Rama: Sipërmarrja më e madhe gjermane SchwarzGroup, interes për të investuar në Shqipëri
TIRANË, 16 korrik/ATSH/- Sipërmarrja më e madhe gjermane, SchwarzGroup ka shprehur interesin për të investuar në disa fusha në Shqipëri.
Kjo u theksua gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në këtë sipërmarrje i cili shoqërohej edhe nga ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Delina Ibrahimaj, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj.
Rama ka publikuar në rrjetet sociale fotoalbumin e vizitës brenda kompanisë gjermane duke e cilësuar një ditë mbresëlënëse.
“Në brendësinë e sipërmarrjes më të madhe gjermane, SchwarzGroup, ku na u prezantua aktiviteti shumëplanësh i këtij grupi me 600 mijë punonjës si edhe interesi për të investuar në disa fusha në Shqipëri që sipas vetë mikpritësve tanë po kthehet në kyç rajonal”, nënvizoi Kreu i Ekzekutivit.
Kryeministri Rama ishte i ftuar i nderit nga qeveria e Bavarisë, për të mbajtur fjalën e rastit në ceremoninë e hapjes së “Herrenchiemsee Festspiele”, ku çdo vit një i ftuar adreson temën e Europës.
The post Rama: Sipërmarrja më e madhe gjermane SchwarzGroup, interes për të investuar në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.