Vendbanimi palafit më i vjetër në Evropë, shtohen turistët në fshatin piktoresk të Linit
TIRANË, 16 gusht/ATSH-Klotilda Saraçini/ Lini, fshati piktoresk buzë liqenit të Ohrit, rreth 22 km larg Pogradecit është ndër më të preferuarit sidomos nga turistët e huaj.
Pas zbulimeve të fundit më të jashtëzakonshme arkeologjike, ku Lini konsiderohet si vendbanimi palafit më i hershëm i zbuluar ndonjëherë në Europë, ai po tërheq edhe më shumë turistë të huaj.
Ekipi i ATSH-së vizitoi Linin ndërsa gushti me temperaturat e larta ndihet më pak se kudo pranë liqenit, duke tërhequr vizitorë të shumtë, të cilët interesohen edhe për zbulimet e fundit rreth vendbanimeve palafite në zonë.
Kryetari i bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli konfirmoi për ATSH-në se “zbulimi i palafiteve rreth 8000-vjeçare në Lin ka ndikuar në rritjen e numrit të turistëve, veçanërisht atyre të huaj”.
Peizazhi i gushtit me barin e përzhitur nga nxehtësia që krijon mirazhe në ajër bashkohet me nuancat e kaltra e të gjelbra të ujërave të liqenit poshtë fshatit.
Teksa hyn në fshatin turistik të Linit, ajo që çdo turist dëshiron të vizitojë është Bazilika e Linit.
“Gjatë këtij sezoni e kanë vizituar Bazilikën e Linit 4735 turistë, prej të cilëve 3298 janë të huaj dhe 1437 vendas. Vendndodhja në majë të kodrës e bën edhe më interesante pasi turistët që shohin këtë monument kulture përballen edhe me pamjen piktoreske që ofrohet nga aty”, tha Xhakolli.
Kryebashkiaku Xhakolli bëri të ditur se “në Lin ka një projekt që është në zbatim për kanalizimin e ujërave të ndotura dhe ndërtimin e muzeut për zbulimet e bëra kohët e fundit në lidhje me vendbanimet palafite rreth 8000-vjeçare”.
Gjithashtu, Xhakolli tha se “fshati i Linit hyn tek projekti i 100 fshatrave dhe është gati një projekt për ndërhyrjen në infrastrukturë në këtë fshat nga qeveria”.
Në Lin vitet e fundit janë ndërtuar një sërë bujtinash, që mirëpresin me qindra turistë nga mbarë bota.
Rozeta Bicja, e ka kthyer shtëpinë e saj në qendër të Linit prej 14 vitesh në një bujtinë që e ka quajtur “Shtëpia e Luleve”.
“Turistët që vijnë në Lin, janë nga të gjitha vendet e botës, por këtë vit më shumë kanë qenë nga Gjermania, Franca, Holanda, Zvicra, Austria, Anglia, SHBA-ja etj. Ata pëlqejnë më shumë bujtinën për faktin se kemi ruajtur shtëpinë tradicionale me gurë”, tha Bicja për ATSH-në.
Bicaj theksoi se “mes shumë detajesh në bujtinën tonë, spikasin kostumet etnografike, qilimat e punuar në vegël, që familja jonë i ka ruajtur brez pas brezi”.
Sipas saj, turistët pëlqejnë shumë edhe gastronominë e zonës.
“Ndër ushqimet më të pëlqyera nga turistët janë sigurisht lakrori dhe tava e Koranit, që përgatiten nga amvisat pogradecare”, tha Bicaj.
Lini, fshati i vogël buzë liqenit të Ohrit, që të shfaqet menjëherë sapo zbret Qafëthanën në Pogradec ka një bukuri të rrallë dhe peizazh mahnitës.
Gojëdhënat tregojnë që dikur gadishulli i Linit ka qenë një ishull i bukur me bimësi të dendur. Jeta në këtë gadishull ka filluar në periudhën e parë të Epokës së Hekurit (kohë së cilës i përkasin edhe mozaikët e famshëm të Linit, të cilët gjenden mbi kodër) dhe ka vazhduar deri në kohën e Mesjetës së Hershme. Ndërsa për origjinën e emrit ka shumë histori.
Njëra prej tyre thotë se, kur ushtarët e Jul Çezarit mbërritën në këtë kodër u mahnitën aq shumë, sa bërtitën “Lyhnidas”, që do të thotë “Liqeni i Dritës”.
Ndërsa vetë banorët shprehen se dikur fshati shtrihej deri në mesin e Liqenit dhe më pas u krijua fshati i ri. Të gjithë thoshin: “Lindi fshati” dhe që atëherë u quajt Lin, si shkurtim i fjalës “Lindi”.
/k.s/j.p/
The post Vendbanimi palafit më i vjetër në Evropë, shtohen turistët në fshatin piktoresk të Linit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.