Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 July 2025Main stream

Tiranë, lirohen dy hapësira publike në rrugën “Sami Frashëri” dhe në zonën e Astirit

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Policia e Tiranës liroi sot dy hapësira publike të zëna në mënyrë të paligjshme, në rrugën “Sami Frashëri” dhe në zonën e Astirit.

Policia njoftoi sot se “referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 26 vjeç, pasi dyshohet se kishte zënë në mënyrë të paligjshme një hapësirë në rrugën “Sami Frashëri”, të cilën e përdorte si vendparkim privat. Gjithashtu, kishte vendosur në pronën e tij një kontinier, pa lejen e organeve kompetente”.

Gjithashtu “gjatë kontrollit në zonën e Astirit, konstatuan se një sipërfaqe publike, në rrugën “Teodor Keko”, ishte zënë në kundërshtim me ligjin dhe përdorej si ambient bar-kafe”.

Në përfundim të veprimeve hetimore, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F. T., 34 vjeç, për veprën penale “Pushtimi i tokës”.

/m.q/j.p/

The post Tiranë, lirohen dy hapësira publike në rrugën “Sami Frashëri” dhe në zonën e Astirit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tiranë, sekuestrohen veshje kontrabandë me vlerë 40 mijë euro

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Policia e Tiranë ka sekuestruar disa veshje sportive, të dyshuara si të kontrabanduara me vlerë totale 40 mijë euro.

Në kuadër të operacionit të koduar “Silent Load”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sh. Xh., 52 vjeç, banues në Kukës.

Policia njoftoi sot se “në rrugën “Bardhyl”, kanë lokalizuar dhe ndaluar furgonin me drejtues m 52-vjeçarin, në të cilin, gjatë kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, mallra (veshje sportive) të dyshuara si të kontrabanduara, me vlerë totale 40 000 euro”.

Sipas policisë nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas do t’i shiste veshjet në dyqane të ndryshme të një tregu të shumicës në rrugën “5 Maji”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

/m.q/j.p/

The post Tiranë, sekuestrohen veshje kontrabandë me vlerë 40 mijë euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vlorë, hiqen çadrat dhe shezlongët pa leje në një nga plazhet e Lungomares

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Policia e Vlorës ne bashkëpunim me atë bashkiake kanë vijuar sot kontrollet në terren për lirimin e hapësirave publike në vijën bregdetare.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha bëri të ditur se “gjatë kontrolleve në terren, janë hequr çadrat dhe shezlonget e njërit prej plazheve në zonën e Lungomares, që shfrytëzonte pa leje hapësirën publike”.

“Nga sot, një tjetër sipërfaqe plazhi i është kthyer turistëve dhe qytetarëve të Vlorës”, shkruan Dredha.

/m.q/j.p/

The post Vlorë, hiqen çadrat dhe shezlongët pa leje në një nga plazhet e Lungomares appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Këshilltarët e PL në bashkinë e Tiranës: Transparencë mbi procedurat e strehimit në Kombinat

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Anëtari i Partisë së Lirisë në Këshillit bashkiak të Tiranës Artan Distafa në një deklaratë për mediet ngriti sot shqetësimin e strehimit të banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.

Sipas tij megjithëse kanë kaluar më shumë se 5 vite nga tërmeti ende banorët e Kombinatit janë në gjendje emergjente.

“Jo për shkak të natyrës, për shkak të mashtrimit të planifikuar nga qeveria dhe Bashkia e Tiranës. Qindra familje janë ende pa strehë, të përjashtuar, të braktisur dhe të harruar përballë dramës së tyre”, tha Distafa.

Distafa theksoi se grupi i këshilltarëve të Partisë së Lirisë në këshillin bashkiak të Tiranës kërkon që të publikohet lista e plotë të përfituesve të banesave në Kombinat, pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019.

”Ne, grupi i këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës kërkojmë urgjentisht transparencë mbi kriteret dhe procedurat e ndjekura; strehim të menjëhershëm për çdo familje që është ende pa çati”, tha Distafa.

“Do të kërkojmë llogari, derisa çdo banor i Kombinatit dhe të gjithë ata banorë që akoma nuk kanë banesat e premtuara, të marrin atë që i takon me të drejtë. Qytetarët nuk kërkojnë më premtime, por përgjegjësi dhe drejtësi”, u shpreh Distafa.

/m.q/j.p/

The post Këshilltarët e PL në bashkinë e Tiranës: Transparencë mbi procedurat e strehimit në Kombinat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 11 July 2025Main stream

Manja: ILD dhe KLP të veprojnë pa vonesë ndaj prokurores Gjeli, vendimi minon Reformën në Drejtësi

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja kërkoi nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, të veprojnë me vendosmëri për të garantuar integritetin ligjor të veprimeve apo mosveprimeve të prokurores së Shkodrës Elsa Gjeli, e cila nuk nisi hetimet për ndërtimet pa leje në Theth. Në një deklaratë për mediet, Manja tha se vendimi i prokurores minon Reformën në Drejtësi.

“Shqipëria 2030 në BE ndërtohet çdo ditë në çdo institucion dhe institucione si Prokuroria e Shkodrës, që marrin në mbrojtje publike mosveprimin e një prokuroreje ndaj një vepre të rëndë penale si ndërtimi i një fshati të tërë turistik në zemër të një zone të mbrojtur si Thethi, nuk janë në lartësinë e misionit të madh kombëtar të anëtarësimit evropian të Shqipërisë”, tha Manja.

Manja tha se Thethi është Park Kombëtar dhe që mbrohet nga disa ligje, ndërsa shtoi se prokurorja duhej të merrte edhe mendimin e organeve kompetente që kanë të bëjnë me zonat e mbrojtura.

“Vendimi tregon nxitim, paaftësi profesionale dhe tendenca të qarta për të mos ushtruar funksionin e ndjekjes penale. Ka edhe pasaktësi të tjera ligjore që e bëjnë të cenueshëm këtë vendim. Thethi është Park Kombëtar që mbrohet nga disa ligje. Nëse punimet do të lejoheshin me një deklaratë paraprake, do duhej të merrej mendimi i organeve kompetente që kanë të bëjnë me zonat e mbrojtura”, tha Manja.

Manja shtoi se prokurorja Gjeli i është referuar një ligji që është i shfuqizuar.

“Absurdi qëndron se prokurorja Elsa Gjeli kur përligj vendimin, i referohet një ligji të shfuqizuar që nuk është më në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Tani në Shqipëri vepron ligji 20/20. I është referuar një ligji të vdekur juridikisht”, tha Manja.

“Shqipëria 2030 në BE nuk ndërtohet duke lejuar paligjshmërinë apo me justifikime teknike”, tha Manja.

Duke iu referuar deklaratës së Prokurorisë së Shkodrës në lidhje me rastin, Manja tha se “refuzimi për të hetuar një vepër të tillë penale, por edhe përpjekjet e Prokurorisë Shkodër për të mbrojtur këtë vendim, bien ndesh me frymën e Reformës në Drejtësi dhe pritshmëritë e qytetarëve për drejtësinë”.

“Prokuroria si institucion duhet të japë dhe llogari para qytetarëve, të Shkodrës në rastin konkret, për mbrojtjen e territorit. Drejtësia nuk mund të qëndrojë e heshtur përballë dëmeve mjedisore”, tha Manja.

Manja kërkoi që “ILD dhe KLP të veprojnë pa vonesë e të hetojnë rastin në përputhje me përgjegjësitë që u ngarkon ligji. Më shumë sesa një rast i vendimit të mosfillimit të hetimit, organet e drejtësisë kanë përgjegjësi për të garantuar integritetin, ligjshmërinë dhe besimin e publikut te drejtësia, që me vendime të tilla minojnë Reformën në Drejtësi, tek kjo drejtësi që po përpiqemi prej 10 vitesh në Shqipëri. Është cenim i shtetit të së drejtës dhe misionit tonë evropian”.

Rasti, sipas Manjës, “krijon precedentë të rrezikshëm në ushtrimin e funksionit të ndjekjes penale dhe i hap rrugës paligjshmërisë në territor”.

/m.q//r.e//a.f/

The post Manja: ILD dhe KLP të veprojnë pa vonesë ndaj prokurores Gjeli, vendimi minon Reformën në Drejtësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Goxhobelli: Digjitalizimi i hartës kadastrale përfundon në dhjetor 2026, nuk frenon legalizimet

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lorena Goxhobelli tha sot se digjitalizimi i hartës kadastrale si dhe gjithë të dhënave kadastrale përfundon në dhjetor të vitit 2026.

Gjatë një takimi me kryetarët e bashkive të vendit në Durrës, Goxhobelli tha se ky proces nuk pengon legalizimet.

“Për sa i përket hartës digjitale doja të sqaroja se procesi i legalizimit bëhet edhe në zona që janë pa regjistrim fillestar. Pra nuk kam ende një hartë, është një pengesë, por jo në lidhje me legalizimin. Harta digjitale nuk është, por kjo nuk frenon aspak legalizimin dhe njerëzit mund ta marrin lejen e legalizimit, por nuk mund ta certifikojnë. Ky është ngërçi.

“Harta digjitale është një problematikë që ne kemi në gjithë Shqipërinë. Vetëm 15 % e hartave janë digjitale, pjesa tjetër e hartave janë manuale. Kemi një projekt me delegacionin e BE-së po na suporton, fillojmë në nëntor punën me UNOPS-in për të nisur digjitalizimin e të gjitha hartave dhe përfundimi i digjitalizimit, jo vetëm i hartave, por i të gjitha të dhënave kadastrale përfundon në dhjetor 2026”, tha Goxhobelli.

/m.q//a.f/

The post Goxhobelli: Digjitalizimi i hartës kadastrale përfundon në dhjetor 2026, nuk frenon legalizimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkarkimi i drejtorit të Policisë Shkodër, Rama: Asnjë justifikim për ndërtimet pa leje

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Durrës një takim me kryetarët e bashkive për performancën e pushtetit vendor.

Në fjalën e tij kreu i qeverisë u ndal edhe tek shkarkimi i drejtorit të Policisë së qarkut Shkodër, ku theksoi se shpreson që të jetë një mesazh për të gjithë drejtuesit e qarqeve, se nuk mund të ketë justifikime për ndërtimet pa leje.

“Asnjë drejtor qarku nuk mund të justifikohet se nuk dinte gjë, kur nuk bëhet fjalë për një tavolinë me katër karrige që kanë dalë nga vija, por për 40 ndërtime pa leje apo qoftë edhe për një ndërtim pa leje. Policia e ka treguar se edhe kur do, di të shkojë edhe në majën e një mali kur një fshatar po bën një avlli dhe t’i thotë po bën një avlli. Poshtë në bregdet, ku ndërtohen rezorte dhe ku merret dheu nga kantieri dhe bëhet deti i kaltër i Jonit si Lumi i Lanës, nuk e shohin.

Të gjithë drejtorët e qarqeve, shefat e komisariateve duhet të dinë që përgjegjësia e tyre, nuk është vepër për një mur apo avlli, por për çdo ndërtim që ka formën edhe të një pallati, kur aty ka paligjshmëri”, tha Rama.

Rama shtoi se “nuk kemi ne 4 mijë km bregdet, që të na dëmtohet akoma më shumë seç na është dëmtuar në të shkuarën. Nëse ne angazhojmë ajkën e arkitektëve ndërkombëtarë në Shqipëri, dhe treçerekun e qeverisë për të miratuar lejet e ndërtimit me projektet e këtyre arkitektëve dhe merret Agjencia e Zhvillimit të Territorit me të gjitha detajet, ne nuk mund të lejojmë pastaj që projektet në territor të bëhen sipas qejfit”.

“Si mundet njëri të marrë fadromën dhe të hapë 500 metra në kodër, rrugë në shkëmb, e hap njëri pa leje mbi kokën e Ermal Dredhës dhe Policia nuk di gjë, kjo nuk është e mundur. Kontrolli mbi territorin, pastërtia, respekti për lejet e ndërtimit, pamundësia për të ndërtuar pa leje, duhet të jenë pjesë e jetës së përditshme të Policisë së Shtetit të bashkive dhe kryetarëve të bashkive”, u shpreh Rama.

/m.q//r.e//a.f/

The post Shkarkimi i drejtorit të Policisë Shkodër, Rama: Asnjë justifikim për ndërtimet pa leje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirohet hapësira publike në Darëzezë, 90 komplete me çadra e shezlongë të sekuestruara

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Në kuadër të lirimit të hapësirave publike të zëna pa leje, Policia e Fierit në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Bashkiake, po kryejnë kontrolle në zonat urbane dhe bregdetare.

Policia njoftoi sot se “gjatë këtyre kontrolleve u konstatua se në një stacion plazhi në Darëzezë, ishin vënë pa leje, rreth 90 komplete me çadra dhe shezlongë”.

“Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për pronarin e subjektit që kishte vënë këto objekte, shtetasin D. M., 26 vjeç, për veprat penale “Pushtimi i tokës”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar i pa pajisur me kasë fiskale””, njoftoi Policia.

Kontrollet, sipas Policisë, po vijojnë. Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Aksion i policisë për lirimin e plazheve publike, Darëzezë
1 nga 7
Policia në Darëzezë
Policia në Darëzezë
Policia në Darëzezë
Policia në Darëzezë
Policia në Darëzezë
Policia në Darëzezë
Policia në Darëzezë

/m.q//r.e//a.f/

The post Lirohet hapësira publike në Darëzezë, 90 komplete me çadra e shezlongë të sekuestruara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Sekuestrohen 120 komplete me çadra dhe shezlongë në plazhin e Shkëmbit të Kavajës

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, Policia e Durrësit njoftoi sot se kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.

“Gjatë kontrolleve, në hapësira publike, në plazhin e Shkëmbit të Kavajës, u hoqën dhe u sekuestruan në total 120 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme nga 1 shtetase”, njoftoi Policia.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen A. Sh., 42 vjeçe, banuese në Tiranë.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.

/m.q//r.e//a.f/

The post Sekuestrohen 120 komplete me çadra dhe shezlongë në plazhin e Shkëmbit të Kavajës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VanHorn takon Dumanin: SHBA vlerëson angazhimin e SPAK në shkatërrimin e rrjeteve kriminale

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn u takua sot me kreun e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani dhe me disa prokurorë që janë pjesë e këtij institucioni.

Nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA-së njoftoi se “VanHorn vlerësoi bashkëpunimin e SPAK në luftën e Shteteve të Bashkuara kundër krimit ndërkombëtar, trafikut të drogës dhe emigracionit të paligjshëm”.

VanHorn gjithashtu “falënderoi Dumani për guximin dhe angazhimin e SPAK në shkatërrimin e rrjeteve kriminale që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipërisë”.

/m.q//r.e//a.f/

The post VanHorn takon Dumanin: SHBA vlerëson angazhimin e SPAK në shkatërrimin e rrjeteve kriminale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Falsifikonte karta identiteti dhe merrte kredi, arrestohet 21-vjeçari në Tiranë

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Një 21-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës pasi falsifikonte karta identiteti dhe aplikonte më pas me to për të marrë kredi.

Policia njoftoi sot se “seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, si rezultat i hetimeve të kryera për disa javë, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, organizoi dhe finalizoi në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, operacionin policor të koduar “Identiteti”, si rezultat i të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi: S. M., 21 vjeç, banues në Tiranë”.

Nga hetimet sipas policisë “ka rezultuar se ky shtetas falsifikonte karta identiteti, duke përdorur foton e tij dhe të dhëna të shtetasve të tjerë, dhe me to aplikonte dhe përfitonte kredi me vlera nga 1000 euro deri në 3400 euro. Si rezultat i hetimeve janë dokumentuar 9 raste të përfitimit të kredive, nga ky shtetas, pas aplikimit me dokumente false”.

Gjithashtu u sekuestrua 1 automjet, karta identiteti të dyshuara të falsifikuara, 2 celularë dhe 20 karta SIM.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

/m.q//a.f/

The post Falsifikonte karta identiteti dhe merrte kredi, arrestohet 21-vjeçari në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rezoluta e PE, Dule: Kritika për zgjedhjet dhe respektimin e pakicave

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë për Bashkimin dhe të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), deputeti Vangjel Dule, nga Kryesia e Kuvendit foli në lidhje me rezolutën e miratuar dje nga Parlamenti Evropian për Shqipërinë. Dule kritikoi pabarazinë që, sipas tij, u shfaq në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

“Së pari, kryefjala nuk mund të ishte tjetër veç zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe refreni si i rezolutës, dhe i gjithë debatit ishte mungesa e barazisë në zgjedhje. Termi tashmë i mirënjohur që në 12 maj, me raportin paraprak të misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR, që konstatonte mungesën e barazisë, mungonte barazia. Kur mungon në një proces barazia, a mund të jetë produkti i këtij procesi i barabartë dhe i pranuar? A mund të jetë legjitim? Në fund të fundit janë pyetje që nuk janë retorike. Si mund të ishin të pranueshme zgjedhjet e 11 majit, në kushtet e një pabarazie të konstatuar nga të gjithë aktorët dhe faktorët vendas dhe të huaj?”, tha Dule.

Dule u ndal gjithashtu dhe te respektimi i minoriteteve në Shqipëri.

“Kur bëhen dy vite nga censi, nuk kemi ende rezultatet e detajuar për çdo njësi administrative në lidhje me praninë e pjesëtarëve të minoriteteve etnike. Është domosdoshmëri dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe që krahas reformave të tjera në vendin tonë, të domosdoshme për përafrimin me realitetet evropiane, duhet gjetur forma në bashkëpunim të ngushtë në klimë mirëbesimi dhe në mekanizma të gjithëpranuara në juridiksionin e Këshillit të Evropës të përcaktohen se cilat janë hapësira ku jetojnë tradicionalisht dhe në numër të konsiderueshëm pjesëtarët e komuniteteve etnike”, tha Dule.

Kreu i PBDNJ-së ngriti shqetësimin edhe për pronat e minoriteteve, ku theksoi se kërkohet një moratorium që, pa u dhënë zgjidhje çështjes së pronave, të ndërpritet çdo leje abuzive në hapësirat me status ende të papërcaktuar ligjërisht.

“Çështja e pronave është emergjente që qeveria të heqë dorë nga praktikat e mostrajtimit të çështjes së pronave, të lënies së tyre pezull, sidomos në zonat bregdetare, me qëllim që t’i shndërrojë ato në objekt të aferave klienteliste të qeverisë, kryeministrit dhe oligarkëve. Është momenti që kërkohet në moratorium që pa u dhënë zgjidhje përfundimtare çështjes së pronave, të ndërpritet çdo dhënie leje abuzive në hapësirat me status ende të papërcaktuar ligjërisht”, tha Dule.

/m.q//a.f//r.e/

The post Rezoluta e PE, Dule: Kritika për zgjedhjet dhe respektimin e pakicave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama në konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës, pritet nga Meloni

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama mbërriti sot në Romë ku do të marrë pjesë në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare të këtij viti, në mbështetje të Ukrainës dhe rindërtimit të saj pas pasojave shkatërruese të luftës me Rusinë.

Kryeministri Rama u prit në “Ukraine Recovery Conference 2025”, nga kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, e cila do të hapë edhe konferencën.

Në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës pritet që të marrin pjesë liderë botërorë, përfaqësuesve të lartë të BE-së, G7-ës, organizatave ndërkombëtare, institucioneve financiare dhe sektorit privat, për të koordinuar ndihmën konkrete dhe investimet strategjike në sektorët kyç të Ukrainës.

Gjatë konferencës do të mbahen fjalime nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri polak Donald Tusk dhe zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska.

Konferenca e Rimëkëmbjes së Ukrainës është ngjarja kryesore ndërkombëtare mbi rindërtimin e Ukrainës. Edicioni i Romës vjen pas Konferencave të Luganos (2022), Londrës (2023) dhe Berlinit (2024). Qëllimi i konferencës është të vazhdojë mobilizimin e qeverive, sektorit privat, institucioneve financiare ndërkombëtare, komuniteteve lokale dhe shoqërisë civile për rimëkëmbjen, rindërtimin dhe modernizimin e Ukrainës.

Në konferencë pritet të marrin pjesë më shumë se 3500 pjesëmarrës, rreth njëqind delegacione zyrtare dhe 40 organizata ndërkombëtare, 2 mijë kompani (nga të cilat rreth 500 janë italiane), qindra përfaqësues të autoriteteve lokale dhe shoqërisë civile.

Romë – Mbërritja e Kryeministrit Edi Rama në “Ukraine Recovery Conference 2025”
1 nga 4

/m.q//a.f//r.e/

The post Rama në konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës, pritet nga Meloni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërtimet pa leje – Shkarkohet kreu i Policisë së Shkodrës, pezullohet shefi i Stacionit të Policisë në Theth

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda njoftoi sot se nisur nga situata e ndërtimeve pa leje në qendër të Thethit janë shkarkuar nga detyra drejtori i Drejtorisë Vendore Shkodër, Fatmir Lleshi, shefi i Komisariatit, Nik Nikolla si dhe është pezulluar nga detyra shefi i stacionit të policisë Theth.

Proda tha se, “kam urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit për të kryer një hetim të thelluar disiplinor, ku paraprakisht ju informoj se shefi i Stacionit të Policisë Theth është pezulluar menjëherë nga detyra dhe ndaj tij ka nisur procedura disiplinore për shkelje të rëndë”.

Sipas Prodës, “ky funksionar me mosveprimin e tij të pajustifikueshëm e ka zgjedhur rrugën e vet për të mos qenë më pjesë e Policisë së Shtetit, nuk gjej dot asnjë arsye që ai ta veshë me uniformën blu – pavarësisht denoncimit të bërë nga Policia në Prokurorinë e Shkodrës, konkretisht referimi për ndërtimet pa leje në një zonë të mbrojtur, fatkeqësisht për këtë rast në mënyrë të çuditshme prokurorja e çështjes u mjaftua me mosfillim procedimi”.

“Gjithashtu, ecuria disiplinore ka filluar edhe ndaj inspektorit të zonës dhe specialistit të krimeve, të cilët po njësoj, nuk e meritojnë të jenë më pjesë e trupës së Policisë së Shtetit”, njoftoi Proda.

Proda bëri me dije po ashtu se “ka vendosur të shkarkojë nga detyra Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe bashkë me të edhe Shefin e Komisariatit të Policisë Shkodër”.

“Dua të jem shumë i qartë: Pavarësisht se Policia e Shkodrës ka bërë detyrën e vet duke referuar në Prokurori çështjen e atij kompleksi të tërë ndërtimi pa leje, mu në mes të një zone të mbrojtur, kjo as nuk ia heq përgjegjësinë Drejtorisë së Qarkut të Shkodrës për ndërtimet pa leje në Theth, që fatkeqësisht doli se nuk ishin një e dy, dhe as nuk mund të mbetet përgjegjësi e përveçme e një shefi stacioni, e një inspektori zone apo e një specialisti krimesh. Jo, kjo nuk do të ndodhë as në këtë rast dhe në asnjë rast të ngjashëm nëse do të ketë.

Nëse shefi i komisariatit nuk do të dijë jo se sa veprime pa leje mbi territorin janë bërë gjatë 24 orëve të fundit, por deri edhe se sa karrige lokalesh jashtë apo çadra plazhi të lejuara ka në territorin e mbuluar prej strukturës së tij, atëherë ai nuk do të rrijë më në atë detyrë”, tha Proda.

Proda shtoi se “ky është një mesazh i qartë edhe për të gjithë Drejtorët Vendorë të Policisë në qarqe që do të mbajnë përgjegjësi direkte nëse symbylljen apo padijen mbi territorin të vartësve të tyre, nuk e konstatojnë ata vetë përpara se ta konstatoj unë apo përpara se sa ta ketë konstatuar i gjithë komuniteti”.

Proda ftoi po ashtu qytetarët që çdo rast abuzimi, neglizhence apo sjelljeje të papërshtatshme nga punonjësit e Policisë ta denoncojnë menjëherë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

“Lirimi nga zaptimet arbitrare i hapësirave të përbashkëta publike në të gjitha qytetet e mëdha, është një detyrë e pandashme për çdo strukturë të policisë. Hapësirat publike u takojnë qytetarëve dhe komunitetit, e askush nuk ka të drejtë t’i përvetësojë”, tha Proda.

Proda shtoi se “bashkitë, komunitetet dhe qytetarët i ftoj të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Shtetit dhe të denoncojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë çdo rast indiference apo abuzimi nga ana e punonjësve të policisë apo çdo strukture tjetër inspektimi që ka për detyrë kontrollin e territorit”.

“Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht. Strukturat policore do të kryejnë veprimet hetimore duke e trajtuar parkimin e dyfishtë si vepër penale bazuar në nenin 293 të Kodit Penal. Ky fenomen i shëmtuar dhe i rrezikshëm do të zhbëhet, me çdo kusht. Me të gjithë respektin për drejtuesit e automjeteve, qyteti është në radhë të parë i këmbësorëve dhe megjithë mirëkuptimin për vështirësitë e parkimit, rruga është për të qarkulluar, jo për të parkuar në mes të saj”, tha Proda.

Proda nënvizoi se “shefat e komisariateve dhe drejtuesit e strukturave që kanë përgjegjësi për territorin do të jenë personalisht përgjegjës për rastet kur evidentohen ndërtime pa leje, zaptime të pronave, bllokime rrugësh, kthim i hapësirave komunitare në parkingje private, apo çdo abuzim me mjedisin, veçanërisht në zonat e mbrojtura”.

/m.q/a.f/r.e/

The post Ndërtimet pa leje – Shkarkohet kreu i Policisë së Shkodrës, pezullohet shefi i Stacionit të Policisë në Theth appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hasani me kontingjentin e FA në Kampin “Adazi”: Shembull i angazhimit të Shqipërisë ndaj NATO-s

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ndodhet në një vizitë zyrtare në Letoni.

Gjatë vizitës së tij, Hasani ka vizituar edhe kontingjentin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në Kampin “Adazi”, në Letoni.

“Krenar për secilin prej 22 burrave dhe grave që shërbejnë me profesionalizëm dhe përkushtim – të vlerësuar nga partnerët tanë letonezë dhe përfaqësues të angazhimit të palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s dhe mbrojtjes kolektive”, shkruan Hasani.

Një ditë më parë Hasani u mirëprit nga ministrja e Jashtme, Baiba Braze, ku u diskutua për mundësitë konkrete për bashkëpunim më të ngushtë në fusha si arsimi, siguria kibernetike, turizmi dhe shkëmbimet kulturore.

Këtë vit shënohen 97 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Letonisë, dhe 33 vite nga rivendosja e tyre. Shqipëria mbetet e përkushtuar për të thelluar partneritetin me Letoninë dhe për të kontribuar në paqen dhe sigurinë në Evropë dhe më gjerë.

Hasani, vizitë në kontingjentin e FA në Kampin Adazi
1 nga 26

/m.q//a.f//r.e/

The post Hasani me kontingjentin e FA në Kampin “Adazi”: Shembull i angazhimit të Shqipërisë ndaj NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: Tri vatra zjarri aktive nga 18 të raportuara gjatë 24 orëve të fundit

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi sot në lidhje me situatën nga zjarret në vend.

Sipas njoftimit për medie të Ministrisë së Mbrojtjes “gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 18 vatra zjarri, nga të cilat 3 janë ende aktive. Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Vlorë, Dibër, Maliq, Korçë, Lezhë, Kurbin, Bulqizë, Malësi e Madhe, Përrenjas, Sarandë, Himarë, Poliçan, Kuçovë, Gjirokastër e Durrës”.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se aktualisht mbeten aktive vatrat: Orikum, bashkia Vlorë – Në vendin e quajtur “Sotiran” ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra në lartësi të malit. Situata është mbajtur në monitorim gjatë natës. Ditën e sotme në zonë po operojnë 8 forca zjarrfikëse, 4 forca bashkiake, 4 forca nga Shërbimi Pyjor, të ndihmuar nga 20 forca ushtarake të FA.

Qarku Dibër – Vijon të jetë në monitorim vatra e zjarrit në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe dëllinja në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë. Sipërfaqja e përshkuar nga zjarri vlerësohet në rreth 18 ha. Ditën e sotme po vazhdon puna nga forcat operacionale, por pritet të vijnë në ndihmë rreth 25 persona në mbështetje të tyre.

Dibër – Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh. Ditën e djeshme për shuarjen e tij janë angazhuar 7 efektivë të MZSH Dibër dhe 5 forca të AdZM. Zjarri është aktiv brenda perimetrit të tij dhe po vazhdon me intensitet të ulët. Diten e sotme po vazhdon puna nga forcat operacionale për shuarjen e plotë të tij.

Në total, nga zjarret e rëna, kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre dhe barishte, janë djegur rreth 36 hektarë bimësi. Ndërsa u dogjën edhe 2500 rrënjë ullinj të moshës mbi 10 vjeçare, në fshatin Zgërbonjë, bashkia Poliçan. Policia e Shtetit ka ndaluar një shtetas, i cili është shoqëruar në komisariat, pasi dyshohet autori i ngjarjes.

Po ashtu janë djegur edhe rreth 30 rrënjë dru frutorë si, ullinj, kumbulla, fiq dhe hardhi pranë spitalit Kuçovë, në lagjen “11 Shkurti”, bashkia Kuçovë. Shkaku i zjarrit është nga këputja e telave elektrikë të tensionit të ulët.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 28 automjete zjarrfikëse dhe 237 forca. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 40 efektivë dhe 1 helikopter Cougar.

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, sot priten reshje të dobëta shiu në qarqet: Shkodër, Kukës dhe Elbasan, ndërsa në qarqet Dibër, Durrës, Tiranë, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje lokalisht të dobëta.

Sa i përket zjarreve, pritet nivel “I LARTË” rreziku në qarqet Fier dhe Vlorë, nivel rrezik “I MODERUAR” në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Berat, Korçë dhe Gjirokastër dhe nivel rrezik “I ULËT” në qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër.

Strukturat e Mbrojtjes Civile bëjnë me dije se vijojnë të jenë plotësisht të angazhuara, në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse, për monitorimin dhe ndërhyrjen në kohë në çdo vatër zjarri, me qëllim minimizimin e dëmeve në mjedis dhe rrezikut për jetën e qytetarëve.

/m.q//r.e//a.f/

The post MM: Tri vatra zjarri aktive nga 18 të raportuara gjatë 24 orëve të fundit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike, Rama: Skuadra e 11 majit për Vlorën në terren për të dëgjuar qytetarët

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se deputetët e zgjedhur të Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 11 majit për qarkun e Vlorës, janë aktivë në terren për të identifikuar problematikat që lidhen me hapësirat e përbashkëta dhe shërbimet publike në qytet.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama theksoi rëndësinë e lidhjes së drejtpërdrejtë me komunitetin dhe theksoi se mandatet e marra janë një borxh i madh që duhet shlyer me punë konkrete.

“Skuadra e 11 majit për Vlorën është dhe do të vazhdojë të jetë në terren, për të bërë inventarin e problematikave me hapësirat e përbashkëta dhe shërbimet, duke dëgjuar qytetarët nga qendra në periferi, në respekt të plotë të 9 mandateve historike që na dhanë, e të cilat duhet t’i konsiderojmë një borxh të jashtëzakonshëm për t’u shlyer, në radhë të parë duke mos shkëputur lidhjet me komunitetet, po duke dëgjuar e punuar më shumë me njerëzit e zakonshëm dhe për njerëzit e zakonshëm”, shkruan Rama.

Në disa qytete të vendit po zhvillohet një aksion i gjerë për lirimin e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme.

 

/m.q/j.p/

The post Lirimi i hapësirave publike, Rama: Skuadra e 11 majit për Vlorën në terren për të dëgjuar qytetarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan foto nga plazhi i Porto Palermos

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Plazhi i Porto Palermos është një nga zonat më të bukura të bregdetit shqiptar, mes ujërave të kristalta të Jonit.

Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ndau disa foto nga plazhi i Porto Palermos, ku natyra e paprekur plotëson një ofertë të përkryer për të gjithë vizitorët, qofshin vendas apo të huaj.

Plazhi ka një pamje spektakolare, me guralecë të bardhë, me ujëra të kristalta dhe në krye një kala 200-vjeçare.

Ajo njihet me dy emra, kalaja e Porto-Palermos ose kalaja e Ali Pashë Tepelenës.

Në stinën e verës plazhi mbetet një destinacion mjaft tërheqës për të gjithë vizitorët që kërkojnë qetësinë, freskinë, historinë e bukurinë e pamasë që Porto Palermo ofron.

/m.q/j.p/

The post Rama ndan foto nga plazhi i Porto Palermos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Spitali i Krujës transformim në qendër moderne për mbi 85 mijë banorë


TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Spitali “Dr. Stefan Gjoni” në Krujë ka pësuar një transformim të plotë nga rikonstruksioni që është kryer në të pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamjet nga punimet që janë bërë për rikonstruksionin e spitalit, duke theksuar se transformimi sjell një qendër moderne për mbi 85 mijë banorë.

“Transformimi në Spitalin “Stefan Gjoni” në Krujë sjell një qendër moderne për mbi 85 mijë banorë, me infrastrukturë të re, shërbime më efikase dhe urgjencë me teknologji bashkëkohore. Një tjetër hap drejt Shëndetësia 2030 me kujdes cilësor dhe pranë qytetarëve”, shkruan Rama.

Spitali i ri i Krujës do të ketë një kapacitet prej 124 shtretërish, ndërsa risi e këtij investimi është shtimi i shërbimit të kontingjencës dhe rehabilitimit.

Në spitalin e ri të Krujës do të ofrohen edhe shërbimet e poliklinikës.

/m.q/j.p/

The post Rama: Spitali i Krujës transformim në qendër moderne për mbi 85 mijë banorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dënimet alternative, Ministria e Drejtësisë marrëveshje me Konferencën Ipeshkvore

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Ministria e Drejtvsisë njoftoi se hodhi një tjetër hap për drejtësinë me fokus te riedukimi dhe integrimi duke mundësuar kryerjen e dënimeve alternative pranë Kishës Katolike.

Kështu, Ministria e Drejtësisë, përmes Drejtorit të Shërbimit të Provës, Eris Sheshi, nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me Konferencën Ipeshkvore të Shqipërisë, përfaqësuar nga Gjergj Meta.

Ministria e Drejtësisë njoftoi se “marrëveshja mundëson zbatimin e dënimeve alternative pranë Kishës Katolike, përmes punës në interes publik, siç parashikohet në nenin 63 të Kodit Penal”.

“Një model i ri bashkëpunimi që afron më shumë drejtësinë me jetën e përditshme dhe me vlerat e komunitetit. Drejtësia bëhet më njerëzore kur bashkëpunon me besimin dhe shoqërinë”, thuhet në një postim të Ministrisë së Drejtësisë në rrjetet sociale.

/m.q/j.p/

The post Dënimet alternative, Ministria e Drejtësisë marrëveshje me Konferencën Ipeshkvore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌