Shiste armë për grupet kriminale, arrestohet 22-vjeçari në tunelin e Murrizit
TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Një 22-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës pasi u kap në flagrancë duke transportuar 2 armë zjarri kallashnikov, nga Burreli në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale.
Policia njoftoi sot se u vu në pranga A. D., 22 vjeç, banues në Burrel.
“Gjatë operacionit, në tunelin e Murrizit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin që drejtonte 22-vjeçari, në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën të fshehura në bagazh, 2 armë zjarri kallashnikov dhe 4 krehra për to”, njoftoi policia.
Sipas policisë nga hetimet dyshohet se ky shtetas po i transportonte armët në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale. Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
/m.q/j.p/
The post Shiste armë për grupet kriminale, arrestohet 22-vjeçari në tunelin e Murrizit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.