“Turistët po anulojnë rezervimet”, banori i Thethit: IKMT ka shembur rreth 100 objekte, s’po kemi guxim me punu
Në zonën e Thethit ka hyrë në ditën e gjashtë aksioni i IKMT-së për prishjen e objekteve të ndërtuara pa leje, e po ashtu edhe kundërpërgjigja e banorëve me protesta dhe përplasje me policinë.
Për situatën e krijuar në këtë zonë turistike foli në “Ditarin e fundjavës” me Erion Dushin, në A2 CNN, banori dhe sipërmarrësi Edmir Grela.
“Situata nuk duket shumë mirë. IKMT dhe policia e shtetit vazhduan prapë me shembjet. Kjo nuk pritej nga shteti në kulmin e sezonit si nga turistet dhe banorët e Thethit. Jo unë nuk jam prekur, por janë prekur kushërinjtë tanë, të afërmit tanë që u kthyen për të ndërtuar dhe hapur dyert me prit turistët në Theth, pasi kishte një rritje shumë të madhe Thethi këto dy vitet e fundit”, tha Grela.
Pasojat e aksionit të IKMT-së sipas Grelës janë ndjerë pasi ka pasur anulime rezervimesh dhe turistë që largohen të frikësuar. Po ashtu sipërmarrësi tha se janë të paqartë për atë çka i pret në të ardhmen, duke mos pasur më guximin të investojnë për përmirësim të infrastrukturës në ambientet e tyre të shërbimit.
“Po kishim shumë kërkesa, bile edhe vetë personalisht ishim duke u munduar për të bërë rritje të biznesit por mbetëm të bllokuar tanimë, edhe s’po guxojmë më për të punuar. Edhe ato që kishim nis për ti ndërtuar për ti prit të huajt, gjysma janë shemb. Janë shembur rreth 50 deri në 100 objekte. Nuk dihet sa do zgjasë, as nuk e dimë kë do të kap them inshallah nuk vijnë tek unë. Rruga është e kalueshme por ka polici. Normal janë të trembur turistët, janë larguar. Pyesin a mund të vijmë, a ka probleme. Pyesin çfarë po ndodh… Janë anuluar rezervimet. Nuk ka përgjigje apo informacion. As nuk thonë pritni, nuk dimë gjë”, shpjegoi Grela.
Më tej ai nënvizoi se të gjithë sipërmarrësit në zonën e Thethit kanë paguar taksa dhe detyrimet ndaj shtetit në mënyrë të rregullt.
“Krejt paguhen, të gjithë janë me taksa, me nipte, paguajnë ujë dhe drita. Njëherë të thotë shteti ndërto dhe mbrapa të vjen e t’i prishë. Por pse lë me ndërtu atëherë kur është e padrejtë.”
I pyetur nëse ka dijeni për investime strategjike në zonë pas aksionit të IKMT-së, duke qenë se opozita pretendon se një investitor austriak ka shprehur interesin për Thethin, Grela u përgjigj duke thënë: “Jo deri tani unë nuk kam dëgjuar gjë. Nuk është se janë toka të zanuna, janë trashëguar brez pas brezi”. /A2cnn/
The post “Turistët po anulojnë rezervimet”, banori i Thethit: IKMT ka shembur rreth 100 objekte, s’po kemi guxim me punu appeared first on Telegrafi.