Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 29 July 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

FAO përzgjedh Shqipërinë si shembull transformimi për sistemet ushqimore dhe zhvillimin rural

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Shqipëria është përfshirë ndër 19 vendet e përzgjedhura në raportin e ri global të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), të titulluar “Transformimi i ushqimit dhe bujqësisë përmes një qasjeje sistemike”.

Ky raport thekson rrugëtimin e vendeve që kanë kaluar nga përpjekje të fragmentuara drejt një modeli të integruar për zhvillimin rural dhe sistemet ushqimore, në përputhje me vizionin “Bujqësia 2030”.

Për Shqipërinë, vuri në dukje ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, ky është një vlerësim i qartë i progresit të arritur në drejtim të një bujqësie të qëndrueshme, inovative dhe të lidhur me sektorë të tjerë strategjikë.

“Në qendër të këtij transformimi qëndron agroturizmi, i cili është shndërruar në një pikë kyçe strategjike që lidh sektorët e bujqësisë, turizmit, arsimit profesional dhe financave”, deklaroi Denaj.

Kjo qasje sistemike ka sjellë një sërë përfitimesh konkrete për komunitetet rurale dhe ekonominë kombëtare, si: rritje të përfshirjes së të rinjve në inovacionin agroushqimor; përmirësime të ndjeshme në infrastrukturën rurale; krijimin e njësisë për agroturizëm në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR); mbështetje të konsiderueshme financiare, përmes Fondit për Zhvillim Rural në vlerën e 250 milionë eurove, si dhe Paketës së Maleve.

Ky model zhvillimi synon jo vetëm të rrisë produktivitetin dhe qëndrueshmërinë e sektorit bujqësor, por edhe të krijojë më shumë mundësi për ekonominë vendase, duke fuqizuar komunitetet rurale, ruajtur biodiversitetin dhe promovuar një zhvillim gjithëpërfshirës.

Përfshirja e Shqipërisë në raportin global të FAO-s është një dëshmi e qartë e vizionit dhe angazhimit të institucioneve shqiptare për ndërtimin e një bujqësie të së ardhmes, të lidhur ngushtë me natyrën, teknologjinë dhe potencialin njerëzor të vendit. /j.p/

 

The post FAO përzgjedh Shqipërinë si shembull transformimi për sistemet ushqimore dhe zhvillimin rural appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Projektet e përbashkëta, Malaj takim me drejtoreshën e Agjencisë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, zhvilloi sot një takim me drejtoreshën e Agjencisë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (AICS Tirana), Stefania Vizzaccaro, ku u diskutua mbi thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe projektet e përbashkëta për zhvillimin ekonomik të vendit.

Në fokus të bisedimeve ishin sektorë kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, si energjia, furnizimi me ujë, infrastruktura rrugore dhe transporti, ku AICS ka kontribuar në mënyrë të vazhdueshme përmes projekteve të financuara dhe ekspertizës teknike.

Ministri Malaj vlerësoi angazhimin e Italisë si një partner i rëndësishëm zhvillimi për Shqipërinë, duke theksuar se bashkëpunimi me AICS ka sjellë rezultate konkrete në terren dhe synohet të thellohet edhe më tej.

“Ndamë vullnetin për të forcuar më tej bashkëpunimin mes institucioneve tona, si dhe ambicien për zbatimin e projekteve të reja me ndikim të qartë social dhe ekonomik”, u shpreh ministri Malaj.

Ai vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme nga AICS dhe vizionin e përbashkët me Italinë për zhvillimin dhe integrimin e shpejtë të Shqipërisë në strukturat europiane.

Agjencia Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (AICS) është partner aktiv në fushën e reformave ekonomike, zhvillimit rural, mbështetjes ndaj sektorit privat dhe nxitjes së inovacionit në Shqipëri, duke forcuar më tej marrëdhëniet tradicionale mes dy vendeve fqinje. /j.p/

1 nga 3

The post Projektet e përbashkëta, Malaj takim me drejtoreshën e Agjencisë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu me drejtuesit e spitaleve: Përforcim i ekipeve të urgjencës gjatë sezonit turistik

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Në kuadër të zbatimit të masave të marra për garantimin dhe ofrimin e kujdesit shëndetësor gjatë gjithë sezonit turistik, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu zhvilloi sot takim me drejtuesit e spitaleve rajonale në mbarë vendin.

Ministrja Koçiu kërkoi nga strukturat përkatëse angazhim për ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe gatishmërinë për menaxhimin e fluksit të shtuar të pacientëve dhe përforcimin e ekipeve të urgjencës.

“Të gjithë strukturat spitalore që kanë fluks të shtuar pushuesish vendas dhe të huaj do duhet të jenë në gatishmëri njësoj si muajt e kaluar, por me një fokus të shtuar tek shërbimet e urgjencës”, tha ajo.

Gjithashtu, Koçiu theksoi se një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe Qendrave Shëndetësore Verore, të cilat janë në funksion përgjatë gjithë vijës bregdetare dhe zonave turistike, duke ofruar ndërhyrje të shpejtë dhe shërbim cilësor për pushuesit.

“Shëndetësia është në gatishmëri të plotë për të garantuar një sezon të sigurt për të gjithë”, theksoi ministrja e Shëndetësisë, Koçiu.

Në kushtet e një fluksi të shtuar të qytetarëve dhe turistëve në zonat bregdetare dhe në qendrat turistike të vendit, ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë një sërë masash për të garantuar ofrimin e pandërprerë, cilësor dhe në kohë të shërbimeve shëndetësore 24/7 në të gjitha strukturat spitalore dhe në 36 qendrat shëndetësore verore në vend.

1 nga 5

The post Koçiu me drejtuesit e spitaleve: Përforcim i ekipeve të urgjencës gjatë sezonit turistik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Netanyahu i paraqet kabinetit planin e tij për të aneksuar disa zona të Gazës

TEL AVIV, 29 korrik /atsh-aa/ – Raportohet se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i paraqiti kabinetit të tij të sigurisë një plan për të aneksuar disa zona të Gazës në mënyrë që të mbajë në qeveri ministrin e Financave të ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, i cili ka kërcënuar të japë dorëheqjen.

Sipas lajmit të gazetës “Haaretz”, Netanyahu me qëllimin për të mbajtur ministrin Smotrich në qeveri i paraqiti kabinetit të sigurisë një plan të miratuar edhe nga administrata amerikane.

Thuhet se Hamasit do t’i jepen disa ditë për të pranuar armëpushimin në Gaza dhe nëse kjo nuk ndodh do të vihet në zbatim plani i cili parashikon aneksimin me faza të një pjese të Gazës.

Smotrich ka sinjalizuar tërheqjen e tij nga qeveria izraelite nëse lejohet hyrja e ndihmës humanitare për Gazën.

Në një deklaratë të bërë më parë nga Zyra e kryeministrit izraelit ishte pretenduar se po kryhet bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare, SHBA-në dhe vendet evropiane për të ofruar ndihmë humanitare në Gaza.

Në deklaratë pretendohet se sulmet ndaj zonave me popullsi të dendur në Gaza ndalen çdo ditë midis orës 10:00 dhe 20:00 dhe se janë përcaktuar rrugë të sigurta për të garantuar kalimin e sigurt të autokolonave të ndihmave midis orës 06:00 dhe 23:00.

– Gaza po “vdes nga uria”

Rripi i Gazës, nën sulmet izraelite dhe nën një rrethim të rreptë që kufizon ndihmën humanitare, po përjeton një katastrofë humanitare, me uri të përhapur dhe mungesë uji, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe furnizimesh higjienike.

Vdekjet për shkak të urisë, veçanërisht të fëmijëve, janë në rritje në Rripin e Gazës. Qarqet lokale dhe ndërkombëtare theksojnë se Izraeli përdor “urinë dhe etjen si armë”.

Ushtria izraelite, e cila ka shkatërruar 88 për qind të Rripit të Gazës duke bombarduar edhe infrastrukturën civile, shpeshherë shënjestron palestinezët që ka zhvendosur me urdhra të dëbimi në zonat ku ata strehohen.

Numri i njerëzve të zhvendosur nga sulmet dhe urdhrat e dëbimit të Izraelit në Gazën e cila ka popullsi prej afërsisht 2.3 milionë banorësh, raportohet të ketë arritur në 2 milionë dhe se shumë njerëz janë zhvendosur disa herë.

Të privuar nga furnizimet bazë, palestinezët luftojnë për të mbijetuar në tenda të improvizuara ose në shkolla të mbipopulluara ku mungojnë furnizimet higjienike ndërsa lavamanët janë të pamjaftueshëm dhe sëmundjet infektive po përhapen.

Ndërkohë, ushtria izraelite me sulmet e përditshme që kryen bombardon tendat dhe strehimoret civile të të zhvendosurve.  /os/

The post IZRAEL – Netanyahu i paraqet kabinetit planin e tij për të aneksuar disa zona të Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZË – Mbi 50 paleta me ushqime të hedhura nga ajri nga shtetet arabe

29 July 2025 at 17:11

TEL AVIV, 29 korrik /ATSH-DPA/- Avionët nga Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë hedhur edhe 52 paleta të tjera me ushqim mbi Rripin e Gazës, tha sot ushtria izraelite.

“Avionët egjiptianë gjithashtu ndihmuan në hedhjen nga ajri të ushqimeve – për herë të parë që nga e diela – kur Izraeli lejoi aksesin e ndihmave në territorin e izoluar palestinez pas disa muajsh kufizimesh”, tha ushtria izraelite (IDF).

Ushtria izraelite njoftoi dje se po zbaton pauza “humanitare” të përditshme për të lejuar që ndihma të shpërndahet në mënyrë të sigurt në Rripin e sulmuar – mes paralajmërimeve ndërkombëtare për krizën e urisë.

IDF tha se Egjipti, Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe koordinuan hedhjet nga ajri të ndihmave së bashku me Izraelin.

Organizatat e ndihmës, përfshirë Mjekët pa Kufij, e kanë kritikuar metodën e ofrimit të ndihmave – si joefektive dhe të kushtueshme krahasuar me shpërndarjen e ndihmës me kamionë.

Ata gjithashtu kanë theksuar rrezikun që u paraqitet civilëve në pritje nga hedhja e paletave, të cilat janë të bashkangjitura në parashuta.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz tha sot se dy avionë ushtarakë ishin duke udhëtuar drejt Jordanisë, nga ku do të fillonin gjithashtu hedhjet e ndihmave nga ajri në Gazë. //a.i/

The post GAZË – Mbi 50 paleta me ushqime të hedhura nga ajri nga shtetet arabe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pse macet preferojnë të flenë në anën e majtë – dhe si mund t’i ndihmojë kjo për të mbijetuar?

29 July 2025 at 17:09

TIRANË, 29 korrik /ATSH/- Macet flenë midis 12 dhe 16 orë në ditë, dhe një studim i ri sugjeron se shumica e tyre preferojnë të shtrihen në anën e majtë, sipas “Science Alert”.

Dihet tashmë që macet preferojnë një pozicion të ngritur kur flenë, si në majë të një peme, ose diku në grumbullin e valixheve në dollapin tuaj, larg grabitqarëve të tokës dhe pronarëve të etur për përqafime.

Kjo sjellje u lejon atyre të shohin çdo kërcënim që vjen nga larg.

Autorët e studimit arsyetuan se pozicionet e gjumit të maceve – pavarësisht nëse shtrihen në anën e majtë apo të djathtë – mund të shërbejnë për funksione të ngjashme.

“Asimetritë në sjellje mund të kenë përparësi sepse të dy hemisferat e trurit specializohen në detyra të ndryshme”, tha neuroshkencëtari i sjelljes, Onur Gunturkun, nga Universiteti “Ruhr Bochum”, në Gjermani.

Gunturkun dhe ekipi i tij analizuan pozicionet e gjumit të maceve në 408 video të zgjedhura me kujdes në “YouTube” – të cilat zbuluan statistikisht, një prirje për të fjetur në anen e majtë.

Dy të tretat e maceve zgjodhën të shtriheshin në anën e majtë, një pozicion që nuk e pengon fushën vizuale (të majtë) nga trupi i tyre.

Fusha vizuale e majtë ushqehet me anën e djathtë të trurit, e cila shoqërohet me ndërgjegjësimin hapësinor, identifikimin e kërcënimit dhe koordinimin e arratisjes së shpejtë.

Pra, ky pozicion gjumi mund t’i japë maces një kohë reagimi më të shpejtë kur zgjohet nga një grabitqar.

“Gjumi është një nga gjendjet më të prekshme për një kafshë, pasi vigjilenca kundër grabitqarëve zvogëlohet në mënyrë drastike, veçanërisht në fazat e gjumit të thellë”, sipas studimit.

“Ne jemi të prirur të besojmë se pozicioni i gjumit në anën e majtë tek macet mund të jetë nxitur në mënyrë evolucionare – nga asimetritë hemisferike të përpunimit të kërcënimit, por nuk mund të përjashtohen edhe faktorë të tjerë”, thuhet në studim. //a.i/

 

The post Pse macet preferojnë të flenë në anën e majtë – dhe si mund t’i ndihmojë kjo për të mbijetuar? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja prezanton para kineastëve strategjinë për krijmtarinë audiovizuale

29 July 2025 at 17:03

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, si dhe kryetari i ri i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji, zhvilluan sot një takim me kineastët shqiptarë mbi vizionin dhe hapat konkretë të strategjisë së re për zhvillimin e sektorit audiovizual në Shqipëri.

Ministri Gonxhja e cilësoi si një moment te rëndësishëm për të ndarë me komunitetin e industrive kreative prioritetet për të ardhmen, duke vendosur në qendër transparencën, rritjen e standardeve profesionale dhe nxitjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare.

Gjatë takimit, së bashku me përfaqësues të QKK-së dhe ekspertë ndërkombëtarë të ftuar nga British Council, u prezantuan pikat kryesore të strategjisë së re për audiovizualin, e ndërtuar mbi nevojat dhe potencialin e tregut vendas dhe ndërkombëtar, rregulloren e re të aplikimit në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, e cila synon të thjeshtojë procedurat dhe të krijojë më shumë hapësira për projekte cilësore si dhe mundësitë konkrete që ofron Media Desk i Creative Europe për përfshirjen e kineastëve shqiptarë në rrjete dhe bashkëprodhime evropiane.

“Përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe me partneritete të qëndrueshme, mund të ndërtojmë një ekosistem të fortë për krijimtarinë audiovizuale në Shqipëri, një sektor që jo vetëm përfaqëson identitetin tonë kulturor, por edhe ka potencial real për zhvillim ekonomik dhe diplomaci kulturore”, u shpreh kreu i MEKI-t, Blendi Gonxhja.

/r.e/

The post Gonxhja prezanton para kineastëve strategjinë për krijmtarinë audiovizuale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ura e re që lidh Kularin me Sulzotajn, Rama ndan pamjet

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Një investim i rëndësishëm infrastrukturor është finalizuar në bashkinë Divjakë, me ndërtimin e urës së re që lidh zonat e Kularit dhe Sulzotajt. Ky projekt rrit ndjeshëm sigurinë dhe lehtësinë e lëvizjes për banorët, duke sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të komuniteteve rurale.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga ura e sapopërfunduar, duke theksuar rëndësinë e saj për dhjetëra familje, fermerë dhe biznese të vogla të zonës që tashmë kanë një rrugë më të sigurt dhe më funksionale për të arritur tregjet dhe shërbimet urbane.

Me përfundimin e këtij projekti, përmirësohet transporti i përditshëm, rritet qasja në shërbimet publike dhe lehtësohet lëvizja për raste emergjente.

Përveç ndikimit në jetën individuale të banorëve, kjo vepër konsiderohet një hap drejt zhvillimit ekonomik lokal dhe përmirësimit të kushteve të punës për sektorin bujqësor.

Bashkia Divjakë është një nga zonat më të rëndësishme për prodhimin bujqësor dhe blegtoral në vend. Me një sipërfaqe të gjerë tokash të punueshme, ajo kontribuon ndjeshëm në furnizimin me fruta, perime dhe produkte të tjera të freskëta për tregjet kombëtare dhe rajonale.

Divjaka njihet gjithashtu për pasuritë e saj natyrore, duke përfshirë Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë, një nga zonat më të mbrojtura dhe më të vizituara në vend, që tërheq vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj për shkak të florës dhe faunës së pasur, veçanërisht për pelikanin kaçurrel, një specie në rrezik zhdukjeje.

Zhvillimi i infrastrukturës rrugore në këtë zonë është thelbësor për rritjen e turizmit, rritjen e vlerës së tokës bujqësore dhe lehtësimin e aksesit në tregje për prodhuesit vendas. /j.p/

 

The post Ura e re që lidh Kularin me Sulzotajn, Rama ndan pamjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bashkëpunimi me Italinë për migracionin, taskforca nis hartimin e planit të veprimit

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Ministria e Brendshme njoftoi sot se u mblodh taskforca e krijuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, me qëllim koordinimin, ndjekjen dhe mbikëqyrjen e zbatimit të protokollit të nënshkruar me Qeverinë e Republikës së Italisë, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit dhe marrëveshjes zbatuese të tij.

Për të garantuar mbështetjen e strukturave të angazhuara me burimet e nevojshme për përmbushjen e përgjegjësive të tyre, filloi puna për hartimin e Planit të Veprimit, sipas fushave të përgjegjësisë të institucioneve të përfshira, si një dokument i vetëm, për t`u miratuar brenda gushtit 2025, duke rikonfirmuar angazhimin për një qasje të përbashkët e të koordinuar.

Ministria e Brendshme u shpreh se vlerësimet e deritanishme të të dy palëve, për bashkëpunimin në zbatimin e këtij Protokolli janë në nivel shumë të mirë.

1 nga 3

The post Bashkëpunimi me Italinë për migracionin, taskforca nis hartimin e planit të veprimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcimi i partneritetit me shoqërinë civile, bashkia e Lezhës përfiton fonde nga BE

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Bashkia e Lezhës është shpallur fituese në thirrjen e programit “ReLOaD3”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Ky program synon të forcojë demokracinë vendore përmes bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet pushtetit vendor dhe shoqërisë civile, duke rritur njëkohësisht pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.

“Lezha, si një nga bashkitë që ka qenë pjesë edhe në fazat e mëparshme të ReLOaD, konfirmon sërish përkushtimin ndaj qeverisjes së mirë, transparencës dhe zhvillimit të qëndrueshëm përmes përfshirjes qytetare”, thuhet në njoftimin për shtyp të bashkisë Lezhë.

Bashkia e Lezhës do të përfitojë mbështetje financiare, ndërtim kapacitetesh dhe asistencë teknike për të forcuar partneritetet me organizatat e shoqërisë civile, duke përdorur metodologjinë LOD – një model i suksesshëm për financim publik të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës.

“Lezha vazhdon të jetë shembull i angazhimit për zhvillim lokal me pjesëmarrje aktive të qytetarëve dhe organizatave lokale”, thuhet në njoftimin e bashkisë.

/m.m/r.e/

The post Forcimi i partneritetit me shoqërinë civile, bashkia e Lezhës përfiton fonde nga BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPAK mbyll hetimet për Metën dhe Kryemadhin, e pandehur edhe Fatime Kryemadhi

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin.

Meta dhe Kryemadhi akuzohen nga SPAK për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.

Monika Kryemadhi u paraqit sot në SPAK për t’u njohur me akuzat. Pas daljes nga SPAK, Kryemadhi tha se “do të shkojmë në gjykatë të fillojmë procedurat. Nuk merremi me portalet e komentet në Facebook. Mendoj që është një proces që duhet durim, s’kemi ç’të bëjmë”.

E pandehur në lidhje me këtë dosje është marrë edhe nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi. Sipas Kryemadhit nëna e saj akuzohet nga SPAK për pastrim parash.

“E kanë quajtur pastruese, sepse mamaja ime më ka ndihmuar mua për të pastruar veprën penale. Ajo e ka blerë shtëpinë e vet, por pretendohet se e ka blerë me paratë që i kam dhënë unë”, tha Kryemadhi.

Ajo theksoi se gjatë kohës që është marrë në pyetje nuk u është përgjigjur prokurorëve të SPAK-ut.

“Shtatë herë më kanë pyetur dhe nuk përgjigjem. Nuk bashkëpunoj me ta, do flas në gjykatë. Nuk ka më kuptim. Që në momentin merresh e akuzuar, është një procedurë që duhet bërë. Ata do bëjnë lojën e tyre, ne do bëjmë lojën tonë. Unë e shikoj veten time tabelë qitjeje dhe një lloj shpagimi që ka të bëjë me çështjen e inceneratorëve”, tha Kryemadhi.

Sipas deputetes, ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta nuk ka lidhje aspak me kartën bankare apo shpenzimet në Amerikë.

“Ilir Meta nuk ka qenë, ç’lidhje ka Meta me shpenzimet? Që të marrësh një kartë bankare duhet të vendosësh emrin. Ilir Meta nuk ka qenë në Amerikë, le të verifikohet a ka qenë dhe a ka shpenzuar aty ku është përdorur karta. Meta nuk ka pasur asnjë dijeni për shpenzimet e mia, asnjë qindarkë nuk ka ardhur nga Meta”, tha Kryemadhi.

Nga ana tjetër, Ilir Meta nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale tha për shkak të mungesës së avokatit të tij nuk u paraqit në SPAK, teksa shtoi se mezi pret gjykimin që të çmontojë sipas tij “këtë proces farsë të urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste”.

Sipas Metës ka “zero fakte penale, zero prova penale dhe zero pasuri të paligjshme” në procesin ndaj tij.

Pritet që SPAK t’i komunikojë akuzat Ilir Metës ditën e hënë.

Të pandehur në këtë dosje janë edhe Ema Çoku, e cila akuzohet për pastrim parash dhe Piro Xhixho, për korrupsioni pasiv.

Me mbylljen e hetimeve, SPAK pritet të formalizojë akuzat dhe të çojë dosjen në Gjykatën e Posaçme për shqyrtim gjyqësor.

/m.q/r.e/

The post SPAK mbyll hetimet për Metën dhe Kryemadhin, e pandehur edhe Fatime Kryemadhi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Kemi përfunduar procedurat për blerjen e dy avionëve zjarrfikës

TIRANË, 29 korrik/ATSH-Maela Marini/ Shqipëria ka përfunduar procedurat për blerjen e dy avionëve zjarrfikës.

Lajmin e bëri të ditur sot ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu në një intervistë televizive.

Vengu informoi se fondet për avionët zjarrfikës janë alokuar, dhe aktualisht pritet prodhimi i tyre si dhe trajnimi i pilotëve.

“Ne sivjet kemi pasur 5 helikopterë zjarrfikës në dispozicion të angazhuar 24 orë. Nuk kemi pasur kurrë një numër të tillë mjetesh ajrore zjarrfikëse më parë. Jemi në një përmirësim të ndjeshëm të gatishmërisë operacionale për sa i përket mbrojtjes civile me mbështetje nga ajri”, u shpreh Vengu.

Ky element, sipas tij, “do të vazhdojë të përforcohet me avionë zjarrfikës”.

“Ne kemi angazhuar fonde dhe kemi realizuar edhe procesin për blerjen e dy avionëve zjarrfikës. Janë alokuar fondet, kemi buxhetin dhe kemi realizuar edhe procedurën për blerjen e dy avionëve”, shtoi ai.

Ministri informoi se prodhimi dhe ardhja e tyre në vendin tonë merr një kohë normale, sepse duhet të prodhohen dhe dislokohen.

Ndërkohë, sipas tij, duhet të stërviten edhe pilotët për pilotimin e tyre. “Duhet të kuptojmë se prej vitit 2007 Shqipëria nuk ka pilotë avionësh dhe po i stërvitim pilotët e avionëve. Jemi absolutisht në kushtet ku këtë gjë e kemi parashikuar. Po investon qeveria në mënyrë që të kemi edhe mjete ajrore të tjera dhe të përforcojmë edhe flotën e helikopterëve sepse të dyja tipologjitë janë absolutisht të nevojshme dhe eficente”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, Vengu theksoi se po rinovohet tërësisht flota e mjeteve zjarrfikëse në mbarë vendin.

“Falë themelimit të kompanisë shtetërore të prodhimit ushtarak ne do të kemi mundësinë të prodhojmë edhe mjete emergjencash civile. Në këtë mënyrë do të stabilizojmë situatën si nga toka, edhe nga ajri”, tha Vengu.

Ministri solli në vëmendje edhe identifikimin e 4 zonave në vend ku do të krijohen qendra rajonale të emergjencave civile, në mënyrë që të ketë trupa, mjete dhe baza të caktuara për to.

“Do të jenë qendra rajonale ku mund të ulen dhe furnizohen helikopterët dhe trupa të dedikuara për sa i përket mbulimit të zonave pyjore dhe malore. Do të fillojmë fillimisht me një qendër për mbulimin e gjithë zonës së Finiqit, Delvinës, Konispolit, Sarandës, Himarës dhe zonave përreth. Kemi identifikuar një zonë në Bushat të Shkodrës për të ndihmuar Shëngjinin, Velipojën, Shkodrën dhe Lezhën ku konstatohet rrezikshmëri e lartë. Do të kemi po ashtu dy qendra të tjera në verilindje dhe juglindje të vendit për të fuqizuar zinxhirin e reagimit”, theksoi Vengu.

/r.e/

The post Vengu: Kemi përfunduar procedurat për blerjen e dy avionëve zjarrfikës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Trump e denoncon si “të pakuptimtë” aktin e dhunës në Nju Jork

29 July 2025 at 15:31

UASHINGTON, 29 korrik /ATSH-AFP/ – Presidenti Donald Trump denoncoi sot një akt dhune si “të pakuptimtë” të kryer nga një “njeri i çmendur”, pasi një person i armatosur vrau katër vetë në një qiellgërvishtëse në Nju Jork, para se të vriste veten.

“Jam informuar për të shtënat tragjike që ndodhën në Manhattan, një vend që e njoh dhe e dua”, shkroi presidenti amerikan në platformën e tij Truth Social.

”Kam besim te forcat tona të rendit për të zbuluar arsyet që e shtynë këtë njeri të çmendur të kryejë një akt kaq të pakuptimtë dhune”, shtoi ai.

Një  person hyri mbrëmë në një kullë zyrash në Manhattan duke qëlluar me pushkë dhe  duke vrarë katër persona, përfshirë një oficer policie të qytetit të Nju Jorkut, dhe duke plagosur një të pestë përpara se të vriste veten, thanë zyrtarët, sipas AP.

Të shtënat ndodhën në një qiellgërvishtëse që është shtëpia e selisë së NFL-së dhe ”Blackstone”, një prej firmave më të mëdha të investimeve në botë, si dhe qiramarrësve të tjerë.

”Personi i armatosur, i identifikuar nga autoritetet si Shane Tamura nga Las Vegas, kishte një histori të dokumentuar të shëndetit mendor”, sipas komisioneres së policisë, Jessica Tisch, por motivi i tij ishte ende i panjohur./  /Ad.Ab./

The post UASHINGTON – Trump e denoncon si “të pakuptimtë” aktin e dhunës në Nju Jork appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PL: Drafti për Kodin e ri Penal, antikushtetues

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi e cilësoi si antikushtetues draftin e ri të Kodit Penal.

Në një deklaratë për mediet Blushi tha sot se drafti është “një atentat ndaj shtetit të së drejtës, që synon asgjësimin përfundimtar të lirisë në Shqipëri”.

Deputeti i zgjedhur i PL-së nënvizoi se “ky Kod Penal është rikthim i Nenit famëkeq, “55” për agjitacion dhe propagandë”.

“Shteti i represionit që synohet të instalohet me këtë Kod parashikon: Burg për fjalën e lirë, sepse çdo kritikë, postim apo protestë mund të cilësohet “terrorizëm” apo “dezinformim” dhe kushdo mund të përfundojë me pranga në duar për “agjitacion e propagandë.

“Burg për parkimin, sepse bashkimi i “krimeve” me “kundërvajtjet” i jep fuqi prokurorisë që të kthejë çdo gabim administrativ në vepër penale. Burg për kontratat, sepse bizneset dhe individët ndëshkohen penalisht për mosmarrëveshje civile, ndërkohë që kontrabandistët dhe klientët e Qeverisë përfitojnë imunitet të paprekshëm.

“Liri për të dënuarit me burgim të përjetshëm, sepse parashikohen hapësira për lirimin e tyre pa asnjë kriter të qartë, duke çelur rrugën për pazare të fëlliqura politike dhe legalizim të korrupsionit gjyqësor. Liri për hajdutët me pushtet, sepse abuzimi me detyrën, shpërdorimi i fondeve publike dhe korrupsioni i lartë praktikisht dekriminalizohen përmes kufizimit ekstrem të dispozitave për ndjekjen e tyre”, tha Blushi.

Blushi u shpreh se “Kodi i ri Penal i pakonsultuar me asnjë grup interesi të mirëfilltë, me asnjë OJF apo organizatë të të drejtave të njeriut, pa pyetur avokatët apo profesionistët e drejtësisë, por i prezantuar në terr, nuk është ligj, por një mjet shtypës”.

Sipas Blushit ky Kod Penal duhet refuzuar, rrëzuar dhe dërguar në koshin e historisë bashkë me regjimin që e prodhoi.

“I bëjmë thirrje çdo qytetari, intelektuali, juristi, çdo përfaqësuesi të shoqërisë civile dhe çdo aktori politik që beson te vlerat e lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës të kundërshtojë me forcë këtë grusht shteti juridik ndaj lirisë, si tentativë kriminale për instalimin e shtetit të mafias”, tha Blushi.

/m.q/r.e/

The post PL: Drafti për Kodin e ri Penal, antikushtetues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dëmtuan shtratin e lumit Mat duke marrë inerte, nën hetim tre persona

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Policia e Lezhës njoftoi sot se ka vënë nën hetim tre punonjës të një subjekti të cilët po dëmtonin shtratin e lumit Mat.

Administratori i subjektit, sipas Policisë, është shpallur në kërkim.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, në kuadër të masave të shtuara për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, ushtruan kontroll përgjatë lumit Mat, ku konstatuan mjete të rënda të një subjekti që kryente aktivitet pa dokumentacionin përkatës dhe duke dëmtuar shtratin e lumit”, njoftoi Policia.

Sipas Policisë, “në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast: u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 3 punonjës të këtij subjekti, shtetasit M. L., 36 vjeç, V. L., 47 vjeç (vëllezër) banues në Pukë dhe F. L., 50 vjeç, banues në Tale, Lezhë; u shpall në kërkim shtetasi S. P., 39 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë, administrator i subjektit. Punohet për kapjen e tij”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 mjete të rënda (1 ekskavator dhe 3 kamionë) që shërbenin për këtë veprimtari të kundërligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

/m.q/r.e/

The post Dëmtuan shtratin e lumit Mat duke marrë inerte, nën hetim tre persona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Turneu i futbollit në Preshevë, Duka: Qëllimi ynë, të promovojmë futbollin e të motivojmë fëmijët të luajnë

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Turneu i futbollit në Luginën e Preshevës u mbyll mbrëmjen e djeshme, duke finalizuar me sukses një aktivitet të mbështetur plotësisht nga Federata Shqiptare e Futbollit. Takimet finale u ndoqën nga afër edhe nga presidenti i Federatës, Armand Duka, i cili zhvilloi edhe një bisedë shumë miqësore me fëmijët pjesëmarrës në turne.

Pas ceremonisë së ndarjes së medaljeve dhe kupave për fituesit, Duka mbajti një prononcim të shkurtër për mediet e pranishme në këtë turne.

Presidenti i FSHF tregoi se vizita e parë në Luginën e Preshevës ishte mjaft emocionuese dhe se qëllimi i këtij turneu ishte promovimi i futbollit dhe motivimi i fëmijëve që të luajnë futboll.

Ai falënderoi organizatorët për bashkëpunimin si edhe kryetarët e komunave të Bujanocit dhe Preshevës, ndërsa tha se në të ardhmen mund të ketë edhe projekte të reja.

Për mua është kënaqësi dhe emocion që jam sot këtu. Qëllimi i FSHF-së, objektivi i saj është motivimi i fëmijëve kudo që ato jetojnë për të luajtur futboll. Ky turne është jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, ka specifikat e veta, por nuk ka asnjë qëllim politik përveç se të promovojë futbollin”, tha Duka.

Sipas tij, “futbolli ka vetëm një gjuhë, atë sportive, të topit, të golit dhe respektin për shokët, kundërshtarin, për lojën dhe për veten. Nëpërmjet lojës ne duam të  krijojmë ura komunikimi, mesazhe paqeje dhe bashkëpunimi dhe të edukojmë sa më mirë fëmijët tanë kudo që ata jetojnë”.

“Dua të falënderoj iniciatorët dhe organizatorët, stafin e FSHF që ka bashkëpunuar për ta bërë sa më mirë, kryetarët e komunave të Bujanocit dhe Preshevës për angazhimin dhe mbështetjen. Mund ta konsideroj fillimin e një organizimi të ri.

Në bisedat që kemi bërë me të gjithë aktorët e futbollit në Luginë, do të krijojmë projekte të reja bashkëpunimi për të qenë sa më afër fëmijëve, talenteve dhe për ta bërë sa më të mirë jetën e tyre sportive”, pohoi Duka.

Ai shtoi se pritet të ndërtohen projekte të qëndrueshme për të ardhmen, ndërsa u ndal edhe te kërkesat e fëmijëve.

“Dihen dëshirat, të kenë një infrastrukturë më të mirë. Çfarë mund të bëjmë ne për t’i mbështetur? Besoj se do të krijojmë një marrëdhënie të qëndrueshme me komunitetin sportiv këtu jo vetëm për infrastrukturë, por edhe për të edukuar trajnerë, për mbështetje me uniforma sportive dhe topa”, tha presidenti i FSHF, Armand Duka.

Presidenti i FSHF-së gjatë turneut të futbollit në Luginën e Preshevës
1 nga 8

/e.i/r.e/

The post Turneu i futbollit në Preshevë, Duka: Qëllimi ynë, të promovojmë futbollin e të motivojmë fëmijët të luajnë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro me Komitetet e Mbrojtjes Civile të Përmetit dhe Këlcyrës: Të mos ulim vigjilencën ndaj zjarreve dhe rreziqeve natyrore

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Pas Gjirokastrës, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilloi sot një tjetër takim me Komitetet e Mbrojtjes Civile të bashkive Përmet dhe Këlcyrë.

Së bashku me gjithë institucionet që koordinojnë punën në terren për të mbrojtur territorin nga dashakeqësit dhe zjarret, Kumbaro kërkoi që të mos ulet në asnjë moment vigjilenca ndaj zjarreve dhe rreziqeve natyrore, teksa shënohet gjysma e sezonit veror.

“Përmeti e Këlcyra janë bashki të cilat kanë nën administrim sipërfaqe të mëdha pyjesh, ku kemi kaluar sfida të vështira, por që vetëm përmes komunikimit dhe koordinimit do të arrijmë të menaxhojmë me sukses edhe këtë periudhë, ndërsa Policinë e Shtetit e kemi në krah për të neutralizuar çdo përpjekje të të paudhëve që luajnë me zjarret”, u shpreh Kumbaro.

Ndërsa u shprehu mirënjohjen të gjithë punonjësve të angazhuar në shuarjen e zjarreve, si edhe banorëve të zonave të prekura që kanë qenë krah në këtë proces, Kumbaro theksoi më herët se do të ketë ndëshkime maksimale për piromanët që shkatërrojnë pasuritë e përbashkëta natyrore.

Sipas Kumbaros, nisur nga informacionet që jep Policia e Shtetit, në të gjithë territorin e vendit, në shumicën e rasteve zjarrvëniet kanë qenë nga dora e njeriut. Kumbaro u shpreh se “rreziku që zjarri të marrë vetë është aty ku ka depozitime mbetjesh, ku për shkak të dekompozimit të mbetjeve organike lëshohet gazi metan”.

“Përgjithësisht janë zjarrvënie me keqdashje që është kriminale, ose nga pakujdesia që nuk është më pak kriminale që do ndëshkohet njësoj”, pohoi Kumbaro.

/e.i/r.e/

The post Kumbaro me Komitetet e Mbrojtjes Civile të Përmetit dhe Këlcyrës: Të mos ulim vigjilencën ndaj zjarreve dhe rreziqeve natyrore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Asnjë lavazh mes lagjeve, ndryshe paguajnë gjobën e krimit mjedisor

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Në gjithë vendin po vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike dhe kthimin e ambienteve të përbashkëta te komuniteti.

Përveç lirimit të hapësirave publike në zonat e banuara, aksioni është shtrirë po ashtu në plazhe dhe akset nacionale ku po prishen strukturat pa leje anës rrugëve.

Në vijim të këtij aksioni, kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot se asnjë lavazh nuk do të qëndrojë mes lagjeve për të larë makinat nëpër trotuare.

“Prandaj kush i ka t’i heqë vetë që të mos paguajë edhe gjobën e krimit mjedisor”, u shpreh kryeministri.

Lirimi i hapësirave publike shihet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Gjatë gjithë muajit korrik por edhe më tej, lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të komuniteteve.

/m.m/r.e/

The post Rama: Asnjë lavazh mes lagjeve, ndryshe paguajnë gjobën e krimit mjedisor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarret në Konispol dhe Dukat, një i arrestuar dhe dy nën hetim

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Policia e Vlorës ka vënë në pranga një 25-vjeçar dhe ka nisur hetimet për dy të tjerë, si autorë të dyshuar të dy rasteve të zjarrvënies në Konispol dhe Dukat.

Policia njoftoi sot se “strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore për dokumentimin e rasteve të zjarrvënieve në territor, bënë të mundur identifikimin e dy shtetasve të dyshuar për zjarrvënie në Konispol.

Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi R. L., 25 vjeç, banues në fshatin Shalës, Konispol, dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. I., 51 vjeç, banues në fshatin Janjar, Konispol”.

Sipas policisë nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi R. L., më datë 27.07.2025, është larguar nga banesa duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”, dhe rreth orës 23:30, në bashkëpunim me shtetasin S. I., ka ndezur zjarr në një sipërfaqe kullote, në fshatin Janjar, Konispol, ku si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur rreth 8 hektarë me barishte dhe shkurre.

Gjithashtu është proceduar penalisht një 15-vjeçar, i dyshuar për zjarrvënie në një sipërfaqe toke me bimësi, në fshatin Dukat.

“Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Orikum është bërë identifikimi i autorit të një rasti tjetër të zjarrvënies, në fshatin Dukat. Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një shtetas 15 vjeç, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Fëngu i Bozhanajve”, në fshatin Dukat, dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me shkurre dhe bimësi të ndryshme”, njoftoi Policia.

Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse.

/m.q/r.e/

The post Zjarret në Konispol dhe Dukat, një i arrestuar dhe dy nën hetim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOLUMBI – Ish-presidenti Uribe shpallet fajtor për manipulim dëshmitarësh

29 July 2025 at 13:37

RIO DE ZHANEIRO, 29 korrik /ATSH-DPA/ – Ish-presidenti i Kolumbisë, Álvaro Uribe, u shpall fajtor për manipulim dëshmitarësh dhe mashtrim procedural në një gjyq historik, hera e parë që një ish-kreu i shtetit në vend dënohet për një vepër penale.

Gjatë shpalljes së vendimit që zgjati më shumë se 10 orë, gjyqtarja Sandra Heredia deklaroi se prokuroria kishte provuar përfshirjen e Uribes në këto krime.

Vendimi nuk është ende përfundimtar, dhe ekipi ligjor i Uribes pritet të apelojë. Një gjykatë apelimi duhet të japë vendim deri në mes të tetorit, përndryshe rrezikon që çështja të parashkruhet dhe të mbyllet.

Uribe, 73 vjeç, e ndoqi seancën online. Dënimi do të shpallet në një seancë të veçantë. Ai përballet me deri në tetë vjet burg, mundësisht në arrest shtëpie.

Ai u shpall fajtor për dy nga tre akuzat, ndërsa akuza për ryshfet u hodh poshtë.

Çështja buron nga procedurat që vetë Uribe i nisi më shumë se një dekadë më parë kundër senatorit të krahut të majtë Iván Cepeda, i cili kishte hetuar lidhjet e dyshuara të Uribes me grupet paraushtarake.

Situata u përmbys në vitin 2018 kur vetë Uribe u akuzua se kishte ushtruar presion ndaj ish-të burgosurve paraushtarakë për të dhënë dëshmi shfajësuese për të. Procedurat u vonuan vazhdimisht dhe vetëm në vitin 2024 u ngritën akuza kundër tij.

Uribe, një konservator që shërbeu si president nga viti 2002 deri në vitin 2010, mbetet një figurë përçarëse në Kolumbi. Mbështetësit e shohin atë si një mbrojtës të vendosur të sigurisë kombëtare gjatë një periudhe konflikti të fortë me grupet guerile të krahut të majtë.

Kritikët, megjithatë, e akuzojnë atë për shkelje të të drejtave të njeriut dhe mbajtjen e lidhjeve të ngushta me forcat paraushtarake.

Konflikti i brendshëm dekadash i Kolumbisë midis forcave qeveritare, guerilëve dhe paraushtarakëve të krahut të djathtë ka lënë rreth 220 000 njerëz të vdekur dhe miliona të zhvendosur./  /Ad.Ab./

The post KOLUMBI – Ish-presidenti Uribe shpallet fajtor për manipulim dëshmitarësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌