Rama: Dajçi në breg të Bunës, destinacion tërheqës për turistët e huaj
TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Në brigjet e lumit Buna, në zonën e Dajçit të Shkodrës, ndodhet një plazh i vogël që po kthehet në një atraksion gjithnjë e më të kërkuar nga vizitorët vendas dhe të huaj.
I rrethuar nga gjelbërimi dhe ujërat e pastra të Bunës, ky plazh ofron çlodhje larg zhurmës dhe temperaturave përvëluese të qytetit.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se Dajçi, në breg të Bunës, është shndërruar tashmë në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për turistët e huaj.
Rama ndau sot në rrjetet sociale opinionin e dy prej tyre që vinin nga Malta dhe Spanja për të pushuar pranë brigjeve të Bunës.
“Jam nga Malta, është hera e dytë që vij. Ma kanë sugjeruar miqtë e mi që janë shqiptarë. Më së shumti më pëlqen natyra këtu dhe temperaturat të cilat nuk janë shumë të larta dhe janë më të përshtatshme se ato në vendin prej nga vij. Sidomos për muajin korrik dhe gusht Malta është shumë e nxehtë”, u shpreh një turist.
Ai tha se fillimisht do të qëndrojë këtu për dy javë dhe në vijim do të qëndrojë më shumë në veri të vendit.
“E rekomandoj shumë Shqipërinë. Është një vend fantastik, me natyrë të mrekullueshme, njerëz shumë mikpritës dhe ushqim fantastik”, tha ai.
“Jam nga Spanja dhe më pëlqen shumë këtu plazhi. Uji është krejtësisht i pastër dhe më pëlqen që mund të bëj padel”, tha një tjetër.
Një gji i qetë dhe i mbrojtur, ku pushuesit gjejnë kombinimin perfekt mes natyrës së virgjër dhe mikpritjes lokale, plazhi i vogël në Dajç po fiton një vend të veçantë në hartën e destinacioneve alternative të turizmit në Shqipëri.
/m.m/j.p/
The post Rama: Dajçi në breg të Bunës, destinacion tërheqës për turistët e huaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.