GAZA – Palestinezët largohen nga lagjet e qytetit, ndërsa Izraeli fillon fazën e parë të sulmeve
GAZA, 21 gusht /ATSH/ – Shumë palestinezë po largohen sot nga pjesë të qytetit të Gazës, pasi ushtria izraelite filloi fazat e para të një ofensive të planifikuar tokësore, thanë zyrtarët në qytet.
Trupat izraelite kanë krijuar një pikëmbështetje në periferi të qytetit – i cili është shtëpia e më shumë se një milion palestinezëve – pas ditësh bombardimesh intensive dhe zjarri artilerie.
Kjo ka bërë që sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, të ripërtërijë thirrjet për një armëpushim të menjëhershëm “për të shmangur vdekjen dhe shkatërrimin” që një sulm do të “shkaktonte në mënyrë të pashmangshme”.
Izraeli dëshiron të sinjalizojë se po ecën përpara me planin e tij për të pushtuar të gjithë qytetin e Gazës pavarësisht kritikave ndërkombëtare.
Qindra palestinezë në lagjet Zeitoun dhe Sabra të Qytetit të Gazës janë larguar drejt pjesës veriperëndimore të qytetit.
Një zëdhënës ushtarak tha se trupat tashmë po vepronin në zonat Zeitoun dhe Jabalia për të hedhur themelet për ofensivën, të cilën ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, e miratoi të martën dhe e cila do t’i paraqitet kabinetit të sigurisë më vonë këtë javë.
Rreth 60 000 rezervistë janë thirrur për në fillim të shtatorit për të liruar personelin aktiv për operacionin.
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se po “shkurton afatet kohore” për marrjen e asaj që ai e përshkroi si “fortesat e fundit të terrorit” në Gaza.
Në një deklaratë, Hamasi akuzoi udhëheqësin izraelit për vazhdimin e një “lufte brutale kundër civilëve të pafajshëm në qytetin e Gazës” dhe kritikoi atë që tha se ishte “mosrespektimi” i tij për një propozim të ri për armëpushim nga ndërmjetësit rajonalë. Izraeli ende nuk i është përgjigjur zyrtarisht planit.
Qindra mijëra palestinezë në qytetin e Gazës pritet të urdhërohen të evakuohen dhe të shkojnë në Gazën jugore, ndërsa përgatitjet për planin e Izraelit për marrjen e kontrollit filluan.
Ndërkohë, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) tha se zhvendosja e mëtejshme dhe intensifikimi i armiqësive “rrezikojnë të përkeqësojnë një situatë tashmë katastrofike” për popullsinë 2,1 milionë të Gazës./ a.jor.
The post GAZA – Palestinezët largohen nga lagjet e qytetit, ndërsa Izraeli fillon fazën e parë të sulmeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.