TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Në verën përvëluese të Elbasanit, ka një cep ku koha duket se ka ndalur për të treguar histori që pak i njohin dhe më pak i vizitojnë.
Një monument i lashtë, një rrugë romake dhe një fshat që bashkon antikitetin me mikpritjen, ky është Bradasheshi. Vetëm disa hapa më tutje, Shijoni, fshati i kumbullave dhe fiqve, i manastirit të Shën Joan Vladimirit, të kujton se ndonjëherë, udhëtimet më të bukura ndodhin aty ku nuk i pret.
Ad Quintum, një stacion romak që rilindi nga pluhuri i kohës
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka përfunduar me sukses restaurimin e Stacionit Antik Ad Quintum, një nga ndalesat më të rëndësishme përgjatë rrugës romake Egnatia, arteria që dikur lidhte Durrësin me Bizantin, dhe përmes saj, Perëndimin me Lindjen.
I vendosur në fshatin Bradashesh, vetëm pak kilometra larg qytetit, Ad Quintumi ishte një vendpushim për udhëtarët dhe tregtarët e kohës së Perandorisë Romake. Sot, të ndalosh aty është si të prekësh një fragment të gjallë të historisë. Gurët e lashtë, rrënojat e pastruara, dhe forma arkitektonike e stacionit tregojnë një botë që ka ekzistuar shumë përpara nesh, dhe që ende ka diçka për të na mësuar.
Sipas specialistes së trashëgimisë kulturore, Albana Drenogllava, projekti ka pasur dy qëllime.
“Të ruajmë një monument të rrallë dhe t’i japim zonës një identitet të ri turistik. Kjo tashmë ka filluar të ndodhë.”
Shijoni, përballë historisë, në heshtje dhe dritë
Përballë stacionit, shtrihet fshati Shijon, një vend ku vera vjen me ngjyra frutash dhe zëra njerëzish të qeshur. Këtu kumbullat janë më të ëmbla, fiqtë të ngrohur nga dielli dhe banorët të gatshëm të tregojnë ndonjë histori.
“Kanë ardhur shumë të huaj këtë vit,” thotë një zonjë e moshuar te porta e shtëpisë së saj prej guri.
“Fotografojnë, pyesin, blejnë fiq, ndalojnë për ujë. Nuk jemi mësuar kështu”, shton ajo.
“Është si të zbulosh një botë të humbur,” shton një turist nga Holanda, duke u ndalur pranë rrënojave.
“Një bukuri e rrallë antike që nuk e ndesh shpesh. Dhe gjithçka këtu është autentike, nuk duket si atraksion i sajuar”, vë në dukje ai.
Ad Quintumi ka transformuar mënyrën se si Bradasheshi perceptohet nga të huajt, nga një emër që dikur lidhej me Metalurgjikun, sot është kthyer në fshatin që ruan historinë.
Kur koha nuk ikën, por të fton ta prekësh
Nëse ecën ngadalë midis rrënojave, mund të dëgjosh diçka më shumë se cicërima. Është si një zë i vjetër që të fton të ndalesh, të kuptosh, të shohësh përreth. Kjo është ndjesia që të jep Ad Quintum, një stacion pushimi për të shkuarën që sot mund të jetë pikënisje për të ardhmen.
Në një verë kur shumë ikin në bregdet, Bradashesh-Shijon është një destinacion që të kujton se historia është këtu pranë, dhe pret vetëm që ta zbulojmë.
Nën drejtimin e kryetarit të bashkisë, Gledian Llatja, Elbasani ka nisur një politikë të re zhvillimi turistik, që synon të promovojë dhe lidhë atraksionet historike, kulturore dhe natyrore të rajonit.
“Ne po investojmë në infrastrukturë, sinjalistikë dhe promovim për të tërhequr turistë vendas e të huaj,” thekson Llatja në një nga deklaratat e tij të fundit.
Ai nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetet lokale, bizneseve dhe institucioneve kulturore për të krijuar një ofertë turistike të pasur dhe të qëndrueshme, ku fshatrat si Bradashesh dhe Shijon të jenë pjesë integrale e rrjetit turistik të Elbasanit.
Ndërsa Bradasheshi dhe Shijoni janë dy thesare që po marrin dritën e merituar, Elbasani ofron shumë më tepër për vizitorët, kalaja historike e qytetit, Gjinari, Funari, Busheku, Muzeu Etnografik, dhe zona të tjera të pasura me natyrë dhe kulturë.
Në këtë mozaik, secila pikë historike, çdo fshat dhe çdo rrugicë është një kapitull i vogël që pret të hapet. Dhe verë pas vere, më shumë njerëz po ndjekin këto gjurmë, duke u kthyer në zbulues të një Shqipërie të bukur dhe të shumëdimensionale.
/k.s//j.p//r.e/
The post Në rrugën e lashtë Egnatia, ku historia rilind dhe fshati frymon me turistë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.