Rriten helmimet nga alkooli/ Mjekët: Kryesisht të rinjtë, e përziejnë me drogën
Vera shton festat e bashkë me to dhe konsumin e alkoolit. Abuzimi me sasinë dhe përziera me substanca narkotike ka shtuar dhe helmimet.
Mjekët në shërbimin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë thonë se janë në fluksin e punës.
“Me rritjen e temperaturave kanë filluar të rriten dhe rastet toksikologjike. Më shumë intoksikacione nga alkooli, së bashku dhe substancat e tjera. Rritet sasia e konsumimit të alkoolit gjithashtu dhe kombinimi me substanca të tjera, lëndë narkotike. Alkooli varjon nga birra, vera dhe kokteilet e ndryshme, të gjitha llojet”, tha mjekja Matilda Kambo.
Pacientët më të shpeshtë që kërkojnë ndihmën e mjekëve toksikologë janë djem dhe vajza, kryesisht të rinj. Më shumë gjatë fundjavës. Disa prej tyre paraqiten dhe në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Në përgjithësi gjatë fundjavës rastet dhe rriten për shkak dhe të festave që ndodhin dhe në sezonin veror. Raste që vijnë në urgjencë, por duke përmendur këtu dhe rastet që hospitalizohen për shkak të varësive të ndryshme”, shtoi Matilda Kambo.
Mund të vijnë dhe në koma alkoolike. Pra niveli i alkoolit është aq i lartë sa pacienti fillon dhe humbet koshiencën. Duhet të marrë terapi dhe të dalë nga gjendja. Kryesisht janë të rinj, variojnë moshat 20, 25, 30, 35 vjeç.
Ndërkohë që këto kohë temperaturash të larta alkooli mund të bëhet shkak për helmime të rënda mjekët rendisin dhe të tjera dëmesh që vijnë prej tij.
“Alkooli është drogë si të gjithë drogërat e tjera dhe alkooli dëmton. Dëmton organizmin, dëmton zemrën, dëmton trurin, na plak, demenca e alkoolit, alkooli nuk ka freskon, alkooli na dehidron dhe na sëmur”, përfundoi mjekja.
Të shumtë kanë qenë dhe turistët të cilët për shkak të teprimit me alkoolin kanë kërkuar ndihmë pranë urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë./abcnews.al