Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 July 2025Main stream

Hoti thotë se është rritur importi nga Serbia, ngrit alarmin se mund të jetë zvogëluar prodhimi vendor

16 July 2025 at 14:57

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka deklaruar se është rritur importi i mallrave në Kosovë nga Serbia.

Hoti ka publikuar edhe disa të dhëna, ku ka bërë krahasimin me importin që është bërë vitin e kaluar nga shteti serb.

“Çfarë po ndodh me importet nga Serbia? Në periudhën Janar-Maj 2025, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024, importi i mallrave në Kosovë nga Serbia është rritur me 217%. Nga 42.08 mil. euro të importuara gjatë muajve Janar-Maj 2024, importet janë rritur në 91.37 mil. euro për muajt Janar-Maj 2025”, ka pohuar ai përmes një postimi në Facebook,

Mes tjerash, ai ka shkruar se bazuar në importin që bëhet nga Serbia, ka mundësi që ka rënë prodhimi vendor.

“Duke pasur parasysh natyrën e mallrave që importohen nga Serbia, ka shumë gjasa që prodhimi vendor të jetë zvogëluar për shumën e rritur të importit nga Serbia”, tha ai./Telegrafi/

The post Hoti thotë se është rritur importi nga Serbia, ngrit alarmin se mund të jetë zvogëluar prodhimi vendor appeared first on Telegrafi.

Enver Hoti kalon nga Nisma në AAK dhe kandidon për kryetar të Komunës së Malishevës

16 July 2025 at 14:43

Enver Hoti ish-anëtari i Nismës Socialdemokrate ka aderuar në AAK.

Kështu ka njoftuar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili edhe i ka uruar mirëseardhje Hotit, transmeton Telegrafi.

“Mirë se vjen në Aleancë, Enver Hoti! I njohur për përkushtimin ndaj vendit dhe vlerat e tij atdhetare, Enver Hoti i përket brezit të veprimtarëve të hershëm të angazhuar në çështjet kombëtare. Me një përvojë të pasur institucionale, ai ka shërbyer me profesionalizëm e integritet në çdo përgjegjësi që ka bartur”, ka shkruar Haradinaj.

Ai gjithashtu ka njoftuar se Hoti do të jetë kandidat i AAK-së për kryetar të Malishevës.

“Aderimi i tij në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës është një vlerë e shtuar për vizionin tonë politik dhe përkushtimin ndaj qytetarëve. Enver Hoti gjithashtu do të jetë kandidati ynë për kryetar të Komunës së Malishevës. Me përvojën, vendosmërinë dhe besimin në vlerat e Aleancës, ai përfaqëson më së miri frymën tonë, për një qeverisje të drejtë dhe transparente”, ka theksuar ai.

Ai ka shtuar “Urime Enver! Paçim sukses dhe fitore të përbashkët në shërbim të Malishevës dhe qytetarëve të saj”.

The post Enver Hoti kalon nga Nisma në AAK dhe kandidon për kryetar të Komunës së Malishevës appeared first on Telegrafi.

Dyshohet se një person ka rënë nga lartësia e hotelit ‘Grand’ në Prishtinë

16 July 2025 at 12:58

Një person dyshohet se ka rënë nga lartësia, në objektin e hotelit “Grand” në Prishtinë.

Lajmin e konfirmoi për Telegrafin, komandanti i Zjarrfikësve në Komunën e Prishtinës, Malë Gashi.

“Dyshohet se një person ka rënë nga katet e larta. Ekipet janë duke u marrë me rastin”, tha ai.

Telegrafi ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës, por deri në publikimin e lajmit nuk ka pranuar ndonjë përgjigje./Telegrafi/

 

The post Dyshohet se një person ka rënë nga lartësia e hotelit ‘Grand’ në Prishtinë appeared first on Telegrafi.

Aksioni në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, policia arreston katër persona

16 July 2025 at 12:49

Policia e Kosovës ka nisur bastisjet në objektin në të cilin ndodhen disa agjenci shtetërore, përfshirë Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Agjencinë Shtetërore të Arkivave dhe Institutin për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.

Deri tani katër persona janë arrestuar nga policia.

Policia e Kosovës, zyra për media ka njoftuar se aksioni po zhvillohet në tri komuna, dhe lidhet me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me autorizim të Prokurorisë kompetente, është duke realizuar një operacion policor i cili përfshin tri komuna: Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime. Operacioni policor po realizohet mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë”, thuhet në përgjigjen e tyre për Telegrafin.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala tha më herët se aksioni është nisur pasi kanë marrë urdhër nga gjykata. /Telegrafi/

The post Aksioni në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, policia arreston katër persona appeared first on Telegrafi.

Bastisje në disa agjenci shtetërore

16 July 2025 at 10:21

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës raportohet se kanë nisur bastisjet në objektin në të cilin ndodhen disa agjenci shtetërore, përfshirë Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Agjencinë Shtetërore të Arkivave dhe Institutin për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.

Forca të shumta të policisë janë parë në vendin e ngjarjes.

Lidhur me rastin, Telegrafi ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe Policinë e Kosovës, por deri në publikimin e lajmit nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

 

The post Bastisje në disa agjenci shtetërore appeared first on Telegrafi.

Zgjedhjet e 12 tetorit, kush është në garë për komunën e Fushë Kosovës dhe të Obiliqit?

16 July 2025 at 08:37

Subjektet politike kanë nisur zyrtarizimin e kandidatëve për kryetarë të komunave, për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor. Një garë interesante pritet të zhvillohet në disa komuna të Kosovës, ku kryetarët aktualë synojnë të ruajnë pushtetin, ndërsa kandidatët e rinj synojnë të fitojnë besimin e qytetarëve.

Pa dyshim edhe në komunat si Obiliq e Fushë Kosovë, gara do të jetë mjaft interesante, transmeton Telegrafi.

Komuna e Fushë Kosovës tash e 25 vite ka qenë nën udhëheqjen e LDK-së me Burim Berishën e që kësaj radhe, LDK synon sërish këtë komunë por me kandidatin Besnik Osmani i cili është nënkryetar i komunës.

Në garë për Fushë Kosovën janë edhe kandidatët tjerë, AAK ka zyrtarizuar Vildane Latifin, LVV e ka zyrtarizuar Valon Prebrezën dhe PDK pritet që në garë ta ketë Rrahim Ternavën.

LDK po ashtu tenton ta vazhdojë udhëheqjen e komunës së Obiliqit, me kryetarin aktual, Xhafer Gashi, i cili në zgjedhjet e 12 tetorit kërkon sërish besimin e votuesve.

AAK për Obiliq ka zyrtarizuar kandidatin Ali Krasniqi, ndërsa nga LVV do të jetë deputeti aktual Halil Thaçi, ndërsa PDK ende nuk ka bërë të ditur se kush do të jetë kandidat zyrtar. Lista mund të shtohet me kandidatë të tjerë nga NISMA dhe parti e iniciativa të tjera.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tashmë ka nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale të vjeshtës. Nga KQZ kanë njoftuar se tashmë kanë hapur procesin e aplikimit për certifikimin e subjekteve politike për Zgjedhjet Lokale 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, kishte deklaruar për Telegrafin se subjektet politike mund të aplikojnë deri më 13 gusht.

“Duke filluar nga dita e sotme, 26 qershor dhe deri më 13 gusht 2025, subjektet politike mund të aplikojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë edhe listën me emrat e kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale”, deklaroi ai.

Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 do të mbahen më 12 tetor dhe do të përcaktojnë përbërjen e re të Kuvendeve Komunale si dhe Kryetarët e rinj të Komunave në të gjithë vendin. /Telegrafi/

 

 

 

 

 

 

The post Zgjedhjet e 12 tetorit, kush është në garë për komunën e Fushë Kosovës dhe të Obiliqit? appeared first on Telegrafi.

Temperaturat maksimale sot në Kosovë deri në 32 gradë Celsius, në disa vende mund të ketë edhe shi

16 July 2025 at 06:59

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot mbi vendin tonë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

Po ashtu, IHMK njofton se lokalisht parashihen reshje të shkurtra shiu.

Temperaturat minimale do të sillen nga 12 – 16°C kurse, temperaturat maksimale do të sillen nga 28 – 32°C.

Gjithashtu, do të fryejë erë kryesisht nga verilindja, 1–6 m/s./Telegrafi/

The post Temperaturat maksimale sot në Kosovë deri në 32 gradë Celsius, në disa vende mund të ketë edhe shi appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 15 July 2025Main stream

Gjarpri rreth dy metra i gjatë shkakton panik në lagjen Ortakoll të Prizrenit

15 July 2025 at 14:34

Në njërën nga lagjet më të mëdha të Prizrenit, Ortakoll, këtë mëngjes është parë një gjarpër rreth 2 metra i gjatë.

Gjarpri shkaktoi panik tek banorët e lagjes, të cilët ndërhynë menjëherë duke e neutralizuar atë.

Banorët kërkuan që të merren masa parandaluese për të shmangur raste të ngjashme në të ardhmen.

IKSHPK javë më parë u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbrohen nga kafshimet e gjarpërinjve, duke listuar një varg rekomandimesh se si të veprohet në rast të tilla./rtk/

The post Gjarpri rreth dy metra i gjatë shkakton panik në lagjen Ortakoll të Prizrenit appeared first on Telegrafi.

KEK: Prodhimi po tejkalon kërkesën për energji elektrike

15 July 2025 at 12:47

Korporata Energjetike e Kosovës, përmes një komunikate ka njoftuar se vazhdon të sigurojë stabilitet energjetik për vendin.

Në njoftim thuhet se, gjatë ditëve të para të muajit korrik 2025, prodhimi nga KEK jo vetëm që ka përmbushur, por e ka tejkaluar kërkesën ditore të energjisë elektrike, me një mbulueshmëri që ka arritur deri në 117%, transmeton Telegrafi.

“Njësitë tona prodhuese, ndonëse të stërvjetëruara dhe me sfida teknike të trashëguara, janë duke operuar me kapacitet të lartë, duke mundësuar mbulim të plotë të konsumit vendor dhe garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të besueshëm për qytetarët e Kosovës”, ka njoftuar KEK.

Po ashtu, KEK-u ka bërë disa sqarime duke ritheksuar përkushtimin e saj ndaj transparencës, zbatimit të ligjit dhe funksionimit normal të njësive energjetike.

“Faktet flasin vetë: Prodhimi energjetik është i qëndrueshëm dhe tejkalon kërkesën; Njësitë, përfshirë A3, janë në funksion të rregullt dhe kontribuojnë ndjeshëm në sistem; Të gjitha procedurat e prokurimit zhvillohen sipas ligjit, nën mbikëqyrjen e institucioneve kompetente”.

Ndër të tjera, KEK-u thotë se mbetet e hapur për bashkëpunim me publikun dhe institucionet relevante, dhe fton që çdo komunikim të bazohet në fakte të verifikueshme, integritet dhe etikë profesionale./Telegrafi/

The post KEK: Prodhimi po tejkalon kërkesën për energji elektrike appeared first on Telegrafi.

Blindohet godina në Theth, shembja do bëhet me tritol

15 July 2025 at 12:30

Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Thethit nuk ka përfunduar ende. Forca të shumta policie kanë rrethuar këtë të martë një godinë trekatëshe në zonën turistike, shembja e së cilës pritet të bëhet përmes një shpërthimi të telekomanduar me lëndë plasëse.

Forcat e xhenios janë në terren dhe po vijojnë punën për instalimin e tritolit, me qëllim rrëzimin e ndërtesës.

Në një prononcim për Euronews Albania, pronari i objektit u shpreh i indinjuar për metodën e përdorur, duke thënë se vendimi për shkatërrimin e godinës është marrë me urdhër politik.

Sipas tij përdorimi i tritolit është një mesazh që “familjen tuaj ne duam ta fundosim”.

“Në Theth, që kur ka lindur Krishti, terror të tillë nuk ka parë. Nuk na ka njoftuar njeri për përdorimin e tritolit. Kjo shembet me një fadromë, por tritolin e përdorin për të treguar se këtë shtëpi duan ta fundosin. Vetëm se nuk duam Edi Ramën. Asnjë send tjetër nuk është këtu, i ka shokët e vet që i çojnë mesazhe ore e minutë, por ne nuk kemi problem as me të e as me oligarkët e tij. Kemi jetuar me djersën e ballit, nuk na ka zënë njeri në drogë, në vjedhje apo në poshtërsi. Duam të jetojmë me forcat tona në tokën tonë”, u shpreh pronari.

 

The post Blindohet godina në Theth, shembja do bëhet me tritol appeared first on Telegrafi.

Policia gjen në Prishtinë veturën e cila ishte vjedhur në Pejë

15 July 2025 at 11:48

Policia e Kosovës ka njoftuar se është gjetur vetura e cila ishte vjedhur në Pejë.

Në njoftim thuhet se, Drejtoria Rajonale e Policisë nё Pejë, Stacioni Policor në Pejё, me datёn 05.07.2025, ёshtё informuar nga viktima se nё rrugën “Lekё Dukagjini” nё Pejё, nё bodrumin e banesёs, i ёshtё vjedhur vetura e tipit Audi, ku nё brendёsi të veturës ishin edhe dy llaptop, tre mullinj tё kafesë, si dhe njё mjet shpues.

“Pas njё pune intensive nga hetuesit e Stacionit Policor nё Pejё, nё bashkёpunim me njёsitet e Stacionit Policor Prishtinё, me datёn 14.07.2025, pёrmes rrugёve operative, ёshtё lokalizuar vetura e cila ishte e parkuar nё rrugën “Flaka e Janarit” nё Prishtinё, e cila ishte e braktisur”, thuhet në njoftim.

Nё koordinim me prokurorin e Shtetit, pas procedurave policore, vetura i ёshtё kthyer pronarit legjitim. /Telegrafi/

The post Policia gjen në Prishtinë veturën e cila ishte vjedhur në Pejë appeared first on Telegrafi.

Urdhri i kryeministrit Rama, vijojnë dorëheqjet e drejtorëve dhe administratorëve të disa bashkive në vend

15 July 2025 at 11:41

Pas urdhrit të kryeministrit Rama në Bashlinë e Bulqizës kanë dhënë dorëheqjen 8 Administratorë të njësive përfshirë edhe qytetit.

Ndërkohë dorëheqjen kanë dhënë edhe dy Nënkryetarët si dhe drejtorët e drejtorive që i përkasin bashkisë.

Në Bashkinë Klos nuk kanë dhënë dorëheqjen 4 Administratorët dhe Nënkryetari pasi janë në proces akoma për dorëheqjen.

Në proces të dorëheqjes së administratorëve të nënkryetarëve dhe drejtorëve vijonë edhe në Bashkinë Dibër.

Në bashinë Mat kanë dhënë dorëheqjen 8 Administratorët e njësive si dhe një Nënkryetar pasi Nënkryetari tjetër pason detyrën e kryetarit të Bashkisë pas dorëheqjes së ish kryetarit Agron Malaj i cili kandidoi për deputet në zgjedhjet e 11 majit.

Nuk ka shkarkime sa i përket drejtorëve pasi në vjeshtë Bashkia Mat do të ketë zgjedhje të parakohshme për zgjedhje të kryetarit të ri për Bashki.

Po ashtu, pas dorëheqjes se 9 administratorëve të bashkisë Gramsh dje, sot kane dhënë dorëheqjet të gjithë drejtorët e bashkisë dhe përgjegjësit në varësi të tyre.

Sa i përket nënkryetarëve, njëra është e sapo emëruar, një muaj në detyre, ndërsa nënkryetari tjetër ësht5ë në prag pensioni./tch/

The post Urdhri i kryeministrit Rama, vijojnë dorëheqjet e drejtorëve dhe administratorëve të disa bashkive në vend appeared first on Telegrafi.

​Kriza politike, Bogujevci me kërkesë ndaj qytetarëve: Duhet t’i mbani përgjegjës partitë opozitare

15 July 2025 at 11:35

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka akuzuar partitë që deri tani ishin në opozitë për krizën politike në vend.

Ajo kërkoi nga qytetarët që të kërkojnë përgjegjësi dhe llogaridhënie, siç tha ndaj deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, që sipas saj nuk po votojnë për konstituim të Kuvendit dhe formim të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

“Presim që deputetët të votojnë dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese që është vota, cila formë që është ajo. Mendoj që krijohet një precedentë të keq në seancën konstituive ku përcaktohet rregull e saktë nga kushtetuesja dhe deputetët nuk marrin pjesë në votim. S’mundemi me ecë përpara kur deputetët nuk votojnë, të them të drejtën nuk po kuptoj më se as çka dëshirojnë dhe çka votojnë. S’ka sens sesi është duke vepruar opozita dhe duhet kërkohet përgjegjësi dhe llogaridhënie nga qytetarët që i kanë votuar”, tha ajo.

Këto komente ajo i bëri duke hyrë në objektin e Kuvendit për seancën konstituive për herë të 47-të.

Ngërçi aktual është të formimi i komisionit për votim të fshehtë të zgjedhjes së kryeparlamentarit, meqë partitë që deri tani ishin në opozitë po e kundërshtojnë të njëjtën.

Në formë të hapur, kandidatja e LVV-së, Albulena Haxhiu nuk ka marrë 61 votat e nevojshme për të marrë postin e kryeparlamentares./kp/

The post ​Kriza politike, Bogujevci me kërkesë ndaj qytetarëve: Duhet t’i mbani përgjegjës partitë opozitare appeared first on Telegrafi.

“15 vjet në burg, zgjodhi lirinë e popullit, jo lirinë e tij” djali i Jakup Krasniqit me një dedikim prekës

15 July 2025 at 09:54

Altin Krasniqi, djali i ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ka thënë se babait të tij po i bëhen 15 vjet në burgje, dhe se kjo po ndodhë pasi ai zgjodhi lirinë e një populli dhe jo lirinë e tij.

Në reagimin e tij në rrjetin social Facebook, Krasniqi shkruan tutje se babai i tij zgjodhi luftën kundër gjenocidit serb, e jo heshtjen ndaj tij, transmeton Telegrafi.

“Zgjodhi Kosovën shtet, e jo më kurrë nën Serbi. Në vend që ta shijonte rolin e gjyshit me mbesat e tij, çdo ditë e më shumë po plaket në qeli, larg vendit të tij. Prandaj, sot, ende në moshën 74 vjeçare, po duron padrejtësi. Babë, edhe pse s’munde ta shijosh as rininë, as pleqërinë, e shijove Kosovën e lirë, të cilës aq shumë i dhe”, shkroi mes tjerash ai.

Më poshtë reagimi i tij:

“Nga burgjet e Jugosllavisë, te qelitë e Hagës.

Jakup Krasniqi u arrestua dhe më 4 prill 1981 u dënua me 14 vite burg nga sistemi fashist i Jugosllavisë, që udhëhiqej nga të njëjtat politika gjenocidale të Serbisë së sotme.

Në rigjykimin që iu bë, u dënua me 15 vite burg, sepse kishte thënë: “Unë nuk jam jugosllav, unë jam shqiptar.”

Megjithatë, ai mbajti 10 vjet, 3 muaj dhe 19 ditë burg, për t’u liruar më 23 korrik 1991.

Rreth tri dekada më vonë, ai vihet sërish në pranga.

Jo nga Beogradi.

Jo nga UDB-ja.

Jo nga serbët.

Por nga ata që u betuan se do të sillnin drejtësi ndërkombëtare.

Ata që heshtën për masakrat e Serbisë, por u ngutën të hapin dosje për çlirimtarët.

Jakup Krasniqi, sot në moshën 74-vjeçare, vazhdon të mbahet në paraburgim, jo për atë që bëri, por për atë që përfaqëson: historinë e lavdishme të një populli, masakrat e të cilit ende nuk kanë gjetur drejtësi, dhe lirinë e një populli të shtypur e të vuajtur që me shekuj ishte lënë në harresë nga bota perëndimore.

I lodhur nga vitet, i rënduar nga mosha, por kurrë i thyer:

Ai është dëshmi e gjallë se liria nuk falet e as nuk fitohet me fjalë, por me burg, me pushkë dhe me jetë.

Ai është turpi i një bote që po gjykon viktimën, ndërsa e përkëdhel kriminelin.

Ai është simbol i asaj që mbështetësit e politikave të Beogradit do ta donin të shlyer: luftën e drejtë të një populli!

Jeta na tregoi se herë është e padrejtë e herë mizore. Këtë më së miri e dëshmon jeta e Jakup Krasniqit, i cili u mbyll në qelitë e ftohta të dy sistemeve të ndryshme:

Dikur nga uniforma jugosllave, sot nga kravata ndërkombëtare.

Dikur sepse kërkoi zërin e lirisë, sot sepse u bë zëri i lirisë!

Prandaj, natyrshëm më vjen pyetja: A jemi të lirë?

Nëse kjo nuk është padrejtësi historike, atëherë çfarë është?

Sa kohë do të qëndrojmë si spektatorë, ndërsa zërat më të fuqishëm të çlirimit mbahen në burg nga një drejtësi që po i shërben narrativës së Serbisë?

Pesha e prangave të Jakup Krasniqit, e mbajtur për këto 15 vite, atë nuk e rrënoi, por do ta rrënojë të ardhmen e Republikës sonë, të formuar nga po ato dy duar që ende i mbajnë prangat e padrejtësisë!

Kjo nuk është thirrje për mëshirë, kjo është thirrje për drejtësi!

Dhe nëse Kosova ende është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, nuk duhet të heshtë.

Sepse sot është ai, nesër mund të jetë fati ynë historik ai që burgoset!

15 vite burg në total.

15 vite në dy botë të ndryshme.

Por të dyja me të njëjtin qëllim: ta heshtin zërin e lirisë!

Por ai nuk heshti. Dhe nuk do të heshtë.

Dhe nëse ne kemi pak ndërgjegje, pak dinjitet dhe pak kujtesë historike as ne nuk duhet të heshtim.

Liria nuk është e plotë derisa i fundit i çlirimtarëve të jetë i lirë.

Kosova nuk do të ketë qetësi, derisa drejtësia të mos e njohë UÇK-në si atë që ishte: ushtria e një populli që kërkoi liri.

Historia nuk e fal harresën.

Dhe kombet që harrojnë, zhduken”./Telegrafi/

The post “15 vjet në burg, zgjodhi lirinë e popullit, jo lirinë e tij” djali i Jakup Krasniqit me një dedikim prekës appeared first on Telegrafi.

Mot kryesisht i qëndrueshëm në Shqipëri

15 July 2025 at 07:50

Shqipëria sot do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme, duke sjellë mot të kthjellët në pjesën më të madhe të territorit gjatë orëve të paradites.

Sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme, duke sjellë mot të kthjellët në pjesën më të madhe të territorit gjatë orëve të paradites.

Nga mesdita e në vijim priten shtime graduale të vranësirave në zonat kodrinore-malore, të cilat herë pas here do të jenë deri të dendura, veçanërisht në lindje dhe në zonën e Alpeve.

Në këto zona parashikohen reshje shiu me karakter të herëpashershëm, ndërsa në relievet e larta malore nuk përjashtohen shtrëngata të izoluara, por me një kohëzgjatje shumë të shkurtër.

Era do të fryjë nga verilindja në veriperëndim me shpejtësi mesatare deri në 8 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore pritet të arrijë shpejtësi nga 10 deri në 17 m/s.

Deti do të jetë i trazuar lehtë, me valëzim që varion nga 2 deri në 3 ballë./tch/

The post Mot kryesisht i qëndrueshëm në Shqipëri appeared first on Telegrafi.

Aksioni në Theth, Rama: Forcat xheniere nuk largohen pa hequr mbeturinën e fundit

15 July 2025 at 07:35

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar teksa në Theth po zhvillohet aksioni për shembjen e godinës së fundit.

Kryeministri thotë se forcat xheniere nuk largohen nga Thethi pa hequr edhe “mbeturinën e fundit” siç e quan ai.

“Ka nisur sot në Theth me mbështetjen e forcave të xhenjos, pastrimi i mbetjeve inerte të ekzekutimit të vendimeve në ngarkim të 40 subjekteve që kishin mbjellë mbi 100 ngrehina pa leje – nga ato me mure tek ato me kontruksion metalik e me dru – në dhunim ekstrem të ligjit për zonat e mbrojtura, të historisë e të pejsazhit magjepsës të asaj zone dhe të turizmit që kanë kultivuar në vite ata që kanë sakrifikuar për ta bërë Thethin destinacionin që është sot. Forcat e xhenjos nuk do të largohen nga Thethi deri kur të jetë hequr edhe mbeturina e fundit, ndërkohë që mbetet edhe një godinë masive për t’u shembur, që të përmbyllet ekzekutimi i plotë i vendimeve të IKMT dhe rikthimi i Thethit në normalitetin e para kësaj marrëzie kriminale”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ai tutje shtoi se “Ka filluar Rilindja Urbane 2.0 si domosdoshmëri jetike për Shqipërinë 2030 në BE”./Telegrafi/

The post Aksioni në Theth, Rama: Forcat xheniere nuk largohen pa hequr mbeturinën e fundit appeared first on Telegrafi.

Ngërçi në Kuvend, sot përpjekja e 47-të për konstituim

15 July 2025 at 07:07

Deputetët e Kuvendit do të mblidhen sërish sot, duke filluar nga ora 11:00, në një tjetër përpjekje për ta konstituar legjislaturën e re.

Që nga 15 prilli, Kuvendi ka dështuar plot 46 herë radhazi në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, raporton Telegrafi.

Procesi i konstituimit ka mbetur i bllokuar pasi Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por kjo kandidaturë nuk ka gjetur përkrahje nga partitë e tjera parlamentare.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka propozuar që votimi për kryetaren të zhvillohet në mënyrë të fshehtë, por ky propozim nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme në Kuvend.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt. /Telegrafi/

The post Ngërçi në Kuvend, sot përpjekja e 47-të për konstituim appeared first on Telegrafi.

Moti në Kosovë, temperaturat maksimale deri në 32 gradë Celsius

15 July 2025 at 06:59

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot mbi vendin tonë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

Po ashtu, IHMK njofton se vende-vende priten riga shiu me rrufe gjatë ditës.

Temperaturat minimale do të sillen nga 14 deri në 17°C, kurse maksimale nga  28 deri në 32°C.

Ekspertët mjekësor kanë bërë thirrje që qytetarët të shmangin ekspozimin në diell, dhe të kujdes gjatë kohës sa temperaturat janë të larta./Telegrafi/

 

The post Moti në Kosovë, temperaturat maksimale deri në 32 gradë Celsius appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

​Klinika e Kirurgjisë Torakale në QKUK avancon me teknologji të nivelit ndërkombëtar

12 July 2025 at 15:08

Klinika e Kirurgjisë Torakale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) po shndërrohet në një qendër moderne kirurgjikale, ku inovacioni bashkohet me përkushtimin për kujdesin ndaj pacientit. Me teknologji të përparuara, metoda moderne operative dhe ekip mjekësor të specializuar, kjo klinikë po vendos standarde të reja në trajtimin e sëmundjeve të kraharorit dhe mushkërive në Kosovë.

Që nga viti i kaluar, kanë filluar tri intervenime të reja në Torakale, PECTUS, operacioni me Sentinel-Node dhe fiksimi i brinjëve tek trauma të ndryshme e investime në VATS të ri.

Ndërsa numri më i madh i pacientëve është me sëmundjen e kancerit të gjirit dhe sëmundjet me pragmatikën e gjirit. Vetëm përgjatë periudhës janar-qershor janë bërë gjithsej 329 intervenime në gji.

Drejtori i Kirurgjisë Torakale në QKUK, Nazmi Kolgeci thotë për KosovaPress tregon për operacionet që realizojnë.

“Në Kirurgjinë Torakale, numri më i madh i pacientëve që vijnë tek ne është me sëmundjen e kancerit të gjirit dhe sëmundjet me pragmatikën e gjirit. Intervenime në gji janë gjithsej 329. Kemi punuar struma, rreth 11 operacione dhe PECTUS, që janë bë shtatë operacione. Vitin e kaluar kemi filluar si operacione të para me këtë metodë që domethënë se kemi arritur që Qeverisë së Kosovës nga Buxheti i Kosovës të mos i jepet për pacientë që janë trajtuar jashtë shtetit”, thotë Kolgeci.

Me operacionin Sentinel-Node, është bërë e mundur që rreth 40 pacientë të ruajnë gjirin dhe nyjën limfatike. Ky intervenim, siç thotë Kolgeci bëhet vetëm në QKUK e në Greqi.

“Këtë vit kemi filluar edhe me operacion me Sentinel-Node. Sentinel-Node është një intervenim kirurgjik që realizohet tek kanceri i gjirit dhe që është si gjurmuesi në nyje limfatike, të cilat janë të infiltruara me kancer. Tani me këtë metodë te disa pacientë, ne e kursejmë edhe gjirin, por kursejmë edhe nyjën limfatike. Këto intervenime kirurgjike janë një e arritur mjaft e madhe, për arsye se si informacione që kemi, vetëm në Greqi bëhen këto intervenime dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Prej vitit të kaluar që jemi lidhur me këtë metodë e deri tani, është diku rreth tridhjetë e pesë ose katërdhjetë pacientë që i kemi realizuar me metodën Sentinel-i… Vitin e kaluar po ashtu kemi filluar edhe me një intervenim tjetër kirurgjik, është bërë fiksimi i brinjëve tek trauma të ndryshme”, tregon ai.

Kolgeci është shprehur se ka pasur investime edhe në pajisje medicinale, me PECTUS, në VATS të ri një aparaturë që përmes kamerave operojnë në torakal, aparaturë e fjalës së fundit.

Gjithashtu, Kolgeci ka thënë se ka pasur investime edhe në sallat e operacionit, e salla e dytë është në pritje për tu kompletuar me tavolinë e drita.

“Këto vitet e fundit janë bërë investime në pajisje medicinale, me PECTUS që ka qenë, është bërë investime në VATS të ri, ngaqë ne e kemi pasur një VATS, një aparaturë që përmes kamerave që operojnë në torakal, aparatura që e kemi na është mjaft moderne, ndoshta është e fjalës së fundit.

Gjithashtu janë bë investime edhe në sallat e operacionit. Ndërsa sallën e dytë jemi duke e prit për arsye se kjo sallë është komplet e rinovuar, mirëpo akoma nuk e kemi të pajisur me aparaturën shtesë, me tavolinën, dritat dhe gjërat tjera që i duhet për sallën e operacionit, po kjo është në pritje jetë që shumë shpejt”, është shprehur Kolgeci.

E për listën e pritjes për ndërhyrje kirurgjike, Kolgeci thotë se mbetet relativisht e shkurtër, aq sa është e nevojshme që pacienti të përgatitet me analiza e ekzaminime të tjera.

“Lista e pritjes tek ne për kancerin e gjirit, për kancerin e mushkërisë ose kancerin e gushës dhe tumorit malinj që janë në regjionin torakal është shumë e shkurtër aq sa është e nevojshme një pacient të përgatitet për sallë operacionale. Por, kjo listë, kjo pritje është diku në tri javë deri në pesë javë, por kjo është kohë në të cilën pacienti duhet të përgatitet vetë me analiza dhe me ekzaminime të tjera shtesë”, thekson ai.

Operacioni më i vështirë që kryhet në Kirurgjinë e Torakales, është restrikcioni i mushkërive.

The post ​Klinika e Kirurgjisë Torakale në QKUK avancon me teknologji të nivelit ndërkombëtar appeared first on Telegrafi.

Kurti takohet sonte në Prishtinë me ndihmëssekretarin e Shtetit, Brendan Hanrahan

12 July 2025 at 13:34

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet sonte në mbrëmje në Prishtinë me Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.

Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Kryeministri Kurti do të takojë sot në mbrëmje zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, në një darkë pune të shtruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Prattipati”, konfirmoi ai.

Zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, gjatë kësaj jave është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në SHBA.

Ndryshe, ndihmëssekretari i Shtetit Hanrahan, para mbërritjes në Kosovë, ka vizituar Serbinë, ku është takuar me presidentin Aleksandar Vuçiq. Sipas njoftimit nga presidenca serbe, në takim janë diskutuar temat globale, raportet Serbi-SHBA dhe situata në Ballkanin Perëndimor.  /Telegrafi/

 

The post Kurti takohet sonte në Prishtinë me ndihmëssekretarin e Shtetit, Brendan Hanrahan appeared first on Telegrafi.

❌
❌