Normal view
-
- Korrupsioni/ Gjikondi: Administrata është vetë e kriminalizuar! Petraj: E përzgjedhur politikisht, kjo është e gabuar
Korrupsioni/ Gjikondi: Administrata është vetë e kriminalizuar! Petraj: E përzgjedhur politikisht, kjo është e gabuar
“Administrata është vetë e kriminalizuar”, kështu u shpreh juristja Brizida Gjikondi në emisionin “Real Story në ABC News. Deklaratë e cila solli edhe diskutim në panel.
“Ata që shkojnë në administratë aspirojnë vetëm të pasurohen. Kjo është dramatike. Këtë 10-vjeçar të fundit është akoma më rëndë. Nuk e kam dëgjuar kryeministrin të flasë kundër të korruptuarve qoftë si fenomen. Nëse ne nuk i vëmë emrin ne nuk kemi për t’u shëruar në shoqëri”, tha Gjikondi.
Gjithashtu juristja Gjikondi shtoi se sipas saj administrata është vetë e kriminalizuar dhe sipas sa, ata që shkojnë në administratë aspirojnë të pasurohen.
Nga ana e tij avokati Edmond Petraj tha se ne në vend kemi përzgjedhje e gabuar të administratës
“Ne e nisim me shpërdorim detyrë, të hedhim hekurat dhe më pas të ngarkojmë dhe me katër akuza të tjera. Administrata nuk punon do lirshëm. Nëse e kriminalizon duke e frikësuar që t’i vërviten prangat në çdo moment tregon që nuk ka liri dhe ndaj BE është fokusuar tek kjo anë. Administrata jonë është e përzgjedhur politikisht. Dhe mund të them që kemi përzgjedhje të gabuar të administratës”, tha ai.
/abcnews.al/
Aksident në Lezhë, makina përplas të miturin, transportohet te “Trauma”
Një aksident është shënuar pasditen e sotme në rrugën e Myltes, në Lezhë. Një automjet tip Ford ka përplasur një fëmijë 12-vjeçar, i cili po lëvizte me biçikletë.
Si pasojë e përplasjes, i mituri ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Ende nuk ka detaje zyrtare mbi dinamikën e ngjarjes apo përgjegjësinë e drejtuesit të mjetit.
/abcnews.al/
Deklasifikimi i korrupsionit/ Avokati: “Shpërdorimi i detyrës” është i lidhur me korrupsionin
Avokati Romeo Kara u shpreh se “shpërdorimi i detyrës” është i lidhur me korrupsionin.
Gjatë intervistës në emisionin “Real Story” në ABC News, avokati theksoi se në sjellje mund të krahasohemi me Europën, por shtoi se në veprim nuk ndryshon nga Italia e viteve ’80.
“Frymëzimi garancia dhe krijimi i një edukate që mund të shpërdorosh detyrën qoftë edhe pa bërë detyrën kanë krijuar kosto edhe te qytetarët e thjeshtë. Ne në sjellje, jemi pothuajse si Europa në vitet ‘80. Raportin qytetar shqiptar ne e kemi shumë problematik. Edhe kjo situatë me prishjen e ndërtimeve pa leje bazën kanë pasur shpërdorimin e detyrës. Pra Europa ka kërkuar nuk është përcaktuar saktë cila sjellje dënohej. Ligji duhet ta përcaktojë më saktë. Ne jemi më afër me rastin rumun dhe polak. Ne kemi marrë legjislacioni gjerman dhe jemi bazuar shumë atje. Dhe kam bindjen se nuk kemi akoma jurist prokuror të aftë që të mbushin letrat si duhet. Ne si legjislacion shqiptar e kemi të zgjeruar klauzolën e vogël. Ne kemi hequr dhe abuzimin për vendime të padrejta të gjykatësve”, tha ai.
/abcnews.al/
-
- “Jemi të korruptuar që nga mënyra se si funksionojmë”/ Gjikondi: Vepra e korrupsionit, të ashpërsohej!
“Jemi të korruptuar që nga mënyra se si funksionojmë”/ Gjikondi: Vepra e korrupsionit, të ashpërsohej!
Korrupsioni vepër penale apo administrative? Kjo pyetje u shtrua në diskutim në emisionin “Real Story” në ABC News me një panel të ftuarish, juristja Brizida Gjikondi, avokati Edmond Petraj dhe avokati Romeo Kara si edhe analisti Skënder Minxhozi.
Juristja Brizida Gjikondi u shpreh se i qëndron idesë që për veprën e korrupsionit masa të ashpërsohej.
“Personalisht do të doja që vepra e korrupsionit, masa të ashpërsohej. Edhe ideja që ka hedhur Rama që të bëjmë ministër robotë për të evituar korrupsionin, më duket skandaloze. E thënë nga një kryeministër që nuk merret me vatrën e infeksionit të korrupsionit. Jemi të korruptuar në mënyrën se si funksionojmë dhe se si duhet të pasurohemi”, tha ajo.
Ndërsa avokati Edmond Petraj, gjatë intervistës, tha se kjo masë është kthyer në një çengel që administrata nuk punon dot.
“Unë jam pro ndryshimit. Janë disa elementë sa i përket shpërdorimit të detyrës. Shpërdorimi i detyrës në BE ka tjetër mënyrë se si argumentohet nga vetë BE. E kanë pjesë të kodit penal por më shumë fokusohen tek pjesa e korrupsionit. Unë e shikoj shpërdorimin e detyrës në disa elementë, mund ta shpërdorojë edhe nga paaftësia. BE është e idesë që kjo masë të fokusohet më shumë tek pjesa e korrupsionit. Kjo është një logjikë që patjetër duhet të kemi një përafrim. Kjo masë është kthyer në një çengel që administrata nuk punon dot”, u shpreh ai.
War Update me Sali Doçin, (29/07/2025)
Bandat vjedhin ndihmat në Gaza, shumë pak shpërndahen tek palestinezët
Palestinezët në Gaza përballen çdo ditë me mungesë ushqimi, edhe pse një pauzë taktike e Izraelit lejoi hyrjen e ndihmave në enklave për të paktën 10 orë në ditë.
Megjithatë një pjesë e madhe e ndihmës së kufizuar që hyn po grumbullohet nga bandat dhe tregtarët dhe shitet me çmime tepër të larta.
Një kilogram miell ka arritur deri në 60 dollarë ditët e fundit dhe një kilogram thjerrëza deri në 35 dollarë.
Kjo është përtej mundësive të shumicës së banorëve në territor, për të cilët ekspertët thonë se janë në rrezik nga uria dhe po mbahen vetëm me kursimet e paketa që u kanë mbetur.
Vendimi i Izraelit këtë fundjavë për të lejuar më shumë shpërndarje ndihmash ka ulur disi çmimet, por ende nuk është ndjerë plotësisht në terren.
Qeset me miell në tregje shpesh mbajnë logot e OKB, ndërsa paketimet e tjera kanë shenja që tregojnë se vijnë nga Fondacioni Humanitar i Gazës, të gjitha të shpërndara fillimisht falas. Është e pamundur të dihet se sa po devijohet, por asnjëri grup nuk është në gjendje të gjurmojë se kush e merr ndihmën e tij.
Në përleshjet rreth shpërndarjes së ndihmave në javët e fundit, banorët thonë se të fortët ishin në pozicionin më të mirë për të marrë ushqim.
Kur OKB merr lejen izraelite për të shpërndarë ndihmë, kamionët e saj pothuajse gjithmonë sulmohen nga bandat e armatosura ose mbingarkohen nga turma të uritura në zonën tampon të kontrolluar nga ushtria.
Shpërndarja e ushqimit vazhdon të jetë e mbizotëruar nga kaosi dhe dhuna. Edhe nëse Izraeli i ndërpret operacionet e tij ushtarake gjatë ditës, është e paqartë se sa do të përmirësohet situata e sigurisë.
/abcnews.al/
Balkan Update me Habi Hoxha, (29/07/2025)
Guterres: Palestinezët në Gaza po përjetojnë një katastrofë humanitare me përmasa epike
Sekretari i Përgjithshëm i OKB Antonio Guterres ka reaguar sërish për situatën problematike në Gaza.
Guterres ka paralajmëruar se në Gaza po përjetojnë një katastrofë humanitare me përmasa epike.
“Ushqimi, uji, ilaçet duhet të jenë pa pengesa”, është shprehur ai.
Referuar edhe alarmit të lëshuar nga organizata që regjistrojnë urinë globale, Guterres shtoi se “është konfirmuar ajo kishim frikë se mund të ndodhte; Gaza është në prag të urisë”.
Më tej nënvizoi se situata problematike po shpaloset përpara syve të të gjithëve.
/abcnews.al/
Zjarret, Portugalia në alarm/ Disa fshatra kërcënohen nga flakët, dy mijë zjarrfikës në terren
Zjarret janë përhapur në të gjithë territorin portugez, teksa vendi është përfshirë nga një tjetër valë të nxehti.
Këtë të martë më shumë se 2 mijë zjarrfikës ishin në luftë me flakët, në të paktën tre vatra që ngritën alarm, po ashtu në terren ishin edhe 672 automjete zjarrfikëse dhe 21 mjete ajrore. Spanja gjithashtu dërgoi disa avionë për të ndihmuar në kontrollin e flakëve në zonë.
Në pjesën veriore të vendit, afër kufirit me Spanjën, një zjarr që filloi të shtunën në mbrëmje ka qenë duke djegur për disa ditë, duke kërcënuar fshatrat dhe zonën e mbrojtur natyrore të Geres.
Të hënën vonë, dy zjarre të tjera filluan në rajonin qendror të vendit, duke u përhapur me shpejtësi për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta.
Zjarret janë të shpeshta në Portugali, veçanërisht në zonat rurale. Në vitin 2024, të paktën 5 persona humbën jetën si pasojë e zjarreve, teksa dhjetëra të tjerë u plagosën. Portugalia ka përjetuar një valë të nxehti ditët e fundit me temperatura afër 40 gradë Celsius.
/abcnews.al/
Virtual Wars me Jeta Kasemin, (29/07/2025)
BBC: A do të ndjekë Britania hapat e Francës për të njohur shtetin palestinez?
Shkatërrimi që Izraeli i ka shkaktuar Gazës do të duhen vite që palestinezët ta kapërcejnë kështu shkruan BBC, ndërsa shtron pyetjen nëse do të arrijë Mbretëria e Bashkuar që të ndjekë hapat e Francës dhe të njohë shtetin palestinez.
Izraelit do t’i duhen gjithashtu vite që të kapërcejë dëmin që i ka shkaktuar qëndrimit të tij moral.
Perceptimet dhe mënyra se si njerëzit e shohin Izraelin në lidhje me gjendjen e tij morale ka ndryshuar dhe ka një ndërgjegjësim gjithnjë e më të madh për këtë çështje edhe brenda Izraelit.
Dy organizata izraelite për të drejtat e njeriut dolën dhe thanë se Izraeli po kryente gjenocid. Dje dhe sot ka një mbledhje të kabinetit në Mbretërinë e Bashkuar ku do të diskutohet për njohjen e mundshme të një shteti palestinez nga ana e Britanisë.
Keir Starmer duket se po lëviz drejt kësaj ideje, pasi po përballet me një presion të madh brenda Partisë Laburiste.
Sigurisht, nuk ka shtet palestinez; është një aspiratë. Por është gjithashtu diçka që ka qenë politika e Mbretërisë së Bashkuar dhe shumë vendeve të tjera, përfshirë SHBA-në për shumë vite.
Realitetet në terren nënkuptojnë se zgjidhja me dy shtete është bërë praktikisht e pakuptimtë për shkak të zgjerimit të vendbanimeve hebraike, kundërshtimit të qeverisë izraelite dhe mënyrës se si territori ku do të ekzistonte fizikisht një shtet palestinez është gërryer dhe është marrë nga izraelitët, shkruan më tej Rama.
Edhe këtë mëngjes, në gazetat izraelite është folur për aneksimin nga Izraeli së bashku me presionin nga e djathta ekstreme të Bregut Perëndimor, i cili është gjithashtu territor që palestinezët e duan për shtetin e tyre.
Megjithatë, tani lind pyetja se si duhet të ndërmerret një hap konkret për ta bërë realitet zgjidhjen me dy shtete.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka vendosur që mënyra për ta bërë këtë është përmes njohjes. Francezët dhe britanikët e kanë diskutuar këtë për muaj të tërë në nivel diplomatik.
Pra, pyetja është nëse Britania ndoshta në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator do t’i bashkohet Francës për ta bërë këtë?
/abcnews.al/
-
- Parada ushtarake në Kroaci “zemëron” Serbinë/ Perlaskaj: Asnjë rrezik për qytetarët serbë është vetëm propagandë
Parada ushtarake në Kroaci “zemëron” Serbinë/ Perlaskaj: Asnjë rrezik për qytetarët serbë është vetëm propagandë
Në Kroaci mbahen këtë të martë provat gjenerale për paradën e madhe ushtarake që shënon 30 vjetorin e operacionit “Stuhia”. Ky operacion shënoi betejën e fundit të madhe të luftës për pavarësi dhe një fitore kundër Serbisë.
Serbia nuk ka ngelur pa reagim. Përmes Ministrisë së Jashtme këshillon qytetarët e Republikës së Serbisë që të shmangin tubimet që sipas tyre mund të çojnë në incidente nëse ndodhen në Kroaci gjatë periudhës së lartpërmendur, ndërsa për ata qytetar që nuk ndodhen aty, kjo ministri këshillon që mos të udhëtojnë drejt Kroacisë për një periudhë 10 ditore.
Në një intervistë në emisionin “Balkan Update” në ABC News, Ermira Perlaskaj-Këshilltare në Ministrinë e Jashtme kroate foli për rëndësinë e kësaj parade, duke u shprehur se është një mesazh që tregon se me sa sakrificë është mbrojtur shteti kroat.
Sa i përket reagimeve nga ana e Serbisë, Perlaskaj i cilësoi thjesht si një propagandë, pasi Kroacia ka treguar se “është qendër e stabilitetit në Ballkan”.
“Një mesazh për të treguar se sa me sakrificë është mbrojtur shteti kroat dhe se sa duhet të vazhdojë të mbrohet. Sa për rrezikun që përflitet mund të them se është vetëm një antipropagandë. Pasi Kroacia asnjëherë nuk ka bërë ndonjë promovim që ka bëjë me rrezikun dhe cënimin e kufijve serb dhe mendoj që është thjesht një lojë e Serbisë. Në këtë paradë janë të ftuar të gjithë ata që janë miq të Kroacisë. Do të jetë edhe një homazh për ata që e kanë dhënë jetën për vendin”, tha ajo.
Gjithashtu theksoi se Kroacia është duke financuar në teknologjinë e re dhe në Ushtrinë Kroate.
“Sa për teknologjinë edhe armatimin po ndan një buxhet shumë të fuqishëm, pasi është pjesë e NATO-s dhe punon edhe për sigurimin e kufijve të shteteve të tjera, do të jetë një qendër e stabilitetit këtu në Ballkan. Ndërsa interesi i Kroacisë është që të avancohet marrëveshjet me aleatët e saj si Shqipëria dhe Kosova. Por nëse dëgjojnë deklaratat e serbë mendoj që është thjesht propagandë, pasi kemi parë viktimizim të Beogradit. Ne do të kemi avancim të ushtrisë jo vetëm asaj kroatë por edhe asaj shqiptare dhe kosovare”, u shpreh ndër të tjera ajo.
/abcnews.al/
Kroacia, paradë për fitoren/ Nisin përgatitjet, Zagrebi në krah të aleatëve strategjike
Në Kroaci mbahen këtë të martë provat gjenerale për paradën e madhe ushtarake që shënon 30 vjetorin e operacionit “Stuhia”. Ky operacion shënoj betejën e fundit te madhe të luftës për pavarësi dhe një fitore të madhe kundër Serbisë.
Më shumë se 3,400 pjesëmarrës, 500 automjete dhe 40 avionë të Forcave Ajrore kroate do të shënojnë 30-vjetorin e operacionit “Stuhia” dhe Ditën e Fitores, me paradën që do të zhvillohet në Zagreb.
Mbi 2,000 anëtarë të njësive të këmbësorisë të ushtrisë kroate dhe shërbimeve të tjera mblidhen çdo ditë në bazën ushtarake Pleso, ku gjatë dy javëve të fundit kanë bërë prova për paradë historike.
Ushtria Kroate ka shtuar përgatitjet dhe ka intensifikuar ushtrimet për të gjitha njësitë gjatë dy javëve të fundit. Çdo ditë, anëtarët e njësive të këmbësorisë, si dhe anëtarët e shërbimeve të tjera, mblidhen në bazën ushtarake në Ples, në Velika Gorica dhe ecin në një itinerar prej 2.4 kilometrash pesë herë në ditë, sepse aq do të jetë gjatësia e itinerarit të paradës në rrugët e kryeqytetit kroat.
Gjithashtu do të prezantohen armë të reja dhe pajisje moderne ushtarake, të tilla si dronë Bayraktar, tanket Leopard dhe dronët e vegjël luftarakë.
Sipas mediave vendase, Kroacia ka ftuar një sërë vendesh aleate për të marrë pjesë në këtë ngjarje madhore. Në mesin e të ftuarve përmenden Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Franca, Gjermania, Kosova, Shqipëria, Ukraina dhe Polonia.
Këto vende konsiderohen partnerë strategjikë të Kroacisë, si në kuadër të bashkëpunimit ushtarak në NATO, ashtu edhe në kuadër të marrëdhënieve të qëndrueshme diplomatike.
Serbia nuk ka ngelur pa reagim. Përmes Ministrisë se Jashtme këshillon qytetarët e Republikës së Serbisë që të shmangin tubimet që sipas tyre mund të cojnë në incidente nëse ndodhen në Kroaci gjatë periudhës së lartpërmendur, ndërsa për ata qytetar që nuk ndodhen aty, kjo ministri këshillon që mos të udhetojnë drejt Kroacisë për njëe periudhë 10 ditore.
/abcnews.al/
Gjendet trupi në Ujman/ Tre ditë kërkime, bashkëpunim mes FSK dhe KFOR
Në ditën e tretë të kërkimeve gjendet trupi i pajetë i emigrantit në Liqenin e Ujmanit. Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në bashkërendim me KFOR-in zhvilluan operacionin e kërkimit në Liqenin e Ujmanit, në veri të Kosovës, pasi dy dite me pare nga një prej urave të këtij liqeni dyshohet se një person kërceu dhe nuk doli më nga uji.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se FSK-ja u angazhua në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit.
“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK-së kanë filluar operacionin e kërkimit në Liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejt të nxirret trupi i mërgimtarit dhe t’i lehtësohet dhimbja familjes”, shkroi Maqedonci në Facebook.
Një 33-vjeçar dyshohet se kërceu nga ura në Ujman pasditen e së dielës. Ujmani gjendet në Zubin Potok, një nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Pas këtij rasti Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes gjate kalimit ne ure.
Liqeni i Ujmanit është përdorur nga qytetarët e zonës dhe shumë prej emigrantëve si një lokacion për t’u freskuar në ditët e nxehta të korrikut.
Ngërçi politik/ Kosova në “gjendje të jashtëzakonshme të pashpallur”
Shteti i Kosovës është në gjendje të jashtëzakonshme të pashpallur, kështu e përshkruan situatën institucionale në Kosovë, politologu Dritëro Arifi, profesor në Kolegjin UBT në Prishtinë.
Sipas tij, kjo gjendje është pasojë e dështimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të përmbyllur konstituimin e këtij institucioni deri më 26 korrik.
Kjo datë shënonte skadimin e afatit prej 30 ditësh të caktuar nga Gjykata Kushtetuese për deputetët e Kuvendit, të cilëve, sipas një vendimi të po kësaj gjykate të publikuar më 24 korrik, u ndalohet të ndërmarrin çdo vendim apo veprim për konstituimin e Kuvendit nga data 27 korrik e deri më 8 gusht.
Politologu Arifi rikujton se Kosova është shtet parlamentar dhe, përderisa Kuvendi i Kosovës është institucion që ratifikon çdo ligj vendor dhe marrëveshje ndërkombëtare si dhe mbikëqyr institucionet tjera të shtetit, mosfunksionimi i tij e çon vendin në një situatë problematike.
“Shumica e të gjitha institucioneve relevante, me të cilat funksionon një shtet – sidomos një Republikë parlamentare – varen kryesisht nga Kuvendi. Pra, pa votat e Kuvendit nuk funksionon asgjë… Shteti i Kosovës është në gjendje të jashtëzakonshme, veçse se nuk është e shpallur. Është faktike”, thekson Arifi në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, gjendjen e jashtëzakonshme mund ta shpallë presidenti i vendit, në rast se: ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes; ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike; ka fatkeqësi natyrore, e cila prek tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Zyrës së presidentes së Kosovës, nëse presidentja Vjosa Osmani konsideron se vendi po hyn në një fazë të mosfunksionimit institucional dhe rreziqet e situatës aktuale. Deri në publikimin e artikullit, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Nga Instituti Demokratik i Kosovës sqarojnë se Kuvendi i Kosovës është gjeneratori kryesor që vë në lëvizje aktivitetin shtetëror, duke mbikëqyrur llogaridhënien e ekzekutivit, agjencive të pavarura dhe mekanizmave të tjerë, si dhe duke miratuar ligje dhe duke ratifikuar marrëveshjet e ndryshme ndërkombëtare.
Vullnet Bugaqku nga ky institut, thekson se përderisa Kuvendi mbetet i pakonstituuar, shteti i Kosovës është praktikisht në një bllokadë institucionale dhe aktualisht pa shtegdalje.
“Si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit, shumë çështje mbesin pezull. Pa pasur një konstituim të Kuvendit, normalisht që edhe shteti nuk mund të veprojë dhe funksionojë në mënyrë normale dhe në mënyrë të plotë, në kuptimin e ushtrimit të përgjegjësive dhe funksioneve të secilit funksionar, por edhe të secilit institucion”, thekson Bugaqku.
Bllokada institucionale aktuale, sipas vëzhguesve të situatës politike në vend, tashmë po e përballë vendin me një varg pasojash.
Përplasjet politike, vlerësojnë ata, tashmë po dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë, duke e paraqitur si një vend që nuk ka stabilitet politik.
Gjithashtu, pa Kuvend të konstituuar, që do të ratifikonte marrëveshjet ndërkombëtare, Kosova ende nuk ka arritur të marrë para-financimin nga fondi prej rreth 880 milionë eurosh nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, si dhe 90 milionë euro nga Banka Botërore.
Aktualisht shteti i Kosovës “është në pauzë” dhe nuk ka ndonjë sinjal se situata mund të dalë nga bllokada, thotë Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, në mungesë të një Kuvendi të konstituuar, Qeveria në detyrë e Kosovës, e cila ka kompetenca të kufizuara, aktualisht nuk ka kujt t’i përgjigjet apo t’i raportojë.
“Kur nuk ka Kuvend, nuk mund të formohet një qeveri e re dhe legjitime. Rrjedhimisht, shtohen mundësitë që kjo që është tani [Qeveria në detyrë] të prodhojë vendime të kundërligjshme dhe jokushtetuese, si dhe të krijojë një lloj situate kaotike për sa i përket zbatimit të kushtetutshmërisë, por edhe ligjshmërisë në vend”, thekson Bugaqku.
“Përveç presidentes që ka një legjitimitet, madje shumë të cunguar, sepse presidentja zgjidhet prej Kuvendit…Pra, absurditet në vete. I vetmi institucion ku jepet llogaridhënia është Parlamenti, ndërkaq ne nuk kemi Parlament”, thotë Arifi.
Vëzhguesit e zhvillimeve politike në Kosovë, tashmë janë në pritje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, që pritet të sqarojë rrugën drejt konstituimit të Kuvendit pas 8 gushtit.
Lidhur me moskonstituimin e Kuvendit ka reaguar Ambasada e SHBA-së në Kosovë. Ajo u ka thënë mediave vendore se ngërçi politik po vonon progresin e aspiratave të Kosovës dhe po rrezikon integritetin e institucioneve të Kosovës, si dhe u ka bërë thirrje liderëve politikë që të punojnë për të arritur një marrëveshje për konstituimin e organit ligjvënës./REL/
Ngjarja në Vlorë/ “Dhuna s’ka vend për vetëgjyqësi”, Karamuço: Nuk mund të tolerohet
Ish-policit Ardian Isufi dhunoi një kamerier 18-vjeçar në Vlorë për shkak se i ngatërroi porosinë.
Pas kësaj, Pronari i barit kur ka parë skenën ka ndërhyrë duke e rrahur. Eksperti i Kriminalistikës, në një intervistë në “Edicioni i Fundit” në ABC News, u shpreh se në asnjë rast dhuna nuk duhet të ketë vend për vetëgjyqësi, sepse kjo më pas sjell pasoja shumë më të mëdha.
“Dhuna nuk ka vend për vetëgjyqësi. Nëse Policia e Shtetit do të ishte njoftuar menjëherë duhej të merreshin masa dhe të neutralizohej mundësia për të ndodhur ajo që ndodhi. Mungesa e forcave të Policisë së Shtetit aty, nuk e di nëse ka pasur njoftim apo jo, duhet ta bënte lokali vet njoftim dhe kjo ka çuar në një ngjarje të dytë që është shumë më e rëndë se e para. Duhet thënë që është edhe e patolerueshme sjellja ndaj kamerierit, një 18-vjeçar, ai është për një punë. Por ngjarja e dytë është akoma shumë më e rëndë sepse sjell pasoja të mëdha. Nuk mundet dot të masakrohet efektivi i policisë së shtetit, është e patolerueshme”, tha më tej ai.
/abcnews.al/
-
- Vrasjet në Fier dhe Pogradec/ Karamuço: Detajet flasin për marrëdhënie të komplikuara, që nuk e justifikojnë vrasjen
Vrasjet në Fier dhe Pogradec/ Karamuço: Detajet flasin për marrëdhënie të komplikuara, që nuk e justifikojnë vrasjen
Krimi në Pogradec tronditi jo pak vendin. 31-vjeçari Ilirjan Selmani vrau partneren e tij 52-vjeçaren Kozeta Teço dhe më pas i vuri zjarrin banesën.
Fillimisht u mendua se 52-vjeçarja kishte humbur jetën nga asfiksia, por pas hetimeve të hollësishme u zbuluan edhe detaje të reja, që hollën dritë dhe i dhanë një tjetër kthesë ngjarjes, me autor të dyshuar 31-vjeçarin.
Eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço në “Edicioni i Fundit”, në ABC News bëri një përmbledhje të gjithë ngjarjes së rëndë, duke analizuar hap pas hapi dinamikën e këtij krimi.
Ai u shpreh se kamerat e sigurisë ndihmuan më tej hetimin dhe se puna e shpejtë e policisë zbardhi ngjarjen.
“Autori ka bërë një plan të mirëmenduar, ka përhapur një alibi që nuk shkonte në banesën e viktimës, por ka rezultuar se shkonte. Fillimisht për këtë ngjarje policia ka pasur dyshime sepse ka pasur disa vatra zjarri dhe nga kamerat e sigurisë është parë që i vetmi person që ka lëvizur ishte ky. Nuk mendoj se ka pasur një bashkëpunëtor. Por shoh që persona që shfaqin çrregullime të forta emocionale vijnë edhe si pasojë e përdorimit të narkotikëve dhe shfaqin agresivitet të shtuar dhe duhet të marrim masa për këtë lloj kontingjenti”, u shpreh ai.
Më tej e cilësoi këtë vrasje si “Një krim pasioni në terrenin e çrregullimeve psikologjike, por jo të papërgjegjshmërisë dhe këto janë efekti që vijnë nga droga, tha më tej Karamuço.
Në bazë të hetimeve të deritanishme mundësi që të ketë persona të tjerë të përfshirë nuk janë të larta sipas ekspertit të Kriminalistikës.
Një tjetër ngjarje e rëndë që përfshiu vendin disa ditë më herë, ishte edhe vrasja në Fier e 55-vjeçarit, ngjarje për të cilën janë arrestuar tre persona, vajza 26-vjeçare, gruaja e viktimës, por edhe një 55-vjeçar. Ky i fundit i dyshuar për lidhje me 26-vjeçaren dhe bashkëpunëtor në këtë krim të rëndë.
Megjithatë në dëshmitë e fundit të dhënë nënë e bijë kanë mohuar krimin në gjykatë.
“Nga ngjarja ka pasur një bashkëpunëtor për shkak të dinamikës së krimit. Dhe më pas janë parë edhe tabulatet për të zbuluar gjithçka, dhe përpjekjet për të ndryshuar dëshmitë janë të kota, pasi mund të them që është ngjarje e zbardhur”, tha ai, duke shtuar “këto krime flasin për marrëdhënie të kompleksuara në familje, por që nuk justifikojnë vrasjen”.
/abcnews.al/
Zelensky: Ukraina e përkushtuar për paqe. Do të bashkëpunojmë me SHBA-në
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u shpreh se Ukraina mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe do të punojë pa u lodhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i bërë të dy vendet më të sigurta.
“Ukraina mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe do të punojë pa u lodhur me SHBA-në për t’i bërë të dy vendet tona më të sigurta, më të forta dhe më të begata”, tha Zelensky në një reagim në platformën X, ndërsa komentoi njoftimin e udhëheqësit amerikan për shkurtimin e afatit 50-ditor që ai kishte vendosur më parë për arritjen e një armëpushimi midis Moskës dhe Kievit.
Ai e falënderoi presidentin amerikan për vendosmërinë dhe qëndrimin e qartë që sipas tij ishte në kohën e duhur.
SHBA/ Të shtëna me armë jashtë ambienteve të një kazinoje në Nevada, dy të vrarë
Dy persona janë vrarë dhe tre të tjerë mbetën të plagosur pas të shtënave me armë në një kazino në Reno Nevada në SHBA.
Autori i dyshuar i ngjarjes, raportohet se gjithashtu ishte plagosur.
Policia rrethoi zonën, ndërsa të plagosurit u transportuan në spital.