Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 2 August 2025Main stream

Në hapësirë për 15 orë/ Misioni i NASA dhe SpaceX dërgon 4 astronautë në stacionin hapësinor

By: Rovena
2 August 2025 at 15:40

Një mision i përbashkët ndërkombëtar Hapësinor nga NASA dhe Kompania Space X e Elon Musk dërgoi këtë të shtunë të 2 gushtit 4 astonautë në Stacionin ndërkombëtar të Hapësirës për vetëm 15 orë pas nisjes nga Florida, duke shënuar kështu një nga fluturimet më të shpejta amerikane në Historinë e udhëtimeve hapësinore.

Raketa Falcon 9 u nis nga Qendra Hapësinore Kennedy më 1 gusht, duke transportuar katër astronautë në kapsulën “Crew Dragon Endeavour”, pjesë e misionit të quajtur Crew-11.

Ekuipazhi i këtij misioni përbëhej nga dy astronautë të NASA-s, Zena Cardman dhe Mike Fincke, astronauti japonez Kimiya Yui nga agjencia JAXA dhe kozmonauti rus Oleg Platonov nga Roscosmos. Ata u ankoruan në stacionin hapësinor në orët e para të mëngjesit të së shtunës , duke u bashkuar me shtatë anëtarët e tjerë të ekuipazhit që ndodhen aktualisht në bord, dhe duke rritur përkohësisht numrin e astronautëve në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës  në 11 astronautë.

Fluturimi i suksesshëm prej vetëm 15 orësh shënon një moment të rëndësishëm për bashkëpunimin ndërkombëtar në hapësirë, veçanërisht në një periudhë të tensionuar globale. Megjithatë, ky nuk është rekordi më i shpejtë ndonjëherë Rusia e mban ende rekordin botëror për një fluturim prej vetëm 3 orësh drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës me kapsulën Soyuz.

Kjo ishte hera e pestë që kapsula Crew Dragon Endeavour u përdor në një mision të tillë. Astronautët do të qëndrojnë rreth gjashtë muaj në stacion, ku do të zëvendësojnë një pjesë të ekuipazhit të mëparshëm dhe do të punojnë në eksperimente shkencore dhe mirëmbajtje të stacionit.

Misioni Crew-11 jo vetëm që tregon efikasitetin dhe përparimin teknologjik të SpaceX, por gjithashtu thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në eksplorimin hapësinor. Ndërsa astronautët e rinj nisin punën në bord të ISS, komuniteti shkencor ndërkombëtar pret me interes zbulimet dhe rezultatet që ky ekip do të sjellë në muajt në vijim./abcnews.al

 

Të paktën 18 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

By: Rovena
2 August 2025 at 15:05

Spitalet në Gaza raportuan vdekjen e të paktën 18 palestinezëve nga zjarri izraelit të shtunën dhe sipas zyrtarëve tetë prej tyre që ishin në kërkim të ushqimit.

Palestinezët po përballen me rreziqe të mëdha në përpjekjet e tyre për të siguruar ushqim, në një situatë ku ndihmat po shpërndahen nga ajri dhe hyrja tokësore është shumë e kufizuar, raporton AP.

Pranë një pike shpërndarjeje të Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), Yahia Youssef, i cili kishte ardhur të kërkonte ndihmë në mëngjesin e së shtunës, përshkroi një skenë të mbushur me panik, që sipas tij, tashmë është bërë diçka e zakonshme.

Pasi ndihmoi në transportimin e tre të plagosurve nga plumbat, ai tha se përreth në tokë pati edhe shumë të tjerë të plagosur.

Në përgjigje të pyetjeve rreth disa dëshmive të dhunës pranë pikës më veriore të katër pikave të shpërndarjes të menaxhuara nga një kontraktor amerikan i mbështetur nga Izraeli, zyra e medias e GHF-së tha se “asgjë nuk ndodhi në apo pranë pikave tona të shpërndarjes së ndihmës”.

Ngjarja ndodhi një ditë pasi zyrtarë amerikanë vizituan një nga këto pika, dhe ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, e quajti shpërndarjen nga GHF “një arritje të jashtëzakonshme”.

Rreziku me të cilin përballen ata që kërkojnë ndihma në Gaza e ka përkeqësuar edhe më shumë situatën, të cilën ekspertët ndërkombëtarë për urinë e përshkruan këtë javë si “skenarin më të keq të mundshëm të urisë masive” në enklavën e rrethuar. Fushata ushtarake gati 22-mujore e Izraelit kundër Hamasit ka shkatërruar sigurinë në territorin me rreth 2 milionë palestinezë dhe e ka bërë pothuajse të pamundur shpërndarjen e sigurt të ushqimit për njerëzit që po vdesin nga uria.

A është në rrezik e ardhmja e internetit? Si po ndikon Inteligjenca Artificiale

By: Rovena
2 August 2025 at 14:51

Një ndryshim i madh në mënyrën se si përdoruesit kërkojnë informacion në internet po sjell pasoja të dukshme për trafikun e faqeve online. Gjatë vitit të fundit, Google ka nisur të vendosë në krye të rezultateve të kërkimit përgjigje të krijuara nga Inteligjenca Artificiale, të njohura si “Përmbledhje AI”. Këto përmbledhje ofrojnë informacion të shpejtë dhe të drejtpërdrejtë, shpesh duke i hequr përdoruesit nevojën për të klikuar në faqe të tjera.

Një studim i fundit nga Pew Research Center tregon se këto përmbledhje po ndikojnë dukshëm në sjelljen e përdoruesve. Përdoruesit janë gati dyfish më pak të gatshëm të ndjekin lidhje drejt faqeve të jashtme pas shfaqjes së këtyre përgjigjeve të automatizuara, ndërsa 26% prej tyre mbyllin kërkimin pa ndjekur asnjë burim tjetër.

Kjo prirje po shkakton një rënie të konsiderueshme të trafikut për shumë faqe që mbështeten në klikimet e përdoruesve për të funksionuar ekonomikisht. Disa prej tyre raportojnë rënie deri në 40%, çka po ndikon negativisht në motivimin për të prodhuar përmbajtje të re dhe cilësore.

Nga ana tjetër, Google mohon që Përmbledhjet AI po dëmtojnë trafikun, duke argumentuar se ato sjellin vizita më të targetuara dhe krijojnë hapësira të reja për publikimin e përmbajtjes.

Megjithatë, ekspertët mbeten skeptikë. Sipas tyre, këto përmbledhje shpesh përmbajnë pasaktësi dhe i privojnë përdoruesit nga mundësia për të hulumtuar vetë, për të krahasuar burime dhe për të formuar mendimin e tyre të informuar.

Ky zhvillim ngre pikëpyetje të thella mbi të ardhmen e internetit si një hapësirë e hapur dhe e aksesueshme për informacion. Nëse trafiku dhe angazhimi vazhdojnë të bien, interneti siç e njohim mund të detyrohet të pësojë ndryshime rrënjësore.

Vendet e ftohta nordike kaplohen nga një valë e pazakontë e të nxehtit

By: Rovena
2 August 2025 at 14:21

Vendet nordike, që zakonisht janë të ftohta, po përjetojnë një valë të nxehti shumë të pazakontë këtë verë. Temperaturat e larta, të nxitura nga ndotja e karbonit në atmosferë, kanë sjellë të nxehtë të madh në pjesën veriore të Evropës.

Në rrethin Arktik të Norvegjisë, një stacion moti ka regjistruar temperatura mbi 30°C për 13 ditë me radhë gjatë muajit korrik. Në Finlandë, vala e të nxehtit ka zgjatur tre javë me temperatura mbi 30°C – kjo është periudha më e gjatë që nga viti 1961 dhe 50% më e gjatë se rekordi i mëparshëm, raporton The Guardian.

“Vala e të nxehtit është vërtet e jashtëzakonshme, me temperatura që arrijnë 32-33°C”, tha Mika Rantanen, shkencëtar i klimës në Institutin Meteorologjik Finlandez. Edhe zonat arktike kanë parë mbi 25°C për tri javë, dhe mund të thyejnë rekordet e gushtit.

Instituti Meteorologjik i Norvegjisë bëri të ditur se temperaturat mbi 30°C janë regjistruar në 12 ditë të ndryshme në tre qarqet më veriore të Norvegjisë. Ani pse pati pak freskim javën e kaluar, pritet që temperaturat e larta të kthehen sërish në fundjavë

Në Suedi, vala e të nxehtit është ndjerë gjithashtu. Në qytetin Haparanda, temperaturat mbi 25°C kanë zgjatur për 14 ditë rresht, ndërsa në Jokkmokk, për 15 ditë.  Temperatura të tilla nuk ka pasur për më shumë se 100 vjet.

Këto vende, si Norvegjia, Suedia dhe Finlanda, zakonisht janë të përgatitura për të ftohtin, jo për të nxehtin. Studiuesit thonë se ato do të përjetojnë rritjen më të madhe të ditëve të nxehta me kalimin e kohës dhe se infrastruktura e tyre nuk është ndërtuar për t’u përballur me temperatura kaq të larta.

Milatoviç: Gjeloshaj më kërcënoi/ Presidenti malazez kërkon shkarkimin e zv/kryeministrit shqiptar

By: Rovena
2 August 2025 at 13:52

Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviç i ka kërkuar qeverisë së vendit shkarkimin e politikanit shqiptar Nik Gjeloshaj nga posti i zëvendëskryeministrit, pasi sipas zyrës së Presidencës Malazeze Nik Gjeloshaj ka telefonuar presidentin mbrëmjen e 1 gushtit dhe e ka share dhe kërcënuar. Presidenca malazeze ka deklaruar se çështja është referuar tashmë në prokurori.

Sipas asaj që shkruajnë mediat në Podgoricë, zëvendëskryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut Nik Gjeloshaj ka telefonuar presidentin Milatoviç dhe ka kërcënuar atë pasi Presidenti ktheu në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për tatim  mbi pasuritë e paluajtshme.

Presidenca Malazeze thotë se shkak për kërcënimet janë bërë disa kontestime me të cilat Komuna e Tuzit po përballe në gjykatë me Kompaninë “Platacionet e 13 Korrikut”, pasi kërkon ti llogarisë në mënyrë të paligjshme taksë të pasurisë së paluajtshme mbi atë që është tokë bujqësore.

Komuna e Tuzit e ka marrë taksën nga kjo kompani përmes ngrirjes së llogarive të saj dhe për këtë arsye Kompania Plantacionet i është drejtuar Gjykatës për të kërkuar drejtësi dhe kthim të fondeve.

Sipas Kabinetit të Presidencës Milatovic, rolin kryesor në këtë proces gjyqësor e ka pasur zëvendës kryeministri aktual Nik Gjeloshaj, i cili në atë kohë ka qenë Kryetar i Komunës së Tuzit. Ndaj politikanit Shqiptar, Kompania Plantacionet ka depozituar kallëzim penal pranë Zyrës së Kryeprokurorit Special të Shtetit.

Mospajtimet në mes të Komunës së Tuzit dhe kompanisë Plantacionet kanë vazhduar me vite. Me krijimin e Komunës së Tuzit, një pjesë e mirë e tokave të kompanisë kanë rënë përgjegjësinë e qeverisjes lokale.

Gjeloshaj është përgjigjur përmes një deklarate, duke thënë se Millatoviç është duke tentuar t’i përdorë akuzat për të tërhequr vëmendjen nga tema kryesore, e ajo është që presidenti ka refuzuar të nënshkruajë Ligjin për tatimin mbi pasurinë e paluajtshme.

Ai ka pretenduar se Millatoviç ka refuzuar të nënshkruajë ligjin për shkak të “lidhjeve të tij si kumbari me Nebojsha Vuksanoviçin, ish-presidentin e Bordit të Drejtorëve të kompanisë Plantacionet, me qëllim përfitimin personal për vete dhe për të”. Nebojsha Vuksanoviç është ish-anëtar i Partisë Popullore Socialiste.

Presidenca e Malit të Zi ka thënë se ai nuk është kumbara e Millatoviçit dhe që është angazhuar si ndihmës në zyrën e presidentit.

Millatoviç thuhet se  ka kthyer ligjin për rishqyrtim në Kuvend në Kuvend për shkak të asaj që ai pretendon se janë shkelje kushtetuese në dokument dhe mbi të gjitha për atë që konsiderohet si një rrezik që 22 mijë fermerë në vend të humbasin lehtësitë tatimore nga shteti

Përplasja mes Kreut të Shtetit ka vijuar edhe në rrjetin social X, Pasi presidenti malazez shkroi në statusin e tij se nuk do ti dorëzohet presionit të Gjeloshajt kur bëhet fjalë për Kushtetutën.

Gjeloshaj, në anën tjetër, ka shkruar: “Nuk duhej të ishe futur në këtë punë dhe të prisje një reagim nga shqiptarët në të gjitha nivelet dhe kudo që kemi ndikim”.

Në vazhdimin e Statuseve ne X, Zëvendëskryeministri Shqiptar i Malit të Zi ka shkruar se Millatoviç do të marrë përgjigjen që meriton./abcnews.al

Trafikonin drogë drejt Greqisë/ Goditet grupi kriminal, në pranga 2 drejtuesit, 2 në kërkim

By: Rovena
2 August 2025 at 13:41

Finalizohet operacioni policor i koduar “Grupi”, i zhvilluar nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Korçës.

Policia e Korçës ka goditur një grup kriminal që merrej me prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotikr. Janë vënë në pranga dy financuesit e kultivimit, Leonard Xhemollari dhe Gentian Muço.

Në kërkim janë shpallur dy organizatorët e grupit Rexhildo Berberi dhe Abidin Guraj. Këta dy të fundit janë organizatorë të trafikimit të lëndëve narkotike në 4 raste të mëparshme, të goditura nga Policia.

Lënda narkotike e prodhuar magazinohej në fshatin Voskop, Korçë, ku kryhej procesi i tharjes dhe i përpunimit, me qëllim transportimin e saj drejt shtetit grek.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Rexhildo Berberi, të shpallur në kërkim, në katin e parë të banesës u zbulua një ambient i përshtatur për modifikimin e automjeteve.

Të katër këta persona dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Polovisht–Maliq, kanë kultivuar bimë narkotike dhe e kanë magazinuar në fshatin Voskop, Korçë, ku kryhej procesi i tharjes dhe i përpunimit, dhe më pas do të bëhej transportimi i saj drejt shtetit grek.

Në kuadër të operacionit u kapën dy financuesit e kultivimit të kanabisit, konkretisht shtetasit L. XH., 45 vjeç, banues në Maliq, dhe G. M., 48 vjeç, banues në Korçë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit R. B., 42 vjeç, dhe A. G., 35 vjeç, banues në Korçë, organizatorë të trafikimit të kanabisit në katër raste të goditura më parë nga Policia: Ngjarja e datës 08.06.2025, ku u arrestua në flagrancë shtetasi V. B., që u kap me 6 kg lëndë narkotike të dyshuar heroinë, në PKK Kapështicë;

Ngjarja e datës 25.04.2024, ku u arrestuan shtetasit K. SH. dhe H. M., të cilët u kapën me një sasi prej 12.5 kg lëndë narkotike, e dyshuar kanabis;

Ngjarja e datës 23.09.2023, ku u arrestua shtetasi K. K., në qytetin e Pogradecit, me një sasi prej 52.6 kg lëndë narkotike, kanabis;

Ngjarja e datës 27.11.2023, ku u arrestuan shtetasit L. L. dhe S. P., dhe u kap në shtetin grek një sasi prej 26 kg lëndë narkotike. Të katër këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Polovisht–Maliq, kanë kultivuar bimë narkotike dhe e kanë magazinuar në fshatin Voskop, Korçë, ku kryhej procesi i tharjes dhe i përpunimit, dhe më pas do të bëhej transportimi i saj drejt shtetit grek”, njofton policia./abcnews.al

Fluks udhëtarësh në Portin e Durrësit/ Në 6 muaj mbi 241 mijë pasagjerë

By: Rovena
2 August 2025 at 13:28

Mbi 241 mijë pasagjerë kanë përdorur Portin e Durrësit  për të ardhur në Shqipëri në pjesën e parë të këtij viti.

Kjo shifër konfirmon fluksin turistik ndërsa gjatë gushtit pritshmëritë janë edhe më të larta.

Drejtori i autoritetit Portual thotë se në krahasim me një vit më parë janë përpunuar 6% më shumë pasagjerë

Po ashtu edhe përpunimi i mallrave në Portin e Durrësit ka pësuar rritje të fortë .

Sipas Autoritetit Portual të Durrësit në këtë pikë hyrëse janë përpunuar edhe  mbi 104 mijë automjete, kamionë dhe trailerë duke pësuar një rritje prej 5% në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2024./abcnews.al

 

Heronjtë e heshtur/ Zjarrfikësit, sfida me flakët dhe temperaturat e larta

By: Rovena
2 August 2025 at 13:21

“Në rrezik jemi gjithë kohës, nuk di ku shkel. Nuk din ça ka aty, apo diçka mund të shpërthejë”.

Rrezikojnë jetën për të shpëtuar të tjerët, këta janë heronjtë e heshtur, zjarrfikësit.

Ersilio Bodlli, është një prej tyre, më i riu në skuadër. Ai është  21 vjeç, dhe prej një vitit e gjysmë i është bashkuar shërbimit të zjarrfikësve në kryeqytet.

Dëshira për të ndihmuar të tjerët, ishte arsyeja se përse zgjodhi këtë profesion, ndërsa tregohet i gatshëm në çdo moment, sa herë që alarmi bie për të ndihmuar qytetarët në rrezik.

“Dëshira për të ndihmuar dikë tjetër. Profesion me shumë vlera, rrezikojmë jetën tonë për të shpëtuar të tjerët.”

Ka ditë të qeta, por, edhe shumë sfiduese për 21-vjeçarin, në një ditë pune. Ndërsa veçon ditët e gjata të verës, ku zjarret janë më të pranishëm, kjo për shkak të temperaturave të larta, por jo vetëm.

“Dita nisi e qetë, dhe më pas morëm alarmin se ra një zjarr. Një makinë po digjej në Bllok. Tani në verë 3-4 herë në ditë dalim, dhe ka pasur raste shumë të rënda.”

Ersilio ishte 19 vjeç, kur nisi punë si zjarrfikës, dhe kjo është puna e parë e tij. Në dhjetëra operacione në shuarjen e zjarrit, ai veçon një moment të vështirë.

“I rrezikuar, ishim në një shtëpi te “Pazari i Ri”, ishte një shtëpi dy katëshe, kemi qëndruar për orë të gjata aty, ishte zjarr shumë i madh, xhupat, kokoria, dorezat, e bëjnë edhe më të vështirë.”

Ashtu si Ersilio, edhe Xhonatan Ruçaj ka zgjedhur të punoj në këtë profesion. Prej 3 vitesh, 27 vjeçari është pjesë e kësaj uniforme, ndërsa kujton ditën e parë të punës, dhe vështirësinë me përballjen e flakëve.

“Thjeshtë kisha parë sesi vepronin me këtë lloj pune, dhe kur u futa më shumë kuptova që më pëlqente më shumë. Kur kam filluar sesi vepronin, nuk ishte e thjeshtë, se kisha menduar që do ishte kështu. Ditën e parë të punës në banesë, në bodrume më parë. Ishte punë e vështirë, terreni shumë i vështirë, s’është e lehtë për të vepruar.”

Të sfidosh temperaturat e larta në një operacion për shuarjen e zjarrit, nuk është e vetmja sakrificë e këtij profesioni. Terreni i vështirë për tu ngjitur në male me bimësi e shkurre të dendura, ua vështirëson akoma më shumë punën.

Ersilio dhe Xhonatanit, ishin pjesë e aksionit në shuarjen e zjarrit masiv në Bërzhitë, ditë më parë.

“Është e vështirë, temperaturat siç e the edhe vetë janë të larta, zjarri që nga ana tjetër e shton akoma më shumë.  Zjarret në pyje janë shumë të vështira, sepse janë edhe të lodheshe, do ngjisësh kodrën. Ishim në Bërzhitë, e mbuluam shumë mirë, terreni i vështirë na e bënë edhe neve të vështirë. Mjetet nuk arrijnë dot që të kemi ujë, me mjete, lopata. Edhe në Bërzhitë  ishte  vështirë, nuk veproje dot në terren…”

Zjarri në bodrume, është makthi i vërtet i zjarrfikësve.

“Terreni më i vështirë dhe më i rrezikuar nga flakët është kur jemi në -1,-2, tymi dhe nxehtësia shkojnë lartë. Në momentin që hyn poshtë nuk sheh asgjë, do shikosh me duar, nga muret ku po shkon. Fushëpamja është zero, derisa të gjesh vatrën e zjarrit.”

Me flakët nuk luftojnë vetëm zjarrfikësit, por edhe familjarët e tyre. Të cilët, nxitojnë ti marrin në celularë, sa herë që në lajmë ka zjarre.

“Kur shohin në lajm që diçka ka marr flakë, të bien në celular se si je.”

Vepra e mirë, e zbeh lodhjen në fund të ditës.

“Ndihesh mirë në fund të ditës për veprën e mirë që kemi bërë, shpëton jetë njerëzish, pronën. Kur fillon e punon të pëlqen, dashurohesh më pas. Kur ndihmon njerëzit, pasuri të njerëzve ndihesh mirë.”

Të dy të rinjtë, thonë se do ua sugjeronin bashkëmoshatarëve të tyre këtë profesion, jo vetëm për qëllimin e mirë për të shpëtuar jetë njerëzish, por, dhe për shkak të mungesës së profesionistëve./abcnews.al

Berisha, hero me 4 mijë euro rrogë/ Portieri shqiptar rinovon kontratën në klubin suedez, Hacken

By: Rovena
2 August 2025 at 12:55

Nuk është më në ditët e lavdisë.

Dikur, kur luante në Serinë A tek Atalanta apo Torino, Etrit Berisha fitonte afër 1 milionë euro në sezon, dhe bënte pritje të mrekullueshme, por portieri shqiptar ende është i vlefshëm.

Pas shkëlqimit të këtyre muajve në Suedi tek Haken, klubi ka vendosur t’i japë një kontratë të re.

Sipas mediave në Skandinavi, gardiani 36-vjeçar do të ketë një marrëveshje deri në 2027, pra flitet edhe për dy edicione të tjera.

Ky zhvillim vjen vetëm dy ditë pasi Berisha u tregua vendimtar në Ligën e Europës duke pritur penallti e duke shënuar një penallti tjetër, ndërsa Haken eliminoi skuadrën më të madhe të Belgjikë, Anderlehtin, që ka në stol trajnerin shqiptar nga Kosova, Besnik Hasi.

Në maj të këtij viti, portieri i lindur në Prishtinë ishte sërish përcaktues dhe hero, duke i dhënë ekipit të tij Kupën e Suedisë.

Finalja ndaj Malmos atëherë nuk pati asnjë gol, ndërsa në serinë e 11-metërshave Berisha u tregua i jashtëzakonshëm.

Ai priti dy penallti të kundërshtarëve, dhe siç e ka zakon, shënoi edhe një gol nga pika e bardhë.

Natyrisht, ai nuk ka moshë për t’u kthyer në Serinë A, apo për të luajtur në elitën e Gjermanisë, Francës, Spanjës apo Anglisë, por gjithsesi mbetet i rëndësishëm, ndonëse rroga mesatare në ligën suedeze është rreth 4 000 euro në muaj./abcnews.al

Broja mbetet në premier/ Sulmuesi shqiptar kalon tek Burnley, gjithnjë në Angli

By: Rovena
2 August 2025 at 12:51

Një tjetër fillim i ri.

Nuk do të ketë largim nga ishulli për Armando Brojën, pasi e ardhmja e tij nuk quhet as Bundesligë dhe as Seri A, por njësoj si e kaluara, Premier Ligë e Anglisë.

Çelsi është dakordësuar me Bërnlin për të shitur kartonin e sulmuesit të kombëtares së Shqipërisë, në një lëvizje që mund të quhet një lajm i mrekullueshëm për vetë futbollistin, për Blutë e Londës dhe për tifozët kuqezinj.

Sipas mediave britanike, klubi londinez mund të fitojë deri në 20 milionë paundë nga ky transferim, ndonëse nuk është e qartë sesi do të jenë klauzolat e kontratës.

Gjithsesi, ylli kuqezi mësohet se ka kaluar pjesën e parë të vizitave mjekësore dhe se akordi me Bërnlin do të jetë 5-vjeçar.

Nuk dihet sesa do të jetë rroga e 23-vjeçarit, ndërsa në “Stemford Brixh” ai besohet se fitonte 2.5 milionë euro në sezon.

Broja është prodhim i Akademisë së Çelsit, me të cilën është bashkuar që në moshën 9-vjeçare.

Gjatë karrierës, ai u huazua në Holandë tek Viteshe, pastaj në Premier Ligën angleze me Sauthemptonin, përpara sesa të kthehej sërish tek Blutë.

Pas dëmtimit që pësoi në dhjetor 2022, Armando provoi huazimin tepër të vështirë tek Fulhami, dhe sezonin e fundit ishte sërish I huazuar me Evertonin, ku pësoi dy dëmtime dhe provoi vështirësi të shumta, ndonëse tani duket në formën e duhur fizike./abcnews.al

“Punësimi në SHBA shënon rënie”/ Deklarata i kushton detyrën komisioneres së statistikave të Trump

By: Rovena
2 August 2025 at 12:45

Presidenti amerikan Donald Trump shkarkoi nga detyra Komisioneren e Byrosë së Statistikave të Punësimit, Doktoreshene e Shkencave Erika McEntarfer (mekentarfer), pas publikimit të raportit ku thuhej se përgjatë Korrikut në Shtetet e Bashkuara ishin hapur më pak vende sesa ishte parashikuar. Në muajin korrik, sipas të dhënave zyrtare, u shtuan vetëm 73 mijë vende pune, një shifër që bie ndjeshëm nën parashikimet e ekonomistëve, të cilët prisnin të paktën 110 mijë vende të reja. Përveç kësaj, u bënë edhe rishikime në ulje për muajt e mëparshëm, majin dhe qershorin, duke zbritur edhe 258 mijë vende pune nga numrat paraprakë.

Ky raport i dobët shty Trump të ndërhynte personalisht. Në një postim në rrjetin e tij social, Truth Social, ai e quajti McEntarfer një person të  “emëruar politik nga Biden” dhe e akuzoi për publikim të qëllimshëm të të dhënave që dëmtojnë imazhin ekonomik të vendit. Donald Trump deklaroi se do të emëronte Si komisioner të ri të këtij institucioni dikënd më kompetend dhe profesona. Kreu Aktual i Byrosë së statistikave të punësimit është William Wiaterowski.Erika McEntarfer (mekentarfer), ishte emëruar në këtë post në muajin janar të vitit 2024 me 86 vota pro dhe 8 kundër nga Senati amerikan, për një mandate 4-vjeçar.

Raporti i korrikut, i cili përveç se tregoi se vendi pati një shtim më të pakët të vendeve të punës tregoi edhe një rritje të normës së papunësisë nga 4.1% në 4.2%, u prit me shqetësim të madh në tregjet financiare dhe në qarqet ekonomike. Sipas analistëve, sektorët që tradicionalisht kanë shtyrë përpara punësimin në muajt e fundit, si ndërtimi, prodhimi dhe teknologjia, kanë shfaqur shenja stagnimi ose uljeje, ndërsa vetëm sektori i kujdesit shëndetësor dhe asistencës sociale ka shënuar rritje të moderuar.

Ekonomistët dhe zyrtarët e pavarur kanë reaguar duke shprehur shqetësim për ndërhyrjen e presidentit në institucionet statistikore që historikisht kanë qenë të pavarura nga presioni politik. Disa analistë paralajmërojnë se veprime të tilla mund të dëmtojnë besueshmërinë e të dhënave ekonomike të SHBA-ve dhe të krijojnë pasiguri për investitorët. Shkarkimi i McEntarfer vjen ndërkohë që administrata Trump po përballet me presione në rritje për të dhënë rezultate konkrete në ekonomi përpara zgjedhjeve të vitit 2026, ndërsa votuesit fillojnë të ndjejnë pasiguritë ekonomike në jetën e përditshme. Shkaqet kryesore që kanë luhatur ekonominë amerikane përgjatë muajve të fundit sipas asaj që thonë ekspertët ka qenë lufta e tarifave që Trump i ka hapur mbarë botës./abcnews.al

Vidhte vila, hotele dhe biznese në Durrës dhe Tiranë, pranga “skifterit”

By: Rovena
2 August 2025 at 12:29

Policia e Durrësit ka vënë në pranga 21-vjeçarin, Orgito Hajrullaj pasi vidhte në qytetin e Durrësit e Tiranës, vila, hotele, biznese, tabakino dhe parkingje, ku merrte shuma parash, sende me vlerë, motomjete, biçikleta dhe monopatina.

Janë zbardhur 11 vjedhje të kryera në qarqet Durrës dhe Tiranë nga 21-vjeçari, i cili rezulton autor i një sërë vjedhjesh të ndodhura gjatë muajit korrik. Në momentin e ndalimit, ai ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, por është neutralizuar dhe vënë në pranga./abcnews.al

 

Mashtronin gjermanët me “forex”, GJKKO lë në fuqi masat e sigurisë ndaj 7 personave

By: Rovena
2 August 2025 at 12:21

Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat e sigurimit për 7 nga 8 urdhër-arrestet për çështjen e call centerave.

Togat e zeza kanë bërë verifikimin dhe lanë në arrest në burg 4 persona dhe 3 të tjerë arrest në shtëpi. Në mungesë ishin caktuar masat e sigurimit personal arrest në burg për Emiljano Sejdillari, Tafil Dyrmishi, Sokol Krasniqi, Eltion Logu, Rodrigo Guga.

Ndërsa arrest në shtëpi për Lisjane Çulani, Mateo Llozhi dhe Kejdi Nuka.

Tetë shqiptarët u identifikuan nga një hetim i Prokurorisë së Posaçme dhe autoriteteve gjermane si të përfshirë në mashtrim me pasoja të rënda nëpërmjet call centerave që vepronin në Shqipëri.

Vlera e dëmit të shkaktuar dhe të dokumentuar për këtë fazë të hetimit për periudhën disamujore të call center-it është mbi 363 mijë e 501 euro ndërsa bëhet fjalë për 14 viktima të mashtrimit në Gjermani./abcnews.al

 

“I shtrirë me kostum e këmishë”, Prokuroria e Fierit zbardh vrasjen makabre të Anesti Ramës nga e bija dhe i dashuri i saj

By: Rovena
2 August 2025 at 11:59

Prokuroria e Fier ka dhënë detaje të reja lidhur me vrasjen makabre të 56-vjeçarit Anesti Rama, që dyshohet se u dhunua dhe u mbyt me tel nga vajza e tij Emalinda Rama dhe i dashuri i saj, Çlirim Dogani.

Prokuroria njofton se mbrëmjen e datës 23 korrik, rreth orës 21:16 në sallën Operative Fier është bërë një telefonatë, dyshohet nga Emalinda Rama ku kërkohej një ambulancë pasi një person ishte gjetur i lënduar në tualet.

Në momentin që ambulanca ka shkuar në banesën e familjes Rama, trupi i pajetë i të ndjerit Anesti Rama qëndron në sallonin e shtëpisë veshur me këmishë dhe kostum.

“Nga veprimet e para hetimore rezultoi se, në datë 23.07.2025, rreth orës 21:16 në Sallën Operative Fier, u bë një telefonatë ku kërkohej dërgimi i ambulancës, pasi një shtetas ishte dëmtuar në ambientet e tualetit të banesës së tij të ndodhur në fshatin Frashër. Ambulanca e Spitalit Rajonal Fier ka shkuar në banesën e shtetasit A.R., të cilin e ka gjetur të shtrirë në sallonin e banesës së tij, të veshur me kostum dhe këmishë. Personeli mjekësor konstatoi se shtetasi A.R. kishte humbur jetën dhe ka njoftuar Sallën Operative se “personi për të cilin kërkuan ndihmë mjekësore është i vdekur”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Pas kryerjes së eksaminimeve nga grupi mjekësor, u konstatua që personi për të cilin u kërkua ndihmë ishte i vdekur. Personeli mjekësor vuri re shenja dhe çarje në pjesën e ballit dhe mbi vetull. Ndërkohë që vajza, e dyshuara kryesore për këtë vrasje, Emalinda Rama dhe mamaja e saj deklaruan para grupit hetimor se Anesti Ramën e kishin gjetur të gjakosur dhe pa shenja jete në tualetin e shtëpisë.

“Në zbatim të procedurës hetimore të parashikuar në raste të tilla, në vendin e ngjarjes shkoi grupi hetimor. Nga këqyrja e jashtme e trupit të të ndjerit, u konstatua se ai kishte çarje në pjesën ballore, çarje mbi vetull, një dërmishje mbi vetullën e djathtë, si dhe dëmtime të tjera.”

E bija e të ndjerit, shtetasja E.R. dhe bashkëshortja e tij, shtetasja V.R., i deklaruan grupit hetimor se e kishin gjetur të ndjerin në tualetin e banesës pa shenja jete dhe të gjakosur, kishin njoftuar fqinjët se ky shtetas ishte rrëzuar në tualet dhe në vijim ishte njoftuar ambulanca dhe policia. Ato e kanë lëvizur të ndjerin nga tualeti, e kanë pastruar dhe veshur, me qëllim kryerjen e riteve mortore, si dhe kanë pastruar vendin e ngjarjes.”

Por, pas kryerjes së hetimeve rezultoi se 56-vjeçari Anesti Rama ishte goditur dhe mbytur me tel, nga vajza e tij, 26-vjeçarja Emalinda Rama në bashkëpunim me Çlirim Doganin, me të cilin dyshohet se ka pasur lidhje intime. Kurse mamaja e saj, ka ndihmuar në fshehjen e ngjarjes së rëndë, duke e inskenuar fillimisht si aksidentale.

Prokuroria e Fierit akuzon Emalinda Ramën për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim. Valbona Ramës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Kurse Çlirim Dogani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim.

“Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, përfshirë edhe përdorimin e metodave proaktive të hetimit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetases E.R., e dyshuar për kryerjen e veprës penale“Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79/c dhe 25 të Kodit Penal, i shtetases V.R. e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal, si dhe ndalimi me iniciativë i shtetasit Ç.D., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79/c dhe 25 të Kodit Penal. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkoi vleftësimin e ligjshëm të arrestimeve dhe të ndalimit, si dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për të tre personat nën hetim, kërkesa të cilat u pranuan nga gjykata.”/abcnews.al

Rama: Fundi i epokës së zaptuesve/ “Shumë shpejt plani për bizneset dhe reforma për territorin”

By: Rovena
2 August 2025 at 11:52

Nuk ndalet aksioni për lirimin e hapësirave publike.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje të reja nga prishja e strukturave të paligjshme, të cilat kanë zaptuar trotuaret. Shefi i qeverisë tha se është domosdoshme që të vendoset një vijë e qartë ndarëse mes të drejtës për të zhvilluar një aktivitet legjitim dhe kufijve që duhet respektuar në hapësirat që u përkasin të gjithëve.

“Jo vetëm ngrehinat e hekurit, po edhe platformat e turlillojshme nën to, do të zhbëhen hap pas hapi, përditë e me durim, derisa të vendoset kudo kufiri që garanton lirinë e hapësirës komunitare dhe përcakton deri ku mund të shtrihen tavolinat, karriget e çadrat e njësive tregtare”, ka shkruar kryeministri Rama.

Së shpejti, bizneseve do tu vihet në dispozicion një plan I detajuar për vendosjen e tavolinave jashtë, në mënyrë që të mos të zaptojnë hapësirat e përcaktuara për qytetarët. Paralelisht po punohet me reformën e re të territorit e cila përcakton rregullave të reja edhe për ndërtimet pa leje.

Po aq edhe masa ndëshkimore për shkelësit e saj, përfshirë edhe një ligj që parashikon një listë të zezë për ndërtuesit të cilët nuk rrezikojnë vetëm gjoba por edhe mundësinë të mos marrin sërish leje ndërtimi./abcnews.al

Ambasada Amerika njofton qytetarët për vizat: Kalimi i afatit mund të ndikojë përgjithmonë në udhëtimet

By: Rovena
2 August 2025 at 11:44

Ambasada Amerikane në Tiranë ka publikuar një njoftim lidhur me rëndësinë e përdorimit korrekt të vizave amerikane.

Në postimin e saj në ‘Facebook’, Ambasada thekson se është e domosdoshme të respektohen kushtet e vizës dhe afati i lejuar i qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Është përgjegjësia jote të përdorësh vizën tënde në mënyrë korrekte. Respekto kushtet e vizës tënde amerikane dhe afatin e autorizuar të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara. Qëndrimi përtej këtij afati mund të ndikojë në mënyrë të përhershme në mundësinë tënde për të udhëtuar, studiuar ose punuar në Shtetet e Bashkuara”, njofton ambasada.

/abcnews.al

Pas sherrit, qëlloi me armë drejt banesës së komshiut/ Pranga 18-vjeçarit në Krujë

By: Rovena
2 August 2025 at 11:14

Një 18-vjeç është vënë në prangat e policisë së Krujës. Pas një sherri për motive të dobëta, 18-vjeçari ka qëlluar me pushkë në drejtim të banesës së komshiut të tij.

Policia njofton se 18-vjeçari rezulton me precedent të mëparshëm penal, ndërkohë që është sekuestruar arma e zjarrit.

“Në kuadër të operacionit “On time”, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Q. M., 18 vjeç, banues në fshatin Mazhe e Madhe.  Ky shtetas dyshohet se pas konflikteve të vazhdueshme me komshiun e tij ka qëlluar drejt banesës së këtij të fundit me armë zjarri duke kanosur atë dhe familjarët. Pas kontrollit në afërsi të vendit të ngjarjes, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit dhe municion luftarak”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al

❌
❌