Rritje e aktivitetit të biznesit, Malaj: 90,5 miliardë lekë në gjysmën e parë të vitit
TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Aktiviteti ekonomik në Shqipëri ka shënuar ecuri pozitive gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, duke reflektuar një dinamizëm të shtuar në sektorin e biznesit dhe një përmirësim të përgjithshëm të klimës ekonomike.
Të dhënat zyrtare të publikuara nga autoritetet tatimore konfirmojnë një rritje të ndjeshme të xhiros së përgjithshme të bizneseve në periudhën janar-qershor të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Ministri i Financave, Petrit Malaj bëri të ditur se, xhiroja totale e raportuar nga subjektet ekonomike është rritur me rreth 90,5 miliardë lekë më shumë, çka përfaqëson një rritje domethënëse dhe një sinjal pozitiv për ecurinë e ekonomisë shqiptare.
Kjo rritje vjen si rezultat i shtimit të konsumit, rritjes së investimeve private dhe forcimit të sektorëve të caktuar ekonomikë, përfshirë tregtinë, ndërtimin, industrinë dhe shërbimet.
Të ardhurat totale, për periudhën janar-qershor, arritën në rreth 366 miliardë lekë, një realizim në masën 100,6 % të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u mblodhën rreth 22,8 miliardë lekë më shumë ose 6,7 % më shumë.
Në terma vjetorë, të ardhurat totale për 6 mujorin e vitit 2025 u realizuan në masën 48,3% të planit vjetor.
/a.f/
The post Rritje e aktivitetit të biznesit, Malaj: 90,5 miliardë lekë në gjysmën e parë të vitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.