Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 August 2025Abc News

Burg kush djeg flamurin e SHBA/ Trump nxjerr urdhër ekzekutiv: Departamenti i Drejtësisë të hetojë rastet

25 August 2025 at 20:35

Kushdo që djeg flamurin amerikan në Shtetet e Bashkuara do të akuzohet për nxitje të trazirave dhe do të dënohet me një vit burg pa mundësi për lirim të parakohshëm.

Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që ngarkon Departamentin e Drejtësisë që të hetojë rastet e tilla.

Ai tha se djegia e një flamuri amerikan djeg trazira që nuk janë parë kurrë më parë, ndërsa këshilltarët e presidentit shtuan se urdhri nuk bie ndesh me amendamentin e parë të kushtetutës, që mbron lirinë e fjalës.

Trump nënshkroi urdhrin që ngarkon Departamentin e Drejtësisë me hetimin e rasteve të djegies së flamurit. Trump tha se ata që djegin flamurin e Shteteve të Bashkuara do të akuzohen për nxitje të trazirave dhe do të dënohen me një vit burg pa mundësi për lirim të parakohshëm.

Në një çështje të vitit 1989, Gjykata Supreme vendosi se djegia e flamurit përbën “fjalim simbolik” që mbrohet nga Amendamenti i Parë.

Ky vendim gjykate rrëzoi ligjet për djegien e flamujve në 48 shtete dhe e bëri të qartë se njerëzit kanë të drejtë të djegin flamuj si një mënyrë për të shprehur pikëpamjet e tyre politike.

Trump ka kohë që mbështet kriminalizimin e djegies së flamurit. Në vitin 2016, në një postim në mediat sociale ai tha se nëse dikush djeg flamurin amerikan duhet të ketë pasoja, nga humbja e shtetësisë deri te dënimi me burg.

Shumica e amerikanëve kanë tendencë të jenë dakord me Trump për këtë çështje. Sondazhet e kryera nga YouGov në vitin 2020 treguan se gati gjysma e amerikanëve janë pro që djegia e flamurit të jetë e paligjshme, ndërsa rreth një e treta mendonin se duhet të jetë e lejueshme. Ndërsa në një anketë të vitit 2023 59% e amerikanëve tani e konsiderojnë djegien e një flamuri amerikan gjatë protestave si të papranueshme.

Netanyahu: Izraeli shpreh keqardhje për aksidentin tragjik në spitalin Nasser

25 August 2025 at 20:17

Kryeministri Benjamin Netanyahu pohoi se Izraeli “ndjen keqardhje të thellë” për “fatkeqësinë tragjike” që ndodhi këtë të hënë në spitalin Nasser.

Udhëheqësi izraelit tha gjithashtu se autoritetet ushtarake po kryenin një hetim të plotë për atë që ndodhi.

“Izraeli shpreh keqardhje të thellë për aksidentin tragjik që ndodhi sot në Spitalin Nasser në Gaza”, tha Netanyahu.

“Izraeli vlerëson punën e gazetarëve, stafit mjekësor dhe të gjithë civilëve. Autoritetet ushtarake po kryejnë një hetim të plotë”, shtoi  ai.

“Lufta jonë është me terroristët e Hamasit. Synimet tona të drejta janë mposhtja e Hamasit dhe sjellja e pengjeve tona në shtëpi”, shtoi ai.

VIDEO/ Zjarri në Pishë-Poro merr përmasa të mëdha, vijon operacioni për shuarjen e flakëve

25 August 2025 at 19:51

VLORË– Në Pishë-Poro të Vlorës, zjarri i rënë në një terren ranor në fshatin Delisuf të njësisë administrative Novoselë është favorizuar nga era dhe ka marrë një shtrirje të madhe në drejtim të fshatit Pishë-Poro.

Terreni ranor nuk mundëson operimin me mjete zjarrfikëse edhe pse 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë, 4 forca AdZM dhe 10 forca bashkiake ndodhen në zonë.

Në mbështetje të forcave në terren kanë fluturuar nga Baza e Kuçovës katër helikopterë, dy të Forcës Ajrore shqiptare dhe dy të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Aktualisht, në operacionin për neutralizimin e vatrave të zjarrit, 2 helikopterë po operojnë në zonën e Poros dhe 2 të tjerë në Bogovë.

Njëkohësisht, Forca Ajrore vijon monitorimin e zonës me dronët TB-2, me qëllim identifikimin e vatrave të reja potenciale si dhe evidentimin e rasteve të mundshme të zjarrëvënieve të qëllimshme./abcnews.al

Rrezikuan gjatë lundrimit në Sarandë e Palasë, Policia Kufitare u vjen në ndihmë disa turistëve

25 August 2025 at 19:10

Policia Kufitare Vlorë u shkoi në ndihmë disa pushuesve, të cilët rrezikuan gjatë lundrimit me mjetet e tyre në ujërat e Sarandës dhe në Palasë.

Pas marrjes së njoftimeve në kohë reale, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë me mjetet e tyre lundruese dhe bënë të mundur ndihmën dhe shoqërimin e sigurt të turistëve dhe mjeteve lundruese drejt bregut.

Operacioni në Sarandë
Pas marrjes së njoftimit se, rreth një milje larg Gjirit të Sarandës, kapiteni i një jahti me flamur maltez kërkonte ndihmë pasi mjeti i tij lundrues kishte pësuar defekt dhe kishte marrë ujë, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur shoqërimin e kapitenit në mënyrë të sigurt në breg dhe rimorkimin e jahtit në Portin e Limionit.

Operacioni në Palasë
Pas marrjes së njoftimit se, në zonën e Shën Andreut, disa turistë që ndodheshin në bordin e një mjeti lundrues po rrezikoheshin për shkak të kushteve të vështira të detit, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur shoqërimin e turistëve në mënyrë të sigurt në breg dhe ankorimin e mjetit të tyre lundrues në molin e Palasës.

Falë reagimit të menjëhershëm dhe profesional të strukturave të Policisë Kufitare, u shmangën pasojat e rrezikshme për jetën e pushuesve dhe u garantua siguria e mjeteve lundruese.

Mandati i katërt i socialistëve/ Minxhozi: Rama ndërmori shumë iniciativa, fokusi madhor te integrimi në BE

25 August 2025 at 19:00

TIRANË- Këto ditë do jenë proces analize dhe vendosje edhe në radhët e Partisë Socialiste.

Kryeministri Edi Rama, para nisjes së sesionit të ri parlamentar duhet të kompozojë përbërjen e kabinetit qeveritar “Rama 4”, por deri tani nuk  është bërë asnjë emër publik.

Gazetari dhe analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në “Tirana Live“, tha se është kurioz të shikojë se cila do jetë zgjedhja e kryeministrit, sa i takon emrave që do përbëjnë kabinetin qeveritar.

Ai theksoi se mandati i katër i Partisë Socialiste do ketë fokusin madho te integrimi në BE, objektiv që vetë Rama ka pohuar se do realizohet brenda 2030.

Sipas Minxhozit, vetë kryeministri Rama ndërmori disa iniciativa gjatë verës ku vuri në lëvizje pushtetin qendror dhe ndërmori disa aksione për pastrimin e territorit nga ndërtimet pa leje.

“Rama ka filluar këtë verë të nxehtë të kërkojë fillimin e një proces llogaridhënie nga pushteti vendor. Ka iniciuar ai vetë një valë të prishjesh së ndërtimeve pa leje, që kanë mbirë nga veriu në jug. Ai nuk ka dashur ta ruajë qetësinë e  verës.. Do shohim se çfarë kabineti do ketë, jam kurioz të shikoj emrat.

Kemi mendimin se një kryeministër i mbifuqishëm, që Rama paraqitet në krye të shteti realtivizon dhe e bën anemik deri diku kabinetin e ministrave, por megjithatë duhet të shohim prioritetet e qeverisë për katër vitet e ardhshme. Objektivat madhore, që më i madhi do jetë integrimi në BE. Integrimi edhe në fushatë qe kali i betejës“, tha ai./abcnews.al

Zgjedhjet jo, Parlamentin po/ Minxhozi: Ajo që thotë Berisha s’ka logjikë, po justifikon humbjen e 11 majit

25 August 2025 at 18:45

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se zgjedhjet nuk do t’i pranojë, por se shtatori do ta gjejë sërish brenda sallës së Kuvendit.

Si duhet lexuar kjo deklaratë e doktorit, i cili me sa duket certifikoi rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, pavarësisht kontestimeve të vazhdueshme.

Analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në “Tirana Live” në ABC News u shpreh se ajo që pohon Berisha nuk ka logjikë, por shtoi se kjo qasje e tij mund të lexohet si një lojë fjalësh për të justifikuar humbjen e 11 majit dhe për t’i paraprirë reaksioneve brenda partisë, ku dhe neni “Basha” i shkruar në statutin e PD parashikon që kryetari duhet të largohet nga drejtimi i partisë nëse humbet zgjedhjet e përgjithshme.

“Ajo që thotë Berisha nuk ka logjikë. Ne dimë që shumë rrallë, që përveç vitit 2005, kur Nano humbi, humbësi ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve. Berisha thotë nuk njoh zgjedhje, por ai vetë dhe të tjerët do paraqiten në Kuvend në seancë. Çfarë është kjo? Kjo është pranim i zgjedhjeve, por përpiqen të justifikojnë humbjen. Sa herë që këta zotërinj Berisha dhe Meta kanë humbur zgjedhjet, këta kanë thënë se ne do të jepnin dorëheqjen, por ne do ta jepnim dorëheqjen duke patur një humbje të ndershme, pa shkelje dhe pa manipulime. Kjo është një lojë fjalësh. Berisha kërkon që t’i dalë përpara atij reaksioni zinxhir brenda partisë, i cili në rast pranimi të rezultati do të shpërthente. Berisha po justifikohet për humbjen”, tha ai.

Më tej, gjatë bisedës, Minxhozi theksoi se Sali Berisha është pengesa madhore, që nuk e lejon PD të krijojë rentabilitetin e duhur dhe kjo sigurisht ka krijuar largim të elektoratit.

“Për shkak të konsumit të skajshëm për shkak të interesave personale të vendosura mbi interesat e partisë, ai është bërë pengesa madhore për rentabilitetin e partisë, për peshën elektorale, për peshën e munguar që ajo ka në elektorat.  Unë do doja që jeta parlamentare të ishte aktive.”, tha ai./abcnews.al

Njësitë e Gardës Kombëtare fillojnë të mbajnë armë në Washington

25 August 2025 at 18:04

Disa njësi të Gardës Kombëtare që patrullojnë në Washington kanë filluar të mbajnë armë në një intensifikim të vendosjes ushtarake të presidentit të SHBA-së, Donald Trump në kryeqytetin e SHBA-së.

Anëtarë të Gardës Kombëtare të Karolinës së Jugut u panë atje me pistoleta në këllëf të dielën, shkruajnë mediat e huaja. Zhvillimi vjen pasi Trump vendosi qindra trupa në qytetin e qeverisur nga demokratët si pjesë e asaj që ai e quajti një goditje kundër krimit.

Fillimisht, presidenti i SHBA-së thirri 800 anëtarë të Gardës Kombëtare të Distriktit të Kolumbias, përpara se gjashtë shtete të udhëhequra nga republikanët të dërgonin më shumë trupa në kryeqytet.

Javën e kaluar, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth lëshoi një direktivë që urdhëronte Gardën Kombëtare të fillonte të mbante armë ndërsa ishte në patrullim në kryeqytet.

Disa njësi tani janë të armatosura me pistoleta dhe të tjera me pushkë, sipas një zyrtari të departamentit të mbrojtjes i cili foli në kushte anonimiteti. Mendohet se ata që punojnë në administratë ose transport ka të ngjarë të mbeten të paarmatosur.

Një deklaratë nga grupi i përbashkët i punës që kontrollon policimin në Washington tha se patrullat filluan të mbanin armë të dielën. Sipas tij, përdorimi i armëve nga ana e tyre duhet të jetë “një mjet i fundit dhe vetëm në përgjigje të një kërcënimi të menjëhershëm me vdekje ose lëndim serioz trupor”. Trump vendosi mijëra trupa në Uashington dy javë më parë, duke shkaktuar protesta sporadike nga banorët vendas.

Ai po shqyrton zgjerimin e vendosjeve në qytete të tjera të udhëhequra nga Demokratët, si Baltimore, Çikago dhe Nju Jork.

“Mendoj se Çikago do të jetë i radhës”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të premten, duke shtuar se Nju Jorku mund të ndjekë më pas. Komentet e tij kanë shkaktuar reagime të forta nga udhëheqësit demokratë në të dy shtetet/abcnews.al

“Traktet” e serbëve/ Çfarë po organizohet në Mitrovicën e Veriut? Eksperti: Autoritetet të tregohen vigjilente

25 August 2025 at 17:33

PRISHTINË- “Njerëz ka ardhur koha për rezistence”, kjo është një nga thirrjet në fletëpalosjet që po shpërndahen në Mitrovicën e Veriut banesë më banesë apo të ngjitura ne shtylla ne rrugën kryesore te qytetit.

Përmes këtyre mesazhe kërkohet unitet dhe një shprehje të forcës përmes simbolit të flamurit të Serbisë. Por çfarë rrezikohet në veri të Mitrovicës, pas shpërndarjes së këtyre materialeve?

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, i ftuar në “Ballkan Update”, theksoi se Kosova duhet të tregohet vigjilente ndaj kërcënimeve të tilla.

“Këto aktivitete janë manifestim i grupeve serbe dhe ruse në Kosovë. Këto organizime janë pjesë e manifestimeve të lidhura me Listën Serbe. Kanë për qëllim nxitjen e urrejtjes ndëretnike. Autoritetet e Kosovës duhet të kenë një kujdes të shtuar”, theksoi ai.

Sipas ekspertit të sigurisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po tenton të përdorë elementin nacionalist për qëllime politike, sidomos në veri të Kosovës dhe kjo qasje është e dëmshme për vendin.

“Kurti po përpiqet sërish të përdorë nacionalizmin si mjet politik”, tha ai./abcnews.al

“Koha për rezistencë”/ Shpërndahen fletëpalosje në Veri, Kurti ndërton ura

25 August 2025 at 16:48

Njerëz ka ardhur koha për rezistence! Kjo është një nga thirrjet në fletëpalosjet që po shpërndahen në Mitrovicën e Veriut banesë më banesë apo të ngjitura ne shtylla ne rrugën kryesore te qytetit.

Përmes këtyre mesazhe kërkohet unitet dhe një shprehje të forcës përmes simbolit të flamurit të Serbisë.

“Serbia nuk është lodra e askujt. Mjaftoi heshtja dhe kokat e ulura. Kur populli ynë persekutohet, kur të drejtat dhe dinjiteti ynë shkelen, Është detyra e secilit prej nesh të tregojmë se kujt i përkasim dhe kujt i besojmë. Flamuri i Serbisë sonë nuk është vetëm një copë pëlhure. Është një shenjë lirie, uniteti dhe krenarie.-shkruhet më tej në fletëpalosje”.

Autorët anonim të këtij shkrimi, kërkojnë në çdo cep të Mitrovicës së Veriut të varet nga një flamur serb.

“Prandaj, vëllezër dhe motra, le të varim secili prej nesh një flamur në shtëpinë tonë, në dritaren tonë, në makinën tonë, në çdo vend ku mund të shohim se jeton Serbia. Le ta dinë se ne jemi këtu, se ekzistojmë, se nuk do të zhdukemi. Serbia në zemër, flamuri le te valëvitet në erë!”, thuhet në mbishkrimet e shpërndara.”

Lidhur me këtë rast, zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicën e veriut, Veton Elshanin deklaron se nuk ka ende element për të nisur një hetim.

Ky zhvillim vjen ne kohen kur ne vend pritet te mbahen zgjedhjet lokale me 12 tetor, por komisioni qendror i zgjedhjeve kundërshtoj pjesëmarrjen e listës serbe ne to, edhe pse një vendim i tille u hodh poshtë nga paneli për ankesa dhe parashtresa ndërsa Zyrtarët e Njësisë Speciale të Kosovës janë parë në kantierin e dy urave që tashmë janë duke u ndërtuar, përkrah Urës së Ibrit, për të lidhur Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut te armatosur.

/abcnews.al/

Përfshihet në flakë pylli me pisha në Akërni

25 August 2025 at 16:35

Pasditen e kësaj të marte, një zjarr ka përfshirë pyllin me pisha në zonën e hidrovorit, në fshatin Akërni , Njësia Administrative Novoselë.

Nga pamjet e para, tymi i dendur ka mbuluar të gjithë zonën, duke krijuar shqetësim për banorët dhe mjedisin përreth.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Vlorës me 7 punonjës, të cilët po punojnë intensivisht për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Për fat të mirë, pasditja nuk është shoqëruar me erë të fortë, faktor që ka ndihmuar në frenimin e përhapjes së zjarrit.

Aktualisht, vatrat e zjarrit janë të izoluara dhe nuk paraqesin rrezik për t’u përhapur më tej.

“Jam shofer në SPAK…”/ Ndërtoi shtëpinë pa leje dhe tentoi të shpëtonte, e pëson i riu në Tiranë

25 August 2025 at 16:25

Një 23-vjeçar i quajtur Romario Ibraliu, është arrestuar nga policia e Tiranës për veprën penale të ndërtimit pa leje.

Autoriteti Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, kishte zbuluar ndërtimin një shtëpi pa leje në zonën e Farkës, që kishte bërë i riu dhe kanë shkuar për të proceduar bashkë me policinë e shtetit.

Mësohet se Romario Ibraliu, në momentin që është ballafaquar me inspektorët e IMT dhe Policisë, është prezantuar si shofer i kancelares së Prokurorisë së Posaçme dhe madje i ka kërcënuar ata me fjalë në mënyrë që të mos ndiqej penalisht.

Pas kryerjes së verifikimeve ka rezultuar që ky shtetas nuk ka punuar dhe as nuk punon në SPAK, por ka tentuar që me këtë tentativë të frikësojë punonjësit e shtetit.

Pas konstatimit të objektit pa leje IMT ka referuar rastin në organet ligjzbatuese për verime të tjera hetimore, ndërsa I riu u arrestuar nga policia dhe pritet të referohet në Prokurorinë e Tiranës.

/abcnews.al/

Bllokimi i sanksioneve kundër Izraelit në Holandë trondit qeverinë

25 August 2025 at 16:19

Dorëheqja e ministrit të Jashtëm, Caspar Veldkamp, ​​partnerët e koalicionit të të cilit bllokuan kërkesën e Holandës për të rritur sanksionet kundër Izraelit, dhe dorëheqja pasuese e ministrave të tjerë të Kontratës së Re Sociale (NSC) kanë nxjerrë në pah përçarjet e thella në peizazhin politik të vendit në lidhje me Gazën.

Kriza qeveritare, e cila shpërtheu pasi dy partnerët e tjerë të koalicionit në qeverinë e përkohshme, Partia Popullore për Liri dhe Demokraci (VVD) dhe Partia e Lëvizjes së Qytetarëve Fermerë (BBB), bllokuan masat e ashpra kundër Izraelit, po përshpejton procesin e përçarjes në politikën holandeze në lidhje me çështjen palestineze.

Pas dorëheqjes së ministrave të NSC-së, qeveria e përkohshme tani mban vetëm një shumicë prej 21 për qind në Parlament. Ekspertët thonë se Holanda po hyn në një periudhë përçarjeje si në qëndrimin e saj ndaj çështjes palestineze ashtu edhe në ekuilibrin e saj të përgjithshëm politik.

Nassreddin Taibi, një shkencëtar politik dhe autor i librit “Europe Elects”, i cili hulumton zgjedhjet evropiane, i tha një gazetari të Anadolus se këto dorëheqje tregojnë se presioni publik po rritet gradualisht mbi klasën politike.

“Sondazhet, madje edhe ato para 7 tetorit (2023), tregojnë se shumica e publikut holandez dëshiron masa dhe sanksione më të ashpra kundër Izraelit, por shumica politike në parlament mbetet fuqimisht pro-Izraelit”.

CDA dhe NSC ndryshojnë qëndrim, VVD-BBB kundërshtojnë

Taibi theksoi se në muajt e fundit, Partia Krishtere Demokratike (CDA) është zhvendosur nga mbështetja e pakushtëzuar për Izraelin në mbështetjen e sanksioneve kundër Izraelit dhe njohjes së Palestinës.

Ai shtoi: “Këtë javë, pamë NSC të lëvizë në të njëjtin drejtim si CDA, por VVD dhe BBB mbeten me vendosmëri pro-Izrael dhe po bllokojnë një qëndrim më të ashpër kundër Izraelit dhe sanksioneve”.

Ai tha se justifikimet për mbështetjen e vazhdueshme të këtyre dy partive për Izraelin kanë ndryshuar, duke theksuar: “Ata nuk po përpiqen më të justifikojnë mosveprimin e tyre kundër Izraelit me përrallat e zakonshme dhe të frikshme rreth të drejtës së Izraelit për vetëmbrojtje, por duke thënë: ‘Holanda mund të bëjë shumë pak, ne nuk kemi ndikim'”.

Lobi Izraelit, ndikimi i CIDI-t

Lidhur me ndikimin e Izraelit në vendimmarrjen politike në Holandë, Taibi vuri në dukje se VVD, BBB, dhe më parë NSC, CDA, dhe madje edhe Partia Laburiste (PvdA) mbajnë marrëdhënie të mira me Qendrën e Informacionit dhe Dokumentacionit të Izraelit (CIDI), lobin më të shquar pro-Izrael të vendit.

Taibi komentoi: “Ndonjëherë partitë kapen duke cituar dokumente të CIDI-t fjalë për fjalë në fjalimet e tyre parlamentare, gjë që tregon ndikimin e CIDI-t në politikën dhe partitë holandeze”.

Taibi theksoi se pas protestave të tifozëve në Amsterdam, u zbulua se BBB përdori një raport nga Ministria izraelite e Diasporës që pretendonte në mënyrë të rreme se Hamasi ishte i përfshirë. Ai theksoi se rrënja e paragjykimeve pro-Izraelit të shumë partive qëndron në “varësinë e politikës së jashtme holandeze nga SHBA-ja”.

Qeveria është bërë jofunksionale

Taibi përmendi se refuzimi i VVD-së dhe BBB-së për të mbështetur sanksione më të ashpra kundër Izraelit rezultoi në largimin e NSC-së nga qeveria. “Pasi Partia e Lirisë (PVV) e ekstremit të djathtë u largua nga qeveria në qershor, qeveria e përkohshme tani mban vetëm 21 për qind të vendeve në Parlament”, tha ai.

Ai deklaroi se situata do të përkeqësohet pas zgjedhjeve të tetorit 2025, duke thënë: “VVD po humbet me shpejtësi mbështetjen në sondazhe, ndërsa dy partitë e mbetura të koalicionit, VVD dhe BBB, duket se po marrin më pak se 15 për qind të votave. Sinqerisht, është e pamundur që këto parti të qeverisin vendin në mënyrë kuptimplote.”

Mundësia e një qeverie pro-palestineze

Taibi deklaroi se ky kaos mund t’u sjellë dobi partive si CDA, E Majta e Gjelbër (GL) dhe Partia e Punës (PvdA), të cilat hynë në zgjedhjet e mëparshme në aleancë, përpara zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme që do të mbahen më 29 tetor 2025.

Lidhur me mundësinë e një qeverie pa VVD-në, Taibi tha: “Një koalicion i përbërë nga GL/PvdA, CDA, D66 dhe një parti e vogël me prirje të majtë po i afrohet ngadalë shumicës në sondazhe. Nëse një koalicion i tillë fiton shumicën, kjo mund të çojë në ndryshime themelore në shumë fusha të politikave, duke përfshirë një politikë të jashtme pro-palestineze”.

Taibi vuri në dukje se Holanda, një nga aleatët më të mëdhenj evropianë të Izraelit, mund të bëhet një nga kritikët e tij më të zëshëm dhe se ky ndryshim pro-palestinez do të ishte veçanërisht i theksuar nëse GL/PvdA udhëheq qeverinë e ardhshme.

Pas mosmarrëveshjeve mbi dështimin për të rritur sanksionet kundër Izraelit, Këshilli i Sigurisë Kombëtare (NSC) u tërhoq gjithashtu nga qeveria më 22 gusht, dhe VVD dhe BBB vazhdojnë të ruajnë koalicionin.

Shefi i ushtrisë izraelite: Ekziston një marrëveshje në tryezë për pengjet, ne duhet ta pranojmë!

25 August 2025 at 15:50

Shefi i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, ka ashpërsuar paralajmërimet e tij lidhur me planin për marrjen nën kontroll të qytetit të Gazës, duke i bërë thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu që të pranojë një propozim armëpushimi për lirimin e pengjeve të mbetura.

“Ka një marrëveshje mbi tryezë, është marrëveshja e përmirësuar Witkoff, duhet ta pranojmë”, citoi televizioni izraelit “Channel 13” fjalët e Zamir drejtuar komandantëve gjatë një vizite në një bazë detare në Haifa.

Shefi i ushtrisë iu referua një propozimi të negociuar më parë nga i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, që parashikon një armëpushim 60-ditor, gjatë të cilit do të liroheshin 10 pengje izraelite të gjallë në këmbim të të burgosurve palestinezë.

“Ushtria ka krijuar kushtet për një marrëveshje mbi pengjet, tani kjo është në duart e Netanyahut”, shtoi ai.

/abcnews.al/

”New York Times”: Shqipëria vendi që të mahnit me bukuritë natyrore dhe mikpritjen

By: xhir jeta
25 August 2025 at 15:49

Plazhe mahnitëse, natyrë e paprekur, vende historike të pazakonta dhe çmime të ulëta e kanë kthyer këtë ish-shtet eremit në një nga destinacionet më të reja të Evropës, shkruan Valeriya Safronova për prestigjiozen amerikane ”New York Times”.

Në jug të Shqipërisë, praktikisht shumë afër nga ishulli grek i Korfuzit, qyteti i Butrintit ka qëndruar për mijëra vjet. Rrënojat e tij janë një ëndërr për dashamirët e historisë. Një teatër në natyrë, një pagëzimore bizantine dhe një ujësjellës romak. Dhelpra, skifterë dhe shqiponja enden në parkun kombëtar prej 93 kilometrash katrorë që përfshin thesaret arkeologjike të Butrintit.

Dhjetë minuta me autobus larg Butrintit, në resortin modern bregdetar të Ksamilit, turistët shtrihen mbi shezlongë, vallëzojnë me muzikë elektronike dhe lëvizin me jet ski rreth një gjiri piktoresk, të bërë të famshëm nga influencerët e rrjeteve sociale, të cilët e krahasojnë pamjen e tij të harlisur me Maldivet.

Shqipëria është lloj destinacioni, ku një udhëtar mund ta nisë ditën me një shëtitje nëpër antikitet dhe ta mbyllë me një kërcim mbi rërë.

Kjo mund të jetë një arsye madhore pse kaq shumë njerëz po vijnë këtu.

Vitin e kaluar, 11,7 milionë vizitorë hynë në vend nga 10 milionë një vit më parë dhe ata jo vetëm që shkuan në plazhe dhe vende historike, por gjithashtu eksploruan malet dhe liqenet në veri, si dhe Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosë, një nga 52 vendet për t’u vizituar në vitin 2023.

”Shqipëria është ende një vend ekzotik për shumë njerëz”, tha Frenkli Prengaj, i cili merret me ture turistike për “Discover Albania” dhe kaloi dy ditë duke më shëtitur.

Vendi, që shtrihet mes Greqisë dhe Malit të Zi përgjatë deteve Adriatik dhe Jon, shpalli pavarësinë nga sundimi osman në vitin 1912 dhe duke filluar nga vitet 1940, kaloi dekada nën një diktaturë staliniste, i izoluar nga pjesa tjetër e botës deri në vitin 1990.

Në fund të viteve ’90, Shqipëria përjetoi një krizë ekonomike të ndjekur nga një periudhë trazirash, por vitet e fundit situata politike është përmirësuar dhe turizmi, i nxitur pjesërisht nga çmimet e ulëta, ka lulëzuar.

Shqipëria e re

Resorti i gjallë i Ksamilit është një shembull i qartë i Shqipërisë së re.

”Gjatë dekadave të diktaturës, një numër i vogël vullnetarësh dërgoheshin në Ksamil për të ngritur komunitete bujqësore”, shpjegon Dorina Dhima, një guidë e pavarur.

”Zona, megjithatë, mbetej e kufizuar, sepse njerëzit mund të arratiseshin duke notuar deri në Korfuz. S’kishte më shumë se katër pallate”, shton ajo.

Ajo epokë ka marrë fund prej kohësh. Unë shijova një drekë të qetë me oktapod (1 800 lekë, rreth 22 dollarë) me pamje nga uji kristal dhe ishujt e gjelbër në një ”beach bar” të quajtur “Freskia e Jonit”.

Por, vizitorët që preferojnë një pushim më të qetë mund të zgjedhin destinacionet bregdetare si Jala, Borshi apo Dhërmiu, një deri në dy orë më në veri.

Kur udhëtova në vitin 2023 në Dhërmi për festivalin e muzikës dhe mirëqenies “Kala”, mbeta e mahnitur nga bukuria natyrore e peizazhit dhe mikpritja lokale.

Rreth 20 minuta larg Ksamilit ose 30 minuta me traget nga Korfuzi (bileta një drejtim nga 14 deri në 33 dollarë), qyteti bregdetar i Sarandës ofron një atmosferë të ngjashme të qetë, plazhe publike, një shëtitore të gjallë që mbushet në mbrëmje me vendas të veshur bukur në xhiro, si dhe shumë mundësi për të ngrënë e pirë me fruta deti të shkëlqyera, si te ”Haxhi” dhe ”Marini”.

Qëndrova në “LaFe Boutique Hotel” në qendër të qytetit dhe kalova një mbrëmje të bukur duke parë familje dhe miq.

Çatitë e kuqe dhe domatet gjithë lëng

Shqipëria ka qenë prej kohësh një urë mes Lindjes dhe Perëndimit, Ballkanit dhe botës mesdhetare. Për shkak të shekujve të sundimit osman dhe pavarësisht dekadave të ateizmit zyrtar gati gjysma e popullsisë identifikohet si myslimane. Vendet historike të vendit pasqyrojnë këtë heterogjenitet historik.

Berati, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s rreth dy orë në jug të Tiranës, shtrihet përgjatë brigjeve të lumit Osum, me çatitë me tjegulla të kuqe të shtëpive që ngjiten në shpatet e buta të luginës, me qindra dritare që shohin jashtë si sy vigjilentë.

Kalaja e Beratit (hyrja falas), një kompleks i hapur mbi qytet, përfshin një kishë bizantine, rrënojat e një prej xhamive të para në Shqipëri dhe një lagje me shtëpi ende të banuara nga shekulli XVIII-XIX, disa prej të cilave janë bujtina.

Po ashtu, aty ndodhet muzeu ikonografik ”Onufri”, i cili ekspozon objekte fetare që datojnë që nga vitet 1300, përfshirë një ikonostas të gdhendur në dru të stolisur (biletë me audioudhëzues 500 lekë).

Kur e vizitova Beratin në fund të qershorit, qyteti ishte i heshtur deri në perëndim, kur rrugët papritur u mbushën me fëmijë me biçikleta, burra që luanin domino dhe shitës që ofronin kupa plastike të mbushura me rrush e qershi për rreth 100 lekë.

Bollëku i përbërësve të freskët e bënte ushqimin në Shqipëri një kënaqësi.

Në “Amalia Homemade Food” në Berat, bëra një duzinë fotosh të tryezës, e thjeshtë dhe e bukur. Sallata me domate ishte aq e lëngshme dhe e gjallë, sa ndjeva sikur kisha zbuluar një dije të humbur prej kohësh mbi shijen e vërtetë të domates.

Pjesa tjetër e menusë përfshinte djathë dhe perime të pjekura në enë balte; speca të mbushur me oriz e barishte; patëllxhan me hudhër, spec dhe domate; byrek me spinaq dhe djathë; dhe biftek vjenez, mish i mbushur me djathë (menu me 11 pjata për dy persona, 28 euro ose 32 dollarë).

Siç është tipike në Shqipëri, vakti u mbyll me një gotë raki, një pije e fortë alkoolike e bërë nga frutat e fermentuara, versione të së cilës janë të zakonshme në gjithë Ballkanin.

“Ata që janë mbi 40 vjeç e pinë pothuajse çdo ditë”, tha Andi Kallanxhi, punonjës i “Pupa Winery”, 20 minuta me makinë në juglindje të Beratit.

”Dy gota të mëdha në 5 ose 6 të mëngjesit, të shoqëruara me një cigare dhe kafe turke, dy teke rreth orës 10 ose 11, një tjetër pas punës me kafe, dhe pastaj edhe tre a katër të tjera pas punës me salcë kosi e hudhër”, shton ai.

Rakia “te Amalia”, e zbutur me kanellë, ishte një përzierje ngrohtë dhe e fortë për fytin dhe një fund i përsosur i darkës sime.

Do ta pija për mëngjes? Më pyesni kur të kem mbushur 40 vjeçe.

Vizita në një bunker të Luftës së Ftohtë

Ismail Kadare, fitues i çmimit ”Booker International”, e përshkruan qytetin e Gjirokastrës, rreth dy orë e gjysmë në jug të Beratit, si një “krijesë parahistorike që ngjitet si me grep në shpatin e malit”.

Gjirokastra më dukej më shumë si diçka nga një libër me përralla, shtëpitë e saj prej guri të zbukuruara me gdhendje të hollësishme druri dhe të grumbulluara rreth rrugëve me kalldrëm. Por, ai është një libër me figura me një anë të errët pasi, në qendër të qytetit ndodhet një tunel i Luftës së Ftohtë, një nga mijëra bunkerët që diktatori Enver Hoxha ndërtoi në të gjithë vendin gjatë mbretërimit të tij, nga viti 1944 deri në vitin 1985, nga frika e një sulmi të huaj.

Për t’u bashkuar me një tur prej 200 lekësh, shkoni në agjencinë turistike ”Experience Gjirokastra” në sheshin ”Çerçiz Topulli”.

Nëse ngjiteni përtej qendrës historike të Gjirokastrës, mund të vizitoni një kështjellë shekullore (hyrja 400 lekë), pjesë të së cilës u përdorën si burg, së fundmi gjatë regjimit të Hoxhës.

Qelitë e burgut dhe dhomat e torturave janë lënë kryesisht të paprekura dhe janë një muze magjepsës (200 lekë).

Tarifa shtesë e hyrjes përfshin hyrjen në Muzeun e Armëve si dhe në Muzeun e Gjirokastrës, i cili ofron një histori kompakte, por të plotë të rajonit.

Disa nga muzetë më të papritura dhe interesante në Gjirokastër janë shtëpi të epokës osmane.

Në shtëpinë e Skendulajve, Edlira Skenduli, një pasardhëse e familjes së pasur tregtare që ndërtoi shtëpinë më shumë se 300 vjet më parë, na udhëhoqi në një tur (300 lekë).

“Ka 64 dritare, 44 dyer, gjashtë banjo dhe katër hamame”, shpjegon ajo.

”Dhoma e sigurt e shtëpisë”, tha ajo, ”funksiononte si strehë për 70 persona gjatë Luftërave të Parë dhe të Dytë Botërore. Pikat kryesore të tjera përfshinin një frigorifer natyror, një hapësirë ​​nëntokësore të ftohur nga një cisternë ngjitur, dhe dhomën e dasmës, të dekoruar me dru shege, të pikturuara dhe të gdhendura, me një ballkon të mbrojtur të caktuar për gratë beqare që donin të shikonin ceremoninë”.

Ndërsa zbrisja shpatin nga kështjella drejt hotelit ”Rose Garden”, ku po qëndroja, mund ta shihja diellin duke filluar të perëndonte ngadalë pas maleve, duke lënë vija portokalli dhe rozë të pluhurosura mbi qytetin prej guri.

Një thirrje melodike për lutje mbushi luginën, duke më kujtuar edhe një herë pasurin kulturore të Shqipërisë.

Vendpushimet e zhurmshme të plazhit, në anën tjetër të maleve, dukeshin shekuj larg.

Zgjedhjet jo, parlamentin po/ Berisha nuk njeh 11 majin, por do të hyjë në Kuvendin e ri

25 August 2025 at 15:21

11 maji u certifikua. Tani doktori nuk ankohet dot më. I duhet një metodë tjetër, qoftë e vjetër, për të justifikuar edhe pak rezultatin e tij.

“Ne përfundojmë këto ditë librin e zi të këtyre zgjedhjeve, të kësaj farse, që ne do e depozitojmë në të gjitha kancelaritë të BE dhe NATO.  Është shumë voluminoze, janë me mijëra mijëra fakte, unë mund të rrija 1 muaj e 2 muaj këtu”.

Dhe në këto 2 muaj, Berisha zgjodhi pikërisht këtë ditë 1 për ta nisur jo rastësisht me Fierin. Sërish hyri mes romancës Gazi-Zegjine. Nuk sqaroi se të kujt ishin komisionerët që tundnin kutinë. Por ashtu si Zegjineja, edhe doktori e nxori bllof. I tha se fajin në Fier nuk ia patën komisionerët, por patronazhistët.

“Struktura e patronazhimit në Fier ilustron një sistem ku zyrtarët publikë u shndërruan në operativë politikë, duke përdorur funksionin e tyre zyrtar për të monitoruar, kategorizuar, intimiduar dhe ndikuar votuesit, duke minuar lirinë zgjedhore, paanshmërinë administrative dhe të drejtat për mbrojtjen e të dhënave personale.”
Dhe tani nis beteja e vërtetë, zgjedhjet nuk do të njihen në gjithë Shqipërinë, përveç parlamentit.

“A do të hyni në parlament?

Po afron dita kur të marrim vendimin. Sigurisht, PD nuk do i njohë kurrë këto zgjedhje. Se bëhemi bashkë-autorë në farsë pastaj.

Po a do bëni betejë në parlament?

Të gatshëm për çdo betejë. Beteja do bëhet kudo, kudo, kudo, është betejë për jetën ose vdekjen e votës së lirë?”

Pra, PD në shtator mund të jetë në rrugë, por e sigurt është që do të jetë në parlament.

/abcnews.al/

Të huajt, punëtorë në Shqipëri/ INSTAT: Në 2024, mbi gjysma e lejeqëndrimeve ishin për punë

By: xhir jeta
25 August 2025 at 15:17

Qytetarët e huaj nuk e preferojnë Shqipërinë vetëm për të pushuar por edhe për të punuar dhe jetuar.Të dhënat e instat konfirmojnë se vetëm gjatë vitit 2024 rezulton se janë rreth 22 mijë persona të cilët kanë marë leje qëndrimi për të qëndruar në Shqipëri.Arsyet kryerore të marjes së lejeve të qëndrimit rezulton për arsye punësimi.Sipas të dhënave të INSTAT gjatë vitit 2024 në më shumë se gjysma ose mbi 54 % kanë ardhur në Shqipëri për arsye punësimi ose rreth 12 mijë shtetas.Shumë biznese kohët e fundit kanë marë staf të huaj për të punësuar .

Në vend të dytë renditet bashkimi familjar por nuk mungojnë edhe lejet e qëndrimit të mara për të studiuar në Shqipëri.Sipas Instat grupmosha 30–39 vjeç mban peshën kryesore ndërsa sipas gjinisë mbizotërojnë meshkujt.

Gjatë vitit të kaluar ka pasur gjithashtu rritje edhe të numrit të aplikimeve për leje qëndrimi me rreth 6 %, krahasuar me vitin paraardhës. Shtetasit nga India dhe Italia përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të aplikimeve, me 28,8 % të totalit.

Një e dhënë interesante është edhe ulja e ndjeshme e numrit të të huajve të parregullt në territorin shqiptar. Gjatë vitit 2024 u identifikuan 1,540 raste të tilla, shumë më pak se në vitin 2023.

Ndërkohë që shtetasit e huaj që jetojnë aktualisht në Shqipëri, numrin më të madh e përbëjnë ata nga Kosova, Italia dhe Turqia./abcnews.al

“Djali erdhi për pushime, mori plumba”/ Babai i të plagosurit, Liridon Rata: E qëlluan pa shkak, duam drejtësi

By: xhir jeta
25 August 2025 at 15:13

Ishte kthyer në Shqipëri për të pushuar nga Vjena e Austrisë, Liridon Rata, mori dy plumba për një vend parkimi në Hamallaj të Durrësit.

Babai i 28 vjeçarit, Besnik Rata ka reaguar për Abc Neës, duke kërkuar drejtësi për të birin, që autorët e ngjarjes të marrin dënimin maksimal.

“Quhem Besnik Rata nga Kukësi në fshatin Kolesjan. Kam djalin të shtruar këtu te spitali. E kam të plagosur me 2-3 plumba. Djali ka ardhur nga Austria, me dokumenta të plota. Sa ka shkuar në plazh të Durrësit, është përballur me plumbat e kriminelëve. Unë e kam marr vesh nga televizionet ngjarjen, prandaj kërkoj drejtësi të ndiqet hap pas hapi, sipas ligjit të merituar për këtë krim. Ju bëj thirrje shtetit, policisë, dhe medias.”

28 vjeçari, prej 4 ditësh ndodhet në gjendje stabël në Spitalin e Truamës, me plagë në brinjë e kraharor.

“Djali ka reagu, ka dëmtime shumë. Plumbin e ka në trup. E ka përshkru nga mushkria, në brinjtë dhe ka përfunduar te krahu. Plumbi kuptohet që ka bërë dëmet e veta.”

Ngjarja u shënua pasditen e të mërkurës në fshatin Hamallaj, në zonën e bregut të detit, dhe shkak i sherrit ka qenë parkimi i automjetit të 28 vjeçarit përpara zonës së plazhit.

“Si sherr, kanë lënë makinë. Dhe janë larguar. Kur kanë tentuar me ik, u kanë thënë me largu makinën. Ata kanë dal vetë i treti me hunjë. Djali ka qenë me një kushëri dhe familjen e tij. Djali ka pranuar, ata kanë lokalet, shazlonet aty.”

I plagosuri dhe autori ishin përfshirë në konfliktin banal prej disa ditësh, pasi 28 vjeçari parkonte automjetin e tij përpara lokalit të 44 vjeçarit Altin Lekgegaj. Fillimisht ata kanë debatuar me fjalë, dhe më pas sherri agravoi në përdorimin e armës së zjarrit. Altin Lekgegaj qëlloi ndaj të riut, duke e lënë të plagosur.

Pas krimit, ai u largua menjëherë për t’i shpëtuar prangave, por arratia nuk zgjati më shumë se pesë orë, pasi u arrestua nga efektivët e policisë së Durrësit.

Altin Lekgegaj nuk rezulton me precedent të mëparshëm penal. Familja e tij është vendosur në Hamallaj të Durrësit pas viteve ’90 pasi u larguan nga Mirdita. Ata ushtronin aktivitetin e tyre në biznes me parkim dhe shezlongë pranë plazhit.

Edhe 28 vjeçari i plagosur nuk rezulton i skeduar. Liridon Rata nga Kolesjani i Kukesit ndodhej në Hamallaj për të pushuar me familjen e tij.

Altin Lekgega akuzohet per vrasje me dashje mbetur ne tentative dhe armëmbajtje pa leje. Ndërkohë, në lidhje më këtë ngjarje policia e Durrësit ka shpallur në kërkim vëllain dhe nipin e autorit Alfons dhe Serxhio Lekgegaj./abcnews.al

Pagesat me kartë rritje rekord/ BSH: Zënë 67% të totalit të pagesave që kryen në vend

25 August 2025 at 14:33

Qytetarët dhe bizneset shqiptare po  përdorin gjithmonë e më shumë  pagesat elektronike. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kartat rezultojnë se janë  instrumenti më i përdorur për të bërë pagesa si në dyqane, pagesa  për faturat e ujit e energjisë si dhe për shërbime të ndryshme.

Por ndikim në këtë tendencë kanë dhënë edhe turistët të cilët  i realizojnë pagesat kryesisht nëpërmjet bankës dhe jo me para në dorë. Në pjesën e  parë të këtij viti rezulton se pagesat me kartë u rritën me 30% dhe përbëjnë 67% të totalit të pagesave.

Kjo konfirmohet e dhe nga fakti se numri i kartave që zotërojnë shqiptarët rezulton se është mbi  1milione 572 mijë duke pësuar një rritje me 28 mijë karta  nëse e krahasojmë tremujorin e parë të këtij viti. Kartat e debitit ose ato që përdoren me funksion kryesor marrjen e pagës  vijojnë të jenë më të preferuarat, ndërsa ato të kreditit zënë një peshë më të vogël. Numri total i pagesave nëpërmjet sistemit bankar arriti në 27.9 milionë, duke shënuar një rritje vjetore prej 24%.

Po ashtu edhe vlera totale e këtyre pagesave u rrit me 13%, duke arritur në 3.475 miliardë lekë. Kjo e dhënë është e rëndësishme pasi konfirmon uljen e përdorimit të parasë cash në ekonomi.

Këto të dhëna konfirmojnë se Shqipëria po afrohet gjithnjë e më shumë me objektivat e vendosura për të reduktuar përdorimin e parasë në dorë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në katër vite është rritur 7 herë numri i transaksioneve me karta duke e krahasuar me vitin 2020.

NUMRI I KARTAVE NË PËRDORIM

Prill – qershor 2025    1 milion e 572 mijë

Janar – mars 2025        1 milion e 543 mije

28 mije më tepër

❌
❌