Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 29 July 2025Main stream

Forcimi i partneritetit me shoqërinë civile, bashkia e Lezhës përfiton fonde nga BE

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Bashkia e Lezhës është shpallur fituese në thirrjen e programit “ReLOaD3”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Ky program synon të forcojë demokracinë vendore përmes bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërmjet pushtetit vendor dhe shoqërisë civile, duke rritur njëkohësisht pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.

“Lezha, si një nga bashkitë që ka qenë pjesë edhe në fazat e mëparshme të ReLOaD, konfirmon sërish përkushtimin ndaj qeverisjes së mirë, transparencës dhe zhvillimit të qëndrueshëm përmes përfshirjes qytetare”, thuhet në njoftimin për shtyp të bashkisë Lezhë.

Bashkia e Lezhës do të përfitojë mbështetje financiare, ndërtim kapacitetesh dhe asistencë teknike për të forcuar partneritetet me organizatat e shoqërisë civile, duke përdorur metodologjinë LOD – një model i suksesshëm për financim publik të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës.

“Lezha vazhdon të jetë shembull i angazhimit për zhvillim lokal me pjesëmarrje aktive të qytetarëve dhe organizatave lokale”, thuhet në njoftimin e bashkisë.

/m.m/r.e/

The post Forcimi i partneritetit me shoqërinë civile, bashkia e Lezhës përfiton fonde nga BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Kemi përfunduar procedurat për blerjen e dy avionëve zjarrfikës

TIRANË, 29 korrik/ATSH-Maela Marini/ Shqipëria ka përfunduar procedurat për blerjen e dy avionëve zjarrfikës.

Lajmin e bëri të ditur sot ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu në një intervistë televizive.

Vengu informoi se fondet për avionët zjarrfikës janë alokuar, dhe aktualisht pritet prodhimi i tyre si dhe trajnimi i pilotëve.

“Ne sivjet kemi pasur 5 helikopterë zjarrfikës në dispozicion të angazhuar 24 orë. Nuk kemi pasur kurrë një numër të tillë mjetesh ajrore zjarrfikëse më parë. Jemi në një përmirësim të ndjeshëm të gatishmërisë operacionale për sa i përket mbrojtjes civile me mbështetje nga ajri”, u shpreh Vengu.

Ky element, sipas tij, “do të vazhdojë të përforcohet me avionë zjarrfikës”.

“Ne kemi angazhuar fonde dhe kemi realizuar edhe procesin për blerjen e dy avionëve zjarrfikës. Janë alokuar fondet, kemi buxhetin dhe kemi realizuar edhe procedurën për blerjen e dy avionëve”, shtoi ai.

Ministri informoi se prodhimi dhe ardhja e tyre në vendin tonë merr një kohë normale, sepse duhet të prodhohen dhe dislokohen.

Ndërkohë, sipas tij, duhet të stërviten edhe pilotët për pilotimin e tyre. “Duhet të kuptojmë se prej vitit 2007 Shqipëria nuk ka pilotë avionësh dhe po i stërvitim pilotët e avionëve. Jemi absolutisht në kushtet ku këtë gjë e kemi parashikuar. Po investon qeveria në mënyrë që të kemi edhe mjete ajrore të tjera dhe të përforcojmë edhe flotën e helikopterëve sepse të dyja tipologjitë janë absolutisht të nevojshme dhe eficente”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, Vengu theksoi se po rinovohet tërësisht flota e mjeteve zjarrfikëse në mbarë vendin.

“Falë themelimit të kompanisë shtetërore të prodhimit ushtarak ne do të kemi mundësinë të prodhojmë edhe mjete emergjencash civile. Në këtë mënyrë do të stabilizojmë situatën si nga toka, edhe nga ajri”, tha Vengu.

Ministri solli në vëmendje edhe identifikimin e 4 zonave në vend ku do të krijohen qendra rajonale të emergjencave civile, në mënyrë që të ketë trupa, mjete dhe baza të caktuara për to.

“Do të jenë qendra rajonale ku mund të ulen dhe furnizohen helikopterët dhe trupa të dedikuara për sa i përket mbulimit të zonave pyjore dhe malore. Do të fillojmë fillimisht me një qendër për mbulimin e gjithë zonës së Finiqit, Delvinës, Konispolit, Sarandës, Himarës dhe zonave përreth. Kemi identifikuar një zonë në Bushat të Shkodrës për të ndihmuar Shëngjinin, Velipojën, Shkodrën dhe Lezhën ku konstatohet rrezikshmëri e lartë. Do të kemi po ashtu dy qendra të tjera në verilindje dhe juglindje të vendit për të fuqizuar zinxhirin e reagimit”, theksoi Vengu.

/r.e/

The post Vengu: Kemi përfunduar procedurat për blerjen e dy avionëve zjarrfikës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Asnjë lavazh mes lagjeve, ndryshe paguajnë gjobën e krimit mjedisor

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Në gjithë vendin po vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike dhe kthimin e ambienteve të përbashkëta te komuniteti.

Përveç lirimit të hapësirave publike në zonat e banuara, aksioni është shtrirë po ashtu në plazhe dhe akset nacionale ku po prishen strukturat pa leje anës rrugëve.

Në vijim të këtij aksioni, kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot se asnjë lavazh nuk do të qëndrojë mes lagjeve për të larë makinat nëpër trotuare.

“Prandaj kush i ka t’i heqë vetë që të mos paguajë edhe gjobën e krimit mjedisor”, u shpreh kryeministri.

Lirimi i hapësirave publike shihet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Gjatë gjithë muajit korrik por edhe më tej, lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të komuniteteve.

/m.m/r.e/

The post Rama: Asnjë lavazh mes lagjeve, ndryshe paguajnë gjobën e krimit mjedisor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jole: Neutralizohen plotësisht vatrat e zjarreve në qarkun e Korçës

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Të gjitha vatrat e zjarrit në qarkun e Korçës janë neutralizuar tashmë plotësisht.

Lajmin e bëri dot të ditur prefekti i Korçës, Nertil Jole, i cili falënderoi ekipet e emergjencave në çdo bashki të qarkut për punën e pandërprerë deri në neutralizimin e plotë të vatrave të zjarreve.

“Pas përpjekjeve të të gjitha ekipeve të emergjencave civile në çdo bashki të qarkut për neutralizimin e plotë të zjarreve të shfaqura në territorin e rajonit tonë”, tha ai.

Jole vlerësoi po ashtu edhe punën në terren të gazetarëve për informimin në kohë reale të qytetarëve.

“Dëshiroj të shpreh edhe një falenderim për komunitetin e gazetarëve të qarkut e jo vetëm, të cilët kanë pasqyruar në kohë reale zhvillimet sa i takon administrimit të situatave të shkaktuara. Dritaret e komunikimit na kanë ndihmuar të informojmë opinionin publik, si dhe përcjellim thirrjet e përbashkëta për vigjilencë e kujdes të shtuar”, theksoi ai.

Gjatë 24 orëve të fundit në gjithë vendin janë evidentuar 52 vatra zjarri, ndër të cilat 2 janë ende aktive, 4 vatra janë në monitorim dhe 46 janë shuar.

/m.m/r.e/

The post Jole: Neutralizohen plotësisht vatrat e zjarreve në qarkun e Korçës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Rruga Ersekë-Leskovik, udhëtim magjepsës përmes natyrës së pazbuluar

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Segmenti i ri rrugor Ersekë – Leskovik ofron një udhëtim magjepsës përmes natyrës së pazbuluar të një tjetër zone të mrekullueshme të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga rruga e re Ersekë – Leskovik, një aks që nxit turizmin dhe zhvillon sipërmarrjen lokale.

“Rruga e re Ersekë – Leskovik, jo vetëm një investim që shkurton distancat, por një udhëtim magjepsës përmes natyrës së pazbuluar të kësaj zone, që nxit turizmin, zhvillon sipërmarrjen lokale, ruan traditën e motivon të rinjtë të mos emigrojnë por të investojnë në vendlindjet e tyre”, u shpreh Rama.

Punimet për rikonstruksionin e rrugës Ersekë-Leskovik janë financuar përmes një fondi prej rreth 6 milionë euro nga qeveria shqiptare dhe BERZH.

Ky investim shkurton distancat e udhëtimit dhe është një dritare më shumë për zhvillimin e turizmit në vendin tonë.

Rruga është e gjatë 42,67 kilometra, gjerësia e asfaltit ekzistues ishte rreth 4 metra, ndërsa asfalti i ri është 5 metra në të gjithë gjatësinë e rrugës.

Ajo përmirëson ndërlidhjen mes rajoneve dhe lehtëson lëvizshmërinë drejt potencialeve turistike të rajonit të Korçës dhe Gjirokastrës, duke sjellë zgjerimin e ofertës turistike të rajonit dhe rritje të mundësive për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm rajonal.

/m.m/r.e/

The post Rama: Rruga Ersekë-Leskovik, udhëtim magjepsës përmes natyrës së pazbuluar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndreu: Prishen ndërtimet rreth kanalit kullues në Balldren

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Sistemimi i kanaleve vaditëse dhe kulluese në fshatrat e bashkisë së Lezhës ka rritur produktivitetin e tokave bujqësore.

Ndërhyrja e fundit po kryhet në Balldren, duke u ardhur në ndihmë fermerëve të zonës.

Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu ndau sot në rrjetet sociale momente nga ndërhyrja për zhbllokimin e një segmenti të kanalit të dytë më të ngarkuar në Balldren, i cili sipas tij, ka qenë i bllokuar prej 35 vitesh nga ndërtime pa kriter.

“Me ndërhyrjen që po bëhet dhe prishjen e ndërtimeve po mundësohet kullimi i rreth 7 ha tokë bujqësore, si dhe i oborreve dhe vreshtave të 25 familjeve”, u shpreh Ndreu.

Përmirësimi i infrastrukturës së ujitje-kullimit po vijon me prioritet në gjithë vendin, duke u ardhur në ndihmë fermerëve për vaditjen e tokave bujqësore veçanërisht tani gjatë sezonit veror.

/m.m/r.e/

The post Ndreu: Prishen ndërtimet rreth kanalit kullues në Balldren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Rruga Shirokë-Zogaj, Rama: Investim me rëndësi për zhvillimin e turizmit

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Rruga Shirokë-Zogaj konsiderohet një nga investimet strategjike që do të krijojë një lidhje të re mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe kthimin në një pikë të rëndësishme të Shkodrës si kryeqendër e rajonit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky kantier, ku punimet po vijojnë me ritme të shpejta për zgjerimin e këtij segmenti.

Kryeministri e konsideroi këtë një investim të rëndësishëm infrastrukturor që jo vetëm nxit zhvillimin e turizmit në zonë, por edhe lidh Shqipërinë me Malin e Zi.

Rruga Shirokë-Zogaj është pjesë e mozaikut të investimeve në bregun perëndimor të liqenit të Shkodrës.

Kjo rrugë pritet të rrisë turizmin në zonë, përveç ndikimit për akses më të mirë në infrastrukturë të komuniteteve lokale.

Rruga është 6,5 km e gjatë, ku 4,5 km e parë të këtij segmenti janë zgjerimi i rrugës ekzistuese që është buzë liqenit.

Shirokë-Zogaj bashkë me bypass-in në qendër të fshatit Zogaj, janë dy segmente kyçe për lehtësimin e qarkullimit, duke e kthyer fshatin Zogaj në një korridor të rëndësishëm turistik dhe ekonomik.

/m.m/r.e/

The post Rruga Shirokë-Zogaj, Rama: Investim me rëndësi për zhvillimin e turizmit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Shqipëria, potencial për t’u bërë destinacion i rëndësishëm për turizmin arkitektonik

TIRANË, 28 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se synimi i qeverisë është që Shqipëria të bëhet destinacion nga më të rëndësishmit në Europë për turizmin arkitektonik.

Rama ishte sot në Qendrën për Inovacion dhe Teknologji “NEST”, një strukturë e Fondit Shqiptar të Zhvillimit që u shërben edhe universiteteve dhe sipërmarrjes ku u prezantua një start up i disa të rinjve shqiptarë për financimin e sektorit të ndërtimit.

Rama u ndal te prania e projekteve të arkitektëve të huaj në Shqipëri, që e konsideroi si një potencial për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Nuk është çështja thjesht e marrjes së një arkitekti dhe një klienti, por është marrja e sjelljes së një kulture komplet tjetër të të parit të gjërave, e një kulture pune dhe një shkolle të jashtëzakonshme për të gjithë arkitektët tanë”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se rëndësinë e kësaj baze të re të krijuar me këtë rrjet arkitektësh ndërkombëtarë, që sipas tij, “të koncentruar në një vend si këtu, nuk e ka asnjë vend tjetër”.

Ndërkohë, arkitektët shqiptarë, sipas tij, “duke punuar me këta mjeshtra marrin zanatin jo më nga bankat e shkollës, por duke punuar me ta në kohë reale”.

“Për të shkuar për të bërë një stazh në studio e atyre arkitektëve është e pamundur. Faktikisht është ëndrra e çdo studenti në Europë dhe Amerikë që të mund të bëjnë një stazh në studiot e tyre. Ndërkohë që ne kemi krijuar kushtet që të gjitha studiot e arkitektëve tanë lokalë të zhvillojnë një stazh real, në kohë reale”, tha Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se në 5 apo 10 vitet e ardhshme Shqipëria pa diskutim do të ketë të paktën 1 ose 2 emra të mëdhenj në arkitekturën botërore.

“Shqipëria ka talente, por shkolla jonë e arkitekturës nuk është ndër më të mirat në Europë. Edhe sikur të ishte, atë që e mëson në praktikën e përditshme duke punuar me investitorë dhe duke punuar me ndërtues me projekte të këtyre përmasave nuk e mëson kurrë në bankat e shkollës”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Rama tha se “është detyra jonë e përbashkët që këta njerëz t’i mbajmë lidhur me vendin tonë”.

“Bëhet fjalë për një kapacitet të jashtëzakonshëm, një kapital i jashtëzakonshëm njerëzor që është akumuluar dhe duhet t’i mbajmë lidhur duke punuar besnikërisht me ta. Duke mos e tradhtuar atë dëshirë edhe gjithë atë energji dhe atë punë që ata bëjnë për projektet këtu, duke devijuar nga projektet”, shtoi Rama.

Përtej faktit që kjo është një shkelje e ligjit, kryeministri theksoi se “është edhe një shkelm që i jepet një krijese që ka potencial të jashtëzakonshëm për Shqipërinë.

“Nëse ne arrijmë t’i realizojmë ato projektet besnikërisht Shqipëria do të bëhet destinacion nga më të rëndësishmit në Europë për turizmin arkitektonik. Një godinë bëri Bilbao dhe ndryshoi ekonomia e atij qyteti. Nëse ne arrijmë që projektet që kemi futur në proces t’i realizojmë do të jetë një gjë e jashtëzakonshme për kulturën, trashëgiminë dhe për ekonominë tonë”, shtoi kryeministri Rama.

/r.e/

The post Rama: Shqipëria, potencial për t’u bërë destinacion i rëndësishëm për turizmin arkitektonik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Jo më parashitje dhe klering në ndërtim, akses në financime për të garantuar investimin

TIRANË, 28 korrik /ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se sektori i ndërtimi nuk duhet të bazohet më te parashitja dhe kleringu, pasi mundësitë janë për të pasur akses në forma të tjera financimi.

Rama ishte sot në Qendrën për Inovacion dhe Teknologji “NEST”, një strukturë e Fondit Shqiptar të Zhvillimit që u shërben edhe universiteteve dhe sipërmarrjes ku u prezantua një start up-i të rinjsh shqiptarë për financimin e sektorit të ndërtimit.

Duke folur për zhvillimet në sektorin e ndërtimit, Rama theksoi se e rëndësishme është të fitohet me kohën e realizimit të projekteve.

“Kjo nuk është çështje thjesht masash ligjore, por çështje vetëdijeje nga ana e investitorëve dhe ndërtuesve për të aksesuar këtë treg komplet të ri financiar që mund të bëhet një burim shumë i shpejtë, i thjesht dhe i konsiderueshëm të ardhurash në mënyrë që ndërtimi të mos bazohet te parashitja dhe kleringu. Këto janë dy forma që ishin të kuptueshme dhe pranueshme për një periudhë të caktuar kohe por nuk mund të jenë më as të kuptueshme as të pranueshme sot, kur mundësitë janë për të pasur akses në forma të tjera financimi”, shtoi Kryeministri.

Rama theksoi se bëhet fjalë për një formulë investimesh që është një parashitje e bazuar te garancia e investimit.

“Këtë garanci ta jep fakti se ke menjëherë në dispozicion likuiditete për të ecur pa u angazhuar dhe pa angazhuar njerëz që në gropë, por për të angazhuar financim duke pasur krahët të mbuluar me financim dhe duke arritur që të shtosh vlerën e produktit tënd final që tjetër është kur e shet në gropë dhe kur e shet në fund. Ne kemi parë se si ka ndodhur që apartamente të blera në gropë rishiten nga ata që i kanë blerë në gropë kur ka mbaruar puna dhe rishiten me një çmim shumë më të lartë që e fiton ai që ka blerë në gropë, jo ai që ka ndërtuar”, shtoi Rama.

Në aspektin e interesit publik, Rama tha se kjo ka të bëjë me cilësinë dhe kohën me të cilën realizohen projektet.

“Investitorët duan kohën. Nuk mund t’i japësh një projekt për një godinë në Tiranë dhe pastaj projekti të marri 10 vjet për t’u realizuar. Ata duan të dinë kur fillon, kur mbaron dhe çfarë kapacitetesh ka për ta filluar e mbaruar në kohë”, tha Rama.

Këtu, sipas Kryeministrit, përfshihen faktorë të tjerë që kanë të bëjnë me kapacitete ndërtimore të kompanive me krahun e kualifikuar të punës që është bërë shumë i çmuar.

“Për këtë duhen parë mundësitë e kthimit të sinergjive me kompani ndërkombëtare edhe ndërtimi për të fituar përmes kohës atë që faktikisht nuk e humbet në dukje, por e humbet nga kohëzgjatja e paarsyeshme e një projekti”, nënvizoi ai.

/r.e/

The post Rama: Jo më parashitje dhe klering në ndërtim, akses në financime për të garantuar investimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Arkitektët do të mbajnë përgjegjësi ligjore për ndërtimet që devijojnë nga projekti

TIRANË, 28 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot tek ndërtimet të cilat nuk respektojnë lejen e marrë, duke devijuar nga projekti, ndërsa u shpreh se arkitektët do të mbajnë përgjegjësi ligjore për ndërtimet që devijojnë nga projekti.

Rama ishte sot në Qendrën për Inovacion dhe Teknologji NEST, një strukturë e Fondit Shqiptar të Zhvillimit që u shërben edhe universiteteve dhe sipërmarrjes ku u prezantua një start up-i të rinjsh shqiptarë për financimin e sektorit të ndërtimit.

“Nevojitet një kapërcim i rëndësishëm nga komuniteti i investitorëve dhe ndërtuesve në Shqipëri, që është besueshmëria e projekteve. Projektet me arkitektët e huaj kanë ngjallur një interesim shumë të madh botërisht, i cili tani ka filluar të shtrihet edhe në fushën e investitorëve. Nuk është më një interesim kulturor ose një interesim thjesht i komunitetit të arkitektëve bashkëkohorë në botë, por është një interesim i investitorëve”, tha Rama.

Por, Rama theksoi se përballë besueshmërisë së arkitektëve kemi besueshmërinë e vetë projektit për t’u realizuar, ashtu si e ka paraparë arkitekti dhe jo për t’u marrë leja me projektin e arkitektit dhe pastaj të përfundojë në fund në një projekt që as arkitekti nuk e njeh më.

“Ky është një problem që e kemi sot të shtruar në tryezë. Si do të arrijmë që projektet t’i realizojmë besnikërisht? Bëhet gjithë ajo punë e madhe nga arkitektët bashkë me investitorët dhe ndërtuesit, bëhet gjithë ajo punë për t’i filtruar dhe kaluar në procesin e aprovimit, jepet leja dhe pastaj gjëja shkon në një drejtim të paditur, në një pjesë shumë të madhe të rasteve”, shtoi Rama.

Kryeministri tha se këtu nuk diskutohen detaje të vogla, por bëhet fjalë për volume që ndryshojnë.

“Natyrisht, që nga njëra anë është detyra jonë ta adresojmë këtë problematikë përmes masave të reja ligjore, që patjetër duhet të përfshijnë arkitektin si personin garant të projektit që mban përgjegjësi morale dhe ligjore për realizimin e projektit”, tha Rama.

/r.e/

The post Rama: Arkitektët do të mbajnë përgjegjësi ligjore për ndërtimet që devijojnë nga projekti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Këshilli Europian, 15 milionë euro në mbështetje të FA shqiptare

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Këshilli Europian miratoi masën e dytë të ndihmës dypalëshe në kuadër të Mekanizmit Evropian të Paqes prej 15 milionë eurosh, me qëllim forcimin e kapaciteteve dhe aftësive mbrojtëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, duke e çuar shumën e përgjithshme të mbështetjes për Shqipërinë në 28 milionë euro deri më sot.

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato vlerësoi sot se ky është një hap tjetër i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit BE – Shqipëri në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Shqipëria është një vend partner i afërt dhe i qëndrueshëm i Bashkimit Evropian në politikën e jashtme dhe të sigurisë”, tha ambasadori Gonzato, pas miratimit të masës së dytë të asistencës dypalëshe në kuadër në mbështetje të Forcave të Armatosura shqiptare.

Vendimi plotëson mbështetjen e ofruar tashmë nga Bashkimi Europian dhe synon të forcojë më tej dislokueshmërinë e Forcave të Armatosura shqiptare.

Masa e ndihmës do të rrisë gjithashtu potencialin e Shqipërisë për të kontribuar në operacionet dhe misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) të BE-së, si dhe në koalicionet ndërkombëtare.

Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Kaja Kallas vlerësoi se “Shqipëria është partnere e ngushtë dhe e përhershme e BE-së në politikat e jashtme dhe ato të sigurisë, kontribuuese në operacionet e BE-së dhe aleate e NATO-s”.

Kallas theksoi se “forcimi i bashkëpunimit me Shqipërinë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes përforcon drejtpërdrejt stabilitetin, sigurinë dhe paqen në Evropë”.

Vendimi i Këshillit ilustron angazhimin e fortë dhe të vazhdueshëm të BE-së me Shqipërinë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Ai pasqyron gjithashtu angazhimin e ndërsjellë për të forcuar bashkëpunimin në këtë fushë, duke u bazuar te nënshkrimi i Partneritetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes mes BE-së dhe Shqipërisë në nëntor 2024 dhe çelja e Dialogut të parë të Sigurisë dhe Mbrojtjes në prill 2025.

Miratimi i një pakete të re mbështetëse njeh përputhshmërinë e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

Përmes masës së Mekanizmit Evropian të Paqes, BE-ja do t’u ofrojë Forcave të Armatosura Shqiptare automjete të lehta të blinduara shumëfunksionale, si dhe automjete taktike dhe inxhinierike dhe, kur është e nevojshme, furnizime dhe shërbime përkatëse, duke përfshirë trajnim operativ dhe të mirëmbajtjes.

Mekanizmi Evropian i Paqes u krijua në mars të vitit 2021 për financimin e masave në kuadër të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë për parandalimin e konflikteve, për ruajtjen e paqes dhe për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar.

Në veçanti, Mekanizmi Evropian i Paqes i mundëson BE-së të financojë masa të hartuara për forcimin e kapaciteteve të shteteve të treta, si dhe organizatave rajonale dhe ndërkombëtare në lidhje me çështjet ushtarake dhe të mbrojtjes.

Masa e parë e ndihmës dypalëshe në kuadër të Mekanizmit Evropian të Paqes në mbështetje të Forcave të Armatosura shqiptare, me vlerë 13 milionë euro, u miratua në korrik të vitit 2024.

/m.m/

The post Këshilli Europian, 15 milionë euro në mbështetje të FA shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike, Beci: Shkodra ka nisur të marrë frymë lirisht

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Shkodra ka nisur të marrë frymë lirisht pas lirimit të hapësirave publike.

Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci ndau sot pamje nga qyteti, ndërsa theksoi se bizneset e kanë kuptuar rëndësinë e këtij aksioni.

“Ky është rezultati i 5 ditëve punë nga strukturat e Bashkisë Shkodër dhe bashkëpunimit me bizneset, të cilat kanë kuptuar rëndësinë e këtij aksioni që do të vijojë”, shtoi Beci.

Gjatë gjithë muajit korrik lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror.

Lirimi i hapësirave në qytete dhe plazhet publike në të gjithë vendin, si edhe i hapësirave të përbashkëta mes pallateve, pritet të sjellë më shumë hapësira në shërbim të qytetarëve, si edhe një bashkëjetesë brenda standardeve për të gjithë.

Ky aksion konsiderohet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

/m.m/r.e/

The post Lirimi i hapësirave publike, Beci: Shkodra ka nisur të marrë frymë lirisht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada e SHBA: Partneritet në teknologji dhe inovacion, dy studentë shqiptarë rikthehen pas studimeve në SHBA

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Dy ekspertë të rinj të teknologjisë janë rikthyer në Shqipëri, duke sjellë me vete të gjitha njohuritë e fundit që fituan gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara në programin Global Undergraduate Exchange Program (Global UGRAD).

Ambasada amerikane në Tiranë vlerësoi sot se “partneriteti me Shtetet e Bashkuara, një udhëheqës global në teknologji dhe inovacion, sjell mirëqenie dhe siguri për të dy vendet tona”.

Flavio Skoti studioi shkenca kompjuterike në Georgia College & State University, dhe Dea Basha studioi inxhinieri softueri në Bluefield State University.

“Si e përshkruajnë përvojën? Për Dean, të jashtëzakonshme dhe që të ndryshon jetën”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

/m.m/r.e/

The post Ambasada e SHBA: Partneritet në teknologji dhe inovacion, dy studentë shqiptarë rikthehen pas studimeve në SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministria e Mbrojtjes: 247 efektivë të FA-së dhe 4 helikopterë për shuarjen e zjarreve

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur sot se 247 efektivë të Forcave të Armatosura janë angazhuar për shuarjen e zjarreve në të gjithë vendin.

Përmes një njoftimi për shtyp, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se janë në gatishmëri 31 mjete të ushtrisë dhe emergjencave civile, shërbimet zjarrëfikëse dhe autoambulanca.

Po ashtu, për shuarjen e vatrave të zjarreve janë në gatishmëri 4 helikopterë për ndërhyjet nga ajri në çdo kohë.

Ministria e Mbrojtjes nënvizoi angazhimin e strukturave lokale dhe atyre qendrore në monitorimin e situatës, ndërsa shprehu angazhimin për ndërhyrjet e nevojshme, me prioritet në zonat e banuara.

/m.m/r.e/

The post Ministria e Mbrojtjes: 247 efektivë të FA-së dhe 4 helikopterë për shuarjen e zjarreve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Shkolla “Ndre Mjeda” në Shkodër, standarde bashkëkohore për 800 nxënës e mësues

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Në qytetin e Shkodrës vijon puna për rikonstruksionin e shkollës “Ndre Mjeda”, e cila po rilind me standarde bashkëkohore.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky kantier, ku deri më tani ka përfunduar ndërtimi i shtesës së godinës.

Kryeministri theksoi se shkolla “Ndre Mjeda” po rilind me kushte dhe standarde bashkëkohore për afro 800 nxënësit dhe mësuesit e saj.

“Ky investim i qeverisë shqiptare dhe Bashkisë Shkodër, po merr formë dita-ditës, ku deri më tani ka përfunduar ndërtimi i shtesës së godinës, ndërsa po vijon puna në pjesën e brendshme të shkollës, për të hapur dyert e saj në fillim të vitit të ri shkollor”, theksoi kryeministri.

Shkolla “Ndre Mjeda” nga një godinë e amortizuar pa ngrohje, pa palestër, mësim me dy turne, do të rilindë nga e para, me të gjitha standardet bashkëkohore e pajisur me klasa të bollshme, laboratorë, bibliotekë, palestër dhe hapësira rekreative.

Shkolla e re do të jetë në funksion të 800 nxënësve, ndërkohë që në plan për t’u rindërtuar në qytetin e Shkodrës janë edhe pesë shkolla të tjera.

Projekti për rikonstruksionin e plotë të shkollës përfshin edhe ndërtimin e shtesës në godinën 3-katëshe, një palestër të re me një tarracë të shfrytëzueshme, si dhe instalimin e një sistemi ngrohjeje dhe ftohjeje të ri. Po ashtu, do të kryhet edhe sistemimi i sheshit të shkollës.

/m.m/r.e/

The post Rama: Shkolla “Ndre Mjeda” në Shkodër, standarde bashkëkohore për 800 nxënës e mësues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hiqen 85 komplete me çadra dhe shezlongë te Kepi i Rodonit në Durrës, procedohet 59-vjeçari

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna pa lejen përkatëse nga subjekte të ndryshme, përmes vendosjes së çadrave dhe shezlongëve.

Gjatë kontrolleve, në hapësira publike në plazhin e Kepit të Rodonit, u hoqën dhe u sekuestruan gjithsej 85 komplete me çadra dhe shezlongë, të vendosura në mënyrë të paligjshme nga një shtetas.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. S., 59 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet gjatë sezonit veror.

Policia e Shtetit apelon të gjithë qytetarët dhe subjektet që të respektojnë hapësirat publike dhe të mos ndërhyjnë në mënyrë të paligjshme në to, pasi çdo shkelje do të pasojë me masa administrative dhe penale, sipas ligjit.

/m.m/r.e/

The post Hiqen 85 komplete me çadra dhe shezlongë te Kepi i Rodonit në Durrës, procedohet 59-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dy vatra zjarri aktive në qarkun e Korçës, Prefektura: Po punohet për neutralizimin e plotë të flakëve

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Dy vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në territorin e Qarkut Korçë, konkretisht në fshatrat Dishnicë (bashkia Korçë) dhe Strelcë (bashkia Maliq).

Në një njoftim zyrtar për mediet, Prefektura e Korçës bëri të ditur se situata në të dyja zonat është nën kontroll të vazhdueshëm, ndërsa forcat në terren po punojnë për neutralizimin e plotë të flakëve.

“Zjarri në fshatin Dishnicë është aktiv me intensitet të ulët. Terreni i thyer dhe me bimësi të dendur e ka vështirësuar ndërhyrjen, por përpjekjet për shuarjen e plotë janë në fazën përmbyllëse”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Ndërkohë zjarri në fshatin Strelcë është aktiv vetëm në vatrën veriore me intensitet të ulët.

Forcat në terren po monitorojnë situatën dhe po punojnë për ta mbajtur nën kontroll.

Prefektura e Qarkut Korçë shprehet se vijon të qëndrojë në gatishmëri të lartë, duke siguruar bashkëpunimin e nevojshëm me të gjitha strukturat përkatëse për administrimin e situatës.

/m.m/r.e/

The post Dy vatra zjarri aktive në qarkun e Korçës, Prefektura: Po punohet për neutralizimin e plotë të flakëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Britanikja këndon këngë shqiptare, Rama: Shqiptar bëhesh edhe me zemër


TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Shqipëria është kthyer në një destinacion të preferuar për shumë të huaj, të cilët kanë zgjedhur të punojnë dhe të jetojnë këtu.

Të tërhequr nga tradita dhe kultura shqiptare, ata janë integruar më së miri në shoqërinë shqiptare.

I tillë është rasti i britanikes Sara Payman, e cila është pasionuar pas muzikës shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale tingujt e këngës “Rrjedh në këngë e ligjërime”, të interpretuar nga Sara.

“Me emocionet e muzikës shqipe që buron nga britanikja Sara Payman, e cila i këndon këngët si të ishin të gjakut të saj, duke na kujtuar se shqiptar bëhesh edhe me zemër përmes dashurisë për këtë vend siç Sara ka zgjedhur Shqipërinë”, u shpreh Rama.

E lindur në Kembrixh dhe e diplomuar për stomatologji, Sara la Britaninë e Madhe dhe u vendos në Shqipëri. Në intervista të mëparshme televizive ajo ka treguar tërheqjen e saj për kulturën shqiptare, veçanërisht për muzikën, të cilën e interpreton me pasion.

/m.m/r.e/

The post Britanikja këndon këngë shqiptare, Rama: Shqiptar bëhesh edhe me zemër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Shijet tradicionale të Shqipërisë po fitojnë zemra në mbarë botën

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Tradita e kulinarisë shqiptare mbetet një pikë e fortë krahas bukurive natyrore për tërheqjen e turistëve të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot një pjesë nga rrugëtimi 6-ditor i dy blogerëve të shijes  Daniel Balilti dhe videografes Lihi Parnes në zbulim të kuzhinës autentike shqiptare.

Shijet tradicionale të Shqipërisë, sipas kryeministrit, “po fitojnë zemra në mbarë botën”.

“Blogerët e shijes Daniel Balilti dhe videografia Lihi Parnes zbulojnë kuzhinën tonë autentike gjatë një qëndrimi 6-ditor të organizuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit””, bëri të ditur Rama.

Produktet bio dhe gastronomia shqiptare kanë potencial jo vetëm për të rritur ekonominë vendase, por edhe për fuqizuar sektorin e turizmit duke tërhequr gjithnjë e më shumë të huaj.

4,76 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë gjatë 6 muajve të këtij viti. Vetëm në qershor 2025 Shqipërinë e vizituan 1 329 204 turistë të huaj, ose 7% më shumë krahasuar me qershor 2024.

/m.m/j.p/

The post Rama: Shijet tradicionale të Shqipërisë po fitojnë zemra në mbarë botën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali në Kamzë: One Stop Shop me asistencë falas për aplikimet në e-Albania


TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Prej 1 viti, sporteli One Stop Shop në bashkinë e Kamzës ofron asistencë të drejtpërdrejtë për aplikimet elektronike në platformën e-Albania.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali vizitoi sot bashkinë e Kamzës, ku gjatë 2024-ës janë ofruar rreth 1500 shërbime, duke garantuar mbështetje të vazhdueshme për qytetarët.

“Falë dixhitalizimit të administratës, 95% e shërbimeve publike sot realizohen online, pa nevojë për prezencë fizike në institucionet shtetërore, ndaj lehtësimi i aksesit në përdorimin e platformës është më i rëndësishëm se kurrë”, u shpreh ajo.

Spiropali theksoi se aktualisht në këtë bashki funksionojnë 5 sportele mbështetëse, të shpërndara në Njësitë Administrative, ku mesatarisht.

95% e shërbimeve publike të institucioneve qendrore janë tashmë të aksesueshme me një klikim të vetëm duke ofruar shërbime për mbi 3,3 milionë qytetarë dhe biznese.

/m.m/j.p/

The post Spiropali në Kamzë: One Stop Shop me asistencë falas për aplikimet në e-Albania appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌