TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Gjatë orëve të fundit janë evidentuar gjithsej 21 vatra zjarri në të gjithë vendin. Nga këto, 7 vatra janë shuar plotësisht, ndërsa 14 vatra mbeten ende aktive dhe po vijon puna për shuarjen e tyre.
Ndërhyrjet po zhvillohen në mënyrë intensive dhe të koordinuar dhe në operacione janë angazhuar shërbimet zjarrfikëse, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, autoritetet vendore si dhe forca vullnetare, duke bashkëpunuar ngushtë për vënien nën kontroll të flakëve dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarreve.
Në qarkun e Vlorës, situata më e rënduar paraqitet në bashkinë Finiq, ku flakët kanë përfshirë zonën e fshatit Krane në njësinë administrative Mesopotam. Në terren po punojnë dhjetëra efektivë zjarrfikës nga disa bashki të jugut, forca të policisë, ushtria, forca vullnetare, si dhe mbështetje ajrore me avionin kanadez të llojit “Canadair”.
Po ashtu, një vatër tjetër aktive ndodhet në vendin e quajtur Rrëzomë, pranë tunelit të Skërficës, ku për shkak të terrenit të thyer ndërhyrja është bërë vetëm me forcat e AdZM.
Në fshatin Bolenë të bashkisë Himarë, zjarri është vendosur nën kontroll falë përpjekjeve të përbashkëta të zjarrfikësve, ushtrisë dhe banorëve. Një tjetër vatër aktive është edhe në fshatin Lukovë, ku forcat vendore vijojnë përpjekjet për shuarjen e flakëve.
Në qarkun e Lezhës, në fshatin Malaj i Epërm të bashkisë Mirditë, zjarri është izoluar dhe ndodhet nën kontroll, ndërsa punimet për shuarjen e plotë vijojnë me intensitet.
Në Dibër, zjarri pranë fshatit Plani Bardhë në malin e Allushit po monitorohet nga zjarrfikësit dhe konsiderohet i kontrolluar.
Ndërkohë, në qarkun Berat janë disa vatra aktive. Në bashkinë Poliçan, jashtë Uzinës Mekanike, flakët përfshijnë një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte, ku ndërhyrja mbetet e vështirë. Në fshatin Kozare të bashkisë Kuçovë dhe në fshatin Goriçan të bashkisë Dimal, zjarret vijojnë të jenë aktivë dhe në terren janë angazhuar njësi të MZSH me mjete zjarrfikëse dhe efektivë të specializuar.
Në qarkun Shkodër, fshati Zagore i bashkisë Malësi e Madhe po përballet me flakët në një terren të vështirë dhe të paaksesueshëm, ku forcat zjarrfikëse po punojnë me pompa shpine. Në qarkun Tiranë, në malin e Bërzhitës, si dhe në fshatrat Ballaj dhe Zhabjak të bashkisë Rrogozhinë, ndërhyrja është e vazhdueshme, pavarësisht vështirësive që sjell era e fortë.
Në ndihmë janë angazhuar edhe helikopterë të FA dhe trupa ushtarake për të shmangur përhapjen e zjarrit drejt banesave. Në qarkun Durrës, një vatër aktive ndodhet në malin e Krujës, sipër fabrikës së çimentos, ku ndërhyrja e forcave operacionale vijon.
Në qarkun Gjirokastër, zjarri në fshatin Turan të bashkisë Tepelenë është gjithashtu objekt ndërhyrjeje nga shërbimet emergjente.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në të gjitha rastet, ndërhyrjet për shuarjen e flakëve janë të vështira për shkak të terreneve të thepisura, erës dhe temperaturave të larta, por strukturat përkatëse po punojnë me përkushtim për të parandaluar përhapjen dhe pasojat e mundshme ndaj jetës dhe pronës së qytetarëve.
/r.e/
The post Situata e zjarreve: 14 vatra aktive, operacione në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.