TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, do të financojë një laborator kombëtar reference në fushën e farmaceutikës, në kuadër të mbështetjes për kërkimin shkencor në universitetet tona.
Gjatë prezantimit të projektit, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cilësoi këtë investim si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e kërkimit shkencor në fushën e mjekësisë dhe theksoi rëndësinë strategjike të këtij investimi për sistemin shëndetësor, akademik dhe për industrinë farmaceutike.
“Vijmë në një moment pikë kthese sepse sot ne jemi duke bërë një investim i cili do të shënojë një tjetër hap në drejtim të fuqizimit të infrastrukturës së kërkimit shkencor në një prej degëve të mjekësisë që është e lidhur horizontalisht me të gjithë specialistët dhe mbi të gjitha është e lidhur me trajtimin e sëmundshmërisë e gjithashtu në parandalimin e sëmundjeve që pikërisht lidhen me farmaceutikën. Ky projekt i ri i cili tashmë do të nisë në këtë universitet do të jetë një projekt që do të ngrejë për herë të parë një laborator të mirëfilltë të farmaceutikës i cili do të jetë dhe një laborator reference në nivel kombëtar duke realizuar në këtë laborator më shumë se 70 % të analizave që sot Farmakopea europiane kërkon”, theksoi Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u ndal dhe te ndikimi që ky projekt madhor do të ketë në zhvillimin e kërkimit shkencor, programet e doktoraturës dhe të ardhurat e vetëqëndrueshme për universitetin përmes akreditimeve dhe standardeve ndërkombëtare.
“Ky është një laborator reference i cili do të mundësojë jo vetëm aspektet e kërkimit shkencor, do të mundësojë më shumë doktoratura të kryera në këtë universitet me mjete dhe infrastrukturë të kërkimit shkencor moderne, do të mundësojë një tjetër hap cilësor drejt inovacionit në farmaceutikë, që shpresojmë të marrë një akreditim të shpejtë të standardeve ISO 17025 që të realizohet ai që quhet misioni i tretë i universitetit, pra shërbimi ndaj shoqërisë, por nga ana tjetër krijon mundësinë që universiteti të mundet të përfitojë të ardhura nga të tretët. Ky laborator i cili ngrihet me fondet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, por edhe si një bashkëfinancim me Universitetin e Mjekësisë së Tiranës, vjen në një moment të rëndësishëm edhe për reformat që ne si qeveri do të ndërmarrim sa i përket furnizimit me barna, por nga ana tjetër dhe garancisë që ne duhet të shtojmë për standardet e tregtimit të barnave dhe mbi të gjitha cilësisë së tyre”, nënvizoi Manastirliu.
Në përfundim, ministrja Manastirliu u ndal te rëndësia e kontrollit cilësor të barnave, ndikimi në formimin profesional të studentëve dhe te roli i laboratorit në zhvillimin e kërkimit të avancuar në farmaceutikë.
“Ky projekt lidhet me sigurinë, me kërkimin shkencor, me garancinë që ne u japim qytetarëve për më shumë standarde në shërbimin farmaceutik, por më shumë mbi të gjitha lidhet me aspekte të kërkimit shkencor, që do të thotë do të kemi staf akademik më të përgatitur, studentë më të përgatitur, por mbi të gjitha profesionistë që i përgjigjen nevojave të tregut. Është një nga projektet më të mëdha që ne financojmë në këtë vit nga projektet e kërkimit shkencor dhe inovacionit në programin e infrastrukturës së kërkimit shkencor. Kemi investuar në funksion të kërkimit shkencor fonde që i kanë shkuar universiteteve me qëllimin për të zgjeruar bazën e infrastrukturës së kërkimit shkencor, por edhe të projekteve të kërkim-zhvillimit dhe projekteve të lidhura me akademinë dhe biznesin”, theksoi Manastirliu.
Sipas saj, janë 181 projekte të financuara për këto programe.
“55 projekte ndër to janë me bashkëfinancim, duke përfshirë diasporën akademike. Ne përgjatë mbështetjes që kemi dhënë sa i përket projekteve në Fakultetin e Mjekësisë, kemi angazhuar më shumë se 60 kërkues shkencorë në programet dhe projektet e kërkimit dhe zhvillimit dhe të infrastrukturës së kërkimit shkencor. Ligji i Kërkimit Shkencor gjithashtu hap një tjetër dritare për sa i përket shkencës së hapur dhe mbështetjes së kërkimit shkencor në Shqipëri”, tha Manastirliu.
Ky investim do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për Departamentin e Farmacisë të UMT-së, si dhe për institucione si QSUT, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Instituti i Shëndetit Publik, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Kanabisit dhe industria farmaceutike shqiptare.
Laboratori do të ofrojë një gamë të gjerë shërbimesh, duke përfshirë: Analiza të cilësisë së barnave, kozmetikës dhe suplementeve, për certifikim dhe regjistrim pranë autoriteteve përkatëse; Analiza të bimëve mjekësore dhe produkteve bimore, duke ndihmuar kompanitë eksportuese shqiptare të rrisin besueshmërinë dhe vlerën në tregun ndërkombëtar; Analiza për kanabisin mjekësor dhe industrial në përputhje me ligjin nr. 61/2023 dhe standardet evropiane, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Kanabisit.
Këto shërbime do të mbështesin sektorin farmaceutik, do të përmirësojnë cilësinë e produkteve dhe do të gjenerojnë të ardhura të qëndrueshme për universitetin, duke forcuar njëkohësisht lidhjen midis arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe industrisë.
/k.s/j.p/
The post Laborator reference në Universitetin e Mjekësisë, Manastirliu: Mbështesim zhvillimin e kërkimit shkencor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.