Shqipëria në emergjencë nga zjarret
Shqipëria po përballet me një valë zjarresh të paprecedentë. Gramshi dhe Delvina janë dy zonat më të rrezikuara, me helikopterë dhe autobote që ndërhyjnë pa pushim. Ekspertët thonë se mungesa e investimeve dhe papërgjegjshmëria po shkatërrojnë pyjet dhe kullotat tona.
Esmeralda Topi
Gjatë 24 orëve të fundit, Shqipëria ka përjetuar një valë të paprecedentë zjarresh, me 64 vatra të regjistruara në të gjithë vendin, nga të cilat 24 mbeten ende aktive. Mbi 10 mijë forca emergjencash, janë në terren duke punuar pa ndërprerje, por situata nuk po favorizohet për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë.


Operacioni i gjerë kundër flakëve ka vijuar gjatë gjithë natës, me qëllim mbrojtjen e zonave të banuara dhe parqeve kombëtare. Ministria e mbrojtjes bën me dije se nga ajri po operojnë pesë helikopterë, tre në Gramsh dhe dy në Delvinë, ndërsa njësitë tokësore vazhdojnë ndërhyrjen në zona të vështira dhe të thella pyjore.
Aktualisht, Gramshi dhe Delvina rezultojnë zonat më problematike. Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje urgjente për evakuim në fshatrat Nartë dhe Skënderbegas të Gramshit dhe në Delvinë.
Në Gramsh, zjarri ka marrë përmasa të mëdha në Kullollas dhe Skënderbegas, duke shkaktuar edhe një viktimë dhe dëme materiale. Në Mukaj e Sojnik, situata mbetet e rrezikshme dhe ndërhyrjet nga ajri po vazhdojnë me mbështetjen e forcave vendore.
Në Delvinë, zjarri që ka përfshirë fshatrat Pecë, Sirakat dhe Kardhikaq, ka shkatërruar 5 shtëpi. Një avion nga Italia, njësitë zjarrfikëse, forcat e FNSH-së, Delta dhe Shqiponjat, bashkë me 7 autobote uji dhe 120 trupa të Forcave të Armatosura po ndërhyjnë me intensitet, duke e ndjekur flakën deri mbi fshatin Vllahat.
Në Finiq, vazhdon aktive vatra që ka prekur zonën nga Syri i Kaltër deri në pllajën e malit të Gjerë dhe Sopotit. Në Bistricë, vatra po mbahet nën monitorim. Në Parkun e Rëzomës, mbi tunelin e Skërficës, zjarri vijon, por terreni i vështirë nuk lejon ndërhyrje.
Ndërsa në Tepelenë, Shkodër, Tiranë, Dibër dhe Kolonjë, forcat e emergjencës vijojnë operacionet, duke përdorur çdo mjet të mundshëm për izolimin dhe shuarjen e vatrave.
Parashikimet meteorologjike paralajmërojnë temperatura të larta dhe erëra të forta, që rrisin rrezikun për riaktivizimin e zjarreve dhe krijimin e vatrave të reja.
Pse po digjet vendi?
Por pas çdo flake, pas çdo tymi, ka një të vërtetë më të hidhur se çdo raport operativ. Inxhinieri i pyjeve Abdulla Diku e thotë qartë:
“Po e djegim Shqipërinë me duart tona. E dimë që Shqipëria është një vend i vogël. Një grusht tokë që për shekuj është mbrojtur me gjak, dhe që sot, po digjet… nga vetë shqiptarët e saj. Zjarret që përpijnë pyje e kullota nuk janë fatkeqësi natyrore. Janë krim kundër vendit, të vetmit që kemi në këtë botë.”
Diku thekson se pas çdo tragjedie nuk zhduket vetëm një pyll. “Është toka jonë që bëhet më e varfër, ajri më i rëndë, vendi ynë më i zbrazët,” thotë ai.
Nga ana tjetër, Agron Haxhimali, drejtues i Institutit të Bashkive, nxjerr në pah një tjetër problem thelbësor: “Shumë para në ‘seli’ dhe pak në ‘front’. Bashkitë kanë përgjegjësi të drejtpërdrejta për emergjencat dhe zjarrfikësit, por kapacitetet operative shpesh mungojnë. Nga 70 stacionet zjarrfikëse për 61 bashki, buxheti vendor për vitin 2025 është 21 milionë euro, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, me 55 milionë euro, kryen kryesisht funksione koordinuese dhe mbikëqyrëse.”

Haxhimali thekson pabarazinë mes përgjegjësive dhe resurseve: paratë dhe kapacitetet kryesore qëndrojnë te niveli qendror, ndërkohë që emergjencat ndodhin në terren.
“Kjo sjell mungesë efektive të mjeteve, teknologjisë dhe trajnimit lokal, duke e bërë shpesh të vështirë reagimin në kohë,” shprehet ai. Rishpërndarja e buxhetit dhe investimi në pajisje moderne, dronë monitorimi dhe sisteme alarmi të hershëm janë hapa të domosdoshëm për të përmirësuar situatën.

Abdulla Diku paralajmëron se papërgjegjshmëria e bashkive dhe mosinvestimi në specialistë pyjesh ka lehtësuar shkatërrimin. “Çdo institucion duhet të nxjerrë përgjegjësinë nga çdo kryetar bashkie që nuk investon në pajisjet bazike për mbrojtjen nga zjarri dhe nuk ka përgatitur planin e masave sipas ligjit,” thotë ai.
Ndërsa helikopterët dhe autobotet përpiqen të shuajnë flakët, debati mbi modelin e decentralizimit dhe buxhetin mbetet i hapur. A është ky modeli që na duhet, apo duhet të rishikohet për të sjellë më shumë kapacitete tek bashkitë? Haxhimali e përmbledh me një ironi të hidhur: “Sot kemi shumë para në zyrë dhe pak në terren. Zjarret ndodhin në terren, jo në seli.”
Në këto kushte, Instituti për Bashkitë Shqiptare kërkon mbledhjen urgjente të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile për të shqyrtuar shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe e kategorizon situatën si emergjencë civile.
Instituti shpreh solidaritet të plotë me qytetarët e komunitetet e prekura, si dhe me trupat zjarrfikëse që rrezikojnë jetën në terren. Po ashtu, theksohet nevoja për një vlerësim të plotë të dëmeve dhe zbatimin e masave ligjore për kompensimin dhe rikuperimin e tyre.
Në këtë valë zjarresh, qindra hektarë pyje dhe kullota janë shkrumbuar. Ligji parashikon 5 deri në 20 vite burg për zjarrvënien e qëllimshme, por në dhjetë vitet e fundit, nga 253 procedime penale, vetëm 3 persona janë dënuar.
The post Shqipëria në emergjencë nga zjarret appeared first on Faktoje.al.