Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

BEJRUT – Sulmet ajrore izraelite vrasin komandantin e lartë të Jamaa Islamiya, aleat me Hamasin

By: ata ata
22 April 2025 at 13:30

BEJRUT, 22 prill /ATSH-DPA/ – Një komandant i lartë i Jamaa Islamiya, një fraksion islamik libanez, aleat me grupin ekstremist palestinez Hamas, u vra sot gjatë një sulmi izraelit me dron në jug të Bejrutit, sipas burimeve.

Sipas burimeve të mbrojtjes civile dhe policisë libaneze, një automjet u godit nga një dron izraelit pranë Bawerta, rreth 20 kilometra në jug të kryeqytetit Bejrut.

Në një deklaratë, grupi Jamaa Islamiya tha se anëtari i tij, Hussein Izzat Atwi ishte vrarë nga forcat sioniste në një sulm me dron.

Burimet libaneze të sigurisë identifikuan gjithashtu Atwi, një komandant i shquar në Forcat Al-Fajr, krahu i armatosur i Jamaa Islamiya, si personi i vrarë në sulm.

Ushtria izraelite tha se po hetonte raportet.

Jamaa Islamiya mban lidhje të forta me Hamasin në Gazë – dhe me lëvizjen pro-iraniane Hezbollah të Libanit dhe ka qenë e angazhuar në mënyrë aktive në sulme ndërkufitare që shënjestronin Izraelin verior gjatë vitit të kaluar.

Pavarësisht armëpushimit të ndërmjetësuar midis Izraelit dhe Hezbollahut në nëntor, Izraeli ka kryer disa sulme ajrore në Liban në muajt e fundit, ndërsa lëshimet e raketave nga territori libanez kanë vazhduar në mënyrë sporadike, duke përfshirë dy sulme të paprekura më 22 dhe 28 mars.

Javën e kaluar, ushtria Libaneze njoftoi arrestimin e disa individëve libanezë dhe palestinezë të dyshuar për përfshirjen në sulmet me raketa. Sipas burimeve të sigurisë, në mesin e të arrestuarve janë tre anëtarë të Hamasit. /  /i.s/ /a.i/

The post BEJRUT – Sulmet ajrore izraelite vrasin komandantin e lartë të Jamaa Islamiya, aleat me Hamasin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

STUDIM – ADN-ja e trashëguar vendos për fatin e tumoreve

By: ata ata
22 April 2025 at 13:08

NJU JORK, 22 prill /ATSH-DPA/ Fati i një tumori nuk përcaktohet vetëm nga mutacionet që ndodhin në qelizat e sëmura: ADN-ja e trashëguar në lindje nga prindërit tanë luan gjithashtu një rol themelor dhe shpesh të anashkaluar, i cili mund të drejtojë se si formohet tumori, si evoluon dhe si reagon ndaj trajtimeve.

Studimi u krye nga një grup studiuesish të udhëhequr nga Shkolla e Mjekësisë Icahn në Malin Sinai, bazuar në të dhënat e mbi 1000 pacientëve të prekur nga 10 lloje të ndryshme kanceri.

Rezultatet hedhin një hap të mëtejshëm drejt trajtimeve gjithnjë e më të përshtatura për individin: terapitë aktuale udhëhiqen kryesisht vetëm nga karakteristikat gjenetike të tumorit, ndërsa kërkimet sugjerojnë se marrja parasysh e gjithë trashëgimisë gjenetike të pacientit do të mundësonte përmirësimin e diagnozës dhe zgjedhjes së trajtimit.

“Variantet gjenetike të trashëguara ndihmojnë në shpjegimin e disa prej dallimeve të mëdha që mjekët shohin në mënyrën se si kanceri duket, përparon dhe i përgjigjet trajtimit nga pacienti në pacient”, thanë studiuesit.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt një mjekësisë precize që e konsideron individin si një të tërë.

Gjatë evolucionit të kancerit, gjenomi i trashëguar ndihmon për të përcaktuar se cilat mutacione janë të rëndësishme, sa agresiv mund të bëhet një tumor dhe si do të përgjigjet sistemi imunitar.

Autorët e studimit përdorën një teknikë të avancuar të quajtur peptidomika precize, e cila i lejoi ata të hartonin mbi 330,000 variante gjenetike të trashëguara që ndikojnë në strukturën dhe funksionin e proteinave në qelizat e tumorit dhe që mund të modifikojnë mënyrën në të cilën tumori zhvillohet dhe ndërvepron me mjedisin përreth.

Megjithatë, të dhënat vijnë kryesisht nga individë me origjinë evropiane, dhe kështu studiuesit theksojnë nevojën për hetime të mëtejshme për të konfirmuar se të njëjtat gjetje janë të vërteta edhe për popullatat e tjera. /  /i.s/ /a.i/

The post STUDIM – ADN-ja e trashëguar vendos për fatin e tumoreve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Danimarka dërgon trupa në Ukrainë për trajnim

By: ata ata
16 April 2025 at 14:34

KOPENHAGË, 16 prill /ATSH-DPA/ – Danimarka, anëtare e NATO-s, planifikon të dërgojë ushtarë të paarmatosur për t’u trajnuar në Ukrainë, tha sot kreu i ushtrisë daneze, Peter Boysen, për transmetuesin TV 2.

Ai tha se ushtarët danezë duhet të mësojnë nga personeli ushtarak ukrainas, veçanërisht nga përvojat e tyre në luftën me dronë.

Boysen tha për TV 2 se ushtarët danezë do të qëndrojnë larg vijave të frontit dhe ka të ngjarë të vendosen në qendrat e trajnimit në Ukrainën perëndimore.

”Trajnimi mund të fillojë që në verë”, tha ai.

”Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen nuk pranoi të komentojë mbi planet, duke thënë se çështja bie nën juridiksionin e ushtrisë”, njoftoi agjencia daneze e lajmeve, Ritzau.

Planet e trajnimit kanë shkaktuar pakënaqësi në ambasadën ruse në Kopenhagë.

Në një deklaratë me shkrim për TV 2, ambasadori i Rusisë në Danimarkë, Vladimir Barbin, tha se trajnimi i ushtarëve danezë në Ukrainë do ta “tërhiqte Danimarkën më thellë në konflikt” dhe “do të provokonte një përshkallëzim të mëtejshëm të pakontrolluar”.

Barbin tha më tej se vendimi “rrezikon jetën e ushtarëve danezë”, pasi të gjitha objektet ushtarake në Ukrainë, duke përfshirë qendrat e trajnimit dhe edukimit në perëndim të vendit, janë “objektiva legjitime” për ushtrinë ruse.

Danimarka, një anëtare themeluese e NATO-s, ka qenë një nga mbështetëset më të forta të Ukrainës që kur Rusia nisi luftën, më shumë se tre vjet më parë./  /b.n/

The post FOKUS – Danimarka dërgon trupa në Ukrainë për trajnim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Biden dënon qasjen e Trump për sigurimet shoqërore

By: ata ata
16 April 2025 at 12:13

UASHINGTON, 16 prill /ATSH-DPA/ – Ish-presidenti amerikan, Joe Biden kritikoi qasjen e administratës së re amerikane ndaj sigurimeve shoqërore duke paralajmëruar për ndarje të thella në vend, gjatë fjalimit të tij të parë publik që prej kthimit në detyrë të presidentit Donald Trump.

“Ne nuk mund të vazhdojmë kështu si një komb i ndarë, aq i ndarë sa jemi ne tani”, tha 82-vjeçari demokrat në konferencën e Avokatëve, Këshilltarëve dhe Përfaqësuesve për Personat me Aftësi të Kufizuara në Çikago.

“Nuk ka qenë kurrë kaq i ndarë”, shtoi Biden, duke iu referuar përçarjes në rritje midis mbështetësve të Trump dhe demokratëve.

Duke folur me një ton të përmbajtur, Biden kritikoi ashpër qasjen e administratës së re ndaj mirëqenies sociale duke e akuzuar atë se ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në më pak se 100 ditë në detyrë.

Ai tha se rreth 7 000 punonjës të qeverisë ishin pushuar nga puna, duke rezultuar në probleme serioze si mosfunksionimi i faqeve zyrtare të internetit për shkak të zvogëlimit të stafit në sektorin e IT-së.

Sigurimet shoqërore janë një program i qeverisë amerikane që ofron ndihmë financiare për familjet e punëtorëve që janë në pension, me aftësi të kufizuara ose që kanë vdekur.

Biden tha se sigurimet shoqërore ishin një “premtim i shenjtë”, duke thënë se “njerëzit tani janë vërtet të shqetësuar… për herë të parë dhe të vetme në histori, që përfitimet e sigurimeve shoqërore mund të vonohen ose ndërpriten”.

Biden u largua nga gara presidenciale korrikun e kaluar, pas një paraqitjeje të dobët në një debat televiziv, e cila shtoi shqetësimet brenda partisë së tij për moshën dhe mprehtësinë e tij mendore.

Ish-zëvendëspresidentja Kamala Harris mori postin si kandidate demokrate, por humbi zgjedhjet ndaj Trump./  /b.n/

The post SHBA – Biden dënon qasjen e Trump për sigurimet shoqërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – 10 të vrarë pas sulmit të fundit ajror izraelit

By: ata ata
16 April 2025 at 10:51

GAZA, 16 prill /ATSH-DPA/ – Të paktën 10 persona janë vrarë në një sulm ajror izraelit që shënjestronte  një shtëpi në Gazën veriore, njoftoi sot agjencia palestineze e lajmeve WAFA.

”Disa persona mbetën të plagosur prej sulmit”, njoftoi WAFA duke cituar burimet mjekësore.

Ushtria izraelite tha se po kontrollonte raportin.

Mediet palestineze publikuan imazhe që thuhet se tregojnë pasojat e sulmit gjatë natës në një lagje në pjesën lindore të qytetit të Gazës, me njerëz të plagosur duke u transportuar.

Ushtria izraelite nisi një operacion fundjavën e kaluar për të zgjeruar atë që përshkruhet si një “zonë sigurie”.

Qytetarëve u është bërë thirrje që të evakuojnë zonën.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, njoftoi kohët e fundit se ushtria do të zaptojë pjesë të mëdha të Rripit të Gazës për t’i kthyer ato në “zona të sigurisë” izraelite.

Izraeli ka kërcënuar të mbajë me force ato zona për t’iu bërë presion grupit ekstremist palestinez, Hamas në mënyrë që të lirojnë pengjet e mbetura në enklavën bregdetare të shkatërruar nga lufta.

Lufta e fundit në Gaza shpërtheu pasi Hamasi dhe grupet e tjera ekstremiste sulmuan Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1 200 persona dhe duke kapur më shumë se 250 pengje./  /b.n/

The post GAZA – 10 të vrarë pas sulmit të fundit ajror izraelit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE rregulla të reja sigurie për lodrat e fëmijëve

By: ata ata
11 April 2025 at 13:25

BRUKSEL, 11 prill /ATSH-DPA/ – Ligjvënësit e BE-së dhe shtetet anëtare kanë arritur një marrëveshje të përkohshme për rregulla më të rrepta të sigurisë së lodrave që synojnë një mbrojtje më të mirë të fëmijëve nga kimikatet e dëmshme dhe rreziqet e tregut në internet.

Marrëveshja, gjithashtu parashikon përdorimin e një pasaporte digjitale të produktit, e nevojshme për të gjitha lodrat që shiten brenda BE-së.

Pasaporta do të ofrojë informacione sigurie dhe paralajmëruese që aksesohen nëpërmjet mjeteve si kodet QR, duke lejuar konsumatorët dhe autoritetet doganore të verifikojnë më lehtë pajtueshmërinë.

Rregullat e reja synojnë gjithashtu të ndalojnë përdorimin e disa substancave të dëmshme, duke përfshirë kimikatet PFAS, të cilat mund të grumbullohen në mjedis dhe në trupin e njeriut.

Biozidet do të lejohen vetëm në lodra të prodhuara posaçërisht për përdorim të jashtëm.

Marrëveshja kërkon ende miratimin zyrtar të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së.//a.i/

The post BRUKSEL – BE rregulla të reja sigurie për lodrat e fëmijëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – Bisedimet BM-SHBA vazhdojne me qetësi dhe ftohtësi pas pezullimit të tarifave amerikane

By: ata ata
10 April 2025 at 15:09

LONDËR, 10 prill /ATSH-DPA/ – “Downing Street” tha se Britania e Madhe do të vazhdonte negociatat e saj me qetësi dhe ftohtësi – pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi një pauzë 90-ditore të tarifave për shumicën e vendeve.

Presidenti amerikan tha se ai do të vononte tarifat për shumicën e vendeve për 90 ditë, ndërsa do të rriste normën e taksave për importet kineze deri në 125%.

Detajet nuk ishin menjëherë të qarta, por sekretari amerikan i Thesarit tha se Trump do të mbante tarifat e tij bazë me 10% për shumicën e vendeve.

Kjo nuk përkthehet në një ndryshim të menjëhershëm për Britaninë e Madhe.

“Lufta tregtare nuk është në interesin e askujt”, tha një zëdhënëse e Zyrës së Kryeministrisë.

Pas disa ditësh trazirash, aksionet amerikane u rritën pas njoftimit se presidenti i SHBA-së po tërhiqej nga lufta tregtare në shkallë të gjerë.

Britania e Madhe është kursyer nga tarifat më të larta që prekin të tjerët dhe ka rezistuar ndaj marrjes së masave të menjëhershme hakmarrëse, ndryshe nga BE-ja, e cila votoi dje për të vendosur tarifa hakmarrëse ndaj disa mallrave amerikane.

Kryeministri britanik Keir Starmer paralajmëroi më herët se arritja e një marrëveshjeje ekonomike me SHBA-në apo sigurimi i tarifave të ulëta amerikane për Britaninë e Madhe nuk do të ishte e mjaftueshme.

Kancelaja e Thesarit, Rachel Reeves tha se BM-ja duhet të përmirësojë marrëdhëniet edhe me vendet e tjera përveç SHBA-së, përfshirë BE-në.

Starmer tha se trazirat në tregje nuk do të çonin në një lehtësim të rregullave fiskale të vetëimponuara nga qeveria e BM-së – të cilat ai i quajti “të hekurta” dhe “të panegociueshme”.

Ministrat ende shpresojnë se mund të arrihet një marrëveshje ekonomike me Uashingtonin për të zbutur ndikimin e disa prej tarifave të Trump – të cilat përfshijnë gjithashtu një tarifë prej 25% për makinat, çelikun dhe aluminin. / /a.i/

 

The post LONDËR – Bisedimet BM-SHBA vazhdojne me qetësi dhe ftohtësi pas pezullimit të tarifave amerikane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Merz në vizitë zyrtare në Uashington mes tensioneve tregtare SHBA-Evropë

By: ata ata
10 April 2025 at 14:57

Berlin, 10 prill /ATSH-DPA/ – Udhëheqësi konservator gjerman, Friedrich Merz, i cili do të pasojë Olaf Scholz njoftoi dje në mbrëmje se së shpejti do të udhëtojë në Uashington për të takuar presidentin amerikan, Donald Trump.

“Do të takohemi së shpejti”, tha Merz për transmetuesin publik ARD – duke shtuar se nuk ishte caktuar një datë specifike për vizitën.

Merz theksoi se konsultimet brenda BE-së do të ishin të nevojshme përpara këtij udhëtimi, veçanërisht për çështje të tilla si tarifat e fundit të presidentit Trump.

Gjatë udhëtimit të tij në Uashington, Merz tha se ai synon të përfaqësojë të gjitha shtetet evropiane, dhe jo vetëm Gjermaninë.

“Për mua, prioritet është Evropa”, shtoi ai.

Në një intervistë për ZDF, Merz vuri në dukje se vendimi i Trump për të pezulluar tarifat – e vendosura së fundmi – për 90 ditë ishte një përgjigje ndaj qëndrimit të bashkuar të Evropës.

Ai tha se Evropa është e gatshme për të negociuar – por njëkohësisht dhe e vendosur për të mbrojtur interesat e saj në konfliktin tregtar ndërkombëtar.

Blloku konservator i Merz – i përbërë nga Kristiandemokratët (CDU) dhe Unioni Kristian-social (CSU) – do të udhëheqë qeverinë pasi dje ra dakord për një koalicion me Partinë Socialdemokrate (SPD) të qendrës së majtë. / /a.i/

The post BERLIN – Merz në vizitë zyrtare në Uashington mes tensioneve tregtare SHBA-Evropë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MUZIKË – “Muse” anulon koncertin në Stamboll

By: ata ata
8 April 2025 at 15:22

LONDËR, 8 prill /ATSH-DPA/ – Grupi britanik i rock-ut, “Muse”, ka anuluar koncertin në Stamboll pasi protestuesit bënë thirrje për bojkot ndaj promovuesit të koncertit.

Protestat në shkallë të gjerë antiqeveritare filluan muajin e kaluar – pas burgosjes së kryetarit të bashkisë së qytetit turk, Ekrem İmamoğlu – rivalit kryesor të presidentit Recep Tayyip Erdogan, më 19 mars pas akuzave për korrupsion, të cilat ai i ka mohuar.

Mbështetësit e İmamoğlu dhe Partia Popullore Republikane (CHP) e opozitës së tij bënë thirrje për bojkotimin e kompanive që mbështesin qeverinë, duke përfshirë “DBL Entertainment” që do të organizonte koncertin e “Muse”.

Kjo vjen pasi promovuesi i “DBL Entertainment”, Abdulkadir Özkan, i quajti aktet e protestuesve “tradhti”.

Özkan më vonë ndau një postim në X duke pretenduar se mesazhi i tij ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe se i vinte keq për çdo keqkuptim.

“Muse” njoftoi se do ta shtynin koncertin përmes një postimi në Instagram, duke thënë: “Pas shqyrtimit të kujdesshëm dhe reagimeve nga fansat tanë, ndërkohë që respektojmë plotësisht shqetësimet e tyre, koncerti ynë në Stamboll do të shtyhet deri në vitin 2026, në mënyrë që të sigurohemi që “DBL Entertainment” nuk do të përfshihet”.

“Faleminderit për mbështetjen tuaj të vazhdueshme, e cila është shumë e rëndësishme për ne. Shihemi në vitin 2026”, tha “Muse”.

Njoftimi vjen vetëm disa ditë pasi grupi britanik njoftoi se do të performonte në Festivalin Park Yenikapı, në Stamboll më 11 qershor. /  /i.s/

 

The post MUZIKË – “Muse” anulon koncertin në Stamboll appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Netanyahu: Izraeli do të lehtësojë barrierat tregtare me SHBA-në

By: ata ata
8 April 2025 at 15:14

UASHINGTON, 8 prill /ATSH-DPA/ – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha dje se Izraeli planifikon të ulë tarifat dhe të lehtësojë barrierat tregtare me SHBA-në.

“Ne synojmë ta bëjmë shumë shpejt”, tha Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se qëllimi ishte gjithashtu të reduktonte deficitin tregtar me SHBA-në.

Netanyahu është lideri i parë i huaj që pritet në Shtëpinë e Bardhë për bisedime, që kur qeveria amerikane shpalli tarifat e reja prej 10% për importet nga pothuajse të gjithë partnerët e saj tregtarë.

SHBA-ja është aleati më i rëndësishëm i Izraelit dhe megjithatë vendi nuk u përjashtua nga tarifat e reja gjithëpërfshirëse prej 17% që do të vendosen në importet izraelite nga dita e  nesërme.

Para takimit, Netanyahu deklaroi se synonte të diskutonte paketën e re tarifore të SHBA-së, përpjekjet për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Rripin e Gazës dhe kërcënimin e paraqitur nga Irani.

Trump priti Netanyahun në fillim të shkurtit – në atë që u pa si një gjest mbështetjeje për kryeministrin izraelit – i cili ka marrë kritika të forta ndërkombëtare për luftën e vazhdueshme në Gazë.

Gjatë vizitës, Trump tha se synonte që SHBA-ja të merrte kontrollin e Rripit të Gazës të shkatërruar nga lufta për të zhvilluar rajonin.

Sipas planit të tij, banorët e Gazës do të zhvendoseshin në kombet arabe dhe territori do të shndërrohet në “Rivierën e Lindjes së Mesme”. /  /i.s/

The post UASHINGTON – Netanyahu: Izraeli do të lehtësojë barrierat tregtare me SHBA-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJENEVË – Tregu global i artit tkurret me 12% mes pasigurisë ekonomike

By: ata ata
8 April 2025 at 15:11

GJENEVË, 8 prill /ATSH-DPA/ – Shitjet në tregun global të artit ranë me 12% në terma vjetore, në rreth 57,5 miliardë dollarë në vitin 2024, sipas Raportit të Tregut të Artit të publikuar sot nga banka zvicerane UBS dhe Art Basel, pas një rënie prej 4% në vitin 2023.

Raporti ia atribuoi rënien – pasigurisë ekonomike dhe tensioneve të rritura gjeopolitike.

Tregu kinez pësoi tkurrjen më të madhe, me një rënie të shitjeve prej 31% në terma vjetore.

Dikur një forcë në rritje në tregtinë globale të artit, Kina tani ka zbritur në vendin e tretë pas Britanisë së Madhe, e njohur për shtëpitë e mëdha të ankandeve si Sotheby’s dhe Christie’s.

SHBA-ja mbetet një lojtare dominuese, duke zënë 43% të totalit të tregut botëror të artit. Britania e Madhe pason me 18%, ndërsa Kina zë vetëm 15%.

Ky sondazh u krye përpara valës së fundit të përçarjes ekonomike globale, duke përfshirë rënie të mprehta të tregut të aksioneve dhe rritje të tarifave të shpallura nga presidenti aerikan, Donald Trump, të cilat pritet të ndikojnë më tej në besimin dhe modelet e shpenzimeve në vitin 2025. /  /i.s/

The post GJENEVË – Tregu global i artit tkurret me 12% mes pasigurisë ekonomike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UELLINGTON – Zelanda e Re rrit shpenzimet për mbrojtjen mes tensioneve në rritje në rajon

By: ata ata
7 April 2025 at 13:07

UELLINGTON, 7 prill /ATSH-DPA/ – Zelanda e Re do të rrisë shpenzimet për mbrojtjen gjatë katër viteve të ardhshme për të ndërtuar një forcë “moderne, të aftë për luftim” mes tensioneve në rritje në rajon, tha sot kryeministri, Christopher Luxon.

“Vendi do të investojë 12 miliardë dollarë në Zelandën e Re (6,6 miliardë dollarë amerikanë) gjatë katër viteve të ardhshme, duke rritur përfundimisht shpenzimet e mbrojtjes nga pak më shumë se 1% e prodhimit të brendshëm bruto në më shumë se 2% gjatë tetë viteve”, tha Luxon.

“Zelanda e Re, aleatët dhe partnerët tanë në mbarë botën nuk ndodhen më në një mjedis miqësor”, tha ai në një konferencë për shtyp.

“Muajt e fundit kanë përforcuar se ndryshimet tektonike po shpalosen në ushtrimin global të pushtetit, levave ekonomike dhe gjithashtu ndikimin strategjik”, tha ai.

“Supozimet e vjetra po përmbysen dhe rregullat po i lënë vendin pushtetit… rreziku i konfliktit në rajonin tonë është rritur”, shtoi ai.

Investimet e mëdha të përshkruara nga qeveria përfshijnë “aftësi të zgjeruara të goditjes”, zëvendësimin e helikopterëve detarë, përmirësimet e raketave antitank dhe teknologjitë e reja hapësinore.

Ministrja e Mbrojtjes, Judith Collins, tha se mbrojtja nuk mund të lihej pas dore derisa të ishte e nevojshme.

“Kur rreziku afrohet, nevojitet një forcë që është e gatshme dhe e pajisur për të bërë gjithçka që i kërkohet dhe duhet të jetë në gjendje ta bëjë atë menjëherë”, tha ajo.

“Ky realitet kërkon që jo vetëm të punojmë me të tjerët që ndajnë vlerat dhe interesat tona për të zvogëluar mundësinë e konfliktit, por edhe të përgatitemi për më të keqen”, tha ajo/ /i.s/

The post UELLINGTON – Zelanda e Re rrit shpenzimet për mbrojtjen mes tensioneve në rritje në rajon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZË – Qindra njerëz i bashkohen protestës kundër luftës në kampin e refugjatëve në Jabalia

By: ata ata
7 April 2025 at 13:04

TEL AVIV, 7 prill /ATSH-DPA/ – Disa qindra palestinezë në kampin e refugjatëve Jabalia në veri të Gazës iu bashkuan një proteste dje, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës në brezin e rrethuar bregdetar.

Shumë po protestonin kundër organizatës militante palestineze Hamas, të cilën ata e konsiderojnë përgjegjëse për përkeqësimin e situatës humanitare në zonën bregdetare kryesisht të shkatërruar.

Disa mbanin tabela dhe brohorisnin “Hamasi është terrorizëm”, ndërsa të tjera shenja dhe thirrje drejtonin zemërimin ndaj Izraelit, i cili u akuzua për bombardimin e qëllimshëm të zonave të banuara.

Pati gjithashtu protesta kundër bllokadës së vazhdueshme të Izraelit për dërgesat e ndihmave, të vendosura në fillim të marsit.

Izraeli tha se rreth 16,500 ushtarë të tij janë trajtuar për lëndime fizike dhe psikologjike që nga fillimi i konfliktit.

Ministria e Mbrojtjes e Izraelit tha se pothuajse gjysma e ushtarëve të prekur kishin pësuar dëme psikologjike që kur ushtria izraelite filloi operacionet në Gaza në tetor të vitit 2023.

Izraeli thotë se më shumë se 400 e personelit ushtarak kanë vdekur që nga fillimi i operacioneve në Gaza, pasi më shumë se 1200 njerëz u vranë në sulmin e udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023.

Ndërkohë që më shumë se 50,000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, sipas zyrtarëve lokalë shëndetësorë të udhëhequr nga Hamasi.

Dhjetë raketa u lëshuan nga Rripi i Gazës në Izrael dje, tha ushtria izraelite.

Shumica e predhave u kapën, tha një zëdhënës i ushtrisë.

Brigadat Al-Qassam, krahu ushtarak i Hamasit, mori përgjegjësinë për sulmin, i cili ishte sulmi më i rëndë me raketa nga Gaza në muajt e fundit.

Një burrë u plagos lehtë në qytetin jugor të Izraelit, Ashkelon, sipas shërbimit izraelit të shpëtimit.

Kolonët izraelitë vranë një djalë 14-vjeçar në një sulm në një fshat pranë Ramallahdje, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në qytetin e Bregut Perëndimor.

Forcat okupuese të Izraelit në Bregun Perëndimor u informuan për vdekjen, tha ministria.

Personeli ushtarak e kishte dërguar adoleshentin në një spital, ku ai vdiq nga plagët që kishte marrë, thanë zyrtarët e ministrisë.

Nga ngjarja kanë mbetur të plagosur edhe dy të rinj të moshës 17 dhe 18 vjeç, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë.

Zyrtarët e Ramallah thonë se 900 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor që nga tetori i vitit 2023.

Disa qindra njerëz priten t’i bashkohen protestës kundër luftës në kampin e refugjatëve në Gaza. / /i.s/

The post GAZË – Qindra njerëz i bashkohen protestës kundër luftës në kampin e refugjatëve në Jabalia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Të paktën 20 të vdekur nga stuhitë në SHBA

By: ata ata
7 April 2025 at 12:57

UASHINGTON, 7 prill /ATSH-DPS/ – Numri i të vdekurve nga stuhitë e forta në Midwest dhe në jug të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shkuar në të paktën 20, sipas medieve lokale.

Të paktën 18 vdekje të tjera të lidhura me stuhinë janë raportuar që nga e mërkura në Tenese, Misuri, Kentucky, Indiana, Arkansas dhe Misisipi.

Vetëm në Tenesi, ku qyteti Selmer u godit nga një tornado e fuqishme, humbën jetën 10 persona.

Në mbarë vendin, deri dje u regjistruan rreth 90 tornado. Pas disa ditësh reshje të dendura, lumenjtë kanë vërshuar në shumë zona, duke shkaktuar përmbytje. Shërbimi i motit paralajmëroi për përmbytje të rrezikshme për jetën.

Gjatë fundjavës, situata u përkeqësua veçanërisht në Kentaki. Guvernatori Andy Beshear shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.

Në kryeqytetin e shtetit Frankfort, lumi Kentaki arriti një nivel gati rekord prej 15 metrash, sipas administratës së qytetit. Stuhitë shkaktuan edhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Rreth 80,000 familje në shtetet e prekura mbetën pa energji elektrike, sipas faqes së internetit Poweroutage.us.

Trafiku ajror u ndërpre gjithashtu, dhe u raportuan rreth 4,000 vonesa dhe 150 anulime fluturimesh. /  /i.s/

The post UASHINGTON – Të paktën 20 të vdekur nga stuhitë në SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Aeroporti i Heathrow i mbyllur përgjatë gjithë ditës, pas zjarrit në nënstacionin elektrik

By: ata ata
21 March 2025 at 13:45

LONDËR, 21 mars /ATSH-DPA/ – Më shumë se 1 300 fluturime për dhe nga aeroporti Heathrow do të ndërpriten sot për shkak të mbylljes së aeroportit të Londrës, pas një zjarri në një nënstacion elektrik aty pranë.

Mijëra shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike dhe më shumë se 100 njerëz u evakuuan pasi mori flake një transformator brenda nënstacionit elektrik North Hyde në perëndim të Londrës.

Heathrow është aeroporti më i madh në Mbretërinë e Bashkuar, me më shumë se 83,9 milionë pasagjerë që udhëtonin nëpër terminalet e tij në vitin 2024.

Një zëdhënës i Heathrow tha se “vazhdon te ketë një ndërprerje të konsiderueshme të energjisë në të gjithë aeroportin Heathrow, për shkak të një zjarri të madh në një nënstacion elektrik aty pranë. Teksa ekipet e zjarrfikësve po merren me incidentin, ne nuk e kemi të qartë se kur mund të rikthehet energjia elektrike”.

”Për të ruajtur sigurinë e pasagjerëve dhe kolegëve tanë, ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të mbyllim Heathrow deri në orën 23:59 më 21 mars 2025. Pritet të ketë ndërprerje të konsiderueshme gjatë ditëve në vijim dhe pasagjerët nuk duhet të udhëtojnë drejt aeroportit në asnjë rrethanë derisa ky i fundit të rihapet”, shtoi ai.

“Ne do të japim një përditësim kur të ketë më shumë informacion mbi rifillimin e operacioneve.E dimë se kjo do të jetë zhgënjyese për pasagjerët dhe duam t’iu sigurojmë se po bëjmë çmos për t’i dhënë një zgjidhje kësaj situate”, tha zëdhënësi.

Shërbimet online të gjurmimit treguan se fluturimet po devijoheshin në Gatwick, aeroportin ”Charles de Gaulle” në Paris dhe aeroportin Shannon të Irlandës si dhe aeroportet në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

Aeroporti Gatwick konfirmoi se kishte pranuar shtatë fluturime të devijuara nga vende të ndryshme duke përfshirë Singaporin, Johannesburg-un, Lagos-in, Cape Town dhe Doha-n, të cilat fillimisht ishin drejtuar për në Heathrow.

Zjarrfikësit shpëtuan 29 persona nga zona përreth.

Pamjet e postuara në mediat sociale treguan flakë të mëdha dhe shtëllunga të mëdha tymi që dilnin nga objekti.

Ata thanë se kishin marrë rreth 200 telefonata në lidhje me incidentin.

Shkaku i zjarrit mbetet ende i papërcaktuar./  /b.n/

The post BM – Aeroporti i Heathrow i mbyllur përgjatë gjithë ditës, pas zjarrit në nënstacionin elektrik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Pistorius shpërfill pauzën e Putinit për sulmet në infrastrukturën energjetike ukrainase

By: ata ata
19 March 2025 at 15:48

BERLIN, 19 mars /ATSH-DPA/ – Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius hodhi poshtë sot marrëveshjen e arritur nga presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin për të ndalur sulmet në infrastrukturën energjetike në Ukrainë për 30 ditë.

Pistorius i tha transmetuesit gjerman ZDF se marrëveshja e arritur gjatë një telefonate mes dy liderëve ishte një “dështim”.

”Sulmet ruse në infrastrukturën civile të Ukrainës po vazhdojnë”, vuri në dukje Pistorius, pasi u raportuan sulme në disa zona të Ukrainës gjatë natës, përfshirë një spital.

“Putini po luan një lojë”, argumentoi ministri i Mbrojtjes.

“Jam i sigurt se presidenti amerikan nuk do të jetë në gjendje të qëndrojë mënjanë për një kohë të gjatë”, theksoi ai.

”Jam shumë i sigurt se do të vijë një moment kur ai do të reagojë, ai do të duhet të reagojë, në përputhje me forcën dhe reputacionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shtoi Pistorius.

Ai paralajmëroi se kushtet e Putinit për një armëpushim të plotë njëmujor synojnë të dobësojnë Ukrainën, në mënyrë që Rusia të armatoset më tej dhe të përqendrojë më shumë trupa në kufirin me Ukrainën ose në territoret e pushtuara.

Pas bisedës telefonike mes dy presidentëve, Kremlini tha se Putini bëri një sërë kërkesash, përfshirë ndalimin e dërgesave të armëve dhe ndarjen e informacionit sekret me Ukrainën, përpara përfundimit të plotë të luftimeve.

Megjithatë, Trump më vonë i tha ”Fox News” se Putini nuk këmbënguli për ndalimin e menjëhershëm të të gjithë ndihmës për Ukrainën.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se ishte i hapur ndaj idesë, por se i duheshin më shumë detaje./ /b.n/

The post GJERMANI – Pistorius shpërfill pauzën e Putinit për sulmet në infrastrukturën energjetike ukrainase appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – ”Eurostar” ndalon trenat e linjës Londër-Paris pas gjetjes së një bombe të LIIB

By: ata ata
7 March 2025 at 12:01

LONDËR, 7 mars /ATSH-DPA/ – ”Eurostar” ka pezulluar shërbimet mes Londrës dhe Parisit për pjesën e mbetur të ditës së sotme, pas gjetjes së një bombe të pashpërthyer të Luftës së Dytë Botërore pranë shinave në kryeqytetin francez.

Mijëra pasagjerë po përballen me ndërprerje të udhëtimit pasi operatori kishte planifikuar të drejtonte 32 trena në të dy drejtimet gjatë gjithë ditës.

Një turmë e madhe pasagjerësh që kishin rezervuar bileta për shërbimet e prekura nga kjo situatë, u mblodhën jashtë zonës së regjistrimit në stacionin London St Pancras.

E premtja është një nga ditët më të ngarkuara të javës për “Eurostar”, pasi shumë njerëz udhëtojnë në fundjavë për pushime jashtë vendit.

Një zëdhënës i operatorit tha se bomba u gjet gjatë punimeve pranë stacionit “Gare du Nord”, në veri të Parisit qendror.

Shërbimet do të lejohen të rifillojnë vetëm pasi të kenë përfunduar “operacionet e pastrimit të minave” nga policia franceze, shtoi zëdhënësi.

”Gare du Nord” përdoret gjithashtu për shërbimet kryesore në Francë dhe konsiderohet stacioni hekurudhor më i ngarkuar në botë pas Japonisë.

Operatori kombëtar i trenave të Francës, SNCF, deklaroi se shërbimet në ”Gare du Nord” do të pezulloheshin deri në mesditë me kërkesën e policisë.

Shërbimi ”Eurostar” midis Londrës dhe Brukselit nuk preket nga kjo situatë./  /i.s/

The post LONDËR – ”Eurostar” ndalon trenat e linjës Londër-Paris pas gjetjes së një bombe të LIIB appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – 11 aeroporte në grevë të përgjithshme

By: ata ata
7 March 2025 at 11:22

FRANKFURT, 7 mars /ATSH-DPA/ – Punonjësit e sektorit publik dhe stafi tokësor në 11 aeroporte gjermane, duke përfshirë qendrat kryesore të transportit si Frankfurti dhe Mynihu, do të hyjnë në grevë të hënën, për shkak të një mosmarrëveshjeje të vazhdueshme mbi pagat, tha sindikata ”Verdi”.

Punonjësit në aeroportin e Berlinit si dhe në Hamburg, Shtutgart, Këln/Bon, Dyseldorf, Dortmund, Hanover, Bremen dhe Lajpcig-Halle janë thirrur gjithashtu t’i bashkohen grevës, veprim i cili do të shkaktojë shqetësime për udhëtarët në të gjitha aeroportet e mëdha gjermane.

Gjermania është goditur nga një seri grevash javët e fundit, pasi sindikata po përpiqet të ushtrojë presion mbi qeverinë federale dhe komunat përpara raundit të tretë të bisedimeve për një marrëveshje kolektive mbi pagat që përfshin rreth 2,5 milionë punonjës të sektorit publik.

”Verdi” po kërkon rritjen e pagave me 8%, me një vlerë minimale prej 350 eurosh më shumë në muaj, si dhe bonuse më të larta dhe tre ditë pushimi.

Rreth 20 000 punonjës të kujdesit shëndetësor morën pjesë në grevë dje, ndërsa punonjësit në kopshte do t’u bashkoheshin sot.

Një pjesë e madhe e punonjësve të operatorit të Aeroportit të Frankfurtit, mbulohen nga marrëveshjet kolektive për punonjësit e sektorit publik, duke e bërë të mundur që ata të bashkohen me grevën që do të fillojë në mesnatë (23:00 GMT të dielën).

”Verdi” gjithashtu i bëri thirrje stafit tokësor të hyjë në grevë për 24 orë./  /i.s/

The post GJERMANI – 11 aeroporte në grevë të përgjithshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – Irlanda e gatshme për dërgimin e paqeruajtësve në Ukrainë

By: ata ata
6 March 2025 at 14:09

LONDËR, 6 mars /ATSH-DPA/ – Kryeministri irlandez, Micheal Martin, ka hapur mundësinë e dërgimit të një kontigjenti simbolik të trupave të Dublinit në Ukrainë, duke pasur parasysh numrin e reduktuar të ushtrisë, si pjesë e një plani paqeje për t’i dhënë fund konfliktit me Rusinë, i cili përfshin vendosjen e një force paqeruajtëse.

Kryeministri e tha këtë në samitin anglo-irlandez me homologun e tij britanik, Keir Starmer, të planifikuar për sot në Liverpool, ku do të përfshihen edhe anëtarë të rëndësishëm të qeverive të dy vendeve, me qëllim rinisjen e lidhjeve të ngushta mes Londrës dhe Dublinit.

“Nëse do të kishte një armëpushim ose nëse luftimet marrin fund, Irlanda është e gatshme të marrë pjesë në ruajtjen e paqes, por jo në parandalimin e saj”, tha Martin.

Ndër të tjera, qeveria e re irlandeze, e cila ka ringjallur aleancën midis dy partive kryesore të së djathtës ”Fianna Fail” dhe ”Fine Gael”, po diskuton mbi ngjarjet ndërkombëtare dhe pikën e kthesës që solli administrata e re amerikane e Donald Trump, duke rishikuar mekanizmin aktual, të quajtur “blloku i trefishtë”, i cili kërkon miratimin e Kombeve të Bashkuara për dërgimin e trupave të Republikës në operacione të ruajtjes së paqes jashtë vendit.

Kjo temë është shumë delikate nga pikëpamja politike, pasi ky mekanizëm konsiderohet si një nga themelet e neutralitetit ushtarak irlandez.

Samiti i sotëm, i pari që kur qeveria laburiste e Starmer mori detyrën në korrik, do të njoftojë bashkëpunime të reja për prodhimin e energjisë në det të hapur midis dy vendeve, si dhe 185,5 milionë paund investime irlandeze në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat do të krijojnë më shumë se 2 500 vende pune./  /i.s/

The post LONDËR – Irlanda e gatshme për dërgimin e paqeruajtësve në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Gjashtë të vrarë nga sulmet ajrore ruse në juglindje të Ukrainës

By: ata ata
6 March 2025 at 13:33

KIEV, 6 mars /ATSH-DPA/ – Rusia nisi një tjetër sulm ajror në Ukrainë gjatë natës, duke shkaktuar vdekjen e gjashtë personave, njoftuan sot autoritetet ukrainase.

”Një sulm në një hotel në qytetin industrial të Kryvyi Rih, në juglindje të vendit, mori jetën e katër personave”, njoftuan autoritetet.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i lindur në Kryvyi Rih, shkroi në Telegram se ”më shumë se 30 persona u plagosën nga ky sulm”.

Pak para sulmit, thuhet se vullnetarë të një organizatë humanitare kishin hyrë në hotel, por kanë mbijetuar, sipas raporteve.

Guvernatori i rajonit, Serhiy Lyssak, tha në Telegram se 14 ndërtesa shumëkatëshe banimi, një zyrë postare, pothuajse 24 automjete dhe 12 dyqane u dëmtuan.

Fillimisht u raportuan dy të vdekur dhe shtatë të plagosur.

Informacionet nga zona e luftës nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Sulmet ajrore në rajonet e Sumy, Kharkiv dhe Odessa në të njëjtën natë, shkaktuan dy vdekje dhe tre plagosje.

Sipas mbrojtjes ajrore ukrainase, Rusia sulmoi me dy raketa të tipit ”Iskander-M” dhe 112 dronë. Ata njoftuan se kanë rrëzuar 68 dronë./   /i.s/

The post KIEV – Gjashtë të vrarë nga sulmet ajrore ruse në juglindje të Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌