Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 August 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

KOMENT – Spanja në alarm për zjarret e pakontrolluara në veriperëndim të vendit

17 August 2025 at 12:31

MADRID, 17 gusht /ATSH-ANSA/ – Vala e paprecedentë e zjarreve që deri më tani ka shkatërruar 115 000 hektarë pyje në Spanjën veriperëndimore, kryesisht në Galicia, Castile dhe Leon dhe Extremadura, vazhdon pa u pakësuar.

Një total prej 39 zjarresh aktive po shpërthejnë aktualisht, kryesisht në provincat Ourense, Zamora, Leon dhe Cáceres.

Deri më tani ato kanë rezultuar në tre vdekje, më shumë se 3 000 persona të zhvendosur në Castile dhe Leon, qindra njerëz të detyruar të qëndrojnë brenda për t’u mbrojtur nga tymi, rreth 15 rrugë të bllokuara dhe pezullimin e shërbimit hekurudhor me shpejtësi të lartë në provincën e Ourense në linjën që lidh Madridin dhe Galician, sipas vlerësimit të fundit nga autoritetet dhe zjarrfikësit.

Për të adresuar emergjencën, të përkeqësuar nga kushtet ekstreme të motit të vazhdueshëm, me temperatura që pritet të kalojnë 40 gradë Celsius në pjesë të ndryshme të gadishullit, qeveria ka vendosur një forcë masive sigurie, duke vendosur afërsisht 3 500 anëtarë të Njësisë së Emergjencave të Ushtrisë (UME), mbi 5 000 oficerë të Gardës Civile dhe 350 anëtarë të Policisë Kombëtare.

Ajo ka aktivizuar gjithashtu Mekanizmin Evropian të Gardës Civile, i cili ka dërguar dy avionë amfibë ”Canadair” për të mbështetur operacionet e shuarjes së zjarreve.

Kryeministri Pedro Sanchez ndërpreu pushimet e tij sot për të udhëtuar në disa nga zonat më të prekura nga zjarret në Galicia dhe Castile-Leon dhe për të koordinuar reagimin emergjent ndaj zjarreve ende jashtë kontrollit.

Ndërkohë, mbreti Felipe VI, do të vizitojë sot selinë e UME-s në Torrejon de Ardoz (Madrid), njoftoi Shtëpia Mbretërore në një deklaratë.

The post KOMENT – Spanja në alarm për zjarret e pakontrolluara në veriperëndim të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbeti e bllokuar në Gjirin e Filikurit, policia ndihmon turisten çeke

17 August 2025 at 12:14

TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Komisariati i Policisë Himarë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Himarë, i kanë ardhur në ndihmë një turisteje çeke, e cila kishte mbetur e bllokuar në një zonë të thepisur, në vendin e quajtur “Filikurë”.

Sot, pas marrjes së njoftimit se një turiste çeke, gjatë zbritjes me litar në terren shkëmbor, ishte rrëzuar dhe kërkonte ndihmë, shërbimet e patrullës së Rendit dhe ato të Policisë Kufitare organizuan punën dhe kaluan menjëherë në vendin e raportuar, njoftoi Policia.

Pas lokalizimit të turistes, u bë e mundur zbritja e saj në mënyrë të sigurt nga shkëmbinjtë dhe transportimi me mjetin lundrues të Policisë Kufitare drejt portit të Himarës, e më pas drejt qendrës shëndetësore, për kontroll mjekësor ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia apelon që vizitorët dhe pushuesit, gjatë eksplorimeve në terrene të vështira, të tregojnë kujdes maksimal dhe të marrin masat e nevojshme për sigurinë e tyre.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të Policisë Kufitare janë të angazhuara maksimalisht për të garantuar rendin, sigurinë dhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe pushuesve, në çdo rast nevoje.

/gj.m//a.f/

The post Mbeti e bllokuar në Gjirin e Filikurit, policia ndihmon turisten çeke appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan vlerësimin e pushuesve në Shëngjin: Kushte optimale, plazhet publike të zgjeruara

17 August 2025 at 11:45

 

Visualizza questo post su Instagram

 

Un post condiviso da Agjencia Telegrafike Shqiptare (@ata.gov.al)

TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Pushuesit vendas dhe të huaj, që kanë zgjedhur këtë vit bregdetin e Lezhës, gëzojnë jo vetëm plazhet e pastra dhe natyrën e bukur, por edhe hapësirat publike të shtuara dhe të menaxhuara sipas standardeve bashkëkohore.

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga plazhi i Shëngjinit, duke theksuar se ky sezon turistik ofron më shumë lehtësira dhe kushte optimale për pushuesit.

“Pushuesit e bregdetit të Lezhës këtë vit, përveç plazheve të bukura e të pastra, vlerësojnë edhe hapësirat publike të shtuara në sipërfaqe, por edhe të menaxhuara me standarde optimale, për të ofruar eksperienca të bukura për të gjithë”, thekson Rama.

Në videon e publikuar nga Rama, pushuesit shprehen të kënaqur me kushtet që ofron Shëngjini, i cili gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një nga destinacionet më të pëlqyera nga vendas e të huaj.  “Janë zgjeruar shumë plazhet publike. Është bërë mjaft mirë. Nuk po shohim dallim cilësie të çadrave mes plazhit privat dhe atij publik, jemi të kënaqur që po ofrohen kushte kaq të mira”, theksoi një prej pushuesve.

Ndërkohë, të tjerë pushues vlerësojnë pastërtinë dhe sigurinë në plazh. “Mblidhen mbeturinat dhe mbahet pastër çdo pjesë e plazhit”, tha një zonjë, ndërsa një tjetër shtoi: “Ka roje plazhi dhe polici që monitorojnë gjatë gjithë kohës”.

Në Shëngjin është investuar edhe në infrastrukturë, me segmentin e ri rrugor Shëngjin–Velipojë që lehtëson lëvizjen e pushuesve. Po ashtu, është hapur qendra shëndetësore verore, e cila ofron shërbim 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, duke u ardhur në ndihmë vizitorëve gjatë gjithë sezonit turistik.

Bregdeti i Shëngjinit çdo vit frekuentohet nga mijëra pushues vendas e të huaj. Plazhet e tij janë të njohura për rërën e artë dhe ujin e ngrohtë, ku spikat “Rana e Hedhun”, por edhe plazhet e Kunes dhe Tales. Ndërthurja e turizmit bregdetar me atë historik e natyror, si dhe kulinaria e pasur, e bëjnë Lezhën një destinacion për turizëm gjithëvjetor.

Me rreth 38 kilometra vijë bregdetare, male, lumenj e laguna, histori, arkeologji dhe trashëgimi kulturore, Lezha ofron një paketë të plotë për vizitorët. Shëngjini dhe Lezha vitet e fundit janë shndërruar në destinacione turistike shumë të kërkuara, ku pushuesit gjejnë plazhin, natyrën, historinë, kulturën, gastronominë, traditën dhe shpirtin mikpritës të banorëve.

/a.f/

The post Rama ndan vlerësimin e pushuesve në Shëngjin: Kushte optimale, plazhet publike të zgjeruara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ANCHORAGE – Dokumente të samitit Trump-Putin gjenden në printerin e një hoteli

17 August 2025 at 11:45

ANCHORAGE (Alaska), 17 gusht /ATSH-DPA/ – Dokumentet përgatitore për pjesëmarrësit e samitit Trump-Putin u gjetën në një printer hoteli në Anchorage, sipas një raporti të medias amerikane.

Rrjeti radiofonik NPR raportoi se tetë faqe u zbuluan të premten në mëngjes në qendrën e biznesit të hotelit ”Captain Cook”, i cili ndodhet rreth 20 minuta larg nga baza ushtarake ”Elmendorf-Richardson”, ku dy presidentët u takuan për të diskutuar luftën në Ukrainë.

Dokumentet, të publikuara nga NPR, përfshijnë një orar të detajuar me dhoma specifike takimi, persona kontakti nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së me numra telefoni, menunë për drekën e planifikuar, minibiografi me foto të pjesëmarrësve.

Dreka përfshinte një sallatë jeshile, fileto mignon dhe salcë halibut me krem brule për ëmbëlsirë.

Gjithashtu në materiale kishte udhëzues shqiptimi për emrat rusë.

Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë i tha ABC News se raporti i NPR ishte “qesharak”.

”Është qesharake që NPR po publikon një menu dreke me shumë faqe dhe po e quan atë një shkelje sigurie. Ky lloj i vetëshpallur gazetarie investigative është arsyeja pse askush nuk i merr seriozisht dhe ato nuk financohen më nga taksapaguesit falë presidentit Trump”, tha ajo në një deklaratë.

Trump, i cili ka qenë prej kohësh kritik ndaj mediave publike amerikane, miratoi një projektligj që shkurtoi 1,1 miliardë dollarë të raportuar për Korporatën për Transmetimin Publik, e cila njoftoi menjëherë më pas se do të mbyllte operacionet e saj.

Zëdhënësja nuk komentoi mbi oraret e detajuara me vendndodhje specifike të sallave të takimeve ose listën e pjesëmarrësve të Departamentit të Shtetit me numrat e tyre të telefonit që publikoi NPR.

Ekspertët e sigurisë e kritikuan incidentin.

”Më duket si një provë e mëtejshme e pakujdesisë dhe paaftësisë së administratës”, i tha transmetuesit Jon Michaels, një profesor i drejtësisë në UCLA në Los Anxheles.

”Thjesht mos i lini gjërat në printer. Është kaq e thjeshtë”, shtoi ai./ a.jor.

The post ANCHORAGE – Dokumente të samitit Trump-Putin gjenden në printerin e një hoteli appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kultivuan 1 299 bimë narkotike dhe 1 000 fidanë, dy në pranga, procedohen tre kryetarë fshatrash

17 August 2025 at 11:16

TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Dy shtetas janë vënë në pranga pasi u kapën në flagrancë, në parcelën ku kishin kultivuar 1 299 bimë narkotike dhe 1 000 fidanë, në fshatin Rogam.

Gjithashtu, u proceduan penalisht, për shpërdorim të detyrës, tre kryetarë fshatrash.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi vijojnë me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

Në territorin e njësisë administrative Kelmend, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën dhe asgjësuan 1 726 bimë dhe 1000 fidanë të dyshuar narkotikë, të llojit Cannabis Sativa. Gjithashtu, nga ana e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, u kapën në flagrancë në parcelë shtetasit A. R., 35 vjeç, dhe K. R., 42 vjeç, banues në Njësinë Administrative Kastrat, të afërm me njëri-tjetrin. Ata u kapën në flagrancë pasi, në afërsi të banesave të tyre, kishin kultivuar 7 parcela me 1 299 bimë dhe 1 000 fidanë. Këta shtetas u arrestuan për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Gjithashtu, në afërsi të banesës së shtetasit K. R., u gjet një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Në territorin e njësive administrative Gur i Zi dhe Postribë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 2713 bimë të dyshuara narkotike, të llojit Cannabis Sativa.

Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Vilz, shtetasin F. L.; për kryetarin e fshatit Ura e Shtrenjtë, shtetasin R. M.; dhe për kryetarin e fshatit Domen, shtetasin R. B.

Në territorin e njësisë administrative Shllak, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 2592 bimë të dyshuara narkotike, të llojit Cannabis Sativa.

Policia thekson se, vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.

Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata” vijon në të gjithë territorin e qarkut Shkodër.

/gj.m//a.f/

 

The post Kultivuan 1 299 bimë narkotike dhe 1 000 fidanë, dy në pranga, procedohen tre kryetarë fshatrash appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosovë – Shkaktoi zjarr duke hedhur cigaren e ndezur, arrestohet

17 August 2025 at 11:13

PRISHTINË, 17 gusht/ATSH/ Një person është arrestuar në fshatin Tuneli i Parë në Mitrovicën e Jugut, pasi dyshohet se ka shkaktuar zjarr duke hedhur një cigare të ndezur.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e zjarrfikësve për ta lokalizuar zjarrin.

Sipas policisë, i dyshuari është një mashkull kosovar dhe pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Hetimet për rastin janë duke vazhduar.

/Kosovapress/

The post Kosovë – Shkaktoi zjarr duke hedhur cigaren e ndezur, arrestohet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: 27 vatra zjarri të shuara, pesë aktive dhe dy nën monitorim

17 August 2025 at 11:08

TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi sot lidhur me situatën e zjarreve në vend.

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 34 vatra zjarri, nga të cilat 27 janë shuar, pesë janë aktive, dy mbahen në monitorim.

Sipas MM, në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 54 automjete zjarrfikëse dhe 690 forca operacionale, të mbështetura nga 110 trupa të Forcave të Armatosura me dy mjete zjarrfikëse. Gjithashtu u angazhuan dy helikopterë të Forcës Ajrore shqiptare dhe një helikopter nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sa i përket vatrave aktive, në fshatin Tërnovë, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në kurorë me pyje të dendura. Nga puna e forcave operacionale dhe mbështetja me ndërhyrje nga ajri, janë vënë nën kontroll disa vatra. Problematike ngelet një vatër në vendin e quajtur “Maja e Shkëmbit” dhe tjetra në drejtim të fshatit Valikardhë dhe Peladhi. Në operacion gjatë ditës u angazhuan tetë efektivë të MZSH të bashkisë Bulqizë, tetë forca bashkiake dhe tetë forca të Shërbimi Pyjor. Në mbështetje për përballimin e situatës u angazhuan edhe 30 trupa nga Forcat e Armatosura dhe helikopteri i Forcës Ajrore. Zjarri zhvillohet me intensitet mesatar dhe më së shumti brenda perimetrit të përshkuar ditë më parë.

Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Xeth, njësia administrative Blerim, bashkia Fushë Arrëz. Zjarri është zhvilluar me intensitet duke u përshkallëzuar në fshatrat Kulumri, Trun dhe Kunorë-Dardhë. Në operacion gjatë ditës u angazhuan 42 forca bashkiake, dy automjete zjarrfikëse dhe 80 trupa nga FA si dhe 20 vullnetarë të cilët punuan deri në mbrëmje vonë. Në mbështetje të forcave në terren u krye ndërhyrje nga ajri nga dy helikopterë të Forcës Ajrore. Gjatë natës raportohet se situata, e ndikuar edhe nga reshje e shiut që kanë përfshirë zonën, është vënë nën kontroll. Vatra e zjarrit gjatë natës u mbajt në monitorim.

Ka vijuar të jetë aktiv zjarri në fshatin Pezë Helmës, njësia administrative Pezë, bashkia Tiranë. Vatra e zjarrit është vazhdim i zjarrit të rënë në fshatin Damjan-Fortuzaj njësia administrative Vaqarr. Zjarri në mesditë ka marrë përmasa dhe ka dalë jashtë kontrollit. Për vënien nën kontroll  kreu ndërhyrje nga ajri helikopteri i Emirateve të Bashkuara Arabe. Situata po mbahet në monitorim. Ditën e sotme raportohet se vatra e zjarrit ka intensitet të ulët.

Në fshatrat Kullollas, Kodovjat, Ermenj, njësia administrative Skënderbegas, bashkia Gramsh, ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit të rënë më datë 12.08.2025. Forcat operacionale, vijuan punën me vatrat e vogla, për të mos i lejuar përhapjen, ku mbetet aktive një vatër në Malin e Koshnicës, e cila po mbahet në monitorim nga punonjës të Shërbimit Pyjor dhe banorë të zonës. Gjatë ditës pati riaktivizim në fshatin Bletëz, e cila u normalizua nga ndërhyrja me një mjet zjarrfikës dhe katër efektivë të MZSH. Gjithashtu në mesditë pati riaktivizim në fshatin Kullollas, ku rrezikohej një masiv me pisha. Në këtë vatër u angazhuan dy automjete zjarrfikëse me gjashtë efektivë, të cilët arritën ta shuajnë atë. Situata në fshatrat e përshkuar nga zjarri po mbahet në monitorim.

Në vendin e quajtur “Teqeja e Dushkut”, njësia administrative Kukur, bashkia Gramsh, vatra e zjarrit vijon të jetë aktive. Gjatë ditës në zonë u angazhuan dy automjete zjarrfikëse me 10 efektivë nga MZSH Gramsh, dy fadroma të bashkisë me katër forca bashkiake dhe katër vullnetarë. Ka patur vështirësi për shuarjen e zjarrit për shkak të shtresave të humusit. Ditën e sotme raportohet se vatra e zjarrit është drejt izolimit.

Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë më datë 14.08.2025, në fshatin Rreja e Zezë (Velë), njësia administrative Rubik, bashkia Mirditë. Gjatë ditës në operacion u angazhuan tre automjete zjarrfikëse me shtatë efektivë nga MZSH Mirditë, katër forca policore, 17 forca bashkiake, shtatë forca Shërbimi Pyjor dhe 10 vullnetarë, të cilët kanë punuar për shuarjen e tij deri në mbrëmje. Nga puna e forcave, u arrit që vatra e zjarrit të izolohet totalisht dhe nga vlerësimi i bërë nuk paraqet rrezik për përhapje. Vatra po mbahet në monitorim nga forca të Shërbimit Pyjor.

Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik, bashkia Kolonjë. Zjarri zhvillohej me intensitet midis piramidës 13 dhe 15, në kufi me Greqinë. Shpërthimet herë pas herë të municioneve luftarake të pranishme në zonë që nga lufta italo-greke, bënë që të ndërpritej operacioni. Në zonë u angazhuan tre mjete zjarrfikëse me 13 efektivë nga MZSH Kolonjë, gjashtë forca policore, 17 forca bashkiake, shtatë AdZM, katër Shërbimi Pyjor dhe katër forca vullnetare. Zjarri vazhdon aktiv në disa vatra. Sipas raportimeve ditën e sotme konstatohet se zjarri nuk ka përhapje dhe nuk vihen re riaktivizime.

Vatrat e shuara janë në  Val (Martanesh, Bulqizë), Kodër Qerre (Mat), Xeth (Blerim, Fushë Arrëz), Durishtë (Petrelë), Ferraj–Zall Herr–Brarë–Priskë e Vogël (Dajt), Gjipal (Zall Bastar), Vilë-Ballaj (Rrogozhinë), Kalanjas (Skrapar)

MM thekson se, forca nga të gjitha strukturat e emergjencave mbeten në terren për të monitoruar dhe përballuar çdo riaktivizim të mundshëm të zjarreve.

/gj.m//a.f/

The post MM: 27 vatra zjarri të shuara, pesë aktive dhe dy nën monitorim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jole: Në qarkun e Korçës ka vetëm 1 vatër zjarri aktive

17 August 2025 at 10:59

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Në qarkun e Korçës ka vetëm 1 vatër zjarri aktive.

Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole u shpreh sot se nga informacioni më i përditësuar, situata e zjarrit të rënë në afërsi të Parkut Natyror të Gërmenjës prej datës 11 gusht, paraqitet relativisht më e qetë sot, por ende ka prezencë aktive të zjarrit (pikat e kuqe në hartë).

“Në terren sot janë organizuar rreth 65 forca nga MZSH, AdZM, policia kufitare, punonjës shërbimi të bashkisë e vullnetarë të zonës, të mbështetur nga 35 forca të ushtrisë. Terreni ka vështirësi pasi kërkon afro 3 orë për të mbërritur në sipërfaqen e prekur dhe duhet shumë kujdes sepse zona ka edhe municione”, theksoi ai.

Jole shtoi se, po punohet prej gjashtë ditësh për të penguar sa është e mundur depërtimin brenda kurorës zonë të mbrojtur.

“Strukturat vendore janë në komunikim edhe me palën greke, për të koordinuar veprimet, duke shpresuar se ditën e sotme situata do të përmirësohet akoma më shumë”, theksoi ai.

Jole ripërsëritu apelin për kujdes të shtuar nga të gjithë, për të shmangur situata të tilla që kërkojnë shumë energji njerëzore e shpenzime buxhetore për t’u neutralizuar.

/gj.m/a.f/

The post Jole: Në qarkun e Korçës ka vetëm 1 vatër zjarri aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Akti heroik i dy personave, shpëtojnë të miturën pasi rrëmbehet nga një i dyshuar

17 August 2025 at 10:20

PRISHTINË, 17 gusht/ATSH/ Një tentativë rrëmbimi është raportuar mbrëmë rreth orës 23:30 në rrugën “Arben Hajdaraj – Shaptej” në Deçan.

Sipas informacioneve zyrtare nga Policia e Kosovës, ankuesi dhe një dëshmitar kanë njoftuar se një person i panjohur ka rrëmbyer me veturë një të mitur me të meta mendore, e cila ndodhej në rrugë pranë shtëpisë së saj.

Pas rrëmbimit, ankuesi dhe dëshmitari i janë vënë pas veturës, kanë arritur ta ndalin atë dhe ta nxjerrin viktimën, të cilën më pas e kanë kthyer në shtëpi.

I dyshuari është arratisur në drejtim të panjohur, ndërsa rreth 3 kilometra nga vendi i ngjarjes, njësitet policore kanë gjetur dhe sekuestruar veturën e braktisur.

Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ku sipas raportit të mjekut nuk ka pasur lëndime fizike, por ka shfaqur shenja shqetësimi emocional.

Policia ka nisur hetimet intensive për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. Rasti është duke u trajtuar nga njësitet përkatëse hetimore./Kosovapress/

The post Akti heroik i dy personave, shpëtojnë të miturën pasi rrëmbehet nga një i dyshuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Gjimnazi “Jani Nushi” në Lushnjë rihap dyert në shtator me kushte moderne

17 August 2025 at 10:12

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Gjimnazi “Jani Nushi” në Lushnjë do të hapë dyert në fillim të vitit të ri shkollor me një pamje krejtësisht të transformuar.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se falë investimit të përbashkët mes Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Lushnjës, shkolla është rikonstruktuar tërësisht.

“Investimet në Arsim dhe Sport. Gjimnazi “Jani Nushi” në Lushnjë do të hapë dyert në shtator me klasa të reja, bibliotekë, laboratorë dhe terrene sportive moderne, për të garantuar kushte dinjitoze për nxënësit dhe mësuesit, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Lushnjës”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Ndërhyrja ka përfshirë jo vetëm përmirësimin e godinës ekzistuese, por edhe ndërtimin e ambienteve të reja mësimore dhe ndihmëse.

Tashmë, shkolla do të ofrojë klasa të reja dhe të pajisura, një bibliotekë bashkëkohore, laboratorë funksionalë për lëndët shkencore, si dhe terrene sportive moderne që do të shërbejnë për edukimin fizik dhe aktivitete të tjera shkollore.

Ky investim është pjesë e vizionit për të garantuar një arsim cilësor në të gjitha nivelet dhe për të siguruar kushte të denja në mjediset ku formohen brezat e rinj.

/gj.m/

The post Rama: Gjimnazi “Jani Nushi” në Lushnjë rihap dyert në shtator me kushte moderne appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SERBI – Sërish dhunë gjatë protestave kundër qeverisë

17 August 2025 at 10:07

BEOGRAD, 17 gusht /ATSH-DPA/ – Në ditën e katërt radhazi, protestat kundër qeverisë serbe u shoqëruan sërish me dhunë.

Dje në mbrëmje, trazirat më të rënda ndodhën në qytetin qendror të Valjevës, ku kundërshtarët e qeverisë i vunë flakën zyrës së Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe dëmtuan ndërtesat e administratës së qytetit dhe zyrën e prokurorit publik lokal.

Zemërimi i demonstruesve në qytetin 100 kilometra në jugperëndim të Beogradit ishte drejtuar kundër faktit se dy ditë më parë, njerën nga partia në pushtet SNS kishin shkatërruar një kafene në pronësi të një simpatizanti të lëvizjes protestuese.

Po atë natë, njerëzit e SNS sulmuan punishten e babait të një aktivisti studentor dhe rrahën keq operatorin e saj deri në shtrimin në spital.

Autoritetet nuk ndërmorën asnjë hap për të ndjekur penalisht këto akte dhune.

Kundërshtarët e qeverisë demonstruan në qytete të shumta në të gjithë Serbinë gjatë natës.

Përleshje me policinë ndodhën edhe në periferi të Beogradit.

Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç tha pak para mesnatës se një polic u plagos dhe se 18 demonstrues ishin arrestuar.

Autoritetet serbe nuk dhanë informacion mbi numrin e protestuesve të plagosur.

Serbët kanë demonstruar pothuajse çdo ditë kundër Vuçiçit që prej më shumë se nëntë muajsh.

Shkaku i protestave ishte shembja e një tendë stacioni të rinovuar rishtazi në qytetin verior të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, e cila rezultoi në vdekjen e 16 personave.

Ekspertë të pavarur dhe anëtarë të opozitës fajësojnë neglizhencën dhe korrupsionin nën qeverinë e Vuçiçit./ a.jor.

The post SERBI – Sërish dhunë gjatë protestave kundër qeverisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: Zbuloni fermat agroturistike përmes aplikacionit “Agritourism Al”

17 August 2025 at 11:23

TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Nga veriu në jug, Shqipëria mund të zbulohet përmes fermave agroturistike me anë të aplikacionit “AGRITOURISM.AL”

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ka ftuar sot turistët vendas dhe të huaj që të shijojnë gatime tradicionale të përgatitura me produkte të freskëta vendase , dhe të përjetojnë nga afër jetën e fermerëve dhe të bëhen pjesë e përditshmërisë së tyre.

“Shkarkoni aplikacionin AGRITOURISM AL dhe eksploroni të gjitha fermat agroturistike në mbarë vendin, aty ku tradita bashkohet me natyrën dhe mikpritja shqiptare kthehet në përvojë unike”, shkruan Denaj.

/gj.m//a.f/

The post Denaj: Zbuloni fermat agroturistike përmes aplikacionit “Agritourism Al” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Seminari ndërkombëtar për Gjuhën mbledh 150 pjesëmarrës nga e gjithë bota

17 August 2025 at 09:51

PRISHTINË, 17 gusht/ATSH/Seminari ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili mbahet që nga viti 1974, po rritet çdo vit me numrin e pjesëmarrësve të huaj nga mbarë bota, përfshirë SHBA-të, Kinën, Rusinë, Turqinë, Sirinë dhe shumë shtete evropiane.

Në edicionin e 43-të, këtë vit do të marrin pjesë 150 pjesëmarrës aktivë me punime, referime dhe ligjërata shkencore. Përveç aktiviteteve akademike, gjatë 12 ditëve të seminarit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të vizitojnë bukuritë natyrore të Kosovës, qytetin e Pejës, si dhe të marrin pjesë në koncerte, ku do të përformojë edhe një grup arbëresh nga Kalabria.

Drejtoresha e seminarit, Lindita Sejdiu, ka theksuar rëndësinë e këtij aktiviteti për studimet albanologjike dhe për shtetin e Kosovës.

Sejdiu ka thënë për KosovaPress, se seminari ka rëndësi edhe pedagogjike, për arsye se do të ofrohen kurse të gjuhës shqipe për studentët nga e mbarë bota për ta mësuar shqipen dhe kulturën e saj.

“Seminari ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka një rëndësi të veçantë për studimet albanologjike në përgjithësi, por edhe për vetë shtetin e Kosovës.. Në kohën kur Shqipëria ka qenë e izoluar, seminari ka qenë ajo ura lidhëse ndërmjet shqiptarëve në Kosovë dhe, për shembull, arbëreshëve në Itali ose në diasporën historike. Seminari ka edhe rëndësi pedagogjike, jo vetëm shkencore, për arsye se ofrohen kurse të gjuhës shqipe, në disa nivele vijnë studiues, studentë edhe të tjerë nga mbarë bota për ta mësuar shqipen, për t’u njohur për së afërmi me shqiptarët dhe është një lloj promovimi i shqipes dhe albanologjisë përgjithësisht”, ka thënë Sejdiu.

Ajo kujtoi traditën e gjatë të këtij aktiviteti dhe suksesin e tij.
Sejdiu është shprehur se është dashur t’i refuzojnë disa aplikacione nga interesimi shumë i madh i njerëzve, pasi që nuk kanë pasur mundësi financiare t’i mbulojnë të gjitha.

Drejtoresha e seminarit, Lindita Sejdiu, ka theksuar gjithashtu rolin e seminarit në forcimin e institucioneve dhe lidhjeve ndërkombëtare.

Ajo ka shtuar se përveç temave nga gjuhësia dhe letërsia, do të ketë edhe fusha tjera nga historia dhe antropologjia.

Hapja solemne do të mbahet më 18 gusht, në Institutin Historik në Prishtinë “Ali Hadri”, ndërsa ligjërata e parë do të mbahet në ora 18:00 dhe do të përfundojë më 29 gusht të këtij viti.

/Kosovapress/

The post Seminari ndërkombëtar për Gjuhën mbledh 150 pjesëmarrës nga e gjithë bota appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Balenat dhe delfinët angazhohen shpesh në ”takime lozonjare”

17 August 2025 at 09:31

SIDNEJ, 17 gusht /ATSH-DPA/ – Balenat dhe delfinët shpesh angazhohen në ”takime lozonjare” dhe miqësore në natyrë, sipas një studimi të publikuar nga studiues të universitetit ”Griffith” në Australi.

Studimi, i udhëhequr nga kërkuesi për balenat, Olaf Meynecke nga programi “Whales & Climate”, analizoi 199 takime mes 19 specieve të balenave me mustaqe dhe delfinëve në 17 vende, duke përdorur foto e video nga rrjetet sociale dhe pamje përmes dronëve.

Rreth një e katërta e ndërveprimeve u vlerësuan si pozitive dhe të ndërsjella.

Balenat, të njohura për shoqërueshmërinë e tyre, janë parë teksa shtriheshin në brinjë, tregonin barkun ose afroheshin ngadalë te delfinët. Shpesh delfinët nisnin kontaktin, zakonisht pranë kokës së balenës.

“Supozimi është se delfinët qëndrojnë brenda fushës së shikimit të balenave për t’u parë. Kafshët mund të perceptojnë njëra-tjetrën përmes tingujve, por duket se kontakti vizual është gjithashtu i rëndësishëm”, tha Meynecke.

”Delfinët janë parë gjithashtu duke shëtitur pranë balenave, duke u kënaqur nga vala e presionit,  në mënyrë të ngjashme me mënyrën si njerëzit argëtohen duke bërë sërf”, tha studiuesi.

Delfinët priren gjithashtu të qëndrojnë pranë gjatë lojërave  të balena ose kur janë të pranishëm të vegjlit, duke i vëzhguar nga afër, por pa u përfshirë në to.

“Ashtu si njerëzit,  këto qenie inteligjente kanë nevojë për faza kreativiteti”, tha Meynecke, duke sugjeruar se këto ndërveprime mund të jenë një formë loje shoqërore dhe argëtimi. /Ad.Ab./

 

The post SOFT NEWS – Balenat dhe delfinët angazhohen shpesh në ”takime lozonjare” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vihet në pranga autori i dyshuar i zjarrit në fshatin Ballaj, Rrogozhinë

17 August 2025 at 09:29

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Autori i dyshuar i zjarrit që përfshiu një sipërfaqe të madhe toke me pemë frutore, në fshatin Ballaj, Rrogozhinë është identifikuar dhe vënë në pranga.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Rrogozhinë, sapo morën njoftimin se mbrëmjen e djeshme, në territorin e fshatit Ballaj, kishte rënë zjarr i cili përfshiu një sipërfaqe të madhe toke me pemë frutore, shkuan menjëherë në vendin ku kishte nisur zjarri.

Falë veprimeve të shpejta hetimore, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit I. A., 31 vjeç, banues në Vilëbashtovë, Rrogozhinë.

Arrestimi i tij u bë pasi, duke djegur mbeturina në tokën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke përfshirë një sipërfaqe të madhe toke dhe pemë frutore, në fshatin Ballaj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët të mos ndezin zjarre për djegien e mbeturinave apo të mbetjeve të prodhimeve bujqësore, si dhe për qytetarët të shmangin hedhjen e cigareve të ndezura pranë sipërfaqeve të pyllëzuara.

/gj.m//a.f/

The post Vihet në pranga autori i dyshuar i zjarrit në fshatin Ballaj, Rrogozhinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Pamje magjike e lumit të Shalës

17 August 2025 at 08:49

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje magjike nga Lumi i Shalës.

Lumi i Shalës, që derdhet në liqenin e Komanit, po tërheq çdo vit një numër të lartë turistësh vendas e të huaj, për shkak të bukurisë që natyra i ka falur kësaj zone.

Në këtë atraksion të jashtëzakonshëm të turizmit, në veri të Shqipërisë, turistët zgjedhin të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës dhe ushqimet tradicionale që ofrohen në bujtinat e ngritura pranë tij.

Lumi i Shalës buron rrëzë Alpeve dhe ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Drin. Lumi i Shalës dallohet për ujin e tij të veçantë ngjyrë blu të thellë.

Ai është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më e përhapura është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla. Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin.

/gj.m//a.f/

The post Rama: Pamje magjike e lumit të Shalës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MIA: Numër rekord, 44 555 turistë vizituan Butrintin në muajin korrik

17 August 2025 at 11:25

TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Agjencia për Media dhe Informim bëri të ditur sot se, 44,555 turistë kanë vizituar, vetëm në muajin korrik, Parkun Kombëtar të Butrintit.

“Me një numër rekord prej 44,555 turistësh vetëm në muajin korrik, Parku Kombëtar i Butrintit konfirmon se vizitorët, veçanërisht të huajt që vijnë në Shqipëri tërhiqen nga trashëgimia historike dhe arkeologjike e parkut. Sipas të dhënave zyrtare, në 7 mujorin e parë të vitit 2025 Parku Kombëtar i Butrintit tejkalon 150,000 vizitorë”, thekson MIA.

Sipas MIA, kjo shënon një rritje prej gati 82% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Turistët e huaj vlerësojnë veçanërisht peizazhet natyrore të ruajtura mirë, mundësinë për të eksploruar trashëgiminë kulturore duke e kombinuar këtë aventurë edhe me pushimin në bregdetin e jugut”, shton MIA.

/a.f/

The post MIA: Numër rekord, 44 555 turistë vizituan Butrintin në muajin korrik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Refuzimi i Moskës për armëpushim ndërlikon situatën

17 August 2025 at 08:41

KIEV, 17 gusht /ATSH-ANSA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dënoi refuzimin e Rusisë për të rënë dakord për një armëpushim, për të cilin ai beson se e ndërlikon situatën në arritjen e planit të paqes të mbështetur nga presidenti amerikan, Donald Trump, pas takimit të tij me Putinin në Alaska.

“Ne shohim që Rusia po hedh poshtë thirrjet e shumta për armëpushim dhe ende nuk ka vendosur se kur do të ndalojë së vrarësh”, shkroi ai në median sociale.

”Kjo e ndërlikon situatën”, shtoi ai.

”Nëse nuk është e gatshme të ndjekë një urdhër të thjeshtë për të ndërprerë armiqësitë, mund të nevojiten përpjekje të konsiderueshme për ta shtyrë Rusinë të zbatojë diçka shumë më të rëndësishme, bashkëjetesën paqësore me fqinjët e saj për dekada të tëra”, theksoi Zelensky./ a.jor.

The post KIEV – Zelensky: Refuzimi i Moskës për armëpushim ndërlikon situatën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Qendra Shëndetësore Verore në Kishën e Shna Ndout në Laç, përkujdesje ndaj pelegrinëve dhe vizitorëve vendas e të huaj

17 August 2025 at 08:40

TIRANË, 17 gusht  /ATSH/ Pranë Kishës së Shna Ndout në Laç është hapur për herë të parë këtë sezon veror Qendra Shëndetësore Verore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu the se “kjo qendër shëndetësore është në shërbim të pelegrinëve dhe vizitorëve vendas e të huaj.

Me staf mjekësor të përkushtuar dhe shërbim të gatshëm për çdo nevojë shëndetësore. Kujdes, siguri dhe ndihmë mjekësore aty ku besimi takohet me përkujdesjen”.

“Jam nga Kosova, jetoj në Amerikë. Erdha tek Kisha e Shna Ndout për vizitë. Pashë këto vajzat që jepnin këtë shërbim. është shumë I mirë, ju falënderoj që na e jepni falas. Ju uroj suksese”, u shpreh në një video të ndarë nga ministrja, një turist që vizitoi këtë qendër shëndetësore.

/gj.m//a.f/

The post Koçiu: Qendra Shëndetësore Verore në Kishën e Shna Ndout në Laç, përkujdesje ndaj pelegrinëve dhe vizitorëve vendas e të huaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump kërkon një samit më 22 gusht me Putinin dhe Zelenskyn

17 August 2025 at 08:03

UASHINGTON, 17 gusht /ATSH-ANSA-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump dëshiron të mbajë shumë shpejt një samit me Putinin dhe Zelenskyn.

Ai kërkon që ky samit të zhvillohet të premten, më 22 gusht.

Dy burime të informuara ia thanë këtë korrespondentit të ”Axios” në Uashington, Barak Ravid.

Trump dhe Putin zhvilluan bisedime të drejtpërdrejta në Alaskë, të cilat zgjatën dy orë e 45 minuta.

Ata shoqëroheshin në këtë takim nga këshilltarët e tyre më të lartë.

Sidoqoftë, samiti përfundoi pa asnjë marrëveshje./ a.jor.

The post SHBA – Trump kërkon një samit më 22 gusht me Putinin dhe Zelenskyn appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌