngjyrë gri, në pronësi të Arlind Bushati.
VJEDHJA E MAKINËS QË U PËRDOR NË KRIM
Makina “Land Rover”, e cila u përdor nga atentatorët për vrasjen e datës 30 tetor 2024, në Dobraç të Shkodrës, rezulton të jetë vjedhur në Durrës 6 muaj para ngjarjes.
Dosja e Prokurorisë
Nga aktet hetimore që lidhen me vjedhjen rezulton se, në datën 17 prill 2024, në qytetin e Durrësit, në lagjen nr. 17 është vjedhur automjeti “Land Rover”, me targa AB 445 MC. Nga hetimi dyshohet se autorë të veprës penale janë shtetasit Gabriel Ndue Kola dhe Gjulio Franc Vuksani, nga Shkodra, të cilët për kryerjen e veprës penale kanë përdorur automjetin e markës “Mercedes Benz”, me targa AB 056 NB. Ata janë ndalur nga ana e patrullës së policisë të forcës “Shqiponja”, 2-3 orë para ngjarjes së datës 17 prill 2024 për kontroll rutinë. U janë marrë gjeneralitetet dhe është mbajtur raport shërbimi, si dhe u janë mbajtur dhe kopje të lejeve të drejtimit dhe të targës së mjeti. Nga procesverbali i këqyrjes së pamjeve filmike rezulton të jenë konstatuar dy personat nën hetim që vjedhin dy automjete “Land Rover”, përfshirë dhe atë me targa AB 445 MC.
Në deklarimet e dhëna nga punonjësit e Policisë ata deklarojnë se personat në video janë të njëjtë me ata që kanë ndaluar gjatë patrullimit. Ndodhur para këtyre fakteve, nga ana e prokurorit është lëshuar urdhri i ndalimit për personin nën hetim Gjuljo Vuksani, urdhër ky i ekzekutuar në datën 14 nëntor 2024. I pyetur si person nën hetim, i ndaluari Gjuljo Vuksani ka mohuar pjesëmarrjen e tij në ngjarje, si dhe nuk ka pranuar që të ketë lëvizur në qytetin e Durrësit.
Organi i akuzës, në caktimin e masës së sigurimit vlerëson rrezikshmërisë shoqërore që paraqet vepra penale “Vjedhja” me pasojë të rëndë, rrethanat e kryerjes së veprës penale, mënyrën e të vepruarit të personit nën hetim, i cili ka lëvizur nga një qytet në tjetrin duke realizuar vjedhjet e automjeteve “Land Rover”, ku brenda një nate janë vjedhur dy të tillë, si dhe faktin mohues të tij, rrethana të cilat tregojnë për rrezikshmëri të personit nën hetim. Sipas Prokurorisë masa që i përmbush më së miri nevojat e sigurimit në rastin konkret është ajo e “Arrestit në burg”.
Në këto kushte, në datën 14 nëntor 2024, ora 17:55 nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore është kryer ndalimi i Gjuljo Vuksanit, lindur në Australi dhe banues në Rrugën “Tre Heronjtë”, Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhje”, me pasojë të rëndë, kryer në bashkëpunim.
Nisur nga këto rrethana, Prokuroria Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën e datës 15 nëntor 2024 me objekt: “Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg” ndaj 24-vjeçarit Gjuljo Vuksani.
GJYKATA E POSAÇME
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pasi e shqyrtoi çështjen me vendimin nr. 139, dt. 17 nëntor 2024 ka vendosur: Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim Gjuljo Vuksani, kryer nga policia gjyqësore në datë 14 nëntor 2024, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja”, me pasojë të rëndë, kryer në bashkëpunim. Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues ndaj të dyshuarit Gjuljo Vuksani atë të “Arrestit në burg”. Urdhërohet Policia Gjyqësore, që personi nën hetim Gjuljo Vuksani, të dërgohet menjëherë në institucionin e paraburgimit, për të qëndruar aty në dispozicion të organit procedues.
Kundër vendimit gjyqësor, është ushtruar ankim nga Gjuljo Vuksani dhe Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 65, datë 12 dhjetor 2024 ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë. Por ndërkohë, me një tjetër vendim, atë të datës 12 maj 2025, Gjykata e Posaçme ka ndryshuar masën e sigurisë, duke e lënë atë në arrest shtëpie.
Prokuroria e Posaçme kishte regjistruar procedimin penal me nr. 220, të vitit 2024, të dërguar për kompetencë nga Prokuroria e Shkodrës, për kryerjen e veprave penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Në kuadër të këtij procedimi janë kryer edhe disa veprime të tjera hetimore, në lidhje me ngjarjen e datës 30 tetor 2024. Janë kryer disa verifikimi në lidhje me personin e dytë, që dyshohet të ketë bashkëpunuar me Gjuljo Vuksanin për vjedhjen e makinës që u përdor në “Masakrën e Dobraçit”. Sipas raportit të shërbimit të datës 17 prill 2024, së bashku me Vuksani në makinë me të ka qenë edhe Gabriel Kola, i cili sipas raportit të TIMS, në këtë datë rezulton të ketë qenë jashtë Shqipërisë.
Dosja e Prokurorisë
Nisur nga fakti se në ditën e vjedhjes së makinës, Gabriel Kola, sipas sistemit TIMS rezulton jashtë Shqipërisë, janë kryer verifikime për persona të tjetër familjarë të tij. Nga burime në rrugë operative janë mësuar të dhëna me interes lidhur me vëllain e Gabriel Kolës, shtetasin Paulin (Pavlin) Kola, 31 vjeç. Nga verifikimet e kryera, rezulton se ky shtetas është dyshuar disa herë për vjedhjen e makinave apo mjeteve të tjera motorike në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Ky shtetas, gjithashtu është dyshuar si autori i veprës penale “shkatërrim i pronës me eksploziv”, ku së bashku me Alvaro Vuksani (vëllai i Gjuljo Vuksanit) kanë vënë një sasi lëndë shpërthyese në zyrën e një notereje në Tiranë.
Pra, vëllezërit e dy personave të dyshuar për vjedhjen, kanë qenë të dyshuar si autorë të ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 30 janar 2024, ku një sasi eksplozivi shpërtheu në një zyrë noterie në zonë e ish-Bllokut në kryeqytet. Zyra ishte në pronësi të noteres Esmeralda Dauti, ndërsa lënda plasëse ishte vendosur në derën e objektit. Në lidhje me ngjarjen, Policia e Tiranës arrestoi Real Zefin, Korrado Katanën dhe Eno Flamurajn. Ndërsa shpalli në kërkim Paulin Kolën dhe Alvaro Vuksanin. Kola u arrestua 2 muaj pas ngjarjes, ndërsa Vuksani nuk u arrit të gjendej.
Prokuroria ka urdhëruar disa veprime shtesë hetimore, duke kërkuar nga kompanitë telefonike informacion lidhur me logimet e numrave të telefonit në pikat, ku sipas pamjeve filmike kanë lëvizur autorët në Durrës. Gjithashtu edhe në në lidhje me telefonin që i është sekuestruar Gjuljo Vuksanit, i cili është dërguar për ekspertim teknik-kompjuterik pranë Zyrës së Ekspertizës së Prokurorisë së Posaçme.
Nga ana tjetër, avokati i Gjuljo Vuksanit, Gerti Ymeri ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme, disa prova, që sipas tij dëshmojnë për pafajësinë e të arrestuarit që mbrohej prej tij. Provat në fakt lidhen me Gabriel Kolën, person i cili sipas punonjësve të policisë ka qenë së bashku me Gjuljo Vuksanin me datë 17 prill 2024 në qytetin e Durrësit, ditën kur është vjedhur automjeti i “Land Rover”, ngjyrë gri, me targa AB 445 MC, me të cilin dyshohet se është realizuar vrasja.
Avokati Gerti Ymeri
Më konkretisht, shpjegojmë se në datën në fjalë shtetasi Gjuljo Vuksani dhe shtetasi Gabriel Kola nuk kanë qenë në qytetin e Durrësit dhe shpjegimet e punonjësve të Policisë që i ngarkojnë këta shtetas me përgjegjësi për kryerjen e kësaj ngjarje rezultojnë qartazi se janë të pavërteta. Një fakt që provon këtë pretendim tonin është edhe ai që vetë Prokuroria pranon në aktet e saj në ngarkim të Gjuljo Vuksanit, që është ai se bashkëpunëtori i “supozuar” i Gjuljos në këtë ngjarje, shtetasi Gabriel Kola nuk ndodhej në Shqipëri në kohën e ndodhjes së kësaj ngjarje, pasi ai rezultonte të kishte dalë nga Republika e Shqipërisë me datën 13 qershor 2023. Ky fakt shumë i rëndësishëm hedh poshtë si të pavërteta shpjegimet e punonjësve të Policisë, të cilat për sa kohë rëndojnë të dy shtetasit, si Gabriel Kolën ashtu dhe Gjuljo Vuksani në të njëjtën kohë, nuk mund të vlerësohen në mënyrë të pjesshme, por duhet të vlerësohen në tërësi. Pra nëse këto deklarime janë të pasakta për Gabriel Kolën qartësisht ato duhet të çmohen në këtë formë edhe për Gjuljo Vuksanin. Kjo bazuar jo vetëm në të vërtetën e ngjarjes, por edhe në parimin procedurial të “çdo dyshimi në favor të personit nën hetim”.
Sipas avokatit, i takon Prokurorisë barra e provës për të vërtetuar saktësinë dhe bazueshmërinë e deklarimeve të punonjësve të Policisë. Sipas mbrojtjes, për sa kohë provohet se deklarimet e tyre janë të pasakta të paktën për njërin nga personat, në emër të të cilit ata deklarojnë kryerjen e ngjarjes, është e qartë që këto deklarime janë të pasakta në tërësi.
Avokati Gerti Ymeri
Në mbështetje të kësaj që thamë më sipër duam të depozitojmë si prova: a) Deklaratën noteriale të shtetasit Gabriel Kola (me vulë apostile) dhënë përpara noterit publik në shtetin Michigan, të SHBA, me datën 25.11.2024. Bazuar në këtë deklaratë noteriale evidentohet fakti se shtetasi Gabriel Kola ka hyrë në SHBA me datën 13.06.2023 dhe ndodhet në këtë shtet që në atë kohë. Po kështu përmes kësaj deklarate noteriale shtetasi Gabriel Kola mohon të këtë qenë me shtetasin Gjuljo Vuksani me datën 17.04.2024 në Durrës, duke shpjeguar se pas datës 13.06.2023 ai nuk ka ardhur më në Shqipëri dhe nuk ka pasur asnjë kontakt me Gjuljon. b) Kopje të pasaportës së shtetasit Gabriel Kola, ku evidentohen vulat që pasqyrojnë hyrjet dhe daljet e tij, që janë të datës 13.06.2024. c) Vërtetimet e pagës së shtetasit Gabriel Kola për gjithë vitin 2024, që vërtetojnë faktin se ky shtetas ka qenë gjatë gjithë vitit 2024 në shtetin Michigan SHBA, madje edhe në kohën kur pretendohet të këtë kryer ngjarjen me Gjuljo Vuksanin.
Në fakt ka një lloj dyshimi edhe në lidhje me dëshmitë e punonjësve të Policisë së Durrësit, nisur edhe nga ngjashmëria fizike që Gjuljo Vuksani ka me të vëllain, Alvaro Vuksani. Por qoftë edhe me dokumentet që mund të kenë paraqitur dy të rinjtë e ndaluar nga Policia atje ditën kur është realizuar vjedhja e makinës “Land Rover”, nëse kanë qenë dokumentet e tyre apo të vëllezërve, që në fakt rezultojnë me precedentë penalë.
Megjithatë, Gjykata e Posaçme në vendimin e datës 14 shkurt 2025, vlerëson të theksojë faktin se, nevojat e sigurimit diktohen nga rreziku i ikjes së personit nën hetim apo të pandehurit, ndaj të cilit caktohet masa e sigurimit, rreziku i ndikimit në marrjen ose vërtetësinë e provave gjatë fazës së hetimit ose rreziku i vazhdimësisë së veprimtarisë kriminale. Në çështjen objekt shqyrtimi, referuar dinamikës së veprimeve dhe akteve të hetimeve paraprake të realizuara nga organet proceduese, rezulton se aktualisht hetimet ndaj këtij personi nuk janë mbyllur nga ana e organit të akuzës, i cili aktualisht është në fazën e hetimeve paraprake të mbledhjes së provave. Për këtë arsye, Gjykata çmon se në rastin konkret vijojnë të ekzistojnë shkaqe që vënë në rrezik provat, nëse ndaj personit nën hetim nuk do të vendoset një masë sigurimi personale shtrënguese, në kuadër të realizimit dhe të procesit të verifikimit nga organi procedues. Kryerja e këtyre veprimeve mund të “rrezikohet” nga lënia e lirë e personit nën hetim dhe nga kontakti i tij me persona që kanë interes në mos zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë. Gjithashtu, Gjykata vlerëson se jemi edhe para ekzistencës së rrezikut të largimit duke marrë parasysh masën e lartë të dënimit që parashikon dispozita ligjore për veprën penale, për të cilën dyshohet ai.
Vendimi i Gjykatës
Në lidhje me pretendimet e kërkuesit, personit nën hetim, Gjuljo Vuksani mbi rrethanat faktike, bazuar dhe në deklarimin e shtetasit Gabriel Kola, person nën hetim në kuadër të këtij procedimi penal, Gjykata vlerëson se këto pretendime nuk mund të jenë objekt shqyrtimi i këtij gjykimi, por se ato do të vlerësohen në unitet dhe një nga një nga ana e gjykatës në gjykimin e çështjes në themel. Në përfundim, duke marrë në konsideratë të gjitha sa u arsyetua dhe analizua si më sipër, Gjykata vlerëson se nuk ka vend për zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg”, ndaj personit nën hetim Gjuljo Vuksani me ndonjë masë tjetër sigurimi më të butë.
Megjithatë, afro 3 muaj pas këtij vendimi, Gjykata e Posaçme i ka zbutur masën e sigurisë, duke e lënë në “arrest shtëpie”.
Persona të caktuar mund t’i shërbejnë hetimeve më shumë në liri sesa në qeli. Hetimet për Gjuljo Vuksanin vazhdojnë ende, edhe pse tashmë ai ndodhet në “arrest shtëpie”. Asgjë nuk ka përfunduar. Një telefonat, një takim apo edhe më shumë se kaq, mund t’i shërbejnë grupit hetimor për të zbuluar prova të reja. Gjithmonë nëse ka qenë ky qëllimi i SPAK, që ka kërkuar vetë ndryshimin e masës së sigurisë.
HETIMI PËR MASAKRËN E DOBRAÇIT
Hetimi për “Masakrën e Dobraçit” në fakt është shoqëruar nga dritëhije sa i takon disa veprimeve apo mosveprimeve nga ana e Policisë së Shkodrës. Përveç faktit të arrestimit të 4 efektivëve të Shqiponjave, që më pas u liruan nga Gjykata, dyshohet se në rastin më të mirë nëglizhenca e në rastin më të keq mosverpime të qëllimshme, lidhen me momentet pas ndodhjes së krimit. Këto më tepër me vonesën për të shkuar në vendin ku po digjej automjeti “Land Rover”, i përdorur nga autorët për realizimin e vrasjes. Ndonëse ndodhej vetëm 2.5 kilometër në vijë ajrore nga vendi ku ndodhi ngjarja dhe shumë pranë Komisariatit të Shkodrës, shërbimet kanë mbërritur aty vetëm pasi flakën kishin shkrumbuar gjithçka. Dëshmitë flisnin për tymin që ishte parë deri në Shirokë, por duket se ata që e kishin më afër, arritën ta shihnin shumë më vonë. Aq vonë sa, qëllimisht apo thjeshtë nga neglizhenca, koha ishte e mjaftueshme që zjarri të zhdukte çdo provë të vlefshme. Madje edhe gjurmët e gjakut të një prej atentatorëve që dyshohet të jetë plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Ky person, që supozohet të jetë ende gjallë, pa çka se ka informacione se mbeti i plagosur rëndë në masakrën e Dobraçit, 30 tetorin e vitit 2024, ishte Eljon Hato.
Është pikërisht kjo ngjarje, ku Hato pretendohet të jetë takuar edhe një herë tjetër me vdekjen, pasi gjendej në makinën e atentatorëve, të cilët qëlluan për vdekje Hamza Licin, vëllain e Ibrahim Licit, Arlind Bushatin dhe ku mbetën të vdekur edhe çiftit Bashkim dhe Flutura Basha që po udhëtonin me motor.
Një tjetër provë e gjetur në makinën e viktimave, që ende nuk dihet nëse ka prodhuar ndonjë element të rëndësishëm për hetimet, është një GPS që ishte vendosur poshtë saj. Përmes tij, dyshohet se janë kontrolluar të gjitha lëvizjet e automjetit “Mercedes Benz”, që është ndjekur deri në vendin ku u sharrua nga plumbat.
Mund të ketë edhe shumë elementë të tjerë që nga hetimet paraprake, ndoshta nuk janë marrë aq seriozisht sa duhet, por kanë ndikuar mjaftueshëm sa kanë penguar për një kohë të gjatë sigurimin e provave të nevojshme për të ngritur akuza ndaj personave që duket se Prokuroria i ka të dyshuar për ngjarjen.
Sot pas arrestimit të Safet Bajrit, për të cilin tashmë ka një akuzë zyrtare për vrasjen e Fatbardh Licit, rivaliteti mes dy familjeve duket se është vulosur një herë e mirë. Sfida e drejtësisë tashmë është arrestimi i Ibrahim Licit, që të paktën pas Masakrës së Dobraçit u konfirmua prezenca e tij, në Shkodër, edhe pse askush nuk e tha zyrtarisht. Madje duket se i gjithë organizimi i 30 tetorit 2024, ishte për të realizuar vrasjen e tij. Shkodra ka qenë e gjunjëzuar para këtyre personazheve që për vite me radhë kanë sfiduar institucionet e drejtësisë e Policisë, herë me para, herë me presione e herë me lidhjet që ata kishin. Qytetarët mund të marrin frymë lirisht vetëm atëherë kur “lufta” mes dy fiseve që kanë dominuar Shkodrën të marrë fund një herë e mirë. E kjo është vetëm në dorën e drejtësisë./abcnews.al
“Turp për ty”/ Grenell, Vjosa Osmanit: Manipulove fjalët e presidentit Trump
Richard Grenell i ka quajtur “manipulim të fjalëve të Donald Trump”, fjalët e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, referuar presidentit amerikan se “javët e fundit” e ka parandaluar një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë.
Grenell tha se “është absurde” të pretendohet se ka pasur diçka të re dhe se fjalët e Trump i referohen kohës së Marrëveshjes së Uashingtonit.
“Turp për Vjosa Osmanin që manipuloi fjalët e Presidentit Donald Trump. Donald Trump u nominua për Çmimin Nobel për Paqen për punën e tij në paqen dhe normalizimin ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë në vitet 2019 dhe 2020 – përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit nga Trump në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë. Osmani nuk ishte pjesë e asaj marrëveshjeje. Dhe të pretendosh sikur kishte diçka të re është absurde”, shkroi Grenell në “X”./abcnews.al
Shame on @VjosaOsmaniPRKS for manipulating President Donald Trump’s words.
Donald Trump was nominated for a Nobel Peace Prize for his work on Kosovo-Serbia peace & economic normalization in 2019 and 2020 – through the Trump White House signing of the Washington Agreement in the… pic.twitter.com/zXRWs8qyy3
— Richard Grenell (@RichardGrenell) July 13, 2025
-
- Koreja e Veriut paralajmëron për veprime ushtarake pas stërvitjeve të përbashkëta të SHBA-së, Japonisë dhe Koresë së Jugut
Koreja e Veriut paralajmëron për veprime ushtarake pas stërvitjeve të përbashkëta të SHBA-së, Japonisë dhe Koresë së Jugut
Koreja e Veriut thotë se është e gatshme të ndërmarrë veprime ushtarake për t’iu kundërvënë çdo kërcënimi sigurie kundër saj, pasi SHBA-të, Koreja e Jugut dhe Japonia morën pjesë në stërvitje të përbashkëta ajrore pranë Gadishullit Korean.
Paralajmërimi vjen një ditë pasi Sergei Lavrov, ministri i jashtëm i Rusisë, vizitoi Korenë e Veriut dhe u takua me udhëheqësin Kim Jong Un.
Atje, Lavrov paralajmëroi SHBA-në, Korenë e Jugut dhe Japoninë kundër formimit të një partneriteti sigurie që synon Korenë e Veriut.
Të tre vendet kanë zgjeruar stërvitjet e tyre ushtarake trepalëshe në përgjigje të programit bërthamor në përparim të Phenianit, duke mbajtur një stërvitje të përbashkët ajrore të premten ku morën pjesë bombardues amerikanë me kapacitet bërthamor pranë Gadishullit Korean./abcnews.al
Zjarr në Drenovë të Mallakastrës/ Digjen sipërfaqe me ullishte dhe shkurre
Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë mbrëmjen e sotme në fshatin Drenovë të Mallakastrës.
Flakët janë përhapur me shpejtësi, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe ullishte.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për shuarjen e zjarrit dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të tij.
Sipas burimeve nga terreni, ndërhyrja po vështirësohet për shkak të erës së fortë dhe terrenit të thyer./abcnews.al
Kavajë, përplasen dy mjete lundruese/ Plagoset njëri prej drejtuesve, tjetri arrestohet
Rreth orës 17:36, në Golem, Kavajë, në vendin e quajtur “Manhatan”, rreth 800 metra larg perimetrit të sigurisë,(zonë detare për lundrim jo zonë plazhi), shtetasi S. D., 25 vjeç, lindur në Çorovodë, duke drejtuar një motor uji, është përplasur në det me një tjetër motor uji, që drejtohej nga shtetasi P. B., 31 vjeç, lindur në Kosovë.
Si pasojë e përplasjes, shtetasi P. B. ka pësuar dëmtime dhe është transportuar menjëherë në spital, nga shërbimet e Policisë Kufitare që po monitoronin hapësirën detare. Aktualisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shtetasi S. D. është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme procedurale.
Nga verifikimet paraprake, rezulton se të dy drejtuesit e mjeteve lundruese po lundronin së bashku dhe ishin të pajisur me jelekë shpëtimi.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të përplasjes së dy Jet Ski-ve.
Vendet e Ballkanit mbështesin anëtarësimin e Ukrainës në NATO
Ministrat nga vendet e Ballkanit kanë mbështetur pranimin e Ukrainës në NATO kur të gjithë aleatët të bien dakord.
Një deklaratë e përbashkët e samitit u publikua nga Ukraina dhe Kroacia pas një takimi ministror në Dubrovnik, shkruan Sky News.
Nënshkruesit përfshinin zyrtarë të lartë nga Kroacia, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Sllovenia.
Sipas deklaratës, anëtarësimi në NATO mbetet “opsioni më i mirë i sigurisë nga ana e kostos efektive për Ukrainën”.
“As Rusia dhe asnjë shtet tjetër që nuk është anëtar i NATO-s nuk ka të drejtë të vërë veton ndaj zgjerimit të Aleancës”, thuhet në deklaratë.
Deklarata mbështeti gjithashtu anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës dhe kandidatëve të tjerë në Bashkimin Evropian./abcnews.al
Përkujtohet besëlidhja e Poçemit/ 82 vite më parë dy mijë burra ju bashkuan luftës antifashiste
Qytetare te Ballshit dhe zonave përreth i jane bashkuar ceremonise qe cdo vit perkujton nje nga ngjarjet me te rendesishme të luftes ne Mallakaster, beselidhjen e Poçemit.
Festa e Poçemit zhvillohet ne te njejtin shesh, mes pyllit me rrepe madheshtore, aty ku 2000 burra moren vendimin për t’iu bashkuar luftes antifashite nacionalclirimtare
Beselidhja e poçemit sipas kryebashkiakut të Mallakastres, Qerim ismaili, perkujton atdhedashurine dhe vetemohimin e banoreve te zones.
Beselidhja e Poçemit beri qe banoret e mallakastres, me ne krye mehmet shehun, rrapo hekalin dhe Bilbil Klosin, ti bashkoheshin LANÇ, ne korrik te vitit 1943./abcnews.al
“Marsi” në ankand/ Meteoridi 25 kilogramësh do të shitet për 2 deri në 4 milion dollarë
Një nga sendet më të rralla që është zbuluar ndonjëherë në Tokë do të dalë në ankand të mërkurën në New York. Bëhet fjalë për një meteorid 25 kilogramësh, i njohur si NWA 16788, i cili besohet se është fragmenti më i madh i Marsit i gjetur ndonjëherë në planetin tonë.
Shtëpia e ankandeve Sotheby’s ka vlerësuar çmimin e tij nga 2 deri në 4 milionë dollarë.
Ky shkëmb i jashtëzakonshëm, me ngjyra të kuqe, kafe dhe gri, besohet se është flakur nga sipërfaqja e Marsit pas një goditjeje të fuqishme nga një asteroid dhe ka përshkuar rreth 225 milionë kilometra për të rënë në shkretëtirën e Saharës, në Niger, në nëntor të vitit 2023.
Sipas Sotheby’s, meteori përbën rreth 7% të të gjithë materialit marsian të njohur në Tokë dhe është 70% më i madh se fragmenti i dytë më i madh i gjetur deri më sot. Testimet laboratorike kanë konfirmuar se ai ka përbërje identike me shkëmbinjtë marsianë të studiuar nga sonda “Viking” në vitin 1976.
Në të njëjtin ankand do të dalë edhe një tjetër zbulim mbresëlënës: skeleti i një Ceratosauri të ri, një dinozaur që jetoi rreth 150 milionë vite më parë. Skeleti, i cili është mbi 2 metra i lartë dhe afro 3.5 metra i gjatë, u zbulua në vitin 1996 në Wyoming të SHBA-së dhe është rikonstruktuar me përpikmëri nga ekspertët.
Ky ankand është pjesë e “Javës së Geek-ut 2025” në Sotheby’s dhe përfshin gjithashtu fosile, meteorë dhe minerale të rralla. Pasioni për historinë natyrore dhe shkencën po tërheq gjithnjë e më shumë koleksionistë që janë gati të paguajnë miliona për të pasur një copëz nga universi ose nga koha e dinozaurëve./abcnews.al
Koreja e Jugut: Veriu ka furnizuar Rusinë me 12 milionë predha artilerie
Koreja e Veriut i ka dërguar Rusisë mbi 12 milionë fishekë me predha artilerie 152 mm për t’i përdorur në Ukrainë, thotë inteligjenca ushtarake e Koresë së Jugut.
Shifra u publikua nga agjencia e lajmeve të Koresë së Jugut, Yonhap, duke cituar një raport nga agjencia e mbrojtjes e Seulit të paraqitur një politikani nga partia kryesore e opozitës.
Raporti vjen një ditë pasi Kim Jong Un u zotua të mbështesë “pa kushte” luftën në shkallë të plotë të Rusisë kundër Ukrainës, në një takim me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.
Pheniani ka dërguar tashmë rreth 10,000 ushtarë në Rusi për t’i përdorur në luftën e saj me Ukrainën.
Madje shumë prej tyre janë zënë rob lufte dhe Zelensky i ka bërë thirrje vazhdimisht Pekinit që të ndërprerë këtë praktikë.
Gisele Pelicot nderohet me titullin më të lartë të Francës
Gisele Pelicot, gruaja franceze që ka fituar vëmendje ndërkombëtare pasi ka dëshmuar publikisht në gjyqin për dhunimin masiv që ka përjetuar, i është ndarë titulli më i lartë i Francës.
Kjo 72-vjeçare është emëruar Kalorëse e Legjionit të Nderit, sipas një liste të publikuar para Ditës Kombëtare të Francës.
Pelicot ka hequr dorë nga e drejta për anonimitet në një gjyq të profilit të lartë kundër burrit të saj, i cili e ka droguar dhe dhunuar, si dhe i ka ftuar dhjetëra burra tjerë të huaj që të abuzojnë me të për gati një dekadë.
Pelicot është në mesin e 589 personave që u është ndarë ky çmim prestigjioz.
Ajo ka marrë pjesë në seancat gjyqësore pothuajse çdo ditë.
Ato kanë përfunduar në dhjetor të vitit të kaluar dhe Dominique Pelicotit, 72-vjeçar, i është dhënë dënim maksimal prej 20 vjetësh burgim për dhunim, pasi e ka pranuar se e ka dhunuar Giselen dhe i ka rekrutuar rreth 50 burra për ta dhunuar, derisa ajo ka qenë pa vetëdije në shtrat.
Gaza, 6 fëmijë palestinezë vriten ndërsa prisnin të mbushnin ujë
Dhjetë persona, përfshirë gjashtë fëmijë, janë vrarë në një sulm ajror izraelit, ndërsa prisnin të mbushnin ujë në Gazën qendrore.
Trupat e tyre u dërguan në Spitalin al-Awda të Nuseirat, i cili trajtoi gjithashtu 16 persona të plagosur, përfshirë shtatë fëmijë.
Dëshmitarët okularë thanë se një dron qëlloi një raketë drejt një turme që priste në radhë me bidona bosh pranë një cisterne uji në kampin e refugjatëve al-Nuseirat.
Banorët nxituan në vendngjarje dhe transportuan të plagosurit duke përdorur automjete private dhe karroca, shkruan BBC.
Bëhet e ditur se sulmi vjen ndërsa sulmet ajrore izraelite në të gjithë Rripin e Gazës janë përshkallëzuar.
Një zëdhënës i Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Gazës tha se 19 palestinezë të tjerë ishin vrarë sot, në tre sulme të ndara në ndërtesa banimi në Gazën qendrore dhe në Qytetin e Gazës.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) tha se spitali i tij në terren në Rafah kishte pranuar 132 pacientë “që vuanin nga lëndime të lidhura me armë” vetëm të shtunën, 31 prej të cilëve vdiqën./abcnews.al
Shefi i NATO-s, të hënën në Uashington/ Rutte do të takohet me presidentin Trump
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, do të vizitojë Uashingtonin nesër për takime me Donald Trump dhe zyrtarët e lartë të kabinetit të tij.
Njoftimi për shtyp që njoftonte vizitën nuk dha një arsye të menjëhershme për udhëtimin, por Trump tha së fundmi se do të ishte i gatshëm të furnizonte me armë Ukrainën nëpërmjet NATO-s.
Presidenti amerikan ka premtuar gjithashtu se do të bëjë një “deklaratë të rëndësishme” në lidhje me Rusinë nesër, të cilën disa besojnë se mund të jetë mbështetja e tij për një projektligj për sanksione kundër Moskës.
Përveç takimit me Trump gjatë udhëtimit dy-ditor, Rutte do të zhvillojë bisedime edhe me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, dhe sekretarin e mbrojtjes, Pete Hegseth./abcnews.al
Siguria Detare, nga Ksamili në Koman/ Kontrollohen 254 mjete lundruese, bllokohen 36 prej tyre
Në një aksion të nisur nga Ksamili në jug e deri në Koman në veri, policia ka sekuestruar dhe bllokuar 36 mjete lundruese, ndërsa ka mundur që të shpëtoje nga mbytja, 18 persona, shqiptarë dhe të huaj.
Gjatë javës së fundit, janë kontrolluar 254 mjete lundruese, nga të cilat janë bllpkuar 24 Jet Ski, 5 Skafe, 4 gomone dhe 3 varka metalike kanë qënë jashtë zonave të miratuara dhe pa dokumentacion përkatës.
Policia thotë se 13 mjete lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative 100,000 lekë secili.
Ndërkohë nga Ksamili në Velipojë, Policia Kufitare ka ndërhyrë në 10 raste për t’u ardhur në ndihmë 18 shtetasve, të cilët ndodheshin në rrezik për shkak të dallgëve të forta apo defekteve në mjetet e tyre lundruese.
Policia Kufitare apelon për respektimin e rregullave për përdorimin e mjeteve lundruese, pasi askush nuk do të tolerohet./abcnews.al
NewsHour me Fabiola Hoxhën, (13/07/2025)
Problematikat e qytetarëve në Tiranë/ Rama mbledhje të hënën me deputetët dhe drejtorët e bashkisë
Paraditen e së hënës, kryeministri Edi Rama do të zhvillojë mbledhje me deputetët e qarkut të Tiranës dhe kandidatët e drejtorët e bashkisë.
ABC News mëson se takimi, që do të mbahet tek Hotel Tirana, do të ketë në fokus evidendimin e problematikave që janë hasur në terren.
Lidhur me këto problematika, deputetët do të raportojnë te kreu i qeverisë, Edi Rama.
Më 4 korrik në një takim që zhvilloi me deputetët e Tiranës Rama u ka kërkuar atyre për dy javë, të evidentojnë problematikat e qytetit përmes kontakteve të drejtpërdrejta me qytetarët./abcnews.al
Kosovë/ Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e 46-të
Kuvendi i Kosovës nuk është konsituuar as të dielën e 13 korrikut, dhe kështu deputetët kanë shënuar herën e 46-të që mblidhen, akuzojnë njëri-tjetrin dhe nuk e finalizojnë procesin.
Pavarësisht që deputetët e secilës parti insistojë në rëndësinë e formimit të institucioneve të reja, ato prapëseprapë nuk lëkunden nga qëndrimet e kundërta që kanë.
Në seancën e 13 korrikut kanë marrë pjesë 82 deputetë.
Edhe pasi kryesuesi i seancës, Avni Dehari e ka mbyllur seancën, disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë vazhduar të mbajnë fjalime drejtuar qytetarëve të Kosovës me thirrjet që Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – partia që ka fituar më shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit – t’i japë fund kësaj situate.
Sipas tyre, LVV-ja po e “saboton qëllimshëm shtetin”.
Situata është bllokuar pasi PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit është jokushtetuese.
Vera shton urgjencat/ Brataj: Temperaturat e larta rëndojnë shëndetin tek të moshuarit
Telefonat bien më shpesh se zakonisht. Në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore thirrjet për ndihmë janë shtuar.
Kryesisht të moshuarve e të sëmurëve kronikë vala e të nxehtit që ka përfshirë vendin iu ka rënduar shëndetin. Nuk kanë munguar as fëmijët që kanë pasur nevojë per ndihmë mjekësore.
“Thirrjet janë 200 – 300 në ditë, më shumë se muaji kaluar, rreth 15 – 20 misione më shumë sa I përket numrit të vizitave në banesë nga personeli.
Rreth 15% është vetëm presioni arterial, shumë I përhapur, ka herë pas here kriza hipertensive.
15% virozat dhe gastrointeritet që shfaqen me temperaturë, me të vjella, me dhimbje koke, gjendje febrile, dehidratime dhe rreth 9.5% janë pickimet dhe alergjitë.”
Por ndryshe nga muajt e mëparshëm urgjencat më së shumti janë zhvendosur nga Tirana në bregdet. Numri I vizitave që kryhen në disa prej qendrave shëndetësore verore sipas Drejtorit të Urgjencës Kombëtare është I ngjashëm me atë të një spitali.
“Në Tiranë jemi pak më pak se kemi një spostim te popullsisë, por sidomos zonat bregdetare që kanë më shumë thirrje dhe misione.
“Kemi qendra shëndetësore që funksionojnë si spitale realisht, Velipoja që është në vend të parë me 1 mijë 770 vizita në qershor qe I bie rreth 50 në ditë, Shëngjini me 1500 -1600, plazhi I Durrësit, Drimadha, Ksamili, kanë më shumë rolin e spitaleve sesa të ashtuquajtura qendra shëndetësore.
Mbi 16 mije vizita 4386 janë turistë të huaj, 26% të huaj 74% shqiptarë.
Ka pas referime per spitale, 3.15% e atyre qe kanë shkuar kanë pas nevojë për vlerësim më të detajuar.”
Përballë temperaturave të larta drejtori I Ugjencës Kombëtare iu këshillon qytetarëve.
“Nëse ka ekspozim të gjatë në diell veç të vjellave, lodhje, këputje dhe konfuzion sigurisht që duhet të marrë në telefon 127 për të dhënë jo vetëm një rekomandim, por dhe për të shkuar në vendngjarje se këto persona janë në vështirësi të eleminojnë lagështinë që prodhon organizmi.”/abcnews.al