Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 2 August 2025Main stream

Projeksione virtuale në tunelet nëntokësore të Kukësit, së shpejti të hapura për publikun

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Tunelet nëntokësorë të Kukësit fshehin një pjesë të harruar të historisë së qytetit, që po merr më shumë vëmendje falë mbështetjes së Bashkimit Evropian.

Delegacioni i BE-së njoftoi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale se “përmes projektit EMOUnderground, i financuar nga programi INTERREG ADRION, këto hapësira po përgatiten të pajisen me projeksione në realitet virtual, të cilat do të jenë së shpejti të aksesueshme për publikun”.

“Vizita jonë me “Reel the Site” na çoi pikërisht në këtë tunel, një vend që ruan kujtime të forta dhe potencial për t’u kthyer në pikë referimi të turizmit kulturor në Kukës”, njoftoi delegacioni i BE-së.

Nën rrugët e qytetit verior të Kukësit gjendet një labirinth tunelesh, të ndërtuara gjatë regjimit komunist, për të strehuar banorët në rast lufte.

Për ndërtimin e Kukësit nëntokësor është punuar gati 20 vite e shpenzuar miliarda. Ndërtime të pabesueshme. Një spital për 300 shtretër, fabrika e prodhimit të bukës, hapësirat e tjera për vendkomanda e shumë zyra për administratën. Pra e përllogaritur për 20 apo 30 mijë banorë në një periudhë kohore për të paktën 4 deri gjashtë muaj.

Tunelet në trajtë labirinti lidhin çdo hapësirë e përshtatur për funksione të ndryshme. Kurse hyrja realizohej në pesë vende të ndryshme të qytetit. Një pjesë ë pallateve e ndërtuar në atë periudhë, i kanë në çdo shkallë portat e blinduara dhe tunelet hyrëse për në qytetin e nëndheshëm. Porta ka edhe për konviktet e institucionet arsimore.

/m.q/j.p/

The post Projeksione virtuale në tunelet nëntokësore të Kukësit, së shpejti të hapura për publikun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga flamingot në lagunën e Nartës

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Flamingot, zogjtë lozonjarë me qafën e hollë dhe me ngjyrë mjaft interesante, kanë populluar lagunën e Nartës. Kryeministri Edi Rama ndau sot një video nga flamingot në lagunën e Nartës, teksa qëndrojnë në grup në ujërat e cekëta të lagunës.

Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla deri në qindra-mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit. Në vendin tonë habitati i këtij lloji është laguna e Nartës, Karavastasë, por edhe liqeni i Pogradecit.

Laguna e Nartës, renditet e dyta më e madhe nga rëndësia për shpendët e ujit. Në këtë lagunë janë rreth 20,000 shpendë dimërorë të rreth 40 llojeve, duke u kthyer në një habitat shumë të pasur, gjithashtu vendushqimi për pelikanin dhe ku takohen rregullisht flamingot.

Laguna e Nartës ndodhet në veri-perëndim të qytetit të Vlorës, rreth 14 km larg saj dhe ka një sipërfaqe prej rreth 42 km 2. Ndahet nga deti Adriatik nga një rrip i ngushtë toke ranore, që përbëhet nga duna rëre dhe plazhe të vegjël pa bimësi të dendur.

/m.q/j.p/

The post Rama ndan pamje nga flamingot në lagunën e Nartës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drafti i Kodit të ri Penal, burg përjetë kujt shkakton epidemi me dashje

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Pas pandemisë së koronavirusit, në draftin e propozuar për Kodin e ri Penal një kapitull i është kushtuar edhe mbrojtjes së shëndetit publik, ku parashikohen masa të ashpra ndëshkuese për një sërë veprash penale që cenojnë drejtpërdrejt shëndetin publik.

Neni 441 i Kodit të ri Penal parashikon që shkaktimi i një epidemie nëpërmjet shpërndarjes së baktereve ose viruseve patogjenë, dënohet me burgim jo më pak se sa njëzetë e pesë vjet ose me burgim të përjetshëm. Kur kjo vepër është kryer nga pakujdesia, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.

Për sa u përket përhapjes së sëmundjeve infektive, sipas Kodit të ri Penal, në nenin 442 parashikohet që përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve ose mosveprimeve nga personi që është diagnostikuar si mbartës i sëmundjes apo nga personi që ka për qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose rrezik për jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.

Ndërkohë, mosraportimi i shenjave të sëmundjeve infektive apo pandemike prej zyrtarëve publikë të ngarkuar me administrimin apo trajtimin e sëmundjeve infektive apo pandemike, sipas detyrimeve që ligji u ka ngarkuar për të plotësuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

Në draftin e Kodit të ri Penal parashikohen masa edhe për individët apo subjektet që shkelin rregullat ligjore të vendosura për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, apo që nuk i binden masave gjatë gjendjeve të jashtëzakonshme.

Sipas nenit 445 mosrespektimi i rregullave me të cilat organi kompetent shtetëror urdhëron ekzaminime, dezinfektime, karantinë ose masa të tjera për parandalimin ose ndalimin e përhapjes së një sëmundje ngjitëse që paraqet rrezik për jetën e shëndetin e njerëzve dhe kafshëve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Në draftin e ri janë parashikuar masa të forta edhe për kontrollin e tregut farmaceutik. Tregtimi i barnave të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin, përfshirë çdo formë importimi, shpërndarjeje apo ndërmjetësimi, dënohet me 4 deri në 8 vjet burgim.

Mashtrimi në përmbajtjen, përbërjen apo dokumentacionin e barnave, si dhe çdo veprim që cenon sigurinë, efikasitetin apo cilësinë e produkteve mjekësore, do të ndëshkohet me dënime që variojnë nga 2 deri në 8 vjet burgim.

/m.q/j.p/

The post Drafti i Kodit të ri Penal, burg përjetë kujt shkakton epidemi me dashje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sigurimi i gjurmueshmërisë, Denaj: 94 tonë produkte bujqësore dhe blegtorale të bllokuara

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Në kuadër të aksionit kombëtar për formalizimin e tregut bujqësor dhe blegtoral, janë bllokuar 94 tonë produkte gjatë kontrolleve të kryera në terren.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e cila theksoi se aksioni vijon për të garantuar që çdo mall të jetë i gjurmueshëm dhe i deklaruar dhe që askush të mos tregtojë në shkelje të legjislacionit tatimor.

“94 tonë produkte bujqësore dhe blegtorale të bllokuara, gjatë kontrollit në terren, në kuadër të aksionit kombëtar për formalizimin dhe sigurimin e gjurmueshmërisë së produkteve nga grumbulluesit, përpunuesit dhe tregjet me shumicë”, u shpreh Denaj.

“Aksioni vijon për të garantuar që çdo mall të jetë i gjurmueshëm dhe i deklaruar dhe që askush të mos tregtojë në shkelje të legjislacionit tatimor dhe në kurriz të prodhuesve të ndershëm dhe shëndetit të konsumatorëve”, shtoi ajo.

Aksioni për formalizimin dhe përmirësimin e sigurisë ushqimore në tregun e produkteve bujqësore dhe blegtorale, nga strukturat e Administratës Tatimore dhe Ministrisë së Bujqësisë nisi më 14 korrik në qytetin e Tiranës, dhe më pas u shtri edhe në qarqe të tjera të vendit.

Kontrolle u kryen me bazë risku për përmirësimin e gjurmueshmërisë së produkteve bujqësore dhe blegtorale dhe rritjen e sigurisë ushqimore.

/m.q/j.p/

The post Sigurimi i gjurmueshmërisë, Denaj: 94 tonë produkte bujqësore dhe blegtorale të bllokuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fluks turistësh në Apoloni, Rama ndan pamjet

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Apolonia është ndër parqet arkeologjike më të mëdha në vend dhe pret një numër relativisht të lartë vizitorësh të kombësive të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale foto të turistëve të shumtë të cilët kanë zgjedhur që të vizitojnë qytetin antik të Apolonisë për trashëgiminë e tij të pasur historike dhe kulturore.

Parku Arkeologjik i Apolonisë ndodhet në jugperëndim të Fierit. Vizitorët e këtij parku, përveç qytetit antik të Apolonisë dhe monumenteve të tij, mund të shohin edhe objekte të tjera të vendosura në muzeun brenda parkut. Ky muze Arkeologjik është ndër më të pasurit e vendit, me objekte unike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe përtej saj.

Apolonia e Fierit është një nga sitet më të mëdhenj në vend, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonitë e pellgut të Mesdheut, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë sonë arkeologjike.

Arkeologët e quajnë Apoloninë “Pompei i Shqipërisë”, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot.

/m.q/j.p/

The post Fluks turistësh në Apoloni, Rama ndan pamjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Urgjenca Kombëtare në gatishmëri, Koçiu: Mbi 110 mijë thirrje gjatë verës

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Mbi 110 mijë thirrje telefonike për ndihmë mjekësore i janë drejtuar Urgjencës Kombëtare gjatë muajve të verës.

Kështu bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale njoftoi se gjatë muajve të verës shërbimi i urgjencës ka qenë në vijën e parë të ndihmës mjekësore për qytetarët dhe turistët.

“Urgjenca Kombëtare, në gatishmëri për çdo qytetar, në të gjithë vendin. 110,367 thirrje për ndihmë mjekësore; 34,660 vizita në banesë; 12,000 këshillime mjekësore”, njoftoi Koçiu.

Koçiu nënvizoi se shërbimi i Urgjencës është çdo ditë më pranë qytetarëve, duke garantuar kujdes të shpejtë dhe të sigurt shëndetësor, aty ku ka më shumë nevojë!

/m.q/j.p/

The post Urgjenca Kombëtare në gatishmëri, Koçiu: Mbi 110 mijë thirrje gjatë verës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PL: Kodi i ri Penal, përpjekje për deformimin e sistemit të së drejtës

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Partia e Lirisë reagoi sërish sot në lidhje me draftin e ri të Kodit Penal, duke e cilësuar si minues të shtetit të së drejtës, ndërsa kërkoi një proces të hapur diskutimi rreth tij.

Nëpërmjet një deklarate për mediet zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë Brunilda Haxhiu tha se projektligji i Kodit të ri Penal është një nga përpjekjet më të rrezikshme për deformimin e sistemit të së drejtës.

“Në formën e tij aktuale, ky kod nuk është as reformë e drejtësisë e as përmirësim i sigurisë publike, por synon të kthejë ligjin në mjet represioni politik, duke cenuar thelbin e demokracisë dhe të drejtave tona themelore”, tha ajo.

Sipas Haxhiut “ky projektligj fut nene të paqarta për “shpifje publike”, “nxitje urrejtjeje” dhe “cenim të autoritetit shtetëror”, formulime që hapin rrugë për interpretime arbitrare nga prokuroria dhe gjyqësori. Një kod i tillë minon funksionimin e sistemit te drejtësisë duke sjellë paqartësi në praktikën gjyqësore”.

Haxhiu tha se Partia e Lirisë kërkon që të nisë një proces i hapur diskutimi rreth Kodit te ri Penal, i cili duhet te jetë transparent dhe gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen e institucioneve të pavarura,  akademikëve, opozitës dhe organizatave të shoqërisë civile.

“Të sigurohet që çdo ndryshim në Kodin Penal të mbrojë liritë dhe të drejtat themelore, të jetë i qartë, proporcional dhe i ndërtuar mbi standardet më të larta të drejtësisë demokratike”, tha Haxhiu. /m.q/j.p/

The post PL: Kodi i ri Penal, përpjekje për deformimin e sistemit të së drejtës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Arrestohet një prej autorëve të vrasjes së një 58-vjeçari në Vlorë

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Policia e Vlorës arrestoi sot një 42-vjeçar si një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së një 58-vjeçari, në prill 2025, në qytetin e Vlorës.

I arrestuari, sipas Policisë, ishte pjesëtar i një grupi kriminal që vepron në fushën e krimeve të rënda dhe i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.

Policia njoftoi sot se “si rezultat i operacionit policor të koduar “Në gjurmë”, të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i një prej autorëve të dyshuar të ngjarjes së ndodhur më datë 27.04.2025, në lagjen “Hajro Çakërri”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. H., 58 vjeç”.

“Në vijim të hetimeve, bazuar mbi provat e siguruara nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 30.07.2025, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për shtetasin K. B., alias A. G., 42 vjeç, banues në Vlorë, i dyshuar si bashkëautor në kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim”, njoftoi Policia.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e datës 27.04.2025, rreth orës 06:20, pranë Poliklinikës së qytetit të Vlorës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. H., 58 vjeç.

Vijojnë veprimet për kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.

/m.q//r.e//a.f/

The post Arrestohet një prej autorëve të vrasjes së një 58-vjeçari në Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drafti i Kodit të ri Penal, UGSH kërkon rishikimin e disa neneve

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagoi sot në lidhje me draftin e Kodit të ri Penal, i cili u prezantua pak ditë më parë. Në një deklaratë për mediet, UGSH shprehu refuzimin ndaj disa neneve të parashikuara në draftin e ri. UGSH nënvizoi se vëren se në tekstin e këtij drafti mbarten rreziqe për lirinë e shprehjes.

“Vërejmë se në nene të veçanta si Neni 236, nën koracën mbrojtëse të simboleve apo heraldikës shtetërore dhe kombëtare përfshihet edhe penalizimi, në rastet kur siç pretendohet në draft, përdhosen emri apo imazhi i Presidentit të Republikës, Kuvendit, Qeverisë etj., ndërkohë që këta titullarë të lartë institucionalë janë persona politikë dhe publikë.

“Dispozita e re në draft, në kapitullin mbi veprat kundër rendit kushtetues, e konsideron “përdhosje” çdo akt që shihet si dhunim ose poshtërim i vlerave të nderuara të institucioneve të përmendura, çka do të krijojë vazhdimisht mundësi për çuarjen e gazetarëve, editorit apo edhe përfaqësuesve të tjerë të mediave shpesh e më shpesh në procese gjyqësore apo paraqitje pranë prokurorëve”, nënvizon UGSH.

UGSH thekson më tej se “nisur nga përmbajtja e plotë tekstuale e draftit, konstaton me shqetësim të madh se ai sjell dhe shkakton një ndikim negativ mbi lirinë e medias dhe shprehjes në republikën tonë”.

“Ky draft paralajmëron mundësinë që vendi ynë, të ketë një Kod të ri Penal që shënon kthim mbrapa për lirinë e shprehjes, dhe shpërfill rekomandimet e direktivave të BE-së dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Dokumenti shpërfill rekomandimin e shumëpërsëritur për dekriminalizimin e shpifjes”, shkruan UGSH.

UGSH kërkoi “riparjen përmbajtësore të neneve 120, 240, 241 si dhe Nenin 865, të cilët sjellin pasoja goditëse jo vetëm mbi gazetarët, por edhe për qytetarët që shprehen me zërin e tyre kritik, përmes mediave”.

“Parashikimet penalizuese në Nenin 536 janë realisht kërcënim ndaj përpjekjeve dhe kurajos për transparencë publike të gazetarëve”, nënvizoi UGSH.

UGSH vlerësoi se “ky draft ka nevojë për rishikim substancial, për riformulime dhe saktësime, për drejtformulime të cilat marrin në konsideratë propozimet që po bëhen nga organizatat e gazetarëve, aktorët e shumtë shoqërorë, ekspertët dhe sidomos përfaqësimet profesionale në entitete rajonale dhe ndërkombëtare për legjislacionin dhe përafrimin e tij me bashkësinë e vendeve të BE-së”.

/m.q//r.e//a.f/

The post Drafti i Kodit të ri Penal, UGSH kërkon rishikimin e disa neneve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KPA shkarkon nga detyra prokurorin e Sarandës, Kledian Llaho

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Komisioni i Posaçëm i Apelimit (KPA) shkarkoi nga detyra  prokurorin e Sarandës Kledian Llaho, duke ndryshuar vendimin që kishte marrë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) tre vite më parë.

Vendimi u mor sot në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi anëtare.

Kledian Llaho u konfirmua në detyrë më 22 dhjetor 2022, por Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, ankimoi vendimin e KPK-së në mars të vitit 2023, i cili e cilësoi vlerësimin e shumicës të pabazuar në aktet e dosjes.

Më 31 janar 2024, KLP i dha Llahos një “vërejtje publike”, ndërsa më 10 prill vendosi uljen e pagës së tij me 20% për tre muaj dhe shkarkimin nga detyra e kryetarit të prokurorisë. Ndërkohë, prej 14 janarit Llaho është pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme, pasi dyshohet se ka kryer veprime me natyrë korruptive.

Vendimmarrja e Kolegjit për shkarkimin e Llahos nga detyra është përfundimtare dhe ka efekt të menjëhershëm.

/m.q//r.e//a.f/

The post KPA shkarkon nga detyra prokurorin e Sarandës, Kledian Llaho appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sezoni veror, Rrugorja e Lezhës: Gjatë 24 orëve qarkullojnë mbi 100 mijë mjete

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Në pikun e sezonit turistik, rrugët e Lezhës përballen çdo ditë me një fluks të automjetesh. Mbi 100 mijë mjete kalojnë brenda 24 orëve, ndërsa gjatë fundjavave numri shtohet edhe më shumë, për shkak të lëvizjeve drejt zonave bregdetare.

Përballë këtij volumi në rritje, Policia Rrugore ka shtuar ndjeshëm prezencën në terren. Patrullat janë të shpërndara në pikat më të ngarkuara, nga akset kombëtare deri tek degëzimet dytësore, duke koordinuar trafikun dhe ndihmuar drejtuesit e automjeteve.

Sipas të dhënave të Policisë, kulmi i trafikut regjistrohet pasditet e të dielave, kur rreth 60 mijë automjete nisen për të dalë nga zonat turistike.

“Qarku i Lezhës është një tranzit për të gjithë veriun. Në akset rrugore të Lezhës kalojnë një numër tepër i madh, veçanërisht në sezonin e verës. 6-mujorin e parë kanë kaluar më shumë se 80 mijë mjete në 2 pikat e kalimit kufitar. Ndërsa në sezonin veror në qarkun e Lezhës kalojnë mbi 100 mijë mjete, që do të thotë fluks shumë i shtuar. Shërbimet e Policisë janë të vendosura në të gjitha kryqëzimet”, tha Valmir Nikolli, shef i Qarkullimit Rrugor Lezhë, në një intervistë televizive.

Nikolli thotë se rastet e drejtimit në gjendje të dehur, përdorimin e celularit, si dhe parakalimet e rrezikshme, që mbeten ndër shkaktarët kryesorë të aksidenteve, kanë vëmendjen e policisë.

“Me qëllim parandalimin e incidenteve rrugore, i kemi mbikëqyrur në vazhdimësi drejtuesit e automjeteve që shkelin rregullat. Ne nuk e kemi lënë pas dore edhe kontrollin e zbatimit të ligjshmërisë së qarkullimit rrugor”, përfundoi Nikolli.

/m.q//r.e//a.f/

The post Sezoni veror, Rrugorja e Lezhës: Gjatë 24 orëve qarkullojnë mbi 100 mijë mjete appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tabaku: Investimeve të huaja u janë vënë barriera, ligjet shkruhen për një grusht klientësh

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku tha sot se vit pas viti besimi në ekonomi dhe tek institucionet qeverisëse ka rënë.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se “vit pas viti, bizneset në Shqipëri përballen me të njëjtat plagë: informalitet, monopole, korrupsion dhe burokraci”.

“Na u tha se lufta kundër informalitetit do të shpëtonte ekonominë. Pastaj, se digjitalizimi do të na shpëtonte nga korrupsioni. Sot, na thonë se turizmi do të na shpëtojë të gjithëve. Të gjithë e dimë realitetin: Besimi në ekonomi bie çdo vit; Besimi tek institucionet bie çdo vit”, shkruan Tabaku.

Sipas Tabakut biznesi lufton çdo ditë përballë një qeverie që punon për pakicën dhe sundon mbi shumicën.

“Investimeve u janë vënë barriera. Jo nga tregu, por nga monopolet e sponsorizuara nga pushteti. Tregu është mbyllur jo nga rregullat, por nga qokat e qeverisë. Ligjet nuk shkruhen për të gjithë, por për një rreth të ngushtë klientësh.

Sipas Tabakut kemi një krizë të sajuar me duart e një qeverie që nuk ka punuar për qytetarët, por ka ndërtuar një sistem të padrejtë.

“Një sistem që takson më shumë se sa njerëzit fitojnë. Që ndëshkon punën dhe shpërblen lidhjet”, shkruan Tabaku.

Tabaku theksoi se shqiptarët kanë nevojë për një qeveri që nuk jeton me propagandë, por punon për ta.

“Biznesi ka nevojë për ndershmëri, konkurrencë të lirë dhe rregulla që vlejnë për të gjithë. Kjo nuk mund të vijë nga një qeveri që sundon me slogane. Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë. Jo për një tjetër shfaqje”, shkruan Tabaku.

/a.f/r.e/

The post Tabaku: Investimeve të huaja u janë vënë barriera, ligjet shkruhen për një grusht klientësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rregullore e re për kantieret e ndërtimit, Rama: Masa drastike nëse cenohet komuniteti

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se qeveria po përgatit një rregullore të re për kantieret e ndërtimit.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetin sociale Facebook, kreu i qeverisë tha se kantieret e ndërtimit nuk mund të bëhen problem për komunitetin dhe se duhet të merren masa që qytetarët mos ta ndjejnë. Rama tha se në rast se rregullorja nuk zbatohet, masat për ndërtuesit do të jenë drastike.

“Rregullorja e re kantiereve të ndërtimit. Kush ndërton pallat nuk mund të bëhet problem i zonës, por duhet të marrë të gjitha masat që zona aty ku bëhet fjalë për një zonë të banuar të mos e ndjeje fare mundësisht. Duhen marrë masat për të bërë rrethimet e duhura të kantiereve për të bërë pastrimet e duhura për të mos nxjerrë asgjë në rrugë nga ato që po punon brenda jo duke u hapur dhe duke marrë dhe trotuarin se po ndërton ti pallat, por duke bërë kalimet në trotuar me strehën mbrojtëse. Është një rregullore që do t’u jepet ndërtuesve dhe masat për to do të jenë drastike në rast se do të cenojnë komunitetin”, tha Rama.

Rama theksoi se përveç tendave dhe strukturave të përkohshme po kryhen kontrolle edhe në kantieret e ndërtimit.

“Ne nuk po bëjmë në këtë përpjekje një punë vetëm për t’i hequr tendat, apo struktura të përkohshme por edhe një kontroll të kantiereve. Mirëpo kantieret nuk dalin në televizor, sepse sikundër edhe kur beteja shkon në gjykatë, ata kanë në forcë të caktuar për të kontrolluar mediat dhe gjykatat. Kemi bërë konfiskime përsëri dhe do të vazhdojmë të bëjmë, pavarësisht së rrugës na del edhe ndonjë si një gjykatës i pacipë, krejtësisht i pacipë, që merr masë sigurie për një pallat të tërë të ndërtuar pa leje që tashmë është kthyer në një godinë për ASHK e cila duhet të largohej nga godina ekzistuese pasi është godinë me rrezik qysh pas rënies së tërmetit dhe tani del ky tipi dhe vë masë sigurie për ato që kanë ndërtuar komplet pa leje”, tha Rama.

Rama shtoi se qeveria është e vendosur në mbrojtjen e natyrës dhe hapësirës publike për qytetarët.

“Gjithsesi këto janë sfida, por Shqipëria e bukur, që jeton në harmoni me të drejtat e njerëzve, për të qenë zotër të hapësirës publike, për të qenë në harmoi me natyrën, është një ambicie që është një detyrim i gjeneratës sonë dhe në këto kohë kur forcat e zhvillimit janë bërë shumë të mëdha, duhet të vendosmi shumë më fort në mbrojtje të natyrës dhe ekuilibrave. Ekuilibrave të humbur siç e vumë re në Tiranë”, tha Rama.

Sa u përket komenteve për aksionin në kryeqytet për lirimin e hapësirave publike, kreu i qeverisë theksoi se ai është deputet i qarkut të Tiranës dhe se do të bëj edhe detyrën si deputet i kryeqytetit.

Rama ftoi qytetarët që mos të kursejnë dërgimin e denoncimeve në të gjitha rastet kur shikojnë se ka nevojë për ndërhyrje.

/m.q//a.f//r.e/

The post Rregullore e re për kantieret e ndërtimit, Rama: Masa drastike nëse cenohet komuniteti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndezi zjarr në fshatin Kryekuq dhe flakët dogjën dhjetëra rrënjë ulliri, arrestohet 41-vjeçari

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Një 41-vjeçar është arrestuar nga policia e Divjakës pasi dyshohet se ndezi zjarr në afërsi të rezervuarit të fshatit Kryekuq, dhe si pasojë u dogjën dhjetëra rrënjë ulliri.

Policia njoftoi sot se “si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen para përgjegjësisë penale të autorëve të rasteve të zjarrvënieve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë shtetasin D. T., 41 vjeç, banues në fshatin Kryekuq”.

Sipas policisë “41-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr në afërsi të rezervuarit të fshatit ku banonte, për të pastruar një sipërfaqe toke nga barishtet. Si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 70 rrënjë ulliri në pronësi të një shtetaseje”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier u bën thirrje të gjithë qytetarëve, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.

/m.q//a.f//r.e/

The post Ndezi zjarr në fshatin Kryekuq dhe flakët dogjën dhjetëra rrënjë ulliri, arrestohet 41-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirohet nga masa e arrestit në shtëpi kryetari i bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka liruar nga masa e arrestit në shtëpi, kryetarin bashkisë së Tropojës Rexh Byberin si dhe nënkryetarin Abedin Kërrnaja, të cilët po hetohen për shpërdorim detyre dhe prerje të paligjshme të pyjeve.

Gjykata vendosi sot caktimin e masës së sigurimit “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, të hënën e parë të çdo muaji.

Hetimet kanë zbuluar se kryetari i bashkisë Tropojë, Rexh Byberi, dhe zëvendësi i tij, Abedin Kërrnaja, dyshohen për shpërdorim detyre dhe veprime në kundërshtim me legjislacionin për ndërtimin e rrugëve.

Konkretisht, ata akuzohen për moszbatimin e procedurave ligjore gjatë ndërtimit të rrugës “Stacioni i Anijes Palç-Guri i Lules”, që ka shkaktuar një dëm ekonomik prej 277 milionë lekësh.

/m.q//r.e//a.f/

The post Lirohet nga masa e arrestit në shtëpi kryetari i bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPAK sekuestron 25 pasuri të një grupi kriminal të dënuar në Belgjikë

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi sot sekuestrimin e 25 pasurive të një grupi kriminal të dënuar në Belgjikë, përfshirë para cash, objekte me vlerë dhe sende luksi.

Pasuritë u sekuestruar u kryen në kuadër të procedimit pasuror ndaj D.D dhe familjarët e tij, D.S., B. A., A. H, L.V., dhe D. H.

Sipas SPAK “këta shtetas janë subjekte të hetimit pasuror pasi rezultojnë të dënuar në Mbretërinë e Belgjikës  për veprat penale të “Vjedhjes”, në bashkëpunim në formën “Grupit të strukturuar kriminal”, “Grupit të strukturuar kriminal””.

“Bazuar në dispozitat e ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 janë identifikuar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të personave nën hetim pasuror dhe të personave të lidhur me ta, të cilat sipas hetimeve të deritanishme rezultojnë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe prezumohen se janë rezultat i veprimtarisë kriminale së tyre”, njoftoi SPAK.

Pasuri të sekuestruara:

Pasuri të paluajtshme: 9; Subjekte tregtare: 1 (“GUARD SECURITY”); Automjete dhe mjete motorike: 6 (3 automjete + 3 motorë).

Shuma monetare: Euro: 77,360 €; Lekë: 2,055,000 lekë; Paund britanik: 1,150 £

Orë dore të markave të ndryshme: 52; Bizhuteri: mbi 35 copë; Monedha ari: 32; Pajisje elektronike: 15; Laptopë: 2; iPad: 5; Kamera/aparate fotografike: 8.

SPAK thekson se sendet me vlerë, si ora, bizhuteri, monedha ari, automjete dhe mjete motorike janë sekuestruar me parë në kuadër te ekzekutimit te kontrolleve të banesave të këtyre shtetasve për llogari të kërkesave për ndihme juridike të autoriteteve belge.

Për ekzekutimin e sekuestros u kryen veprimet nga ana e policisë gjyqësore në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale, së bashku me Administratorin e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara Tiranë.

/m.q//a.f/

The post SPAK sekuestron 25 pasuri të një grupi kriminal të dënuar në Belgjikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj ndan pamje nga Kisha e Shën Apostujve: I ka mbijetuar pushtimeve nga dashuria e banorëve

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Kisha e Shën Apostujve, (Shën Pjetrit dhe Pavlit), në Hoshtevë, një prej monumenteve më të veçanta në Shqipëri, është kthyer në një destinacion turistik për vizitorët të cilët shohin afreske mbresëlënëse si dhe rrënoja që mbartin histori.

Presidenti Bajram Begaj ndau në një postim në rrjetet sociale pamje nga Kisha e Shën Apostujve, ku shkruan se “e pikturuar e gjitha me afreske, shfaqet si një befasi e bukur pas malit Dhëmbel”.

Begaj shkruan më tej se “ajo i ka mbijetuar pushtimeve dhe regjimit nga kujdesi dhe dashuria e banorëve të zonës, pavarësisht besimeve të tyre fetare”.

Manastiri i Shën Pjetrit dhe Pavlit gjendet mbi një kodër në verilindje të fshatit Vithkuq. Nga godinat e manastirit ka mbetur vetëm kisha e “Shën Pjetrit dhe Pavlit”, sepse konakët e manastirit janë shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Konakët e manastirit kanë qenë dy dhe trikatëshe dhe shtriheshin në tri anët e oborrit të brendshëm, i cili kishte sipërfaqe rreth 200 metra katrore. Anash tij në formën e shkronjës “U” gjendeshin rreth 40 qela banimi. Ndërsa në katin e dytë të konakëve gjendej biblioteka, ku ruheshin dorëshkrime me vlerë rreth historisë së Korçës dhe Voskopojës.

Kisha përbëhet nga naosi dhe një portik përpara hyrjes kryesore. Kisha është e tipit bazilikë trinefëshe me kupolë. Ajo u ndërtua rreth vitit 1759-1764.

Në përfundim të saj, kisha u pikturua prej piktorëve Kostandin e Athanas Zografi. Ndërsa ikonostasi është pikturuar në vitin 1748 nga Kostandin Shpataraku.

/m.q//a.f/

The post Begaj ndan pamje nga Kisha e Shën Apostujve: I ka mbijetuar pushtimeve nga dashuria e banorëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mashtrimet me Call Center, SPAK dhe autoritetet gjermane godasin grupin kriminal: 6 të arrestuar në Shqipëri

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me autoritetet gjermane kanë goditur një grup kriminal të mashtrimit të shtetasve gjermanë nëpërmjet Call Center-ave.

Në një konferencë të përbashkët për mediet sot me autoritetet gjermane, prokurori i SPAK, Eneid Nakuçi theksoi se janë arrestuar gjashtë persona që gjendeshin në Shqipëri, ndërsa dy të tjerë janë ende në kërkim.

“Në kuadër të këtij operacioni ndërkombëtar në 18 prill të vitit që kaloi nga ana e SPAK është ushtruar kontroll në ambientet e një Call Center-i të paligjshëm në Shqipëri, ku u gjetën dhe u sekuestruan prova materiale të dyshuara të shumta digjitale, por edhe dokumentare. Në kushtet kur kishim të bënim me dy hetime paralele u dërguan për një analizë më të thelluar pranë autoriteteve gjermane. Në përgjigje nga ana e autoriteteve gjermane u dërgua analiza e plotë e këtyre provave digjitale, të cilat të analizuara në harmoni me provat materiale të sekuestruara në Shqipëri çuan në rezultatin e qartë të ekzistencës së një grupi të struktura kriminal me qëllim mashtrimin e shtetasve gjermanë dhe jo vetëm, nëpërmjet qendrës së thirrjes së Call Center-ave të paregjistruar si biznes në organet tatimore.

“Gjykata ka vendosur caktimin e masave “arrest me burg” për pesë shtetas dhe për tre të tjerë masën “arrest me shtëpi”. Gjatë mëngjesit të ditës së sotme është bërë i mundur ekzekutimi i masave të sigurimit për të gjithë personat që gjendeshin në Shqipëri dhe vijon puna për kapjen e dy shtetasve të tjerë që nuk ndodheshin në Shqipëri”, tha Nakuçi.

Sipas Nakuçit, vlera e dëmit të shkaktuar është mbi 363 mijë euro.

Nga ana tjetër, oficeri i policisë gjermane Oliver Hofman, drejtues i operacionit “Pandora”, tha se “kjo ditë është një ditë shumë e rëndësishme dhe një piketë e rëndësishme në bashkëpunimin tonë dhe luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe sidomos kundër skemave profesionale të mashtrimit”.

Sipas Hofman operacioni nisi në dhjetor të vitit 2023.

“Ne filluam të përgjonim mbi 20 telefonata mashtruese dhe krijuam një qendër thirrje, me qëllim që këto telefonata mashtruese të arrinin të kapeshin në kohë reale duke arritur të shmangnim humbjet financiare. Ne zhvilluam edhe hetime shumë komplekse në fushën e krimit kompjuterik me qëllim që të lokalizonim qendrat e thirrjeve dhe autorët e këtyre thirrjeve në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Serbi dhe Liban”, tha Hofman.

Hofman nënvizoi se “qëllimi ynë ishte goditja e plotë e kësaj organizate kriminale të madhe”.

“Ky operacion ka çuar në goditjen e 12 qendrave thirrjesh ndërkombëtare dhe në arrestime të shumta, ndërkohë janë dhënë edhe dënimet e para, ndër ta edhe organizatori i infrastrukturës kryesore në Gjermani”, tha Hofman.

Hofman vlerësoi bashkëpunimin me autoritetet ndërkombëtare.

“Kemi punuar për një vit e gjysmë dhe kemi pasur bashkëpunim me shumë institucione ndërkombëtare si dhe me SPAK dhe Policinë e Shtetit. Ky bashkëpunim ishte jashtëzakonisht domethënës për suksesin që arritëm sot”, tha Hofman.

Sipas Hofman, grupi kriminal vepronte nga Tirana.

“Janë identifikuar 5 persona meshkuj dhe një femër, të moshës 21 – 36 vjeç. Sot u bë e mundur të arrestoheshin 6 persona dhe patëm mundësinë ta mbështesim këtë operacion në terren”, tha Hofman.

Hofman nënvizoi se “ky sukses thekson fuqinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe angazhimin tonë të përbashkët për drejtësi”.

“Ai dërgon një mesazh të qartë për të gjitha grupet kriminale që veprojnë dhe ky është: Kufijtë nuk do të ndalojnë që në të ushtrojmë ndjekjen penale dhe të mbrojmë njerëzit nga veprat kriminale. Do të doja të përmendja e edhe mbështetjen financiare shumë të rëndësishme nëpërmjet fondit ndërkombëtar të sigurisë të BE-së, sepse ishin vendimtare për të kryer këtë hetim”, tha Hofman.

/m.q/r.e/

The post Mashtrimet me Call Center, SPAK dhe autoritetet gjermane godasin grupin kriminal: 6 të arrestuar në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në kërkim për kultivim narkotikësh, arrestohet 27-vjeçari në Vaun e Dejës

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Një 27-vjeçar u arrestua sot nga Policia pasi ishte shpallur në kërkim si autor i dyshuar i kultivimit të 180 bimëve narkotike kanabis sativa në fshatin Mnelë.

Policia bëri të ditur se “në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale në kuadër të operacionit policor antikanabis, të koduar “Koordinata”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kapën dhe ndaluan shtetasin P. N., 27 vjeç”.

Sipas Policisë, “ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi nga hetimet e kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, dyshohet se një bashkëpunim me një 17-vjeçar, kanë kultivuar 180 bimë të dyshuara narkotike kanabis Sativa, në fshatin Mnelë, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar nga shërbimet e Policisë, në muajin qershor. Punohet për kapjen e 17-vjeçarit”.

Në vijim të veprimeve procedurale, Policia njoftoi se u krye kontroll në banesën e shtetasit Z. N., 62 vjeç, babai i shtetasit të arrestuar, ku u gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu që 62-vjeçari e mbante pa leje.

“U referuan materialet procedurale në Prokurori dhe nisi procedimi penal për 62-vjeçarin”, njoftoi Policia.

/m.q/

The post Në kërkim për kultivim narkotikësh, arrestohet 27-vjeçari në Vaun e Dejës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Deklaratat e Dumanit për krimet zgjedhore, Bardhi: SPAK ishte inekzistent

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot në lidhje me deklaratat e bëra nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, i cili tha se strategjia për krimet zgjedhore pati efekt parandalues dhe se kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me përfaqësues të subjekteve politike.

Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi tha se SPAK ishte inekzistent në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Sipas Bardhit nuk është thirrur kurrë për kallëzimet që ka bërë në qarkun e Fieriut ku edhe ishte drejtues.

“Me cilat parti politike ishin në kontakt ju, z. Prokuror? Ku dhe si? Nuk e di nëse vërtetë Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme z. Altin Dumani e ka thënë apo jo këtë pohim në takimin off-records me gazetarët, por nëse nuk ka qenë një keqkuptim i medias, ai ka detyrimin të shpjegojë se me cilën parti politike ishte në kontakt. Me Partinë Socialiste për të intimiduar dhe shantazhuar opozitën?! Me Partinë Socialiste për të rakorduar kohën e kryerjes së krimeve zgjedhore dhe për të dhënë garanci për paprekshmëri?!

“Si Drejtues Politik i qarkut Fier deklaroj me përgjegjësi të plotë që jo vetëm nuk jemi thirrur kurrë për kallëzimet tona, por SPAK ka qenë tërësisht inekzistent, edhe pse qarku Fier, si qarku i dytë më i madh i vendit, ishte një skenë krimi elektoral çdo minutë”, tha Bardhi.

Sipas Bardhit, SPAK ishte inekzistent kur PD ka kallëzuar skemën e punësimeve elektorale në Fier, që përbën korrupsion zgjedhor.

“Taskforca e SPAK ishte alibia për të realizuar skenarin e njohur edhe në raportin paraprak nga OSBE-ODIHR të shkrirjes së “partisë, shtetit dhe krimit” në një të vetme në zgjedhje! Shndërrimi i SPAK nga shpresë në alibi është lajmi më i keq që shqiptarët morën në zgjedhjet e 2025!”, shkruan Bardhi ndër të tjera.

/m.q/r.e/

The post Deklaratat e Dumanit për krimet zgjedhore, Bardhi: SPAK ishte inekzistent appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌