Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 4 August 2025Main stream

Ambasadori gjerman viziton fshatin Bisnicë në Pogradec

4 August 2025 at 19:21

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner vizitoi së fundmi fshatin Bishnicë në rrethin e Pogradecit, ku organizata gjermane humanitare “Christliches Hilfswerk Wismar” prej shumë vitesh zhvillon punë sociale dhe me të rinjtë.

Ambasada financoi sigurimin e materialeve të ndërtimit për një qendër shëndetësore, e cila u ndërtua me punë vullnetare.

Mirëmbajtja e godinës sigurohet nga Bashkia e Pogradecit, e cila në të njëjtën ndërtesë menaxhon edhe një shkollë komunitare.

Ky projekt është një shembull i bukur i ndihmës “Hilfe zur Selbsthilfe” dhe i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të ndryshme.

Ambasada gjermane shprehu në një postim në rrjetet sociale falenderime të përzemërta për Bashkinë, komunën Vërçan dhe organizatën “Christliches Hilfswerk Wismar”, si dhe për kryetarin e saj të palodhur, Frieder Weinhold.

“Së bashku kemi dhënë një kontribut të rëndësishëm për të ardhmen e Bishnicës”, thekson Ambasada gjermane.

/gj.m/r.e//a.f/

The post Ambasadori gjerman viziton fshatin Bisnicë në Pogradec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPAK çon për gjykim pesë shtetas për blerje votash në zgjedhjet e 2023-shit

4 August 2025 at 17:38

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, kërkesën për gjykim të çështjes penale nr. 161 të vitit 2023, në ngarkim të shtetasve Limon Shala, Fatmir Thaçi, Florant Saraçi, Engjell Cara dhe Shkëlqim Hoxha.

Në përfundim të hetimeve të kryera, të mbështetura në prova dhe analiza ligjore, ka rezultuar se shtetasit Engjell Cara, Limon Shala, Fatmir Thaçi dhe Florant Saraçi janë vënë nën akuzë për kryerjen e veprës penale,“Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.

Shtetasi Shkëlqim Hoxha akuzohet për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Hetimet treguan se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë siguruar dhe ofruar bileta udhëtimi të parapaguara për persona të ndryshëm (të dokumentuara në 64 raste), me qëllim që të votonin në favor të kandidatit Shkëlqim Hoxha, në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë.

Gjithashtu, ka rezultuar se shtetasi Shkëlqim Hoxha ishte në dijeni të kësaj veprimtarie të paligjshme, më konkretisht se shtetasit Fatmir Thaçi dhe Limon Shala ishin të angazhuar në sigurimin dhe ofrimin e biletave të udhëtimit për persona të ndryshëm, me qëllim pjesëmarrjen në votime si dhe dhënien e votës në favor të tij, për shkak të cilësisë së tij si kandidat i Partisë Demokratike për Bashkinë Rrogozhinë. Ai nuk e ka kallëzuar në organet kompetente, në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, konkretisht nenin 300 i Kodit Penal.

Procedimi penal nr. 161/2023 është bashkuar me procedimin penal nr. 162/2023, duke u hetuar si një çështje e vetme, për shkak të përputhjes së fakteve dhe subjekteve nën hetim.

Regjistrimi i procedimeve është bërë mbi bazën e referimeve të përcjella nga strukturat hetimore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

/gj.m/r.e//a.f/

The post SPAK çon për gjykim pesë shtetas për blerje votash në zgjedhjet e 2023-shit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Shtetit njofton procedurat për studimin në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit

4 August 2025 at 17:34

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Policisë e Shtetit njoftoi sot për plotësimin e formularit A1/A1Z për të gjithë punonjësit e Policisë që duan të studiojnë në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, dhe për ata shtetas që kanë përfunduar shkollën e mesme edhe përpara vitit 2024.

Në vijim të procedurave të konkurrimit të hapur me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për ndjekjen e programit të studimit “Siguria dhe Hetimi”, cikli i parë i studimeve “Bachelor”, në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, në Akademinë e Sigurisë, për 150 kuota të lira, të shtetasve që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, Policia e Shtetit njofton se, “në zbatim të Urdhrit nr. 189, datë 04.08.2025, Qendra e Shërbimeve Arsimore ka miratuar periudhën e aplikimeve me formularin A1/A1Z, për Maturën Shtetërore 2025, më datë 06 gusht 2025″.

Sa më sipër, Policia e Shtetit sqaron se formulari A1 dhe A1Z do të jetë aktiv për t’u plotësuar më datë 06 gusht 2025, nga ora 08:00 deri në orën 16:00, në shërbimin elektronik “Matura Shtetërore”, nëpërmjet portalit e-Albania.

Formulari A1 duhet të plotësohet nga maturantët e këtij viti shkollor, ndërsa formulari A1Z plotësohet nga të gjithë kandidatët që duan të aplikojnë për ndjekjen e studimeve të arsimit të lartë.

Formularët A1/A1Z plotësohen fillimisht online nëpërmjet portalit e-Albania dhe më pas duhet të konfirmohen në shkollën përkatëse nga vetë maturanti ose kandidati.

Në kategorinë kandidat përfshihen dhe punonjësit e Policisë të cilët janë të interesuar për të ndjekur programin e studimit “Siguria dhe Hetimi”, cikli i parë i studimeve “Bachelor”, në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, në Akademinë e Sigurisë.

Ky proces lidhet me raundin e dytë, sipas kalendarit të aplikimeve për universitet 2025, të miratuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe Qendra Ndërinstitucionale e Rrjetit Akademik Shqiptar, bën të ditur Policia e Shtetit.

/gj.m/r.e//a.f/

The post Policia e Shtetit njofton procedurat për studimin në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijon lirimi i hapësirave publike, Rama: Iku dhe treni… vazhdojmë

4 August 2025 at 17:18

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Lirimi i hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike nga disa subjekte private të cilat kishin zaptuar pa leje hapësirën publike.

“Iku dhe treni… Vazhdojmë”, shkruan Rama, teksa ndan një video ku tregohen sesi bizneset po lirojnë hapësirat e zaptuara, që tashmë po u rikthehen qytetarëve.

Lirimi i hapësirave publike shihet si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Lirimi i hapësirave publike ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

1 nga 4

/gj.m//a.f//r.e/

The post Vijon lirimi i hapësirave publike, Rama: Iku dhe treni… vazhdojmë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: 170 evente këtë gusht me aplikacionin TEA

4 August 2025 at 17:06

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Aplikacioni TEA (Tourism Events of Albania) këtë sezon veror ofron një përvojë të përmirësuar dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë ata që dëshirojnë të eksplorojnë bukuritë natyrore dhe kulturore të vendit.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se në këtë aplikacion turistët e shumtë vendas dhe të huaj, që po vizitojnë vendin tonë, mund të gjejnë 170 evente këtë gusht.

Mes këtyre eventeve përfshihen koncerte, festa, tradita dhe më shumë. Rama ftoi të gjithë të interesuarit ta instalojnë këtë aplikacion, për të mos humbur asnjë nga aktivitetet turistike që zhvillohen në vend.

“170 Evente këtë gusht. Koncerte, festa, tradita dhe më shumë – të gjitha në TEA. Shkarko tani dhe zgjidh ku do të jesh këtë verë  tourismeventsofalbania.com”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Aplikacioni TEA, i vetmi udhërrëfyes digjital i Shqipërisë turistike është një shembull i shkëlqyer sesi teknologjia mund të përdoret për të përmirësuar dhe modernizuar përvojën turistike, duke ofruar informacion të shpejtë, të saktë dhe të përshtatur për turistët.

Që nga prezantimi i tij, ky aplikacion u ka mundësuar turistëve të kenë një përvojë më të pasur dhe të lehtë në eksplorimin e destinacioneve turistike të vendit. Me TEA, turistët navigojnë nëpër destinacione të ndryshme turistike të Shqipërisë. Ata njihen me monumentet historike, aktivitetet kulturore dhe artistike, por edhe informacion mbi shërbimet utilitare në nevojë të turistëve, si: hotele, bare e restorante, kontakte, etj.

TEA e sjell informacionin të organizuar në një format të thjeshtë, duke u mundësuar udhëtarëve të planifikojnë lehtësisht itinerarin e tyre të pushimeve.

Ky aplikacion është i disponueshëm falas në Apple Store dhe në Play Store dhe është projekt i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe i Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

/gj.m/r.e//a.f/

The post Rama: 170 evente këtë gusht me aplikacionin TEA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bergner viziton shkollën verore arkeologjike në Pogradec

4 August 2025 at 16:50

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Ambasadori i Gjerminisë në Shqipëri, Karl Bergner vizitoi javën e shkuar një shkollë verore arkeologjike në Pogradec me studentë dhe staf pedagogjik nga Shqipëria, Gjermania, SHBA, Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Kina.

Ambasada gjermane në Tiranë vuri theksin tek angazhimi dhe entuziazmi i pjesëmarrësve që ishin mbresëlënës.

Njëkohësisht, Ambasada thekson se, shkolla është një shembull i bukur se si bashkëpunimi shkencor mund të kontribuojë në mirëkuptimin mes popujve.

Në periudhën e Neolitit (që është tema e shkollës verore), kufijtë nuk kishin aspak rëndësi; akoma më shumë kishin rrjetet tregtare ndërkufitare (shpeshherë me mijëra kilometra).

Gjetjet nga gërmimet dëshmojnë në mënyrë mbresëlënëse se çfarë roli të rëndësishëm ka pasur pellgu i Korçës që në periudhën e Neolitit.

Shkolla verore është një bashkëpunim mes Universitetit të Këlnit, Universitetit të Tiranës, Universitetit Goce Delčev të Shtipit (Maqedonia e Veriut) dhe Institutit të Arkeologjisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ajo mbështet punën e “Korça Regional Neolithic Project”, një bashkëpunim mes Institutit të Arkeologjisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Universitetit të Këlnit dhe University at Buffalo.

1 nga 5

/gj.m/r.e//a.f/

The post Bergner viziton shkollën verore arkeologjike në Pogradec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Dështon tentativa e fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 26 korrik /ATSH/ Deputetët kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin e Kosovës edhe në vazhdimin e seancës pak para mesnatës.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka tentuar sërish të formojë komisionin e fshehtë për votimin e kryeparlamentarit, por kjo nuk është mbështetur nga partitë e tjera parlamentare.

Vazhdimi i kësaj seance u bë pak para mesnatës, pas një tjetre që u mbajt mesditën e së shtunës.

Kjo ishte tentativa e fundit për konstituimin e Kuvendit pak para se të mbyllet afati 30-ditor, i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e trupave të Kuvendit.

Sipas vendimit të Kushtetueses, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë veprim apo vendim lidhur me konstituimin e legjislaturës së nëntë nga 27 korriku e deri më 8 gusht. /KosovaPress/

The post Dështon tentativa e fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu nga Baza e Kuçovës: 36 vatra zjarri në 24 orët e fundit, të gjitha forcat në gatishmëri nga ajri e toka

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndodhet sot në qarkun e Beratit, ku po ndjek nga afër operacionin për shuarjen zjarrit në zonën e Shpiragut dhe monitorimin nga baza e Kuçovës, prej nga ngrihen edhe avionët e ardhur nga misionet e vendeve partnere.

Në një deklaratë për mediet nga kjo bazë, Vengu bëri një pasqyrë të situatës në 12 qarqet.

Vengu informoi për situatën e vatrave të zjarrit, aksionin nga toka dhe ajri, rreziqet dhe masat e marra deri tani.

Ministri shpjegoi se sot ka qenë një nga ditët më të nxehta që nuk e favorizuan situatën e zjarreve, me temperatura 44-45 gradë, teksa ndërhyrjet vijojnë me intensitet.

Numërohen 36 vatra zjarri vetëm gjatë 24 orëve të fundit, ku janë shuar 12 dhe 24 mbeten aktive. Tre qarqe janë problematike: Vlorë, Berat dhe Dibër. Aktive në misione edhe baza e helikopterëve të Farkës.

“Gjendemi në bazën e Kuçovës, nga ku monitorohet situata dhe janë angazhuar forca, përfshi edhe avionët Canadair prej 48 orësh në të gjitha vatrat e zjarreve në mbarë vendin, sikurse edhe në bazën e Farkës, nga ku operojnë helikopterët. Situata shkoi edhe sipas parashikimeve, pasi temperaturat ishin të larta, kapën shifra ekstreme deri në 44-45 gradë celcius. Për këtë arsye kemi pasur një situatë me 36 vatra të deklaruara në mbarë vendin dhe për të cilat punohet me të gjitha mjetet për fikjen e tyre. Janë shuar 12 prej tyre dhe 24 janë ende aktive. Në terren ndodhen edhe forcat e shumta në të gjitha bashkitë. Aktualisht operacioni nga ajri është pezulluar për shkak të errësirës dhe do rinisi nesër. Bëhen plane punë operacionale për ndërhyrje një ditë para”, tha ministri.

Ai dha detaje edhe për hartën e zjarreve dhe zonat më kritike ku është përqëndruar vëmendja e trupave dhe institucioneve.

“Më të prekura janë 3 qarqe, i Vlorës, Dibrës, ku angazhohen edhe dy helikopter dhe forca nga Tirana dhe situata është përmirësuar ndjeshëm. Ka pasur intensitet të vatrës. Si dhe në qarkun e Beratit, ku ka pasur vatra aktive, por e kemi mbajtur nën kontroll situatën si në Paftal, ashtu edhe në Shpirag, ku jemi mbështetur nga helikopterët, si dhe forcave aleate kroate dhe italiane që kanë bërë fluturime në disa qarqe. Jemi përqendruar në Borsh, Piqeras, Selenicë, Shashicë, kaninë dhe forcat janë të angazhuara në terren. Mbahen nën kontroll dhe me përqëndrim banesat, antenat, urbanistika, tunelet, transformatorët dhe kemi një kontroll të situatës me forca në terren dhe do qëndrojmë në gatishmëri gjatë gjithë natës, për të rinisur në mëngjes”, tha ai.

Ministri deklaroi se edhe mbështetja që kanë gjetur nga vënedet partnere dhe Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile ka qenë i madh.

“Kemi pasur mbështetje të plotë të forcave aleate, ka vajtje-ardhje të mjeteve të këtyre aleatëve, shkojnë dhe vijnë për misione. Por janë prezentë edhe nga vende të tjera dhe do vijojnë, ku i gjithë mekanizmi i mbrojtjes europiane është në gatishmëri”, theksoi Vengu.

/gj.m/

 

 

 

The post Vengu nga Baza e Kuçovës: 36 vatra zjarri në 24 orët e fundit, të gjitha forcat në gatishmëri nga ajri e toka appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata e zjarreve në vend, PD thirrje qytetarëve: Largohuni nga zonat në rrezik 

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Partia Demokratike  reagoi sot për situatën e zjarreve në vend.

Në një deklaratë për mediet, PD u bërn thirrje banorëve, qytetarëve dhe turistëve të tregojnë kujdes të shtuar, të largohen sa më parë nga zonat e kërcënuara dhe të ndihmojnë këdo në rrezik.

“Nga Jugu në Veri, Shqipëria është pushtuar nga zjarret. Ndërkohë që, u bëjmë thirrje banorëve, qytetarëve dhe turistëve të tregojnë kujdes të shtuar, të largohen sa më parë nga zonat e kërcënuara, dhe të ndihmojnë këdo në rrezik. Partia Demokratike shpreh indinjatën e thellë me reagimin minimalist dhe thuajse përqeshës të autoriteteve”, thekson PD.

Sipas PD, “jo vetëm ndërhyrjet bëhen me vonesë, por janë mungesa e alarmit dhe angazhimit që e bëjnë situatën të duket edhe më kaotike, kërcënuese dhe dëshpëruese”.

“Zjarret, përmbytjet, fatkeqësitë natyrore përsëriten në Shqipëri, si në të gjithë botën, dhe kjo nuk është në dorë të qeverive, por përgatitjet, gatishmëria, vullneti, janë detyrë dhe në dorë të tyre”, nënvizon PD.

“Siç e kemi parë prej vitesh, qeveria dërgon ushtrinë dhe zjarrfikësit, të cilët u sulen zjarreve me shkurre, me lopata dhe batanije, si në një vend të Botës së Tretë, apo të sapodalë nga lufta dhe në mungesë të mjeteve bazike”, shton PD.

“Një pamje tjetër shohim prej tri javësh në Theth, Tiranë dhe gjithandej nëpër Shqipëri. Për të shembur bujtinat në Theth dhe marrë para shitësit të rigonit në Sarandë, qeveria dërgoi IMT, Tatimet, Policinë dhe Ushtrinë, me mjete të rënda, me arrogancë, të armatosur deri në dhëmbë, në luftë me qytetarët”, shprehet PD.

PD thekson se, “Për Edi Ramën, prioritet absolut është uzurpimi i pushtetit lokal, jo zjarret dhe dhjetëra problemet që kërcënojnë qytetarët dhe jetën e tyre. Për Edi Ramën, prioritet është spektakli me satelitët “Albania 1” dhe “2”, apo dronët për të cilët, pasi i hedh në Facebook për t’u mburrur nuk ka kush as t’i lexojë dhe as kush t’i komandojë. Sepse, Edi Rama e ka bërë ushtrinë e një vendi të NATOs, një organizatë që shkon të fikë zjarret me shkurre dhe pagure”.

Prandaj, shton PD, “përballja me zjarret dhe fatkeqësitë natyrore që kërcënojnë qytetarët janë të mekura”.

“Do të jetë kështu këtë verë dhe tjetrën, sepse Edi Rama nuk kujtohet dhe as kujdeset për infrastrukturën e shtetit, për fondet e emergjencave, për modernzimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit. Paratë që i merr nga taksat i bën shpenzime luksi për vete dhe ministrat, udhëtime me carter, koncerte të shtrenjta apo kopësht 4 milion euro në oborrin e Kryeministrisë”, shton PD.

“Edi Rama është me pushime, pasi bëri zhurmën me drejtorët, me heqjen e tendave dhe terrorizimin e Thethit, por zjarret nuk bëjnë pushim dhe pyjet, territori, bizneset, shtëpitë dhe jeta e qytetarëve është në rrezik. Edi Rama nuk është zjarrfikës, por ai nuk mund të lejohet të jetë Kryeministri që hedh Shqipërinë në zjarr”, përfundon deklarata e PD.

/gj.m/

The post Situata e zjarreve në vend, PD thirrje qytetarëve: Largohuni nga zonat në rrezik  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Vendoset nën kontroll zjarri në fshatin Markat në Konispol

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Zjarri në fshatin Markat në Konispol është vendosur nën kontroll, falë ndërhyrjes së shpejtë dhe të koordinuar të forcave në terren.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndau sot pamje nga operacioni I shuarjes së zjarrit në këtë fshat, ku morën pjesë  2 automjete zjarrfikëse me 6 efektivë nga MZSH Konispol, 2 automjete me 12 efektivë nga BMEC dhe 1 helikopter i Forcave të Armatosura.

Vengu theksoi se falë reagimit të menjëhershëm, u shmang përhapja e flakëve në zona të banuara dhe me rëndësi bujqësore.

1 nga 5

/gj.m/

The post Vengu: Vendoset nën kontroll zjarri në fshatin Markat në Konispol appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga plazhi i Golemit

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga plazhi i Golemit.

Plazhi i Golemit, i ndodhur në zonën e Kavajës vetëm pak kilometra nga Durrësi dhe rreth 40 minuta nga Tirana, mbetet një nga destinacionet më të preferuara të pushuesve vendas dhe të huaj gjatë sezonit veror.

Me një vijë bregdetare të gjatë, rërë të artë, ujëra të pastër kristal dhe një peizazh që përputh natyrën me infrastrukturën turistike, Golemi është kthyer në një magnet për turizmin bregdetar shqiptar.

Vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm hotelet, resortet, vilat dhe restorantet që ofrojnë shërbime cilësore dhe mikpritje tradicionale.

Së fundmi në këtë plazh mudn të shijohet edhe një eksperienca off-road në plazhin e Golemit.

Kjo iniciativë e veçantë ofron udhëtime nëpër shtigje të fshehura dhe terrene sfiduese, ku natyra e egër takon emocionin e aventurës.

Destinacioni është ideal për të zbuluar peizazhe të mrekullueshme dhe vende që rrallë shihen nga turistët e zakonshëm.

Turizmi off-road është një formë e turizmit aventurier që konsiston në udhëtime dhe eksplorime nëpër terrene të vështira, natyrore dhe jashtë rrugëve të asfaltuara, duke përdorur mjete të posaçme si fuoristrada (4×4), quad, motoçikleta etj.

/gj.m/

The post Rama ndan pamje nga plazhi i Golemit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Temperatura e larta, OST dhe OSHEE rrisin gatishmërinë për furnizimin me energji elektrike

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Strukturat e sektorit energjetik kanë rritur gatishmërinë në rang vendi, për të minimizuar problemet e furnizimit me energji, në kushtet e rritjes së temperaturave.

OST dhe OSSH, po ndërveprojnë ngushtësisht për të eliminuar sa më shpejtë pasojat që sjell rritja e konsumit dhe regjimi i sforcuar i funksionimit të pajisjeve elektrike.

Konkretisht, linja 110kV Elbasan – Kusath u stakua për shkak të dëmtimit të transformatorit të rrymës, problem që u zgjidh menjëherë nga grupet e OST, duke zëvendësuar në kohë rekord pajisjen.

Në Bistricë, nënstacioni 110/35kV pati problem me transformarorin, duke sjellë stakim të energjisë elektrike deri në 15 minuta për dy nënstacionet e Sarandës dhe atë të Gjirokastrës.

Brigadat e OST dhe OSSH morën masa të menjëhershme për zëvendesimin e pajisjes së dëmtuar në pronësi të Kurum, dhe rikthyen në funksion të plotë sistemin e transmetimit.

Po këto ditë, konkretisht dje, pati një zjarr tek transformatori i fuqisë 110/10kV, në nënstacionin e Ibes, Tiranë. Përmes skemës unazë iu dha energji elektrike brenda një kohe të shkurtër pjesës më të madhe të zonave të prekura.

Brigadat e OSSH dhe OST kanë punuar pa ndërprerje për rivënien në punë dhe zëvendësimin e pjesëve elektrike të dëmtuara në nënstacionin e Ibës. Ky nënstacion është kycur dhe rivendosur në regjim pune sot rreth orës 11.00 të ditës së shtunë.

Situatë që kërkonte kujdes të shtuar ishte edhe stakimi i rrjetit 400kV Zemblak-Kardia, për shkak të zjarrit që ra në pjesën greke, në afërsi të nënstacionit Kardia. Probleme pati edhe në linjën 150kV Bistricë – Mourtos. Problemet me dy linjat e transmetimit nuk sollën stakime për konsumatorët pasi u furnizuan nga linjat paralele.

Stafi i OST është në koordinim me OST greke për koordinimin e veprimeve të rikyҫjes së këtyre linjave. Në tërësi, falë masava të mara nga OSSH dhe OST, situata aktuale e furnizimit me energji elektrike paraqitet stabël.

Autoritetet bëjnë apel për mirëkuptim në zonat ku për arsye sigurie, për shkak të zjarreve, mund të jetë e nevojshme ndërprerja e përkohshme e energjisë.

/gj.m/

The post Temperatura e larta, OST dhe OSHEE rrisin gatishmërinë për furnizimin me energji elektrike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: Adem Demaçi ishte simboli i qëndresës

PRISHTINË, 26 korrik /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot me respekt figuren e veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçit, duke e cilësuar atë si simbolin e qëndresës, disidentin e pathyeshëm dhe zërin e të pambrojturve.

Presidentja Vjosa Osmani ka shkruar në Facebook se Adem Demaçi ishte simboli i qëndresës, disidenti i pathyeshëm, zëri i të pambrojturve, kritiku i pandalshëm dhe njeriu i lirë edhe kur ishte prapa grilave.

“Në vend të hakmarrjes, ai predikoi paqen. Në vend të urrejtjes, ai mbolli pajtimin. Në vend të frikës, ai fliste me guxim për të vërtetën. Ai sakrifikoi lirinë e tij individuale për lirinë kolektive të popullit të tij. Emri i tij do të jetojë sa vetë liria! Qoftë i përjetshëm kujtimi për Bacën Adem”, ka shkruar Osmani.

Sot, janë mbushur shtatë vjet që kur ndërroi jetë veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i njohur si Mandela i Kosovës.

Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). /Kosovapress/

The post Osmani: Adem Demaçi ishte simboli i qëndresës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dështon sërish konstituimi i Kuvendit në Kosovë, seanca mblidhet sërish në orën 22:00

PRISHTINË, 26 korrik /ATSH/ Ka dështuar sot edhe përpjekja e 53-të për konstitumin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Propozimi për komisionin për të organizuar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit mori vetëm 56 vota.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari tha se në kuadër të përpjekje të vazhdueshme për konstituimin e Kuvendit, vazhdon sonte në orën 22:00 tentativa e fundit para skadimit të afatit të Kushtetueses.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj seancave të Kuvendit, që nga e diela 27 korrik deri më 8 gusht.

Kujtojmë, Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa në seancat e deritanishme kanë dështuar të sigurojnë votat për kryetar të Kuvendit. /Kosovapress/

The post Dështon sërish konstituimi i Kuvendit në Kosovë, seanca mblidhet sërish në orën 22:00 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: Nesër pritet rrezik maksimal për zjarre në të gjitha qarqet e vendit

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se, në datën 26 korrik pritet rrezik maksimal për zjarre në të gjitha qarqet e vendit.

Sipas të dhënave të raportuara në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, IGJEUM dhe Qendrën e Koordinimit të Emergjencave Civile të BE-së (ERCC), në datën 26 korrik pritet rrezik maksimal për zjarre në të gjitha qarqet e vendit, bën të ditur MM.

MM thekson se, Komiteti i Mbrojtjes Civile ka kërkuar nga të gjitha institucionet që të rrisin gatishmërinë dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, ndërsa qytetarët i ftojmë të tregojnë kujdes të shtuar, të mos ndezin zjarre në hapësira të hapura dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë tek autoritetet.

/r.e/

The post MM: Nesër pritet rrezik maksimal për zjarre në të gjitha qarqet e vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj viziton në QSUT komisar Agim Trocin që pësoi djegie nga zjarri në Delvinë

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj vizitoi mbrëmjen e sotme në urgjencën e QSUT-së shefin e Komisariatit të Delvinës, komisar Agim Troci, i cili pësoi djegie në bark, krah dhe këmbë gjatë përpjekjeve për të ndihmuar në shuarjen e një zjarri në zonën e Senicës, Delvinë.

Presidenti vlerësoi aktin e guximshëm dhe përkushtimin e komisar Trocit dhe dha një mesazh ndërgjegjësues për qytetarët:

“Vlerësoj maksimalisht angazhimin e forcave zjarrfikëse, emergjencave civile, forcave të armatosura dhe pushtetit vendor në përballimin e kësaj situate të vështirë me temperatura shumë të larta.

Ftoj qytetarët të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi – parandalimi fillon nga secili prej nesh. Bashkëpunimi dhe kontributi me këto struktura është thelbësor për sigurinë e jetës dhe të pronës.

Çdo akt zjarrvënieje është i dënueshëm dhe sjell pasoja të rënda për jetën dhe pasurinë”, u shpreh Begaj.

Presidenti Begaj theksoi se institucionet janë në gatishmëri të plotë dhe të pranishme në të gjitha zonat më problematike të vendit.

/r.e/

The post Begaj viziton në QSUT komisar Agim Trocin që pësoi djegie nga zjarri në Delvinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Proda viziton në QSUT efektivin që pësoi djegie gjatë zjarrit në Delvinë

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Elton Alushi, vizitoi në repartin e djegieve në QSUT shefin e Komisariatit të Policisë Delvinë, Komisar Agim Troci, i cili pësoi djegie të shumta gjatë përpjekjeve për të shpëtuar disa të moshuar që nuk dilnin dot nga zona e zjarrit në fshatin Vergo të Delvinës.

Proda është interesuar që në momentet e para për gjendjen e tij dhe ka ndjekur nga afër organizimin e transportimit me helikopter drejt Tiranës, menjëherë sapo është njoftuar për ngjarjen.

Gjatë vizitës, drejtori i përgjithshëm është interesuar pranë stafit mjekësor për gjendjen shëndetësore të Shefit të Komisariatit, duke i uruar atij shërim të shpejtë dhe e ka përgëzuar për aktin e tij të guximshëm dhe human.

Po ashtu, ai ka vlerësuar të gjithë punonjësit e Komisariatit të Policisë Delvinë që sot kanë rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar nga flakët shumë banorë pjesa më e madhe të moshuar, në fshatrat e Delvinës, si pasojë e një zjarri të madh të favorizuar nga era, që ka përfshirë shumë zona të banuara.

Nga QSUT, Proda theksoi se, “shefi i Komisariatit Agim Troci është shembulli më i mirë i përkushtimit dhe sakrificës që mishëron një oficer i Policisë së Shtetit. Ai veproi me guxim dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie, për të mbrojtur jetën e të tjerëve. Dua të falënderoj të gjithë, përfshirë Nënkomisar Eridionin, i cili ka pësuar asfiksi dhe po merr ndihmë mjekësore në Spitalin e Delvinës, si dhe gjithë punonjësit e Komisariatit të Policisë Delvinë që, nën drejtimin e Komisar Trocit, me përkushtim dhe guxim, mbështetur dhe nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, kanë shpëtuar dhjetëra jetë qytetarësh, duke bërë të mundur evakuimin nga banesat e tyre deri jashtë zonës së rrezikut. Edhe disa punonjës të tjerë kanë pësuar. Ky akt është një shembull frymëzues i përkushtimit dhe humanizmit të efektivëve në krye të detyrës.”

Në zonën e përfshirë nga zjarri, në fshatrat Senicë, Vergo dhe Kopaçëz, vijon ndërhyrja intensive e shërbimeve të Zjarrfikëses, Emergjencës Civile, Policisë dhe Ushtrisë, për neutralizimin e vatrave dhe garantimin e sigurisë së banorëve.

Policia e Shtetit ndodhet aty, në krah të qytetarëve. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Elidon Çela, ndodhet në zonë për menaxhimin e situatës.

Policia e Shtetit apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht gjatë lëvizjes në zonat me bimësi të dendur dhe në ato të ekspozuara ndaj zjarreve. Çdo veprim i pakujdesshëm, si ndezja e zjarrit në natyrë, hedhja e cigareve apo djegia e mbeturinave, mund të sjellë pasoja të rënda për jetën dhe mjedisin.

Policia po bashkëpunon me banorët dhe gjithë instancat e tjera shtetërore për të identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë ligjore autorët e zjarrvënieve në disa rrethe të vendit, ku në disa raste janë identifikuar dhe arrestuar në flagrancë.

/gj.m//r.e/

The post Proda viziton në QSUT efektivin që pësoi djegie gjatë zjarrit në Delvinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Shqipëria e bukur”, Rama ndan foto nga plazhi i Zvërnecit

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga plazhi i Zvërnecit në Vlorë.

Zvërneci është një nga destinacionet natyrore që tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë me bukuritë e tij unike.

Pas investimeve të fundit dhe ndërtimit të urës, turistë të shumtë zgjedhin të kalojnë në çdo stinë ditët me diell në ishullin e bukur, brenda Lagunës së Nartës.

Përveç bukurisë natyrore që Zvërneci ka, interes të veçantë paraqet për vizitorët Manastiri i Shën Mërisë, i cili ndodhet në ishullin e Zvërnecit dhe ku mund të shkohet me një urë të ngushtë këmbësorësh prej druri. Manastiri është një ndërtim tipik bizantin i ndërtuar në shek. X pas Krishtit. Ndërtimi i tij, historia, gojëdhënat e bëjnë këtë resurs tërheqës në çdo stinë të vitit.

/gj.m//r.e/

The post “Shqipëria e bukur”, Rama ndan foto nga plazhi i Zvërnecit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ARRSH ndërhyrje në urën e Milotit, ndërpritet qarkullimi

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi sot se, ura auto-hekurudhore e Milotit, me një gjatësi prej 788 metrash, paraqet një rrezik serioz për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e kalimit, si pasojë e dëmtimeve të konsiderueshme në themelet mbështetëse, erozionit të theksuar në bazament, për shkak të shfrytëzimit të pakontrolluar të zhavorrit të lumit, dhe gërryerjeve në të gjithë shtratin lumor.

Bazuar në ekspertizën teknike dhe duke marrë parasysh trafikun e rënduar, veçanërisht gjatë sezonit veror, ARRSH bën të ditur se, është marrë vendimi për mbylljen e plotë të urës dhe ndërprerjen e qarkullimit, deri në përfundim të projektndërhyrjes emergjente që po hartohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës. Kjo ndërhyrje do të zbatohet menjëherë në ditët në vijim.

Ndërkohë, ndërtimi i urës krejtësisht të re është parashikuar nga ARRSH si pjesë e programit “100 Ura”, i cili realizohet me mbështetjen e Bankës Botërore.

Gjatë periudhës së ndërhyrjes, ARRSH rekomandon përdorimin e rrugëve alternative: Rruga kryesore Lezhë – Milot dhe Rruga e Kombit.

ARRSH thekson se, kjo ndërhyrje është thelbësore për të garantuar sigurinë e të gjithë komunitetit.

Duke u ndërgjegjësuar për vështirësitë dhe shqetësimet që mund të shkaktojë mbyllja e përkohshme e urës, ARRSH shton se, kjo masë është e domosdoshme për të shmangur rreziqe më të mëdha dhe për të siguruar një infrastrukturë të qëndrueshme dhe të sigurt në të ardhmen.

/gj.m//r.e/

The post ARRSH ndërhyrje në urën e Milotit, ndërpritet qarkullimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada e SHBA: 12 specialistë nga SPAK dhe Policia e Shtetit marrin pjesë në kursin e DASH

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Këtë javë, 12 specialistë nga SPAK dhe Policia e Shtetit morën pjesë në kursin “Praktikat më të Mira Mjekoligjore në Macintosh”, njoftoi sot Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Trajnimi u zhvillua nga Zyra e Ndihmës për Antiterrorizmin të Departamentit të Shtetit përmes Zyrës Rajonale të Sigurisë së Ambasadës.

Specialistët mësuan hollësitë e sistemit operues Mac dhe praktikuan aftësi praktike për të gjetur dhe analizuar të dhëna kritike në mbështetje të hetimeve kibernetike.

Ekspertiza dhe udhëheqja amerikane në teknologji është thelbësore për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë nga kërcënimet kibernetike.

/gj.m//r.e/

The post Ambasada e SHBA: 12 specialistë nga SPAK dhe Policia e Shtetit marrin pjesë në kursin e DASH appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌