Nga 61 bashki në rang vend, 8 prej tyre paraqiten me probleme financiare ose në vështirësi financiare në vitin 2024 për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve të prapambetura.
Bashkia Vorë, Konispol, Pogradec, Peqin dhe Cërrik paraqiten me probleme financiare, ndërkohë që bashkia e Dimalit, Rrogozhinës dhe Kavajës paraqiten si bashki me vështirësi financiare.
Bashkia e Vorës dhe bashkia Cërrik nga bashki me vështirësi financiare në 2023 rezultojnë në bashki me probleme financiare në 2024.
Të dhënat u bënë publike nga ministri i Financave Petrit Malaj në takimin e organizuar me Kryeministrin Edi Rama dhe drejtues të pushtetit vendor me tematikën “Shqipëria 2030 – Sfidat dhe angazhimet vendore-Performanca e bashkive”.
“Kemi klasifikuar si bashki të cilat janë me probleme financiare ato bashki që kanë detyrimeve të prapambetura nga 16-25 %, pra detyrime të prapambetura në raport me shpenzimet faktike.
Konsiderohen bashki të cilat janë në vështirësi financiare ato bashki që kanë detyrime të prapambetura në masën 80 % në raport me shpenzimet e tyre faktike.
Konsiderohen bashki të cilat kanë vështirësi serioze financiare ato bashki të cilat kanë rreth 130 % detyrimeve të prapambetura në raport me shpenzimet faktike.
Të gjitha ato bashki që i kanë detyrimet e prapambetura më shumë se 130 % në raport me shpenzimet faktike konsiderohen bashki në paaftësi paguese”, tha Malaj.
Ministri Malaj tha tendenca e numrit të bashkive me probleme financiare është në rënie nga 30 që ishte numri i tyre në 2015 në 8 që ka arritur në 2024.
Pavarësisht numrit më të ulët të bashkive me probleme financiare, ministri Malaj kërkoi prej tyre që brenda 20 Korrikut të marrin masa për shlyerjen e detyrimeve dhe për rehabilitimin financiar.
“Masat që duhen të marrin bashkitë respektive, pra bashkitë që paraqiten me probleme financiare, duhet që të bëjnë hartimin e planit të shlyerjes së detyrimeve deri në datën 20 korrik. Këtë plan duhet ta miratojnë në këshillat e tyre përkatës, plan i cili duhet të paraqitet pranë Ministrisë së Financave dhe MF më tej do të duhet të ndjekë realizimin e shlyerjes së këtyre detyrimeve brenda 12 muajve.
Nga ana tjetër, bashkitë që paraqiten me vështirësi financiare duhet të miratojnë planin e rehabilitimit financiar të tyre deri më 20 korrik. Këtë plan duhet ta miratojnë në këshillat e tyre. Më pas ky plan duhet t’i kalohet Ministrisë së Financave për komente dhe rekomandime, plan i cili më pas nga MF do t’i kalohet degëve të Thesarit për tu ndjekur për zbatim.
Përveç bashkive që kanë probleme financiare, ministri i Financave Malaj tha se ka edhe bashki të cilat kanë pasur performancë të mirë sa i përket realizimit të të ardhurave vendore dhe investimeve. “Të gjitha ato bashki që kanë realizuar të ardhurat e tyre vendore apo kanë kryer investime mbi 70 % të buxhetit të tyre të miratuar janë bashkia e Tiranës, Kamzës, Durrësit, Vlorës, Elbasanit dhe Shkodrës. Gjithashtu, edhe në aspektin e investimeve, janë po prapë të njëjtat bashki që kanë realizuar investimet e tyre. Këtu mund të shtojmë edhe bashkinë e Lezhës, e cila ka performuar mirë sa i përket çështjes së investimeve”.
The post Ministri Malaj kërkon plane rehabilitimi deri më 20 korrik nga 8 bashkitë me probleme financiare appeared first on Revista Monitor.