Europa ka mbyllur përgatitjet e fundit para takimit te presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderëve të tjetër europiane me presidentin Trump të hënën në Shtëpinë e Bardhë.
Presidentja e komisionit europian Von der Leyen dhe udhëheqës tre disa vendeve te BE dhe Britanisë, mbajtën një takim virtual për të koordinuar qëndrimet që do të paraqesin në Uashington të hënën , ku do të jenë krah Volodymyr Zelensky në takimin e tij me Donald Trump. Të pranishëm do të jenë kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti i Francës Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Georgia Meloni, presidenti finlandez Alexander Stubb dhe presidentja e komisionit europian Ursula von Der Leyen dhe shefi i NATO-s Mark Rutte.
Në përfundim të takimit, Presidenti francez Emmanuel Macron tha se grupi diskutoi prioritetet që do të flasin në takimin me Trump. Macron shtoi se në vizitën në Uashington, ata duan t’i kujtojnë presidentit amerikan se çfarë I bashkon SHBA, Ukrainën dhe BE. Presidenti francez theksoi se plani është për të paraqitur një front të bashkuar, që tregon se kush është në anën e paqes dhe ligjit ndërkombëtar.
Ndërkohë presidenti I Këshillit Europian Antonio Costa theksoi se Ukraina ka të drejtë të vendosë kushtet e saj për paqen. Ai shtoi se nëse nuk arrihet një armëpushim, SHBA dhe Europa duhet të rrisin presionin ndaj Rusisë.
Presidenti finlandez Stubb, tha se ekziston një konsensus i fortë midis vendeve të Koalicionit mbi nevojën për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës.
Ndërsa kryeministri çek Petr Fiala tha se koalicioni ra dakord që përparësia e menjëhershme duhet të jetë t’i jepet fund vrasjeve.
Para diskutimeve që patën pasditen e kësaj të diel, presidenti ukrainas Zelensky dhe shefja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen thanë në një konferencë për mediat se garancitë e sigurisë janë shumë të nevojshme për Ukrainën.
Zelensky theksoi edhe një herë se kushtetuta e vendit të tij nuk ia lejon të bëjë lëshime territoresh, por megjithatë shtoi se një çështje kaq e rëndësishme duhet të diskutohet në një takim trepalësh mes tij, Vladimir Putin dhe Donald Trump. Sipas mediave amerikane presidenti amerikan synon që një takim me Putin dhe Zelenskyn të mbahet të premten.
Lideri ukrainas tha se Rusia ka vendosur shumë kushte dhe u ndal konkretisht te Donetseku, për të cilin tha se Moska nuk ka pasur sukses.
“Rusia është ende e pasuksesshme në rajonin e Donetskut. Putin nuk ka mundur ta marrë atë për 12 vjet dhe kushtetuta e Ukrainës e bën të pamundur. Është e pamundur të heqësh dorë nga territori ose të tregtosh tokën. Meqenëse çështja territoriale është kaq e rëndësishme, ajo duhet të diskutohet vetëm nga udhëheqësit e Ukrainës dhe Rusisë dhe trepalëshit Ukrainë, Shtetet e Bashkuara, Rusi. Deri më tani, Rusia nuk jep asnjë shenjë se trepalëshi do të ndodhë. Dhe nëse Rusia refuzon, atëherë duhet të pasojnë sanksionet e SHBA”, tha ai.
Lideri ukrainas kërkoi garanci të forta sigurie për vendin e tij dhe theksoi se është e rëndësishme që SHBA të punojë me Europën për t’i ofruar. Ai kërkoi përgjigje të qarta se çfarë do të përfshihet në këto garanci sigurie, duke filluar nga trupat në terren, te sistemet moderne të mbrojtjes ajrore. Zelensky e bëri të qartë se është i vendosur që të jetë shumë produktiv në takimin e shtëpisë së bardhë të hënën.
Nga ana tjetër Ursula von der Leyen tha se Ukraina duhet te vendose vete për të ardhmen e kufijve të saj dhe theksoi gjithashtu nevojën për garanci të forta sigurie për të mbrojtur si Ukrainën, ashtu edhe Europën, te cilat duhet të përfshihen në marrëveshjen e paqes.
Von der Leyen dhe Zelensky thane se është gjithashtu thelbësore, që Ukraina të mos ketë kufizime në sovranitetin e saj. Zyrtarja e lartë europiane garantoi se Brukseli e mbështet Ukrainën për t’u bërë anëtare e BE-së.
/abcnews.al/