TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Këshilli i ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e koeficientit të indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2023 për llogaritjen e pensioneve.
Në mbështetje të ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2023, me indeksin 9,3%, të llogaritur sipas kritereve, të ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Indeksi i përcaktuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, aplikohet për llogaritjen e bazës së vlerësuar individuale vjetore, të arritur nëpërmjet kontributeve të paguara dhe rivlerësimeve të tyre, të kryera deri në vitin 2023 dhe zbatohet për efekt të llogaritjes së masës fillestare mujore të pensioneve, me datë lindjeje të së drejtës nga data 1 janar 2025 e në vazhdim.
Indekset akumulative të bazës së vlerësuar, të arritura nëpërmjet pagave të periudhës 1994-2023, referuar kontributeve të paguara sipas muajve në këtë periudhë dhe pagave referuese sipas punëve dhe profesioneve, e përcaktuar me vendimin “Për përcaktimin e pagave referuese për llogaritjen e pensioneve”, të ndryshuar, sipas viteve, janë sipas shtojcës nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Pas aplikimit të indeksit të vitit 2023, baza e vlerësuar për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensioneve, që do të caktohen me datë fillimi nga data 1.1.2025, nuk mund të jetë më e lartë se: trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave për pagat e periudhës, nga viti 1994 deri më 31.12.2001; paga maksimale në shkallë vendi, e përcaktuar sipas kritereve ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për pagat nga viti 2002 e në vazhdim.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, lidhen me zbatimin e formulës së caktimit të pensioneve dhe aplikohen vetëm për pensionet me datë fillimi nga data 1 janar 2025 e në vazhdim dhe përballohen brenda buxhetit vjetor, të miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2025.
/k.s//r.e/
The post Paga për pensionin e vitit 2023 indeksohet me 9.3%, efektet nisin nga viti 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.