Në fillim të letrës Grremçi shtron pyetje për çdo organ të drejtësisë?
Si është e mundur që komuna e kryeqytetit të mos ia legalizon shtëpinë Grremçit kur ai e ka ble para 45 vjetësh dhe ka paguar rregullisht tatimin dhe çdo obligim ndaj komunës për 45 vjet rresht.
Mungesa e vendimit të gjykatës shkaktoi edhe shumë probleme familjare. Në këtë situatë, fëmijët e Grremçit ikën azil, dhjetë vjet pas përfundimit të luftës.
Në vazhdim Grremçi shkruan në hollësi për problemin e tij të pazgjidhur.
– Zoti gjykatës, po ju pyes si blihet një pëllëmbë tokë?
A njeh ti Kanunin o gjykatës?
A njeh ti Sheriatin?
A njeh ti Biblën?
A njeh drejtësinë e tashme të një vendi të çliruar pas njëqind vjetësh?
A di ti more gjykatës se edhe gjatë gjithë pushtimit romak të këtyre tokave kishte disa rregulla juridike për të ndarë drejtësi?
Edhe romakët kishin përcaktuar ca rregulla pronësore.
E keni dhënë provimin nga lënda “E drejta romake”?
Ndoshta as nuk ke dëgjuar kurrë këtë fjalë?
Ndoshta ke dëgjuar së paku si ndahej drejtësia gjatë pushtimit osman për më shumë se pesë shekuj?
Ndoshta ke dëgjuar për Sheriatin?
Keni dëgjuar se kishte Kadi për ndarje të drejtësisë në të gjitha Kazatë e kohës për 500 vjet në Vilajetin tonë ?
Ndoshta keni mësuar të gjykoni vetëm me urdhra gjatë gjithë pushtimit serb?
Ndoshta edhe tash prisni vetëm urdhra nga lartë?
Ku me ditë?
Ndoshta nuk të ka shkuar kurrë mendja për legalizimin e qytetarëve dhe të pronës së tyre në këtë vend që ka dal nga lufta tash 25 vjet?
Ka shumë pyetje për të cilat nuk me ka shkuar mendja të ju pyes: Pse duhet të endem tërë jetën për të legalizuar një truall që e kam ble me dy kredi afatshkurtra në vitin 1985 nën pushtetin jugosllav?
-Doja edhe unë të kem një pëllëmbë tokë ku mund të bëja një kasolle për të bërë gjumin, zotëri gjykatës.
Nuk isha nga ajo kategoria e njerëzve që merrte apartament (banesë komfore) me dy fjalë në telefon.
Kishte edhe para 50 vjetësh lagje në këtë shehër, që tash e quani kryeqytet, ku ndërtohet akoma pa plan e dokumente, pa asnjë mbikëqyrje të pushtetit. Edhe atij pushtetit jugosllav i konvenonte ndërtimi i egër për të mbushur xhepat privat.
Taksa për ndërtim me leje nuk mund të imagjinohej që të paguhej nga një punëtor.
Historia e kësaj pune është tepër e rëndë për ta dëgjuar deri në fund.
Por ja, asokohe unë ia dola të marr dy kredi afatshkurtra dhe të blej dy pëllëmbë tokë.
Nuk isha i vetmi unë që bleva pak tokë në shehër.
A e di ti more zotëri gjykatës, se në ketë shehrin tonë ku jetojmë ti e unë, ka me qindra shtëpi e troje që kanë mbetur në dorë të pushtetit që nga ikja e ushtrisë turke prej këtu?
Ti ore gjykatës, nuk e merr dot me mend sa njeriu ynë e la tokën e shtëpinë pa shitur kurrë, vetëm për të shpëtuar kokën dhe familjen. Ikën ata në Turqi. Shumë shtëpi u shiten gati krejt falas, vetëm sa për të thënë, se i hoqën qafe.
Sa ishte mbreti gjykatësit i quanin Kadi efendi!
Tash po ju thonë zotëri Gjykatës!
A e di ti zotëri gjykatës apo ke harruar sesi pushtuesi serb na dëboi nga shtëpitë tona në prill të vitit 1999?
Paramilitarët serbë, as nuk na kanë pyetur për kurrfarë letrash. Ndodhi dëbimi pa pardon! Lamë tokën e shtëpitë krejt bosh.
A di ti si na ktheu Bashkësia Ndërkombëtare pas mbarimit të luftës, pasi qëndruam refugjat nëpër botë me muaj të tërë?
***
Mund të pyesësh: pse e bleva kur ai pronari nuk e kishte përkthyer kurrë atë tokë?
E bleva unë, pasi mund ta merrte tjetri para hundëve.
Pata shkuar në komunë!
A e di ti more gjykatës që pa dhënë pak ryshfet as atëherë, nuk ta hapte kush derën, e lëre më defterin?
Edhe për të dhënë ryshfet duhej gjetur ndonjë mik të nëpunësit sepse ai shefi i kadastrit, nuk e merrte dot ryshfetin nga dora e Grremçit?
Dëgjo ore gjykatës!
E gjeta një mik të largët të atij shefit të kadastrit që mund ta kurdiste këtë punë.
Dhe a e dini për çka?
Ai vetëm duhej të shikonte skicën kadastrale të këtij truallit tim në letër “hamer” të vizatuar me dorë? Vetëm për ta shikuar me sy a është ajo pjesë toke në regjistër, duhej paguar diçka?!
Me thirren brenda. Ai shefi i kadastrit nxori një nga letrat e mëdha HAMER, me dimensionet 120 -100 cm. që edhe unë të shohë ku është e vizatuar ajo grimë tokë? E gjetëm edhe rrugën edhe numrin.
A dini çka tha ai?
– Ti ore punëtor i gjorë, ke pak fat. Me ligjin aktual të ndërtimit në këtë lagje të shehrit, demek të qytetit, në të gjitha këto parcela që i sheh në letër, shtëpitë dhe kasollet që janë ndërtuar deri tash, nuk kanë leje, por të gjitha ato objekte që janë të futura në kornizë kanë të drejtë ndërtimi të ri. Pasi ato janë ndërtuar para vitit 1952. Pra ti mund të ndërtosh pa leje, por na bëjmë punën tonë.
Ndonjë ditë kur shohim se po ndërtoni diçka, na e evidencojmë dhe i dërgojmë inspektorët. Ata vijnë aty dhe matin diçka, bëjnë ndonjë flet padi dhe ta ndërpresin punën, por ti vazhdo! Kur e përfundon shtëpinë, na vijmë serish dhe ti tashmë e ke mbuluar shtëpinë. Ata kërcohen me rrenim, por nuk kanë urdhër për të rrënuar! Ti po kupton a? (diçka ju jep).
Ashtu ndodhi shoku gjykatës! Erdhën inspektorët dhe u dhashë diçka.
E ndërtova dhe e mbulova shtëpinë! Erdhën inspektorët dhe i ndreqa pak! Shkuan edhe ata! Shtëpia mbeti dhe pastaj kjo puna e lejes u heshtë. Por komuna tash ma shtoi tatimin. Për kasolle paguaja pak fare, ndërsa pasi ndërtova shtëpinë mbi themelet e kasolles, shtëpinë e re e quanin ndërtim të fortë, dhe natyrisht caktuan të paguaja tatim për 160 m2. Thjeshtë i binte kjo llogari tatimi diku dhjetë a njëzetë herë më shumë se para ndërtimit. Pagova rregullisht tatimin e ri.
Askush nuk mund të refuzonte tatimin në pronë, pasi komuna kishte kurdisë kurthin tjetër me kohë. Pa paguar tatimin për pronë, nuk mund të merrje asnjë dokument tjetër që kishim nevojë në komunë.
Asokohe rruga para shtëpisë sime, ishte rrugë arash. Nuk kishte as ujësjellës as kanalizim. Për ujë nuk e bënim shumë dert, sa ishte problem kanalizimi. Shumë shtëpi u ndërtuan pa kurrfarë plani as leje ndërtimi, ashtu si unë, U bë edhe kanalizimi dhe ujësjellësi pas nja dhjetë vjetësh. Mundësia jonë ishte tepër e vogël për të bërë ndonjë kala. Ashtu ndërtova një shtëpi modeste ku u rriten fëmijët që tani janë të gjithë të martuar, por asnjëri nuk jeton me mua.
O gjykatës i mallkuar!
A e di ti që në Kosovë pati edhe luftë? (Ky UNMIK-u nuk e pat regjistruar as pranuar si luftë, por si konflikt, ashtu thanë).
A e di ti që na nxorën nga shtëpitë dhe kaluam shumë muaj refugjatë nëpër botë?
A e di ti se kur na nxorën nga shtëpitë, nuk na pyeti askush për legalizimin e ndërtimit apo të truallit.
Ndodhi edhe apokalipsi, more gjykatës!
Na kthyem në shtëpitë tona serish.
Dhe, a di ti more gjykatës, se UNMIK-u mori ta qeveriste krejt vendin tonë, pra edhe këtë qytet ku jemi unë e ti!
A e di ti ore gjykatës se njëfarë pjese e hyqymetit të UNMIK-ut, që quhej HABITAT kujdesej për punën e pronave që ishin uzurpuar me atë turrin e madh që ju patën vërsulur qytetit njerëzit që kishin apo nuk kishin shtëpi a banesë. I doli besa shumë punë edhe këtij HABITAT-it, edhe për kthimin e refugjatëve nëpër shtëpitë e tyre?! Ajo Agjencia IOM, na mori sa ishim refugjatë dhe na solli me avion deri në shtëpi. Bile edhe mbanin evidencë. Shtëpia ime nuk qe djegur.
Me vite, Bashkësia Nderkombëtare ndihmoi qytetarët të ndërtojnë shtëpitë që ju kishin djegur gjatë luftës.
Edhe mua me letra më kthyen në shtëpinë time, që e kam ndërtuar vet dhe për të cilën kam paguar tatim nga viti 1985.
Edhe faturat e pagesës së tatimit i kam hala o gjykatës!
Kisha dy fqinjë! Ata kishin afër meje dy kasolle me të njëjtin statut sikur unë. Ndodhi ajo vërsulja e madhe nga të katër anët në qytet dhe fqinjëve të mi ua uzurpuan shtëpitë. Këtyre dy fqinjëve të mi që kishin ikur, ua uzurpuan shtëpitë, që ishin ngjitë me shtëpinë time. Akoma nuk ishte stabilizuar asgjë. Bile po t’u fliste kush këtyre uzurpatorëve, binte lehtë në bela me ta.
Ata fqinjët ikën jashtë vendit.
Pastaj ata u ankuan në HABITAT!
Pas tre katër vjetësh, pas shumë procedurash që zgjaten deri dhjetë vjet, i nxorën uzurpatoret nga këto dy kasolle që i kam ngjitur me shtëpinë time.
Me polici i kanë larguar uzurpatorët.
Në shtëpinë time nuk kam bërë gjumë njeriu për mbi dhjet vjet. Nëpër objektet e uzurpuara kalëronin lloj-lloj njerëzish. Natë e ditë kishte probleme. Pasi që gjykata komunale që punonte në kuadër të HABITAT-it, i liroi ato dy kasolle, fqinjët e dikurshëm erdhën nga perëndimi, dhe meqenëse atyre ju njihej e drejta e pronës, gjë që ishte krejt normale, ata pastaj mi shiten mua dhe përkthimin e bëmë në gjyq me të gjitha taksat.
Për legalizim tjetër nuk pyeti kush. As ata fqinjët e as unë nuk i kemi pasur të përkthyera ato parcela kurrë më parë. Dhe ashtu u krye pazari. Fqinjët morën pagesën, por gjykata e pushtetit vendor që u zgjodh pas shpalljes së pavarësisë, kërkoi nga unë edhe një herë legalizimin përmes gjyqit.
Deshëm apo nuk deshëm, angazhuam avokat dhe bëmë kërkesë në gjykatë. Për ftesën e parë pritem pesë vjet pa një njoftim.
Erdhi thirrja e parë. Kontratat e shitblerjes mes palëve nga HABITAT, i pranon gjykata. Gjykatësja fillon të shpikë gjera tjera. Kërkon të paguaj avokat edhe për palën që ma ka shitur tokën. E pranuam duke paguar menjëherë me urdhër të gjykatësit 3 mijë euro. Avokatja që kinse përfaqëson palën që jeton jashtë e thërret me ardhë këtu. Vjen Personi që më ka shitur tokën. Shkojmë bashkë me dy avokatë, përfaqësuesin tim, dhe avokatin e palës që ka thirre gjykatësja. Dhe a dini çka? E pyet para të gjithëve. Pala deklaron se e ka shitur si duhet dhe nuk ka asnjë problem. Fqinjit që erdhi nga perëndimi, mua më është dashur t’ia paguaj biletën e udhëtimit me të gjitha shpenzimet deri sa u kthye edhe nga ka ardhur.
E thërret avokatja tjetrin fqinj timin që jeton në perëndim dhe ai i tregon se nuk ka asgjë për të thënë. Pas tri seancave nga dhjetë minuta gjykatësja urdhëron të paguaj edhe 3 mijë euro.
Dhe nuk merr vendim fare. Avokati im, e dërgoi lëndën në gjykatën e Apelit ku po pret lënda tash një vit.
Dhe a e dini me çfarë arsyetimi gjykatësja nuk e mbylli aktgjykimin.
Ajo u arsyetua se e shoqja e Grremçit nuk ka pasur autorizim nga burri për të mbaruar këtë gjykim.
The post Grremçi i shkruan letër të hapur Gjykatësit appeared first on Telegrafi.