Me rritjen e çmimeve të udhëtimeve dhe mbipopullimin e destinacioneve kryesore, shumë turistë po kërkojnë përvoja të përballueshme ose të panjohura, shkruan Harmia Amadi në një artikull të botuar në “Travel Radar”.
Revista e udhëtimeve “Travel Radar” e ka renditur Shqipërinë mes tre destinacioneve në zhvillim – nga Evropa bregdetare në Afrikën ekuatoriale – që mund të jenë ndër zgjedhjet më të mira të vitit 2025.
Falë bukurisë së tyre të egër dhe vendeve kulturore këto destinacione mund të jenë duke riformësuar në heshtje hartën globale të udhëtimeve.
Shqipëria: Adriatiku i përballueshëm i Evropës
Me malet e saj të egra, Alpet veriore të pacenuara dhe bregdetin bruz të Ksamilit, Shqipëria është shndërruar nga një sekret për vizitorët e huaj në një konkurrente serioze midis pikave të nxehta turistike alternative të Evropës. Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara raportoi se vendi ballkanik u rendit i treti në rritjen globale të turizmit, me një rritje prej 80% të vizitorëve krahasuar me vitin 2019.
“Shqipëria mirëpriti 11,7 milionë vizitorë ndërkombëtarë në vitin 2024 – dhe është në rrugën e duhur për të patur një rritje të mëtejshme – me më shumë se 3 milionë turistë deri në fund të vitit 2025”, sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë,
Atraksionet
Shqipëria po shfaqet si një alternativë e përballueshme kundrejt destinacioneve të njohura mesdhetare – duke ofruar peizazhe të larmishme për një gamë të gjerë vizitorësh.
Vijat e saj të pastra bregdetare janë të përshtatshme për pushime ideale në plazh, ndërsa adhuruesit e natyrës mund të eksplorojnë liqenet akullnajore, gjiret dhe shtigjet malore. Më pak e globalizuar se fqinjët e saj, Shqipëria ka ruajtur mikpritjen e saj tradicionale, me një ndërthurje kulturore të ndikimeve osmane dhe greke.
Muzika popullore, zakonet rajonale dhe identiteti i fortë lokal e bëjnë Shqipërinë gjithnjë e më tërheqëse për turistët e huaj. Plazhet mahnitëse dhe qytetet bregdetare të Rivierës Shqiptare rivalizojnë destinacione si bregdetin e Greqisë, por me një çmim shumë më të ulët.
Sipas “Numbeo”, kostoja e jetesës në Shqipëri – duke përjashtuar qiranë – është 14% më e ulët se në Greqi. Kostot e ushqimit dhe çmimet e restoranteve janë përkatësisht 97% dhe 24% më të ulëta.
Infrastrukturë e përmirësuar
Infrastruktura turistike është përmirësuar, gjithashtu vitet e fundit, me një transport publik më të besueshëm, në aeroport dhe Tunelin e Llogorasë që lehtësojnë aksesin drejt Rivierës Shqiptare. Rritja eksponenciale e turizmit në vend mbështetet nga 33 projekte aktive zhvillimi me një total prej 5,3 miliardë eurosh – të paraqitura në Strategjinë e saj Kombëtare të Turizmit 2024-2030.
Për më tepër, linjat ajrore kanë zgjeruar shërbimin në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës gjatë pesë viteve të fundit.
“Wizz Air” nisi fluturimet ajrore nga Aeroportin i Tiranës në vitin 2020, e ndjekur nga “Ryanair” dhe “British Airways” në vitin 2023. Në qershor, “airBaltic” nisi fluturimet direkte që lidhin vendet baltike me kryeqytetin e Shqipërisë.
Lidhshmëria në rritje pasqyron profilin në rritje të Shqipërisë si një destinacion turistik në zhvillim.
Këndvështrimi diplomatik
Shqipëria nuk është vetëm një destinacion në zhvillim i përballueshëm dhe me më pak turma vizitorësh. Ajo po ripozicionohet në skenën ndërkombëtare si anëtare e NATO-s, kandidatja më e fundit e Bashkimit Evropian dhe një nga vendet turistike me rritjen më të shpejtë në Evropë – me zhvillime të shërbimeve publike dhe ekonomike të mbështetura nga Banka Botërore dhe BE-ja – duke u shfaqur si një qendër turistike e vendosur strategjikisht dhe e gatshme për investime.
Shqipëria, gjithashtu ofron hyrje pa viza për qytetarët e BE-së dhe të Britanisë së Madhe (90 ditë) dhe shtetasit amerikanë (deri në një vit) – duke përforcuar atraktivitetin e saj si një vend ideal për një arratisje në Mesdhe.