Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 August 2025Main stream

​Kushtetutshmëria në pikëpyetje, propozimi i Rashiq dhe votimi për Rexhepin kontestohen

27 August 2025 at 16:33

Antikushtetuese dhe në shpërputhje me aktgjykimin e fundit të këtij institucioni po konsiderohet vendimi që përmes procedurës së ndarë të votimit të zgjidhen nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës nga komunitetet jo shumicë.

Avokatë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile thonë se deputeti nga komuniteti serb, Nenad Rashiq nuk ka të drejtë dhe nuk mund të propozohet për nënkryetar të legjislativit nëse nuk propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, rrjedhimisht Listës Serbe.

Madje, kërkohet që edhe procesi i votimit të nënkryetares nga komunitetet joserbe, Emilja Rexhepi të përsëritet pasi sipas tyre, votimi i dy nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë duhet të bëhet në pako. Në të kundërtën, të njëjtit theksojnë se nëse ky rast dërgohet në Gjykatë Kushtetuese e njëjta do të shpallë se zgjedhja e tyre ka qenë jokushtetuese.

Kuvendi i Kosovës, të martën zgjodhi Dimal Bashën kryeparlamentar si dhe katër nënkryetarë, mirëpo dështoi të zgjedhë nënkryetarin nga komuniteti serb, rrjedhimisht dështoi të zgjidhet kryesia që do të konstituonte legjislaturën e nëntë.

Vendimi i kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha që përmes shortit të zgjidhen emrat e deputetëve nga komuniteti serb dhe të hidhen në votim për nënkryetar të Kuvendit vlerësohet se është devijim nga Rregullorja e Kuvendit, pasi Lista Serbe kishte propozim për nënkryetar dhe se i njëjti do të vlente nëse s’ka propozim për nënkryetar.

Avokati, Ardian Bajraktari, thotë për KosovaPress se zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komuniteteve joshumicë duhet të bëhet në pako, sikurse ka ndodhur në praktikat e kaluara parlamentare.

Sipas tij, edhe propozimi për nënkryetar nga komuniteti serb në Kuvend duhet të vijë nga shumica e deputetëve që përfaqësojnë atë komunitet, në rastin konkret Lista Serbe.

Prandaj, Bajraktari thotë se deputeti nga komuniteti serb në Kuvend, Nenad Rashiq nuk mund të propozojë vetën, mirëpo një gjë e tillë duhet të vijë nga Lista Serbe.

“Tentativa për të devijuar nga praktika e deritashme është në shpërputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, me theks të veçantë aktgjykimin e fundit, sipas të cilit në pikën njëqind e pesëdhjetë e gjashtë obligohen deputetët që sa më parë që të jetë e mundur, por jo më vonë se tridhjetë ditë nga publikimi i aktgjykimit të zgjedhin kryetarin dhe anëtarët e Kryesisë. Ndër të tjera në pajtim me praktikën e deriatëhershme parlamentare, e cila natyrisht që nënkupton që nënkryetarët të zgjidhen në dy pako, fillimisht anëtarët e Kryesisë, përkatësisht nënkryetarët nga radhët e komunitetit shumicë dhe pastaj anëtarët e Kryesisë nga radhët e dyja komuniteteve, përkatësisht komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera. Tentativa për të devijuar, përkatësisht për ta ndryshuar krahët e praktikash, është në shpërputhje me aktgjykimin dhe rrjedhimisht edhe në shpërputhje me Kushtetutën.  Për më tepër, synimi i kujtdo qoftë për të propozuar ose për të zgjedhur dikë, i cili nuk përfaqëson shumicën e komunitetit brenda vendit, në bindjen time është në shpërputhje edhe me vetë parimet mbi bazën e të cilave është ndërtuar dhe funksionon vendi ynë sipas parimeve kushtetuese. Për më tepër është edhe në kundërshtim me vetë Rregulloren e punës së Kuvendit për faktin se neni dymbëdhjetë paragrafi gjashtë e përcakton qartazi që përfaqësuesit, përkatësisht anëtari i Kryesisë nga radhët, në këtë rast të komunitetit serb, propozohet nga shumica e deputetëve që e përfaqësojnë komunitetin në fjalë”, thekson ai.

E, Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për KosovaPress se votimi i ndarë për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet joshumicë është shkelje e Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit, aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe praktikave të deritanishme parlamentare.

Ai thekson se nëse Kuvendi voton të enjten Rashiqin për nënkryetar, rasti shumë lehtë mund të shkojë në Gjykatë Kushtetuese dhe e njëjta të konstatojë se zgjedhja e dy nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë ka qenë jokushtetuese.

“Në rastin konkret kishim të bëjmë me shkelje të Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit, aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe praktikës së tanishme parlamentare. Kjo situatë tani tregon se kemi një skenar të ri për bllokimin e Kuvendit të Kosovës… Procesi i votimit duhet të jetë në pako, meqenëse këto dy aspekte nuk janë përmbushur, në rastin konkret i bie se edhe zgjedhja e zonjës Rexhepi ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe kemi të bëjmë me shkelje të dyfishtë të Kushtetutës, si në përzgjedhjen e zonjës Rexhepi nga komuniteti joserb, e po ashtu edhe mohimin e së drejtës së komunitetit serb për t’u përfaqësuar në Kryesinë e Kuvendit… Nëse ky rast shkon në Gjykatën Kushtetuese, bazuar në Kushtetutë dhe praktikën e deritanishme parlamentare ka pritje të arsyeshme se ky vendim dhe kjo mënyrë e zgjedhjes së nënkryetarëve do të konstatohet si kundërkushtetuese nga Gjykata Kushtetuese”, thekson ai.

Kuvendi i Kosovës nesër do të vazhdojë përpjekjen e 59 për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Të zgjedhurit e popullit pritet të vazhdojnë seancën konstituive në pikën e zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, pasi kryetari i Kuvendit dhe katër nga nënkryetarët janë zgjedhur pas bllokadës gjashtë mujore në Kuvend.

Zhbllokimi i situatës erdhi vetëm pasi disa prej deputetëve të PDK-së dhe AAK-së votuan për zgjedhjen e deputetit të LVV-së, Dimal Basha si kryetar të Kuvendit, pasi i njëjti nuk ishte pjesë e kabinetit qeveritar në detyrë. /KP/

The post ​Kushtetutshmëria në pikëpyetje, propozimi i Rashiq dhe votimi për Rexhepin kontestohen appeared first on Telegrafi.

Zjarr në Hajvali – përfshihet nga flakët një deponi e veturave, s’raportohet për të lënduar

27 August 2025 at 14:28

Një deponi e veturave në Hajvali është përfshirë nga zjarri.

Rasti ka ndodhur rreth orës 11:30, dhe si pasojë e zjarrit janë dëmtuar disa vetura.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 11:30, është raportuar për një incident zjarri në Hajvali, ku në një autoservis janë përfshirë nga zjarri disa vetura. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë arritur lokalizimin e zjarrit”, ka thënë Ahmeti.

Ajo ka shtuar se nuk raportohet për persona të lënduar.

“Aktualisht po vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, tha Ahmeti.

Ndërkaq drejtori i zjarrfikësve, Malë Gashi tha se ata informatën e pranuan rreth orës 11:45 dhe se fillimisht u ishte thënë se janë duke u djegur mbeturina dhe se dyshohej për një veturë të përfshirë nga zjarri.

“Ekipet menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe kanë parë që ishte përfshirë nga zjarri deponi e veturave dhe materialeve të ndryshme (vetura, hekrari dhe material të ndryshme). Zjarri është lokalizuar”, tha Gashi.

E Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka njoftuar se falë reagimit të shpejtë dhe koordimit të mirë mes ekipeve në terren, flakët janë lokalizuar dhe është parandaluar përhapja e mëtejshme e zjarrit në zonat përreth.

“Deri më tani nuk raportohet për të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkakun e zjarrit, ndërsa banorët pranë zonës janë këshilluar të shmangin lëvizjen në afërsi për shkak të tymit të dendur dhe rrezikut të mbetjeve të djegura”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

 

The post Zjarr në Hajvali – përfshihet nga flakët një deponi e veturave, s’raportohet për të lënduar appeared first on Telegrafi.

Rama: Nuk do të lëmë pa vënë para përgjegjësisë gjyqtarët që sulmojnë shtetin

27 August 2025 at 12:35

“Nuk do të lëmë gur të shtratit ligjor të kësaj republike për të vendosur përpara përgjegjësisë publike dhe institucionale çdo prokuror apo gjykatës që do të sulmojë haptazi shtetin dhe interesin publik në proces me zjarrvënës, zaptues apo gllabërues të të mirave dhe pasurive publike të këtij vendi”.

Këtë paralajmërim lëshoi kryeministri Edi Rama në fjalën e tij gjatë ceremonisë së Mirënjohjes Kombëtare, ku do të jepen medalje dhe shpërblime për të gjitha forcat e angazhuara në operacionet ndaj zjarreve që prekën vendin.

Në fjalën e tij kreu i qeverisë tha se i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja që të përcjellë pranë organeve drejtuese të gjyqësorit ankesat që ai ka shprehur për gjyqtarët e përmendur së fundmi.

“Kronika e zjarreve të kësaj vere do vazhdojë të rrëfehet gjatë, rreth mijë forca mbeten të gatshme kundër përbindëshit të flakëve që rriten çdo vit, duke ushqyer rreth e rrotull Mesdheut me temperatura në kapërcime të vazhdueshme historike që po që mbijnë nga duart e mendjeve kriminale, që fatkeqësisht gjejnë rrallë aleat në radhët e gjykatësve të këtij vendi. Teksa mijëra njerëz me uniformë derdhin pa kursim energjitë e tyre në një përkushtim që shkon deri në vetëmohim, në një luftë sfilitëse me zjarret. Dhe mijëra hektarë përpiqen nga goja e flakëve, disa personave që nuk iu dihen emrat e nuk iu njihet fytyra me ndjeshmëri njerëzore zero, dhe integritet moral zero me xhufkë, në ajër të kondicionuar mbuluar me tyrbën e zezë të gjykatësit përqeshin sakrificat dhe shkelin me të 4 këmbët interesat e vendit, duke dhënë vendime të ububushme jo në mbrojte të republikës, por në favor të zjarrvënësve. I kam kërkuar ministrit të Drejtësisë t’i përcjellë organet e qeverisjes së gjyqësorit rastet e mësipërme. Nuk janë shumë por mjaft për të vënë duar në kokë. Nuk do të lëmë gur të shtratit ligjor të kësaj republike për të vendosur përpara përgjegjësisë publike dhe institucionale çdo prokuror apo gjykatës që do të sulmojë haptazi shtetin dhe interesin publik në proces me zjarrvënës, zaptues apo gllabërues të të mirave dhe pasurive publike të këtij vendi. Nuk do të kursejmë çdo mbështetje institucionale për prokurorët e gjykatësit që i shërbejnë misionit kombëtar të Shqipërisë në BE, duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe duke qëndruar në mbrojtje të interesit publik“, tha Rama.

Ai vlerësoi punën e forcave zjarrfikëse që u përballën me zjarret në vend dhe përmendi komisarin Agim Troci që u plagos duke luftuar me flakët në Delvinë më 25 korrik. Sipas tij situata me zjarret ishte një kronike e gjatë ethesh dhe dramatike, ndërsa shtoi se heroizmi që treguan zjarrfikësit nderuan shtetin dhe republikën. /A2CNN/

The post Rama: Nuk do të lëmë pa vënë para përgjegjësisë gjyqtarët që sulmojnë shtetin appeared first on Telegrafi.

​KQZ decertifikoi dhe certifikoi disa kandidatë për asamble komunale

27 August 2025 at 12:27

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme mori disa vendime për decertifikim të kandidatëve që më herët ishin certifikuar nga KQZ dhe zëvendësimin e tyre me kandidatë të tjerë, raporton KosovaPress.

Partitë që kishin rekomanduar në KQZ, decertifikim të subjekteve politike ishin Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, Alternativa, Lista Guxo, Bashkimi Demokratik, Kosovski Savez dhe Koalicioni Vakat.

Valmira Selmani nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollim Financiar të Subjekteve Politike tha se kanë shqyrtuar të gjitha dokumentacionet e kandidatëve dhe ka hapur mundësinë për rirenditje të listave.

“Pas pranimit të kërkesave, Zyra ka shqyrtuar dokumentacionin e tyre dhe ka hapur mundësinë për rirenditje të listave, po ashtu edhe zëvendësimin e kandidatëve nga partitë politike të cilat kanë pasur për rirenditje të kandidatëve të subjekteve politike. Andaj duke u bazuar në nenin 29 të zgjedhjeve të përgjithshme Zyra po rekomandon certifikimin e kandidatëve të partive politike. Nga partia politike Lëvizje Vetëvendosje në komunat: Hani i Elezit, Novobërdë, ndërsa në Mitrovicë të Veriut është kandidati për certifikim… Partia e radhës është Lidhja Demokratike e Kosovës, në komunë Mitrovicë e Jugut dhe Prizrenit”, tha ai.

Në këtë mbledhje kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi njoftoi se KQZ ka pranuar dy ftesa për pjesëmarrje.

Njëra në punëtorinë rajonale të ODIHR me temën “Ruajtja e Integritetit Zgjedhor në Ballkanin Perëndimor – Forcimi i Mbikëqyrjes dhe Rritja e Besueshmërisë e cila do të mbahet në Varshavë, nga 16 deri më 17 shtator 2025), si dhe u miratua pjesëmarrja e KQZ-së në Programin e Vizitorëve për Zgjedhjet e Këshillave të Qeverisjes Lokale 2025 në Tallinn, Estoni, 17–20 tetor 2025. /KP/

The post ​KQZ decertifikoi dhe certifikoi disa kandidatë për asamble komunale appeared first on Telegrafi.

“Mendoni për Enver Zymberin e Afrim Bunjakun”, Avdyli thotë se barazimi i Rashiqit me Simiqin është rrezik për sovranitetin

27 August 2025 at 10:17

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partia Guxo, Haxhi Avdyli ka thënë se është akt puro sabotimi i integritetit dhe sovranitetit të vendit, barazimi i deputetit serb Nenad Rashiq me Slavko Simiq nga Lista Serbe.

Avdyli në një postim në Facebook, ka shkruar se Rashiq njeh Kosovën si shtet ndërkaq Simiq jo.

“Tentimi i turpshëm i barazimit të Rashiqit me Simiqin e Srspkës, është një akt puro sabotimi që i bëhet integritetit, sovranitetit dhe ligjshmërisë në vendin tonë. Po, dytë janë Serb, me emër e mbiemër. Por njëri njeh Kosovën shtet , dhe ka punuar qe 20 vite si çdo pjesëtar i pakicës në institucionet tona dhe për shtetin tonë. E ata tjerët, a i njihni? Ju eksponent të opozitës, që po barazoni këta dy, ku keni jetuar deri tash pash zotin?”, ka shkruar Avdyli.

Deputeti tutje është shprehur se përse duhet të përkrahet Simiq që është masha e Vuçiqit.

“Po, pse kaq pak e doni vendin tuaj? Pse ia keni marr inati vendit tuaj? Çka ju ka bë Kosova keq, përveç që ju dha bukë, e shtëpi e ju rriti? Pse duhet të përkrahni Simiqin, mashën e Vuçiqit, lider i terroristëve të veshur me petkun e politikanit. A mbani mend barrikadat? A mbani mend dëbimin e shqiptarëve nga veriu? A mbani mend kontrabandistët, e bandat terrorizuese? A mbani mend sa Kosovë e sa Serbi ishte veriu? Kush i udhëhoqi krejt trazirat, e krejt këqijat që ndodhën këtij vendi?”, ka pyetur deputeti Avdyli.

Ai shtoi se fajtor i krejt këtyre ishte Lista Serbe dhe tutorët e tyre në Beograd.

“Nëse ju ka rrok amnezia po ju tregoj ishte SRPSKA dhe tutorët e tyre në Beograd. Nesër, kur të paloheni si LDK e të abstenoni si PDK, mendoni edhe për Enver Zymberin e Afrim Bunjakun. Mendoni pak edhe për jetimët, fëmijët e heronjve, që mbetën jetimë, vetëm nga veprimet e Simiqave e Radojqiqave. Nesër me heshtjen tuaj do ia zgjatni jetën sponsorëve të vrasësve, dhe krahut politik të terroristeve në veri….Ose do kaloni në anën e shtetit tuaj. Ndoshta”, ka shkruar Avdyli. /Telegrafi/

The post “Mendoni për Enver Zymberin e Afrim Bunjakun”, Avdyli thotë se barazimi i Rashiqit me Simiqin është rrezik për sovranitetin appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 26 August 2025Main stream

Abdixhiku: Vota për Bashën nga PDK e AAK, gabim trashanik – Kosova po hyn në krizë tjetër

26 August 2025 at 16:50

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet krejtësisht, pasi që ngërçi vazhdoi me zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Pas kësaj kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pati kritika për PDK-në dhe AAK-në që votuan për zgjedhjen e Dimal Bashës në krye të Kuvendit.

“Është shumë e qartë dallimi vleror që kemi ne me ta edhe sa i përket respektimit të Kushtetutës dhe përmbajtës së njerëzve që ne besojmë që duhet tu prijnë institucioneve të Kosovës. Ky dallim kristal i qartë sot u kurorëzua me triumf të injorancës, zërit përqarës e ndarës. Shpresoj që votuesit e partisë së parë sot ndjehen të përfaqësuar. E ndjej si gabim trashanik votën e dy partive tjera të ish opozitës PDK e AAK që institucioneve të Kosovës të u japin një emër të tillë. Megjithatë ky është vullnet 73 deputetëve shumicës, LDK e respekton këtë vullnet sepse është parti institucionaliste por s’mund të jetë e lumtur me kualitetin e njerëzve që përfaqësojnë këto institucione”, tha Abdixhiku.

Sa i përket moszgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb, Abdixhiku u shpreh se po futemi në një krizë tjetër.

“Besoj se do të futemi në një krizë tjetër të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket vendeve të pakicave në Republikën e Kosovës, në radhë të parë pakicës serbe e cila duhet të ketë qartësi sa i përket të drejtë për propozim. Ajo çka është fatkeq është që Kosova me institucionet e saj të mos mbetet peng i vullnetit të Beogradit. Ne s’marrim pjesë në votime në procedura që s’i konsiderojmë si Kushtetuese në radhë të parë dhe për këtë arsye mbajmë qëndrim parimor”, tha Abdixhiku. /Telegrafi/

The post Abdixhiku: Vota për Bashën nga PDK e AAK, gabim trashanik – Kosova po hyn në krizë tjetër appeared first on Telegrafi.

Slavko Simiq nga Lista Serbe nuk arrin të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit

26 August 2025 at 14:55

I propozuari i Listës Serbe për nënkryetar, Slavko Simiq nuk ka arritur të zgjidhet.

Për Simiqin votuan vetëm 10 deputetë, 55 ishin kundër dhe 23 abstenime.

Deputetët e LVV-së votuan kundër, kurse deputetët e PDK-së abstenuan.

LDK dhe AAK nuk morën fare pjesë në votim.

Lista Serbe propozoi sërish deputetin Simiq për nënkryetar. Edhe në raundin e dytë të votimit ai nuk mori votat e duhura.

Ai mori sërish vetëm 10 vota për, 56 kundër dhe 21 abstenime.

Ndërkaq Emilija Rexhepi nga komunitetet joshumicë jo serbe, arriti të zgjidhet duke marrë 73 vota për, 1 kundër dhe 23 abstenime. /Telegrafi/

The post Slavko Simiq nga Lista Serbe nuk arrin të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit appeared first on Telegrafi.

Votim jo në pako për nënkryetarët nga komunitetet jo-shumicë, Lista Serbe kundërshton

26 August 2025 at 14:38

Kuvendi i Kosovës i është kthyer normalitetit pas gati shtatë muajsh ngërç politik. Në seancën e 58-të të mbajtur sot (e martë) Kuvendi zgjodhi si kryetar deputetin Dimal Basha.

Pas zgjedhjes së Bashës, Kuvendi zgjodhi edhe tre nënkryetarë nga radhët e partive kryesore. Nga LVV u zgjodh Albulena Hahxhiu, nga PDK Vlora Çitaku dhe nga LDK, Kujtim Shala.

Pas kësaj radha ishte për zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet.

Elbert Krasniqi nga komunitetet pakicë propozoi tre emra me rotacion për pozitën e nënkryetarit.

“Propozojmë Emilja Rexhepi nga data 26.8.25 deri 26.12.26, Fidan Jilta 26.12.26 deri 26.06.27 dhe Artan Asllani nga 26.06.27 deri në përfundim të mandatit”, tha Krasniqi.

Krasniqi kërkoi që votimi për nënkryetarin nga komunitetet jo shumicë, në këtë rast serbët të bëhet ndaras.

Mirëpo Lista Serbe nuk e pranoj një gjë të tillë. Deputeti Igor Simiq kërkoi që edhe votimi për nënkryetarët nga komunitetet të bëhet në pako.

Ata propozuan emrin e Sllavko Simiq për nënkryetar.

Megjithatë në foltore ka marrë fjalën edhe deputeti i vetëm serb që nuk i takoj këtij grupi, Nenad Rashiq që e propozoi emrin e vet për nënkryetar.

Ndërkaq kryetari i Kuvendit, Dimal Basha kërkoi që votimi të bëhet veç e veç. /Telegrafi/

The post Votim jo në pako për nënkryetarët nga komunitetet jo-shumicë, Lista Serbe kundërshton appeared first on Telegrafi.

Ganimete Musliu: I thashë JO Dimal Bashës, nuk mund të votoj për një përçarës

26 August 2025 at 12:47

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka sqaruar arsyet pse ka refuzuar të japë votën e saj për Dimal Bashën si kryetar të Kuvendit të Kosovës.

Në një reagim publik, Musliu është shprehur qartë se zgjedhja e Bashës është e papranueshme për të, duke e cilësuar atë si figurë përçarëse.

“I thashë JO Dimal Bashës. Nuk mund të votoj për Kryetar të Kuvendit një person që karrierën politike e ka ndërtuar, jo mbi vizionin e unitetin, por mbi urrejtje dhe përçarje,” ka shkruar Musliu.

Ajo theksoi se refuzimi i saj nuk ishte personal por i bazuar në parim, duke e konsideruar Bashën si një figurë që ka treguar përçmim ndaj vlerave që ajo përfaqëson.

“Si qytetare dhe si deputete, nuk mund të pranoj që në një nga pozitat më të larta shtetërore të ulet dikush që hapur ka treguar përçmim ndaj Ushtrisë Çlirimtare, ndaj Drenicës, ndaj PDK-së dhe ndaj figurës së Hashim Thaçit,” ka theksuar ajo.

Musliu shtoi se një votë për Bashën do të ishte tradhti ndaj votuesve të saj, të cilët i kanë dhënë besim që prej më shumë se një dekade e gjysmë.

“Vota për një përçarës si Dimal Basha do të quhej tradhti ndaj besimit të mbi 31.000 votuesve të cilët i kanë besuar fjalës time për më shumë se 16-të vjet,” shkroi ajo.

Musliu tha se vendi ka nevojë për udhëheqës që bashkojnë dhe respektojnë historinë.

“Ne kemi nevojë për udhëheqës që bashkojnë, jo që përçajnë e përçmojnë. Ne kemi nevojë për liderë që respektojnë historinë, jo që e shkelin atë për interesa personale apo politike. Ne kemi nevojë për dinjitet! Ky nuk është inat – ËSHTË PARIM”, ka shkruar deputetja Musliu.

Zgjedhja e Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit u bë me 73 vota për, përfshirë edhe disa deputetë nga PDK e AAK. /Telegrafi/

The post Ganimete Musliu: I thashë JO Dimal Bashës, nuk mund të votoj për një përçarës appeared first on Telegrafi.

“Një magar nuk mund t’u prijë 100 luanëve” – deputeti Nura godet Dimal Bashën

26 August 2025 at 10:39

Deputeti i PDK-së, Jakup Nura ka thënë se është fyerje për votuesit në Kosovë që Dimal Basha të jetë në krye të Kuvendit.

Ai tha se propozimi i Bashës nga VV në seancën e kaluar ishte befasi.

“Sa i përket propozimit të VV-së vërtetë është me të ardh keq që VV vendos me qit një propozim që i ka befasu edhe vetë ata. Një njeri që besoj që edhe votat e VV-së nuk do të shkonin për Dimal Bashën”, tha Nura.

Nura tha se edhe për PDK-në ka qenë befasi dhe se kërkuan të marrim një pauzë dhe të njoftohen se a është vërtetë vullneti dhe qëndrimi i tyre që Dimal Basha të jetë në krye të Kuvendit.

“Në ushtri e kemi një term që thotë më mirë është një luan me ju pri 100 magarëve, se një magar me ju pri 100 luanëve. Tash Dimal Basha me qenë në krye të Kuvendit është fyerje për votuesit e VV-së dhe fyerje për votuesit e tërë Kosovës”, tha Nura. /Telegrafi/

The post “Një magar nuk mund t’u prijë 100 luanëve” – deputeti Nura godet Dimal Bashën appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Mbrojtja e Thaçit kërkon heqjen e aktakuzës për pengim të drejtësisë

25 August 2025 at 14:27

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, ka dorëzuar më 18 gusht 2025 një kërkesë ndaj vendimit të Gjykatës Speciale lidhur me kompetencën për të shqyrtuar Rastin 12, që lidhet me akuzën për pengim të drejtësisë.

Në këtë kërkesë, mbrojtja e Thaçit kërkon nga paneli i Apelit që të anulojë vendimin e Gjykatës dhe të deklarojë se gjykatësi paraprak nuk ka qenë kompetent për të nxjerrë aktakuzën për Rastin 12.

Mbrojtja argumenton se Prokuroria Speciale ka filluar procedurat në mënyrë të njëanshme para një gjykatësi të vetëm, duke anashkaluar kompetencat ekskluzive të Panelit të Gjyqtarëve që duhet të mbikëqyrë çështjet që lidhen me gjykimin e drejtë të zotit Thaçi.

Ekipi mbrojtës argumenton se trajtimi i të njëjtave fakte në dy procese të ndryshme rrezikon vendime kontradiktore dhe cenon prezumimin e pafajësisë së ish-presidentit.

Gjykatësi më 19 qershor 2025, kishte refuzuar plotësisht kërkesën e mbrojtjes për moskompetencë, por më pas mbrojtja ka kërkuar leje për kërkesë duke identifikuar katër çështje për shqyrtim dhe certifikim, nga të cilat tri janë miratuar më 23 korrik 2025.

Avokatja Sophie Menegon, që e përfaqëson Thaçin ka kërkuar që të hiqet aktakuza e Rastit 12 dhe të shpallë se gjyqtari i procedurës paraprake nuk kishte kompetent për të lëshuar aktakuzën mbi këtë rast. /Telegrafi/

The post Mbrojtja e Thaçit kërkon heqjen e aktakuzës për pengim të drejtësisë appeared first on Telegrafi.

Fillojnë punimet për përmirësimin e rrugëve rurale në Gjakovë

25 August 2025 at 12:34

Në fshatrat Rezine, Doblibare dhe Berdosane kanë nisur punimet për rikonstruksionin e rrugëve rurale, një hap i rëndësishëm për lidhjen më të mirë të komuniteteve në këtë rajon.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini në njoftimin e tij tha se në Rezine, Doblibare dhe Berdosane sot u ndezën motorët e makinerive për një tjetër kapitull të rëndësishëm në infrastrukturën rurale të Gjakovës.

Ai bëri me dije se janë planifikuar të përfundojnë 8 akse rrugore me gjatësi prej 1.7 kilometrash, që do të lidhen për të përmirësuar qasjen mes shtëpive dhe fshatrave për banorët.

Gjini theksoi edhe rëndësinë e këtij investimi, duke thënë se “me një investim prej 150,000 €, po sjellim standardin e rrugëve të denja për këta banorë që vazhdojnë të mbajnë gjallë jetën në fshat.”

Ai përmbylli mesazhin me optimizëm për zhvillimin e mëtejshëm të zonës. “Gjakova po ecën përpara, gur për gur, rrugë pas rruge”. /Telegrafi/

The post Fillojnë punimet për përmirësimin e rrugëve rurale në Gjakovë appeared first on Telegrafi.

Asfaltimi në “Rrugën A” ndez tensione, dy persona shoqërohen nga policia

25 August 2025 at 12:28

Asfaltimi i segmentit të “Rrugës A” që e lidh atë me “Rrugën B”, ka nxitur tensione.

Si rezultat i situatës së krijuar në vendin e punimeve është dashur të ndërhyjë edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana tha për Telegrafin se dy persona janë shoqëruar në stacionin policor pasi që kanë penguar punimet në “Rrugën A”.

“Sot rreth orës 08:00, dy persona janë shoqëruar për në stacion policor, pasi që të njëjtit kanë penguar punimet që kanë qenë duke u bërë në rrugën “A”. Në koordinim me prokurorin, të njëjtit janë intervistuar dhe u janë shqiptuar gjoba për “Prishje të rendit dhe qetësisë publike”, tha ai. /Telegrafi/

The post Asfaltimi në “Rrugën A” ndez tensione, dy persona shoqërohen nga policia appeared first on Telegrafi.

Mori pjesë në sulmin ndaj KFOR-it dhe policisë, kërkohet paraburgim për të arrestuarin në Zveçan

25 August 2025 at 12:19

Prokuroria Speciale ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit Lj.M., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale.

Në njoftimin e saj, Prokuroria thekson se ndaj Lj.M. rëndojnë dyshimet për veprat penale: “bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, sulm ndaj personit zyrtar”

Sipas Prokurorisë Speciale, i pandehuri dyshohet se më 29 maj 2023, para objektit të komunës së Zveçanit, në bashkëkryerje edhe me të dyshuar të tjerë ka sulmuar me gurë, bombë molotov dhe armë pjesëtarët e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarët që kanë raportuar për ngjarjen.

Gjatë hetimeve dhe bastisjes në shtëpinë e të pandehurit, janë siguruar prova materiale, përfshirë: një telefon, uniforma të ndryshme ushtarake, dy USB, dhe një maicë me mbishkrim me motive nacionaliste, të cilat, sipas Prokurorisë konfirmojnë veprimet inkriminuese e të pandehurit në ditën kritike.

Prokuroria Speciale siguron publikun se “mbetet e përkushtuar në hetimin e plotë dhe ndjekjen e të gjithë kryerësve të këtyre veprave penale”. /Telegrafi/

The post Mori pjesë në sulmin ndaj KFOR-it dhe policisë, kërkohet paraburgim për të arrestuarin në Zveçan appeared first on Telegrafi.

Rregullohet infrastruktura në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjilan

25 August 2025 at 08:49

Investimet në infrastrukturën e lagjeve të qytetit të Gjilanit po vazhdojnë me intensitet, ku një ndër projektet e fundit është rregullimi i rrugës “Vëllezërit Frashëri” në lagjen Dheu i Bardhë.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka vizituar nga afër punimet në këtë rrugë, e cila ndodhet në fazën përfundimtare të ndërtimit.

Projekti përfshin jo vetëm asfaltimin dhe ndërtimin e trotuareve, por edhe rregullimin e rrjetit të kanalizimit, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet për banorët.

“Pas shumë punimeve në terren, rruga ‘Vëllezërit Frashëri’, me gjatësi mbi 500 metra dhe gjerësi 5 metra, përfaqëson një arterie shumë të rëndësishme, jo vetëm për lagjen Dheu i Bardhë, por për të gjithë qytetin,” u shpreh Hyseni.

Ai shtoi se ky investim do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së banorëve.

“Me asfaltimin, trotuaret e reja dhe intervenimet në kanalizim, po zgjidhim një problem të madh për banorët e kësaj zone, duke ofruar siguri më të madhe, infrastrukturë më funksionale dhe cilësi më të mirë jetese”, tha Hyseni. /Telegrafi/

The post Rregullohet infrastruktura në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjilan appeared first on Telegrafi.

Fluksi në pikat kufitare, vazhdojnë pritjet e gjata në Merdar dhe te Dheu i Bardhë

25 August 2025 at 08:20

Qarkullimi në pikat kufitare të Kosovës vazhdon të jetë përgjithësisht i qetë në shumicën e kalimeve, por në dy prej tyre Merdar dhe Dheu i Bardhë, është shënuar fluks më i lartë dhe pritje të zgjatura për dalje nga vendi.

Në pikën kufitare Merdar, në dalje regjistrohen pritje deri në 60 minuta ndërsa kolona ka arritur në rreth 700 metra.

Në hyrje, pritja është më e shkurtër rreth 5–10 minuta, pa kolonë të dukshme.

Ngjashëm, edhe në Dheun e Bardhë automjetet që dalin nga Kosova po përballen me pritje deri në 40 minuta dhe kolonë rreth 400 metra, ndërsa hyrja është pa vonesa të mëdha.

Në të gjitha pikat e tjera kufitare situata paraqitet e qetë me pritje mes 3 deri në 5 minuta dhe pa kolona.

Edhe për kamionët, në të gjitha pikat nuk ka raportime për vonesa apo kolona, me kohë të hyrjes dhe daljes që variojnë nga 3 deri në 5 minuta. /Telegrafi/

 

The post Fluksi në pikat kufitare, vazhdojnë pritjet e gjata në Merdar dhe te Dheu i Bardhë appeared first on Telegrafi.

Javë me diell dhe pa reshje, temperaturat tipike verore

25 August 2025 at 07:11

Kjo javë pritet të jetë nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike, duke sjellë mot kryesisht të kthjellët.

Parashikimet sinjalizojnë një fillim jave me mëngjese të freskëta dhe temperatura që do të rriten gradualisht gjatë ditës, duke arritur vlera tipike për stinën e verës.

Sipas të dhënave meteorologjike, moti do të jetë me diell dhe ndonjë vranësirë kalimtare, por pa reshje të dukshme.

Ditën e hënë, vendi do të përfshihet nga një mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi veriperëndimor, me intensitet të lehtë deri mesatar, duke krijuar kushte më të përballueshme gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Temperaturat minimale do të sillen nga 9-12 gradë Celsius, kurse ato maksimale nga 24-27 gradë Celsius.

Stabiliteti atmosferik do të shoqërohet edhe me erëra të lehta, të cilat do të ndikojnë që moti të jetë më i përballueshëm gjatë periudhave më të nxehta të ditës.

Sipas parashikimeve, nuk priten ndryshime të mëdha atmosferike, çka nënkupton se java do të karakterizohet nga mot i qëndrueshëm, tipik veror dhe i përshtatshëm për planifikimin e aktiviteteve të ndryshme. /Telegrafi/

The post Javë me diell dhe pa reshje, temperaturat tipike verore appeared first on Telegrafi.

Telefon, USB dhe uniforma ushtarake – çfarë u gjet në shtëpinë e të arrestuarit për sulmin ndaj KFOR-it e policisë në Zveçan

24 August 2025 at 15:46

Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për përfshirje në sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës më 29 maj 2023 në Zveçan.

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka dhënë detaje shtesë rreth arrestimit të të dyshuarit Lj.M.

Sipas njoftimit i dyshuari i cili punon dhe qëndron në Serbi, është ndaluar pasi që kishte hyrë në Kosovë nga Serbia.

Arrestimi u bë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale.

“Sot, me datë 24 Gusht 2025, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, përmes rrugëve operative, ka pranuar informacion se personi i dyshuar Lj. M, i cili dyshohet se ka marr pjesë aktive në rastin e sulmit ndaj KFOR-it dhe Policisë të datës 29.05.2023 para objektit të komunës në Zveçan, ka hyrë nga Serbia në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Në shtëpinë e të dyshuarit në komunën e Zveçanit janë zhvilluar bastisje me mbështetjen e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë të Veriut, ku janë sekuestruar disa prova materiale.

“Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: një telefon, uniforma të ndryshme ushtarake, dy USB, dhe një ‘maicë’ me mbishkrim nacionalist të cilën dyshohet se e ka pasur të veshur ditën kritike”, thuhet në komunikatë.

Policia thekson se masa e ndalimit është ndërmarrë për shkak të “peshës së veprave të kryera dhe rrezikut potencial për arratisje, pasi që i dyshuari punon dhe qëndron në Serbi, si dhe mundësinë për manipulimin apo zhdukjen e provave”.

I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit dhe përkthyesit, ndërsa me vendim të Prokurorit Special është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Poashtu me vendim të prokurorit është inicuar rasti për veprat penale: ‘Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’, ‘Rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare’, ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe ‘Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm’”, thuhet në njoftim.

Hetimet ndaj të dyshuarit janë në zhvillim dhe pritet që Prokuroria Speciale të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit. /Telegrafi/

The post Telefon, USB dhe uniforma ushtarake – çfarë u gjet në shtëpinë e të arrestuarit për sulmin ndaj KFOR-it e policisë në Zveçan appeared first on Telegrafi.

​Lista Serbe kthehet në garë, partitë politike me akuza të ndryshe për vendimin e PZAP-së

24 August 2025 at 15:37

Partitë politike kanë komentuar vendimin e sotëm të Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili urdhëron Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Derisa Lëvizja Vetëvendosje, ka paralajmëruar se do ta shikojnë mundësinë për ankimim në Gjykatën Supreme, në Partinë Demokratike dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kanë fajësuar Vetëvendosjen se e ka bërë të njëjtën lojë sikur në zgjedhjet e shkurtit për ta certifikuar këtë subjekt politik të serbëve.

PZAP ka marrë vendim në favor të subjektit politik Lista Serbe, duke aprovuar ankesën e këtij subjekti kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për moscertifikimin e listës së kandidatëve të saj për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Me këtë vendim, PZAP e ka anuluar vendimin e KQZ-së të datës 21 gusht, në të cilin KQZ kishte refuzuar certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe për shkak të vlerësimit se disa kandidatë nuk i përmbushnin kriteret ligjore për të qenë pjesë e garës zgjedhore.

Sipas arsyetimit të PZAP, vendimi i KQZ-së nuk ka qenë i bazuar në mënyrë të duhur në ligj dhe nuk është dëshmuar bindshëm që kandidatët në fjalë janë në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton kriteret për të drejtën për t’u zgjedhur.

PZAP i ka kërkuar KQZ-së që të bëjë certifikimin e listës së kandidatëve të Listës Serbe për komunat ku ka aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.

Ndërkohë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se do ta shikojnë mundësinë për ta dërguar në Gjykatën Supreme, këtë vendim të cilin e ka quajtur skandaloz të PZAP-së.

“Siç e pash ata kanë urdhëruar KQZ-në që të bëj certifikimin e Listës Serbe. Për mua është një vendim tejet i dëmshëm. Ngutija e PZAP-së për të marrë një vendim të tillë duke pasur parasysh që kanë 72 orë në dispozicion për ta marrë një vendim, lënë të kuptohet se ata kanë pas një presion mbi këtë institucion. Ata nuk janë bazuar në dokumentet që i ka ofruar KQZ dhe dokumente që kanë ardhur nga institucionet e sigurisë. Sigurisht që duhet shihet mundësia që ky vendim të apelohet, të dërgohet në Gjykatën Supreme dhe që ne do të merremi me këtë gjatë ditës, por për mua është një vendim skandaloz dhe i bën përgjegjëse PZAP-në edhe për veprimtarinë kriminale të Listës Serbe”, tha ajo.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se përfaqësuesit e LVV-së në KQZ e kanë ditur që po bëjnë zhurmë për ta kaluar Listën Serbe.

“Nuk e kam parë vendimin e PZAP-së por iu kam thënë se kjo është lojë e Vetëvendosjes që e kanë luajtur edhe në zgjedhjet e shkurtit, e luajnë patriotin në momente të caktuar, ndërsa asnjëherë nuk kanë votuar kundër Listës Serbe , qoftë edhe për vendime të tjera. Ajo që më shqetëson për sa i përket vendimit të PZAP-së, është fakti që kanë miratuar një vendim të KQZ-së, i cili është i ndikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme për të ia pamundësuar kandidatit të komunës së Deçanit për të marrë pjesë në këtë garë. Domethënë Ministra e Punëve të Jashtme në mënyrë të targetuar ka vepruar që përmes KQZ-së, duke i dërguar letra të interpretushme gabim për të pamundësuar kandidatit tonë për kryetar të Deçanit, Ramë Mushkolaj. Kjo për mua ka qen shqetësuese se sa i përket Listën Serbe e kanë ditë edhe ata përfaqësues të Vetëvendosjes që po bëjnë zhurmë për ta kaluar”, tha ai.

Kurse, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri kritikoi KQZ-në për vendimin e fundit të PZAP-së.

“KQZ dhe Gjykata Kushtetuese janë bërë institucione që po sjellin vendime politike nëpërmjet mekanizmave të tjerë, që nuk do të duhej me qen”, tha ai.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj këto praktika kanë ndodhur edhe më herët.

“Në KQZ, kemi abstenuar ndaj këtij qëndrimi, ndërsa është ditur sepse duke u bazuar në praktikat e mëhershme që është tentuar që nuk ka dhënë drita jeshile për certifikim të kandidatëve të Listës Serbe, është kthyer vendimi dhe me automatizëm ata do të certifikohen. Nuk kemi çka të bëjmë duhet ta pranojmë këtë fakt. E kanë ditur të gjithë, politiken më të madhe e ka bërë LVV-ja duke e ditur që do të certifikohen njëjtë ka ndodhur edhe në mandatet e kaluara ajo është kthyer”, tha Kadrijaj.

Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe, i mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime gjatë një mbledhjeje të 21 gushtit të KQZ-së./KP/

The post ​Lista Serbe kthehet në garë, partitë politike me akuza të ndryshe për vendimin e PZAP-së appeared first on Telegrafi.

Hasani: S’e përjashtoj mundësinë që Kuvendi të mos konstituohet dhe Kushtetuesja të vihet sërish në lëvizje

24 August 2025 at 15:34

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, thotë se i takon politikës që, brenda normave dhe parimeve kushtetuese, të gjejë rrugë për të dalë nga ngërçi politik.

Në këtë intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani thotë se nuk e përjashton mundësinë që Kuvendi të mos konstituohet brenda 30-ditësh dhe Gjykata Kushtetuese “të vihet sërish në lëvizje sipas procedurës së paraparë kushtetuese dhe ligjore”.

Sipas Hasanit, i cili është profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, aktgjykimi i fundit i Kushtetueses lidhur me konstituimin e Kuvendit është i qartë, por shton se bazuar në sjelljen e Lëvizjes Vetëvendosje, afati 30-ditor i vendosur nuk do të respektohet.

“Nëse gjykojmë sjelljet e zotit [kreut të LVV-së, Albin] Kurti, gjendja po shkon drejt moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ai po zbaton aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese me qëllim të pengimit të konstituimit ose inaugurimit të Kuvendit të Kosovës”, thotë ai.

Hasani vlerëson se e vetmja mangësi e aktgjykimit të Kushtetueses është që aty nuk qartësohet sanksioni kushtetues. Si sanksion të mundshëm ai përmend decertifikimin e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, ose kur të identifikohen rastet e shkelësve të vendimeve të Kushtetueses, ata sipas tij, duhet të “eliminohen nga pozitat drejtuese, në këtë rast, në procesin e konstituimit”.

Aktgjykimi i Kushtetueses – i publikuar i plotë më 18 gusht – u jep 30 ditë kohë deputetëve të përmbyllin procesin e konstituimit. Aty thuhet se kryeparlamentari zgjidhet me votim të hapur dhe emri i një kandidati mund të hidhet në votim deri në tri herë.

Profesor Hasani, a kanë shkaktuar paqartësi vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të cilat kanë të bëjnë me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës?

Enver Hasani: Jo, askund nuk mund të fajësohet Gjykata Kushtetuese për paqartësi. Si ky aktgjykim, ashtu edhe ai i qershorit, janë të qartë. Problemi ka lindur dhe lind gjithmonë në terrenin politik. Kështu ka qenë edhe në të kaluarën. Dispozitat kushtetuese kanë qenë dhe mbeten të qarta, duke bërë dallim mes konstituimit (inaugurimit) të Kuvendit të Kosovës dhe punës së Kuvendit të Kosovës pas konstituimit, si organ kushtetutvënës, ligjvënës, mbikëqyrës, deliberativ dhe përfaqësues i popullit të Kosovës dhe i qytetarëve të saj.

Konstituimi është inaugurimi solemn i Kuvendit të Kosovës pas certifikimit të zgjedhjeve nacionale, ashtu siç e ka sqaruar Gjykata Kushtetuese në vitin 2014. Në këtë inaugurim solemn nuk mund të ketë grup tjetër parlamentar përveç atyre që dalin nga vullneti i lirë dhe kutitë e votimit. Vetëm pas inaugurimit mund të vijë deri te riformimi dhe riformatizimi i grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Megjithatë, edhe atëherë, ai rikonfigurim dhe riformatizim nuk mund të ndryshojë strukturën e organeve të Kuvendit të Kosovës dhe as ato që lidhen me punën e tij. Për këtë ekzistojnë aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese që nuk lejojnë ndryshimin e kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe të strukturës së Komisionit Qendror Zgjedhor si pasojë e fluktuimeve partiake që ndodhin natyrshëm në Kuvend dhe në terrenin politik. Çdo qasje ndryshe do ta zhvlerësonte kuptimin e zgjedhjeve nacionale.

Interpretimet ndryshe që janë bërë dhe i bëhen këtij dimensioni – pra inaugurimit të Kuvendit të Kosovës dhe natyrës së tij juridiko-kushtetuese – janë dashakeqe dhe vijnë nga njerëz që nuk kanë njohuri themelore për të drejtën kushtetuese dhe të drejtën parlamentare si pjesë e saj. Në këtë dashakeqësi, jo rrallë shohim shfaqje të çoroditura nga individë që dikur kanë qenë militantë të një partie, ndërsa sot janë kundër së njëjtës parti.

Kushtetuta, megjithatë, mbetet e njëjtë dhe nuk ka ndryshuar asgjë në konceptimin e inaugurimit të Kuvendit të Kosovës: ai duhet të bëhet patjetër, dhe mosinaugurimi i tij nuk mund të çojë në zgjedhje të jashtëzakonshme të përgjithshme. Kjo është përgjegjësi e grupeve parlamentare, ashtu siç kanë dalë nga kutitë e votimit, dhe asnjëherë ndryshe.

Partia e parë fituese, që është gjithmonë fituese relative, sikurse edhe në vitin 2021, ka vetëm një privilegj: t’i prijë procesit në mënyrën e përcaktuar nga Kushtetuta dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç interpretojnë ato nenet 66.1 dhe 67 të Kushtetutës dhe dispozitat relevante ligjore e nënligjore mbi inaugurimin e Kuvendit të Kosovës.

Mangësia e aktgjykimit, “qartësimi i sanksioneve kushtetuese”

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese a ofron saktësi për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit?

Enver Hasani: Po. Aktgjykimi i fundit, pa asnjë dyshim, ofron saktësi për zhbllokimin e procesit të inaugurimit të Kuvendit të Kosovës. Partia e parë, ose koalicioni fitues i zgjedhjeve të shkurtit 2025, ka prerogativën kushtetuese për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Me këtë prerogativë vjen edhe përgjegjësia, që nënkupton se e drejta e dhënë kushtetuese nuk mund të abuzohet pafundësisht, sepse tashmë ekziston një afat 30-ditor brenda të cilit kjo e drejtë duhet të ushtrohet. Përveç kësaj, aktgjykimi i fundit ka treguar qartë edhe mënyrën e inaugurimit, duke e kufizuar të drejtën e propozimit të një kandidati vetëm në tri herë.

Çka i mungon vendimit të Kushtetueses?

Enver Hasani: Mendoj se i mungon qartësimi i sanksionit kushtetues. Në arsyetimin e saj, Gjykata, me stil të qartë profesional dhe elokuencë, ka treguar se Kushtetuta e Kosovës mund të shkelet edhe nga individë apo subjekte të tjera, të cilat më parë nuk kanë figuruar shprehimisht në tekstin e saj. Siç e dimë, deri më tani shkelje të tilla, me pasoja të qarta juridike, mund të ndodhnin vetëm nga presidenti i Republikës. Për këtë ekziston një praktikë e pasur gjyqësore, e cila prej kohësh studiohet dhe mësohet në katedrat e së drejtës kushtetuese në Kosovë dhe jashtë saj, përveçse është trajtuar gjerësisht edhe në literaturën akademike.

Meqë Gjykata Kushtetuese, duke iu referuar mendimeve të Komisionit të Venecias, ka vënë në dukje se edhe individët mund të jenë shkelës të Kushtetutës në mënyrë autonome gjatë ushtrimit të detyrimeve të tyre kushtetuese dhe ligjore, atëherë është dashur dhe duhet të ndërtohen sanksione të qarta kushtetuese për shkelësit e tillë. Këto sanksione janë gjithmonë të ndryshme nga ato që shqiptohen në sferën penale, civile apo administrative.

E theksoj këtë sepse, për fat të keq, vazhdimisht ka njerëz që, në emër të profesionit, kërkojnë burgosjen e deputetëve për shkak të sjelljeve të tyre në procesin e inaugurimit të Kuvendit të Kosovës. Në këtë kuptim, asnjëherë nuk mund të ndodhë burgosja e deputetëve të Kosovës për shkak të moskonstituimit të Kuvendit. Përgjegjësia penale e deputetëve lind vetëm nëse ata shkelin ligjin penal, e jo Kushtetutën e Kosovës. Kaq e thjeshtë është kjo.

Profesor, çfarë mund të jenë ato sanksione?

Enver Hasani: Po, sanksionet mund të jenë, ta zëmë, që krejt natyrshëm do t’i shkonte zotit (kryesuesit të seancës konstituive Avni) Dehari decertifikimi i tij dhe jo vetëm largimi nga posti i kryesuesit për shkak të moshës. Ose, kur mund të identifikohen rastet e shkelësve (të vendimeve të Kushtetueses), të eliminohen nga pozitat drejtuese, në këtë rast, në procesin e konstituimit.

A po i shmangë Kushtetuesja në vendimet e saj të fundit pasojat ndaj shkelësve të vendimeve të saj?

Enver Hasani: Sigurisht që deri më tani Gjykata Kushtetuese ka vepruar me një lloj ndrojtjeje dhe është mbështetur shumë në mirëbesimin e deputetëve për zbatimin e aktgjykimeve të saj. Pra, arsyeja pse Gjykata nuk po i vë në dukje pasojat juridiko-kushtetuese për individët që në mënyrë specifike pengojnë dhe rrënojnë procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës lidhet, nga njëra anë, me frikën nga politika dhe reagimet e saj irracionale, dhe nga ana tjetër me mbështetjen në mirëbesimin e deputetëve se do t’i zbatojnë detyrimet e tyre kushtetuese të përcaktuara në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.

Profesor Hasani, e përmendët që Gjykata Kushtetuese ka vepruar me një lloj ndrojtjeje. Nga kush druhet gjykata?

Enver Hasani: Partia në pushtet – nëse merret parasysh arkivi ose rekordi i krejt partive politike në raport me institucionet e drejtësisë, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, ose mbi të gjitha, Gjykatën Kushtetuese – besoj që Lëvizja Vetëvendosje ka një rekord absolut, dhe brutaliteti me të cilin ajo ka ftuar për linç ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është i pashembullt në jurisprudencën, jo vetëm të Kosovës, por edhe të vendeve të rajonit. Do të thosha se janë raste të rralla në praktikën e ish-vendeve komuniste. Mund të krahasohet me Bjellorusinë, me rastin e Gjykatës Kushtuese në Rusi. Në të tjerat, nuk mund të hasim në këso (situatash) që me kaq brutalitet, me goditje kaq brutale, me ftesë për linçim në mënyrë kaq primitive, siç shohim te Lëvizja Vetëvendosje. Tentime të tilla ka pasur edhe në vitin 2014 ndaj meje personalisht, ndaj personit tim, dhe ndaj Gjykatës Kushtetuese, por zbatimi i tyre nuk ka shkuar me kaq vështirësi dhe me kaq komentime tërësisht joprofesionale.

Kërkesa e Osmanit “kishte për qëllim paralizimin e punës të Kushtetueses”

Ku çon kjo shmangie e pasojave nga Gjykata Kushtetuese?

Enver Hasani: Kjo shmangie çon në thellimin e ngërçit politik aktual, duke e bërë edhe më të vështirë zgjidhjen e tij – zgjidhje që është e pashmangshme, sepse asnjëherë individi, sado i fuqishëm politikisht, nuk mund të fitojë betejën me normat dhe parimet kushtetuese e ligjore dhe me mekanizmat shtetërorë që garantojnë zbatimin e tyre. Asnjëherë.

Presidentja Vjosa Osmani e ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pasojat juridike për mosrespektimin e aftit 30-ditësh për konstituimin e Kuvendit. Pavarësisht kësaj, a mund të pritet që Gjykata Kushtetuese ta japë një mendim dhe a mund të ndodhë kjo para se të kalojë afati aktual prej 30 ditësh, që përfundon më 18 shtator?

Enver Hasani: Kërkesa e zonjës Osmani ka qenë turpi më i madh që mund të bëjë një shef shteti. Ajo ka pasur vetëm një qëllim: paralizimin e punës së Gjykatës Kushtetuese, në vend se të kujdesej për mirëvajtjen e saj, siç e ka detyrim kushtetues.

Edhe sikur zonja Osmani të ketë pasur informata të sakta për rrezikim të sigurisë kombëtare nga një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ajo nuk ka guxuar dhe nuk guxon të dalë në publik e të denoncojë një gjë të tillë. Si shefe e shtetit, ajo ka në dispozicion të gjitha mekanizmat kushtetues dhe shtetërorë për të nisur procedurat e nevojshme dhe për të penguar çdo rrezikim të sigurisë kombëtare. Thirrja me emër e mbiemër e një gjyqtari kushtetues nga presidentja e Republikës, në një çështje ku vetë është palë në procedurë, përbën asgjë më pak se huliganizëm institucional, i papranueshëm për çdo institucion shtetëror – e aq më pak për presidentin e Republikës.

Kjo kërkesë është qartazi e pabazuar dhe pa meritë. Gjykata, megjithatë, ka të drejtë të vazhdojë procedurën lidhur me të. Por, kjo kërkesë nuk ka asnjë relevancë në procedurat që lidhen me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, sepse presidenti i Republikës nuk mund të paraqitet si palë në procedurë për këtë temë. Presidenti i Republikës ka vetëm një autorizim: thirrjen e seancës së parë konstituive – dhe edhe këtë jo si detyrim, por si kompetencë që mund ta ushtrojë nëse dëshiron.

Zgjidhja e ngërçit “është politike”

A mendoni që Gjykata Kushtetuese sërish do të ballafaqohet me kërkesa për interpretim të gjendjes së krijuar lidhur me konstituimin e Kuvendit?

Enver Hasani: Nëse gjykojmë sjelljet e zotit Kurti, gjendja po shkon drejt moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ai po zbaton aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese me qëllim të pengimit të konstituimit ose inaugurimit të Kuvendit të Kosovës.

Profesor, kur them se a mund të ketë kërkesa për interpretim të gjendjes së krijuar lidhur me konstituimin e Kuvendit, do të thotë a mund të ketë kërkesa të reja po themi, pasi eventualisht të përfundojë afati 30-ditor dhe çfarë mund të jenë ato?

Enver Hasani: Zgjidhja ka qenë dhe mbetet politike. I takon politikës të gjejë rrugëzgjidhje brenda normave dhe parimeve kushtetuese, si dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese që interpretojnë këto norma dhe parime.

Nuk e përjashtoj mundësinë që Kuvendi i Kosovës të mos inaugurohet edhe brenda këtyre 30 ditëve të parashikuara, dhe që Gjykata të vihet sërish në lëvizje sipas procedurës së paraparë kushtetuese dhe ligjore.

Do të thotë, kjo është shtegdalja?

Enver Hasani: Po, nuk ka tjetër rrugë. Rruga e vetme është që procesi politik duhet të zhvillohet sipas normave dhe parimeve kushtetuese, ashtu siç i ka interpretuar dhe i interpreton Gjykata Kushtetuese. Asnjë rrugë tjetër nuk mund të ndiqet./REL/

The post Hasani: S’e përjashtoj mundësinë që Kuvendi të mos konstituohet dhe Kushtetuesja të vihet sërish në lëvizje appeared first on Telegrafi.

❌
❌