Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 August 2025Main stream

Shuhet vatra e zjarrit në Shkodër, tre mjete zjarrfikëse dhe 20 efektivë të angazhuar

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci bëri me dije mbrëmjen e sotme, se forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë për shuarjen e një vatre zjarri pranë ish-fushës së aviacionit, në njësinë administrative Rrethina.

Sipas Becit, në operacion u angazhuan 3 mjete zjarrfikëse dhe 20 efektivë, të cilët punuan për neutralizimin e flakëve që rrezikonin përhapjen për shkak të erës së fortë.

Në një postim në rrjetet sociale, Beci falënderoi efektivët për përkushtimin e treguar jo vetëm sonte, por në të gjitha ndërhyrjet e ditëve të fundit, në përballje me vatrat e zjarrit në territorin e bashkisë Shkodër.

Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë për shuarjen e një vatre zjarri në Njësinë Administrative Rret...
1 nga 4

/e.i/r.e/

The post Shuhet vatra e zjarrit në Shkodër, tre mjete zjarrfikëse dhe 20 efektivë të angazhuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Meloditë e Mesdheut”, mbrëmje muzikore në Amfiteatrin e Durrësit

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Sopranoja shqiptare me famë botërore, Inva Mula dhe instrumentistët e njohur Ekland Hasa në piano dhe Redi Hasa në violonçel, si edhe kori i fëmijëve “Okarina”, sollën sot një atmosferë magjike në skenën antike të Amfiteatrit të Durrësit përmes koncertit “Meloditë e Mesdheut”.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako e cilësoi këtë aktivitet, si një koncert mbresëlënës dhe një udhëtim me meloditë më të bukura të Mesdheut, që përcolli emocione të forta dhe përjetime të rralla për qytetarët dhe turistët e shumtë.

“Një event i veçantë ku u takuan muzika, arti dhe historia e që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut”, tha Sako.

Koncerti kishte në program këngët e meloditë më të bukura të pellgut të Mesdheut.

Sopranoja Inva Mula erdhi me këtë koncert pas MIK Fest në Korçë, ku u zhvillua edicioni i tij i tetë.

/e.i//r.e/

The post “Meloditë e Mesdheut”, mbrëmje muzikore në Amfiteatrin e Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 5 August 2025Main stream

Dredha: Pas shiut, rrugët e Vlorës në normalitet të plotë

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Reshjet e dendura të shiut përfshinë sot qytetin e Vlorës, duke shkaktuar përmbytje në disa rrugë, mes tyre edhe rruga “Albano dhe Romina”, ndërsa nën “pushtetin” e ujit është lagjja historike e Muradies.

Kryetari i bashkisë së qytetit bregdetar, Ermal Dredha reagoi sot në mbrëmje duke u shprehur se “pas reshjeve intensive të shiut, brenda më pak se dy orësh, rrugët e qytetit janë kthyer në normalitet të plotë, falë angazhimit të menjëhershëm të Ujësjellësit dhe të gjitha ekipeve të bashkisë”.

Ndërkohë, Dredha tha se vazhdon puna për pastrimin e të gjithë territorit.

Zonat më të prekura nga reshjet e shiut ishin në lagjen “Skelë” (afër kryqëzimit të madh), zonën pranë bibliotekës publike, përreth Kishës Ortodokse dhe sheshi “Albano & Romina”.

Në disa segmente rrugore, automjetet u bllokuan për shkak të prurjeve të mëdha të ujit, ndërsa shërbimet e emergjencës nisën punën për pastrimin e pusetave dhe rivendosjen e normalitetit në qarkullim.

Nga puna e punonjësve të bashkisë Vlorë për pastrimin e qytetit pas reshjeve të shiut
1 nga 15

/e.i//r.e/

The post Dredha: Pas shiut, rrugët e Vlorës në normalitet të plotë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Liqeni i Malit të Gramozit, Rama ndan pamjet

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Liqeni i malit të Gramozit në Kolonjë është një ndër destinacionet ideale turistike, për vizitorët vendas dhe turistët e huaj.

Përmes rubrikës “Beautiful Albania”, kryeministri Edi Rama publikoi sot një video të këtij liqeni.

Ky liqen, një “thesar” i fshehur i bukurive natyrore shqiptare gjendet në 2400 metra lartësi, ndërsa malet e larta dhe natyra përreth ofrojnë një panoramë të jashtëzakonshme.

Liqeni me origjinë akullnajore, sipërfaqe rreth 0,4 ha dhe formë elipsi, renditet në listën e atraksioneve më të kërkuara, sidomos në dimër kur reshjet e borës dhe temperaturat e ulta e shndërrojnë në një sipërfaqe të ngrirë mes bimësisë dhe pyjeve të shumta të zonës.

Të apasionuarit pas lartësive, ngjiten në këto territore të thyera për të ushtruar sportin e alpinizmit apo ecjeve malore, ndërsa liqeni vizitohet sipas itinerarit: qyteti i Ersekës – fshati Starje – liqeni i Gramozit.

/e.i//r.e/

The post Liqeni i Malit të Gramozit, Rama ndan pamjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshje shiu në Vlorë, përmbytje në disa rrugë të qytetit

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Reshjet e dendura të shiut përfshinë sot qytetin e Vlorës, duke shkaktuar përmbytje në disa rrugë, mes tyre edhe rruga “Albano dhe Romina”, ndërsa nën “pushtetin” e ujit është lagjja historike e Muradies.

Sipas pamjeve nga mediet, niveli i ujit në rrugë është rritur ndjeshëm, duke penguar qarkullimin normal të automjeteve dhe këmbësorëve.

Zonat më të prekura përfshijnë: Lagjen “Skelë” (afër kryqëzimit të madh), zonën pranë bibliotekës publike, përreth Kishës Ortodokse dhe sheshi “Albano & Romina”.

Në disa segmente rrugore, automjetet janë bllokuar për shkak të prurjeve të mëdha të ujit, ndërsa shërbimet e emergjencës kanë nisur punën për pastrimin e pusetave dhe rivendosjen e normalitetit në qarkullim.

/e.i//r.e/

The post Reshje shiu në Vlorë, përmbytje në disa rrugë të qytetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Eco Routes në Ujëvarën e Topojanit, projekt i BE-së për natyrë dhe turizëm të qëndrueshëm

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Projekti Eco Routes i Bashkimit Europian është një iniciativë që synon të promovojë transportin e qëndrueshëm, turizmin e gjelbër, dhe zhvillimin rajonal në përputhje me strategjinë e BE-së për tranzicionin e gjelbër dhe ruajtjen e biodiversitetit.

Njërën nga ditët e ‘Reel the Site’, BE bën me dije se është vizituar Ujëvara e Topojanit, aty ku natyra dhe turizmi i qëndrueshëm bashkohen falë projektit Eco Routes, të financuar nga Bashkimi Europian.

Sipas BE-së, konkurrentët eksploruan shtigjet e ecjes të zhvilluara për të lidhur njerëzit me natyrën dhe për të promovuar turizmin ndërkufitar.

“Pjesë e të njëjtit projekt është edhe Parku i Aventurave në Shishtavec, një hapësirë për të gjitha moshat që sjell aktivitete në natyrë dhe e bën zonën edhe më tërheqëse për vizitorët”, thuhet në njoftim.

Projekti Eco Routes synon të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të rrisë vizitat e zonave Kukës dhe Rahovec, duke nxitur bashkëpunimin ndërkufitar dhe duke e kthyer këtë rajon në një destinacion për ekoturizëm.

Eco Routes është një rrjet rrugësh turistike ose trase ekologjike ku përdoren nga biçikleta, ecësit, ose transporti publik; lidhen zona natyrore, parqe kombëtare, monumente kulturore e vende të trashëgimisë; janë të zhvilluara në mënyrë të qëndrueshme, pa ndotje dhe me përfitim për komunitetet lokale dhe promovohet ekoturizmi, produkte vendase dhe bizneset e vogla.

Qëllimi i projektit është reduktimi i ndotjes nga transporti duke nxitur biçikletat dhe ecjen, zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm në harmoni me natyrën dhe kulturën, ndërlidhja e rajoneve rurale me qytetet për të ndihmuar zhvillimin ekonomik lokal, ndërgjegjësimi për natyrën dhe trashëgiminë kulturore përmes udhëtimeve edukative dhe ekologjike, etj.

/e.i//r.e/

The post Eco Routes në Ujëvarën e Topojanit, projekt i BE-së për natyrë dhe turizëm të qëndrueshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festivali “Lumina”, atmosferë elektrizuese për adhuruesit e muzikës elektronike

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Festivali i muzikës elektronike “Lumina Electronic” solli ritëm dhe atmosferë për të gjithë adhuruesit e muzikës elektronike.

Aktiviteti dëshmoi edhe një herë se Korça është jo vetëm një qytet i kulturës dhe historisë, por edhe i rinisë dhe energjisë së jashtëzakonshme.

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo e konsideroi këtë edicion të dytë të festivalit “Lumina”, si të jashtëzakonshëm.

Filo u shpreh se për dy net me radhë, parku “Rinia” u mbush me ritme elektrizuese, energji pafund dhe qindra të rinj që festuan muzikën moderne në një atmosferë që vetëm “Lumina” di ta krijojë.

“Ky edicion e forcoi më tej identitetin e festivalit si një nga eventet më të rëndësishme verore në Korçë, duke tërhequr vizitorë dhe adhurues të muzikës elektronike nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni”, tha Filo, në një postim në rrjetet sociale.

Të rinj vendas dhe turistë të huaj u entuziazmuan, në një atmosferë që vështirë të përshkruhet me fjalë.

Lumina Electronic Festival është tashmë një traditë që do të vazhdojë çdo vit, me synimin për të rritur edhe më shumë ndikimin kulturor dhe turistik të Korçës, si një destinacion festash bashkëkohore dhe përjetimesh unike.

/e.i//r.e/

The post Festivali “Lumina”, atmosferë elektrizuese për adhuruesit e muzikës elektronike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbështetje fermerëve, Denaj: 50% grant për investime në sektorin bujqësor

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Fermerët shqiptarë që synojnë të investojnë në mbjellje të reja pemësh frutore, agrumesh, ullishtesh dhe vreshtash do të përfitojnë 50% grant nga Skema Kombëtare e Investimeve 2025, e cila është hapur për aplikime deri më 30 shtator.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi sot një takim me fermerë të qarkut të Beratit, me qëllim sqarimin e kritereve të aplikimit.

Ministrja Denaj u shpreh se “pjesëmarrësit patën mundësi të merrnin përgjigje të detajuara për çdo pyetje konkrete që kishin lidhur me aplikimin”.

Sipas Denajt, “Skema Kombëtare e Investimeve 2025 ofron 50% grant për investime në sektorin bujqësor dhe mund të kombinohet me Kredinë e Butë me normë interesi deri në 2% dhe Garancinë Sovrane me mbulim kolaterali deri në 70%”.

Aplikimet kryhen pranë zyrave qendrore të AZHBR-së, ndërsa skema përfshin gjithsej 9 masa mbështetëse për sektorin bujqësor.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bujqësisë shqiptare dhe përmirësimit të kapaciteteve prodhuese në përputhje me objektivat e Bujqësisë 2030.

/e.i//r.e/

The post Mbështetje fermerëve, Denaj: 50% grant për investime në sektorin bujqësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bashkia Vlorë, drejt përfundimit dy godina për strehimin e 75 familjeve në nevojë

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Bashkia e Vlorës është drejt përfundimit të dy objekteve banimi për shtresat në nevojë në qytetin bregdetar, të cilat do të strehojnë 75 familje.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha tha se “ndërtesat janë drejt përfundimit dhe shumë shpejt do të dorëzohen çelësat për familjet përfituese”.

Dredha, në një postim sot në rrjetet sociale, tha se u takua me drejtorin e përgjithshëm të Entit Kombëtar të Banesave, Besmir Hysa, në kuadër të strehimit social në qytetin bregdetar. Sipas Dredhës, në fokus të diskutimeve ishte vazhdimi i bashkëpunimit të mëtejshëm mes bashkisë dhe EKB-së, por edhe finalizimi i objekteve 3 dhe 4 në Vlorë, që garantojnë strehimin e 75 familjeve.

Ky investim përfaqëson një shembull konkret të angazhimit për të ofruar zgjidhje të prekshme në strehimin social, përmes një partneriteti të fortë me Entin Kombëtar të Banesave.

Gjatë takimit u evidentuan sfidat dhe prioritetet lokale në fushën e strehimit, ndërsa EKB rikonfirmoi gatishmërinë për të mbështetur bashkitë në zbatimin e projekteve që synojnë përmirësimin e kushteve të banimit për familjet në nevojë.

Ky takim vjen në kuadër të angazhimit të EKB për të forcuar bashkëpunimin me njësitë vendore dhe për të zhvilluar zbatimin e objektivave te Strehimit Social.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Entit Kombëta...
1 nga 5

/e.i//r.e/

The post Bashkia Vlorë, drejt përfundimit dy godina për strehimin e 75 familjeve në nevojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Receta mjekësore e unifikuar, Urdhri i Mjekut: Parandalon ndikimet e kompanive farmaceutike

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Prej datës 1 gusht, receta mjekësore në formatin e ri unik ka hyrë në fuqi në të gjithë sistemin shëndetësor, publik dhe privat.

Sipas Presidentit të Urdhrit të Mjekut, Dritan Trepçe, receta e unifikuar parandalon influencat që mjekët mund të kenë nga kompani të caktuara farmaceutike në ekzekutimin e recetave.

“Mos harrojmë se nga koha e Covid është vënë re një lëshim recetash nga firmat farmaceutike, blloqet e recetave me emrat tregtar të ilaçeve, gjë që lind përshtypjen ose e një dyshimi të arsyeshëm për bashkëpunimin mjek-farmacist. Miratimi i këtij formati e shmang këtë lloj dyshimi dhe e vë në shina më të rregullta lëshimin e medikamenteve drejt farmacive dhe ekzekutimin e ilaçeve”, tha Trepçe në një intervistë televizive.

Sipas Trepçes, “farmacistët do penalizohen nëse do kapen në shkelje të këtij urdhri dhe këtij formati”.

Receta e re ka lehtësuar shumë daljet e të sëmurëve kronikë të cilëve tanimë procedura u thjeshtohet

“Me këtë lloj recete mjeku mund të lëshojë recetë për të sëmurët kronikë deri në 6 muaj pa detyrimin që ata të paraqiten”, shtoi Trepçe.

Farmacistët kanë edhe të drejtën e ekzekutimit të pjesshëm të recetës. Në rastet kur nuk i disponon të gjitha barnat e shkruara farmacisti do të duhet të shënojë ilaçet që i ka dhënë pacientëve, sasinë e marrë dhe datën duke e firmosur edhe vulosur.

Ky model i unifikuar i recetës mjekësore sjell më shumë siguri për pacientët dhe më pak burokraci për mjekët dhe farmacistët.

Formati i ri i recetës mjekësore ka edhe elementë të tjerë teknikë të rëndësishëm, si vendosja e emrit gjenerik të barit, tipi i recetës për pacientët me sëmundje akute apo kronike, si dhe vendosja e emrit dhe vulës së farmacistit.

Receta e re mjekësore e unifikuar shënon një hap të rëndësishëm për më shumë cilësi, siguri dhe lehtësi për pacientët dhe profesionistët e shëndetësisë.

/e.i/j.p/

The post Receta mjekësore e unifikuar, Urdhri i Mjekut: Parandalon ndikimet e kompanive farmaceutike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Spitali Rajonal i Vlorës, pikë kyçe sigurie për pushuesit

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Spitali Rajonal i Vlorës, me një ekip të përkushtuar mjekësh dhe infermierësh, ofron shërbim dhe kujdes mjekësor jo vetëm për qytetarët vlonjatë, por edhe për pushuesit vendas dhe turistët e huaj që zgjedhin këtë qytet për të kaluar pushimet verore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh se Vlora është vendi ku takohet historia me mikpritjen, ndërsa Spitali Rajonal i Vlorës është një pikë kyçe sigurie për pushuesit, në gatishmëri 24/7 për çdo rast urgjent, me një ekip të përkushtuar dhe shërbim cilësor.

Sipas Koçiut, “që nga 1 qershori, mbi 5,800 qytetarë kanë marrë ndihmë mjekësore, mes tyre edhe 360 turistë të huaj, të cilët kanë gjetur kujdes profesional dhe njerëzor. Kujdes shëndetësor në zemër të turizmit, për pushime të sigurta dhe pa shqetësime”, tha Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Një prej mjekeve të këtij spitali, pohon se në mesin e sezonit turistik janë paraqitur 2 600 pacientë, nga të cilët 200 pacientë të huaj, jo rezident në Shqipëri.

“Javën e fundit janë shtuar rastet e gastroenteriteve dhe rastet virale. Kemi edhe rastet e të sëmurëve kronikë, situata e të cilëve ka precipituar nga temperaturat e larta. Kemi një shtim të hospitalizimit të rasteve neurologjike, në patologji te të sëmurët kronikë dhe në infektiv”, u shpreh ajo.

Mjekja shtoi se ka një koordinim shumë të mirë me urgjencën lëvizëse 127 për raste e paraqitura të asfiksisë, djegieve, mbytjeve në det, traumave dhe aksidenteve.

“Javën e fundit të korrikut është shtuar numri i vizitave ditore,  numri i të cilave ka shkuar deri në 150, nga këto 50-60 raste kanë qenë gastroenterite, gjendje febrile, tonsilite akute të cilat paraqiten me diarre, temperaturë, dobësi trupore, raste që janë menaxhuar më së miri nga stafi i pranim urgjencës”, vijoi mjekja, ndërsa këshilloi qytetarët që të mos ekspozohen gjatë në temperatura të lart dhe të ndjekin një regjim ushqimor të mirë dhe të shëndetshëm.

/e.i/j.p/

The post Koçiu: Spitali Rajonal i Vlorës, pikë kyçe sigurie për pushuesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pediatria e Specialiteteve, mesazhet e prindërve: Shërbim në kohë dhe me profesionalizëm

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Spitali i Pediatrisë së Specialiteteve i organizuar në pese kate ofron shërbime në Nefrologji dhe Dializë Pediatrike, Shёrbimi i Laboratorit tё Gjenetikёs Klinike, Shërbimi i Onkohematologjisë, Shërbimi i Specialiteteve 2 për neuropsikiatri, gastroenterologji, endokrinologji dhe okulistikë, Shërbimi i Specialiteteve 1 Pneumo-alergologji, Shërbimi i Kirurgjisë Infantile, Njësia e Konsultave Pediatrike si dhe Njësia e Rehabilitimit Fizik (fizioterapia).

Një grup prindërish, të fëmijëve të shtruar në këtë pavion të QSUNT-së, ata shprehet se ndihen shumë të kënaqur nga shërbimi dhe kushtet në të cilat marrin shërbimin për të vegjlit e tyre.

“Kemi 10 vite që ndiqemi me doktoreshë Ornelën. Godina e re plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret, duke filluar nga stafi mjekësor që më përgjigjen 24 orë sa herë fëmija ka problem, infermierët, kushtet higjieno sanitare janë fantastike. Gjendja e vajzës është përmirësuar, pasi mori ndihmën e parë në bazë të gjithë mjekimeve dhe analizave, vajza e ka marrë tashmë veten”, thotë një prej tyre.

Një tjetër prind, shprehet se është përballur me një staf të mirëpërgatitur, shërbim në kohë dhe me profesionalizëm.

“Nga janë gjendur pranë si mjekët, si infermierët, kushtet janë shumë më të mira nga çfarë mund ta imagjinonim kur u shtruam që ditën e parë. Jemi shumë të kënaqur, sidomos me mjekët dhe infermierët që u përkujdes shumë dhe djali e mori veten”, vijoi një tjetër prind.

Një tjetër prind thotë se e ndjek fëmijën me doktoreshë Ornela Xhankon, ndërsa thotë se është shumë i kënaqur me mjekët, infermierët dhe sanitarët e spitalit.

“Jam emigrante, vijë nga Italia dhe kam djalin që vuan nga insuficienca renale kronike. Kemi ardhur për një shërbim më të specializuar këtu dhe jemi shumë të kënaqur me gjithë doktorët, kushtet, mjekimet, higjienën, të gjitha”, tha ajo.

Spitali ka një kapacitet prej 140 shtretërish ku parashikohen rreth 35000 konsulta në vit, mbi 24500 ekzaminime të tjera specifike (eko, ct, grafi, timpanografi, spirometri, audiograme etj) dhe mbi 5000 ekzaminime laboratorike përmes konsultës ambulatore pediatrike.

/e.i/j.p/

The post Pediatria e Specialiteteve, mesazhet e prindërve: Shërbim në kohë dhe me profesionalizëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Shtetit: 103 operacione, 761 persona të arrestuar gjatë korrikut

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Policia e Shtetit bëri publik sot bilancin e punës dhe të operacioneve përgjatë muajit korrik 2025.

Sipas njoftimit, Policia thekson se janë finalizuar 103 operacione policore, ndërsa janë vënë në pranga 761 persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

Njoftimi i plotë:

Strukturat e Policisë së Shtetit kanë vijuar me përkushtim, profesionalizëm dhe angazhimin, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, garantimin e rendit dhe sigurisë publike, zhvillimin e operacioneve të përbashkëta me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit në bashkëpunim të ngushtë me partnerët.

Gjithashtu, në pikun e sezonit turistik, është treguar vigjilencë dhe kujdes i shtuar, 24/7, për garantimin e sigurisë në plazhe dhe në hapësirat ujore, për ofrimin e ndihmës ndaj qytetarëve dhe vizitorëve.

Fokusim dhe përkushtim edhe për identifikimin e autorëve të zjarrvënieve dhe menaxhimin e situatave me zjarret duke shpëtuar jetë nga rreziku i përfshirjes nga flakët, evidentimin dhe ndëshkimin e atyre që ndërtojnë pa leje apo zënë hapësirat publike.

Konkretisht, gjatë muajit Korrik: Janë finalizuar 103 operacione policore; Janë finalizuar 25 operacione në bashkëpunim me partnerët, për goditjen e krimeve kibernetike, trafikimit të drogës, si dhe për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar; Janë vënë në pranga 761 shtetas të akuzuar/dënuar për vepra penale të ndryshme; Janë asgjësuar 52 934 bimë Cannabisi, si dhe janë sekuestruar rreth 2.5 kg kokainë, 6.2 kg cannabis, qindra doza të këtyre lëndëve dhe sasi amfetaminë;

Janë sekuestruar 33 armë zjarri, 110 kapsolla detonatore, 2 antiplumba dhe silenciatorë; Janë zbardhur 10 ngjarje kriminale, ndër to: vrasje, plagosje me mjete prerëse, shkatërrim prone me eksploziv dhe djegie të qëllimshme pronash; Janë parandaluar ngjarje kriminale në Tiranë, Lezhë, Vlorë, e Sarandë që mund të kryheshin nga shtetas që lëviznin të armatosur.

Janë parandaluar përshkallëzimi i 6 konflikteve me armë apo sende të forta si dhe i 8 rasteve të tentativës për vjedhje;

Janë sekuestruar pasuri dhe cash me vlerë totale rreth 1.6 milionë euro, të përfituara nga krimet;

Gjatë 2 fazave të operacionit “Identiteti”, Policia e qarkut Tiranë zbuloi raste të falsifikimit të pasaportave dhe kartave të identitetit, për të lëvizur ilegalisht ose për të marrë kredi;

Policia e qarkut Kukës goditi 2 raste të trafikimit të armëve nga Kosova dhe 3 raste të trafikimit të automjeteve;

Gjatë planeve të posaçme operacionale policore, për sigurinë ushqimore dhe atë dentare, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare e DPPSh-së zbuloi raste të përdorimit/tregtimit të produkteve të skaduara, me rrezik për jetën dhe shëndetin e qytetarëve;

Janë finalizuar 16 operacione për zbardhjen e vjedhjeve;

Janë goditur 10 raste në fushën e kontrabandës, 7 raste të transportimit të emigrantëve që synojnë të kalojnë kufirin ilegalisht dhe 6 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit;

Janë bllokuar 134 mjete lundruese, pasi drejtuesit e tyre cenuan perimetrin e sigurisë për pushuesit dhe/ose ishin të papajisur me dokumentacionin që kërkon ligji;

Janë konstatuar 34 raste të pushtimit të hapësirave në plazhe, për të cilat, në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”, janë sekuestruar rreth 2700 komplete me çadra dhe shezlongë;

Janë konstatuar 38 raste të tjera të pushtimit të hapësirave publike, për aktivitete fitimprurëse. Në bashkëpunim me shërbimet e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, janë liruar hapësirat dhe sekuestruar objektet e përdorura;

Janë konstatuar 12 raste të ndërtimeve pa leje me 16 shtetas të proceduar penalisht, si dhe janë goditur krime të tjera kundër mjedisit, të tilla si: ndotja e ujërave, dëmtimi i shtratit të lumenjve, si dhe hedhja e inerteve ose mbetjeve të tjera;

Në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, Forcat e Armatosura dhe homologët, është reaguar menjëherë për 44 raste zjarrvënieje. Hetimet dhe puna policore rezultuan me arrestimin/ndalimin/procedimin e 42 autorëve të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme apo nga pakujdesia;

Janë proceduar penalisht 72 drejtues automjetesh, sepse duke parkuar dyshe, penguan qarkullimin e automjeteve të urgjencës dhe lëvizjen e qytetarëve;

Policia e Tiranës dhe policitë e qarqeve bregdetare kanë kryer kontrolle të përditshme, me mjete teknologjike zhurmëmatëse, te subjektet që gjenerojnë muzikë. Administratorët e subjekteve që u gjetën në tejkalim të nivelit dhe/ose të orarit, u ndëshkuan penalisht dhe/ose administrativisht;

Është dhënë ndihmë për 55 shtetas që u gjendën në vështirësi për shkak të terrenit, temperaturave, mosorientimit në zona të ndryshme ose defekteve në mjetet me të cilat lëviznin.

Shërbimet e Policisë Rrugore, të pajisura me mjete bashkëkohore, kanë intensifikuar kontrollet në të gjitha akset e vendit, me qëllim konstatimin e shkeljeve rrugore që rrezikojnë jetën e përdoruesve të rrugës ose bëhen shkak për ngadalësim apo bllokim të qarkullimit gjatë këtij muaji me fluks të lartë lëvizjeje.

Në këtë kuadër:

– janë vënë në pranga 226 drejtues mjetesh, nga të cilët 139 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 87 për drejtim mjeti pa leje drejtimi ;

– janë pezulluar 252 leje drejtimi, për tejkalim të normave të shpejtësisë, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë;

– janë vendosur 22 338 masa administrative për shpejtësi mbi normën e lejuar, me sanksion pezullimin e lejes së drejtimit. Në këto raste, drejtuesit e automjeteve kanë paguar dyfishin e gjobës maksimale dhe janë penalizuar me zbritje nga 6 deri në 12 pikë nga leja e drejtimit.

Shërbimet e Policisë Kufitare, krahas menaxhimit të fluksit të lartë të hyrje/daljeve dhe ofrimit të një shërbimi policor të shpejtë dhe me etikë, gjatë këtij muaji kanë shtuar vigjilencën dhe kontrollet, me objektiv goditjen e paligjshmërive në kufi dhe tentativave për lëvizje të paligjshme.

Në këtë kuadër janë goditur:

68 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve;

10 raste të tentativës për të kaluar kufijtë me dokumente false;

7 raste të mosdeklarimit të shumave të parave.

Policia e Shtetit garanton qytetarët se është maksimalisht e angazhuar për të rritur forcën parandaluese dhe goditëse ndaj krimit, si dhe për të identifikuar dhe ndaluar shtetasit që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

Me qëllim përmbushjen e këtyre objektivave, ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë më ngushtë me Policinë, duke denoncuar menjëherë çdo paligjshmëri që konstatojnë, pranë njësive fizike të Policisë së Shtetit ose në numrin pa pagesë 112.

/e.i//a.f/

The post Policia e Shtetit: 103 operacione, 761 persona të arrestuar gjatë korrikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndryshimet në ligjin “Për tatimet mbi të ardhurat”, regjim i unifikuar dhe progresiv taksimi për të gjitha bizneset

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Ndryshimet në ligjin “Për tatimet mbi të ardhurat”, parashikon kthimin e regjimit të tatimeve në një sistem të unifikuar dhe progresiv taksimi për të gjitha bizneset, përfshirë edhe sektorin e teknologjisë së informacionit, akomodimin apo bizneset sezonale.

Sektori i teknologjisë së informacionit, strukturave akomoduese apo bizneset sezonale, për vite me radhë ka përfituar nga skemat preferenciale, ndërsa sipas ministrisë së Financave, pritet që “politikat preferenciale tatimore  të jenë të përkohshme, të targetuara dhe jo diskriminuese për sektorë të tjerë. Trajtimi preferencial për sektorë si akomodimi, IT, apo bizneset sezonale do të hiqet gradualisht”.

Sipas dokumentit zyrtar të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, vetëm për vitin 2022, përjashtimet dhe normat e ulëta tatimore kanë sjellë një mungesë të ardhurash prej mbi 101 miliardë lekësh, ose 4.76% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Pothuajse 83% e kësaj humbjeje i atribuohet shkallëve të reduktuara të TVSH-së dhe përjashtimeve.

“Tatimi mbi fitimin korporativ në normën 0% për bizneset e vogla përbën burimin e dytë më të madh të humbjeve, duke kontribuar me 0.77% të PBB-së. Këto përjashtime nuk do të jenë të përhershme, ato janë parashikuar të shfuqizohen plotësisht deri në vitin 2029”, deklaron Ministria e Financave.

Reforma tatimore është zhvilluar në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe synon të afrojë Shqipërinë me standardet fiskale të Bashkimit Evropian. Mbështetja për startup-et pritet të vazhdojë, ndërsa trajtimi preferencial për sektorët e tjerë do të hiqet hap pas hapi./klan/

The post Ndryshimet në ligjin “Për tatimet mbi të ardhurat”, regjim i unifikuar dhe progresiv taksimi për të gjitha bizneset appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drafti i Kodit të ri Penal, deri në 8 vite burg për tregtimin e ilaçeve pa leje dhe të skaduara

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Drafti i Kodit të ri Penal parashikon masa të rrepta për mbrojtjen e shëndetit publik, duke përfshirë dënime për shkaktimin e epidemive, përhapjen e sëmundjeve infektive dhe prodhimin e barnave të rrezikshme.

Në draftin e propozuar për Kodin e ri Penal, një kapitull të veçantë i është kushtuar edhe mbrojtjes së shëndetit publik.

Sipas draftit, jo më pak se njëzetë e pesë vjet dhe deri në burgim të përjetshëm parashikohet në nenin 441 të draftit, nëse dikush shkakton qëllimisht një epidemi përmes shpërndarjes së viruseve apo baktereve patogjenë.

“Dënim shumë i rëndë parashikohet edhe për rastet kur kjo ndodh nga pakujdesia, 10 deri në 20 vjet heqje lirie. Kodi aktual nuk ka asnjë nen që lidhet me shkaktimn e epidemisë”, thuhet në këtë draft.

Sipas draftit, “neni 444 sanksionon se zyrtarët publikë që nuk raportojnë sëmundjet infektive apo pandemike, sipas detyrimeve ligjore, do të përballen me gjoba apo edhe masa administrative plotësuese. Nga ana tjetër, mosrespektimi i rregullave të karantinës, urdhrave shëndetësorë apo masave gjatë gjendjes së jashtëzakonshme konsiderohen në kundërshtim me ligjin dhe mund të dënohet me burg deri në 3 vjet, në varësi të rrezikut të krijuar”.

Transmetimi i sëmundjeve seksualisht të transmetueshme duke qenë i vetëdijshëm për infektimin, do të përbëjë vepër penale që dënohet nga 2 deri në 6 vjet.

Në draftin e ri janë parashikuar masa të forta edhe për kontrollin e tregut farmaceutik. Prodhimi, importimi ose tregtimi i barnave pa leje, të skaduara, ose që paraqesin rrezik për shëndetin, do të dënohet me burgim deri në 8 vjet, në varësi të rrezikut.

Gjithashtu, mashtrimi në përmbajtjen, përbërjen apo dokumentacionin e barnave, si dhe çdo veprim që cenon sigurinë, efikasitetin apo cilësinë e produkteve mjekësore, do të ndëshkohet me dënime që variojnë nga 2 deri në 8 vjet burgim.

Sipas draftit të Kodit të ri Penal, edhe reklamimi “mashtrues” apo shpërndarja e produkteve të dëmshme për shëndetin, veçanërisht kur i drejtohen fëmijëve apo personave vulnerabël, dënohet me gjobë ose burgim deri në 4 vite.

Nëse këto vepra penale kryhen nga personel shëndetësor, mësues, zyrtarë publikë apo punonjës të institucioneve publike, ato konsiderohen rrethana të rënduara dhe dënimi mund të rritet deri në 50%.

Nëse përgjegjëse janë kompani apo institucione, ato mund të përballen me mbyllje të përhershme, gjobë të shumëfishtë apo konfiskim të pronës dhe të ardhurave të paligjshme.

/e.i//a.f/

The post Drafti i Kodit të ri Penal, deri në 8 vite burg për tregtimin e ilaçeve pa leje dhe të skaduara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bllokohen 20 mjete lundruese, shpëtohen 11 persona

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare gjatë monitorimeve për rritjen e sigurisë detare gjatë kësaj jave, ka bllokuar 20 mjete lundruese, 8 prej tyre për shkelje të perimetrit të sigurisë.

Policia e Shtetit njofton se janë shpëtuar në det 11 shtetas (shqiptarë dhe të huaj), falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare.

Policia Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, po vijon kontrollet dhe monitorimet intensive në gjithë hapësirën detare, nga Velipoja në Ksamil, si dhe në zonat liqenore e lumore, për të evidentuar shkeljet që lidhen me: përdorimin e mjeteve lundruese pa dokumentacion përkatës, shkeljen e perimetrit të sigurisë, zhvillimin e aktiviteteve jashtë zonave të lejuara.

Policia njofton se gjatë javës janë kontrolluar 316 mjete lundruese, nga të cilat 20 janë bllokuar për shkelje të ndryshme.

“Konkretisht 12 jet ski, 4 skafe, 2 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji të instaluar. 8 prej mjeteve lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative prej 100.000 lekësh secili”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, nga Ksamil në Velipojë, Policia Kufitare ka ndërhyrë në 8 raste emergjente, për t’u ardhur në ndihmë 11 shtetasve, që kishin mbetur në rrezik për shkak të dallgëve të forta apo defekteve në mjetet e tyre lundruese.

Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese: Mos shkelni perimetrin e sigurisë; Lundroni vetëm në zonat e lejuara;

Pajisuni me mjetet e nevojshme të shpëtimit.

Policia e Shtetit fton qytetarët dhe pushuesit të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të lundrimit apo të perimetrit të sigurisë në numrin pa pagesë 112, duke i garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete ndaj çdo shkelësi.

/e.i//a.f/

The post Bllokohen 20 mjete lundruese, shpëtohen 11 persona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga vijimi i aksionit për lirimin e hapësirave publike

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Aksioni për lirimin e hapësirave publike nga tavolinat dhe karriget që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në një subjekt privat, ndërsa shkruan “ecim”.

Lirimi i hapësirave publike shihet si një pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”. Aksiono është i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Gjatë gjithë muajit gusht por edhe më tej, lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të komuniteteve.

/e.i//a.f/

The post Rama ndan pamje nga vijimi i aksionit për lirimin e hapësirave publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drafti i Kodit të ri Penal, OSBE: Të gatshëm për të ofruar rekomandime

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Prezenca e OSBE në Tiranë në një reagim për një media shqiptare u shpreh se nuk është përfshirë në hartimin e draftit për Kodin e Ri Penal.

Sipas reagimit, prezenca e OSBE-së në Shqipëri thekson rëndësinë e Kodit Penal si një ligj themelor që meriton kohë të mjaftueshme dhe një proces konsultimi të plotë.

“Megjithëse nuk kemi qenë të përfshirë në hartimin e ndryshimeve të propozuara, po shqyrtojmë draftin e disponueshëm dhe jemi të gatshëm t’u ofrojmë rekomandime konkrete qeverisë dhe parlamentit të ri, në përputhje me mandatin tonë për të mbështetur institucionet demokratike dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri”, thuhet në reagim.

/e.i//a.f/

The post Drafti i Kodit të ri Penal, OSBE: Të gatshëm për të ofruar rekomandime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AMP arreston punonjësin e policisë, u konfliktua fizikisht me një shtetas në Dibër

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës – Dibër) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë V. A., me detyrë N/Specialist në Seksionin e Hetimit dhe Zbatimit të Masava Plotësuese e Kontrollit të Territorit në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Kryerja e veprimeve arbitrare”.

Sipas njoftimit, arrestimi i tij u bë i mundur pasi nga veprimet e para hetimore, janë krijuar dyshimet e arsyeshme të bazuara në prova e fakte, se punonjësi i policisë me datë 02.07.2025 rreth orës 01.30 në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë, Dibër, gjatë kryerjes së detyrës është konfliktuar fizikisht duke kryer dhe veprime arbitrare në dëm të shtetasit F. K., banues në Dibër.

Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Dibër.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.

/e.i//a.f/

The post AMP arreston punonjësin e policisë, u konfliktua fizikisht me një shtetas në Dibër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkodër, asgjësohen 16 mijë e 755 bimë kanabis

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Policia e Shkodrës bën me dije se vijon operacioni policor i koduar “Koordinata”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave dhe rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

Sipas Policisë, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, dhe si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve vartëse, në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë, të dislokuara prej disa ditësh në këtë qark, kanë gjetur dhe asgjësuar 16 755 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, si dhe janë sekuestruar 320 kg degë kanabisi me boçe, të prera dhe në proces tharjeje.

“Shërbimet e Komisariatit të  Policisë Shkodër, gjatë kontrollit në terrenin e njësive administrative Pult, Shalë, Postribë dhe Shosh gjetën dhe asgjësuan 15 852 bimë të dyshuara Cannabis Sativa, si dhe sekuestruan 320 kg degë me boçe në proces tharjeje”, thuhet në njoftim.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjatë kontrollit në terrenin e njësisë administrative Kastrat gjetën dhe asgjësuan 429 bimë të dyshuara Cannabis Sativa.

Shërbimet e Komisariatit të  Policisë Vau i Dejës gjatë kontrollit në  terrenin e njësive administrative Shllak dhe Temal gjetën dhe asgjësuan 474 bimë të dyshuara Cannabis Sativa.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të këtyre rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

Operacioni antikanabis “Koordinata” vijon me intensitet të lartë.

/e.i//a.f/

The post Shkodër, asgjësohen 16 mijë e 755 bimë kanabis appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌