Denaj fton të rinjtë të zgjedhin shkollën profesionale Kamzë
TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Promovimi i arsimit dhe formimit profesional si një zgjedhje e qëndrueshme për të rinjtë, mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare. Kjo politikë synon përgatitjen e brezave të rinj për tregun e punës, përmes përmirësimit të vazhdueshëm të standardeve në shkollat profesionale në të gjithë vendin.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po punon gjithashtu për të nxitur të rinjtë të ndjekin shkollat e mesme profesionale me profil bujqësor, me qëllim forcimin e këtij sektori jetik për zhvillimin ekonomik të vendit.
Për të arritur këtë objektiv, MBZHR po ndërmerr një sërë hapash konkretë si promovimi efektiv i arsimit profesional, përmirësimi i kurrikulave dhe infrastrukturës mësimore, ofrimi i mundësive tërheqëse për nxënësit dhe bashkëpunimi i ngushtë me industrinë dhe komunitetin lokal.
Ministrja Anila Denaj i ftoi sot të rinjtë të zgjedhin Shkollën Profesionale Kamzë ku ofrohen programe studimi në agrobiznes dhe bujqësi, si një mundësi për të dhënë kontribut konkret në zhvillimin e këtij sektori në përputhje me strategjinë “Bujqësia 2030”.
Shkolla “Kamzë” ofron gjithashtu programe të ndryshme në fushat e hoteleri-turizmit, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), shërbimeve teknike dhe transportit, shërbimeve sociale dhe shëndetësore, si dhe elektronikës, duke ofruar një gamë të gjerë mundësish për nxënësit.
Procesi i aplikimit për klasën e 10-të kryhet përmes “e-Albania”-s, ku çdo prind mund të aplikojë online dhe më pas merr përgjigjen nga shkolla.
Edhe pse arsimi profesional shpesh është parë si një alternativë e dytë nga prindërit dhe vetë të rinjtë, realiteti i tregut të punës tregon të kundërtën. Sot, kërkesa për punonjës të kualifikuar është e lartë.
Bizneset po kërkojnë vazhdimisht staf të specializuar, sidomos në sektorët e turizmit, bujqësisë dhe teknologjisë.
Statistikat tregojnë se mbi 60% e nxënësve të arsimit profesional punësohen që gjatë vitit të dytë apo të tretë të shkollës, çka e bën këtë formim një rrugë të sigurt drejt një karriere të suksesshme. /j.p/
The post Denaj fton të rinjtë të zgjedhin shkollën profesionale Kamzë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.