Ndihmat nuk mundin urinë/ Gaza, turmat e njerëzve presin në rrugë kamionët e OKB
Edhe pse bllokada izraelite u lehtësua për të paktën 10 orë në ditë dhe disa vende po hedhin ndihma nga ajri, kjo nuk është mjaftueshëm për palestinezët që prej muajsh janë përballur me mungesë të theksuar të ushqimeve.
“Associated Press” shpjegon se grupet e ndihmës dhe vetë palestinezët thonë se ndryshimet kanë qenë graduale dhe mbi të gjitha janë shumë pak, për të ndryshuar skenarin më të keq të urisë që po ndodh në territorin e shkatërruar nga lufta.
Masat e reja kanë sjellë një rritje të numrit të kamionëve me ndihma që hyjnë në Gaza, por pothuajse asnjë prej tyre nuk arrin në depot e OKB për shpërndarje.
Pothuajse të gjithë kamionët zbrazen në moment nga turmat që i presin në rrugë, por mes tyre nuk ka vetëm njerëz të uritur, por edhe banda të armatosura që plaçkitin mallrat për t’i shitur më pas.
Pavarësisht se shpërndarja e ndihmave pritej të bëhej në mënyrë më të koordinuar gjatë pauzës taktike të njoftuar nga Izraeli, kjo nuk ka ndodhur. Ende shumë palestinezë vriten ose plagosen në përpjekje për të marrë ushqim. Sipas dëshmitarëve, janë ushtarët izraelitë ata që hapin zjarr rreth kamionëve të ndihmës.
Sistemi alternativ i shpërndarjes së ushqimit i drejtuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës i mbështetur nga Izraeli është pikërisht vendi ku rastet fatale janë më të shumta.
Nga ana tjetër grupet e ndihmës përsërisin se ndihmat nga ajri ofrojnë vetëm një pjesë të vogël në krahasim me sasinë që mund të furnizohet nga kamionët. Gjithashtu, shumë pako janë hedhur në zona tani të paarritshme dhe të tjera kanë rënë në det, duke e bërë ushqimin të pakonsumueshëm.
Raportet më të fundit vijnë teksa i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, vizitoi Rripin e Gazës, ku u ndal në një qendër të shërbimit të ndihmave humanitare në qytetin Rafah. Witkoff u ndal në një nga pikat e Fondacionit humanitar të Gazës, megjithatë për disa palestinezë që folën për BBC, ky ishte një teatër i Izraelit
Megjithatë disa civilë palestinezë që folën për BBC, e quajtën këtë një teatër të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara. Sipas tyre Witkoff e vizitoi Rripin e Gazës vetëm për të publikuar disa foto dhe për të thënë se ishte atje.