Grupi hungarez, 4iG, është drejt marrjes së licencës për ofrimin e shërbimeve celulare edhe në Maqedoninë e Veriut, nëpërmjet filialit të tij One Macedonia Telecommunications.
One Macedonia Telecommunications ishte i vetmi operator që paraqiti oferta në tendenrin e hapur nga Agjencia e Komunikimeve Elektronike (AEK), për marrjen e frekuencave në brezat 700 MHz, 1800 MHz dhe 3.5GHz. Frekuencat do të përdoren për shërbime të teknologjisë 5G. Shuma minimale e kërkuar për frekuencat në të tre brezat e ofruar ishte rreth 6.7 milionë euro.
Hapja e tenderit për dhënien në përdorim të sasisë së re të spektrit në këto frekuenca u bë pikërisht për shkak të shprehjes zyrtare të interesit të paraqitur nga One Macedonia Telecommunications.
One Macedonia Telecommunications drejtohet nga Brano Djurovic, i cili deri në qershor të këtij viti mbante pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të One Albania.
Aktualisht, Maqedonia e Veriut ka dy operatorë të rrjeteve celulare, A1 Macedonia, pjesë e grupit Telekom Austria dhe Makedonski Telekom, pjesë e Deutsche Telekom (nëpërmjet filialit të saj hungarez, Magyar Telekom).
Megjithatë, në treg veprojnë edhe katër operatorë virtualë (MVNO), që zotërojnë së bashku pak më shumë se 5% të tregut, sipas numrit të përgjithshëm të përdoruesve.
Megjithëse Maqedonia e Veriut ka një popullsi më të vogël se Shqipëria (më pak se 1.8 milionë banorë, sipas të dhënave më të fundit), tregu u shërbimeve celulare duket të jetë më dinamik, madje duket se po hyn në një faq të re zgjerimi.
Tregu kishte tre operatorë rrjetesh deri në vitin 2015, kur filiali i Telekom Austria, Vip bleu kompaninë rivale One, që zotërohej nga Telekom Slovenije. Dy kompanitë u bashkuan në emrin e ri, A1 Macedonia.
Pas afërsisht një dekade me dy operatorë rrjetesh (përveç operatorëve MVNO), tregu celular në Maqedoninë e Veriut duket i orientuar drejt një zgjerimi të ri të operatorëve të rrjetit.
Në rast se procesi i licencimit mbyllet me sukses, Maqedonia e Veriut do të bëhet tregu i tretë në Ballkanin Perëndimor për grupin hungarez, 4iG.
4iG vepron në Shqipëri që prej vitit 2021, pas blerjes, në intervalin e pak javëve, të kompanive Albtelecom dhe ONE Telecommunications. Në vijim, në vitin 2022, dy kompanitë u bashkuan në brandin e ri, One Albania.
One Albania është operatori i dytë më i madh ceular në Shqipëri, me 42% të të ardhurave, ndërsa mban 50% të tregut sipas numrit të përdoruesve aktivë.
Gjithmonë në vitin 2021, 4iG mbylli edhe blerjen e kompanisë më të madhe celulare në Mal të Zi, Telenor Montenegro, që në vijim mori emrin One Montenegro.
Që prej vitit 2023, 4iG ka hyrë zyrtarisht edhe në tregun celular hungarez, pas blerjes, në partneritet me qeverinë hungareze, të filialit të Vodafone në këtë vend.
The post One drejt marrjes së licencës celulare edhe në Maqedoninë e Veriut appeared first on Revista Monitor.