TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Komiteti Shqiptar i Helsinkit publikoi sot raportin përfundimtar të vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare të datës 11 maj 2025, një dokument gjithëpërfshirës që pasqyron gjetjet më të rëndësishme, vlerësimet dhe rekomandimet përkatëse.
Raporti bazohet në një monitorim të detajuar të të gjithë ciklit zgjedhor, përfshirë periudhën parazgjedhore, ku u vëzhgua funksionimi i administratës zgjedhore, respektimi i afateve ligjore, ndalimi i përdorimit të burimeve publike dhe barazia në garë ndërmjet subjekteve politike.
KSHH nënvizon se ditën e votimit u evidentuan praktika pozitive, por edhe problematika si mungesa e energjisë elektrike në disa qendra, defekte teknike dhe raste të përpjekjeve për ndikim mbi votuesit.
Ndërkohë në procesin e numërimit KSHH vëren se u konstatua transparencë në shumicën e rasteve, por edhe prezenca e personave të paautorizuar dhe nevoja për depolitizim të administratës zgjedhore.
Në këtë raport, KSHH ripërsërit rekomandimin se reforma e mëtejshme zgjedhore kërkon konsensus dhe dialog të gjerë politik, transparencë dhe gjithëpërfshirje.
“Është e nevojshme të merren në shqyrtim rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të pasqyruara në raportet e viteve të fundit. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk duhet të jenë monopol i partive politike dhe as të realizohen në periudha të afërta zgjedhore, por të marrin në konsideratë standardet dhe praktikat e mira ndërkombëtare”, thuhet në raport.
KSHH rekomandon po ashtu krijimin e një komisioni të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore menjëherë pasi të konstituohet parlamenti i ri, për të filluar menjëherë nga puna, bazuar në parimet dhe standardet e nevojshme.
KSHH vlerëson se zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë vërtetuan edhe një herë se anëtarët e komisioneve zgjedhore lokale, në mjaft raste, profesionalisht nuk ishin në nivelin e duhur.
“Në punën e tyre u vërejt edhe njëanshmëria partiake. Për rrjedhojë qëndron nevoja imediate për të marrë në shqyrtim rekomandimin prioritar e të hershëm të OSBE/ODIHR-it, për depolitizimin total të tyre”, vlerësohet në raport.
KSHH rekomandon që objekt diskutimi në kuadër të reformës së ardhshme zgjedhore të jenë edhe ankesat e partive të vogla për sistemin zgjedhor në fuqi, që sipas tyre cenon barazinë e votës midis zonave dhe për rrjedhojë shpërndarjen e mandateve.
Për sa i përket votimit me postë, KSHH shprehet se duhet pasur parasysh Kodi i Praktikës së Mirë të Komisionit të Venecias, të vitit 2002 ku thuhet: “Votimi me postë duhet të lejohet vetëm në qoftë se shërbimi postar është i sigurt dhe i besueshëm. E drejta për të përdorur votimin me postë mund të kufizohet vetëm për njerëzit në spital ose në burg, ose njerëzit me aftësi të kufizuar për të lëvizur, ose zgjedhësve që jetojnë jashtë vendit, por duhet të merren masa për të parandaluar mashtrimin dhe shantazhin”.
Po ashtu, KSHH rekomandon zgjerimin e votimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme, pas konsultimit me partitë politike dhe me ekspertizën e ekspertëve të kualifikuar të fushës.
Lidhur me ndalimin e përdorimit të burimeve publike për qëllime elektorale, KSHH vlerëson se duhet të rishikohet në parashikimet e Kodit Zgjedhor duke e shtrirë këtë ndalim që prej datës së dekretimit të zgjedhjeve nga Presidenti.
KSHH i rekomandon po ashtu KQZ-së që të realizojë hetime administrative të shpejta, efikase dhe objektive të rasteve apo sinjalizimeve të lidhura me shpërdorimin e aseteve publike, duke treguar rigorozitet në zbatimin e ligjit dhe sanksionimin e shkelësve.
Po ashtu, KSHH vlerëson se trajnimi dhe certifikimi i detajuar dhe cilësor i komisionerëve duhet të jetë prioritet, duke u fokusuar jo vetëm në njohjen e procedurave, por edhe në menaxhimin e situatave të paparashikuara dhe respektimin e plotë të ligjit.
Forcimi i masave për kontrollin e aksesit në vendvotime dhe vendnumërime është thelbësor për të parandaluar praninë e personave të paautorizuar dhe për të shmangur çdo formë ndikimi të paligjshëm. Kësaj praktike të dëmshme duhet t’i jepet një zgjidhje përfundimtare në zgjedhjet e ardhshme”, thuhet më tej në raport.
/m.m/r.e/
The post KSHH publikon raportin përfundimtar për zgjedhjet e 11 majit: Nevojitet depolitizimi i administratës zgjedhore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.