Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

“Mandati i katërt, fokusi drejt integrimit në BE”, Çupi: Merr fund historia e tranzicionit në Shqipëri

SHQIPËRI- Socialistët do të mbledhin Asamblenë Kombëtare më 11 shtator, aty ku Edi Rama, pritet të zyrtarizmi skuadrën me të cilën do të drejtojë vendin në mandatin e katërt qeverisës.

Mbetet për t’u parë nëse Rama do të zgjedhe të bashkëdrejtoi me figura politike apo edhe ne qeveri do të ketë figura të reja, njëjtë si me listat për deputetë.

Analisti Frrok Çupi, i ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News tha se mandati i katërt i qeverisë Rama do ketë fokus mandatin e integrimit drejt BE-së.

“Është epoka, që do jetë ekipi qeveritar më shumë dimensional. Do jetë ekipit qeveritar, që do të dëshmojë jo vetëm rrugën e bërë, por dhe vullnetin pozitiv për të shkuar në qytetërim të lartë në BE. Një ekip shumëdimensional. Është mbyllja përfundimisht, deri në gurin e fundit, të tranzicionit në Shqipëri. Me qeverinë qe vjen, Shqipëri nuk ka më tranzicion”, theksoi ai.

Sipas tij, ky mandat i Partisë Socialiste ndan përfundimisht të drejtën nga e padrejta. Ai parashikon se Berisha dhe Meta do jenë emra të harruar, për shkak të zullumeve të tyre.

“Kjo e përmbyll plagën e rëndë të drejtësisë në Shqipëri. Në fund të këtij 4-vjeçari, e drejta në Shqipëri ndahet nga e padrejta që ushtron shteti mbi individin. Do të shohim ish-kryeministra dhe ish-presidentë prapa hekurave. Do  t’i shohim të gjithë prapa hekurave, do kemi harruar emrat e Sali Berishës, Ilir Metës dhe emra të disa të fortësh, që na kanë shqetësuar nëpër lagje. Fokusi kryesor thuajse është shpallur. Ai e ka shpallur gjatë kohës që ka zhvilluar fushatën elektorale. Fokusi kryesor për qytetarët duket qartë, është një fokus larg propagandës, është një fokus që ka mirëqenien, sigurinë kombëtare dhe të individit po ashtu, shëndetësimin ekonomik dhe financiar të shtresave të dobëta të shoqërisë si: pensionistë, të sëmurë. të pamundur etj. Do ketë në fokus rritjen e nivelit të kontributit arsimor të vendit. ”, tha ai.

Ai komentoi dhe planin e Sali Berishës për të ngritur disa grupe parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë.

Analisti Çupi thekson se këto lojëra Berisha i bën për t’u dukur shumë, por sipas Çupit ai harron se të gjitha skenarët e mundshëm do t’i bien poshtë pasi e pret burgu për veprat, të cilat i ka kryer gjatë kohës që drejtonte Shqipërinë.

“Berishës i duhen shumë zëra, shumë media, i duhen shumë thashethemexhinj me qëllim që të duket se është shumë. Por realisht nuk është shumë, ai është Saliu. I duhet për të thënë që opozita është e madhe. E dyta, Saliu i ka të pasigurta të gjitha gjërat dhe do t’i shpërndajë njësoj siç bënin dikur. Por një gjë e harron. Të gjitha këto bien, kur ai do të shkojë në burg”, tha ai.

/abcnews.al

Sulmi vdekjeprurës në SHBA, Donald Trump urdhëron uljen e flamujve në gjysmështizë

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar një shpallje presidenciale për të nderuar viktimat e të shtënave tragjike në një shkollë në Minneapolis.

Trump e përshkroi ngjarjen si një “akt të pakuptimtë dhune” dhe urdhëroi që flamujt në Shtëpinë e Bardhë dhe në të gjithë Shtetet e Bashkuara të ulen në gjysmështizë.

Urdhri përfshin gjithashtu ambasadat amerikane, bazat ushtarake dhe anijet e flotës detare.

Sipas shpalljes zyrtare, flamujt do të qëndrojnë në gjysmë shtize deri në perëndimin e diellit më 31 gusht 2025.

Sipas raportimeve, dy fëmijë, të moshës tetë dhe dhjetë vjeç, janë vrarë dhe 17 persona të tjerë janë plagosur. Shefi i policisë, Brian O’Hara, thotë se ata u qëlluan ndërsa “ishin ulur në stolat e Meshës” në Shkollën Katolike Annunciation.

Sulme të reja izraelite ndaj pozicioneve ushtarake në Siri

Izraeli nisi një seri sulmesh ndaj ish-kazermave në Kiswa, në jugperëndim të Damaskut. Zona Kiswa dhe Jabal Manea ishin ndër postet më të rëndësishme ushtarake të përdorura nga milicitë pro-iraniane gjatë epokës së Asadit.

Kur u pyet për ngjarjen, një zëdhënës ushtarak izraelit tha për mediat ndërkombëtare: “Ne nuk komentojmë raportet e huaja”.

Gjithashtu sot në në Damask, Ministria e Jashtme Siriane dënoi një sulm me dron izraelit, ku u vranë gjashtë ushtarë, duke theksuar se sulmi përbën një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së, si dhe një shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë.

Ministria tha se sulmi, i cili ndodhi mbrëmë në rajonin Kiswa është pjesë e politikave të përsëritura agresive të pushtimit izraelit që synojnë minimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Megjithatë, ushtria izraelite nuk i ka konfirmuar sulmet.

/abcnews.al/

OBSH: Sëmundjet dhe uria në Gaza do të shtohen nëse nuk lejohet ndihma e mjaftueshme

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se sëmundjet dhe uria do të shtohen nëse nuk hiqen të gjitha pengesat për shpërndarjen në shkallë të gjerë të ndihmës së vendosur nga Izraeli në Rripin e Gazës.

Gjithashtu shtoi se nëse duhet të sigurohet qasja edhe në të gjithë enklavën e pushtuar palestineze.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Ndihmës Humanitare konfirmoi sot se një sasi e caktuar ndihme lejohet të hyjë në Rripin e Gazës çdo ditë, por paralajmëron se kjo është shumë nën nivelin e nevojshëm për të përmbushur nevojat e mëdha.

SHBA regjistron rekord fluturimesh për deportimin e emigrantëve

Numri i fluturimeve për deportimin e emigrantëve nga Shtetet e Bashkuara ka arritur një nivel rekord këtë vit, duke nxitur shqetësime për mungesën e transparencës nga ana e kompanive ajrore që i realizojnë këto fluturime.

Sipas të dhënave të publikuara, gjatë muajit korrik janë regjistruar 1214 fluturime deportimi, shifra më e lartë që nga viti 2020, kur filloi monitorimi i tillë. Kjo rritje përfaqëson një trend alarmues, veçanërisht për organizatat që mbrojnë të drejtat e emigrantëve dhe kërkojnë llogaridhënie nga autoritetet federale.

Ajo që ka ngritur më shumë dyshime është praktika në rritje e fshehjes së identitetit të avionëve, e cila sipas raportimeve përfshin përdorimin e thirrjeve false (dummy call signs) dhe fshehjen e numrave identifikues të aeroplanëve.
Këto veprime, ndonëse të lejuara nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA) përmes një programi të quajtur LADD, janë interpretuar nga shumë si përpjekje për të shmangur mbikëqyrjen publike.

Kompanitë ajrore që bashkëpunojnë me Shërbimin e Imigracionit dhe Doganave (ICE), si GlobalX, Eastern Air Express dhe Avelo Airlines, janë përfshirë në këtë praktikë, ndërsa fluturimet e tyre janë bërë gjithnjë e më të vështira për t’u gjurmuar në faqet publike të monitorimit të aviacionit.

Sipas organizatës “Witness at the Border”, e cila monitoron këto operacione, deri në fund të korrikut janë regjistruar rreth 6000 fluturime deportimi, një rritje prej 41 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Aktivistët dhe grupet e të drejtave të njeriut po kërkojnë më shumë transparencë dhe llogaridhënie për mënyrën se si realizohen këto operacione, duke theksuar se fshehja e avionëve është tregues i mungesës së dëshirës për t’u përballur me opinionin publik dhe pasojat e politikave të ashpra të emigracionit./abcnews.al

Studimi: Shpyllëzimi shkakton vdekjen e 28 mijë personave çdo vit

Shkencëtarët kanë përcaktuar se 28.000 njerëz vdesin çdo vit për shkak të shpyllëzimit. Hulumtuesit nga Universiteti i Leeds në Britani studiuan efektet e shpyllëzimit në rajonet tropikale mbi shëndetin e njeriut.

Hulumtuesit zbuluan se shpyllëzimi në pyjet tropikale të Amazonës, Kongos dhe Azisë Juglindore zvogëlon sasinë e reshjeve, rrit temperaturat e të nxehtit dhe ngushton zonat e hijes.

Gjithashtu hulumtuesit përcaktuan se 345 milionë njerëz janë ekspozuar ndaj nxehtësisë ekstreme midis viteve 2001 dhe 2020 për shkak të shpyllëzimit në pyjet tropikale, dhe se si pasojë e kësaj ngrohjeje të shkaktuar nga kjo situatë, 28.000 persona kanë humbur jetën çdo vit nga shkaqe të lidhura me nxehtësinë.

Hulumtuesit vunë re se Azia Juglindore ka shkallën më të lartë të vdekjeve të lidhura me nxehtësinë, e ndjekur nga rajonet tropikale të Afrikës dhe Amerikës.

Rezultatet e studimit u botuan në revistën “Nature Climate Change”.

Zjarret në Maqedoninë e Veriut, 4 vatra ende aktive, 4 të tjera nën monitorim nga autoritetet

Në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 12 vatra zjarri. Katër prej tyre janë aktive, ndërsa katër të tjerë janë shuar plotësisht.

Sipas autoriteteve zjarret janë raportuar në në Prilep, në fshatin Radobill, Vrapçishte, në fshatin Debresh dhe Zubovcë, Ohër, në fshatin Volinë dhe Likovë, në fshatin Orizare.

Katër zjarre janë vënë në kontroll, ndër të cilat në Jasen në komunën e Brodit.

Po ashtu është vënë nën kontroll edhe zjarri që u raportua në fshatin Koroshishtë, komuna Strugë, në malin Kozhuf, komuna Gjevgjeli dhe në fshatin Kondovë, komuna Saraj.

/abcnews.al/

Sulmi me dy viktima/ Zv.presidenti amerikan: Shtëpia e Bardhë po monitoron situatën në Minneapolis

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance thotë se Shtëpia e Bardhë po e monitoron situatën në Minneapolis.

Ai këtë e ka bërë përmes një postimi në X, duke bërë thirrje për lutje për viktimat e këtij sulmi.

“Ne jemi duke e monitoruar situatën në Minneapolis. Bashkohuni në lutjet për viktimat”, ka shkruar Vance.

Një sulmues i armatosur hapi zjarr gjatë një meshe mëngjesin e së mërkurës në një shkollë katolike në Mineapolis, duke vrarë dy fëmijë dhe duke plagosur 17 të tjerë, thanë zyrtarët.

Sulmuesi më pas ka vrarë veten.

Shefi i policisë në Mineapolis, Brian O’Hara, tha se sulmuesi  ishte i armatosur me pushkë dhe pistoletë. Ai iu afrua pjesës së kishës dhe nisi të qëllojë nga dritaret drejt fëmijëve që ishin ulur në meshë, në shkollën katolike.

“Fëmijët në Gaza s’kanë më forcë as të qajnë”, apeli në këshillin e Sigurimit të OKB: Shpëtojini, po shkatërrohen pasa syve tanë

OKB ka ngritur alarmin për situatën në Gaza. “Fëmijët e uritur të Gazës “kanë arritur limitin, ku janë limitet tuaja?”, kështu u shpreh kreu i i organizatës “ Save the Children”, Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Në këtë tryezë ai foli me detaje për shkatërrimin e ngadaltë psikologjik të fëmijëve, të cilët nuk kanë më forcë as të qajnë, siç tha ai.

E ftuar të shprehte qëndrimin e saj gjatë një takimi të Këshillit mbi konfliktin izraelito-palestinez, Inger Asching këmbënguli se uria e shpallur në Gaza javën e kaluar nga OKB-ja nuk është vetëm një “term teknik”.

“Kur ​​nuk ka ushqim të mjaftueshëm, fëmijët vuajnë nga kequshqyerja akute, pastaj vdesin ngadalë dhe me dhimbje. Kjo, me fjalë të thjeshta, është uri», tha ajo, përpara se të përshkruante fazat e këtij dobësimi të organizmit brenda pak javësh, trupi ‘shkatërron veten’, ‘gërryen muskujt dhe organet jetësore’, deri në frymën e fundit. E megjithatë, në klinikat tona heshtje. Fëmijët nuk kanë më forcë të flasin ose të qajnë, pasi po vdesin nga gjakderdhja. Ata shtrihen të dobësuar, duke humbur fjalë për fjalë forcën e tyre para syve tanë, trupat e tyre të vegjël të rraskapitur nga uria dhe sëmundjet’, tregoi ajo.

Të gjithë në këtë dhomë kanë një përgjegjësi ligjore dhe morale për të vepruar për të ndaluar këtë mizori, theksoi më tej.

“Përfundimi i kësaj krize të shkaktuar nga njeriu kërkon që ne të sillemi sikur të ishim nëna, babai, fëmija ynë, familja jonë, që luftojnë për të mbijetuar në Gazën e sotme”, tha Joyce Msuya, zëvendës shefe humanitare e OKB-së.

/abcnews.al/

Ushtria izraelite kryen operacion në Bregun Perëndimor

Dhjetëra ushtarë izraelitë kanë kryer një operacion në qytetin Nablus të Bregut të pushtuar Perëndimor, thanë dëshmitarët dhe zyrtarët palestinezë më 27 gusht, ndërkaq Gjysmëhëna e Kuqe ka raportuar për të paktën shtatë të plagosur gjatë këtij operacioni.

Ushtria izraelite ka konfirmuar për AFP-në se forcat e saj po kryejnë një operacion në këtë qytet në veri të Bregut Perëndimor, por nuk kanë dhënë detaje se cili është qëllimi i tij.

Operacioni nisi në orën 03:00, sipas kohës lokale, thanë banorët, të cilët raportuan se ushtarët me autoblinda ia mësynë disa lagjeve të qytetit të vjetër të Nablusit, që ka një popullsi prej rreth 30.000 banorësh.

Operacioni vjen një ditë pasi forcat izraelite në Ramallah, ku gjendet selia e Autoritetit Palestinez, bën bastisje në një këmbimore në qendër të qytetit, duke lënë të plagosur dhjetëra palestinezë, sipas Shoqatës palestineze të Gjysmëhënës së Kuqe.

Guvernatori i Nablusit, Ghassan Daghlas, i tha AFP-së se “sulmi i së mërkurës… është thjesht një shfaqje force pa asnjë justifikim”.

Ndërkaq, një dëshmitar tha se ushtarët dëbuan një çift nga shtëpia e tyre.

Është raportuar po ashtu për përleshje në pjesën lindore të qytetit të vjetër, kur të rinjtë hodhën gur në drejtim të ushtrisë izraelite, e cila raportohet se është përgjigjur me zjarr dhe me gaz lotsjellës.

Zelensky emëron ish-zëvendëskryeministren ambasadore në SHBA

Presidenti Volodymyr Zelenskyy ka emëruar ish-zëvendëskryeministren Olga Stefanishyna, si ambasadore të Ukrainës në Shtetet e Bashkuara.

“Sapo fola me Olga Stefanishyna, tani ambasadore e re e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara”, shkroi udhëheqësi ukrainas në mediat sociale.

“Gjëja më e rëndësishme është zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve me Uashingtonin, marrëveshjeve tona me presidentin Trump, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes.

”Në shumë mënyra, sigurimi i sigurisë afatgjatë të Ukrainës varet nga marrëdhëniet me Amerikën”, shtoi ai.

Policia aksion në Durrës/ Shoqërohen disa persona, identifikohen dy prej tyre

DURRËS- Policia ka zhvilluar në aksion në zonën e Shkozetit në Durrës. ABC News mëson se janë shoqëruar disa persona me rrezikshmëri te larte, ndërsa dy prej tyre janë identifikuar.

Gazetari i ABC News Leonidha Musai, raporton se dy prej të ndaluarve janë Erald Mustafën dhe Arbi Haxhiu, emra të njohur për Policinë. Ata rezultojnë pjesë e grupeve kriminale, që veprojnë në qytetin e Durrësit.

Në operacion janë angazhuar një numër i lartë efektivësh policie nga sektorë të ndryshëm të Policisë së Durrësit. Operacioni vijon me qëllim goditjen e grupeve kriminale dhe rritjen e sigurisë./abcnews.al/

Ushtria izraelite paralajmëron sërish palestinezët: Evakuimi nga Gaza i pashmangshëm!

Ushtria izraelite ka ritheksuar edhe njëherë se nuk heq dorë nga plani i saj për pushtimin e plotë të Gazës.

Ndërsa kanë paralajmëruar palestinezët se evakuimi nga Gaza është i pashmangshëm.

Zëdhënësi i ushtrisë, Avichay Adraee tha se familjet që do të zhvendoseshin në jug do të merrnin ndihmë dhe përkujdesje më të detajuar.

Mijëra njerëz janë zhvendosur tashmë për shkak të përparimeve të fundit izraelite, kryesisht në pjesë të tjera të qytetit, ku ende jetojnë rreth një milion palestinezë.

Thirrja për evakuim ripërsëristet, ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të kryesojë një takim në Shtëpinë e Bardhë mbi një vizion pas luftës për Gazën.

/abcnews.al/

Lituania thirrje BE: Anashkaloni veton e Hungarisë në bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës

Lituania po i bën thirrje Bashkimit Evropian që të gjejë një mënyrë për të anashkaluar veton e Hungarisë në lidhje me bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.

Duke iu referuar një letre që ka shqyrtuar – dërguar kryeqyteteve të BE-së javën e kaluar – transmetuesi publik lituanez LRT raportoi se Vilniusi po u bën thirrje vendeve fqinje të ndërmarrin “hapa vendimtarë” që do ta bëjnë ofertën e anëtarësimit të Ukrainës “të prekshme dhe të pakthyeshme”

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, qeveria e të cilit shihet gjerësisht si më pro-Kremlinit në bllokun evropian, ka penguar në mënyrë të përsëritur rrugën e Ukrainës drejt BE-së.

Sipas raportimeve, Lituania propozon nisjen e bisedimeve teknike për anëtarësim me Ukrainën dhe Moldavinë pa përfshirjen e Hungarisë, për sa kohë që pajtohen 26 shtetet e tjera anëtare.

Miratimi zyrtar mund të vijë më vonë, nëse Budapesti ndryshon qëndrim apo udhëheqje. Më herët këtë muaj, raportohet se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka kërkuar nga homologu amerikan, Donald Trump që të përballet me Orbanin për veton e tij. Bisedimet zyrtare për anëtarësim në BE mund të nisin vetëm me pëlqimin unanim të të 27 shteteve anëtare.

Koreja e Jugut ndalon telefonat në shkollat fillore

Koreja e Jugut ka ndaluar përdorimin e telefonave celularë dhe pajisjeve inteligjente gjatë orarit të mësimit në shkolla, raporton “BBC”. Është bërë vendi i radhës që ka kufizuar përdorimin e telefonave tek fëmijët dhe adoloshentët.

Ligji, që hyn në fuqi nga viti i ardhshëm shkollor në mars 2026, është rezultat i një përpjekjeje dypartiake për ta frenuar varësinë nga telefonat e mençur, pasi më tepër hulumtime po tregojnë për efektet e dëmshme të tyre.

Deputetët, prindërit dhe mësuesit argumentojnë se përdorimi i telefonave të mençur po ndikon në performancën akademike të nxënësve dhe ua shpenzon kohën gjatë së cilës ata do të duhej të mësonin.

Ndalimi ka skeptikët e tij, përfshirë nxënësit, të cilët vënë në dyshim se si do të funksiononte, implikimet e gjera dhe nëse adreson shkakun rrënjësor të varësisë.

Projektligji u miratua bindshëm të mërkurën, me 115 vota pro nga 163 deputetë të pranishëm.

Shumica e shkollave në Korenë e Jugut tashmë kanë aplikuar një ndalim të telefonave të mençur dhe nuk janë të parat që e kanë bërë këtë.

Disa vende si Finlanda e Franca i kanë ndaluar telefonat, duke e zbatuar kufizimin vetëm për moshat më të vogla. Të tjerat si Italia, Kina e Holanda kanë kufizuar përdorimin në të gjitha shkollat.

Por, Koreja e Jugut është ndër të paktat që e ka ndaluar me ligj.

EMRAT/ Operacioni i SPAK dhe policisë, në pranga dy punonjës të IMT, dy të tjerë në kërkim

TIRANË- Dy punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Tiranë janë arrestuar gjatë një operacioni nga SPAK dhe Policia e Shtetit. Bëhet fjalë për Gerald Fuçia dhe Edmond Çela.

Operacioni u zhvillua pas një denoncimi të mbërritur më herët në polici, ku raportohej se punonjësit e IMT-së kërkonin dhe merrnin para nga biznese të ndryshme, në këmbim të mosveprimit ndaj shkeljeve që konstatoheshin.

Ndërkohë, veç dy të arrestuarve mësohet se dy të tjerë, G.Fucia dhe E.Çela, janë shpallur në kërkim.

Pak minuta më parë reagoi dhe IMT-ja e Tiranës, e cila thotë se inspektorët në fjalë janë shkarkuar nga detyra.

“Marrë shkas nga ngjarja e ndodhur ditën e sotme, ku katër punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit kanë shkelur rëndë ligjin, bëjmë me dije opinionin publik se institucioni ynë e dënon me vendosmëri këtë rast. Sjellje të tilla janë të papranueshme dhe IMT distancohet plotësisht nga këto veprime individuale. Ndaj personave të përfshirë janë marrë menjëherë të gjitha masat e nevojshme administrative, duke i shkarkuar nga detyra.IMT inkurajon organet ligjzbatuese për bashkëpunim të plotë dhe ndëshkimin e rastit sipas ligjit, si edhe inkurajon çdo qytetar të denoncojë raste të ngjashme, në mënyrë që të mos mbetet asnjë hije dyshimi mbi integritetin e institucionit dhe misionin e tij”, thekson IMT.

/abcnews.al/

 

 

“Grupet parlamentare, vetëm për para”, Sula: Halli i opozitës, të gllabërojë sa më shumë

TIRANË- Demokrati Dashnor Sula ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në radhët e opozitës, duke akuzuar drejtuesit aktualë të Partisë Demokratike për mungesë vizioni dhe interes të theksuar për përfitime financiare.

Sipas tij, grupet parlamentare janë kthyer në instrumente për të “gllabëruar” sa më shumë para dhe jo për të përfaqësuar interesat e qytetarëve.

Sa i takon deklaratave të Berishës për hyrjen apo jo në Kuvend në shtator, Sula tha se ato janë kontradiktore.

“E kemi thënë, e kemi stërthënë se deklaratat e Berishës dhe të tjerëve janë shumë kontradiktore. Do ishte një gabim i madh nëse opozita nuk do ishte në parlament, që nis punimet në shtator. Kam frikë dhe dyshoj se qasja e Berishës si drejtues i PD, thjesht do vazhdojë në fyerje, sharje dhe akuza. Është për të ardhur keq. Halli më i madh i opozitës është se ku ka financa dhe para, i gjëmon ato.Kjo nuk ka sens dhe nuk përbën logjikë politike”, tha ai.

Ai theksoi se kryetari i grupit parlamentar të PD do jetë padiskutim një “kamikaz”, që i bindet urdhrit të Sali Berishës.

Pa diskutim dhe në duart e Berishës të jetë i verbër, Bardhi do detyrohet ta luajë atë rol. Pa ikur fytyrat e urryera nga demokratët, njerëz që nuk kanë asnjë vlerë në PD”, tha ai në “Tirana Live”.

Ai kritikoi ashpër rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha në drejtimin e PD-së, duke e konsideruar atë një pengesë serioze për reformimin e partisë dhe për rikthimin e saj në pushtet.

“Ne po flasim  për një reformim të PD, me njerëz të rinj, të pakontestuara dhe që i duan qytetarët shqiptarë. Berisha nuk mund ta sjellë kurrë në pushtet PD. Berisha është garancia dhe siguracioni për Ramën, që PS të rrijë në pushtet aq sa t’i dojë qejfi”

Sula theksoi se zgjidhja qëndron te një reformim i thellë i Partisë Demokratike, me figura të reja, të pakonsumuara dhe të pranueshme për qytetarët shqiptarë.

“Do duhet figura, të reja dhe të pakonsumuara dhe që japin shpresë për zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, tha ai.

❌