TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja i ka dërguar sot një shkresë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, ku kërkon nisjen e procedimit disiplinor për prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli, për mosfillimin e hetimeve në rastin e ndërtimit pa leje në Theth.
Në shkresën dërguar institucionit të ILD-së, kreut Artur Metani, teksa për dijeni ia ka referuar edhe KLP-së, ministri Manja “kërkon nisjen e procedimit disiplinor ndaj prokurores së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, znj. Elsa Gjeli”.
Në tetë faqet e materialit të dorëzuar pranë ILD-së, ministri Manja nënvizon shpjegimet proceduriale dhe juridike nga ana e prokurores Gjeli.
“Me vendimin e datës 30.05.2025 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër është vendosur mosfillimi i procedimit penal për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” të parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal, për materialin hetimor të dërguar në këtë prokurori nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër””, thuhet në shkresë.
Ministri i Drejtësisë shprehet lidhur me situatën e ndërtimit në Theth, që nga kontrolli i IMT të Bashkisë Shkodër më 29 prill, kallëzimi në Prokurori, referimi i materialeve në organin e akuzës, pezullimi i punimeve më 30 prill për vendosjen e kabinave dhe vendimi për prishjen dhe gjobën subjektit më 8 maj.
“Prokurorja Elsa Gjeli, me vendim të datës 30.05.2025, vendosi mosfillimin e procedimit penal, brenda 48 orëve nga regjistrimi i kallëzimit penal, pa kryer veprime hetimore ose verifikime në terren”, nënvizon Manja, duke e kundërshtuar këtë vendim si në shkelje të ligjit. Më poshtë i bën një shpjegim të detajuar të rastit të Thethit dhe argumentet juridike, të bazuara në legjislacionin shqiptar”, nënvizon Manja, ndërsa thotë se prokurorja Gjeli “ka cenuar rregullat e ushtrimit të hetimit”.
“Në këtë rast që po ju paraqesim, vendimi i prokurorit është në kundërshtim me përmbushjen e rolit dhe të funksionit të tij, ka cenuar rregullat e ushtrimit të hetimit, në lidhje me kallëzimin nr.827, datë 28.05.2025 të Komisariatit të Policisë Shkodër ndaj dhe duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit të thelluar nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, referuar parashikimeve të neneve 169, pika 2, dhe 194, pika 2 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, nenit 119, pika 2 të ligjit Nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe nenit 6, pika 10 e ligjit 8678/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar. Bashkëlidhur gjeni kopje të dokumenteve që disponon Ministria e Drejtësisë për këtë çështje”, thuhet në shkresë.
Prokurorja Elsa Gjeli, u përmend edhe nga Kryeministri Edi Rama gjatë një komunikimi të drejtëpërdrejtë, ku Rama publikoi edhe vendimin e plotë të prokurores në lidhje me zënien e hapësirës publike në fshatin turistik të Thethit.
Kreu i qeverisë tha se vendimi e “ka lënë pa fjalë”, pasi sipas gjyqtares ndërtimi në këtë fshat “nuk përbën vepër penale”.
Dokumenti i plotë:
Mbi nisjen e procedimit disiplinor ndaj Prokurores Elsa Gjeli
/e.i/j.p/
The post Nuk nisi hetimet për ndërtimet pa leje në Theth, Manja kërkesë ILD-së: Procedim disiplinor për prokuroren Elsa Gjeli appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.