Transporti detar në rritje, Durrësi kryeson për mallra, Saranda për pasagjerë
TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Transporti detar shënoi rritje edhe gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, si në volumin e mallrave të përpunuara ashtu edhe në numrin e pasagjerëve që kanë udhëtuar nëpërmjet porteve detare të vendit.
Aktualisht, në vend operojnë katër porte për transportin e mallrave: porti i Durrësit, i Vlorës, i Shëngjinit dhe porti i Limjonit në Sarandë.
Ndër to, porti i Durrësit mbetet nyja kryesore e trafikut tregtar detar, duke përpunuar 93,6% të totalit të mallrave të transportuar me det, ose 2063 mijë tonë mallra gjatë tremujorit të dytë të këtij viti. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky port ka regjistruar një rritje prej 1,4% në volumin e mallrave.
Sa i përket strukturës së mallrave të transportuara, referuar raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), grupi i metaleve bazë dhe produkteve metalike të fabrikuara përbën 17% të mallrave të lëvizura përmes rrugëve detare, ndërsa koks dhe produktet e rafinuara të naftës zënë 16,9%. Mallrat me përbërje minerale jometalike përbëjnë 16,2% të totalit, ndërsa qymyri, linjiti, nafta bruto dhe gazi natyror përfaqësojnë 5% të volumit të përgjithshëm të transportuar.
Në të njëjtën periudhë është regjistruar edhe një rritje në qarkullimin e anijeve që hyjnë dhe dalin nga portet shqiptare. Gjatë tremujorit të dytë janë regjistruar gjithsej 276 anije, prej të cilave 253 ishin të huaja dhe vetëm 23 vendase. Të dhënat flasin për një rritje prej 10% të qarkullimit total të anijeve, ndërsa anijet e huaja janë shtuar me 16,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Edhe transporti i pasagjerëve ka pasur një dinamikë të lartë gjatë kësaj periudhe, veçanërisht për shkak të sezonit turistik. Lëvizja e pasagjerëve është kryer përmes porteve të Durrësit, Vlorës dhe Sarandës, ndërsa porti i Shëngjinit nuk ka pasur aktivitet pasagjerësh.
Numri total i udhëtarëve të regjistruar është për këtë periudhë arrin 330 630. Porti i Sarandës regjistroi edhe fluksin më të lartë, duke përpunuar 54% të pasagjerëve, i ndjekur nga porti i Durrësit me 40,3% dhe më pas ai i Vlorës me 5,7%.
/r.e/
The post Transporti detar në rritje, Durrësi kryeson për mallra, Saranda për pasagjerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.